Prof.Dr. Fatmir SHEHU
Msc.Ing. Hysen BUNDO
Memorie.al / Siç dihet, në vitin 1975 Partia e Punës së Shqipërisë dhe udhëheqësi i saj Enver Hoxha, deklaroi publikisht se; në Industrinë e Naftës është bërë sabotim armiqësor. Deklarimi u mbështet në rezultatet jo të arrira që industria e Naftës dhe e Gazit kishte patur në vitet e fundit, si në fushën e prodhimit të naftës dhe gazit, por sidomos në fushën e studimit e kërkimit, për rezerva të këtyre burimeve energjetike, që konkretizoheshin më pas me zbulimin e vend-burimeve të reja. Në këtë kuadër, shqetësimi lidhej me faktin se nuk po realizoheshin planet e shtetit që ishin miratuar zyrtarisht, për prodhimin e naftës dhe gazit. Si rrjedhojë, nuk po zbuloheshin vend-burime të reja nafte dhe gazi, sipas detyrave që ishin vendosur në planet ekonomike të shtetit. Kjo cënonte zhvillimin normal të ekonomisë, sepse nafta ishte thembra e Akilit, për ekonominë e kohës, ku konsiderohej jo vetëm si një çështje ekonomike, por edhe politike dhe ideologjike !
Pas këtij deklarimi, organet e Partisë dhe të Shtetit, si Komiteti Qendror i Partisë dhe organet e tjera të Shtetit, si Ministria e Punëve të Brendshme, Sigurimit i Shtetit, Prokuroria dhe Gjykata, organizuan punën që të merrnin masa e duhura. Në radhë të parë, të faktonin këtë veprimtari armiqësore edhe nëpërmjet studimit të dokumenteve. Kjo veprimtari sabotuese dhe armiqësore siç u konsiderua nga Enver Hoxha, përcaktua paraprakisht, madje me emra konkret, që në Plenumin e Komitetit Qendror, që u mbajt posaçërisht për këtë qëllim. Në fjalën që mbajti Enver Hoxha në këtë plenum, e cila u konsiderua edhe si konkluzion përfundimtar, u kërkua që të ndërmerren veprime të mëtejshme, për zbulimin e veprimtarisë së këtij grupi armiqësor, siç u përcaktua gjatë fjalimit.
Në datën 24.03.1975, u organizua Aktivi i Partisë, për të diskutua në lidhje me punën armiqësore në sektorin e naftës e të gazit nën drejtimin e Sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Haki Toska. Ky aktiv u mblodh në Pallatin e Kulturës Patos, ku ishin të ftuar mjaft naftëtarë, mes të cilëve edhe autorët e këtij shkrimi. Në këtë aktiv merrnin pjesë Sekretarët e Parë të Komiteteve të Partisë së rretheve, që kishin aktivitet të lidhur me Industrinë e Naftës, si dhe përfaqësues të Ministrive të ndryshme, Sigurimit të Shtetit, përfaqësues të Degës speciale (për naftën) të Ministrisë së Brendshme në Fier, që mbulonte Industrinë e Naftës etj.
Ky Aktiv u organizua posaçërisht për të diskutuar mbi “veprimtarinë armiqësore të grupit sabotator të naftës”, që ishte cilësuar tanimë si i tillë, nga vetë Enver Hoxha. Në këtë Aktiv, ishin ftuar të merrnin pjesë edhe të cilësuar e “Grupit Armiqësor”, madje edhe të diskutonin, por që në fund dolën të arrestuar nga ky takim. Në këtë grup ishin përfshirë; Lipe Nashi (ish-Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Naftës dhe Gazit, me seli në Fier, me eksperiencë pune në Industrinë e Naftës dhe Gazit, i arsimuar në Shkollën e Partisë në Moskë, drejtues organizativ i shkathët dhe i zoti), Beqir Alija ( Ing. gjeolog, diplomuar në ish-BRSS, ish Drejtor i Institutit të Naftës Fier, i martuar me një grua sovjetike).
Koço Plaku (Ing. gjeolog, i diplomuar në ish BRSS, punonte në Institutin e Naftës Fier dhe vëllai i gjeneral Panajot Plakut, i cili ish arratisur për në ish-Jugosllavi), Milto Gjikopulli, (Ing gjeolog, studimet i kish kryer në Universitetin Shtetëror të Tiranës, Shef i Sektorit të Përgjithësimeve në Institutin e Naftës Fier, specialist mjaft i mirë), Protoko Murati (Ing. gjeolog, studimet i kish kryer në Universitetin Shtetëror të Tiranës, Shef i Sektorit të Gjeologjisë në Institutin e Naftës Fier), Jani Konomi (Ing. Prodhimi Nafte, studimet i kish kryer në Institutin e Naftës Bukuresht, kryeinxhinier i Ndërmarrjes së Nxjerrjes së Naftës Ballsh).
Në këtë kohë. pati një konvejer arrestimesh dhe dënimesh. Filloi me Ing. Nuredin Skraparin, gjeolog, vazhdoi me grupin e Lipe Nashit, që u arrestuan në kuadrin e aktivit të naftës në 27 mars 1975, më tej vazhdoi me arrestimin e Jani Konomit (Ing. Prodhimi Nafte, studimet i kish kryer në Institutin e Naftës Bukuresht, kryeinxhinier i Ndërmarrjes së Nxjerrjes së Naftës Ballsh) dhe Dhimitër Stefës (Inxhinier gjeolog, i diplomuar në Rumani) në 18 Prill 1975. Mbas tyre u arrestuan dhe u dënuan me pushkatim, dhe Abdyl Këllezi (Kryetar i Komisionit të Planit të shtetit dhe anëtar i Byrosë Politike të PPSH-së), Koço Theodhosi (ministër i Industri – Minierave, anëtar i Byrosë Politike specialist i lartë: kimist i diplomuar në Francë). Ky aktiv u zhvillua nga data 24-27 Mars 1975. Në ditën e fundit ata u arrestuan në prani të gjithë pjesëmarrësve.
Në aktiv mori pjesë dhe e drejtoi atë, Haki Toska, anëtar i Byrosë Politike dhe Sekretar i Komitetit Qendror të PPSH-së, etj. Në presidiumin e aktivit ishte dhe Ing gjeolog Kadri Rama, (i cili pak më vonë, u arrestua dhe u dënua me 24 vjet burg, i akuzuar për sabotim) dhe Jorgo Varfi (teknik i mesëm i prodhimit të Naftës). Varfi i kishte dërguar një letër Enver Hoxhës, duke i ngritur shqetësimin se; “Në Industrinë e Naftës po bëhen sabotime dhe punë armiqësore”. Letra mund të konsiderohet sipas mendimit tonë, si fillesa e kësaj reprezalje, që u bë në Industrinë e Naftës në atë kohë.
Në atë aktiv, në radhën e parë të sallës, ishin të pranishëm edhe autoritete të tjera të vendit si: Koço Theodhosi, (ish- Ministër i Industri Minierave , i cili pak më vonë u dënua dhe ai, me pushkatim, i akuzuar për sabotim dhe punë armiqësore) dhe Piro Gusho, ish-Sekretar i parë i Komitetit të Partisë së Rrethit të Fierit (i cili mbas pak ditësh të mbarimit të aktivit të naftës, nga presionet që i bënë në një analizë Partie në Fier, e zhvilluar në Shtëpinë e Oficerëve, në pushimin e mbledhjes, shkoi në shtëpi dhe vrau veten), etj.
Atmosfera e tensionuar në aktiv!
