Memorie.al publikon dokumente historike nga arkivi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së me proces-verbalin e takimit ditor të Enver Hoxhës me sekretarët e Komitetit Qëndror, si: Hysni Kapo, Ramiz Alia, Prokop Murra e Simon Stefani, të mbajtur më datën 18 prill të vitit 1979, vetëm tre ditë pas tërmetit të fortë që goditi rrethet e Lezhës dhe Shkodrës ku humbën jetën 35 vetë dhe pati dëme të konsiderueshme materiale ku u shkatërruan apo u rrafshuan përtokë me qindra banesa dhe objekte social-kulturore, kryesisht në fshatrat e Shkodrës dhe Lezhës. Dëshmia e rrallë e Enver Hoxhës lidhur me mjekimin e të plagosurve me fraktura nga tërmeti të cilët kishin nevojë për vendosje hekurash në kockat e thyera dhe meqë ato nuk gjendeshin në spitalet tona pasi ishin material importi, u morr një kampion iu kërkua Ofiçinës së Automjeteve në Shkodër, e cila prodhoi 150 copë brenda 24 orëve dhe me to u mjekuan të plagosurit…
SHOKU HYSNI KAPO: Më bëri përshtypje, shoku Enver, edhe diçka tjetër që më tha Hekurani. Disa ndërmarrje, të cilat nuk janë të sektorit të naftës, pa lënë mënjanë detyrat e tyre, do të bëjnë gjithë ato gjëra për të shpejtuar punën në sektorin e naftës, siç është, për shembull, hapja e rrugëve për në pikat e shpimit etj. Ç’tregon kjo? Një gjë e tillë tregon se sa rezerva kanë këto ndërmarrje dhe se kush duhet t’i disponojë këto rezerva.
SHOKU ENVER HOXHA: Është shumë e qartë, atje ka munguar drejtimi. Unë e kam thënë edhe herë tjetër, struktura e Institutit të Naftës dhe të Gazit duhet studiuar, që të ndryshojë e të përsoset, se ashtu siç është tani nuk po funksionon mirë.
SHOKU PROKOP MURRA: Pikat e shpimit nuk jepen në rregull, ato shkojnë edhe 1 mijë metra më thellë. Pra, jepet për 3 mijë metra thellësi dhe shpimi shkon deri në 4 mijë metra.
SHOKU ENVER HOXHA: Po këtë kush e përligj? Nuk ka njeri përgjegjësi për këto gjëra? Pra, puna çalon në disa drejtime. Askush nuk e bën dhe nuk studion, për shembull, jetëshkrimin e puseve. Në institut apo në Drejtorinë e Përgjithshme të Naftës duhet të ketë një sektor të veçantë që të merret me këtë çështje të rëndësishme. Edhe vetë instituti duhet ta bëjë metodë pune që për të gjitha problemet që i dalin të organizohen diskutime, konsultime, debate shkencore, ku të rrihen e të shkëmbehen mendime dhe eksperiencë midis sektorëve të veçantë, pastaj të dilet me konkluzione. Mund të shihet edhe organika e institutit, se mund të jenë shumë veta, por që nuk punojnë mirë, që e kalojnë kohën duke u sorollatur etj. Mbase duhet «krasitur» një çikë organika e këtij instituti dhe të mbahen ata që janë njerëz të aftë, të ndërgjegjshëm në punë. Gjithashtu mendoj që institutit, drejtuesve dhe punonjësve të tjerë të tij t’u kërkohet më shumë llogari për kryerjen e detyrave të caktuara. Ose të ndalemi e të shikojmë strukturën organizative të Institutit të Studimeve dhe të Projektimeve nr. 1 këtu në Tiranë. Institutet për të gjitha ndërtimet e Shqipërisë i kanë bashkuar në një të vetëm. Këtij instituti i kanë ngarkuar edhe projektimet për ndërtimet në zonat e dëmtuara nga tërmeti. Do t’i bëjë dot të gjitha këto detyra ky?! Përse është bërë ky bashkim? Po e kishim me dy-tre, na thuhet, dhe e bashkuam që të shkurtonim organikat. Po në fakt, çfarë u shkurtua? A mendohet një çikë thellë se për kantieret e objekteve të mëdha industriale duhen edhe administrata, llogaritarë, financierë e të tjerë? Kështu siç është, ne kursejmë pagën e dhjetë vetave të shkurtuar, por humbasim miliona. Duhet patjetër t’i ndajmë këto institute. Instituti për projektimin e veprave industrlale mendoj se duhet të jetë më vete. Por edhe tani sektor më vete është, mund të thonë. Po, por ama me drejtorin e tij lidhen të gjithë. Ja, tani do të bëhen projekte për qytete të tëra. E po ku të venë më parë specialistët e këtij instituti? Ka rëndësi të mendohet thellë për këtë punë, sepse vendin po e ndërtojmë me forcat tona, edhe projektet e fabrikave tani po i bëjmë vetë. Në këto kushte duhet të jemi realistë më shumë se kurrë. Shokët e Qeverisë thanë se kështu do të bëjmë, do ta studiojmë këtë çështje. Ta studioni, u thashë unë, por kjo punë të bëhet një çikë shpejt, të mos zgjatet gjashtë apo shtatë muaj. Përse t’i ngre unë çështjet e organikave dhe nuk i ngrenë ministrat dhe zëvendësministrat që merren me këto gjëra përditë? Ç’bëjnë këta njerëz? Pse, vetëm ne këtu duhet të japim mendime e porosi që kjo të bëhet kështu e ajo të bëhet ashtu? Përse ngurrojnë ata ta ngrenë këtë problem?
SHOKU HYSNI KAPO: I mësojmë njerëzit që të mos vetëveprojnë, të jenë pa iniciativë.
SHOKU ENVER HOXHA: Ata kanë iniciativë, por i vënë disa përpara. Kështu nuk mund të ecë puna jonë. Kur pyeten «pse nuk e shtroni problemin?» ata të përgjigjen se e kanë shtruar, por nuk po zgjidhet çështja. Dhe është e vërtetë kjo, përderisa çështja vjen këtu tek unë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po ja një shembull konkret që na doli tani që shkuam në Oblikë me rastin e tërmetit. Kur vajtëm në ndërmarrjen bujqësore, shokët shprehën mendimin që ndërmarrja është e madhe dhe se është shumë e vështirë të administrohet gjithë ajo ekonomi prej 3 mijë e ca hektarësh, prandaj sektori i Oblikës mund të ndahej më vete.
SHOKU ENVER HOXHA: Posi, ata e shohin që nuk ecën kjo punë kështu siç është organizuar. Mendoj që problemet duhen parë konkretisht, të veprohet ashtu siç e kërkon zhvillimi ynë dhe të mos merren orientime si duhen e vendosur një herë e përgjithmonë. Ato duhen ndryshuar e përsosur kur jemi të bindur se, duke marrë këto masa, arritjet do t’i kemi më të mëdha.
SHOKU SIMON STEFANI: Ja, ndërmarrja bujqësore «Gjergj Dimitrov», shoku Enver, që përfshin 10 mijë hektarë tokë, ka 12 mijë punëtorë, po me shumë vështirësi u nda.
SHOKU ENVER HOXHA: Ta merr mendja që me shumë vështirësi u bë ndarja e saj, prandaj kjo të mos përsëritet gjetkë. «Ka disa gjëra, — më tha Mehmeti, — për të cilat nuk ju informojnë mirë». «Po edhe ti duhet të informohesh më mirë, — i thashë. — Ti ke gjithë ata ministra dhe çdo ministër ka deri katër zëvendësministra, çdo zëvendësministër ka nga dy-tre drejtorë. Mua më duket se ti duhet t’u kërkosh atyre të të informojnë si duhet».
