Nga Sokrat Shyti
Pjesa e tridhjetegjashtë
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
Sapo hartimi i listës për rekrutët e rinj mori miratim përfundimtar dhe u nis me postë sekrete në drejtorinë përkatëse të mobilizimit, në Ministrinë e Mbrojtjes, (veprim që nënkupton se nuk bëhen ndryshime, përveç një urdhri madhor nga lart), sekretari i Degës Ushtarake, shkoi në Shtëpinë e Kulturës të njoftonte punonjësin e shërbimit, i tha këtij të më vinte mua në dijeni, se nesër pas orës katër, do takohemi prapa shtëpisë së motrës. Duke patur parasysh se lëvizjet e tij vëzhgohen nga hijet e padukshme, pas hartimit të listës për rekrutët e rinj (sidomos për rastin e veçantë, kur interesohet kryetari i Komitetit Ekzekutiv), i kushtoi rëndësi gjetjes së vendit të sigurt, që nuk përgjohet dhe nuk bie fare në sy.
Pasi e shtrydhi mendjen mirë, iu duk vendi më i përshtatshëm i takimit, yrti prapa shtëpisë të motrës time, që ngrihej mbi një rrafsh të lartë, i mbrojtur me mur mbështetës dhe i rrethuar me kallama të dendur gjate gjithë gjatësisë, krejt i padukshmi nga të gjithë drejtimet, sa nuk vihej re as nga rrugica e ngushtë, që të nxirrte tek përroi. Pikërisht caktimi i këtij vendi kaq të padukshëm, më shkaktoi shqetësim të ankthshëm, duke patur parasysh që po më kërkon sekretari i Degës Ushtarake. Vetvetiu hamendja më çoi tek misteri i një çështjeje të ngutshme, që patjetër lidhet me mua.
Dhe më në fund e nuhata për çfarë bëhet fjalë: dikush nga autoritetet e larta të rrethit (më i mundshmi kryetari i Komitetit Ekzekutiv, dashakeqësi më i egër dhe hakmarrësi më këmbëngulës ndaj meje), ka ngacmuar Ministrinë e Mbrojtjes, i ka kërkuar kësaj mendim, si duhet vepruar konkretisht për rastin tim, përsa i përket detyrimit ushtarak. Pas këtij ngacmimi, prej andej duhet të ketë ardhur urdhri i formës së prerë: të thirret si gjithë rekrutët me biografi të njollosur, të cilët dërgohen për të kryer shërbimin në reparte pune, si të deklasuar! (Pushteti popullor komunist, e ka ngritur enkas këtë formë bujkrobërie moderne ushtarake, në epokën e ndritur të socializmit, duke u dhënë rekrutëve kazma e lopata, në vend të armëve!)
Kjo mendësi tmerrësisht fyese e poshtëruese, më ngacmoi me shumë se çdo gjë tjetër, kur sekretari i Degës Ushtarake, i veshur civil për të mos rinë në sy, më shpjegoi me pak fjalë, pse u dha urdhri i mobilizimit për mua. Dhe në çast, për të më qetësuar disi, theksoi diçka të rëndësishme, si e vetmja mundësi që mund të bënte: në karakteristikën time, dërguar Ministrisë (kopja e së cilës i shkon repartit ku kryhet shërbimi), janë shënuar cilësitë më të mira, që komanda t’i ketë parasysh për trajtim të veçantë, të mos më fusë në një thes me gjysmë analfabetët, të cilët merren vetëm me bujqësi.
– “Më shumë se kaq, s’mund të bëja asgjë tjetër…”, – shtoi ai me vështrim të dëshpëruar, pas kumtit të hidhur. – Sado shpresoja dhe lutesha të mos ndodhte kjo syrgjynosje e dytë, duke patur parasysh se e kreva tre vjet rresht masën e dënimit, në kasollen e lopës, prapë brejtja e brendshme ma kundërshtonte, më thoshte se goditja do vijë po kaq befasuese, si erdhi internimi. Ne çdo dukuri shfaqet ligji i pashkruar: brenda të mirës së madhe, gjendet një e keqe po kaq e madhe.
