Nga Prof. As. Dr. Gjergj P. Titani
Memorie.al / “Pas vrasjes së Qemal Stafës, unë e shumë komunistë të tjerë, dolëm ilegalë. Vrasja e Qemalit, ishte një ngjarje e dhimbshme për ne të gjithë. Në këto kushte, të gjitha organizatat antifashiste, partia, rinia, gratë, deri edhe debatikasit u porositën të tregoheshim të kujdesshëm, të ruheshim nga provokimet dhe të ishim thellësisht konspirativë”.
“Kështu shprehte në mes të tjerash në këtë intervistë, znj,Naxhije Dume Kerenxhi, ish-anëtarja e parë femër e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare që nga krijimi i saj dhe ministrja e parë femër në qeverinë komuniste të pas lufte, që kryesohej nga Enver Hoxha. Për më shumë rreth aktivitetit të saj dhe krerëve kryesorë të Partisë Komuniste dhe Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, znj. Dume, na njeh në këtë intervistë.
Znj. Naxhije, si vijoj aktiviteti juaj pasi dolët në ilegalitet?
Pas daljes në ilegalitet, fillova të punoja me të rejat e shkollave pa u druajtur, sepse nuk bija edhe fort në sy, vishesha thjesht e ngjaja me një vajzë të zakonshme qyteti, ndaj dhe lëvizja lirisht, megjithëse policia fashiste, kishte shpërndarë fotografinë time, si person në kërkim. Foton që kishte shpërndarë policia, e kishte marrë nga fotografitë që kishim dorëzuar në drejtorinë e shkollës, për dokumentet e diplomës së maturës.
Përveç kësaj, dy motrat e mia ishin të martuara me oficerë, njëri i Xhandarmërisë dhe tjetri i prapavijës së ushtrisë dhe ky fakt, ishte në favorin tim. Më 22 qershor të vitit 1942, kur po dëgjonim lajmet me rastin e njëvjetorit të fillimit të luftës kundër Bashkimit Sovjetik dhe bilancet e operacioneve të Ushtrisë së Kuqe, më njoftoi Misto Mame, të cilin e kisha shumë shok dhe kisha konsideratë për të sepse, ishte djalë i përsosur dhe mjeshtër i konspiracionit të luftës në qytet, se me urdhër të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, isha caktuar për punët e partisë, pranë Qarkorit të PKSh në Korçë, ndaj duhet të nisesha pa u vonuar, për atje.
Tashmë atje do të kishit të tjera detyra më të rëndësishme dhe njohje të gjera me komunistë të rinj e të vjetër, të qytetit dhe të fshatit. Cilat ishin bazat e luftës dhe drejtuesit e Qarkorit në Korçë?
Lidhjen e partisë më udhëzuan t’ia dorëzoja shokut Petro Papi, njërit prej udhëheqësve militantë të luftës atje. Ai menjëherë, më sistemoi në një bazë të sigurt. Pas disa ditësh, erdhi e më mori Nesti Kërenxhi, i cili më vonë do të ishte shoku im i jetës. Shkuam bashkërisht, në mbledhjen e parë të Komitetit Qarkor, ku u bë edhe prezantimi i im i parë. Në këtë mbledhje, u ngarkova me punët organizative të gruas dhe të të rejave.
Mbaj mend se, sekretar politik në atë kohë, ishte Pandi Kristo, njëri nga anëtarët e vjetër të Grupit Komunist të Korçës dhe nga anëtarët e parë të PKSh-së. Ai kishte një aktivitet të rëndësishëm si komunist, të cilin e njoha më mirë gjatë aktivitetit tim në këtë Qark, ku Lufta Antifashiste, kishte shpërthyer me përmasa mjaft të gjera, si në qytet ashtu dhe në fshat.
Më kujtohet se fillimisht, më strehuan në familjen e Dhora Lekës, Marika Leshnjës, Efti Ifticës, Nasi Gjokës, familjen e Mina dhe Shega Uçit. Minai, ishte një burrë fisnik dhe komunist i vjetër, i cili çuditërisht ishte përjashtuar më pas nga PKSh-ja, kurse Shega, një grua e veçantë, energjike dhe e mrekullueshme, ishte e bija e patriotit të madh, Petro Nini Luarasi. Shtëpia e Minait, ishte në pozicion shumë të ekspozuar, ndaj unë shkoja shpesh atje, por qëndroja pak.