SHOKU HYSNI KAPO: Këto probleme neve na i ngre Partia në bazë. Ja, tani që isha në Vlorë me pushime, më pyeti drejtori i ndërmarrjes bujqësore: «Shoku Hysni, kur do të bëhet ndërmarrja blegtorale në Shashicë?». Tri herë më ka folur për këtë problem ai. Kongresi i 7-të i Partisë vendosi të krijohen ndërmarrje bujqësore e blegtorale. U studiua njëherë ky problem, u kthye, u studiua prapë dhe përsëri u kthye. Po të ishte zgjidhur me kohë problemi, tani ne duhet të kishim marrë frytet e kësaj pune, se kanë kaluar gati tre vjet që nga ajo kohë. Dhe çështja e blegtorisë ka shumë rëndësi. Prandaj kësaj i duhet kushtuar shumë vëmendje.
SHOKU PROKOP MURRA: Toka të reja hapen, forcat e punës shtohen, por ndërmarrjet bujqësore nuk janë shtuar.
SHOKU ENVER HOXHA: Këto probleme nuk i zgjidh dot një njeri i vetëm, po gjithë Partia. Kur i fola Mehmetit për problemet në Kombinatin Metalurgjik, siç më kishe informuar ti, Prokop, ai më tha: «Nuk e di, po mua më kanë informuar ndryshe. Ja, do të vete prapë në kombinat». «Ti mund të shkosh dhe njëqind herë atje, po të duash, — shtova unë, — por fjalën e kam këtu, që ty të të raportojnë si duhet ministri i Industrisë, zëvendësministri dhe të tjerët. Kështu bëhen punët, ndryshe mbeten pa zgjidhur». Kur vajti Mehmeti në Kombinatin Metalurgjik, u tha shokëve atje se kanë shumë punëtorë dhe ata shkurtuan 500 veta. Kurse tani na thonë se kanë nevojë për punëtorë!!
SHOKU PROKOP MURRA: Baza mekanike atje nuk shfrytëzohet për mungesë të fuqisë punëtore.
SHOKU ENVER HOXHA: Kjo do të thotë se në kombinat kanë nevojë për punëtorë.
SHOKU HYSNI KAPO: Shoku Enver, këtu kemi të bëjmë me një problem të madh, së pari, ndërmarrjen e kemi dhe kapacitetin e saj nuk e shfrytëzojmë plotësisht; së dyti, në qytet kemi fuqi punëtore të lirë, të cilën duhet ta sistemojmë në punë.
SHOKU ENVER HOXHA: Çdo vit sjell zhvillim, sjell ndryshime. Të ardhurat e ekonomisë duhet patjetër të mbahen parasysh. Por hapja e vendeve të reja të punës nuk na dëmton aspak; ajo diktohet nga vetë zhvillimi i vendit tonë. Ky dikton, gjithashtu, që të avancohet realizimi i detyrave dhe shkurtimi i afateve të ngritjes së veprave. Këtë preokupacion ta kenë të gjithë dhe jo të ngrihet e të vejë Prokopi në Burrel, për shembull, që të mbarojë brenda një kohe të shkurtër Fabrika e Ferrokromit, ose që diku gjetkë të vejë uji brenda një dite e gjysmë, kur mendohej që kjo punë duhet të bëhej për një muaj. Vetë komunistët, kuadrot, punonjësit në bazë duhet të mendojnë e të veprojnë kështu. Dhe si këto ka plot raste, more shokë! Tani shokët në Burrel do ta përfundojnë fabrikën dhe do ta pastrojnë mineralin, se i dhanë fjalën Prokopit. Por del çështja e ngritjes së furrës së madhe në këtë fabrikë e për këtë u dashka të shtohen 4-5 veta në organikë. Mirë, le të shtohen, se kjo është një vepër e rëndësishme. Tash, që punët atje janë shtuar, edhe këta kuadro le të shtohen. Po kush duhet të mendojë për këtë? Përse të marrim masa ne këtu dhe të mos mendojë e të veprojë vetë ministria, apo zëvendësministri i ngarkuar për këto punë? Kuptohet, ai vetëm me pak veta që ka në vartësi nuk ia del dot, se nuk ka mundësi. Sepse, sado i zoti të jetë një kuadër, prapë, i vetëm, nuk bën dot gjë. «Trimi i mirë me shokë shumë» thotë me të drejtë populli ynë, prandaj ai duhet të aktivizojë specialistë e kuadro të bazës.
SHOKU HYSNI KAPO: Dje, gjatë rrugës, kur po vija nga Vlora, shoku Enver, mendoja për gjithë ato dëme që na shkaktoi tërmeti dhe thosha me vete se do ta përballojmë edhe këtë situatë, ashtu siç ka vendosur Partia: do të përdorim materialet që i kemi planifikuar për objektet e ndryshme, me qëllim që brenda një kohe të shkurtër t’i kapërcejmë vështirësitë e krijuara nga kjo fatkeqësi, sepse kjo ka edhe rëndësi politike.
SHOKU ENVER HOXHA: Po, edhe në këtë aspekt duhet parë kjo çështje. Mua më duket se Qeveria ndërtimin e objekteve për prodhimin e materialeve të ndërtimit si, çimento, tulla, tjegulla etj., duhet ta shikojë një çikë më gjerë dhe më aktivisht, se nuk pret puna. Nuk e kam fjalën vetëm të ngremë fabrika të reja, por ne mund të shfrytëzojmë projektet e objekteve ekzistuese, duke i perfeksionuar dhe duke i bërë edhe më të mëdha ato. Në këto kushte është e domosdoshme të përqemlrohet vëmendja në problemet e revolucionit tekniko-shkencor. Nuk mjafton të mblidhen specialistët, të caktohen 300-400 tema për studime shkencore, të bëjnë libra dhe të mendohet sikur u mbarua puna. Jo, puna nuk mbaron. Kjo duhet ndjekur, duke konkluduar se cilat objekte duhen projektuar më përpara e cilat më pas, duke pasur parasysh zhvillimin e situatave. Forcat duhen përqendruar për zgjidhjen e problemeve kyç. Për shembull, disa gjëra që i kemi parashikuar të bëhen për tre vjet, specialistët t’i futen punës që t’i përfundojnë brenda një viti. Këto arrihen kur edhe vetë ministritë punojnë në mënyrë dinamike, ndjekin zhvillimin në çdo hap, ndryshe nuk mund të përballohen vështirësitë që dalin në sektorët e ndryshëm të ekonomisë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Lidhur me zhvillimin e mëtejshëm të revolucionit tekniko-shkencor, ideja juaj, shoku Enver, për avancimin e studimeve, jo vetëm është plotësisht e mundshme, por është reale dhe e domosdoshme të vihet sa më parë në jetë. Gjatë vizitës në Korçë isha në Kombinatin e Trikotazheve dhe në uzinën e instrumenteve të precizionit të lartë «Petro Papi». Bisedova atje me komunistët e drejtuesit e këtyre ndërmarrjeve për t’u njohur me punën që po bëhej. Të dyja këto qendra pune i realizojnë shumë mirë detyrat. Në uzinën e instrumenteve po bënin një studim lidhur me shkrirjen e çeliqeve speciale që dilnin jashtë përdorimit në uzinat e tjera. Këta i shkrinin këtu «mbeturinat» dhe me stampat e tyre bënin vegla të precizionit të lartë, gjë që është me leverdi të madhe për ekonominë tonë. Studimin për shfrytëzimin e mbeturinave atje e kishin parashikuar ta mbaronin në fund të vitit 1980, por, kur më folën mua, e kishin mbaruar. Nga kjo kuptohet se ata kanë mundësi të punojnë me një temp më të shpejtë. Nga biseda që bëra me shokët e Uzinës së Instrumenteve dhe me ata të Kombinatit të Trikotazheve mësova, midis të tjerave, se në Shkodër është në plan që në fund të vitit 1980 të ngrihet reparti i trikotazhit në fabrikën e pëlhurave, por për këtë priten disa vegla e mjete nga jashtë. Në Kombinatin e Trikotazheve të Korçës, kur biseduam për këto çështje, ishin të pranishëm të gjithë inxhinierët, drejtori dhe sekretarët e organizatave-bazë të Partisë. Ata më premtuan se merrnin përsipër t’i bënin mjaft nga pajisjet që akoma nuk kishin ardhur nga jashtë për këtë repart të ri, bile edhe të dërgonin atje specialistët e tyre për montim. Kështu do të punojmë, thanë ata, me synim për ta vënë atë vepër në shfrytëzim gjashtë muaj para afatit të planifikuar. Mirëpo ky është një objekt i madh, prandaj edhe leverdia ekonomike e vënies së tij në funksionim gjashtë muaj para afatit është e madhe.
