Nga Njazi Xh. Nelaj
Pjesa e katërt
Memorie.al / Mbresa dhe kujtime nga jeta e pilotit të talentuar tragjasiot, kolonelit të aviacionit, Niko Selman Hoxha, rënë në krye të detyrës, më 20 nëntor të vitit 1965, në aerodromin ushtarak të Rinasit, në një qitje luftarake, me aeroplan reaktiv ‘MIG’-17 F, përpara efektivëve të regjimentit dhe disa kuadrove ushtarakë akademistë. Mbresat dhe kujtimet janë mbledhur nga Niazi Xhevit Nelaj, në qershor – korrik 2012, në Vlorë, Tiranë, Voskopojë, etj, në takime me njerëzit dhe në biseda telefonike, deri në Boston-in e largët. Çdo takim dhe bisedë me bashkëkohës të Niko Hoxhës dhe të afërm të tij, ka gjetur pasqyrim në material, me besnikëri e autenticitet. Monografia pasqyron vetëm një pjesë të jetës të heroit, atë pjesë e cila lidhet me aviacionin e me fluturimin e, nuk shtrihet në sfera të tjera të jetës shumëplanëshe të njeriut që i dha shtysë disiplinës dhe stërvitjes ushtarake e ajrore. Niko Selman Hoxha, siç ishte i rregullt, i disiplinuar e tepër korrekt, në repart, dallohej dhe për një regjim shembullor në jetë. Ai nuk banonte në repart e, nuk ushqehej në mensën cilësore të pilotëve por, në familje, falë përkushtimit dhe mirëmenaxhimit që i bënte situatës e shoqja, Jolanda, regjimit të tij nuk i mungonte asgjë. Ky shkrim nuk përfshin as jetën në familje të Nikos, nuk prek kujdesin e tij për djemtë, Valerin dhe Sashën, të cilët i la ende të parritur, por që sa qe gjallë i rrethoi me shumë kujdes e dashuri prindërore. Të tjerë shkrime që do të pasojnë, me siguri do të hedhin dritë dhe mbi ato anë të jetës së Niko Hoxhës, të cilat në këtë monografi kanë mbetur disi në hije.
Autori
Këtu po shpreh një opinion disi të avancuar. Niko Hoxha, duke bërë trimërinë e radhës, kaloi “provën e zjarrit”, kur u çua në ajër me një aeroplan reaktiv të furnizuar me karburant të prodhuar në uzinat shqiptare. Fitorja në këtë rast matej me rritjen e autonomisë të aviacionit tonë. Fluturimet, tashmë nuk do të vareshin nga importi i karburantit, prej Bashkimit Sovjetik, avionët do të ngriheshin në ajër, falë cilësive të larta të karburantit tonë i cili ishte edhe më i sigurt.
Vlerë më vete përbën iniciativa dhe këmbëngulja e komandantit për kualifikimin e pilotëve. Ndoshta nuk do të kishim në Shqipëri pilotë të klasit të parë, pa praninë e këtyre vlerave, të cilat ishin të mishëruara tek koloneli ynë trim. Dy grupe pilotësh u programuan dhe realizuan fluturimet për të marrë klasin e parë të pilotit ushtarak. Njëri nga grupet e pilotëve që morën klasin e parë, ishte në Qytetin “Stalin” dhe tjetri, në aerodromin e vështirë të Rinasit. Nuk është e rastit, që, në të dy rastet, komandant regjimenti ishte komandant Niko. Pas tij, edhe pse kuadrot drejtues të reparteve ishin në nivele të përparuar e cilësitë e pilotëve, pak kishin ndryshuar, askush nuk e mori niciativën të organizonte fluturime për klasin e parë të pilotit.
