Nga Fadil Paçrami
Pjesa e pestë
Memorie.al / Ç’është burgu? Është vendi ku mbahen ata që janë dënuar me heqje të lirisë, do të thoshim duke lexuar çdo fjalor. Por kaq është pak. Burgu dhe liria – dy të kundërta. Më parë: ç’është liria? Me pak fjalë: të jesh i lirë do të thotë të bësh atë që do, të mendosh e të veprosh sipas dëshirës në ushtrimin e përmbushjen e lirive e të drejtave të tua, si njeri e si shtetas, por gjithmonë pa cënuar e dhunuar të tjerët. Përsërit: të mendosh e të veprosh. Fjala është për liritë demokratike, nga ajo e fjalës, e shtypit, e tubimit dhe e organizimit në partira e shoqata të ndryshme, sigurimin e kushteve, ku të gjejnë shprehje e konkretizim idetë, kërkesat e vullnetet njerëzore, nga ato të planit biologjik-lidhur me vetë qenien, tek ato të planit social, lidhur me mënyrat e të jetuarit.
PO, UNË AKUZOJ!
(Një kërkesë që mbeti pa përgjigje)
Pasi i isha drejtuar dy herë Gjykatës së Lartë – më 5.2.1986 dhe 9.2.1988, që të ushtronte nga ana e saj “kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë” dhe nuk kisha marrë asnjë përgjigje, së fundi iu drejtova Presidiumit të Kuvendit Popullor. Fjala është gjithmonë se; dënimi me 25 vjet heqje lirie, nuk kishte baza ligjore, ngaqë në atë kohë “sabotimi”, nuk përfshinte (me ligj) edhe fushën e ideologjisë, po ashtu edhe “agjitacion e propaganda”, nuk përfshinte krijimtarinë letrare e artistike, të botuar a të luajtur në skenat e teatrove shtetërore. Teksti botohet i plotë, si akuzë e dëshmi për shkeljet e dhunimet që u bëheshin ligjeve.
Ju drejtohem si organi më i lartë i shtetit. Drejt, pse e bëj këtë hap tani, pas kaq vjetësh? Arsyet me pak fjalë janë këto:
– Deri në dhjetor 1981, me gjithë bindjen e plotë, se isha dënuar pa të drejtë, nuk e ngrita këtë çështje në rrugë shtetërore si tani (ç’kam bërë në rrugë partie, ajo është tjetër), se nuk kisha bindjen të dilte gjë prej saj për mire, derisa “banda” e Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut, mbante akoma vende drejtuese në shtet e në parti dhe nuk qe zbuluar vepra e saj kriminale.
– Pas dhjetorit 1981, me daljen në shesh të kaq bëmave të saj, në fusha të ndryshme të veprimtarisë shtetërore e partiake dhe në ato të organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të hetuesisë, të Prokurorisë e të Gjykatës, për shkelje të rënda, të ligjshmërisë, që u bënë të njohura edhe me shtyp, kam shkuar me mendimin, pra edhe kam pritur, që këtë (dua të them anën ligjore të çështjes – lidhur me dënimin penal), do ta bënte vetë Gjykata e Lartë, siç i takonte, pa nevojën e ndonjë shtytjeje nga ana ime, si i interesuar drejtpërdrejt.
– Meqë kaluan vite dhe nuk po bëhej gjë (e kam gjithmonë për anën ligjore) mendova, të ndjek një rrugë të rregullt: t’i drejtohem më parë Gjykatës së Lartë, që ajo të ushtronte të drejtën ligjore (sipas Nenit 79-të Kodi të Procedurës Penale në fuqi), të “kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë”. Dhe ashtu bëra. Prita më se dy vjet (një kohë mjaft e gjatë dhe e bollshme besoj), por meqë u binda se s’ka në mend të bëjë gjë, e quajta me vend, t’u drejtohem më në fund juve, si Presidium i Kuvendit Popullor.
- – Ankesë për Gjykatën e Lartë
Dy herë i jam drejtuar kryetarit të Gjykatës së Lartë.
