Memorie.al/publikon ekskluzivisht dy foto të rralla nga ceremonia zyrtare e inagurimit të stadiumit “Dinamo”, (i cili, pas Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” që kishte filluar të ndërtohej që në periudhën e Monarkisë së Zogut dhe u përfundua në vitet e para të pasluftës), ishte stadium i dyti që i shtohej kryeqytet shqiptar, Tiranës. Fotot në fjalë i përkasin datës 10 korrik të vitit 1959, e cila njihej ndryshe dhe si festa e “Ushtrisë Popullore”, që ishte caktur në nderim të ditës së formimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare (partizane) të komanduar nga Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu, më 10 korrik 1943 në Labinot të Elbasanit.
Ndërtimi i këtij stadiumi që ishte nën vartësinë e Ministrisë së Punëve të Brendëshme dhe pagëzimi i tij me emrin “Dinamo”, (siç ishte dhe ekipi me të njëjtin emër që ishte formuar më datën 19 korrik të vitit 1950-të), tregonte mësëmiri për propagandën dhe prioritetin që i jepte regjimi komunist i asaj kohe organeve të Ministrisë së Brendëshme (Sigurimi i Shtetit, Policia Popullore etj.), të cilat konsideroheshin prej tij, si “arma e mprehtë e diktaturës së proletariatit”, ku si në të gjithë vëndet e Lindjes Komuniste, ishin dhe shërbyen si mbështetja kryesore dhe garancia për mbajtjen e pushtetit, deri në fundin e viteve ’80-të.
Ndërsa arsyet se përse ky stadium i cili pagëzohej me emrin “Dinamo” dhe që ishte nën patronazhin e Ministrisë së Punëve të Brëndshme, nuk u inagurua në festat përkujtimore të kësaj ministrie (sic ishin ato të themelimit të Sigurimit të Shtetit, Policisë Popullore, apo Forcave të Kufirit) ishin disa.
Së pari, ky stadium nuk u përfundua në kohë sipas afatit të përcaktuar, pasi kushtet në të cilat ai u ndërtua, ishin tejet të rënda. Për projektimin dhe ndërtimin e tij, do të përdorej puna e lodhshme e qindra të burgosurve politikë, të cilët përveç këtij stadiumi, në fundin e viteve ’80-të, do të ndërtonin edhe komplekset e famshme të banesave për efektivët e Ministrisë së Punëve të Brendëshme dhe klubit sportiv “Dinamo”, përreth tij.
Së dyti, paraqitja e skuadrës së futbollit të “Dinamos” atë vit, ishte relativisht e dobët, pasi ata do të pozicionoheshin në vëndin e katërt të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Në edicionin e 14 të Kampionatit Shqiptar të Futbollit, të zhvilluar në vitin 1959, kur po inagurohej edhe ai stadium, do të shpallej kampion ekipi i “Partizanit” i cili ishte nën vartësinë e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore.
Për këtë arsye edhe ekipi që ishte përzgjedhur të ishte në ndeshjen që do të zhvillohej ditën e inagurimit zyrtar të këtij stadium, do të ishin po të “kuqtë” e ekipit “Partizani”, i cili nën drejtimin e trainerit Rexhep Spahiu, do të kishte në rradhët e saj futbollistët që bënë emër të madh edhe në ekipin përfaqësues të Shqipërisë, si: Sulejman Maliqati, Fatbardh Deliallisi, Besim Fagu, Miço Papadhopulli, Miço Ndini, Gani Merja, Kolec Kraja, Lin Shllaku, Refik Resmja, Tomorr Shehu, Iljaz Dingu, Roza Haxhiu, Pavllo Bukoviku, etj. Të “kuqtë” e ekipit “Partizani” do të ndesheshin me ekipin kampion të Gjermanisë Lindore (Republika Demokratike Gjermane) të quajtur, FC Vorwarts, i cili gjithashtu i përkiste Ministrisë së Mbrojtjes së RDGJ.
Në fotot në fjalë që i përkasin ceremonisë së inagurimit të Stadiumit “Dinamo” e zhvilluara para fillimit të ndeshjes “Dinamo” – “Partizani” (që do të përfundonte në barazim 1 me 1), shihen: gjeneral-major Xhule Çiraku (duke mbajtur fjalimin e hapjes) që asokohe mbante funksionet e zv / Ministrit të Punëve të Brëndëshme dhe Drejtor i Përgjithshëm i Policisë Popullore, dhe pas tij, Aranit Çela, Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, Llazi Stratobërdha, Kryetar i Gjykatës së Lartë, gjeneral-major Qazim Kondi, Shef i Prapavijës në Ministrinë e Punëve të Brendëshme, kolonel Feçor Shehu, Drejtor i Drejtorisë së Punëve të Brendshëme të Tiranës, gjeneral-major Zoi Themeli, zv / Ministër i Brëndshëm dhe Drejtor i Zbulimit Politik, gjeneral-kolonel Kadri Hazbiu, Ministër i Punëve të Brëndshëme, (i veshur civil dhe me kapele republike, qëndron disi i fshehur duke mos u ekspozuar shumë në publik, ka dalë pak nga hyrja kryesore e hollit të stadiumit) Ramiz Alia, anëtar i Byrosë Politike dhe Ministër i Arsimit e Kulturës, (duke prerë shiritin e inagurimit) Todi Lubonja, funksionar i lartë në aparatin e Komitetit Qëndror të PPSH-së për Rininë, Kulturën, dhe Sportin, gjeneral-major Mihallaq Zicishti, zv / Ministër i Brëndshëm dhe Drejtor i Kundërzbulimit, gjeneral-major Hilmi Seiti, Kryetar i Degës së Punëve të Brendëshme të Qarkut të Shkodrës, etj. Në krah të Ramiz Alisë (nga e majta e fotos) duken arbitrat e ndeshjes, Mihal Tiko. Besim Qorri dhe Islam Cani, kurse para tyre duket kapiteni i ekpit “Dinamo”, Xhevdet Shaqiri. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016