SHOKU ENVER HOXHA: Është me të vërtetë një gjë e mirë të shkrihen mbeturinat e çeliqeve speciale dhe të përdoren në ekonominë tonë. Iniciativa të tilla të mira marrin njerëzit tanë. Ja, edhe në kolektivin e spitalit dhe të Ofiçinës së Automjeteve të Shkodrës kanë marrë një iniciativë të lavdërueshme. Pas tërmetit u shtruan atje mjaft të plagosur. Për t’i shëruar sa më shpejt, disave u duheshin futur hekura brenda kockave të thyera. Ku t’i gjenin këto? Kishin vetëm disa të ardhura nga jashtë, por ato nuk mjaftonin. Atëherë iu drejtuan pa vonesë kolektivit të Ofiçinës së Automjeteve dhe u thanë: «I shikoni këta hekura? Na duhen 120 a 150 copë të tilla brenda 24 orëve, me çelik puro». Dhe brenda 24 orëve punëtorët e kësaj uzine i dorëzuan spitalit 150 copë të tilla dhe më të mira nga të importit. Kjo punë, siç thashë, u bë brenda 24 orëve. Prandaj dhe veglat e mjetet për repartin e trikotazhit që premtuan t’i prodhojnë punonjësit e Kombinatit të Trikotazheve të Korçës, kanë mundësi t’i bëjnë edhe vetë ndërmarrjet e Shkodrës.
SHOKU RAMIZ ALIA: Unë mendoj, shoku Enver, që me këtë rast, siç kanë lindur gjithë ato iniciativa, duhet të inkurajohet një lëvizje e tillë për avancimin e afateve të vënies në shfrytëzim të objekteve të ndryshme. Ka shumë objekte që mund të avancohen, nga të cilat ekonomia jonë do të ketë dobi shumë të madhe, në qoftë se ato objekte, që janë planifikuar, do të futeshin, të themi, një vit më parë në prodhim, ose qoftë edhe gjashtë muaj. Ky do të jetë një fitim i madh për ekonominë tonë. Mundet të ndizet një lëvizje e madhe në këtë drejtim.
SHOKU ENVER HOXHA: Duhet treguar interesim për këtë gjë. Dhe kjo të bëhet me frymë të shëndoshë partie për t’i avancuar studimet dhe objektet, për t’i dhënë prioritet sigurimit të materialeve. Të mos bëhet, siç është zakon ngandonjëherë, duke vënë kushte të tilla, si «jo po çështjet duhen studiuar, duhen materiale, duhet çelik, duhet kooperim, kjo uzinë është e zënë, tjetra s’është e zënë» etj., etj.
SHOKU RAMIZ ALIA: Tani mundësitë janë shumë më të mëdha, shoku Enver, edhe gatishmëria e njerëzve tanë është e madhe. Jo vetëm në rrethet ku ra tërmeti, por në tërë vendin është krijuar një situatë shumë e favorshme revolucionare, njerëzit janë të gatshëm të kontribuojnë, prandaj ka mundësi të nxiten iniciativat.