– Herën e parë, më 1.2.1986, me ankesën për shkelje të ligjshmërisë nga ana e gjykatës së faktit, e cila me 30.3.1977, më dënoi me 25 vjet heqje të lirisë, ku i argumentoja me prova, të dhëna të tjera e norma ligjore (aq sa mund ta bëjë këtë të fundit, një që nuk është i ligjeve, pa ndihmën e një këshilltari ligjor dhe në kushtet e burgut, ku të mungon edhe literatura përkatëse), përse i quaja të tilla, pra edhe i kërkoja që ai – si kryetari i Gjykatës së Lartë, në bazë të ligjit, të ushtronte të drejtën e “kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë”!
– Herën e dytë, më 9.2.1988, pasi nuk pashë të ndërmerrej asnjë veprim, madje nuk mora as edhe përgjigje ose njoftim, se ç’u bë me kërkesën time. (sa do që dekret-ligji i Presidiumit të Kuvendit Popullor, i datës 27.12.1983, në Nenin 8, përcakton qartë se; “Përfundimi i kërkesës, i ankesës, i vërejtjeve a i propozimit, i njoftohet të interesuarit, brenda një muaji nga data e paraqitjes. Në raste të veçanta, ky afat zgjatet deri në dy muaj”).
Duke i kujtuar se nuk kisha marrë përgjigje ose njoftim, se ç’ishte bërë me ankesën e paraqitur dy vjet më parë, si dhe detyrimin që kishte, lidhur me çështjen konform ligjit. Pse ky qëndrim? As u veprua, as m’u dha përgjigje. Përse? Në Kushtetutën e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë thuhej: “Shtetasit kanë të drejtë të bëjnë kërkesa, ankesa, vërejtje dhe propozime në organet kompetente, për çështje personale, shoqërore dhe shtetërore”. (Neni 59).
Një shtetas, pra, jam edhe unë (nuk di të më jetë hequr shtetësia, ngaqë ndodhem në burg), që bëja një ankesë për një “çështje penale”, vetjake, por që është njëheri edhe “shoqërore e shtetërore”. Këtu ka dy gjëra: ose ato nuk pyesin për ligjet dhe i bëjnë si duan vetë, kur dihet se duhet të jenë zbatuesit e mbrojtësit e parë të tyre, ose nuk kanë e, nuk dine, si të veprojnë dhe të përgjigjen, pasi shkelja e ligjshmërisë, në rastin e dhënë, është kaq flagrant sa s’ka më!? Ja për këto, vij të ankohem në Presidiumin e Kuvendit Popullor: e para, si te organi më i lartë shtetëror, duke e njoftuar për këtë shkelje të ligjit, nga ana e Gjykatës së Lartë; e dyta, edhe si tek organi më lartë nga varet, të cilit është i detyruar t’i japë llogari.
- Interpretim subjektiv e arbitrar i ligjit
Jam dënuar me Nenin 72 (të Kodit Penal që ishte në fuqi atëhere) në të cilin thuhet:
“Sabotim, d.m.th., veprimtari ose mos veprimtari, që synon minimin e industrisë, ekonomisë bujqësore, transportit, tregtisë, kooperativave, sistemit monetar dhe kreditit, ose degëve të tjera të ekonomisë popullore dhe të veprimtarisë shtetërore, për të dobësuar pushtetin popullor, dënohet: me heqje të lirisë, jo më pak se dhjetë vjet, ose me vdekje dhe kurdoherë, me konfiskimin e pasurisë”.
