Nga Aleko Likaj
Memorie.al / Një histori e pazakontë dashurie, në distancë! Deri ne kufijtë e të pabesueshmes. Por aspak e panjohur. E rrallë për atë kohë, por edhe me një personazh nga më të njohurit në fushën sportive të futbollit botëror, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në lojën magjike. Gerd Myler, një nga yjet që sapo nis të përshkëndis asokohe në futbollin gjerman, nuk e kishte menduar asnjëherë se, në vendin më të izoluar e hermetik të Ballkanit, do të njihej me një vajzë shqiptare, e cila jo vetëm që i trazoi jetën atij, por edhe e “shkatërroi” atë.
Ngjarja në fjalë është lakuar disa herë në shtypin gjerman, anglez dhe europian, e midis yjeve të at’hershëm të futbollit të këtij vendi, por edhe në atë shqiptar. Madje sot gjenden edhe personazhe nga bota e sportit, e bashkëkohës në aktivitetet të asaj kohe, me “Mylerin e Madh”, të cilët e pohojnë këtë histori. Madje edhe në medjat tona.
Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada, historia e dashurisë së futbollistit gjerman, me vajzën krejtësisht të panjohur shqiptare, diku në ambientet e brendshme te Hotel “Dajti”, vazhdon që të përmendet edhe tani. Këtë here, një gazetë periferike në perëndim të Francës, përmend faktin se; “Ylli futbollit gjerman, vjedhësi i golave dhe tmerri i vërtetë i portave kundërshtare, ishte i trazuar nga dashuria, për një vajzë të vendeve nga Lindja, të cilën e kishte njohur sapo kishte shkelur në kryeqytet. I është mohuar kjo dashuri, jo nga e sapo njohura, për nga vetë shteti komunist i asaj kohe”!
Gerd Myler, një futbollist krejt i ri dhe i konsideruar si një nga talentet e të ardhmes gjermane, ka mbërritur në Shqipëri, në vitin 1967. Nuk dihet se pse Helmut Shëni, i madh, trajner i përfaqësueses në atë takim, përballë modestes shqiptare, ku drejtonte i madhi ynë Loro Boriçin, nuk e aktivizoi Mylerin?! Pas dy ditësh në Hotel “Dajti”, vendi ku ishte akomoduar ekipi i përfaqësueses gjermane, ai ka mundur që të qëndronte në stolin e rezervave në atë takim.
Por nuk i ka ardhur keq, që nuk ka qenë në fushë. Mbase aty në stol, ndërsa topi lëvizte në hapësirat e fushës tek të dy ekipet, ka patur mundësi që të përjetonte një tjetër ndjenjë, pas njohjes e takimit me një vajzë shqiptare, e cila i a ka robëruar menjëherë zemrën djaloshare. Ndoshta bukuria e saj, sharmi i një vajze krenare, e kanë bërë yllin e së ardhmes së ekipit të huaj, që të vuaj shpirtërisht. Në vend që të mendonte për skema, ku mund të kalonte topi, që të gjente rrugën e rrjetës të portës së vendësve, ai me siguri mendonte e thurte plane e skema njëkohësisht, për të siguruar qoftë edhe në një moment të vetëm, takimin që e tundonte dhe po e sfiliste, me vajzën që i kishte hyrë tashmë në ëndrrat e tij.
Nuk dihet në se këtë sekret at’ çast, ai e kishte zbuluar dhe ndarë me të tjerët, shokët e ekipit, mikun e tij, Franz Bekenbauer, Netzerin apo Overatin, që ishin në zenit të shkëlqimit të tyre, duke e bërë Gjermaninë Perëndimore, të rëndësishme në fushën e blertë dhe një ekip trofesh. Por të nesërmen e ndeshjes, ai është larguar, jo më shumë i shqetësuar nga ai barazim, se sa nga “braktisja e vajzës së zemrës”!