Baza të rëndësishme për mua, ishin shtëpitë e familjeve: Shamblli, Llambi, Jorgji, (George), një familje tjetër, diku në lagjen e vllehëve, Samsuri, Stasa dhe shumë të tjera. Njëra nga bazat e veçanta, ishte familja e Dylbere Baçit, mësuese në Shkollën Qytetëse Femërore. Liri Baçi (Kolaneci), më vonë ajo u bë gruaja e komandantit të shquar partizan, Teki Kolaneci, ishte një nga shoqet tona të shkollës, por në një klasë më të ulët se unë.
Edhe Fiqrete Shehu, ka ardhur nga Tirana, me rekomandim në adresën e Liri Baçit. Mbaj mend se, edhe Nako Spiron e kemi strehuar në këtë bazë. Një bazë tjetër, ishte dhe familja e Qerime Progrit, nëna e dëshmorit Demir Progri, që u vra bashkë me Fuat Babanin, në rrethimin që iu bë çetës “Morava” në Baban të Devollit, si dhe nëna e partizanit, Ali Progri. Veçoj familjen e Emili Shahinit, që në kohët e terrorit më të egër fashist, më ka strehuar si vajzën e saj.
Në shtëpinë e tyre, jam rrethuar dy herë dhe në të dy rastet, kam shpëtuar për mrekulli edhe falë kujdesit të këtyre njerëzve të mrekullueshëm. Emili Shahini me profesionin e saj human të mamisë, ishte e mirëpritur në të gjitha familjet korçare, jo vetëm për dashurinë që tregonte për nënat e reja dhe fëmijët e porsalindur, por edhe si një aktiviste e shkëlqyer, e Lëvizjes Antifashiste.
Po të tjera familje mikpritëse mund të përmendni?
Në familjen e profesor Xegës dhe gruas së tij, Parashqevisë, jam strehuar për një kohë në vitin 1944. Aty, më ka shpënë komunisti guerrilas, trim Gaqi Koroveshi, i cili më vonë u vra, me sa më kujtohet aty rreth muajit mars, duke lënë një vajzë të vogël rreth 7-8 vjeçe.
Në këtë bazë, kam ndenjur edhe me Vera Pojanin dhe Elektra Samsurin, madje aty përjetuam vrasjen e babait dhe vëllait të Verës, diku afër kinemasë “Majestik” në qendër të qytetit. Në familjen e Eleni Pandukut, kam gjetur një ngrohtësi prej nëne, e cila më mungonte shumë, le të mos harrojmë se unë isha atëherë vetëm 20 vjeçare. Aty gjeta shoqen time të klasës, Sofika dhe tre motrat e saj.
Jam strehuar në shtëpinë e veteranit shumë të nderuar Nepsi Kërenxhi, pjesëmarrës me armë në dorë në luftërat për pavarësinë e atdheut. Nepsi, ishte një figurë e respektuar e lëvizjes kombëtare në Korçë e më gjerë. Gruaja e tij, zonja e nderuar Ksanthipi Kërenxhi, ish-nxënëse e shkollës së parë të Vashave në Korçë. Të katër fëmijët e kësaj familje të nderuar, ishin pjesëmarrës të LANÇ.
Familja Niko Dishnica, familje e nderuar e një veterani kombëtar, anëtar i Federatës “Vatra”, mik i ngushtë i Avni Rustemit dhe Fan Nolit. Zonja e tij e nderuar, Marika Dishnica dhe tre vajzat e tyre: Dhimitra, Tefta dhe Afërdita, u vunë tërësisht në dispozicion të Luftës. Gjithashtu, jam strehuar në shtëpinë e Sabri Qytezës, një burrë me kulturë të gjerë, një hulumtues i vërtetë i historisë sonë.
