Nga Njazi Xh. Nelaj
Pjesa e shtatë
Memorie.al / Mbresa dhe kujtime nga jeta e pilotit të talentuar tragjasiot, kolonelit të aviacionit, Niko Selman Hoxha, rënë në krye të detyrës, më 20 nëntor të vitit 1965, në aerodromin ushtarak të Rinasit, në një qitje luftarake, me aeroplan reaktiv ‘MIG’-17 F, përpara efektivëve të regjimentit dhe disa kuadrove ushtarakë akademistë. Mbresat dhe kujtimet janë mbledhur nga Niazi Xhevit Nelaj, në qershor – korrik 2012, në Vlorë, Tiranë, Voskopojë, etj, në takime me njerëzit dhe në biseda telefonike, deri në Boston-in e largët. Çdo takim dhe bisedë me bashkëkohës të Niko Hoxhës dhe të afërm të tij, ka gjetur pasqyrim në material, me besnikëri e autenticitet. Monografia pasqyron vetëm një pjesë të jetës të heroit, atë pjesë e cila lidhet me aviacionin e me fluturimin e, nuk shtrihet në sfera të tjera të jetës shumëplanëshe të njeriut që i dha shtysë disiplinës dhe stërvitjes ushtarake e ajrore. Niko Selman Hoxha, siç ishte i rregullt, i disiplinuar e tepër korrekt, në repart, dallohej dhe për një regjim shembullor në jetë. Ai nuk banonte në repart e, nuk ushqehej në mensën cilësore të pilotëve por, në familje, falë përkushtimit dhe mirë menaxhimit që i bënte situatës e shoqja, Jolanda, regjimit të tij nuk i mungonte asgjë. Ky shkrim nuk përfshin as jetën në familje të Nikos, nuk prek kujdesin e tij për djemtë, Valerin dhe Sashën, të cilët i la ende të parritur, por që sa qe gjallë i rrethoi me shumë kujdes e dashuri prindërore. Të tjerë shkrime që do të pasojnë, me siguri do të hedhin dritë dhe mbi ato anë të jetës së Niko Hoxhës, të cilat në këtë monografi kanë mbetur disi në hije.
Autori
Kush ishte Niko Selman Hoxha?
Siç pohojnë bashkëkohësit e komandantit, pilotët që mbetën në regjiment, kur kolegët e tyre u kthyen nga perfeksionimi, i gjetën me nivele më të lartë nga sa kishin ata vetë. Edhe në këtë çështje, merita e kolonelit ishte e padiskutueshme. Pa iniciativën dhe vendosmërinë e kolonelit, ndoshta nuk do të ishte hapur e para shkollë aviacioni në vendin tonë, për përgatitjen e pilotëve, si në vitin 1958 dhe pas ngjarjeve të hidhura të vitit 1960, ashtu si nuk do të qe rihapur kjo shkollë, pas ndërprerjes të marrëdhënieve miqësore mes vendit tonë dhe Bashkimit Sovjetik, në vitin 1963, kur mjaft kursantë që ndërprenë programin ajror në Bashkimin Sovjetik, u kthyen në atdhe. Niciativa, guximi dhe përkushtimi i komandant Niko Hoxhës, ishin të pranishëm dhe vendimtarë, në çdo rast. Portreti i kolonelit i përfshinte këto cilësi të rralla, por të domosdoshme për një drejtues aviacioni, si ai.
Në pranverën e vitit 1962 u formua regjimenti i aviacionit gjuajtës-bombardues, në aerodromin e Rinasit. Aeroplanëve gjuajtës-kapës MIG-19 PM, iu shtua një skuadrilje, me 12 avionë MIG-17 F. Niko Hoxha, tashmë i sprovuar për aftësitë e tij organizative dhe i pajisur me një eksperiencë me vlerë, u emërua Komandant i këtij regjimenti, në afërsi e në mbrojtje të kryeqytetit. Kolonel Niko Selman Hoxha, e organizoi dhe e drejtoi edhe këtë regjiment, siç dinte ai, dhe me dashurinë që kishte për fluturimin e me pasionin për të synuar drejt majave më të larta, e ngriti lart lavdinë e armës së tij të dashur, deri sa i vulosi përpjekjet, për të kapur më të mirën, me jetën e tij, në moshën 39 vjeçare, në të shtunën e datës 20 nëntor 1965, rreth orës 10.00.
Në vend të prologut
Niko Selman Hoxha, erdhi në jetë si “fat” për aviacionin shqiptar. Koloneli shërbeu në armën e aviacionit në një kohë të vështirë, të mbushur me sfida e kufizime. Falë cilësive të rralla individuale, me të cilat ishte gatuar komandant Niko, ai sfidoi vështirësitë e rritjes dhe doli fitimtar mbi to. Koloneli u kthye në një legjendë, bëmat e tij do të rrëfehen brez pas brezi e, do të jenë burim frymëzimi për ata që do të vijnë. Koha e gjatë që ka kaluar, ndoshta ka patur ndikimin e vet për ta mjegulluar ngjarjen, por kurrsesi nuk justifikohet harrimi i protagonistit.
Niko Hoxha do të mbetet i paharruar mbasi edhe po heshtën disa njerëz, jeta e tij do të flasë vetë. Aktualisht bashkëkohësit e Nikos janë të moshuar dhe për disa prej tyre problemet shëndetësore e kanë bërë të tyren, por midis kthjellimeve, ata duhet të kujtohen vetë, ose t’i zgjojnë të tjerët, për të treguar vlerat e kolonelit. Dikujt i qahet halli se është ndodhur në pozicione nga ku nuk ka mundur ta vrojtojë gjithë shkëlqimin e komandant Nikos, ose, të tjerë e kanë të vështirë të shkruajnë e të pohojnë, për arsye partiake. Nuk ma do mendja të ketë njerëz që nuk duan të shkruajnë, nisur nga frika se mos i paragjykojnë se po rrëmojnë në të shkuarën.
Le të marrin pak zemër, e të mendojnë se vlera e të shkuarës rritet me avancimin e viteve. Të merresh me ata që kanë bërë histori e janë kthyer në legjendë, është diçka më tepër se atdhetari. Nuk ma pranon logjika se mund të ketë dhe nga ata që llogaritin përfitime materiale nga kjo punë. Nuk dua t’i paragjykoj njerëzit. Një fjalë e urtë na kujton se “i zoti e di se ku i pikon çatia”. Ndoshta është më e udhës ta lemë në gjykimin e ndërgjegjes së secilit. Ndokush nuk di si të shkruajë, një tjetër është i kapur nga problemet shëndetësore, etj.
Pa u munduar të bëj atë që jep udhëzime, mund t’u thosha atyre që dinë e duan të dëftojnë për kolonelin, le të shfrytëzojnë çastet e kthjellimit e të hedhin në letër, aq e ashtu si i dinë gjërat. Nuk ka rëndësi nëse gjuha është e rrjedhshme apo jo, rëndësi ka fakti, ngjarja, e thënë me vërtetësi, jo me dyshime e mjegullime. Kur nisa të shkruaj këto radhë, nuk më vajti mendja për të bërë lajm, as për të prekur ndjenjat e njerëzve, por për të shpalosur vlerat e një njeriu, i cili erdhi e u bë fati i aviacionit shqiptar. Pra, dua të kujtoj atë që nuk mund të harrohet.
Të më falin ata që do ta lexojnë këtë shkrim për glorifikimin e ndonjë fakti apo, për pasionin që përshkon rreshtat, por të më besojnë se kam arsye. Si për të gjithë ata që kanë punuar e jetuar pranë kolonelit, edhe për mua, Niko Hoxha ka qenë idhull, burim i pashtershëm frymëzimi dhe një shembull që duhet ndjekur. Ndaj them gojë-plot, se këto radhë nuk i kam shkruar me penë, por me zemër. Me qëllim që t’u jepja lexuesve sa më shumë fakte e prova të tipareve të kolonelit, u takova e bisedova me më shumë se 35 persona, të moshave, profileve e niveleve të ndryshëm, në Vlorë, Tiranë, Voskopojë, si dhe në biseda telefonike, me përtej oqeanit. Bëra mirë që thitha mendimet e tyre të vyera. Mësova gjëra që nuk i dija.
Përgjithësisht me të gjithë sa bisedova, emëruesi i përbashkët është po ai: Niko Hoxha ishte trim, guximtar, organizator i talentuar rigoroz e këmbëngulës, iniciator e i përparuar, i kulturuar, i rreptë por tepër njerëzor. Po të mundohesh t’i përmbledhësh këto tipare, do të konkludosh në atë që më tha piloti i verbër, Guri Merkaj, në Vlorë, se; “Niko Hoxha ishte burrë, tamam”.
Thëniet e njerëzve ma përforcuan bindjen se Niko Hoxha ishte e mbetet një hero shumëdimensional, i cili nuk mund të harrohet. Sa mirë e tha këtë bashkëkohësi i Niko Hoxhës, veterani i aviacionit, Haki Jupasi se: “Sa më shumë kalon koha, kujtimi dhe dashuria për atë njeri shtohet. Se koha e harron njerinë, por Nikon nuk e kujtojnë vetëm ata që punuan e jetuan me të, por dhe të gjithë brezat e pastajmë të aviacionit, se ai la mbresa dhe ato transmetohen, nga brezi në brez”.
Veterani nga Ftera, Skënder Sherif Dusha, i cili ka punuar një jetë të tërë pranë Kolonelit u shpreh: “Ai ishte burrëror, prandaj kuadrot dhe ushtarët jepnin edhe jetën, për të! Ndodhi ajo që nuk e prisnim; koloneli preku tokën me babishkë (një thikë duralumini, që vendoset tek fundi i trupit të avionit, që të mos dëmtohet gjatë uljeve të rënda të pilotit). Pas asaj që ndodhi, më ka dhembur koka një muaj me radhë. Ajo goditje “bum” tek bugaroku (ledhi), në fund të aerodromit më trokiste vazhdimisht në vesh”.
Piloti në pension, Gezdar Riza Veipi, njëri nga pilotët adhurues të kolonelit, e kujton kështu komandant Niko Hoxhën: “Nikon e kanë ngritur njerëzit që kanë punuar me të, por ai ngriti veten, në radhë të parë. Ne e morëm klasin e parë të pilotit, falë vendosmërisë të Niko Hoxhës”. Ushtari i asaj periudhe, Pajtim Elmazi, më foli për kolonelin si për babanë e tij. Pajtimi, mes të tjerash kujton: “Komandant Niko Hoxha, kishte lindur i tillë. Si ushtarak ishte i prerë. Armën e aviacionit e donte me shpirt dhe ishte i pasionuar tërësisht pas saj. Koloneli nuk ngopej kurrë me sukseset që arrinte në punën e tij.
Punonte, natë e ditë që të mos ndodhte asnjë defekt i vogël në teknikë dhe ishte i palodhur në punë. Niko Hoxha ishte i përkushtuar tërësisht me repartin, me ushtarin, me oficerin, me punonjësin civil dhe me teknikën. Atje e kishte mendjen, zemrën dhe shpirtin, ai njeri. E kujtoj me një respekt të paharruar këtë komandant trim e legjendar të Ushtrisë sonë, e në veçanti të Aviacionit Luftarak Shqiptar”. Çobo Skënderi, një pilot tjetër i klasit të parë, duke më treguar për bëmat e kolonelit, me një gjuhë letrare e të rrjedhshme theksoi: “Komandant Niko Hoxha, ishte i vetmi komandant regjimenti, që futi për klasin e parë dy grupe pilotësh, njërin në regjimentin e ‘Qytetit Stalin’ dhe tjetrin në atë të Rinasit.
Pas tij, asnjeri nuk u kujtua e nuk e mori niciativën për të shtyrë përpara kualifikimin e pilotëve, për klasin e parë. Niko Hoxha, vetë mbante titullin e lartë: ‘Pilot Ushtarak i Klasit të Parë’. Ishte koha kur ‘vuanim’ për kamerdare frenimi. Për të dalë nga situata, bëmë aksion e mblodhëm kamerdare të vjetra, të përdorura, të cilat i nxorëm nga rrëzat ku i kishim futur, i pastruam e i vendosëm në avionë. U ngrit në ajër vetë koloneli. Realizoi uljen dhe frenoi pas saj. Kur doli nga kabina e avionit, ne, teknikët e specialistët, vrapuam me fletoren e vërejtjeve në dorë, për t’i marrë opinionin komandantit, si ia doli me frenimin, pas uljes. Ai kishte mbetur i kënaqur nga puna jonë e na falenderoi, tregon Osmani. Niko Hoxha ishte guximtar në fluturim dhe interesohej shumë për njerëzit që kishte rreth vetes”.
Rastësisht takova Alfredin, të birin e Ahmet e Fidarie Banaj, me të cilët Niko Hoxha banonte në Valias. Kur u nda nga jeta koloneli, Fredi ishte 9 vjeç, por e mbante mend mirë atë njeri të veçantë. Pyetjes time, si e mban mend komandant Nikon, Fredi, shofer taksie, fare lirshëm, iu përgjigj: “Niko Hoxha ishte goxha burrë. Në pamje të jashtme ngjante me Stalinin dhe ishte shumë serioz e autoritar. Një ditë, ne fëmijët e shkollës, po shkonim në Kamzë, në këmbë, nëpër baltovina. Komandanti na pa, ndaloi ‘GAZ ‘-in 69, na ndaloi e na pyeti, ku po shkoni ju? Në shkollë u përgjigjëm, njëzëri. – Po pse në Kamzë’- shtoi koloneli?
Ne, si të ishte për fajin tonë, u përgjigjëm: Po nuk ka shkollë në Valias, o xhaxhi Niko. Atëherë ai, në formë urdhri tha: Mos shkoni më në shkollë, se do ta ndërtojmë në Valias. U tha e u bë. Kështu bënte koloneli. Pas pak kohësh, u ngrit shkolla e re në Valias e ne nxënësit e asaj kohe, shpëtuam nga rrugëtimi rreth 40 minuta, për të shkuar në shkollë. Kështu veproi dhe për ndërtimin e kinemasë në Valias. I dëgjohej zëri Niko Hoxhës dhe ishte kompetent” – e përfundoi kujtimin e tij Fredi Bana.
Vlerat e kolonelit si komandant e si pilot, i theksoi dhe veterani i aviacionit, njëri nga drejtuesit e shkollës së lartë të aviacionit, piloti Bahri Meshau, nga Bubësi i Përmetit. Bahriu, mes emocioneve që përcjellin kujtimet e largëta, e kujton kështu kolonelin: “Niko Hoxha ishte i lindur për ushtarak. Si komandant, të vlerësonte siç e meritoje. S’ka komandant që t’i mbledhë ushtarët pasditeve e, të qëndrojë në shoqërinë e tyre, siç bënte ai”.
Bahriu e njeh kolonelin nga viti 1959, kur ai ishte kursant për pilot dhe koloneli komandonte edhe skuadriljet që nxirrnin pilotë të rinj. Mjaft rrëfime nga puna e Niko Hoxhës, si pilot e si drejtues i aviacionit, më solli i moshuari Sulo Gorica, i cili ka shfrytëzuar për shumë kohë, avionët supersonikë MIG-19 PM ; madje ka qenë dhe teknik i aeroplanit me të cilin i pëlqente të fluturonte shpesh koloneli.
Opinioni i Sulo Goricës për Nikon, rrjedh qetë e lirshëm fare: “Niko Hoxha ta impononte respektin. Ai kishte besim të tepruar tek tekniku e tek aeroplani. Më kujtohet mirë kur fluturoi në aeroplanët mbi-zanorë MIG-19 PM, pa kurs të posaçëm. Nganjëherë i ndërhyja për lëshimin e motorit dhe për probleme të tjera teknike, por ai nuk kishte qejf t’i ndërhyje, pasi donte t’i dilte zot vetes, edhe në këtë drejtim”!
Po të kisha mundësi për të takuar dhe të tjerë bashkëkohës të Niko Hoxhës, jam i sigurt se edhe opinionet e tyre, të tilla do të ishin, se koloneli ishte një e i pakrahasueshëm. Gjiganti me emrin Niko Selman Hoxha, na erdhi në aviacion, si për fatin tonë; punoi, drejtoi, sakrifikoi e u flijua për lartësimin e armës së aviacionit. E donim ta kishim mes nesh, më gjatë; mbasi koloneli kishte çfarë të na jepte e, të na mësonte, por, papritur na iku, fluturoi si era, sikur të kishte ardhur nga ndonjë planet tjetër, në një vizitë kortezije.
Mirë e tha veterani Osman Bozhiqi: “Aksidenti ajror që i mori jetën Niko Hoxhës, ishte një goditje e rëndë për aviacionin tonë”. Bashkohem me këtë mendim dhe me opinionin e pilotit të verbër, Guri Merkaj, i cili, i përmalluar, duke psherëtirë, më tha: “Eh Njazi, njerëz si koloneli, nuk vijnë më”. Ka një detaj i cili na ngushëllon disi. Niko Selman Hoxha, nuk u shua në shtrat, duke lënguar nga një sëmundje e gjatë, por ra në fushën e betejës, si hero, në krye të detyrës e përpara syve tanë. Vdekja, në krye të detyrës, në sheshin e burrave, e kolonelit që e donim e na donte aq shumë, nuk na solli vetëm hidhërim, por na dha dhe një mësim të vlefshëm.
Siç tha Beqir Balluku, me këtë rast: “Niko u vra, për t’u treguar juve, se po të shkelësh rregullin e disiplinën; vritesh”! Ministri i Mbrojtjes i asaj kohe, ma do mendja kishte parasysh respektimin e parametrave teknikë të fluturimit, si shkencë, jashtë të cilëve nuk mund të dalë asnjeri, pavarësisht nga shkalla e kualifikimit të tij. Do t’u kthehem përsëri atyre që nuk kanë marrë mundimin të shkruajnë për heroin tonë, si pilot i apasionuar pas profesionit dhe si organizator i talentuar. Të më besojnë, se nuk i kam inat, as nuk i mbaj mëri. Në fund të fundit, gjithsecili bën aq sa mundet e, atë që di; jashtë natyrës së tij, njeriu nuk del dot!
Ajo e shtunë e mallkuar!
Ditët e javës janë njëlloj. Ato vijnë njëra pas tjetrës, për të sjellë ndryshimet e mundshme. Herë për të mirë e, rrallë për të keq. Por, e keqja që na solli ajo e shtunë, ishte me përmasa të mëdha e, na lëndoi shumë. Kush më shumë e kush më pak, të gjithë e ndjemë këtë humbje. Prandaj e kam quajtur: “E shtunë e mallkuar”. Kush nuk e nëmi atë ditë të 20 nëntorit të vitit 1965, e cila, siç nxinte e sterronte, nga retë e ngarkuara me shi, papritur na rrëmbeu shokun e mikun tonë të shtrenjtë, Niko Selman Hoxhën, i cili u bë si ai ylli që ndriçon dynjanë.
Koloneli u shua, siç bien e shuhen duke ndriçuar, meteorët. U nda nga jeta një ushtar i përjetshëm i kësaj toke, u fik një shkëndijë, e cila ndezi zjarrin e madh të progresit në aviacion, pushoi së rrahuri një zemër e madhe, e cila duhej të rrihte gjatë, për të mirën e këtij vendi.
Shumë sy u përlotën atë ditë e shumë zemra u lënduan. Ngjante sikur u shkrehën qiejt. Nënat dhe motrat labe, e shprehën brengën nëpërmjet të qarës me ligje, poetët thurën vargje e populli ngriti këngë. Lavdinë dhe nderimin që i takonte për së gjalli, Niko Hoxha, e mori dhe nëpërmjet përcjelljes dinjitoze, siç e meritonte ai burrë. Ata që e panë ndodhinë e hidhur, siç e pashë dhe vetë, me siguri që e kanë të regjistruar në kujtesë atë skemë makabre, dhe besoj e shfletojnë sa herë i merr malli për komandantin.
Dy fjalë për ngjarjen e asaj dite!
Zemra nuk ma do t’i shkruaj këto radhë e, ta sjell në kujtesë atë skenë tronditëse, por s’kam çfarë të bëj, duhet “ti vë kokë” këtij rrëfimi të gjatë. 20 nëntori i vitit 1965, do të kujtohet e do të komentohet gjatë, në mjediset e aviatorëve e dashamirëve të aviacionit. Atë fundviti, disa pilotë të regjimentit të Rinasit, për arsye nga më të ndryshmet, nuk e kishin realizuar plotësisht grafikun e sulmeve nga ajri, kundër shenjave në tokë. Atyre u kishte mbetur pa u realizuar, kujt një e dikujt dy fluturime, të këtij karakteri. Niko Hoxha kishte të pa kryer një fluturim, në terren malor.
Fluturimet me qitje, atë ditë, përgjithësisht ishin të planifikuara për në poligonin malor të Krujës, i cili gjendej në lartësinë rreth 500 metra mbi nivelin e detit. Për të realizuar qitjen në këtë poligon, sipas kërkesave, të rregullores që menaxhonte fluturimet e këtij karakteri, pilotit i duheshin 1000 metra mbi sipërfaqen e shenjës ku do të bënte qitje. Atë të shtunë retë, shtresa e poshtme e tyre ishte në lartësinë rreth 1000 metra, gjë që nuk e lejonte qitjen në poligonin malor të Krujës.
Në ditët e shkuara koloneli kishte zhvilluar një leksion, me oficerët e Akademisë Ushtarake “Mehmet Shehu” në Tiranë, lidhur me përdorimin luftarak të aviacionit dhe u kishte dhënë fjalën akademistëve se, në të ardhmen e afërt, do tua demonstronte në praktikë atë që u tha me fjalë. Dhe kur e jepte fjalën Niko Hoxha, e bënte realitet, me shembullin vetjak. Për të mbajtur fjalën e dhënë, meqenëse atë ditë retë nuk lejonin qitje në poligonin malor të Krujës, komandanti i regjimentit, Niko Hoxha, urdhëroi vartësit të përgatisnin një poligon fushor, në pjesën rezervë të aerodromit të Rinasit, në skajin Jugor të tij.
Plan-tabela e asaj dite, u orientua nga qitjet në terren fushor, në poligonin e improvizuar. Për këtë qëllim, në lëndinën e gjelbër, në fund të pistës, u vizatua një rreth, me gëlqere të bardhë, me rreze 20 metra. Sipas përkatësisë, ata që e kishin për detyrë, bënë sigurimin e zonës, me roja të armatosur. Për të mos lejuar lëvizjen e njerëzve dhe të gjësë të gjallë, aty ku do të bëhej qitje, me aeroplan. Me organizimin e fluturimeve, koloneli u angazhua personalisht. Ai orientoi akademistët të vendoseshin sipër ledhit që ndante aerodromin nga parcela me misër, matanë kanalit kullues, si vendi më i lartë nga ku dukeshin më qartë manovrat e pilotëve, që do të bënin qitje.
Mori, në rolin e shoferit, makinën ku qëndronte udhëheqësi i fluturimeve dhe e vendosi atë pranë baterisë kundërajrore, e cila mbulonte aerodromin. Urdhëroi pilotët e katërshes së avionëve, që do të bënin qitje, të cilën do ta udhëhiqte vetë, të futeshin në gabinë, të hapnin radion e të qëndronin në përgjim, për të marrë urdhrat për tu çuar në ajër. Udhëheqës i fluturimeve, në aerodrom ishte majori Haki Jupasi, pilot i klasit të parë, me detyrë zëvendëskomandant i regjimentit, për fluturim.
Katërshja e avionëve që do të tregonte qitjen, u ngrit në ajër, me drejtimin Jugor, 176 gradë. Ngritja u realizua me çifte avionësh të tipit MIG-17 F, të prodhimit kinez. Pas shkëputjes nga toka, në fluturim të drejtë formacioni u kompaktësua, duke formuar një zvenë (katërshe avionësh), me distancë e interval të ngushtuar. Formacionin në ajër e udhëhiqte komandanti i regjimentit, koloneli Niko Hoxha, me aeroplanin me numër anësor 211, të cilin e menaxhonte djali nga Maminasi i rrethit të Durrësit, Hysen Domi. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm