Memorie.al publikon disa foto të rralla që i përkasin Durrësit të viteve 1914 – 1917, në Luftën e Parë Botërore, me imazhe të panjohura nga qyteti dhe rrethinat, ku janë fiksuar kryesisht forcat ushtarake hollandeze të komanduar nga Koloneli, Thomon, që mbanin rendin në qytetin që u sulmua nga forcat rebele të Haxhi Qamilit dhe më pas ato të Esat Pashë Toptanit. Në një nga fotot e rralla që publikohet për herë të parë nga Memorie.al, duken rebelët që mbahen të burgosur në një ndërtesë të madhe me mure guri, ku në dritaret me hekura të katit të parë, disa prej tyre kanë nxjerrë kokën, duke komunikuar me ushtarin austro-hungarez të armatosur që bën roje në oborrin e saj. Në fotot e tjera, përveç ushtarakëve hollandez të komanduar nga Koloneli Thomson, që shoqërojnë komandantin e tyre në molin e Portit të Durrësit, si dhe në qytet në disa aktivitete festive, ku fëmijët e organizuar parakalojnë përpara Pallatit (Konakut) të Princit Wilhelm Wied, duken ushtarakët italianë me uniforma të Marinës etj., në një nga kodrat dominuese të Kepit të Rodonit, ku shquhen disa objekte, tip kazerme ushtarake, etj.. Një foto tjetër, paraqet ambientet e brendshme të lokalit (‘kafe-restorant’) të Hotel ‘Klement’, ku janë ulur për të drekuar disa klientë. Një foto tjetër, paraqet autoritetet ushtarake dhe civile italianë që janë akomoduar në një nga ndërtesat impozante të qytetit, si: Kapiteni Fortunato Castoldi, Admirali Eugenio Trifari dhe Baroni Carlo Alioti, i cili është veshur shik dhe i mbështetur mbi bastun./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016