Rënia e kolonelit, në krye të detyrës, në një moshë pjekurie, e frenoi e i solli dëm të madh luftës për kualifikimin e pilotëve. Një pilot apo një grup pilotësh, i futen udhës së vështirë të kualifikimit profesional, kur shikojnë që janë të prirë nga gjigantë të tillë, si Niko Hoxha, tek i cili ishin si të qepura fort me njëra – tjetrën trimëria, guximi, shpirti nismëtar, këmbëngulja, vendosmëria dhe sidomos udhëheqja me shembullin vetjak. Kur këtyre cilësive u shtohet dhe aftësia e rrallë organizuese e drejtuese, siç ishin të mëshiruara tek koloneli, atëherë arritjet janë të sigurta e, kualifikimi i pilotëve rritet paprerë.
Niko Hoxha, me besim tek të rinjtë, me kurajë, përfshiu në grupin e kualifikimit për të përvetësuar avionin e sofistikuar ‘MIG’-19 PM, pilotë të sapoardhur nga shkolla e aviacionit, si Guri Merkaj, Agron Daci, Besnik Shahi e Andrea Toli. Vështirësia e kësaj pune qëndronte në faktin se ata nuk kishin numrin e orëve të nevojshme në ajër, për të mundësuar kalimin në aeroplanë më të modernizuar. Komandant Niko Hoxha, nuk ishte mik vetëm i pilotëve, por ai donte, respektonte e u qëndronte afër dhe teknikëve, specialistëve dhe ushtarëve, të cilëve u qante hallet e i ndihmonte për të kaluar vështirësitë, pa fodullëk e pa qibër.
Tekniku i aviacionit, pensionisti Sulo Gorica, njëri nga teknikët që ka shfrytëzuar më gjatë avionët modernë ‘MIG’-19 PM, madje ka qenë dhe teknik i aeroplanit me të cilin fluturonte shpesh koloneli, në një bisedë telefonike, më tha: “…Niko vinte në aerodrom shpejt, kur ne nuk i kishim hapur ende avionët. Na gjente duke punuar e na thoshte, me shaka: Akoma nuk i keni hapur avionët, ju gjumashë?! Vendoste për të fluturuar atë ditë dhe organizonte punën, për të zbatuar detyrën e ditës. Pinte shumë duhan. I pëlqenin cigaret ‘Partizani’, nga të shtrenjtët. Kur pushonim, më thërriste e unë i afrohesha, me drojë, por ai më çlironte nga emocionet, duke më rrëfyer histori e ngjarje interesante, me humor, shtruar e me gjuhë të pastër. Pinim duhan, të dy dhe bisedonim, si shokë të mirë”.
Në të njëjtin “akord” ishte dhe inxhinieri i aviacionit, pensionisti Xhevair Shega. “Kur ndodheshim në ‘start’, e prisnim radhën e fluturimeve të natës, ose ishim në pritje të përmirësimit të kushteve të motit – kujton Xhevairi – Niko qëndronte me teknikët e specialistet e aviacionit, në zonën e parë e bënte biseda të lira e interesante me ne dhe na trajtonte si të barabartë”. Janë të panumërt episodet që rrëfejnë njerëzit, të cilët kanë punuar e jetuar në kohën e Niko Hoxhës, ose që kanë qenë pranë tij. Edhe nga ky fakt i thjeshtë, më jepet mundësia të arrij në përfundimin se koloneli Niko Hoxha, me punën dhe sjelljen e tij, u kthye në një pikë referimi, ose siç më tha veterani i aviacionit, piloti i klasit të parë Çobo Skënderi; “Niko Hoxha, ishte fati i aviacionit shqiptar”.
