Nga Skifter Këlliçi
(Kur diktatori i tmerrshëm rus, tregohej shumë më butë dhe tolerues së dishepullit të tij shqiptar)
Prolog
Memorie.al/Një ditë vjeshte të vitit 1986, takova një mikun tim që punonte në Drejtorinë e Propagandës pranë Komitetit Qendror të PPSH-së dhe në të njëjtën kohë, ishte anëtar i komisionit për shqyrtimin e filmave të huaj pranë Kinostudios “Shqipëria e Re”. Pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha, siç dihet, ishin “liruar paksa burgjitë” në fushën e letërsisë dhe arteve, ndaj i thashë se: në arkivin e këtij institucioni, duhej të ishte edhe filmi sovjetik “Të rinjtë e gëzuar”, shfaqur në kinematë tona që në vitin 1945. Meqë ishte prodhuar në epokën staliniane, ky film ndonëse i dëmtuar, mund të montohej dhe të rishfaqej në ekranet e kinemave dhe televizorëve, aq më tepër, që siç kisha lexuar në shtypin sovjetik, atë e kishte pëlqyer edhe vetë Stalini.
Shoku im tundi kokën në shenjë të prerë mohimi: “Nuk shfaqet ‘Skënderbeu’, që është edhe prodhim sovjeto-shqiptar, i miratuar më 1953-in, kur Stalini ishte akoma gjallë’ – më tha – ‘atëherë as që bëhet fjalë për këtë film”! Nuk e zgjata dhe madje u pendova për këtë propozim, që i bëra shokut tim të viteve universitare.
Pas kaq e kaq vitesh u kujtova se kisha shkruar disa shënime rreth këtij filmi, të cilat i ripunova, i pasurova dhe me ngjarje të tjera, që gjeta në internet, po u ofroj lexuesve punimin e mëposhtëm.
“Djemtë e gëzuar” kritikohet për ‘ndikime hollivudiane’, por Stalini urdhëron shfaqjen e tij!
Nga viti 1929 deri më 1932-in, me porosi të vetë Stalinit, u dërgua në vendet perëndimore dhe në SHBA-ës një grup kineastësh, i përbërë nga Ejzenshtejni, regjisor i njohur edhe në Perëndim, për filmin e madh pa zë “Korracata Patjomkin”, (1925), regjisori i ri, Aleksandrov dhe kinooperatori Tise. Po atë vit, kinematografia perëndimore kishte bërë një hap të madh, filmat tani shfaqeshin me zë, muzikë dhe zhurma jetësore.
Veç kësaj, teknika kinematografike ishte modernizuar dhe në drejtime të tjera, që duheshin njohur dhe përvetësuar edhe nga kineastët sovjetikë. Stalini dërgonte në Perëndim këta kineastë, në një kohë kur në Bashkimin Sovjetik, dilte vendimi i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik “Mbi rindërtimin e institucioneve letraro-artistike”, sipas të cilit, ato viheshin në kontroll më të rreptë, për të mënjanuar edhe luhatjen më të vogël, nga udhëzimet e partisë dhe parimeve të realizmit sovjetik.
Tamam ashtu si pas Plenumit të IV-ët famëkeq të Komitetit Qendror të PPSH-së, në qershor të vitit 1973, kur Enver Hoxha kritikoi shfaqjet e huaja në artin dhe letërsinë tonë, si pasojë e ndikimeve borgjezo-revizioniste, që u panë sidomos në Festivalin e 11-të Kombëtar të Këngës në RTSH, në vitin 1973. Por ndryshe nga Stalini, pas këtij plenumi Enver Hoxha nuk lejoi asnjë specialist, në fushën e artit që të ndiqte kurse specializimi, në vendet perëndimore e revizioniste, të ofruara nga UNESKO dhe organizma të tjerë apo të shkëmbeheshin delegacione, a grupe artistike me këto vende.
Ejzenshteini, Aleksandrovi dhe Tiseja, pjesën më të madhe të këtyre tre viteve e kaluan nëpër studiot e Hollivudit, këmbyen përvojë dhe mësuan nga kineastë amerikanë, veçanërisht me Çarli Çaplinin, që pëlqehej shumë nga Stalini, por dhe nga Enver Hoxha, që pëlqente shumë edhe Norman Pitkinin.
Dhe ja, erdhi dita që ata të tre, të ktheheshin në Bashkimin Sovjetik, doemos me njohuri të reja të fituara nga kinematografia amerikane. Pikërisht atë vit, pra më 1932-in, në një takim të posaçëm, Stalini porositi Aleksandrovin që të mendonte për krijimin e një komedie muzikore, që deri atëherë i mungonte kinematografisë sovjetike!
”Jeta jonë po bëhet më e mirë’ – i tha ai atij. – ‘Ndaj le të behet edhe më e gëzuar”. (Natyrisht që gënjente veten, sepse në fillim të viteve 30-të, krahas forcimit të mëtejshëm të luftës së klasave, me burgime dhe internime masive, për shkak të terrorit të kuq dhe gjendjes së rëndë ekonomike, si pasojë edhe thatësirës së madhe, në Bashkimin Sovjetik, gjetën vdekjen nga uria me miliona njerëz). Dhe kështu Aleksandrovit i lindi ideja, të krijonte filmin që do ta titullonte “Djemtë e gëzuar”, (në rusisht “Vjesjollëie rebjata”).
Së bashku me skenaristët Erdman dhe Mas, ai shkroi skenarin e këtij filmi dhe nisi xhirimet në qytetin Gagr, në jug të Rusisë. Muzikën e filmit ai i’a besoi Dunajevskit, njërit prej kompozitorëve më të njohur sovjetikë.
Subjekti i filmit ishte i thjeshtë: Bariu muzikant, Kosta Patjohin, interpretuar nga aktori dhe këngëtari i njohur, Leonid Utjosov, shkon në Moskë për të parë në teatrin “Balshoi”, një shfaqje muzikore dhe i veshur me smoking, rastësisht merret për një dirigjent të huaj, që do të drejtonte orkestrën e xhezit, por që po vonohej të vinte. Dhe e kryen këtë rol me shumë mjeshtëri. Ndërkohë dhe Anjuta, interpretuar nga aktorja Ljubov Orllova, e cila u bë edhe gruaja e Aleksandrovit, gjithashtu në disa rrethana rastësore, ndodhet në skenë dhe së bashku me Kostën, shkëlqejnë në këtë shfaqje.
Të mos harrojmë se para martesës me Aleksandrovin, Orllova kishte qenë e martuar me Berzinin, funksionar i lartë sovjetik, i cili kishte kundërshtuar Stalinin për disa çështje ekonomike, dhe si pasojë, ishte dënuar si armik i pushtetit sovjetik, me disa vjet burgim. Sidoqoftë, diktatori dha pëlqimin që Orlova, të luante në këtë film. (Enver Hoxha, me ndonjë përjashtim shumë të rrallë, nuk ka lejuar dhe nuk do të lejonte kurrë, që një artist ose artiste, në rrethana të tilla, të shfaqej në skenën e teatrit, a të luante në filma).
Mirëpo gjatë xhirimit të filmit, ndodhi diçka e tmerrshme. Agjentë të OGPU-së, (Sigurimit të Shtetit të atëhershëm sovjetik), arrestuan skenaristë Erdman dhe Mas, të cilët pas një procesi gjyqësor, u dënuan me dëbim nga Moska dhe pastaj u internuan, për shkak se në disa nga krijimet e tyre, (parodi e kuplete), kishin krijuar tekste me nënkuptime të holla dhe të rrezikshme.
Pas kësaj gjëme, pritej që xhirimet e filmit të ndërpriteshin..! Por nuk ndodhi aspak kështu. Nga lart, (kuptohet nga vetë Stalini), erdhi urdhri që filmi të përfundonte, por duke pasur tashmë si autor të skenarit, vetëm Aleksadrovin. Siç ndodhte zakonisht, filmi duhej të shihej nga anëtarë të Komitetit të Komisarëve të Popullit për Kulturën, që më pas, si dhe komitete të fushave të tjera, u kthye në Ministrinë e Kulturës. Dhe këtu nisi zallamahia.
Pa përfunduar mirë pamjet e fundit të filmit, në sallën e shfaqjes, shumë nga anëtarët e komisionit i’u vërsulën filmit me kritika dhe akuza për mishmash ngjarjesh, gjoja gazmore, që nuk kishin të bënin fare më jetën e pastër të qytetarëve sovjetikë dhe mbi të gjitha, e cilësuan atë si plagjiaturë të filmave, të degjeneruar amerikanë, nga ku ishte ndikuar regjisori Aleksandrov.
Gjendja u bë shumë e tendosur dhe për arsyet e mësipërme, u vendos që filmi “Djemtë e gëzuar”, të hidhej në koshin e plehrave dhe Aleksandrovi, të dënohej rëndë për këto gabime të palejueshme ideologjike.
Mirëpo, për fat të mirë, në shfaqjen e filmit, merrte pjesë edhe shkrimtari i madh, Maksim Gorki, i cili ishte dhe mik i Stalinit. Ishte ai që menjëherë njoftoi diktatorin rus, se ç’po ndodhte. Atëherë Stalini, kërkoi ta shihte filmin së bashku me anëtarët e Byrosë Politike, ku bënin pjesë: Molotovi, Bulganini, Voroshilovi, Malenkovi, Kaganoviçi, etj. Dhe siç ndodhte jo rrallë, pa pritur që të dëgjonte mendimet e vartësve të tij, diktatori u ngrit e tha, se: ‘filmi ishte i bukur dhe se do të pëlqehej nga populli’.
Dhe kështu u bë. Filmi “Djemtë e gëzuar”, pati sukses të jashtëzakonshëm, jo vetëm në Bashkimin Sovjetik, por edhe në vendet Perëndimore, madje edhe në SHBA-ës, ku u shfaq nën titullin “Moska qesh”. Atë e pëlqeu edhe Çaplini, i cili u shpreh se: nëpërmjet filmit, amerikanët u njohën edhe me nivelin e lartë të komedisë muzikore sovjetike. Jo vetëm kaq, por më 1935-ën, filmi fitoi çmime të rëndësishme në Festivalin Ndërkombëtar të Venecias, ndër të cilët Aleksandrovi, për regjinë dhe Dunajevski për muzikën. Orllova u bë yll i kinemasë sovjetike, e krahasuan me Marlen Ditrihun, aktore dhe këngëtare e famshme gjermane.
Krijuesit e filmit i priti dhe vetë Stalini. Por Ljubov Orlovën, diktatori e priti në një takim të veçantë, ku u ndodhën vetëm ata të dy. Duhet thënë se dy vjet më parë, pra më 1932-in, diktatori rus kishte mbetur i ve, sepse gruaja e tij e dytë, Nadjezhda Alillujeva, pas një krize nervore, kishte vrarë veten. Jo vetëm se vuante nga dhimbjet e vazhdueshme të kokës, por edhe për shkak të sjelljeve brutale të Stalinit, që ishte diktator edhe në familje. (Gruaja e parë, Ekaterina Svanidze, më të cilin kishte lindur Jakovin, (vetëvrarë në një kamp përqendrimi nazist, pasi ishte kapur rob), kishte vdekur më 1907-ën.
Me Nadjezhdën ishte martuar më 1918-ën, kur ajo kishte qenë vetëm 18 vjeç dhe ai 23 vjet më i madh, e kishte pasur dy fëmijë, Vasilin, ushtarak por i pa aftë dhe dembel, që pas vdekjes së babait ishte shndërruar në pijanec dhe madje, kishte përfunduar edhe në burg. Svetllanën, vdekur më 2011-ën, e njohur për librat publicistikë që ka shkruar, midis të cilëve edhe kundër babai të vet tiran, edhe ndaj së ëmës, pra Nadjezhdës. Kështu në moshën 54-vjeçare, Stalini kishte mbetur i ve. Ishte burrë shteti, por ishte dhe mashkull i fuqishëm edhe në… shtrat.
Është shkruar shumë për dashuritë e diktatorit sovjetik me artiste, veçanërisht me këngëtaren Davidova, por unë do të ndalem në intervistën e avokatit dhe biznesmenit të njohur rus, Aleksandër Dobrovonski, i cili vite më parë bleu vilën e Aleksandrovit dhe Orllovës, e bashkë me të edhe gjithçka që kishte në të, dukë përfshirë dhe ditarët e artistes së madhe. (intervistë, botuar në revistën ruse “Argumente dhe fakte”, nr. 18, 30.4.2014).
I bazuar në këto ditarë, Dobrovonski tregon edhe për takimin Orllovës me Stalinin, të cilin ajo e urrente tmerrësisht. Gjatë takimit ajo kuptoi se edhe pse e martuar me Alesandrovin, Stalini e dëshironte atë, ndaj që të frenonte çdo hap të tij, që në fillim të bisedës, e pyeti: “Shoku Stalin, a mund të di prej jush për fatin e burrit tim të parë?”. Ishte fjala për Berzinin, që ende dergjej e sfilitej në burg.
Kjo pyetje, sipas Dobrovonskit, (bazuar në ditarin e Orllovës), e befasoi diktatorin, që u zbeh, nuk i’u përgjigj dhe menjëherë biseda mori drejtim, vetëm rreth filmit “Djemtë e gëzuar”. (Me këtë rast, theksoj se Enver Hoxha, jo vetëm nuk do të priste dhe të përgëzonte ndonjë aktore, burrin e së cilës e kishte dënuar për qëndrime antiparti dhe të bëhej aq popullore, sa ç’u bë Ljubov Orllova).
Sidoqoftë, gjithnjë sipas Dobrovonskit, Stalini porositi që për Aleksandrovin dhe Orllovën, në rrethinat e Moskës të ndërtohej vila, të cilën ua bëri dhuratë shtetërore, sepse me paratë dhe honorarët e filmave të tyre, ata nuk mund të bënin veçse një jetë relativisht të mirë dhe asgjë më shumë. Veç kësaj, Orlovës më pas, për merita të veçanta në kinematografi, i’u dha edhe çmimi “Stalin”.
Pas vdekjes së Stalinit, në fillim të filmit të mësipërm, krahas emrit të Aleksandrovit, u vunë edhe me emrat e dy autorëve të tjerë të skenarit, Erdman dhe Mas, siç përmenda më lart, të dënuar nga diktatura staliniste. Sidoqoftë, pas internimit prej disa vitesh, ata u lejuan nga Stalini të ktheheshin përsëri në Moskë dhe të krijonin, vepra letrare dhe skenarë filmash artistikë.
(Nuk ka ndodhur kurrë që Enver Hoxha të lejonte që një shkrimtar i dënuar rëndë politikisht, të kthehej përsëri në botën letrare. Edhe në këtë rast, në kundërshtim me diktatorin tonë, Stalini, tregohej i butë ndaj njerëzve të artit).
Enver Hoxha dhe Festival i 11-të i Këngës në RTSH në vitin 1973, në këndvështrimin kritikues të Ramiz Alisë!
Në librin e tij “Jeta ime”,(2010), Ramia Alia, midis të tjerash analizon Festivalin e 11-të në RTSH, (dhjetor, 1972) dhe i kundërvihet tërësisht Enver Hoxhës, për qëndrimet skajësisht të ashpra, ndaj këtij festivali dhe pasojave që sollën masat mizore që ai mori pastaj personalisht ndaj shumë punonjësve të artit dhe kulturës shqiptare, me dëbime nga puna dhe transferime në fshatra të largëta, internime, burgime…!
“Të nesërmen e festivalit’ – shkruan Ramiz Alia në këtë libër, – ‘bisedova edhe me Hysni Kapon dhe me Mehmet Shehun dhe asnjeri nuk kishte ndonjë vërejtje të veçantë. Dhe kaq”. (faqe 260).
Për më tepër, nuk bënte vërejtje Mehmet Shehu që, siç thekson Ramiz Alia në librin e tij, gjatë bisedave që bënte me Enver Hoxhën: “…qeshnim bashkë, kur kujtonim se sa i rreptë tregohej Mehmeti ndaj qafleshëve që kalonin poshtë zyrave të kryeministrisë”. (faqe 263).
Më pas, në Plenumin e 4-t të Komitetit Qendror të PPSH-së, të mbajtur në qershor të vitit 1973, diktatori ynë e cilësoi Todi Lubonjën “…deviator të djathë që ka përkrahur pikëpamje të theksuara liberale dhe oportuniste, shije estetike moderniste, që u orvat t’i jepte Radio-Televizionit një drejtim thjesht informativ dhe kulturo-njohës, drejtim që ishte në kundërshtim me orientimet e Partisë dhe Komitetit Qendror të Partisë mbi karakterin politik, ideologjik, kulturor dhe edukativ të tij”. (Enver Hoxha, “Mbi letërsinë dhe artet”. (faqe 409, 1977).
Më tutje në veprën e tij “Jeta ime”, i befasuar nga qëndrimi që po mbante Enver Hoxha ndaj Festivalit të 11-të, Ramiz Alia shkruan:
“Para se Enveri të fliste në Presidiumin e Kuvendit Popullor, nuk kishim arritur të flisnim bashkë për Festivalin. Kështu kritika e tij për të, ishte e papritur për mua. Bile nuk më erdhi mirë që Enveri bëri kritikë publike, pa biseduar fare me mua, që përgjigjesha për këtë sektor veprimtarie”. (faqe 263-264).
Pra, Ramiz Alia, me shumë të drejtë e ka ndier veten të fyer.
“Kjo është ana formale e çështjes’ – vazhdon Ramiz Alia në librin e tij. – ‘Themelore është se unë nuk e kisha të qartë se përse Enver Hoxha mbajti atë pozicion, aq kritik ndaj Festivalit XI! Në të gjitha kontaktet dhe bisedat që kam pasur me të, për probleme të arteve dhe të kulturës, Enveri asnjëherë nuk tregohej i ngurtë. Prandaj, për mua ka qenë e vështirë në atë kohë, të kuptoja atë qëndrim aq të rreptë të Enverit”.(faqe 263).
Epilog
Stalini ishte diktator, të cilin Enver Hoxha e adhuronte dhe ndiqte hap pas hapi veprën e tij gjakësore. Por Enver Hoxha, ia kaloi me aktet e tij kriminale, që nisi pas Festivalit të 11-të Kombëtar të Këngës në RTSH, në Plenumin e 4-t të Komitetit Qendror të PPSH-së për letërsinë dhe artin.
Edhe diktatori rus me filmin “Djemtë e gëzuar”, siç e pamë, mund të kishte nisur një kryqëzatë të tillë kundër autorëve të këtij filmi, të cilësuar nga vartësit e tij fanatikë, “si i damkosur nga ndikime të shëmtuara hollivudiane”, dhe pastaj ta vazhdonte atë ndaj krijuesve të tjerë kudo në Bashkimin Sovjetik.
Më 1931-in, mund të kishte dënuar edhe shkrimtarin e madh, Shollohov, për dy vëllimet e para të romanit “Doni i qetë”, që ishin kritikuar rëndë në plenume nga drejtues të Lidhjes së Shkrimtarëve të Bashkimit Sovjetik, duke u akuzuar “për idealizimin e jetës së kozakëve”, “mungesën e luftës së së klasave” dhe “përshkrimin e zbehtë të personazheve të kuq, në krahasim me personazhet e bardhë” dhe kështu vihej në pikëpyetje, botimi i vëllimit të tretë. Por ishte përsëri Stalini, që pa ngurruar dha urdhër që ky vëllim të botohej.
Me porosi nga lart, pra edhe të Enver Hoxhës, më 1966-ën, kritika jonë letrare e ndikuar dhe nga mësimet e Revolucionit të Madh Kulturalo-Proletar, e cilësoi “Donin e qetë”, (që një vit më parë, kishte fituar çmimin “Nobel”), si vepër revizioniste dhe Melehovin, personazhin kryesor të saj, të lëkundur, jo pozitiv. Si pasojë, kjo vepër u ndalua, sepse shkonte ndesh me parimet e realizmit socialist.
Enver Hoxha ia kalonte edhe në këtë rast mësuesit të tij atëror, Stalinit…! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016