Dashnor Kaloçi
Pjesa e parë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore me siglën “Sekret” të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin periudhës së muajve shtator – dhjetor të vitit 1981, ku është trajtuar dhe diskutuar problemi i kryeministrit të asaj kohe, Mehmet Shehu, lidhur me fejesën e djalit të tij, Skënder Shehut, me Silva Turdiun, ish-volejbollisten e ekipit “Dinamo” e cila ishte me “probleme biografike dhe në rrethin e saj familjar, kishte disa persona të arratisur nga Shqipëria, që kryenin veprimtari kundër Republikës Popullore të Shqipërisë”, si dhe veprimi që kreu Mehmet Shehu, duke vrarë veten. Në dokumentet në fjalë që publikon për herë të parë nga Memorie.al, ndodhet proces-verbali i mbledhjes së Plenumit të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më datën 19 dhjetor të vitit 1981, vetëm pak orë pas ngjarjes së kryeministrit Mehmet Shehu, i cili u gjet i vdekur në dhomën e gjumit të vilës së tij brenda “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së. Siç do të shohim edhe në dokumentet në fjalë, mbledhja e plenumit të II-të të Komitetit Qendror të PPSh-së e cila filloi në orën 9 të paradites së datës 19 dhjetor, zhvilloi punimet pa praninë e Enver Hoxhës dhe ajo drejtohej nga Ramiz Alia, i cili njoftoi anëtarët e plenumit, që të dëgjonin të incizuara, diskutimet që ishin zhvilluar në mbledhjen e Byrosë Politike. Ndërsa në seancën e pasdites, që filloi në ora 16.00 të asaj dite, Enver Hoxha erdhi me vonesë dhe pasi mori fjalën, në mes të tjerash ai u shpreh: “Mehmet Shehu, kishte një ambicie të shfrenuar dhe veprimet e tij kryheshin sipas një taktike të caktuar e të çuditshme. Për të krijuar tek njerëzit, tek shokët dhe tek forumet e Partisë, një psikozë të sëmurë frike, mund të them se problemet i trajtonte vazhdimisht me nervozizëm, me arrogancë dhe me prepotencë. Përveç meje, deri dhe tek anëtarët e Komitetit Qendror e të Qeverisë, nuk kishte shok tjetër, që të mos atakohej e të mos bëhej objekt i kritikave të tij, pa vend. Me këtë taktikë ai, përpiqej që të krijonte në Parti, atë situatë që dëgjuat dhe që ne e analizuam në mbledhjen e Byrosë Politike”. Për më shumë rreth kësaj, na njohin dokumentet arkivore që Memorie.al i publikon në disa numra.
Dokumenti sekret me proces-verbalin e mbledhjes së plenumit të II-të të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me ngjarjen e vetëvrasjes së kryeministrit Mehmet Shehu, më 19 dhjetor 1981
PARTIA E PUNËS SHQIPËRISË Sekret
KOMITETI QENDROR
Sektori i Përgjithshëm
Proces-verbal i mbledhjes së Plenumit të 2 të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, në datën 19.12.1981
Më datën 19.12.1981 në orën 9.00 u mblodh Plenumi i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë. Shoku Enver në seancën e paradites, nuk mori pjesë.
Mbledhjen e hapi Sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, shoku Ramiz Alia.
Në këtë mbledhje, merrnin pjesë të gjithë shokët e plenumit, me përjashtim të shoqes Shpresa Zeneli, e cila ishte sëmurë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Sikurse jeni në dijeni, nëpërmjet radiogramit që ju dërguam, si dhe nga njoftimi që dha radioja, televizioni, si dhe nga gazetat, mbrëmë Mehmet Shehu vrau veten, duke mbyllur kështu historinë e tij si armik i betuar i Partisë sonë.
Juve jeni në dijeni se ai para disa muajve, bëri një faj të rëndë me karakter politik dhe ideologjik, duke lidhur krushqi me një familje tepër reaksionare.
Në rrethin familjar të babait e të nënës së vajzës, që ishte e fejuara e djalit të dytë të Mehmet Shehut, ka 6-7 armiq të egër të pushtetit popullor, kriminelë lufte, të burgosur e të internuar, të arratisur, disa prej të cilëve janë edhe sot aktivë kundër Shqipërisë socialiste, janë në shërbim të CIA-s amerikane, dhe zhvillojnë aktivitet armiqësor kundër Partisë sonë.
Byroja Politike, i kërkoi Mehmetit që të bënte një autokritikë për këtë gabim të rëndë politik që kishte bërë, dhe sipas normave të Partisë, pardje u mblodh Byroja Politike për të diskutuar mbi këtë çështje.