Kur u bë analiza e “Grupit Armiqësor” të Lipe Nashit, atmosfera e krijuar ishte shumë e ndezur dhe e tensionuar. Analiza u zhvillua në një mjedis masiv të mbushur me njerëz të shumtë në sallën e Pallatit të Kulturës Patos. Salla ishte mbushur plot me përfaqësues të punëtorëve, që punonin në Sektorin e Naftës , por edhe me specialistë të ndryshëm. Drejtimin e analizës e kryesonte një presidium, me në krye Haki Toskën, anëtar i Byrosë Politike dhe Sekretar i Komitetit Qendror të PPSH-së; njeri që ishte përzgjedhur të përfaqësonte autoritetin e partisë. Ishte një situatë shumë e rëndë presioni psikologjik, që endej mbi të gjithë specialistët e naftës.
Diskutimet ishin të përgatitura në mbështetje të Enver Hoxhës dhe të PPSH-së dhe ato përmbanin kritika të ashpra ndaj personave që ishin cilësuar si “sabotator dhe armiq”. Në ditën e fundit të Aktivit, dolën edhe të akuzuarit një e nga një, e mbajtën fjalën e tyre, duke bërë autokritikë të thellë. Por diskutimi i tyre u ndërpre në mes, nga një zë (klithëm) që erdhi nga fundi i sallës: “të arrestohen, nuk kemi ç’të dëgjojmë nga këta armiq e sabotatorë”. Sigurisht ai që foli ishte i udhëzuar dhe i vënë qëllimisht nga Sigurimi i Shtetit, që të bënte një thirrje të tillë. Të akuzuarit kryesorë ishin Lipe Nashi, Beqir Aliaj, Koço Plaku, Milto Gjikopulli, etj. Ne i njihnim të gjithë shumë mirë, madje me Milto Gjikopullin dhe Koço Plakun, kemi pasur shumë shoqëri.
Por edhe me të tjerët nuk ishim të largët se na lidhte puna. Ishte skenar shumë i çuditshëm! Disa prej tyre sapo ishin dekoruar deri me dekoratën më të lartë: “Hero i Punës Socialiste”, siç ia kishin dhënë Lipe Nashit, ndërkohë brenda një periudhe shumë të shkurtër, u akuzuan për sabotim dhe veprimtari armiqësore! Disa kohë mbas arrestimit të grupit të ashtuquajtur “armiqësor”, na thirrën nga Ministria e Brendshme, grupe-grupe dhe na ngarkuan me analizën dhe ekspertizën e “veprimtarisë armiqësore”, të grupit të Lipe Nashit.
U caktuan disa grupe pune, për të bërë këtë analizë dhe ekspertizë si: “Grupi i gjeologjisë”, “Grupi i prodhimit të naftës”, “Grupi i shpimit të puseve të thellë për naftë dhe gas”, “Grupi i prapavijës”, etj. Për të qenë në përputhje me këndvështrimin politik, u njohëm me materialet e Komitetit Qendror të PPSH-së, sidomos me fjalimet e Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, në plenumet e fundit të Komitetit Qendror dhe materiale të tjera politike. Kryetarët e grupeve i thirrën në Tiranë, në Komitetin Qendror dhe u dhanë një material “Tepër Sekret”, në lidhje me problemin e “grupit të sabotatorëve”, që ishin arrestuar.
Shqyrtimi i dokumentacioneve
I kushtuam mjaft kohë, shqyrtimit të dokumentacioneve, por dhe akuzave që u bëheshin atyre në përgjithësi, apo akuzave që bënte “klasa punëtore”, në analizat që zhvilloheshin anë e mbanë industrisë së naftës, në organizata të ndryshme, ku analiza kryesore bëhej ne organizatat bazë të partisë të çdo njësie. Materiali kryesor bazë për ne si pjesë e Grupit të Ekspertëve, ishte fjala e Enver Hoxhës, e cila tashmë ishte një akt-akuzë e bërë për këtë grup. Në këtë kuadër, ne ishim të detyruar që t’i përmbaheshim kësaj akuze, sepse nuk na u la që të bënim ne ekspertizën dhe të evidentonim problematikat përkatëse e, pastaj të fliste Enver Hoxha, ku të jepte konkluzionet, por u bë e kundërta!
Ne si grup ekspertësh tashmë, ishim para një kufiri të rrezikshëm, për ta kaluar, apo thyer, fjalës së mbajtur nga Enver Hoxha. Nga data 4.05.1975, deri në datën 1.09.1975, u shkëputëm nga puna për të punuar në Komisionin Qeveritar, për evidentimin e “punës armiqësore në industrinë e Naftës, të grupit të Lipe Nashit”. Ne, autorët e shkrimit, ishim caktuar anëtarë të grupit, për Sektorin e Industrisë së Shpimit. Në këtë grup, merrte pjesë: Ing. Fatmir Shehu-Kryetar grupi, Inxhinier shpimi, Ing. Hysen Bundo, Inxhinier shpimi, Ing. Elmaz Leka, Inxhinier shpimi, Ekonomist Genci Xhuvani (djali i Prof. Dr. Aleksandër Xhuvanit dhe kunati i Ramiz Alisë, ekonomist dhe një njeri shumë fisnik dhe i ditur) dhe një inxhinier mekanik, Ing. Arif Gjata; një njeri mjaft i përgatitur dhe fisnik.
Në këtë grup merrte pjesë edhe Sulo Kamberi, një përgjegjës pusi me eksperiencë, në cilësinë e përfaqësuesit të klasës punëtore Analiza jonë nisi duke na shkëputur fillimisht nga puna dhe u autorizuam se kishim të drejtë që të merrnim çdo dokument të cilin, e konsideronim se ishte i nevojshëm në kuadër të kësaj ekspertize. Ditën e parë pas krijimit si grup i Sektorit të Industrisë së Shpimit, u thirrëm dhe u takuam me zv/ministrin e Brendshëm, Feçor Shehun, i cili edhe na orientoi për detyrën që na ishte ngarkuar. Drejtoria e Përgjithshme e Naftës dhe e Gazit, me arrestimin e Lipe Nashit, u shkri menjëherë dhe u bllokuan gjithë dokumentet. Mbas kësaj shkrirje, Ing. Hysni Frakulla, ish-Sekretar i Komitetit të Partisë së Patosit, u caktua në rolin e drejtuesit të plotfuqishëm, për administrimin e përkohshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Naftës në Fier.
Sigurisht që grupi ynë, ashtu si grupet e tjera, u krijuan mbasi çdo gjë ishte bërë fakt, nga ana e më të madhit të vendit – Enver Hoxhës. Ai nxori një material zyrtar, ku bënte akuza direkte dhe e cilësonte këtë grup, si “armiqësor dhe sabotator”. Pra, të akuzuarit ishin arrestuar dhe akuzuar për punë armiqësore, nga vetë Enver Hoxha, ekspertiza jonë ishte formale dhe ishte e detyruar që të bëhej politike dhe jo një analizë reale ekonomiko- teknike e shkencore. Për rrjedhojë, ne ishim në një situatë shumë të vështirë, sepse për çdo gjë ishte me kufij të përcaktuar ideologjik dhe politik. Ne si grup ekspertize, nuk mund të bënim dot asnjë argumentim tjetër, veçse që të mbështesnim konkluzionet politike, që i kishte bërë vetë Enver Hoxha, në bazë të të cilit edhe grupi faktikisht, ishte arrestuar.
Grupi jonë i ekspertizës së shpimit, në fakt, nuk kish ndonjë lidhje, me asnjë të arrestuar e të akuzuar për punë armiqësore. Por Sigurimi i Shtetit shpesh na “konsultonte” dhe udhëzonte që edhe në industrinë e shpimit, pavarësisht se nuk ishte arrestuar ndonjë person, bashkë me grupin e ashtuquajtur armiqësor, të Lipe Nashit, kishte shumë vend për të bërë analiza të thella! Sipas tyre, edhe në industrinë e shpimeve, kishte patur punë sabotuese, sepse aty ishin bërë avari që kishin dëmtuar shumë ekonominë, dhe partia kish hedhur parullën: “Të luftojmë konceptet se: nuk ka shpim pa bërë avari, se shpimi, nuk mund të bëhet pa avari, se avaritë janë si thërrimet, kur ha bukë”, etj.
Konkluzionet tona si ekspertë
Ne si grup, ishim shumë të bindur dhe kishim argumentuar, se avaritë që ishin bërë, nuk kishin qenë për faje konkrete individësh, por për shkaqe tekniko-teknologjike të caktuara. Madje, në sektorin e shpimit, ishin bërë mjaft studime dhe aplikime, që kishin zgjidhur probleme të vështira, të cilat edhe specialistët sovjetikë gjatë punës së tyre, kur u përballuan me to, nuk kishin mundur t’i kapërcenin. Në drejtim të grupit tonë u këmbëngul shumë, që të argumentonim mundësinë e sabotimit, në drejtim të mbytjes së shtresës produktive dhe si pretekst, të nxirrnin përdorimin e baritit, i cili përdorej me sukses në përballimin e presioneve anormale të larta, dhe më vonë të bykut të orizit, që përdorej me sukses kundër humbjeve të qarkullimit. Kjo gjë u argumentua nga ana jonë, se përdorimi i baritit është një nevojë teknologjike, që është e pranishme në tërë praktikën botërore të shpimeve, sidomos në shtresa me përmbajtje fluidesh, që kanë presione të larta.
Ne argumentuam nëpërmjet studimeve që kishim bërë, se në praktikën tonë të shpimit kemi takuar shtresa me gradient presioni, mbi 2.1-2.2 atm /10 metra, gjë që detyronte përdorimin e baritit dhe rënduesve të tjerë. Gjatë kohës së punës në kuadrin e ekspertizës, herë pas here, sidomos kryetarët e Grupeve, thirreshin veç e veç, nga Ministria e Punëve të Brendshme, siç ishte vetë ish-zv/ministri i kohës, Feçor Shehu, apo nga Hetuesia e Përgjithshme dhe kërkonin konsulencë prej shumë ekspertëve, që ishin angazhuar në këtë punë nga të dy institucionet. Grupi i Ekspertëve të Sektorit të Industrisë së Shpimit, nuk kishte asnjë të arrestuar apo burgosur nga ky sektor, brenda grupit dhe nuk pati ballafaqime konkrete, siç pati Grupi i Ekspertëve të Gjeologjisë dhe i Nxjerrjes së Naftës, me të arrestuarit, gjatë hetuesisë apo zhvillimit të gjyqeve.
Kjo ekspertizë zgjati nga data 4.05.1975, deri në 1.09.1975 dhe të themi të drejtën, nuk gjetëm ndonjë element të theksuar që të vërtetonte punën armiqësore të këtij grupi, sidomos në fushën e shpimeve. Ne si grup ekspertize, nuk mund të dilnim kundër analizës dhe denoncimeve, që ishin bërë nga strukturat e shtetit dhe personalisht nga Enver Hoxha, para se të krijohej e të fillonte nga puna grupi i ekspertizës. Prandaj nuk synuam që të kundërshtonim përmbajtjen politike të kësaj çështje, sepse e dinim se ç’na priste! Rruga më e drejtë, mendojmë se do ishte që; para se të akuzoheshin të arrestoheshin dhe të dënoheshin, të bëhej ekspertiza e dokumentuar nga ekspertë teknik dhe ekonomik.
Vetëm më pas, kur të gjendeshin fakte, duhet të dilnin akuzat për sabotim armiqësor. Në gjykimin tonë, kjo do ishte rruga më e drejtë dhe jo e kundërta, siç u bë, që; “u vu karroca para kalit”. Megjithëse, grupi jonë e ruajti etikën politike të “vlerësimit” të akuzave, që ishin bërë nga vetë Enver Hoxha ,për “sabotimin në naftë”, para se ne të krijoheshim si Grup Ekspertësh, në mënyrë unanime, mundëm që me argumentime shumë të hollësishme, të shmangim burgosjen apo dënime më të rëndë të çdo drejtuesi të kohës, që kish punuar në industrinë e shpimeve të naftës.
Në fakt në atë kohë, në industrinë e shpimeve, ushtronin aktivitetin e tyre gjashtë ndërmarrje shpimi, me rreth 70 sonda, më kapacitete shpimi, deri në 6.700 m. dhe kishte një aktivitet shumë të madh, pasi realizoheshin rreth 300 mijë metro linear shpime. në vit. Gjatë punës. për shkaqe të shumta bëheshin edhe avari të tipave të ndryshme, madje dhe fontana të pa kontrolluara (shpërthim gazi), të cilat në përgjithësi kanë qenë pasojë e mosnjohjes së saktë të prerjes gjeologjike (sidomos në puset e kërkimit). Kjo ndodhte edhe për shkaqe të thyerjes së disiplinës teknike dhe protokolleve të punës, gjatë kryerjes së proceseve të shpimit.
Bilanci ynë i analizës, ishte një sukses për grupin tonë të ekspertëve të industrisë së shpimit, pasi ishim nën presion të zbulonim patjetër; “veprimtari armiqësore dhe sabotuese”, në këtë sektor. Kësisoj, ndërsa në sektorin e gjeologjisë pati dy pushkatime dhe dënime të tjera të rënda, po ashtu dhe në industrinë e prodhimit të naftës dhe gazit, pati dënime të rënda, në industrinë e shpimeve, pati vetëm një dënim, siç ishte përjashtim nga partia i Prof. Ramadan Perhatit dhe dërgimi për edukim në bazë, pranë gjirit të klasës punëtore. Ai u përjashtua nga Partia, siç u deklarua, për “një fshehje në autobiografi”. Ky dënim u bë nga struktura që kishin të bënin me organizatën e partisë, ku ai bënte pjesë. I dënuari nuk ishte i rekomanduar nga ekspertiza jonë! Madje në ekspertizën tonë, nuk ishte përmendur asnjëherë emri i tij.
S’kemi pse mos të themi, se; duke patur besim të plotë tek Partia dhe tek udhëheqësi kryesor i saj, nuk mund të dyshonim tek ajo që deklarohesh në atë kohë, sepse kishim bindjen që Partia, para se të të dënojë, ka të dhëna të plota, nga shumë burime informacioni, që nuk diskutoheshin në atë kohë. Ata që kanë punuar dhe jetuar në atë regjim, e kuptojnë natyrën e bindjeve tona. Gjithkush mund ta provojë, që t’i thotë një njeriu, jo më shumë se një javë rresht, se; “sa qenke zverdhur”! e të shohë se ai do të zverdhet me të vërtetë. Po ne që u lindëm dhe u rritëm me emrin e Partisë e të Enver Hoxhës në mendje, si mund të ishim ndryshe?! Gjithsesi intuita jonë, na bën të dyshojmë se ajo trazirë e pështjellim i madh që u krijua në atë kohë, mund të ketë qenë edhe veprimtari e shërbimeve inteligjente armiqësore të huaja.
Tashmë është e ditur se ato kanë qenë aktive në Shqipëri, deri në nivele të larta, sidomos ato fqinje e, me shumë mundësi ajo greke, me qëllim që të shkatërrohej industria e naftës dhe rrjedhimisht, ekonomia shqiptare që e kish naftën, thembrën e Akilit. Këtu mund të shtojmë se Greqia dhe sidomos ithtarët e Vorio Epirit në atë kohë, nuk mund të mos kenë qenë të shqetësuar që Shqipëria, zbuloi naftë në Vurg, që siç dihet ata e quajnë pasuri të tyre. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë nuk është çudi që Enver Hoxha, të ketë rënë preh e kësaj loje, kur dhe letrën “frymëzuese”, e bëri një minoritar, që s’mund të themi se e ka bërë me iniciativën dhe ndërgjegjen e tij, por i induktuar me mënyra të stërholluara, nga shërbime të caktuara, të specializuara për këto punë!
Kemi pasur dhe kemi bindje të plotë, që në Industrinë e Naftës, nuk kish hapësira për mundësi sabotimi, nga specialistë apo drejtues të veçantë, sepse ajo industri ishte e organizuar me një konvejer shumëfish kontrolli, duke filluar nga studimet dhe projektimet që bëheshin, e deri në aprovimin e tyre, për t’u zbatuar, të cilat fillonin nga grupet e vogla të punës, e deri ne vazhdim tek këshillat shkencore, tek njësitë organizative në bazë dhe më lartë në Ministri e, deri në Kryeministri, etj. Dënimet dhe “turbulencat” që janë bërë në kuadrin e Industrisë së Naftës, kohë mbas kohe, mendojmë se kanë qenë plotësisht të pa justifikuara.
Shpesh thuhet se; ata që u dënuan dhe u pushkatuan, kanë dëmtuar shumë industrinë e naftës, se i konsiderojnë si elita dhe korifenj të kësaj industrie dhe se vetëm ata e mbanin industrinë e naftës! Dhe këto i thonë ata që nuk e njohin realitetin. Në mbështetje të fakteve që i njohim fare mirë, mendojmë se këto dënime dhe pushkatime, e kanë dëmtuar shumë Industrinë e Naftës, jo se naftën e mbanin dhe ish në dorë tek ata që u dënuan dhe u pushkatuan , sepse nafta ka qenë një entitet ku rolin kryesor e kishin kolektiva dhe një sekuencë e tërë punimesh dhe kontrollesh, por këto dënime mendojmë se futën frikën në palcë, tek të gjithë specialistët, madje dhe punëtorëve të thjeshtë.
Pikërisht, ky ishte dëmi më i madh, madje katastrofik, që ju bënë Industrisë së Naftës nga këto dënime. Është një thënie e një ish-Presidenti të Amerikës, që thoshte: “Të kemi frikë nga frika”! Sigurisht edhe nafta ka pasur elitën e saj intelektuale, por nuk mund të thuhet asnjëherë, siç dëgjojmë jo rrallë, se “naftën e mbanin korifenjtë, një grusht specialistësh”, sado të ditur dhe me eksperience që të ishin. Pra Industria e Naftës, nuk u dëmtua se i ikën disa specialistë, sigurisht të shquar, por u dëmtua se me këto masa drastike dhe terrorizuese, ju fut në palcë frika, tek 1.700 specialistët e lartë, 5000 specialistëve të mesëm dhe mbi 30 mijë punëtor, që punonin në këtë industri shumë të komplikuar dhe më përgjegjësi.
Mbas këtyre dënimeve, asnjë, në çdo pozicion pune që ishin, nuk e ndjente veten të sigurt, për të nesërmen. A punohet me frikë?! Së bashku, me të gjithë grupin e ekspertizës së industrisë së shpimeve, punuam me paradigmën: “Kontrollo dhe ekuilibro”! Megjithatë, ne kërkojmë falje dhe ndjesë, për ndonjë qëndrim të padrejtë, për shkaqe vet mbrojtje, sado i parëndësishëm dhe i vogël qoftë, të cilin kemi qenë të detyruar të mbajmë, për arsye politike e, mund të ketë ndikuar sado pak, për shkak të ekspertizës sonë, në drejtim të dënimit të të akuzuarve. Ne nuk ishim vendimmarrës; ekspertët e hetimit dhe të drejtësisë, e kishin fjalën e fundit.
Mbasi doli nga burgu Lipe Nashi, që sigurisht njiheshim shumë mirë personalisht, por që e kisha shumë mik, pasi kishte qenë partizan me dajot e gjyshes time, nga Toçi i Tepelenës (Xhemalajt), e takova rastësisht në Sarandë dhe pimë një kafe. Këtë ndjesë ja kërkova sy më sy dhe ai më tha: -“Fatmir, ju ishit në prefësen e briskut për vete, sepse ne e kishim marrë dënimin, para ekspertizës sua, dhe po të na mbronit, (megjithëse nuk dëgjuam asnjë akuzë nga ty!), do shtonit radhët e grupit, që u arrestua, me në krye mua”! Memorie.al