Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumente të panjohura arkivore të nxjerra nga fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së, të cilët bëjnë fjalë mbi një vizitë të Enver Hoxhës në rrethin e Shkodrës, në 15 shtator të vitit 1949, ku ai ka mbajtur një fjalë para popullit të atij rrethit dhe malësive të Shkodrës, duke folur për çështjet e besimeve fetare, kryesisht atë të rrethi, pasi më parë ai kishte thirrur në zyrën e tij, në kryeministri në Tiranë, Ipeshkvin e Shkodrës, Monsinjor Thaçin dhe atë të Durrësit, Vinçens Prenushin dhe gjithë bisedat që kishte bërë me ta, lidhur me klerin katolik dhe varësinë e tyre nga Vatikani. Të gjitha akuzat e Enver Hoxhës, ndaj Klerit Katolik të Shkodrës, që ai i akuzonte si “armiq e tradhtarë” të lidhur ngushtë me Vatikanin, si dhe akuzat ndaj dy krerëve të besimit mysliman të Shkodrës, Sali Myftija dhe Hafiz Ali Tari.
Akuzat e Enver Hoxhës ndaj klerit katolik dhe atij mysliman të Shkodrës
“KLERIKËT REAKSIONARË I KISHIN KTHYER KISHAT NË DEPO ARMËSH DHE NË ÇERDHE AGJENTËSH DHE SPIUNËSH”
(Nga fjala para popullit të qytetit, dhe të malësive të Shkodrës)
15 shtator 1949
Dëshiroj tani të them disa fjalë në lidhje me besimet fetare dhe mbi Kishën Katolike të Shkodrës. Qëndrimi i Qeverisë së Republikës Popullore ka qenë dhe do të jetë kurdoherë i drejtë dhe i njëllojtë për të gjitha besimet që ekzistojnë në Shqipëri. Ky qëndrim i qeverisë sonë pasqyron dëshirat dhe ndjenjat e popullit duke përfshirë dhe atë pjesë që beson te zoti. Reaksioni i brendshëm dhe disa klerikë të lartë katolikë dhe myslimanë të Shkodrës kanë qenë kurdoherë të lidhur me armiqtë e jashtëm të popullit tonë, me shkelësit e huaj e regjimet antipopullore dhe kanë qenë vënë në shërbim të tyre. Këta kanë qenë vegla të turqve, të austro-hungarezëve, të fashistëve italianë, të Vatikanit, të nazistëve gjermanë dhe të imperializmit agresor e luftëdashës amerikano-anglez etj. Disa klerikë të lartë katolikë të Shkodrës për asnjë çast nuk e kanë ndjerë veten shqiptarë, por si qytetarë të Vatikanit dhe agjentë të tij në Shqipëri. Vatikani, gjatë gjithë historisë së vet shekullore, nën maskën e fesë, ka përfaqësuar reaksionin më të zi dhe ka qenë sunduesi më i egër i popullit.
Ai mbronte errësirën, ai sundonte dhe përfaqësonte mesjetën, ai ishte inkuizicioni, ai ishte mbrojtësi i despotëve, i mbretërve, i fashizmit italian, i nazizmit gjerman, ai është edhe sot vegla e imperializmit amerikan, është një nga spekulatorët kapitalistë më të mëdhenj të botës dhe armik i betuar i pavarësisë e i lirisë së atdheut dhe popullit tonë. Merimanga e zezë e Vatikanit kishte endur pëlhurën e vet edhe në një skaj të Shqipërisë, pikërisht këtu në Shkodër. Regjimi i Zogut u kishte lënë dorë të lirë njerëzve të Vatikanit, të cilët kishin krijuar një mbretëri më vete në të ashtuquajturën mbretëri të satrapit Ahmet Zog. Këta klerikë të lartë katolikë të Shkodrës ishin në ujdi të plotë me regjimin e Zogut, pse kishin të njëjtin armik, që duhej ta luftonin, popullin shqiptar. Klerikë katolikë popullorë, që e kanë dashur popullin dhe që i kanë shërbyer këtij, siç kanë qenë Dom Ndre Mjeda, etj., kanë qenë përbuzur, dënuar e persekutuar nga Vatikani dhe agjentët e tij.