Byroja Politike, vendosi që të thërras Plenumin e Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, ku marrin pjesë edhe shokët ministra, sekretarët e parë të komiteteve të partisë në rrethe, kryetarët e komiteteve ekzekutive të këshillave popullorë të rretheve, sekretarët e komiteteve të partisë të korpuseve, shokë të aparatit të Komitetit Qendror të Partisë dhe të organeve të shtypit, për t’ju vënë në dijeni të plotë mbi tërë zhvillimin e mbledhjes së Byrosë Politike, me qëllim që të shikoni konkretisht se si u zhvillua ajo, të shikoni qëndrimin parimor marksist-leninist dhe unitetin e Byrosë Politike, dënimin që i bëri ajo veprimtarisë së Mehmet Shehut, dhe të gjykoni mbi këtë armik e tradhtar të Partisë.
Më parë do t’ju lexohet autokritika që ka bërë me shkrim Mehmet Shehu, pastaj do të dëgjoni të incizuara diskutimet e anëtarëve të Byrosë Politike dhe të shokut Enver, që u bënë në këtë mbledhje. Mehmet Shehu, vrau veten pa përfunduar mbledhja e Byrosë Politike.
Kështu mendojmë që të procedojmë (Të gjithë shokët ranë dakord. Pasi u lexua autokritika si dhe u dëgjuan të incizuara diskutimet e shokëve të Byrosë Politike, në seancën e fundit të mbledhjes mori pjesë edhe shoku Enver Hoxha).
Seanca e pasdites në orën 16.00
SHOKU ENVER HOXHA: Kush po e drejtonte mbledhjen deri tani?!
SHOKU RAMIZ ALIA: E drejtonte shoku Simon.
SHOKU ENVER HOXHA: Atëherë vazhdojmë. Si e keni programin?!
SHOKU RAMIZ ALIA: Tani, do të vazhdojmë me diskutimin tuaj.
SHOKU ENVER HOXHA: Mirë atëherë. Tani do të këndoj dhe unë, kritikën që i bëj punës së Mehmet Shehut në mungesë të tij, për arsye se ai u tregua armik i Partisë deri në çastin e fundit kur vrau veten. Por Partia, është e fortë dhe i kapërcen të gjitha këto vështirësi, siç ka kapërcyer edhe vështirësi të tjera të mëdha.
Prandaj puna jonë vazhdon. Shokë, Mehmeti siç e morët vesh, vrau veten. Ai, nuk pati durim që të priste vazhdimin e mbledhjes së Byrosë Politike, të dëgjonte dhe diskutimin tim që bashkohet e përputhet me mendimet e të gjithë shokëve të tjerë të Byrosë.
Është tashmë e qartë për ne tani se ai, me aktin që kreu, nuk kishte besim tek Partia, pasi e kishte humbur me kohë atë. Këtu në mbledhjen e sotme të Komitetit Qendror, janë thirrur shumë nga kuadrot kryesorë të Partisë e të Shtetit, pasi është e domosdoshme që udhëheqja kryesore e vendit tonë, të marrë dijeni sa më parë për këtë çështje kaq të rëndësishme, që i doli përpara Partisë, të cilës ia nxori një nga udhëheqësit kryesorë të saj dhe të shtetit tonë, Mehmet Shehu.
Me qëllimin që çështjen t’jua bëjmë plotësisht të qartë të gjithë natarëve të Plenumit të Komitetit Qendror, menduam që në këtë mbledhje t’jua paraqesim të regjistruara në magnetofon diskutimet e të gjithë shokëve të Byrosë Politike në mbledhjen që u bë në datat 17 dhe 18 Dhjetor, pavarësisht se do t’ju lodhim.
Menduam që të veprojmë kështu me qëllim që Komiteti Qendror i Partisë, të marrë dijeni të plotë e të gjykojë qartë e sa më drejt, për atë kujdes të madh që ka pasur kurdoherë Partia, për të parashtruar haptazi dhe çiltazi, një ose më shumë probleme, për të diskutuar mbi to dhe për të marrë kolegjialisht vendime të shumëllojta në bazë të çështjeve që shtrohen.
Mbi ngjarjen për të cilën po ju informojmë, kemi bindjen se vepruam drejt në rrugën marksiste-leniniste. Na gjykoni ju shokë të Komitetit Qendror që përbëni organin suprem të Partisë, pas Kongresit të saj, nëse kemi gabuar, apo kemi vepruar drejt. (Të pranishmit, thërrasin drejt, shumë drejt keni vepruar. Ata, ngrihen në këmbë dhe brohorasin për shokun Enver).
Në rastin konkret siç rezulton nga faktet, kishim të bënim me një armik shumë të egër dhe potent, me mundësira të mëdha për t’i bërë shumë dëme dhe të këqija Partisë. Nga sa dimë deri tani, del se në të gjithë veprimtarinë e tij Mehmet Shehu, luftonte për pushtet.
