Memorie.al/ publikon disa foto të rralla me imazhe të panjohura që i përkasin Tiranës të viteve të para të shekullit të kaluar, ku në qëndër të kryeqytetit, fare pranë Kullës së Sahatit e të Xhamisë së E’them beut, në mes disa dyqanesh, ndodhet edhe ai i familjes së njohur tiranase, Kaceli, që tregtonte vetëm artikuj kinkalerie, kozmetike dhe parfumerie, nga markat më të njohura europiane, të cilat familja Kaceli i importonte nga Franca, nëpërmjet Italisë.
Sipas disa dëshmive, aktiviteti tregtar i kësaj familje me artikujt kinkalerie, kozmetikë dhe parfumerie, mendohet se është më i hershëm, madje që para viteve 1900, por foto ku është fiksuar dyqani kryesor i saj, i përket vitit 1914 (gjë e cila shihet qartë edhe nga mbishkrimi që mban njëra prej këtyre fotove), dhe aty, krahas mbishkrimit ‘Ali,Vll. Kaceli’ (që nënkupton se pronari i saj është Ali Kaceli me vëllezërit e tij), është dhe mbishkrimi ‘KARTOLERI – KINKALERI – PARFUMERI ETJ’, që tregon dhe aktivitetin tregtar të atij dyqani.
Ky dyqan i familjes Kaceli, ku në derën gjysëm të hapur, duke se ka pozuar pronari i saj, (apo ndonjë prej shitësve të punësuar aty) në të dy krahët ka vitrinat ku duken qartë artikujt e kancelarisë, parfumerisë dhe kinkalerisë që ai tregtonte, e gjithashtu në të dy anët e dyqanit, ndodhen edhe dy karroca fëmijësh, që janë vënë aty për t’u shitur. Ky dyqan i familjes Kaceli, sipas dëshmive të njërit prej pinjollëve të saj, piktorit të njohur, Buron Kaceli ( i biri i ‘Piktorit të Popullit’, Sadik Kaceli), është i dyti dhe ai është ndërtuar shtatë vite më vonë, mbi themelet e dyqanit të parë, (që ka mbishkrimin me vitin 1914), ku duket se kanë pozuar disa persona, një ushtarak me uniformë i ulur në karrike në derën kryesore të lokalit dhe anash tij, dy djem të rinj me veshje karakteristike tiranase dhe disa fëmijë të vegjël që mbajnë qeleshe ne kokë.
Edhe ky dyqan, pra i dyti i familjes Kaceli, nuk ka pasur ‘jetë të gjatë’, pasi nga fundi i viteve ’20-të dhe fillimi i viteve ’30-të, ai është prishur dhe në vënd të tij, u ndërtua ‘Pallati Kaceli’, me katër kate, i cili ndodhet edhe sot në qëndër të kryeqytetit, fare pranë Kullës së Sahatit, të Xhamisë së Et’hem beut, e cila duket në një nga fotot e tjera, ku rreth e rreth saj, ndodhen disa autovetura, kaloshina dhe minibuse, që asokohe shërbenin për transportin publik, brenda kryeqytetit./ Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016