Dashnor Kaloçi
Pjesa e njëzet e pestë
Memorie.al publikon disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale arkivore të cilat mbajnë siglën ‘Tepër sekret’, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1981-1982, me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj., duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, “me një vajzë e cila në rrethin e saj familjar kishte disa të arratisur politikë”, mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të tij viti që vazhdoi deri në orët e vona të asaj nate, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit, pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë: “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, ku Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh: “Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit. Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror”, etj.! Të gjitha këto dhe të tjera dokumente me siglën ‘Tepër sekret’, do të publikohen në disa numra me radhë, ekskluzivisht nga Memorie.al
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË
KOMITETI QENDROR Sekret
-Sektori i Përgjithshëm-
PROCES – VERBAL
I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KQ TË PPSH TË DATAVE
17 E 18 DHJETOR 1981
Rendi i ditës: Analiza e gabimit të rëndë të kryer nga anëtari i Byrosë Politike, Mehmet Shehu, lidhur me fejesën e djalit me një vajzë me përbërje shumë të keqe politike.
Në këtë mbledhje marrin pjesë gjithë anëtarët e Byrosë Politike, me përjashtim të shokut Hekuran Isai, që nuk erdhi për arsye se mbrëmë natën, i vdiq e ëma.
SHOKU MEHMET SHEHU: Po, kjo është një tezë oportuniste. Në këtë rast qëndrimi im nuk është konsekuent, prandaj them që kam gabuar rëndë. Në raste të tjera unë nuk kam gabuar dhe e them që për rastin konkret…!
SHOKU RAMIZ ALIA: Po kjo ka të bëjë me bindjen tuaj.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po edhe ta bësh këtë shoku Mehmet, në prag të Kongresit?! Çfarë do të thotë kjo? Ju mendoni se nuk është një qëndrim oportunist, por ama bëhet në një moment që i kushton rënde Partisë, kur e gjithë Partia është mobilizuar të zbatojë me vendosmëri vijën e saj në të gjitha fushat! Pastaj mendoni një çikë më drejt mbi këtë!
SHOKU MEHMET SHEHU: Unë e them në autokritikë shoku Kadri se, sikur djemtë e tjerë të ma kërkonin një fejesë të tillë, po të mos ishin të martuar, bile për asnjeri tjetër, nuk do të pranoja. Për këtë djalë e pranova për arsyet që kam vënë, për traumën psikologjike që ka pasur djali, si dhe për gabimin që bëra në ndarjen e familjes së Qazim Turdiut.
SHOKU RAMIZ ALIA: Më falni, shoku Mehmet. Domethënë ju e pranoni që këtë veprim e keni bërë me ndërgjegje të plotë, e dinit që po bënit një veprim që është në kundërshtim me vijën e Partisë.
SHOKU MEHMET SHEHU: Jo.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po përse?! Ju, kur thoni se këtë nuk do ta bënit për ndonjë nga fëmijët e tjerë, në fakt për Skënderin e keni bërë me ndërgjegje të plotë. Këto jua them edhe për t’ju ndihmuar, se edhe në autokritikë, për të cilën do të them mendimin tim, ju nuk i bini drejt në ballë gjërave. Çdo të thotë ajo që shprehni ju, se për fëmijët e tjerë nuk do ta bënit një gabim të tillë? Kjo do të thotë që ju ishit të bindur që fejesa që bëtë ishte në kundërshtim me vijën e Partisë.
Bile thoni që një veprim të tillë s’ia rekomandoni asnjë shoku, dhe drejt e thoni, kështu duhej të mos i’a rekomandonit kurrkujt, sepse është në kundërshtim me politikën e Partisë. Megjithëkëtë ju thatë: “unë do ta bëj” dhe e bëtë, sepse donit ta bënit, duke menduar që këtë do t’jua toleronte Partia, menduat që juve kjo ju lejohet. Po pse menduat që Partia për këtë që bëtë nuk do të reagonte? Po të mendonit ju që Partia do të reagonte dhe ju prapë do ta prishnit fejesën, pse ta bënit atëherë? Ju menduat që Partia do ta pranonte. Atëherë pse e menduat kështu? Mos ka kjo lidhje me pyetjet që ju bënë shokët këtu? E vini veten mbi Partinë ju? Normat e Partisë për ju nuk kanë vlerë! Atëherë si shpjegohet ajo që thoni, ky është mendimi im? Këtu duhet të reflektoni ju, mendoj unë.
SHOKU MEHMET SHEHU: Unë, shoku Ramiz, nuk e vë veten mbi Partinë. Sigurisht që kam gabuar në këtë çështje, ashtu siç e shpjegoj në autokritikë, po mbi Partinë unë nuk e ve veten.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po nuk e shpjegon kjo çështjen, shoku Mehmet, se ju vetë thoni se ajo që bëtë është në kundërshtim me vijën e Partisë, ju vetë e thoni që një gjë të tillë. Nuk do ta bëje për fëmijët e tjerë, s’do t’ua lejoje as shokëve, dhe vërtetë kështu është, as fëmijëve të tjerë, as shokëve nuk do t’ua rekomandonit, pse ishit të bindur që kjo është në kundërshtim me vijën e Partisë. Atëherë pse e pranuat atë? Ja këtu është problemi, këtu është kyçi.