SHOKU ENVER HOXHA: Ashtu është, te ne ka tash mundësi më të mëdha. Fabrika tullash ne kemi ndërtuar në Peshkopi, do të ngremë një të tillë edhe në Kukës, në Sarandë e në Gjirokastër. Po kështu do të ngremë edhe fabrika për prodhimin e çimentos, të cilat kemi mundësi t’i bëjmë vetë. Veçse del problemi i teknologjisë së tyre. Një specialist i huaj u ka thënë shokëve tanë se teknologjia që zbatojmë ne në fabrikat e çimentos është e vjetër, këto harxhojnë 45-50 për qind më tepër energji e qymyr. Ka sot një teknologji më të përparuar që, përveç kursimit të energjisë, jep edhe çimento të një cilësie më të mirë. Për këtë neve na duhet vetëm të blejmë një model, sipas të cilit të ndërtojmë vetë fabrika të tjera me kapacitet të lartë prodhues. Por për t’i realizuar këto kërkohet që njerëzit tanë t’i vihen punës konkretisht e vendosmërisht, të marrin iniciativa, të merret mendimi i specialistëve deri në Qeveri, ku të shihet se cilit objekt duhet t’i jepet prioritet dhe të merren vendime për to. Tani që na dëmtoi tërmeti, po harxhojmë për ndërtime shtëpish e objektesh socialkulturore një sasi të konsiderueshme materialesh ndërtimi, si tulla, çimento etj. Rrethet e tjera kanë dërguar çimento, tulla etj. në zonat e prekura nga tërmeti, por të kemi parasysh se ata i kanë pasur për të realizuar planet e tyre të ndërtimeve, që tash ka mundësi t’u mbeten pas, pra, si të thuash, po bëjnë sakrificë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Edhe për çështjen e tullave, që thatë ju, u interesova. Në Korçë ka një fabrikë tullash, që nuk punon me kapacitet të plotë. Kjo do të thotë se fabrika ka shumë rezerva akoma, prandaj, po të punojë me kapacitet të plotë, do të japë dyfishin e prodhimit të sotëm. Natyrisht, në këtë objekt kishin si pikë të dobët furrën e tharjes, kapaciteti i së cilës ishte më i vogël. Por, në qoftë se është kjo pika e dobët, atkherë pse të mos ndërtojnë një furrë tjetër tharjeje, ose të zgjerojnë ekzistuesen, me qëllim që të dyfishohet kapaciteti i prodhimit? Unë mendoj se lidhur me iniciativat e punonjësve për likuidimin e pasojave të tërmetit duhet biseduar shtruar dhe konkretisht me shokët e dikastereve, sepse është e nevojshme që këto të aprovohen e të centralizohen, pasi edhe tërë punën që po bëhet në këtë drejtim e kemi të përqendruar.
SHOKU HYSNI KAPO: Për këtë kërkohet që dikasteret, ministrat të lidhen e të veprojnë aktivisht në bazë, të drejtojnë punën që të realizohen detyrat sipas sektorëve që mbulojnë. Gjithsecili nga titullarët e dikastereve të mendojë, në radhë të parë, për të aktivizuar ndërmarrjet që varen prej tyre që t’u përgjigjen sa më mirë nevojave për likuidimin e pasojave të tërmetit.