Është kjo arsyeja që më bëri të ndihem ngushtë në përzgjedhjen e tërë atyre “perlave” që dëgjova gjithë ato ditë që u mora me mbledhjen e këtyre materialeve për kolonelin. Kë të zë e kë të lë? Njëri rrëfim është më i bukur se tjetri; zaten “perlat” njëlloj janë të bukura. Më bëri goxha përshtypje rrëfimi i gjatë e plot fakte interesante i Osman Bozhiqit, specialistit të aviacionit, i cili e mban mend veten, gjithë jetën, me kaçavidë në dorë, duke pyetur pilotët që uleshin nga ajri, për gjendjen teknike të avionit të tyre. Osmani, prej kohësh e ka dëgjimin të dobët. Zhurmat e motorëve të aeroplanëve reaktivë që ka shfrytëzuar, për një kohë të gjatë, ndoshta kanë ndikimin e tyre në këtë histori.
Për të biseduar e për t’u marrë vesh, me zë të lartë, shfrytëzuam një lokal të qetë e pa pa klientë e pa zhurmë, në Tiranë të Re. Midis shumë fakteve, Osmani nënvizoi: “Koloneli kishte respekt për njeriun. Ai të kritikonte për të zbatuar detyrat, jo për çështje personale dhe secilit i jepte atë që i takonte. Niko Hoxha ishte pasqyrë e ndritur, në të gjithë drejtimet. Niko i respektonte njëlloj si pilotët ashtu edhe teknikët e specialistët. Ai, si pilot, fluturonte me të gjithë avionët ‘MIG’-15 Bis, që dispononte regjimenti (bëhet fjalë për parkun e avionëve që kishte regjimenti i aviacionit në “Qytetin Stalin”, në vitet 1954 – 1961) dhe nuk kishte një aeroplan të caktuar, si dikush, atë që dinte vetë, Niko ua jepte, me mish e me shpirt, gjithë pilotëve të tjerë.
Kur ishte komandant Niko Hoxha, në “Qytetin Stalin”, kishte fluturime ditën, natën, në re, në të gjithë kushtet e motit. Buçiste regjimenti, nga zhurma e avionëve dhe nga puna e njerëzve në tokë. I gjithë aerodromi ishte në lëvizje e gumëzhinte, si koshere bletësh. Kur them se Niko Hoxha “e ka marrë për dore”, aviacionin shqiptar, këtë përfundim nuk e kam fare të pabazuar. Po të kisha aftësinë dhe mundësinë praktike për t’i “qepur” në një, të gjitha rrëfimet dhe kujtimet e aviatorëve, me të cilët jam takuar e kam biseduar këto ditë, me siguri do të ma përligjnin këtë përfundim.
Gëzdar Veipi, një nga pilotët më cilësorë të aviacionit shqiptar, e ka dashur shumë dhe e ka pasur idhull Niko Hoxhën (se mos vetëm ai), duke më rrëfyer për punën e përbashkët të tij, me kolonelin, më tha: “…Ai e ndiqte stërvitjen hap pas hapi. Niko kishte aftësinë për ta kapur problemin dhe merrte vendim shpejt, në kohën e duhur. Nivelin teorik e kishte të mirë, qëndronte më lart nga kolegët e tij…”! Sikur ta kishin bërë me fjalë, të njëjtën gjë më rrëfeu dhe piloti në pension Serafin Shegani, njëri nga pilotët më jetëgjatë në aeroplanët supersonikë ‘MiG’-19. Duke u përpjekur të portretizojë cilësitë luftarake të kolonelit, Serafini, me një shqipe letrare, të llastuar me theks pogradecari, vuri në dukje:
“Pa kontributin e Nikos, nuk do të kishte marrë atë zhvillim aviacioni shqiptar. Karakteristikë e veçantë e Niko Hoxhës, ishte udhëheqja kudo e kurdoherë me shembullin personal…! Ai ishte në ballë të aksionit të fluturimit. Niko kishte dëshirë dhe e realizonte, të ndodhej në formacionet luftarake ku zgjidheshin detyra ajrore taktike. Donte të fluturonte në të gjithë tipat e avionëve që dispononte regjimenti. Nuk linte njeri t’i dilte përpara Niko Hoxha”. Edhe pa e thënë me fjalë, kuptohet serioziteti me të cilin i çmonte komandanti detyrat ajrore, të cilat ishin më të vështirat e më delikatet. Sedërli i madh, ishte koloneli ynë i dashur.