SHOKU MEHMET SHEHU: Ja, në kompleksin e gjithë këtyre çështjeve…!
SHOKU RAMIZ ALIA: Atëherë kanë të drejtë shokët që thonë pse vure interesin e familjes e të djalit mbi interesin e Partisë. Kanë shumë të drejtë që ata të thonë këtë.
SHOKU MEHMET SHEHU: Unë e thashë, nuk e kam vënë me ndërgjegje interesin e Partisë…!
SHOKU SIMON STEFANI: Po ju vetë thoni shoku Mehmet se, e bëra me ndërgjegje për këtë djalë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Ju vetë thoni se, nuk do ta pranonit këtë për fëmijët e tjerë.
SHOKU MEHMET SHEHU: E bëra për arsyet që thashë.
SHOKU PALI MISKA: Shoku Mehmet, nuk është çështja që të lozim me fjalë për të shkuar kohën këtu. Çështja është që ju nuk jeni në atë nivel sa të mos gjykoni mbi këtë veprim që ka të bëjë tamam me vijën e Partisë. Edhe në rastin konkret, deri sa ju keni ndjenja sentimentalizmi ndaj djalit, del e qartë që të tera veprimet tuaja që sollën në këtë çështje, qëndrojnë te vënia e interesit të djalit mbi atë të Partisë. Këtu është gabimi.
SHOKU MEHMET SHEHU: Po unë nuk jam nisur nga ajo që ta bëjë me ndërgjegje.
SHOKU PALI MISKA: Nga se nisesh ti, është punë tjetër, po veprimi këtu të nxjerr. Ne gjithnjë, në çdo veprim, në çdo moment, në çdo gjë themi se nuk duhet ta harrojmë Partinë. Ky veprim nga ana juaj është një rast shumë flagrant e i madh. Si e harroni ju në këtë rast Partinë?
SHOKU MEHMET SHEHU: E di që është i madh e flagrant.
SHOKU KADRI HAZBIU: Në qoftë se ju vuani nga sentimentalizmi, shoku Mehmet, pse nuk u treguat sentimental për normat e Partisë, për vijën e Partisë, për interesin e Partisë? Ta gjykojmë këtë çështje një çikë edhe nga kjo anë. Pastaj ky sentimentalizëm në kundërshtim me të gjitha normat e rregullat e Partisë, qëndron vetëm në rastin e këtij djali apo ka influencuar edhe në raste e probleme të tjera? Më gjerë duhet ta shikoni këtë çështje.
SHOKU MEHMET SHEHU: Për këtë çështje gabimi është bërë vetëm për këtë djalë, për traumën psikologjike që ka pësuar…!
SHOKU SIMON STEFANI: Sentimentalizmi ku mbështeteni ju nuk është argument. Ai ka të bëjë me botëkuptimin tuaj, se kështu e mendoni, prandaj edhe veproni. Edhe sentimentalizmin si nga teorike, edhe nga ajo praktike ju nuk e shpjegoni drejt.
SHOKU MEHMET SHEHU: Unë them si e mendoja atëherë, si e mendova në ato momente kur e bëra fejesën, nuk e them si e mendoj tani. Tani e mendoj ndryshe.
SHOKU ENVER HOXHA: Shokët duan të dinë si e mendove dhe si e mendon edhe sot, prandaj të bënë disa pyetje, domethënia e të cilave vërteton të kundërtën e arsyetimeve, jo që të shtynë ty të veproje gabim. Tani këtyre pyetjeve duhet t’u përgjigjesh qartë, që të mund të shërohesh më vonë. Unë do t’u përgjigjesha kështu këtyre pyetjeve: jo vetëm që kam menduar gabim, por e kam vënë interesin e Partisë nën interesin e djalit. Kjo do të ishte një autokritikë e drejtë. Flasim për atë moment.
Këtu ne gjykojmë faktet. Prandaj ne themi se në atë moment ti e humbe drejtimin e Partisë, humbe ekuilibrin në vijë, domethënë e shkele këtë. Kështu është më drejtë të thuhet. Pastaj një sërë pyetjesh të tjera që të janë drejtuar, janë krejt të qarta. Mos u përpiq t’i mbulosh me formulën “në atë kohë”, se në atë kohë, e pranojmë të tërë, u bë si u bë, tani që vijmë këtu, si e mendon? E mendon kështu si pyesin shokët? Se ata nuk janë dakord me përgjigjet që u jep.
SHOKU MEHMET SHEHU: Për atë kohë unë nuk e mendova ashtu, shoku Enver. Tani e kuptoj që kështu është.
SHOKU RAMIZ ALIA: Këto pyetje që po të bëjmë ne tani, i konsideroni të drejta?
SHOKU MEHMET SHEHU: Të drejta i konsideroj.