SHOKU ENVER HOXHA: Po, ashtu është. E kam thënë edhe herë tjetër: le të jetë sa të dojë i zoti një kuadër drejtues, nuk mund të ecë përpara puna, në qoftë se do të mbështetet vetëm në punën e tre vetave, pasi punët dhe problemet janë të shumta. Këto kërkojnë aktivizimin e sa më shumë specialistëve, të cilët tash nuk na mungojnë. Por ky problem nuk duhet zvarritur. Sot nuk na krijon vështirësi lëvizja, fjala vjen, e katër-pesë inxhinierëve mekanikë, sepse kemi shumë të tillë. Prandaj duhet biseduar konkretisht me këta, bile ata të marrin edhe vetë iniciativë e zotime konkrete që i shërbejnë kryerjes së detyrave. Le të kthehemi përsëri te problemi i strukturave organizative për të cilin fola më parë. Ky problem të kuptohet mirë dhe nga pikëpamja filozofike. Flitet shumë për indiferentizëm. Por dihet se asnjë njeri nuk lind indiferent, asnjë njeri nuk lind i mirë, ose i keq. Veçse në jetë ka njerëz të mirë, ka të këqij, ka edha indiferentë. Ka një sërë shkaqesh që e bëjnë dikë indiferent. Ai mund të jetë njeri i zgjuar, njeri i mirë i Partisë, por bëhet indiferent kur shikon që zelli dhe hovi i tij në punë, mençuria e zotësia e tij futen në disa kuadrate, futen në kallëpe burokratike, në disa kompetenca të vogla, në njëfarë erganizimi të ngushtë rutine e të kufizuar. «Pse të flas, — arsyeton një njeri i tillë me vete, — pse ta them këtë mendim, kur shikoj se asgjë nuk bëhet, ose kur e ngre një çështje, bëj vërejtje për këtë apo për atë problem dhe ato bien në vesh të shurdhër?». Nga këto gjëra ky njeri, që nuk është indiferent, por mund të bëhet i tillë, ngaqë s’ia vënë veshin, thyhet. Po u kritikua për këtë, bën një autokritikë dhe kaq. Këto çështje duhet t’i kuptojmë dhe t’i luftojmë shfaqje të tilla, se ja, në situata jo të zakonshme, si këto pas tërmetit, njerëzit hidhen në veprim, nuk u shmangen sakrificave, preokupohen e mobilizohen seriozisht. A nuk flet për këtë fakti që mjaft drejtues partie e të pushtetit në rrethe të Jugut, që nga Saranda, Gjirokastra, Vlora etj., etj., shkuan deri në Shkodër, duke udhëtuar për tërë natën, për t’iu gjendur pranë e për t’u thënë vëllezërve të tyre se ata janë gati t’i ndihmojnë për çdo gjë që të kenë nevojë? Pra këtu jo vetëm që nuk ka indiferentizëm, por përkundrazi kemi të bëjmë me një tipar të lartë të njeriut tonë, që, kur është fjala për të ndihmuar tjetrin në rast fatkeqësie, siç thotë populli, e heq nga goja e tij dhe nuk kursehet. Kështu ndodhi edhe me rrethet që u erdhën në ndihmë të dëmtuarve nga tërmeti. Ato ndofta kanë shumë probleme dhe nevoja për vete, por në këtë rast nuk mund të prireshin nga interesat e ngushtë lokalë. Me një gatishmëri e ndjenjë solidariteti socialist ata vunë në dispozicion të të dëmtuarve forca të gjalla dhe mjete e materiale nga më të ndryshmet. Kjo është një fitore tjetër që ka arritur Partia. Është Partia po ajo që do ta drejtojë këtë aksion të madh, që do të organizojë këto forca për realizimin me sukses të tij. Prandaj komunistët, organizatat e Partisë të jenë në krye të punëve, në veprim. Ca më pak në situata të tilla nuk duhet të ketë asnjë organizatë partie të fjetur, që të lejojë pasivitetin, indiferentizmin e njerëzve ose imponimin e mendimeve të njërit a të tjetrit. Rëndësi ka që në organizatë të flitet haptazi dhe jo të pranohet mendimi i sekretarit të organizatës-bazë edhe kur ai nuk është i drejtë. Partia kurdoherë duhet të mbajë qëndrime parimore. Qëndrimi i drejtë, ndershmëria e cilësi të tjera janë tipare që secili komunist duhet t’i zhvillojë te vetja e tij dhe tek të tjerët. Kjo është e domosdoshme që Partia të jetë revolucionare. Dhe po të jetë e tillë ajo, realizimet në çdo fushë do të jenë të mëdha./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016