– “Duke patur parasysh sa shumë hoqe gjatë këtyre tre viteve në kasollen e lopës, të ra bretku nëpër ugare me bidonin e naftës, kthesat e tanishme të mbara, duken si mrekulli të zbritura nga qielli. Megjithatë, sipas meje, edhe ky shërbim i detyruar ushtarak, përveç dëmit ekonomik dhe lëndimit të sedrës që po të çojnë në repart pune, shpresoj të sjellë përmirësim të biografisë, falë aftësive të veçanta, si gazetar me sjellje të kulturuar.
Sepse rrallë ndodh që në reparte ushtarake, shkojnë për të shërbyer njerëz të talentuar, për të cilët kanë shumë nevojë komisarët. Nga përvoja ime, kam vërejtur se në çdo repart të madh ushtarak, ka oficerë me kërkesa të larta ndaj vetes, që duan të shpalosin dijen dhe kulturën e tyre, para individëve me prirje letrare e artistike. Ti, fatmirësisht ke prirje edhe për letërsi, edhe për teatër. Kështu që do gjesh terren të përshtatshëm për ta kaluar kohën këndshëm, por edhe për të fituar simpatinë e oficerëve madhorë”.
– “Ju falënderoj për përkrahjen morale dhe shpirtërore, që bëre maksimumin e mundshëm për hartimin e karakteristikës time”! – i thashë në fund, kur e kuptova që sekretari i Degës Ushtarake s’kishte gjë tjetër për të shprehur dhe zgjatja e mëtejshme e bashkëbisedimit, do ta vinte në pozite të vështirë. Për hir të së vërtetës, parandjenja e kumtit të hidhur për kryerjen e shërbimit të detyruar ushtarak, u shfaq në trurin tim për herë të parë si makth kanosës, pas takimit shpërfillës e moskokëçarës të kryetarit të Komitetit Ekzekutiv, i cili më priti me egërsi e arrogancë dhe ma copëtoi shpresën e të ardhmes, sa formova bindjen se ndaj meje e familjes time, nga ana e tij, kurrë nuk do të mbahet qëndrim i zbutur njerëzor. Madje m’u duk sikur e ndjeu veten të gëzuar që m’u përgjigj kaq egërsisht, duke ma përplasur drejtpërdrejtë ne fytyrë urrejtjen e tij, se; “nga unë do presësh vetëm armiqësi të përhershme. Jam i gatshëm të ta bëj jetën sa me të nxirosur e të skëterrshme!
Prandaj vendi me i përshtatshëm për ty janë fermat ushtarake, ku të bie bretku së punuari qilizmë tokën dhe e ndjen veten bujkrob e skllav, sepse s’merr asnjë shpërblim monetar, përveç ushqimit mjeran, i cili të jepet me kusht, vetëm nëse plotëson normën e rëndë ditore!. Por pas këtij takimi të egër e përçmues, kaluan vite pa patur ngacmime për shërbimin e detyruar ushtarak, sa m’u krijua përshtypja sikur më lanë në harresë, ngaqë strehimi i tmerrshëm në kasollen e lopës dhe punësimi si hamall, plotësuan deri në kënaqësi ligësinë klasore të kryetarit të pushtetit. Në fakt, kjo gjendje e zgjatur “harrese”, vazhdoi deri në shfaqjen e kthesës së madhe befasuese, (që u krye falë ndërhyrjes energjike dhe dashamirëse të drejtuesit kryesor të Partisë, në rreth). Vegimi i saj zgjoi nga gjumi letargjik në kujtesën time, kumtin e hidhur të shërbimit të detyruar ushtarak.
Pas këtij çasti, nisi prapë të më pickonte përbrenda pandehma e përhershme, se çdo mbarësi e madhe, lind e çiftuar me motrën binjake, prapësirën hakmarrëse. Kjo nënkuptonte se pritej goditja e rrufeshme dhe e egër ndaj meje, për t’i treguar sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë, se forca e ligësisë e kryetarit të pushtetit, shfaqet edhe aty ku nuk ta pret mëndja. Nuk e vija fare në mëdyshje, që menjëherë pas çastit të fërkimit të drejtpërdrejtë mes dy drejtuesve kryesore në rreth, (për çështjen e mbijetesës të familjes time), në mendjen merimangë të shefit te Ekzekutivit, do enden me shpejtësi rrjetat e kurtheve.
Nisur jo vetëm nga takimi i drejtpërdrejtë dy tre minuta në fillimin e ardhjes time, por dhe nga dëgjesa e ndryshme, formova bindjen se ky bëhet i pamëshirshëm, kur i preket sadopak prestigji dhe autoriteti, aq më tepër kur i cënohet dinjiteti nga shefi i partisë. Ndaj nuk rresht asnjë çast, derisa ta gjejë shtegun për t’a qëlluar prapa shpine, për të rimarrë hak, kryesisht t’iu tregojë përkrahësve të tij me sa cinizëm, egërsi, zotësi e vendosmëri, i shlyen borxhet e qëndrimeve diametralisht të kundërta të luftës klasore, ndaj një ish-gazetari të deklasuar.
Krejt e natyrshme që kumti i hidhur, ma rëndoi kaq shumë gjendjen shpirtërore, sa pas largimit të sekretarit të Degës Ushtarake, mbeta një copë herë në yrt, i ulur mbi një trung plepi pranë kolibes së qenit, pa ditur ku të shkoja. ‘Çapi’ më vinte rrotull, fërkohej pranë meje, dhe me lëpinte me gjuhë për të lehtësuar dëshpërimin tim, donte të më ngushëllonte me besnikërinë e tij. Kur e pa që nuk i kushtova asnjë vëmendje, vrapoi drejt shtëpisë për të vënë në dijeni të zotin, me të cilin merrej vesh, dhe pas pak erdhën të dy bashkë.
– “Engjëlli të pruri lajm të pakëndshëm”? – më pyeti burri i motrës, kur më pa të dëshpëruar.
– “E takove”? – ia ktheva unë me vështrim të trishtuar.
– “Më shpjegoi mjaft i mërzitur se s’kishte asnjë mundësi ta shtynte thirrjen, pasi emri yt, qe shënuar nga shefat e mëdhenj. Edhe pse nuk më dha sqarime të tjera, as unë s’e ngacmova më tej, mjaftuan për të kuptuar që shefi i Degës Ushtarake, nuk të ndihmon dot…”!
– “Pak a shumë e marr me mënd kush e ka rrëmuar emrin tim…”!
– “I këtushëm, apo andej nga Tirana”? – deshi të dinte ai.
– “I njëjti person që më priti me këmbët e para, kur erdha në fillim”, – iu përgjigja unë.
– “Ta tha Engjëlli gojarisht, apo e merr vetë me mend”? – u interesua ai.
– “Engjëlli bëri aq sa mundi: përpiloi karakteristikë të mrekullueshme për mua, që të shihem me sy të mirë nga komanda e repartit. Dhe këtë ia di për nder”.
– “Je i dëshpëruar ngaqë të gjithë rekrutët do shkojnë në reparte pune”?…
– “Sigurisht edhe ky fakt më dëshpëron, duke patur parasysh që oficerët drejtues të këtyre reparteve ushtarake, janë me të egër e të ashpër se brigadierët e fermave bujqësore…”, – theksova unë duke psherëtirë. – “Sipas tij, dërgimi i detyruar në NBU, është vazhdim i mbijetesës në kasollen e lopës edhe me dy vjet shtesë. Megjithatë, nuk dua ta besoj të ketë kultivuar kaq shumë mllef e ligësi kundër meje, sa dhe pas tre viteve, nuk e harroi hakmarrjen….”, – shtova mjaft i nervozuar.
– “Për cilin e ke fjalën”? – pyeti i hutuar burri i motrës.
– “Për kryetarin e Komitetit Ekzekutiv. Ta kam treguar një herë si më priti me kërcënim të hapur dhe ma preu shkurt: Për të deklasuarit, s’ka punë tjetër përveç kazmës dhe lopatës”!
– “Ti ke bindje se pikërisht ky ka ndërhyrë”? – shtoi Stavri me vështrim hetues.
– “Mijë për qind”! – ia ktheva unë me vendosmëri.