Pastaj do të duheshin plot katër vjet, që të prekte sërish tokën shqiptare. Mezi e ka pritur. Në vitin 1971, Gjermania Perëndimore, rikthehet në tokën shqiptare. Këtë herë pa Shenin e madh. E plotë dhe me përforcime tepër serioze, për të realizuar objektivin e vet. Ndërkohë që Gerd Myler, tashmë është një futbollist i famshëm, në të gjithë botën. Nga më të rëndësishmit në strategjinë e futbollit të skuadrës gjermane. Njeriu gol.
Ekipi shqiptar nga ana tjetër, mendon për të. Për neutralizim total.
Një prej mbrojtësve tanë më me emër të asaj kohe, Bujar Canit, i ngarkohet detyra, që ta ndalojë Mylerin. Madje për shkëmbim; “rregullimin e biografisë”, pas kësaj. Gjë që nuk ndodhi në fushë. I “përhumburi” Gerd Myler, që deri në minutat ku loja po shkonte drejt fundit të saj në baraspeshë, në një sparkatë në krahun e majtë të portës, gjysëm i shtrirë, ka devijuar dhe i ka ndryshuar drejtimin topit, për ta përplasur në rrjetë. Mbase edhe për t’i kujtuar vajzës shqiptare, e cila duhej që të ishte para ekranit, se ishte një futbollist i madh, dhe se e meritonte një vend, në zemrën e saj të drobitur…!
Pas kësaj, ekipi gjerman u kthye në Hotel “Dajti”, triumfator. Protagonist ishte njeriu që kishte tentuar dashurinë shqiptare, në të njëjtin vend, me një prej vajzave të personelit të tij. Hoteli atë mbrëmje, pa tjetër që ka mundur t’i rezervojë dashnorit-futbollist, një çast tjetër magjik, fshehje nga “syri shqiponjë”, i njerëzve (të Sigurimit të Shtetit), që kontrollonin gjithçka tek të huajt. Nuk dihet në se kishte rënë në sy të tyre, historia e gjermanit me vajzën e hotelit, deri në atë çast, por dihet mirë, se pas largimit te ekipit gjerman, në tavolinat e Sigurimi të Shtetit dhe ministrit të Brendshëm të asaj kohe, ishte zbardhur romanca e dashurisë së Gerd Mylerit, nëntë herë “Këpuca e Artë e Europës”!
Mund që të jetë bërë edhe objekt bisedimesh, në njerëz të veçantë, funksionarë të lartë, apo anëtarë të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, që kishin në varësi Ministrinë e Brendshme dhe Sigurimin e Shtetit. Njoftimi duhej që të ishte i plotë, ku përfshiheshin të tre ditët e qëndrimit të skuadrës gjermano-perëndimore, në ambientet e brendshme te Hotel “Dajti”-t, me vajzën që shërbente në atë lokal. Ndofta ka shërbyer vetëm një çast, që e ka tradhtuar këtë dashuri të heshtur e të mbyllur, e më pas hetimet kanë hedhur dritë, mbi lidhjen që kishte filluar katër vite më parë.
Ndërsa Myleri po largohej nga Rinasi, është ndjerë keq shpirtërisht, edhe pse u kishte dhënë shokëve të tij dhe ekipit, tre pikë të çmuara, pasi kishte lënë diçka nga vetja, diku atje në mes të Tiranës. Kishte mundur dhe ishte mundur. Kishte mundur ekipin shqiptar dhe ishte mundur nga një vajzë, po shqiptare! Me këtë “plagë” në zemër, pastaj, do të jetonte ditë të këqija, në jetën e tij sentimentale. Ndërsa emri i tij, kishte zënë pozicione të reja popullariteti, edhe në futbollin botëror.
“Mbreti” i golit, që shkatërronte ekipe dhe emra të mëdhenj në skakierën futbollistike, jetonte me një “plagë” në zemër, që shumë pak vetë e dinin. Ky intimitet po e lodhte dhe po e sfiliste. Ashtu si gjithë dashnorët e kësaj bote mjerane, divi i futbollit gjerman, jetonte të kaluarën, çastet që kalonte në fshehtësi atje në Hotel “Dajti”, në qendër të kryeqytetit shqiptar, një nga vendet komuniste më të izoluara dhe të varfra gjithashtu, të Ballkanit.
Shpesh herë në intervistat e shumta, që jepte indirekt për jetën e tij, atë të fshehtë dhe të mbyllur, theksonte se; në Shqipëri, femrat ishin të bukura. E kishte përsëritur disa herë këtë gjë, si në Tiranë, ashtu edhe më vonë në Gjermani, apo para mediave të huaja. Siç duket kishte një arsye, se përse ta bënte. Por fati me sa duket, po e dënonte. Ekipi përfaqësues i Gjermanisë, nuk po bënte pjesë më në grup me shqiptarët. Çështje shorti. Por as edhe ndonjë nga ekipet gjermane që luanin në ligat europiane, nuk po përballej me ekipe nga vendi, ku ndjehej tej i dashuruar.
Kur po ndjente që po i afrohej tashmë edhe fundi i karrierës, dhe pasi kishte luajtur për një kohë në kontinentin e largët përtej Atlantikut, me ekipe amerikane, mëson se skuadrën e ‘HJK Helsinki’, shorti e ka vendosur përballë ‘Flamurtarit’ tonë, në Kupën e Kupave të Evropës. I u duk se pa një dritë, në fund të tunelit të dashurisë së tij. Këtë herë nuk mund që ta humbte këtë shans. Ishte vitit 1985, kur kishte vdekur edhe diktatori komunist shqiptar, Enver Hoxha. Por ndonjë nga shokët e miqtë e afërt, që i a dinin hallin këtij dashnori klasik, që si futbollin, e kishte edhe këtë një perëndi, me siguri nuk i a ka rekomanduar, këtë marrëzi.
Gerd Myler, i vendosur tashmë në skemën e tij, hyn menjëherë në tentativa, dhe arrin që t’u mbushë mendjen drejtuesve të ekipit finlandez, që të jetë në përbërje të grupit të tyre, për të udhëtuar drejt Tiranës. Ishte i sigurt që vajza e zemrës e priste atje, edhe pse nuk kishte mundur që të kontaktonte me të, asnjëherë, që nga ai vit i largët, kur kishte lënë për herë të fundit tokën shqiptare. Kjo edhe për shkak, se ajo tashmë ishte në ndjekje të shumëfishtë, nga Sigurimi i Shtetit shqiptar. Por shtypi sportiv i ditës në Europë, që qëmton dhe publikon pikërisht qëllimin e vizitës së Yllit të futbollit gjermano-perëndimor në Shqipëri, ndofta i’a “dogji kartat” në duar, dashnorit të përvëluar.
Me siguri që në Tiranë, është gatuar mosardhja. Ai tashmë figuronte në skedat e Sigurimit të Shtetit, e dikush nga “lart”, ka dhënë edhe urdhrin fatal. Ndërkohë që popullariteti i tij në gjithë Shqipërinë, e kishte kthyer atë në një mit. Në qytetin e Durrësit, ishte ngritur edhe shoqata me emrin e legjendës gjermane. Shteti i asaj kohe, në agoni të plotë, me siguri që ka bërë një lloj kompromisi me veten, ndërsa kanë lënë të “legalizohet” kjo shoqëri, me emrin “Gerd Myler”, si për t’i thënë jo vetëm atij, se ishte “i papërlyer” në Shqipëri, dhe se historia e tij, as që edhe ishte diktuar.
Ky futbollist i madh, që me magjinë e këmbëve të tij, kish rrëmbyer zemrat dhe mendjet e mijra shqiptarëve, nuk kishte mundur që të bëhej më pas, ndoshta edhe dhëndëri i tyre. Të pafat, të dyja palët?! Kjo ishte një goditje tej e madhe për njeriun-gol, madje tronditëse e fatale. Më pas, ai nuk mund që ta përballonte dot këtë, dashurinë e tij të humbur, ndaj tashmë pa asnjë shpresë, se mund që ta ri takonte sërish vajzën që i tronditi ëndrrat djaloshare, u lëshua në “krahët” e alkolit. Kërkonte shpëtim aty. Ishin vite të një depresioni të madh e të fuqishëm, që së bashku me alkoolin, e shkatërruan dhe e rrënuan tërësisht si njeri.
Miqtë i ka pasur kurdoherë pranë. “Kaizeri” Frans Bekenbauer, e shkëputi më pas, duke e afruar pranë dashurisë së tij të parë, topit magjik, si këshilltar e specialist. Atje ku qëndroi për vite me radhë. “Tashmë që i është afruar moshës së tretë, është kthyer si një ‘qengj i butë’ dhe i vëmendshëm, madje edhe i heshtur”, shkruante shtypi i huaj europian para disa vitesh, që nuk i a ka kursyer asnjëherë kronikat rozë, në qendër të Tiranës. Po kush është vajza, që e tjetërsoi dhe i a prishi ëndrrat djaloshare, dhe e bëri që të vuaj, legjendën e futbollit, Gerd Myler?
Kronikat që e kanë ndjekur pas gjithë këtë histori dashurie, do ta quanin me emrin “Hojna”, shqiptaren bukuroshe të Hotel “Dajti”-t. Ndërkohe që ish-pjesëtarë e punonjës të Hotelit, rezidencës së të huajve në atë kohë, nuk pranojnë që ta kenë njohur me këtë emër, ndonëse historia pëshpëritej edhe në ambiente të mbyllura futbollistësh, edhe tek ekipi përfaqësues shqiptar. Por Myleri i madh, kështu e ka prezantuar atë, që ka njohur dhe takuar në vitin 1967, dhe katër vite me pas. Ta ketë gënjyer vajza, për emrin e vërtetë të saj, për shkak të frikës?!
Apo vetë Ylli i kombëtares gjermano-perëndimore, e ka prezantuar me këtë emër, edhe ky për të njëjtin shkak, qe ka pasur edhe e dashura e tij, duke i a ruajtur të fshehtë e të gdhendur, brenda mureve të zemrës së tij?! Dilemat janë për t’u zgjidhur. Në këtë mes, nuk përjashtohet edhe mundësia, që e “dashura” e Mylerit, mund që të kishte qenë veçse një punonjëse e fshehtë e Sigurimit të Shtetit shqiptar, nga ato që ishin me tepri në ketë ambient e mjedis të huajsh, të cilët kontrolloheshin si në vrimë të gjilpërës, për ta tërhequr djaloshin, që vinte nga veriu i Europës, si talenti i së ardhmes.
Edhe pse nuk duhet që të jemi skeptik për këtë të fundit, gjasat janë! Kjo do të ishte më tepër se sa fyese, për një Yll Bote, si ai! Nuk dihet më pastaj, se si vazhdoi kjo sagë dashurie, midis Gerd Mylerit dhe punonjëses së hotelit shqiptar, pas shumë vitesh, atëhere kur u rrëzuan muret dhe komunizmi ra si një dinozaur prej letre. Të paktën këtë here, nuk kishte kush t’i pengonte zemrat e lidhura në një dashuri, gati të përjetshme. A erdh’ dhe e shkeli sërish tokën shqiptare Myleri, në kërkim të asaj që kishte humbur këtu e 43 vjet më parë?!
Të paktën për të mësuar të vërtetën. Qoftë edhe e hidhur kjo. Por ai nuk është prononcuar më. Aq më tepër që të flasë, për të shkuarën e jetës së tij. Kjo mbetet ende enigmë. Të tjerat dihen tashmë. I gjen në shtypin e kohës, madje edhe këto vitet e fundit. Gazeta franceze “Sud West”, e ripohon sërish këto ditë, këtë të fshehtë të Gerd Mylerit te Madh, po pa e caktuar vendin e vajzës së ëndrrave të trazuara e, dashurisë fluide të legjendës gjermane të futbollit botëror, i ndarë nga jeta në moshë 75-vjeçare nga Alzheimeri, më 16 gusht 2021, prej të cilit vuante prej më shumë se dhjetë vitesh.! Memorie.al