Si dhe me Nenin 73, paragrafi i dytë (po i atij Kodi), në të cilin thuhet gjithashtu, shprehimisht: “Agjitacioni e propaganda, që përmban thirrje për të minuar ose dobësuar pushtetin popullor, si dhe përgatitja ose ruajtja, për përhapje e shkrimeve me përmbajtje të tillë, dënohet: – me heqje të lirisë nga tre gjer më dhjetë vjet, me ose pa konfiskim të pasurisë. Si dhe me Nenin 73, paragrafi i dytë (po i atij Kodi) në të cilin thuhet gjithashtu, shprehimisht: “Agjitacion e propaganda, që përmban thirrje për të minuar ose dobësuar pushtetin popullor, si dhe përgatitja ose ruajtja për përhapje e shkrimeve me përmbajtje të tillë, dënohet: – Me heqje të lirisë, nga tre gjer më dhjetë vjet, me ose, pa konfiskim të pasurisë. Kur këto vepra janë kryer në kohë lufte, ose kanë shkaktuar pasoja, veçanërisht të rënda, dënohen: – me heqje të lirisë jo më pak se dhjetë vjet, ose me vdekje e, kurdoherë, me konfiskim të pasurisë”.
Mendoj se as Neni 72, (për sabotim), as Neni 73, (për agjitacion e propaganda, kundër pushtetit popullor), nuk kanë vend në rastin tim. Pra nuk duhej të isha dënuar, në qoftë se nuk do të qe bërë ai lloj interpretimi, krejt subjektiv, arbitrar e jo ligjor, nga gjykata në fjalë, pra vendimin e saj, me 25 vjet heqje të lirisë, për të parin dhe 20 vjet heqje të lirisë, për të dytin (që u rrumbullakosën në 25 vjet, sipas ligjit), e kam quajtur dhe e quaj, të pabazuar e jashtëligjor, një shkelje të rëndë të ligjeve në fuqi dhe të vetë Neneve 72 e 73, të Kodit Penal të asaj kohe. Dhe ja pse: – Neni 72, (i Kodit Penal që ishte në fuqi atëhere), e përcakton qartë, se motivi që duhet ta hedhë subjektin në krim, është ekskluzivi: minimi i ekonomisë popullore në fusha të ndryshe dhe veprimtarisë shtetërore, kurse qëllimi që e vendos aktin, si krim politik, del po qartë me ekskluzivin: për të dobësuar pushtetin popullor.
(Shtoj se unë nuk kam punuar në sektorët ekonomikë dhe në organe shtetërore, që të mund të bëhet fjalë për sabotim, sipas dispozitës ligjore, veç një viti e gjysmë, në vitet 1946-’47, si zëvendësministër i Arsimit dhe i Kulturës dhe më pak se një vit, në 1965-’66, si ministër i Kulturës e Arteve, periudha këto për të cilat, nuk është bërë fjalë, as gjatë hetuesisë, e as në procesin gjyqësor, dhe nuk është përmendur gjë – sepse nuk ka pasur, pa për të kërkuar, s’do mend që është kërkuar – qoftë edhe një fakt, ose provë materiale, dokumentare e shkresore, që të mund të më fajësonte sado pak ose tërthorazi, për një lloj veprimtarie të tillë. Siç dihet, gjatë gjithë kohës, jam marrë vetëm me punë partie, e shoqërore. Kaq sa për sqarim).
Për të parën here, m’u fol për sabotim, vetëm kur m’u ndërrua akuza (në dhjetor të 1976-ës) nga Neni 64 (tradhti ndaj atdheut -Kodi Penal i asaj kohe), në Nenet 72, (për sabotim – po Kodi Penal i asaj kohe) dhe 73, (për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor – po Kodi Penal i asaj kohe). Meqë nuk u doli që me të parën – nuk kishte, pa nuk doli, më veshën pa asnjë bazë, dy nene të tjera. Që atëhere, e kundërshtova këtë lodër të shëmtuar jashtëligjore, po ashtu edhe në gjyq, kur prokurori e gjykata, u përpoqën më kot, ta shtrinin sabotimin nga veprimtaria ekonomike e shtetërore edhe në atë ideore e partie, sado që si nocion ky – “sabotimi i vijës së Partisë”, siç shpreheshin ata, nuk pati gjetur shprehje assesi, në dispozitën ligjore përkatëse – Neni 72 dhe nuk flitej kundër për të. Nuk e përfshinte pra, në Objektin e krimit (po e quaj “krim” në përshtatje të ligjit, sepse në rastin e dhënë, nuk bëhet fjalë për asnjë krim), veprimtarinë e partisë dhe të ideologjisë, as drejtpërsëdrejti e, shprehimisht, as linte të kuptohej, qoftë dhe tërthorazi.
(Siç dihet diçka rreth tyre, është shtuar dhe ka gjetur shprehje në Kodin Penal të ri, që u miratua nga Kuvendi Popullor i Republikës Popullore të Shqipërisë me 15,5.1977 dhe hyri në fuqi me 1.10.1977, ku në Nenin 53, që flet për sabotim, thuhet shprehimisht se: -Veprimi ose mosveprimi, për ta dobësuar ose minuar, veprimtarinë shtetërore dhe të Partisë së Punës së Shqipërisë, ekonominë socialiste, organizimin dhe drejtimin shtetëror e shoqëror, dënohet: “me heqjen e lirisë jo më pak se dhjetë vjet, ose me vdekje”. Por ky është formulim tjetër, ku shihet qartë se neni i mëparshëm, ka pësuar ndryshime esenciale, në krahasim me dispozitën ligjore korresponduese, që është në Kodin Penal të asaj kohe, kur u dënova unë).
Prandaj duhet thënë e pranuar, se çdo lloj interpretimi, më pak akoma nga Plenumi i Gjykatës së Lartë, për të përfshirë në ekskluzivin e objektit si sabotim edhe veprimtarinë e partisë dhe të ideologjisë, para datës 1.10.1977, kur ishte në fuqi Kodi Penal i mëparshëm, është arbitrar. Se ç’ndryshime u bënë më vonë, pas dënimit tim, mund t’u bëhen ligjeve akoma, mua pak më intereson dhe as gjykoj për ato. Por siç shpjegova më lart, del se jam dënuar në bazë të një ligji, që nuk ekzistonte dhe për këtë ngul këmbë, pra edhe e quaj atë, dënimin, të padrejtë dhe jo ligjor. -Edhe për Nenin 73 (të Kodit Penal, që ishte në fuqi atëhere), paragrafin e dytë, me të cilin jam dënuar, gjykata që gjykoi çështjen time, ka bërë një cilësim juridik jo të drejtë, subjektiv, arbitrar e krejt të papranueshëm, për rastin e dhënë. Po përpiqem ta shpjegoj përse: Baza e akuzës për këtë nen, ka qenë raporti i “ekspertëve” (të cilët në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale – Neni 31 me të riun, meqë me të vjetrin nuk e di, sepse nuk munda ta gjej, nuk m’u sollën për t’u ballafaquar as gjatë hetuesisë, as në gjyq), për dramat që kam shkruar dhe u lexua si dëshmi kryesore, gjatë procesit gjyqësor, nga vetë kryetarja e trupit gjykues Eleni Selenica. Vihet pyetja: se mundet, që kur krijimtaria letrare, na u quajtka krim?!
Krijimtaria letrare e artistike, pra, nuk mund dhe nuk duhet ngatërruar, me Nenin 73 (për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor – sipas Kodit të mëparshëm), siç u veprua në rastin tim. Dispozita ligjore e lartpërmendur e këtij neni, përcakton qartë edhe motivin, edhe qëllimin që duhet të nxitë e të hedhë subjektin, në krimin e “agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor”, kurse dramat, janë krijimtari letrare. Për më tepër, në rastin e dhënë, ato kanë qenë botuar në revista letrare të kohës dhe nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, që është shtetërore, janë vënë në skenë nga teatrot e shtetit, u janë dhënë Çmime të Republikës, të cilat deri në maj të 1971-it, ishin parë nga 480.000 shikues, në teatrot profesioniste (sipas një të dhëne të Ministrisë së Arsimit e të Kulturës në atë kohë), përveç atyre amatore dhe lexuesve. Këtu dalin edhe këto pyetje: si të gjithë këta shikues, lexues dhe këto institucione shtetërore, nuk panë në to gjëra të tilla, por një ditë të bukur, na i zbuluan këta “ekspertë”, siç i quajtën ata të gjykatës, dhe si mund të quhen ato; “thirrje për të minuar ose dobësuar pushtetin popullor”, ose shkrime; “me përmbajtje të tillë”, siç bëhet fjalë në dispozitën ligjore – Neni 73?!
(Vlen të sjellim ndër mend këtu edhe këtë thënie të Marksit për Gjyqin e Këlnit, kundër komunistëve: “Manifesti i Partisë Komuniste, që iu gjet të akuzuarve, i cili qe botuar para revolucionit të shkurtit dhe për disa vjet ndodhej në shitje, nuk mund të ishte, as nga forma, as nga qëllimi, program i një komploti? – Karl Marks, “Zbulime për procesin e Këlnit, kundër komunistëve. Kur për “Manifestin…”! Kështu, aq më pak, mund të bëhen akuza, për disa drama). Nga ana tjetër, dihet që në vitet 1958-1973, kur i kam shkruar, janë botuar e vënë në skenë ato drama, nuk ka patur tek ne “kohë lufte”, në kuptimin konkret të kësaj fjale. Atëherë, si gjykata që më dënoi, mundi të bënte një cilësim juridik të tillë?! Si mund të mbahet në fuqi edhe sot e kēsaj dite, një vendim kaq arbitrar e absurd, që bie ndesh me ligjin?! Konkluzioni është i qartë: dramat janë krijimtari letrare e artistike dhe jo “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”, se Neni 73 i Kodit Penal të mëparshëm, as që hyn në rastin e dhënë, se çdo lloj interpretimi i bërë nga gjykata, është jo ligjor, se vendimi i marrë për dënimin, madje edhe me paragrafin e dytë, është i pabazuar e, jo i drejtë, pra duhet prishur.
(Dua të shtoj këtu, se gjatë zhvillimit të gjyqit, e në mënyrë të veçantë, në ato pak fjalë që m’u lejuan të them në fund, si mbrojtje, kam atakuar fort pikërisht në këto dy nene, me të cilët kërkohej që të dënohesha dhe interpretimin që po u bëhej atyre, ç’ka shkaktoi zemërimin e kryetares së gjykatës, e cila në një çast, më preu fjalën me arrogance, duke më thënë: “Pse ti do të na mësosh, si të interpretojmë ligjet”?! -Ajo është anëtare e Presidiumit të Kuvendit Popullor – duhet t’i kujtohet dhe duhet ta thotë. – Dënimi, pra, është i pabazuar në ligj, pra edhe shqyrtimi i tij nga ana juaj, merr një karakter të veçantë parimor, që diktohet nga Kushtetuta ku thuhet: “Asnjë, nuk mund të dënohet penalisht… për një vepër, që nuk parashikohet në ligj si krim”. (Neni 56)
Nëse gjykata e faktit në atë kohë (në mars 1977), më dënoi pa përfillur, madje duke shkelur e dhunuar ligjin dhe vetë Kushtetutën me interpretimin e Neneve 72 e 73, si dhe në cilësimin ligjor të veprës, për të cilin akuzohesha, u udhëhoq e veproi në mënyrë arbitrare e aprioristike (se duhesha dënuar, pikë mbaroi), nëse edhe Gjykata e Lartë më pas, (nga 1988-ta kur u ankova, e mori dijeni për gjithçka), nuk kreu ndonjë veprim, e udhëhequr po ashtu në mënyrë arbitrare e aprioristike (se rasti im s’duhej ri parë e ndrequr), mendoj e kam bindjen se kjo, nuk do të ndodhë për asnjë arsye, me Presidiumin e Kuvendit Popullor.
Unë, mund të mos i di mirë të gjitha ligjet e parimet, mbi të cilat bazohet e drejta te ne (sado që për afro 30 vjet kam qenë anëtar, për një kohë edhe Kryetar i Kuvendit Popullor e nuk më lejohet, shumë nga të cilat u detyrova, brenda mundësive, t’i mësoj tani), por them se; në çdo rast e për cilindo, duhet ruajtur e respektuar karakteri formal i ligjit, ndryshe bie dhe do të ishte krejt i kotë pretendimi, për barazi të të gjithë shtetasve, nuk do të ekzistonte edhe vetë koncepti i drejtësisë.
3- Dhunime të Kodit Penal dhe të Procedurës Penale
Të tjera pa ligjësi që e bëjnë “të pabazuar” (Neni 1791 Kodit të Procedurës Penale, që është në fuqi sot – detyrohem si tani dhe më poshtë, t’i referohem atij, ngaqë nuk kam në duar atë të vjetrin), të paligjshëm e të padrejtë vendimin, edhe në nga trupi gjykues i Gjykatës së Lartë, më 30.3.1977, pra edhe kërkoj prishjen e tij.
– Jam arrestuar me 21.10.1975, pa m’u paraqitur asnjë dokument, “njoftim”, sipas ligjit nga prokurori, “në të cilin duhej të përmendej vepra penale, që i ngarkohet të pandehurit dhe arsyet e marrjes të kësaj mase”! (Neni 50 i Kodit të Procedurës Penale). Kjo vërtetohet veç të tjerave edhe me faktin, se në dokumentacionin që ka burgu i Burrelit, ku po vuaj dënimin, figuroj i arrestuar jo më 21, por më 22.10.1975, datë që me sa duket, mban në fakt urdhri i Prokurorit të Përgjithshëm, i lëshuar për arrestimin tim, pra të nesërmen, pasi isha arrestuar, edhe me faktin tjetër, që mua më është treguar ai, vetëm më 23. 10.1975, kur filloi hetuesia.
– Jam mbajtur në hetuesi, afro 18 muaj, pra 6 herë më shumë, nga sa parashikohet në bazë të ligjit (Neni 61), gjatë së cilës është përdorur si dhuna psikike, ashtu edhe ajo fizike: presione, kërcënime, fyerje, goditje, etj., në kundërshtim me ligjin, ku thuhet: “Në kryerjen e hetimeve, ndalohet përdorimi i dhunës fizike, ose psikike, si dhe i normave të tjera të tilla”! (Neni 7 i Kodit Penal). Gjatë 15 muajve, nuk jam nxjerrë në ajrosje, veç një ditë, për 10 minuta, edhe në atë rast, me qëllime presioni, duke kërkuar të më shkatërronin nga sistemi nervor, të mos isha më në vete dhe të pranoja, çfarë donin ata.
– Gjatë procesit hetimor, gjithçka u manipulua dhe u sajua, si ua desh puna hetuesisë dhe “bandës”, që qëndronte prapa saj: procese hetimore, dëshmitë dëshmitarëve dhe institucioneve të ndryshme, raporti i ekspertëve, etj. Nga ana tjetër, as gjatë hetuesisë e, as gjatë procesit gjyqësor, nuk u soll dot (sepse nuk kishte, pa nuk u soll), asnjë provë materiale e dokument, Nenet 15, 16, 17 e 18 të Kodit të Procedurës Penale), për akuzat që m’u bënë, ose nga shkrimet (dramat, librat e artikujt e botuar), apo diskutimet nga protokollet në kongrese partie, plenume të Komitetit Qendror, si dhe nga mbledhjet me shkrimtarët e artistët, etj., deri te udhëzimet e urdhrat e lëshuara, kur isha ministër i Kulturës e Arteve, që të mund të vihej në akt-akuzë, ose përmendej në gjyq, si provë fajësie.
– Lidhur me “ekspertët”, as jam pyetur, mos kisha ndonjë kundërshtim dhe mos kërkoja “përjashtimin”, e ndonjërit prej tyre (Neni 82), as jam ballafaquar me ta (Neni 64), nuk u paraqitën as në gjyq, që të dëgjoheshin nga trupi gjykues, (Neni 136), për më tepër, sepse deklarova hapur në gjyq se: “gjithë sa thuhen në raportin e tyre, nuk janë as përmbajtja, as idetë, e dramave të mia”. Pra, kundërshtimet qenë të thella dhe thëniet e palëve, krejt të ndryshme. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016