Ai, kishte një ambicie të shfrenuar dhe veprimet e tij kryheshin sipas një taktike të caktuar e të çuditshme. Për të krijuar tek njerëzit, tek shokët, dhe tek forumet e Partisë, një psikozë të sëmurë frike, mund të them se problemet i trajtonte vazhdimisht me nervozizëm, me arrogancë, dhe me prepotencë.
Përveç meje, deri dhe tek anëtarët e Komitetit Qendror e të Qeverisë, nuk kishte shok tjetër që të mos atakohej e të mos bëhej objekt i kritikave të tij, pa vend. Të gjithë pa përjashtim, kritikoheshin nga ai. Me këtë taktikë ai, përpiqej që të krijonte në Parti, atë situatë që dëgjuat dhe që ne e analizuam në mbledhjen e Byrosë Politike.
Si anëtar i Byrosë Politike, si Kryeministër, dhe si kuadër me një të kaluar lufte, të cilën dinte që ta përdorte mjaft mirë ai, ju impononte të tjerëve situata të vështira, por të favorshme për vete dhe për qëllimet e tij. Të gjithëve, jo vetëm juve anëtarëve të Komitetit Qendror, por edhe kryetarëve të Komiteteve Ekzekutive, e sekretarëve të Komiteteve të Partisë në rrethe, kuadrove udhëheqës të ushtrisë, u ka takuar që t’i shikojnë vetë dhe të gjykojnë veprimet e tij të padrejta.
Megjithatë keni thënë që edhe ai, është një udhëheqës me talent, me kapacitet, që e njeh mirë artin ushtarak të luftës popullore, se ka luftuar shumë mirë, se ai i njeh të gjitha problemet e ekonomisë, të artit, të kulturës, të kinematografisë, si me thënë sikur ai ishte një enciklopedist i madh, e një specialist i shquar në të gjitha fushat e jetës.
Kjo situatë dhe ky mendim që ishte krijuar për të, i bënte njerëzit të ndrydheshin. Por të kuptohemi, ka pasur edhe shokë anëtarë të Byrosë Politike dhe të Shtetit, që e kanë kundërshtuar, ashtu siç ka pasur dhe të tjerë që kur ka qenë rasti, nuk e kanë kundërshtuar sa duhet.
Çështjen e kam këtu që ky armik i Partisë dhe kjo po vërtetohet tani, dhe jeta do e vërtetojë akoma më mirë, dhe për këtë duhet që të kemi durim se asgjë nuk do t’i shpëtojë Partisë pa zbuluar, gjatë gjithë kohës në Parti, çdo veprim të tij e ka kryer me një plan të caktuar në kokën e vet, ndoshta dhe në kokën e dikujt tjetër, për të arritur në krye të Partisë dhe të Shtetit, dhe për ta kthyer kështu Partinë tonë, në rrugën që mendonte ai, d.m.th. ta nxirrte jashtë binarëve të marksizëm leninizmit.
Ne udhëheqja, nuk e kemi lënë Mehmet Shehun që të livadhiste. Komiteti Qendror dhe Byroja Politike, si kurdoherë kanë qenë vigjilentë, jo se dyshonin tek ai, se po të kishim dyshuar do të kishim marrë këto masa, sikurse po bëjmë tani, këtë punë ne do ta kishim bërë më parë. Por nuk pajtoheshim dhe nuk na ngrohnin mënyrat e shumë gjykimeve të tij.
Disa herë edhe kemi thënë se Mehmeti, është punëtor i madh, por në të njëjtën kohë që punonim afër me të, e shikonim se ky mendim nuk vërtetohej plotësisht. Ai, merrej me gjëra të vogla, nuk i shtrohej punës, madje i pengonte edhe shokët e tjerë që të punonin.
Shokët e tij të afërt, ai jo vetëm që i konsideronte si hamej dhe nuk i lejonte që ata të ndërmerrnin iniciativa, por përkundrazi ju diktonte që të merreshin me çështje të vogla, të mos studionin në asnjë mënyrë problemet kyçe kapitale, që shtronin vazhdimisht Byroja Politike dhe Komiteti Qendror, dhe që kërkonin që ne shokët kryesorë, të merrnim përgjegjësi për të zgjidhur detyrat e mëdha të kohës e të perspektivës.
Kurse detyrat e vogla, tjua linim të tjerëve, edhe pse në bazë, në rrethe, e në dikastere, tani kemi kuadro me kapacitet të madh, dhe të besueshëm ë ë i ka rritur dhe edukuar Partia, e cila vazhdimisht ka porositur që të kemi besim tek ata, por Mehmet Shehu nuk kishte besim, tek asnjëri.
Ai, mendonte se kudo do të duhej medoemos kontrolli i tij, dhe se pa këtë kontroll, do të shthureshin punët. Këtë gjë, ja theksova dhe herën e fundit kur biseduam bashkë me Adilin. I tërhoqa vëmendjen edhe me këtë rast se duhej të hiqte dorë nga një pikëpamje e tillë, ta likuidonte këtë mendim dhe të krijonte mundësi që të marrin përgjegjësi të gjithë shokët e tjerë, sepse ata janë kuadro të mirë e të zotë.
Po të mos ishin të zotë e me kapacitet, Shqipëria nuk do të ishte kështu siç është sot. Nuk je vetëm ti Mehmet Shehu, që i di të gjitha gjërat. Dhe në fakt ai, nuk i dinte ose i dinte përciptazi, vetëm sepse jepte përshtypjen sikur i dinte të gjitha. Me këtë më kuptoni, nuk dua që ta bëj tani atë si një kuadër fare injorant. Jo, por dua të them ai nuk ishte ashtu siç hiqej.
Pikërisht kjo ka penguar punën, dhe ishte bërë një pengesë serioze dhe për metodën e stilin e punës së vetë Mehmetit. Si rezultat i kësaj gjëje dhe në aparatin shtetëror, është krijuar një metodë pune e dënueshme. Nuk ekziston një metodë e tillë pune, në aparatin e Partisë. Këto prirje të Mehmetit që duken më shumë në pushtet, kishin një objektiv.
Cili ishte ky objektiv i tij dhe i atij që e drejtonte, Partia një ditë do ta zbulojë. Ne, duhet ta kuptojmë dhe në fakt kemi kuptuar një gjë, që si mundet Mehmet Shehu, që na hiqej si njeri parimor e mbrojtës i vijës se Partisë siç na paraqitej, një mëngjes doli dhe bëri krushqi me armiqtë e klasës të lidhur me Myzafer Pipën e Jup Kazazin, që përgatisnin në vendin tonë luftën civile, kundër të cilëve e kishte dërguar vetë Komiteti Qendror që ti luftonte e t’i likuidonte?!
Dhe kur unë, i nxora përpara listën me emrat e këtyre kriminelëve, ai më tha: “Këtë të Arshi Pipës, nuk e kam ditur, nuk më ka shkuar në mëndje”. “Si more nuk të ka shkuar në mëndje’- i thashë, – ‘Ti ke qenë Ministër i Brendshëm dhe ke luftuar me armë, kundër tyre”!
“Po, po tani më kujtohet”, mu përgjigj ai. Dua të them se një krushqi e tillë e bërë nga Mehmet Shehu, ta merr mëndja se mund të jetë e rastit?! Jo, nuk ta merr. Po neve, na merr mëndja një gjë tjetër, atë që dikush tjetër mund t’i ketë thënë atij ta bënte këtë veprim në këtë moment, se e donte interesi i tyre që të përçahej Partia e Punës së Shqipërisë, që të mos jetë më kjo Shqipëri siç është sot, që qëndron kolonë graniti kundër të gjithëve.
S’ka dyshim që një ditë këto gjëra, do zbulohen, kurse tani ne bazohemi tek faktet që kemi në dorë të cilat, janë të hidhura. Faktet e deritanishme, na bëjnë të qartë që të kuptojmë se ky element, ishte një armik i maskuar dhe i rrezikshëm, por që nuk arriti dot të krijonte rrezikshmëri për Partinë, pasi ajo është e fortë dhe me unitet të çeliktë.
Partia, është në unitet të plotë me vijën dhe me parimet e saj, dhe nuk lejon që të ndodhin ngjarje të rrezikshme. Ne gjithashtu kemi thënë dhe kurdoherë do ta përsërisim, se duhet të luftohet Kulti i individit.
Gjatë punës së vet, me metodat, me karakterin, e me parimet e veta, gjoja marksiste leniniste por që ishin shumë të lëkundura Mehmet Shehu, ka bërë punën e tij armiqësore dhe mund të themi se vetëvrasja që kreu, për një kohë të shkurtër do të krijojë në popullin tonë një farë habie e cila, do të kthehet pastaj në një të vërtetë të qartë se ky njeri që vrau veten, Mehmet Shehu, ka pasur diçka, sepse duke bërë një gabim të madh politik ai, u bashkua me reaksionin dhe më vonë duke kryer aktin e vetëvrasjes, duhet t’i rëndojnë në ndërgjegje dhe gabime të tjera jashtëzakonisht të rënda, dhe akte akoma të panjohura nga Partia saqë ai, nuk pati as guximin, as trimërinë, e as durimin, të vinte në Byronë Politike e siç theksova edhe më parë, të dëgjonte fjalën time. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016