– “Asnjë shpjegim nuk më lëkund nga ky mendim. Po të mos ndodhnin ndryshimet e mbara, që do sjellin përmirësime të ndjeshme në jetën tonë, falë mbështetjes të sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë, jam i sigurt që emri im s’do figuronte në listën e rekrutëve. Për mua, fletë-thirrja për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak, nuk mund të kuptohet ndryshe, veçse hakmarrje e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv, kundër vendimeve të sekretarit të Parë, pasojat e së cilës do t’i heqë kurrizi im, për t’i treguar shefit të madh të Partisë, se ‘përpjekjet’ e tua për t’u dukur shef liberal, nuk e shpëtuan dot ish gazetarin tënd, nga karantina e të deklasuarit. Në NBU, do t’i bjerë bretku gjatë dy viteve, njësoj si në kasollen e lopës. Dhe mos të duket çudi, të kthehet prej andej me karakteristike të nxirë”!…
– “Më keq se kaq, s’ka ku vete…”, – shtoi Stavri për të më ngushëlluar.
– “Ligësia dhe urrejtja s’kanë fund. Sidomos kur këto gjenden të pranishme të dyja bashkë, sajojnë mori formash, që e përshtatin rregulloren ushtarake, për të prangosur duart…”!
– “Ti je djalë i shtruar dhe i matur, nuk shkel mbi dërrasë të kalbur…”!
– “Sigurisht do tregohem mjaft i kujdesshëm, mos t’iu lë shkas që të më ndëshkojnë. Por tani shqetësimi im kryesor, është si do t’ia rrëfej nënës kumtin e hidhur, pasi jam i bindur që kësaj do t’i duket njësoj, sikur do të më futin ne burg”!..shtova unë duke psherëtirë thellë. – “Paska qenë nënë hallemadhe”!
– “Natyrshëm, mungesa jote do t’ia shumëfishojë dhimbjen dhe brengën. Por fatmirësisht, nuk do jetë e vetmuar, si këto tre vitet e para, kur s’guxonim të shkonim tek njëri tjetri. Tani që u hoq barriera e ndalim-kalimit, herë do rrijë këtu tek ne, e herë në shtëpinë e Kolonjës. Kjo ka shume rëndësi, si për ty, që ikën mëndje-mbledhur, edhe për ne. Sa i përket anës ekonomike, do rregullohemi me njëfarë mënyre. Shpresoj dhe besoj që Dhorën, shumë shpejt do ta futin në kooperativën e rrobaqepësisë…”!
– “Ta ka thënë dikush, apo e ke nga vetja”? – e pyeta unë i shqetësuar.
– “Shteti ka detyrime ta punësojë për të siguruar mbijetesën e familjes. Tani ajo i plotëson kushtet: ka dëshminë e rrobaqepëses, dhe shiheni me sy tjetër, (pas strehimit normal dhe marrjes së vendimit nga sekretari i Parë, për të punuar në arsim). Kështu që nuk del asnjë pengesë parimore, ta pranojnë në kooperativën e rrobaqepësisë, – këmbënguli Stavri për të më qetësuar. – Prandaj, për t’i kryer detyrat tona në kohën e duhur, le t’i ndajmë: unë po bisedoj me nënën.
Ti nisu të takosh e njoftosh Likën, që kjo të mos e marrë vesh nga të tjerët, pasi ti e di se lajmet përhapen më shpejt se era…! Duhet ta zotërosh veten e, të mos shprehësh asnjë tronditje. Hëpërhë mos i trego pjesën më shqetësuese, se shërbimin ushtarak do ta kryesh në brigade pune, pasi kjo e dhënë ia rëndon ndjeshëm gjendjen shpirtërore, dhe e streson. Çdo vajze i lëndohet sedra, kur e përfytyron të fejuarin në repartin me rekrutët e deklasuar…”!
– “E kam parasysh, e kam parasysh”, – përsërita unë duke u larguar prej aty. Por në të vërtetë nuk e kisha të qartë, si do ta nisja parashtrimin e lajmit brejtës. ‘Çapi’ më shoqëroi deri tek deriçka e yrtit, për të më treguar se e kish dëgjuar bisedën dhe e ndjen shqetësimin tim. Rrugës doja të ftillohesha, të përcaktoja saktësisht, ku duhet shtjelluar bashkëbisedimi rreth kumtit të hidhur, brenda në shtëpinë e saj, në prani të nënës Ulë, apo krejt veçmas me Likën, të dilnim shëtitje përgjatë xhadesë së asfaltuar, në drejtim të Institutit të Kërkimeve Bujqësore?!
Kur kalova urën e madhe të përroit, vura re ndihmësin e sekretarit të Pare, qe doli nga porta e hekurt e oborrit të vilës, ku banonte shefi i Partisë dhe kalova enkas në krahun tjetër të rrugës, të përballesha me të, për të ditur nëse Dega Ushtarake, e ka njoftuar. Ai më përshëndeti me buzëqeshje dhe tha se koha po mban e ngrohtë, ashtu si duhet për të shëtitur çiftet e rinj.
– “Shijoji sa më shumë këto çaste, se janë të papërsëritshme, dhe kanë një ëmbëlsi dehëse të jashtëzakonshme”!… shtoi ai duke më uruar shëtitje sa më të gëzuar.
Nga ky urim, formova përshtypjen se sekretari i Degës Ushtarake, ose ndoshta ende nuk e ka vënë në dijeni, ose ky nuk do ta rëndojë gjendjen time shpirtërore, duke përmendur kumtin e hidhur, me mendimin se po shkoj në takim. Por kur u futa në rrugicën e lulishtes, para ngrehinave njëkatëshe te banimit, me kaploi një boshllëk i brendshëm, që me shkrehu, dhe vendosmëria e mëparshme u avullua, sa nuk ndjehesha i sigurt nëse do gjeja forcën e duhur ta ngushëlloja, t’i thosha se kaq vjet kalojnë shpejt, ndërkaq gjatë kësaj kohe, dashuria jonë do të bëhet më hyjnore, sepse mendërisht do jemi bashkë njëzet e katër orë, pavarësisht që trupërisht do ndodhemi larg njeri-tjetrit.
I ngërthyer pas këtij mendimi, nuk e vura re siluetën e saj, që u shfaq para meje si zanat e pyllit, të cilat futen në përfytyrim për të ushqyer imagjinatën me mushtin e një dëshire! Me sa duket, ajo në këtë çast ndodhej në oborr, dhe sa më pikasi nxitoi të më dilte përpara, që të tregonte se edhe kur trupërisht nuk jam i pranishëm, gjendem vazhdimisht në shpirtin dhe mendjen e saj!
– “Mbrëmja është mjaft e bukur! Ke dëshirë të dalim shëtitje”?… – më pyeti ajo me sy të qeshur, duke u qasur pranë meje.
– “Paskemi të njëjtin mendim…”, – ia ktheva unë duke e shtrënguar pas vetes.
– “Atëherë po njoftoj mamanë”, – shtoi ajo e kënaqur.
– “Do presësh pesë minuta sa të vishem”. Dhe u largua me hapa të nxituara. Nuk e kisha ndjerë veten kaq të trazuar para saj, sa këtë çast. Sepse pikërisht kur prisnim me padurim të na flladiste mushti i dehjes pranverore, të na pështjellonin takimet e mbarsura me drithërima rrëqethëse, dhe puthjet të na dalldisnin me ëmbëlsinë e nektarit të dashurisë, ne do ndahemi prej njëri-tjetrit për dy vjet rresht!
Ku ta gjeja forcën për të ngushëlluar vajzën e zemrës, kur vetë isha gati i shkrehur?!…Pikërisht kur menduam se ia dolëm mbanë, kapërcyem barrierën më të frikshme, besuam se pas daljes së ylberit, rrezet e dellit do na shoqërojnë kudo, shfaqet krejt befas një kurth tjetër krahëmarrës, që do na sfilitë me ndarjen më të gjatë!
Kjo gjendje kaq e rëndë shpirtërore, më pengoi të bisedoja lirshëm, t’i them të mos plogështohet, të bëhemi më të fortë gjatë kësaj ndarje të përkohshme, ta kalojmë me durim e me sa më pak brejtje të brendshme, fjalët duket më ngecnin në gryk si hala peshku, dhe më dukej shumë e vështirë të nisja bashkëbisedimin, ndoshta ngaqë kisha gjetur çastin më të papërshtatshëm, pasi më parë duhej qartësuar vetvetja, të bindja mendimet t’i nënshtrohen arsyetimit, që të mos dalin të shkujdesur, siç ndodh shpesh në takimet e të dashuruarve./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016