“Princërit” e Kishës Katolike në Shqipëri, nën maskën e fesë, me anë të shantazheve, të kërcënimeve me zotin dhe të skandaleve, mbanin nën presion priftërinjtë popullorë dhe besimtarët, që vuanin nën regjimin e dyfishtë të terrorit kishtar dhe atij zogollian. Zogu dhe këta klerikë të lartë të kishës katolike pregatitën ardhjen e fashizmit në Shqipëri. Kur Shqipëria lëngonte nën thundrën e fashizmit gjakatar dhe populli luftonte për t’u çliruar, këta klerikë kryesorë katolikë muarën flamurin e antishqiptarizmit dhe u treguan shumë aktivë në luftën kundër popullit shqiptar. Ata muarën pozita të rëndësishme politike nën fashizmin dhe me egërsinë më të madhe u hodhën në luftë kundër popullit. Disfata e turpshme e Musolinit i dëshpëroi këta zotërinj me veladon. Por ata s’i humbën shpresat dhe u vunë nën shërbimin direkt të Hitlerit, u bënë regjentë xhelatë dhe s’lanë gjë pa bërë kundër popullit tonë, derisa i përlau dhe i shpartalloi furtuna revolucionare Luftës sonë të lavdishme nacional-çlirimtare. Fitoi revolucioni i madh popullor.
Shekuj e shekuj me radhë populli ynë i shtypur, i gjakosur dhe i skllavëruar ëndërronte për një drejtësi të madhe, të cilën e realizoi ai vetë, nëpërmjet luftërave të përgjakshme. Populli ynë i tregoi vetitë e tija të larta, si gjatë luftës ashtu edhe pas çlirimit. Aq sa ai u tregua heroik dhe i pamposhtur në luftë, aq i matur, gjakftohtë e i drejtë, i ashpër dhe i pamëshirshëm për armiqtë e betuar të tij u tregua ai pas çlirimit. Tradhtarëve të popullit ai dha dënimin që meritonin. Partia jonë e lavdishme Komuniste, që ngriti popullin në luftën për çlirim, i bëri këtij thirrje të rrokte armët pa dallim feje për të shpëtuar atdheun. Dhe populli ju përgjigj me besimin më të madh thirrjes së Partisë. Me mijëra e mijëra nga populli, pa dallim, nëse ishin myslimanë, ortodoksë, katolikë, bektashinj, ata rrokën armët. Ndër ta kishte edhe klerikë të besimeve të ndryshme, bile kryetarë të këtyre besimeve. Disa nga kishat, xhamitë, teqetë dhe manastiret u bënë strehë e luftëtarëve të lirisë, kurse disa klerikë të lartë katolikë u hodhën në anën e kundërt të barrikadës dhe luftuan kundër popullit, kundër besimtarëve katolikë patriotë dhe luftëtarë të shquar.
Qeveria e Republikës sonë, që në ditët e para të jetës së saj, duke pasur për qëllim unitetin e shëndoshë të popullit tonë, u ka dhënë një zgjidhje të drejtë besimeve të ndryshme në Shqipëri. Ajo nuk i ka lejuar vetes të vihet në kundërshtim me ndjenjat e besimit që ka një pjesë e njerëzve. Por çdo individ, ent civil ose fetar, duhet t’u bindet dhe t’u nënshtrohet ligjeve të shtetit, që ka vendosur populli, prandaj kushdo që i shkel ato, vihet në kundërshtim me popullin dhe, pa asnjë përjashtim, ata që shkelin ligjet, dënohen. Ne kemi qenë dhe do të jemi kundër gjithë atyre klerikëve reaksionarë të çdo besimi qofshin që, nën maskën e fesë, mashtrojnë besimtarët, mbrojnë reaksionin dhe errësirën, luftojnë popullin dhe komplotojnë kundër Republikës. Me këta elementë tradhtarë, populli dhe qeveria e tij janë në luftë e do të jenë në luftë derisa t’i shfarosin krejtësisht. Ne nuk i kemi përzier kurrë klerikët armiq dhe tradhtarë me besimtarët, siç bëjnë armiqtë e popullit që, për t’ua arritur qëllimeve të tyre të errëta, kërkojnë t’i përziejnë këto dy gjëra. Disa klerikë të lartë katolikë të Shkodrës, i kanë mashtruar paturpësisht dhe në mënyrë kriminale besimtarët, përsa u përket qëllimeve të mira të Qeverisë së Republikës, me qëllim që të zemëronin popullin e qytetit dhe të malësive të rrethit tuaj me pushtetin e tyre. Kështu kanë qëndruar çështjet, prandaj le të gjykojë vetë populli, sa i drejtë dhe i durueshëm ka qenë qëndrimi i qeverisë sonë ndaj këtyre klerikëve të lartë katolikë të Shkodrës.
Pas çlirimit, populli shqiptar ju vu me heroizëm punës për të ndërtuar atdheun e tij të rrënuar. Mirëpo kleri i lartë katolik i Shkodrës vazhdonte në rrugën e tij armiqësore. I ngarkuar nga qeveria, kam thirrur personalisht në Tiranë ish-argjipeshkvin e Shkodrës, zotin Thaçi dhe me mirëkuptim i kam shpjeguar qartë pikëpamjet e qeverisë sonë ndaj të gjitha besimeve’në Shqipëri. Ky zotni, duke fërkuar duart, siç e kanë zakon, i gjeti të drejta këto pikëpamje dhe premtoi se kisha katolike do të punonte në këtë rrugë. Por këto s’ishin veçse hipokrizi për të na vënë në gjumë. Ai me disa shokë të tij dhe me agjentin e Vatikanit, zotin Negris, diktator i plotfuqishëm dhe i egër i Kishës Katolike në Shqipëri, organizoi fshehurazi komplot kundër popullit dhe regjimit të tij. Arqipeshkvi dhe bashkëpunëtori i tij, Negris, kujtonin se ne kishim rënë në gjumë të rëndë. Por jo, ne ishim në dijeni mbi të gjithë veprimtarinë e tyre kriminale kundër popullit, por u treguam të durueshëm, me qëllim që t’i shmangnim ata nga kjo rrugë e gabuar.
Për dy herë rresht kam thirrur ish-ipeshkvin e Durrësit, zotin Vinçenc Prendushin, të cilit i kam parashtruar përsëri me mirëkuptim pikëpamjet e qeverisë, e kam këshilluar dhe i kam treguar rrugën e drejtë dhe patriotike. Ky zotni, në të dy herët, duke fërkuar gjithashtu duart, siç e kanë zakon, u shpreh se pajtohej me pikëpamjet e qeverisë dhe se me personalitetin e tij do të ndërhynte që çështjet të shkonin në rrugë të drejtë. Por këto qenë vetëm hipokrizi, pse këshillimet dhe paralajmërimet e qeverisë sonë, nga një vesh u hynin, nga veshi tjetër u dilnin, siç thotë populli. Altarët e kishave ata i kishin shndërruar në depo armësh dhe seminaret fetare e kishat në çerdhe konspiratorësh. Qeveria u doli borxhit, por ata e mbushën kupën; këta zotërinj vazhdonin të organizonin komplotet dhe të gënjenin besimtarët duke shtrembëruar qëllimet e mira të qeverisë sonë. U zbulua i gjithë komploti kriminal i tyre, i cili provoi se ata ishin në shërbim të armikut të popullit shqiptar, Vatikanit dhe në lidhje me reaksionin e brendshëm e të jashtëm. Ata kërkonin t’i bënin varrin popullit tonë, por ranë vetë brenda.
Masat e drejta që mori drejtësia popullore i aprovoi i gjithë populli, i aprovuan besimtarët patriotë katolikë, i aprovuan klerikët popullorë dhe patriotë katolikë. Por fajet e dënueshme të këtyre klerikëve të lartë në asnjë mënyrë nuk mund t’u ngarkohen edhe të pafajshmëve, atyre që besimin dhe fatin e tyre nuk e kanë lidhur me disa klerikë armiq të popullit që muarën dënimin e merituar. Qeveria e Republikës edhe pas këtyre ngjarjeve nuk e ka ndryshuar qëndrimin e drejtë të saj ndaj besimtarëve katolikë. Besimtarët katolikë të Shkodrës dhe të malësive, dëshirojnë të ecin në rrugën e drejtë të popullit. Këtë kërkon edhe qeveria jonë. Pjesa katolike e popullit të Shkodrës dhe e malësive dhe pushteti i tyre popullor dëshirojnë që çështja e besimit të mos jetë më një problem përçarës. Ne kemi bindje se ky vullnet do të realizohet. Qeveria jonë në asnjë mënyrë nuk do të lejojë që Vatikani të ndërhyjë ashtu siç ka ndërhyrë në çështjet e brendshme të kishës katolike të Shqipërisë, duke e bërë këtë një çerdhe spiunazhi në dëm të atdheut tonë. Shteti ynë nuk mund të lejojë që të shkelet Kushtetuta e Republikës dhe ligjet në fuqi, të cilat duhet të respektohen njëlloj nga të gjitha entet fetare.
Por në rrugën e tradhtisë kundër popullit nuk kanë qenë vetëm disa klerikë të lartë të Kishës Katolike. Ka pasë të tillë tradhtarë me damkë, kriminelë lufte dhe armiq të egër të popullit shqiptar edhe në radhët e bile në krye të Klerit Mysliman të Shkodrës, si kriminelët e luftës, Sali Myftija dhe Hafëz Ali Tarja, të cilët ishin nga krerët e reaksionit të Shkodrës dhe bashkë me Sulçe Begun, Maliq Bushatin si dhe të tjerë tradhtarë si Riza Dani, i cili pas çlirimit të vendit tradhtoi çështjen e popullit, janë përpjekur t’i bëjnë varrin popullit shqiptar dhe të mbajnë kurdoherë gjallë, në interesin e shkelësve të vendit tonë, përçarjen në mes të myslimanëve dhe të katolikëve të Shkodrës. Këta tradhtarë e kuislingë, që kanë shitur kurdoherë atdheun dhe nderin e Shqipërisë, e kanë pritur me brohoritje fashizmin italian e gjerman dhe janë vënë në shërbimin e tyre të plotë, ata kanë gjakosur popullin, por ky i dërmoi. Populli i Shkodrës nuk mund t’i harrojë grindjet dhe përçarjet që krijonin klerikët e lartë, katolikë dhe myslimanë që, të bashkuar me feudalët e rrethit të Shkodrës, nxitnin besimtarët katolikë e myslimanë të vriteshin me njëri-tjetrin për interesat e këtyre gjakpirësve.
Revolucioni popullor i hapi sytë popullit. Katolikët dhe myslimanët janë vëllezër, bij të mëmës Shqipëri, janë patriotë, ata asgjë s’mund t’i ndajë, përkundrazi çdo gjë i bashkon. Nuk mund të ekzistojë në Republikën tonë Popullore ndarje fetare dhe këtë e provojnë faktet. I gjithë populli i Shkodrës dhe i malësive, qoftë ky katolik, mysliman ose ortodoks, është i bashkuar si një trup i vetëm. Kështu ka qenë ai në kohën e luftës, kështu është edhe sot në kohën e rindërtimit të atdheut. Mbarë populli ynë, pa dallim feje, luftoi me vendosmëri për çlirimin e atdheut, ai lufton sot gjithashtu me heroizëm për mbrojtjen dhe ndërtimin e ri të atdheut. Të rinj, burra, gra, pleq po derdhin djersë për ndërtimin e Shqipërisë së re. Me mijëra e me mijëra gra e burra të malësisë e të qytetit shkojnë ndër aksione të ndryshme për realizimin e planit të shtetit dhe janë bërë shembull heroizmi e vetëmohimi. Njerëzit e malësisë, burra me besë dhe kreshnikë, deri dje të mbajtur në errësirë nga feudalët, nga bajraktarët dhe nga klerikët reaksionarë, sot po mësojnë me etje të madhe dhe përparojnë. S’mund të ketë forcë në botë që t’i ndalojë këta të ecin drejt dritës dhe përparimit. Kushtet shoqërore tani kanë ndryshuar dhe kush nuk i ka ato parasysh dhe nuk i çmon si duhet, do të gabojë, pse kohët e vjetra kanë kaluar përgjithmonë dhe s’kthehen kurrë më.
Përpara, pra, popull i Shkodrës, i malësive dhe i gjithë Shqipërisë, të hidhemi me vendosmëri në punë që të forcohet dhe të lulëzojë Shqipëria jonë e dashur, demokratike, popullore! Rroftë populli shqiptar! Rroftë populli heroik i Shkodrës dhe i malësive! Rroftë Partia jonë e Punës, udhëheqësja e lavdishme e popullit tonë! Rroftë Fronti Demokratik! Rroftë Republika jonë demokratike Popullore! Rroftë Ushtria jonë e lavdishme Popullore, mbrojtësja vigjilente e atdheut tonë dhe e fitoreve të popullit!/Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016