SHOKU RAMIZ ALIA: Prandaj të paktën na e thuaj që keni të drejtë, po jeni i bindur për këtë të drejtë që na jepni?
SHOKU ENVER HOXHA: Dhe bindja që këto që të pyesim janë të drejta, të largon ty nga ai gabim. Këtë duam edhe ne, që të të ndihmojmë, që të largohesh nga gabimi.
SHOKU MEHMET SHEHU: Pyetjet e shokëve janë të drejta. Duke i gjykuar sot, ashtu është. Në atë moment praktik e konkret, duke e gjykuar ashtu siç e gjykova unë, në fakt unë e dëmtova interesin e Partisë edhe njëkohësisht u dëmtua edhe interesi i familjes sime dhe i djalit.
SHOKU ENVER HOXHA: Ja pra, këtu ka një hap përpara nga ana jote. Merri tani përsëri përgjigjet që dhe nga e para dhe përgjigju me këtë frymë dhe do të shikosh se do të dalësh në rrugën që gjithë Partia dëshiron të dalësh.
SHOKU MEHMET SHEHU: Pyetja e dytë, që nuk kam shënuar këtu se kush nga shokët e ka bërë, po e kam shënuar, është nëse vetitë negative të miat, kanë ndikuar në punën time të përditshme, të zakonshme.
Unë besoj se po, ato kanë ndikuar, pa diskutim që kanë ndikuar. Unë kam luftuar kundër këtyre vetive, aq sa kam luftuar dhe kam arritur njëfarë rezultati, por, siç e them, plotësisht nuk jam çliruar prej tyre. Është e pamundur që këto të mos kenë ndikuar në punën time për të keq, aq sa kanë ndikuar. Në gjithë punën dhe jetën time që jam në Parti, gjatë gjithë kohës ka pasur raste konkrete që ato veti më kanë ndikuar për keq. Veti të këtilla negative, nuk mund të mos ndikojnë për keq.
Pyetja tjetër: Organizata-bazë e Partisë, në të cilën bëj pjesë, a është informuar?
Kam informuar sekretarin e organizatës-bazë time, e kam njoftuar që kam bërë një gabim të rëndë politik të kësaj natyre dhe për këtë do të bëj autokritikë në Byronë Politike dhe mbasi të bëj autokritikë atje, atëherë do të vij të flas edhe në organizatën bazë të Partisë.
SHOKU ENVER HOXHA: Për këtë çështje, që të fliste kështu, e kam këshilluar edhe unë shokun Mehmet, kur më shprehu mendimin se do të vente në organizatën-bazë të Partisë të bënte autokritikë. Unë i kam thënë ta marrim një herë në diskutim këtë çështje në Byronë Politike, pastaj të diskutohet në organizatën – bazë për këtë çështje.
SHOKU MEHMET SHEHU: Pyesin shokët: Djalin, me gjithë këtë gabime që bëri, pse e dërgove përsëri për studime jashtë shtetit?
Djali, siç e them në materialin që keni lexuar, pranoi dhe e bëri ndarjen me vajzën që u fejua, dhe unë mendova në atë kohë se mund të shkonte dhe e këshillova vetë që mund të shkonte jashtë. Pastaj e tërhoqa këtë mendim dhe e lajmërova, duke i shkruar që sa të japë provimin që ka nëpër duar, të kthehet, dhe ai do të kthehet. Provimin e fundit ai e ka për ta dhënë rreth 12 janarit dhe menjëherë pas kësaj do të kthehet dhe do të shkojë të punojë kudo, ku do ta caktojë Partia.
SHOKU MUHO ASLLANI: Kisha diçka për të shtuar për këtë, shoku Mehmet, ai duhej të ishte kthyer menjëherë.
SHOKU PALI MISKA: Ti duhet ta kuptosh mirë këtë, se djali nuk duhet të shkonte. Pastaj, ky djalë me tërë ato të meta që ka dhe gabime të rënda që ka bërë, si mund t’i realizonte me një letër ose me një të thënë që: “Babi unë do të mbaroj provimet dhe do kthehem”. Ai s’meriton të japë as provimin për gabimin që bëri. Këtë edhe ju vetë e thatë.
SHOKU MEHMET SHEHU: Unë e kam lajmëruar tani që të kthehet.
SHOKU RITA MARKO: Kjo vjen në kundërshtim me atë që thoni ju, se ai ka pasur edhe një traumë. Ai u ngatërrua me një vajzë me rreth familjar jo të mirë dhe u dërgua jashtë. Si dërgohet jashtë ai, ç’siguri ke për këtë njeri? Ja, edhe këtu ti ke nënvleftësim, edhe për këtë çështje duhet të mendoje mirë.
SHOKU PALI MISKA: Dhe populli, shoku Mehmet, dëgjon, ai thotë se ai që bëri këtë gabim, duhet të mos shkojë jashtë.
SHOKU MEHMET SHEHU: Prandaj edhe unë vendosa që të kthehet së shpejti, bile pa mbaruar provimet./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016