Kolonel Niko Hoxha ishte njeri me kulturë të gjerë dhe dëshmonte aftësi të rralla organizative e drejtuese. Këto, shtojmë dhe guximin e iniciativën, të marra së bashku, e vinin atë në krye të punëve e në ballë të situatave. Niko Hoxha, njëherazi ishte dhe një metodist mjaft i mirë. Ai e drejtoi aviacionin shqiptar në disa etapa të vështira e delikate. Në prag të viteve ’50-të të shekullit të kaluar, kolonel Niko (atëherë mbante gradën e majorit të aviacionit), u vu në krye të punëve për organizimin dhe kompletimin e repartit të parë të aviacionit shqiptar, në Laprakë. Ai grumbulloi, në një skuadrilje, pilotët “e mbledhur“ e i futi ata në procesin e një stërvitje ajrore të bazuar në njohuri shkencore. Me vështirësi koloneli realizoi kalimin e këtyre pilotëve në aeroplanët e lehtë, me helikë, të tipit ‘JAK’-9 P, i cili, për hir të së vërtetës, ishte mjaft tekanjoz, sidomos në ulje.
Kur në vendin tonë erdhi teknika fluturuese reaktive ‘MIG’-15 Bis, kolonelit iu desh të vihej në krye të një aksioni tjetër, jo dhe aq të lehtë. Pilotët dhe teknikët e specialistët, duhet të përvetësonin shfrytëzimin, në tokë e në ajër të një teknike të re, të panjohur deri atëherë. Ishte e vështirë teknika e re ‘MiG’-15 Bis, për shkak të teknologjisë të avancuar, mbi të cilën ishte bazuar projektimi dhe realizimi i saj. Kolonelit iu besua ngritja e të parit regjiment aviacioni, të pajisur me aeroplanë reaktivë. Nuk ishte e lehtë të organizoje e drejtoje një regjiment të ri, me pilotë, teknikë e specialiste të shkollave e niveleve të ndryshëm, të kthyer nga Jugosllavia e të ardhur nga Bashkimi Sovjetik, disa nga të cilët nuk ishin pa probleme. Më pas kolonelit i takoi “t’i vinte shpatullat” procesit të përballimit të bllokadës që na bënë sovjetikët, e cila, në aviacion pati ndikime të fuqishme.
Në ato kushte të vështira, Niko Hoxha u vu në krye të punëve për të sjellë në Shqipëri, për herë të parë aeroplanët modernë, të shpejtësive mbizanore, të pajisur me armatim të sofistikuar ‘MIG’-19 PM. Piloti në pension Roland Sofroni, i cili ka drejtuar disa grupe kalimi në avionët MIG-19 S, edhe pse u tregua diçka i rezervuar për të dhënë opinione, përmes “dritares“ që i lejon gjendja shëndetësore, kur erdhi fjala për të kujtuar kolonelin tha: “Niko Hoxha, si komandant, të jepte atë që meritoje. Ai nuk ta hante hakun. Niko kishte njohuri teorike dhe taktike mjaft të mira. Kur zbërthente e shpjegonte veprimet taktike dhe elementët e fluturimit, ishte i saktë. Si udhëheqës fluturimi, Niko Hoxha ishte i përsosur e gjakftohtë. Ai ishte dhe një metodist shumë i mirë”.