Studioja e tij ishte një arkiv i vërtetë historik, ai megjithëse ishte shumë plak, nuk e kish ndërprerë punën e tij. Ai kurrë nuk e pengoi vajzën e tij shumë të re, Dodona Qyteza, në aktivitetin e saj plot rreziqe. Në shtëpinë e tyre, është strehuar edhe Nako Spiru. Le të më falin shumë familje të nderuara korçare që, më kanë strehuar si fëmijën e tyre në atë kohë shumë të vështirë, kur luhej fati dhe jeta e njerëzve dhe e një familjeje të tërë e jo vetëm e një personi.
Sepse pas 60 vjetësh dhe pas gjithë atyre kalvareve që kam hequr unë, burri im, fëmijët dhe gjithë farefisi, kam harruar shumë emra, por kurrsesi bazat dhe asnjëherë ngrohtësinë e familjeve atdhetare korçare, përballë acarit fashist dhe nazist të asaj kohe të rrezikshme dhe plot tension. Aktiviteti me gratë dhe të rejat në Korçë, ishte shumë interesant, sepse ambienti ishte pro LANÇ-it.
A u njohët me kuadrot e LANÇ-it të Korçës, të cilët nuk ishin të pakët?
Në Korçë, kryesisht u njoha me anëtarët e Qarkorit edhe komunistë të rinj e të vjetër si: Pandi Kristo, Miha Lako, Ymer Dishnica, Taqi Skendi, Dhori dhe Ilektra Samsuri, Nexhip Vinçani, Pëllumb Dishnica, Vangjel, Nella, Raqi dhe Nesti Kërenxhi, Vaskë Koleci, ish-student në shkollën ‘Normale’ të Elbasanit, Ramadan Xhangolli, Koço Theodhosi, Kleopatra e Todi Maliqi, Nasi Gjoka, Kiço dhe Raqi Shamblli, Nesti dhe Petraq Titani, Andon Cicani, Todo Manço, Tasi dhe Xhoxhi Blushi, Sotir Manushi, Andrea Ziu dhe të tjerë që po t´i rendisim të gjithë së bashku do të bëhen shumë.
Brenda në qytet, gëlonte aktiviteti i njësiteve guerile, i atentateve të bujshme kundër spiunëve dhe tradhtarëve. Shpërndarja e komunikatave, shkrimi i parullave kundër pushtuesit fashist, nëpër vende që binin në sy, mbledhja e ndihmave dhe armatimeve për luftën. Ndërkohë, ishin krijuar çetat e para partizane të Moravës, Kolonjës, Gorë-Oparit, Mokrës, Ostrovicës, Vithkuqit, Rrëzës së Korçës e tjera dhe po përgatitej faza e kalimit në krijimin e batalioneve partizane dhe të forcave territoriale të vendit.
Me forcat antifashiste greke të ELAS-it a kishit marrëdhënie?
Për hir të së vërtetës, qyteti i Korçës ka ndihmuar shumë për furnizimin me ushqime dhe veshmbathje edhe të forcave partizane greke ELAS-it, që drejtoheshin nga kapedani trim, Aris Veliqotis dhe gjeneralit Stefanos Sarafis, Komandant i Përgjithshëm i këtyre trupave. Grekët, vërtet dërgonin tek ne në Korçë paratë, kryesisht monedha floriri që i maskonin me shumë kujdes, duke i vendosur në fundin e dyfishtë të teneqeve të djathit e, që i administronte me nikoqirllëk e ndershmëri proverbiale, shoku ynë i mrekullueshëm, Koço Theodhosi, i cili jam e bindur, mijë për qind që, është pushkatuar për qëllime të mbrapshta politike. Me çështjet ekonomike e ato të propagandës është marrë edhe shoku ynë i mrekullueshëm Teodor Sterjo.
Gjithsesi, materialet ne i siguronim me shumë vështirësi dhe mandej i nisnim për në destinacion, çka nuk ishte një punë e lehtë për t‘u realizuar. Ç’është e vërteta, për të gjitha këto bashkëveprime, të cilat realizoheshin me rrezik të madh, unë nuk kam dëgjuar nga organet zyrtare greke as edhe një fjalë mirënjohjeje, ndonëse ne luftonim armiqtë tanë të përbashkët. Një aspekt tjetër, të cilin dua ta theksoj, ishte puna e organizuar veçanërisht me gratë dhe të rejat korçare, të cilat kryenin një volum të madh aktivitetesh për luftën. Ato përgatisnin me mijëra palë çorape, fanella, shalle, doreza leshi për partizanët. Grumbullonin ndihma në të holla, djathë, miell, pastërma, këpucë që i përgatisnin këpucarët e mrekullueshëm korçarë.
Gjithashtu, grumbullonin veshmbathje, ilaçe e të tjera, të cilat ne i transportonim andej për në destinacion, me të gjitha mënyrat dhe mundësitë: me kafshë, karroca, automjete, madje edhe me njerëz, kur ishte nevoja. Me gratë dhe vajzat e reja, kryenim kurse të veçanta specializimi, për infermiere e sanitare, rrobaqepëse e të tjera. Ato merrnin pjesë në mbledhjet e shumta agjitativo-propagandistike dhe kurset e edukimit, ku lexoheshin kolektivisht, komunikatat e luftës dhe materialet e tjera të edukimit komunist.
Të tilla ishin shoqet tona: Kleopatra Maliqi, Viktori Titani, Afroviti Titani, Aleksandra Sofroni(Misha), Ollga Mitrushi, Dhora Kristo, gruaja e urtë e Pandi Kristos, Sofika Xoxe, gruaja e Koçi Xoxes, Meropi Vullkani, gruaja e Sotir Vullkanit, Sofika Pirgu, motrat Serani, Vangjeli Kristo, Shega Uçi, Liri Baçi (Kolaneci), Eleni Panduku, Elektra Samsuri, Andromaqi Themeli, Emili Shahini, Eleni Terezi (Pashko), Vera Pojani (Ngjela), Katina Starja, Efti Iftica, Zhuljeta Frashëri, e shumë e shumë të tjera, pjesa më e madhe e të cilave, dolën vullnetarisht partizane dhe luftuan me trimëri të veçantë.
Naxhie Dume, e vetmja anëtare e Komitetit Qendror të PKSh-së, që nga Konferenca e Parë e Vendit e marsit 1943 në Labinot të Elbasanit, që ka mbijetuar. Si ndiheni sot pas 60 vjetësh, kur nga ai Komitet Qendror i PKSh-së, nuk ka mbetur gjallë askush?
Ndihem krenare, por njëherazi edhe e brengosur, madje e lënduar shumë. Sa shumë jetë e fate të bukura janë shuar e rrënuar nga lufta e gjatë dhe e pamëshirshme për pushtet! Të jetosh gjatë, do të thotë të pësosh zhgënjime e hidhërime jo të vogla. Do të thotë të përjetosh, humbjen e shokëve, të njerëzve të dashur, të përjetosh zhgënjime për vrasjen e ëndrrave të tua rinore dhe të idealëve të bukura të vrara, të sakatuara të shokëve të t’u të mrekullueshëm, nga ata që dikur i ke quajtur shokë, udhëheqës e që më pas të kanë dalë renegatë, madje më shumë se aq, kundërshtarë politikë, mashtrues djallëzorë, vrasës, kriminelë.
Në pranverën e vitit 1943, në fshatin Polenë, në afërsi të Korçës, u bënë zgjedhjet e reja për përbërjen e Komitetit e ri Qarkor të PKSh-së, për Korçën, si dhe zgjedhja e delegatëve për në Konferencën e Parë të Vendit të PKSH-së, e cila do të mbahej në Labinot të Elbasanit, nga data 17 deri në 22 mars të vitit 1943.
Punimet e Konferencës së Qarkorit të Korçës, i drejtoi me shumë kompetencë, Ymer Dishnica, i cili prej kohësh ishte kthyer nga studimet universitare në Francë dhe kishte hapur klinikën e tij mjekësore në qytet dhe tashmë ishte kooptuar, në udhëheqjen qendrore të PKSh-së. Në Konferencën e Polenës, u zgjodhën gjashtë delegatë, për në Konferencën e Parë të Vendit, që ishin: Pandi Kristo, Petro Papi, Naxhie Dume, Nexhip Vinçani, Nesti Kërenxhi dhe Pëllumb Dishnica, si dhe dy të ftuar, që ishin Miha Lako dhe Pilo Peristeri.
Si u procedua në atë konferencë të parë të PKSH-së që u mbajt në Labinot?
Në Labinot morën pjesë 70 delegatë dhe të ftuar nga i gjithë vendi dhe u zgjodh Komiteti Qendror i Përhershëm i PKSh-së, i përbërë prej 15 anëtarësh dhe 5 kandidatësh. Midis tyre ishin: Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Ymer Dishnica, Tuk Jakova, Pandi Kristo, Nako Spiru, Vasil Shanto, Hysni Kapo, Gogo Nushi, Kristo Themelko, Nesti Kërenxhi, Ramadan Çitaku, Petro Papi, Bedri Spahiu, Gjin Marku, unë, Liri Gega e të tjerë që nuk më kujtohen. Sekretar i Përgjithshëm, i PKSh-së, me propozimin e Miladin Popoviçit, u zgjodh Enver Hoxha.
Kush u zgjodh sekretar organizativ i KQ të PKSH-së?
Koçi Xoxe u zgjodh unanimisht sekretar Organizativ i KQ të PKSh-së, megjithëse ndodhej në burgun e Tiranës. Sekretar Organizativ i PKSh-së, megjithëse nuk ndodhej i pranishëm në Konferencë sepse ishte i burgosur në burgun e Tiranës, u zgjodh unanimisht Koçi Xoxe. Pas kësaj, Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, mori një zgjerim më të madh, sidomos në jug të vendit dhe prefekturat e Shkodrës, Dibrës, rajonin e Pezës e në Kosovë. Tashmë, po krijoheshin kështu forcat e armatosura partizane në Pezë, Korçë, Shkodër, Dibër, Martanesh, Çermenikë, Vlorë, Gjirokastër, Mallakastër, Tepelenë, Përmet, Skrapar, Mokër e krahina të tjera të Shqipërisë.
Kishte ardhur koha për përgatitjen dhe formimin e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇL-së, sepse forcat partizane, ishin shtuar shumë dhe kishin nevojë për një drejtim më profesional dhe më të kualifikuar. Lufta po merrte përmasa të reja dhe kërkonte si domosdoshmëri, drejtimin e centralizuar e të specializuar të forcave të armatosura partizane dhe atyre territoriale. Pas punimeve të Konferencës së Labinotit, u kthyem në Korçë, për të vënë në jetë vendimet e rëndësishme të saj. Konferenca e Parë e Vendit, mori përmasat e një kongresi të vogël, por të domosdoshëm partie, në kushtet specifike të luftës, sepse ajo zgjodhi KQ të Përhershëm të PKSh-së.
Zgjodhi Sekretarin e Përgjithshëm dhe Sekretarin Organizativ të Komitetit Qendror, ç’ka deri atëherë, nuk ishte bërë nga asnjë mbledhje e rëndësishme e Partisë Komuniste Shqiptare. Në këtë Konferencë, u miratua përbërja e Byrosë Politike dhe u morën vendime të rëndësishme për zgjerimin e Ushtrisë partizane dhe krijimin e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇL-së, i cili do të krijohej, vetëm pas tre muaj e gjysëm, më 10 korrik të vitit 1943, po në Labinot të Elbasanit, duke u quajtur me të drejtë, dita e krijimit të Ushtrisë NAÇL partizane shqiptare.
Bashkëkohësit tuaj, janë shprehur se keni diskutuar kundër rrymës së Konferencës. A nuk patët pasoja nga ky guxim i tepruar kur, Enver Hoxha nga dita në ditë, po e tregonte veten si një udhëheqës jo tolerant dhe tepër i ashpër?
Jo, aspak, unë u tregova e çiltër dhe thashë mendimin tim, pa pasur prapamendime të tjera. Enver Hoxha në atë kohë, ende nuk ishte shndërruar në një njeri që diktonte mbi të tjerët, në një drejtues jo tolerant. Ja se çfarë ndodhi konkretisht. Në Konferencë, pasi foli Mehmet Shehu, për ushtrinë dhe sukseset e saj, unë e entuziazmuar, diskutova në kundërshtim me frymën e Konferencës dhe propozova që, çetat partizane, të mos zgjeroheshin, përkundrazi të mbeteshin ato që ishin ose, të ngushtoheshin dhe ndërkohë, të specializoheshin më tepër, duke u kualifikuar vazhdimisht në pikëpamje të përgatitjes luftarake, në mënyrë që, të kishim sa më pak humbje në njerëz.
Diskutimi im u kuptua shtrembër dhe unë hëngra një dajak të mirë që, më vonë do të më kushtonte jo pak dhe do të më ndiqte nga pas gjithë jetën. Tashmë, dikush kishte filluar të qëmtonte dhe të regjistronte gabimet tona, për t‘i evidentuar e për të na i kujtuar më pas, çka duket e çuditshme, por mendoj se, kjo ishte eksperienca e atyre që hiqeshin si miqtë dhe shokët tanë.
Gjithashtu, në diskutimin tim, unë shtrova mjaft çështje për rininë dhe sidomos për shoqet partizane, të cilat po shtoheshin vazhdimisht në radhët e formacioneve luftarake. Theksova që, shoqet të mos merreshin me aktivitete dytësore, si larje teshash, qepje dhe arnim të veshmbathjes e të tjera, por atyre t’u caktoheshin detyra luftarake konkrete dhe kryesisht saniteti, infermieritë, spitalet, agjitacioni e propaganda dhe të tjera.
Kur ju ishit në Qarkun e Korçës, aty erdhi edhe Fiqret Shehu, pas daljes nga burgu i Tiranës, e cila ishte përjashtuar nga partia. Cilat ishin relatat tuaja me të si shoqe shkolle që kishit qenë?
Gjatë punës në Qarkun e Korçës, pata kontakte dhe e kam ndihmuar shoqërisht Fiqrete Sanxhaktarin (Shehu) dhe mendoj se kam vepruar drejt sepse, nuk mund të veproja ndryshe, se e kam patur shoqe shkolle dhe idealesh. Ajo ishte dërguar në Korçë, me masë të rëndë partie, si e përjashtuar nga radhët e saj, me qëllim që të largohej përkohësisht nga ambientet e Tiranës. Relatat e mia me të, ishin si me të gjithë shokët e tjerë të Luftës.
Madje, unë mendoja se Fiqretja, duhej ndihmuar më shumë se të tjerët, pasi ajo ishte akuzuar dhe dënuar për terrorizëm, për rrëmbimin e vajzës së vogël, të Man Kukaleshit në Tiranë, ç’ka binte ndesh me parimet tona të Luftës, rast ky që njihet tashmë thuajse nga i gjithë opinioni, ndaj për këtë problem, unë nuk dua të zgjatem.
Ndërkohë, Fiqrete Shehu në Qarkun e Korçës, punoi mirë dhe në rastin më të pare, kur u përurua themelimi i Brigadës së Parë Sulmuese në Vithkuq, të Korçës, ajo u atashua pranë shtabit të kësaj Brigade dhe siç dihet, më vonë ajo luftoi mirë dhe u martua me Mehmet Shehun. Megjithatë, ajo u ri pranua në PKSh dhe u caktua në seksionin politik të Brigadës e, më pas zëvendës-komisare e Brigadës së Parës Sulmuese. Fiqret Shehu, në ato vite ishte grua e matur, e urtë dhe e dëgjueshme.
Gjatë punës dhe drejtimit të organeve të partisë në Korçë, unë kam pritur e përcjellë për në Shtabin e Përgjithshëm, shumë shokë e shoqe nga Tirana apo, rrethe të tjera të vendit si: Sejfulla Maleshova, Vasil Shanto, Nako Spiru, Nexhmije Hoxha, Liri Belishova e, shumë e shumë të tjerë. Ajo çka dëshiroj të shpjegoj është se, disa herë kam pritur edhe Vukmanoviç Tempon e të shoqen. Memorie.al