Niciativa, guximi dhe trimëria e pilotit, janë ata elementë të domosdoshëm, të cilët vendosin suksesin e fluturimit. Koloneli i mishëronte më së miri këto cilësi dhe duke qenë i tillë, ai, jo vetëm ua doli me sukses detyrave të vështira ajrore, por hera herës, duke rrezikuar nga vetja, sfidoi edhe kushtet e motit e doli fitimtar mbi to. Piloti Çobo Skënderi, më tregoi një rast të kësaj natyre: “Një natë – tregon Çobo – fluturonte regjimenti i Rinasit. Nata ishte e errët e shikimi horizontal mjaft i dobët. Enver Hoxha, i telefonoi Beqir Ballukut (në atë kohë Ministër i Mbrojtjes) dhe e pyeti: ‘kush fluturon sonte’? ‘Fluturon Rinasi’, u përgjigj Beqir Balluku. Më tej Enver Hoxha vazhdoi: ‘dal në ballkon, me sy hapët – xëc, mbyll sytë – prapë xëc’. ‘Këtë e di Niko Hoxha’, u përgjigj Ministri i Mbrojtjes. Ndërhyri Enveri: ‘Qenka i jashtëzakonshëm’! Dhe Beqiri u përgjigj: ‘Ashtu është, shoku Komandant”! (Enver Hoxha ishte Komandant Suprem i Forcave të Armatosura).
I tillë ishte koloneli, i veçantë, jo si gjithë të tjerët. Këtë avantazh të tij, e njihnin dhe e pranonin dhe në udhëheqjen e lartë të partisë e të shtetit shqiptar. Niko Hoxha, ishte një prijës legjendar, i lindur për të qenë në ballë, jo në bisht të situatave. Koloneli ishte trim dhe trimat i donte e i respektonte. Si ushtarak, komandant Niko ishte mjaft i rregullt, i rreptë, i drejtë e i urtë. Disa specifika të teknikës së pilotimit, të cilat paraqiteshin të vështira në zbatim, ai i provonte vetë, më parë, në ajër, pastaj ua vinte detyrë vartësve. I tillë ishte fluturimi dhe ulja e aeroplanit, nga kthesa e katërt, me motor të fikur.
Dikush nga pilotët, i cili e kishte vrojtuar me kujdes këtë manovër të komandanti dhe kishte pikasur ‘hilenë’, një ditë guxoi e i tha: ‘Shoku kolonel, përse vjen tek kthesa e katërt në lartësinë 900 metra e me profil të thellë, kurse ne vijmë në lartësinë 400 metra dhe e kemi profilin normal’?! Komandanti, më pa vrenjtur dhe reagoi ndaj pyetjes time: E pastaj?! Përfitova nga rrethana që ishte ulur dhe mora guximin e u shpreha: ‘Ti vjen në ulje me motor të fikur’! I kisha rënë në të. Niko reagoi menjëherë dhe miqësisht – shtoi Çobo Skënderi- ‘Rregullorja e ka, të tjerët (pilotët e shteteve të tjerë), e bëjnë, po ne, shqiptarët, përse të mos ta provojmë”?!
Mund të themi pa patur frikë, se mos gabojmë, se koloneli sakrifikonte e rrezikonte, duke provuar më parë vetë, manovrat e reja, pastaj ua mësonte atyre që kishte në vartësi. Komandant Niko Hoxha, ishte pilot trim, sedërmadh dhe ka mundësi të jetë vrarë nga sedra me motiv për të mbajtur fjalën e dhënë. Se atë që e thoshte, ai burrë e bënte. Veterani Koço Andoni, një nga pionierët e aviacionit shqiptar, kur bisedova me të, në një kohë e vend të papërshtatshëm për moshën dhe shëndetin e tij (në rrugë, në këmbë, në mes të vapës të këtij korriku), mbasi më numëroi mjaft cilësi të mira të Niko Hoxhës, si pilot e si komandant, theksoi:
“Atë ditë (bëhet fjalë për ditën e ngjarjes së jashtëzakonshme), nuk kishte përse të bënte qitje vetë Niko. Çdo pilot që të caktohej, mund ta realizonte qitjen me sukses, por ai si sedërli që ishte donte të kthente në vepër, atë që u kishte thënë me fjalë oficerëve të Akademisë Ushtarake”. Nuk kanë të sosur vlerësimet për kolonelin tonë, për heroin e dashuruar pas ajrit, Niko Selman Hoxha. Ata që do të marrin mundimin ta lexojnë këtë shkrim, besoj do të më mirëkuptojnë e, do të më ndiejnë që nuk kam mundur t’i shkruaj gjithë çka më thanë shokët e, të gjitha ato që më urdhëron zemra ime. I sigurt se shumë të tjerë, dashamirë të aviacionit e, vlerësues të veprës që na la pas koloneli, me penë “më të hollë” do ta plotësojnë boshllëkun që kam lënë unë, në këtë drejtim.
Por, kam dhe disa të pathëna, nuk u kam rrëfyer më kryesoren; Niko Hoxhën – njeri. Zaten, siç thotë një fjalë e urtë e popullit tonë: “ëmbëlsira, në fund”. E thënë ndryshe, Niko Hoxha ishte njeri; jo perëndi. Shtoj, pa merak se do të më kritikojnë se koloneli ishte njeri, i njerëzishëm, jo i bezdisshëm. E njerëzishmja e atij burri, shfaqej dukshëm në çdo hap e në të gjithë jetën e tij. Komandanti sakrifikonte nga vetja, për të ndihmuar të tjerët. Koloneli i njihte nga afër, jo vetëm pilotët, për të cilët ushqente një dashuri e kujdes të pamat, por dhe kuadrot e tjerë, ushtarët, punonjësit civilë e, këdo që ishte pranë tij.
Si psikolog i mirë, Niko Hoxha dinte të depërtonte tek bota e vartësve dhe tek hallet e njerëzve e, vihej aktivisht në funksion të zgjidhjes së tyre. Ai ishte zemërmirë dhe dashamirë. Një ushtar, nga Veriu i vendit, qëndronte veç nga shokët, i mërzitur, i menduar e shpesh i hutuar. Siç tregon Gezdar Veipi, koloneli, e vuri re këtë dhe me terezi, natyrshëm iu afrua djaloshit, u ul pranë tij, si rastësisht e, ia nisi një bisede të lirë, me të, siç dinte të futej në bisedë Niko. Ushtari i hapi zemrën komandantit e, i tregoi shkakun e mërzitisë të tij. Njëzetvjeçari kishte rënë në dashuri, me një vajzë, në fshatin e tij, por familjet nuk e kishin miratuar martesën e dy të dashuruarve.
Të nesërmen e asaj dite, koloneli, mori ushtarin në makinën e repartit dhe së bashku me të udhëtoi drejt malësisë. Takoi familjarët e të rinjve dhe të tjerë njerëz të cilëve u dëgjohej fjala, në fshat, arriti marrëveshjen, e la ushtarin disa ditë në familje dhe u kthye i gëzuar në repart. Pas disa ditësh, ushtari u kthye nga leja “i tjetërsuar”. Se mos është i vetmi rast ky? Niko Hoxha i “peshonte” hallet e njerëzve me peshoren e logjikës së shëndoshë e, me zemrën e drithëruar të një prindi të dhimbsur.
Në vitet ’60-të të shekullit të kaluar, në regjimentin e aviacionit të “Qytetit Stalin”, u krijua një situatë e vështirë për strehimin e familjeve të oficerëve dhe punonjësve të repartit. Regjimenti ishte i ri dhe kuadrot që e përbënin ishin me moshë të re. Shumë prej tyre ishin martuar rishtas e kërkonin shtëpi. Në ato vite, ishte në “modë” strehimi i familjeve në hyrje të përbashkët. Në këto raste dy familje merrnin nga një dhomë dhe shfrytëzonin së bashku kuzhinën. Komanda e regjimentit ishte në hall të madh, kujt t’ia prishte e, kujt t’ia ndreqte? Të gjithë ishin hallexhinj. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm