Nga Sulejman Gjana
Pjesa e parë
– Raport-informacioni i major Abaz Kupit dhe profesor Gaqo Gogo, mbi zhvillimet në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore –
Memorie.al / ‘Organizata Kombëtare Lëvizja e Legalitetit’, ofron një këndvështrim dhe një version tjetër të zhvillimeve politiko-ushtarake gjatë Luftës së Dytë Botërore, krejt të ndryshëm nga ai i historiografisë zyrtare komuniste. Me anë të një raporti daktilografik për Mbretin Zog, asokohe në Londër, të shkruar nga Kajro në 31 faqe, e që mban datën 2 gusht 1945, Kryetari, major Abaz Kupi dhe Sekretar i Përgjithshëm i OKLL, Prof. Gaqo Gogo, na japin një pasqyrë tejet interesante të rezistencës antifashiste dhe zhvillimeve kryesore politike e ushtarake në Shqipëri, gjatë periudhës; prill 39 – nëntor 44. Qartësia e mendimit, gjuha e shkruar bukur dhe tejet e figurshme, ngjyresat emotive në përshkrimin e zhvillimeve, punës konkrete dhe qëndrimeve politike të OKLL, shënojnë një kulmim të publicistikës epistolare dhe koncepsionit filozofik e politik, të njërës nga tre partitë që përfaqësuan dhe dominuan jetën politike në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Pavarësisht tonit patetik atdhetar dhe panegjirikës në argumentimin e kontributeve të OKLL, autorët e raportit nuk kanë mundur të shmangin narrativën tragjike të humbjes së nacionalistëve legalistë e ballistë, si një sagë deterministe e së Djathtës historike, e djegur në flakët e luftës civile dhe tradhtisë sllavo-komuniste. Me penelata të holla e mjeshtërore, pavarësisht vetë-pranimit të ndikimit të fortë britanik mbi OKLL dhe krerët e saj, Kupi dhe Gogo, e kanë shprehur megjithatë surprizimin për qëndrimet e papritura prej tyre të Londrës zyrtare, lidhur me pozicionimet, raportin e forcave dhe fatet e faktorëve politiko-ushtarakë në Shqipëri. Qëndrime këto që, me gjithë kritikat publike për komunistët e Ballkanit, (të cilët sipas Londrës, armët dhe fuqitë po i përdornin për qëllime të marrjes së pushtetit), si aleatë lufte, nuk këmbëngulën fort dhe nuk arritën të ndalojnë luftën civile në Shqipëri.
Raporti është dëshmi e fortë e faktit se, pas rezistencës me armë në datat 7, 8 dhe 9 prill 1939, rezistenca antifashiste e mëtejshme ishte spontane, e vetorganizuar, pak e ndikuar politikisht dhe thellësisht atdhetare. Pohim ky i tërthortë i të vërtetës se Partia Komuniste Shqiptare dhe sllavo-komunistët shtrembëruan, falsifikuan dhe përvetësuan luftën dhe gjakun e antifashistëve shqiptarë, duke glorifikuar një historiografi të rreme, me të cilat justifikuan dhe motivojnë, dje dhe sot, pushtet-marrjen e përgjakshme dhe luftën e paskrupullt për pushtet në pluralizëm. Ky material shënon një pasurim të vizionit politik të njërës nga partitë e traditës historike, duke dëshmuar njëkohësisht epërsinë teorike e konceptuale të nacionalistëve mbi komunistët në raport me Çështjen Kombëtare, epërsi e pranuar edhe nga kryetari i asokohshëm i Partisë Komuniste Shqiptare, M. Popoviçi, në letrat dërguar Titos.
Letra dërguar Mbretit Zog nga major Abaz Kupi dhe Profesor Gaqo Gogo, më 28 tetor 1944
M a d h ë r i!
Po paraqitim përshkrimin e veprimtarisë së Lëvizjes s’onë. Qëndresa në Shqipëri nuk ka qenë vetëm e një Partie, ose e një rryme politike. Nuk ka përfaqësuar vetëm një ideologji, ose vetëm një shkolle filozofike, ose vetëm një klasë shoqërore. Do të përpiqemi në punën t’onë të përshkruajmë klimën materiale, psikologjike e morale, në gjirin e së cilës u zhvillua beteja e Lëvizjes s’onë kundër armikut dhe kundër një qeverie të njerëzve të besuar nga armiku.
Dëshira jonë është të tregojmë se qëndresa nuk është vetëm një veprimtari e një pakice njerëzish trima, besnike, idealiste dhe entuziastë, por edhe qëndrimi i pjekur i shumicës së shqiptarëve. Jashtë Shqipërisë nuk dimë nëse është formuar besimi i plotë mbi qëndresën tonë, ndaj kuptimi i duhur i qëndresës së vërtetë, është se Lëvizja e jonë qëndresën e vet, nuk e ka bërë vetëm me anën e mitralozit ndër duart. Kjo ka qenë vetëm forma e saj luftuese dhe ka marrë me mijra pamje të tjera, që do të përpiqemi t’i përshkruajmë.
Ndërmjet qëndresës heroike të luftëtarit të ri që plotëson misione të rrezikshme dhe atij shqiptari me pak dinamik ose më të vjetër, e që i kundërshton Tiranës kuislinge, italianit dhe gjermanit, me një lloj qëndrese morale, pasive, kokëfortësi, ndodhen shumë shkallëzime vlerash me rëndësi. Sido që të jetë, gjithë këta burra me merita të ndryshme, janë të frymëzuar me bindjen e plotë për fitoren, me vullnetin e mirë për të mëkëmbur Shqipërinë, më të bashkuar dhe me një dëshirë fanatike, për të çliruar Atdhenë dhe siguruar lirinë dhe kthyer Mbretin.
Okupacion mbi okupacion. Populli i Shqipërisë ndjek me vëmendje peripecitë e luftës. Mëson lajme alarmuese. Me gjithë fatkeqësitë shpreson. Ka bindje të madhe ndaj vetes e sidomos kundrejt Rinisë, e cila është krejt e pastërt, me plot kurajë dhe ka për të dalë gjëkundi, qoftë në fushë ose mal, për t’a mbajtur nalt dhe me valëvitje të gjallë, Flamurin e vet. Formohen qeverira por asndonjë nuk gëzon besimin dhe kreditin e popullit. Prapa qeveritareve aventurierë, ndodhen edhe aventurierë të tjerë politikë, të cilët janë pjesëtarë kryesorë të komploteve, të ndryshimeve ligjore dhe të pjesëmarrjes së Shqipërisë në Lidhjen e Boshtit.
Shkaktohen disa manifestime, përhapen zëra të fshehta, duke kërkuar prej popullit qëndresë, durim dhe përbuzje për okupatorin dhe qeveritarët e tij. Gjendja e brendshme trondit fort okupatorin, por nuk lejon për reaksion. Ditë për ditë, populli i ynë asiston në kapjen dhe internimin e pjesëtarëve të tij, të paditur nga krerët e gjakut të vet. Asnjë zë nuk dëgjohet, populli duron duke shtrënguar dhëmbët. Qeveritaret vazhdojnë sipërmarrjen e tyre. E dinë që duhet të përfitojnë prej anestezisë së çastit, të popullit.
Me anën e detyrimeve, intrigave, rekrutohen parlamentarë nazi-fashiste, shumica e të cilëve përbehet nga burracakë, të dobët e pa karakter, që abdikojnë pushtetin e tyre kushtetues, midis duarve të disa personave përgjegjës të shkatërrimit t’onë, e që janë tradhtarët më të mëdhenj të Atdheut. Regjimet e reja, në të cilat shumica e shqiptarëve nuk aderon me zemër, fillojnë të imitojnë Musolinizmin dhe Hitlerizmin. Shtypi, radioja, kinemaja, janë të censuruara.
Fillojnë kërkesat policore. Del dekreti i internimit administrativ. Mbledhjet janë të ndaluara rreptësisht. Shqiptarët detyrohen të mësohen të mos ndjejnë shqiptarisht dhe e drejta e shprehjes së mendimit të tyre, u është ndaluar. Detyrohet një bindje e verbër ndaj qeveritarëvet dhe prapa këtyre, bëhet dorëzimi i Shqipërisë tek armiku. Ka edhe disa tipa naivë, që besojnë tek qeveritarët, se Shqipëria do të mëkëmbet ndënë drejtimin e këtyre qeveruesve pa eksperiencë politike dhe në prani të okupatorit në Shqipëri. Ka edhe tradhtarë që trumbetojnë triumfin, që festojnë rendin e ri dhe bashkëpunojnë haptazi me okupatorin.
Midis tyre ka edhe shumë pacifist, që kanë refuzuar luftimin kundër okupatorit dhe tani kallin propagandën kundër anglo-amerikanë-sovjetikëve. Shqipëria e okupuar e kuptoi shumë shpejt shkakun e vërtetë të zaptimit te saj, priste kohën e hakmarrjes kundrejt tradhtarëve dhe e kish kuptuar me kohë, se pavarësia e qeverive të Tiranës, ka qenë false. Qeveritë e Tiranës flisnin për mentarët t’anë, për mosbindjen t’onë morale, por kështu vërtetonin që qeveria jonë, ka qenë e lirë dhe sovrane.
Shumë shqiptarë mbështeteshin te qeveria, si e vetmja shpresë që kish ngelur. Kur bëhesh ndonjë vizitë prej qeveritarëve, gjendeshin edhe shumë shqiptarë që i duartrokitnin, por ishin nga ata që nuk dinë me tamam si, se ç’mund të presin prej tyre dhe që mund të ndjekin çdo njeri sy-mbyllas. Por kjo nuk vazhdoi shumë kohë. Shpejt nga të gjithë anët fillon të murmuritet, se në këtë ndërmarrje nuk ka qartësi dhe sinqeritet. Elementët që qëndrojnë në qeveri së bashku me të gjithë ata që grumbullohen rreth pushtetit, janë aderues të vjetër të ligave fashiste dhe shërbëtorët e kësaj plutokracie të madhe, që frika panike e bolshevizmit i shtyti që të bëhen defetist (disfatiste) dhe pro-italo-gjermane.
Shqiptari i pajisur me frymën e kritikës i pret me skepticizëm gënjeshtrat e radios dhe të shtypit. Propaganda italo-gjermane që ushtrohet prej kanalit të tyre, është shumë pak për ta dhe i revolton. Sa më shumë që shtohen portretet e nazi-fashistëve, kaq më tepër përhapen fjalë poshtëruese për ta. Populli shqiptar, përbuz mistikën e qeveritarëve të Tiranës. Në disa krahina të Shqipërisë, zhvillohen mbledhje të fshehta dhe regjistrohen anëtarë për ushtrinë e nesërme të lirisë, vullnetare të Kryengritjes Kombëtare,
Këtë ndërmarrje e inkurajon fort Londra (në të cilën e marrim vesh, se ka intervenuar Mbreti), me caktimin e foljes në gjuhën shqipe në radion e vet dhe që kohë-kohë lëshon zërin e disa ushtarakëve të vet, që njiheshin prej shqiptarëve si miq të Shqipërisë, duke proklamuar se lufta nuk ka mbaruar, se fuqi të tjera ndodheshin në Botë, që do të hynin shpejt ose vonë në luftë dhe Shqipëria që të fitojë, duhet të kontribuojë në luftën e përgjithshme.
Në fillim fjalët e këtyre miqve të Shqipërisë nuk kanë patur suksesin e duhur, por dëgjimi është bërë me simpati. Zëra të ndryshëm shoqëronin versionet e rastit. Ushtarët italo-gjermanë flisnin me kryeultësinë e tyre karakteristike se; Ingliterra do të mposhtet brenda disa javëve. Kaluan ditë, javë, muaj, vjet dhe Ingliterra qëndron. Radioja shqip e Londrës, që dëgjohet prej të gjithëve, shpërndan pareshtur fjalë shprese.
Në Shqipëri okupatori bëhet zot i tokës s’onë. Ka rekuizicionuar gjithë ç’ka gjetur të mirë. Është arrogant dhe gjithnjë brutal. Me gjithë këto, shqiptarët nuk dëshpërohen dhe kundrejt çdo shfaqjeje, predikojnë triumfin e kombeve demokratike. E urrejnë diktaturën dhe sundimin e huaj. Nuk pajtohen me skllavërimin, qoftë ndënë sipërmarrjen direkte të armikut, qoftë ndënë shtypjen e policisë. Ne zemrën e tyre është rrënjosur pasioni trim për lirinë, që ndodhet në traditën e frymës shqiptare. Të luftohet për të, është për burrat e saj, më tepër se një detyrë, është një Nevojë.
Kishte filluar një farë lufte në mënyrën e veçantë të këtyre burrave, izolime me grupe të vegjël, nga 3-4 veta. Mbjellin shpresën rreth tyre, përsërisin ç’kanë dëgjuar në radion shqip të Londrës, dobësojnë si mundin gënjeshtrat e radios italo-gjermane të Tiranës. Janë gjithnjë të sinqertë. Kur krerët e qeverive kuislinge shkëmbejnë dorë-shtrëngime të ndryshme shndërruese me drejtuesit italo-gjermanë, këta e dinë se çfarë kuptimi kanë këto. Kuislingat e shitën Shqipërinë, sepse nuk bashkëpunohet për gjysëm, nuk tradhtohet për gjysëm dhe kur i nënshtrohet nji herë një kundërshtari, pa turp, duhet t’i nënshtrohet deri në fund.
Është shumë rëndë t’u besohet fqinjëve, miqve, në një shtet ku SIM-i dhe Gestapo-ja e ndihmuar prej disa njerëzve për turp të gjakut t’onë, vëzhgon pa reshtur. Zelli i këtyre është i pa kufishëm. Qëndruesve të parë, nuk iu mungon kurajua, por u mungojnë mjetet. Me gjithë këto mungesa, prapë notojnë kundrejt korrentit (rrymës) armik. Populli asiston në kapjen e shumë pjesëtarëve të vet, të mbështetur në mëshirën e fatit, të injoruar krejt nga autoritetet. Lajmet përhapen nga disa zyrtarë se këto masa ishin konform me një marrëveshje të arrirë midis qeverisë shqiptare dhe autoriteteve të Romës së Mussolinit ose, të Reich-ut të III-të.
Qeveria e Tiranës nuk guxon për përgënjeshtrim. Më në fund del haptazi manovra e brendshme, duke zbuluar disa elementë të vendit iniciator të këtij bashkëpunimi, midis të cilëve edhe disa ministra. Këta shqiptare të gjykuar si të pa dëshirueshëm për shkak të ndjenjave të tyre anti-naziste tërhiqeshin ndër vende të pa njohura, pa marrë parasysh seksin, moshën, gjendjen e vërtetë, shëndetin. Këta shqiptarë u paditën prej bashkë-atdhetarëve të tyre tradhtarë e miq të nazifashizmit. Nuk mjaftuan internimet e shqiptarëve në masë prej italianëve gjatë fashizmit në Shqipëri, kur u refuzua hetimi në emër të Mussolinit, kur u refuzua pjesëmarrja si pjesëtarë të popullit italian. Mësues, profesorë, studentë, nxënës, janë burgosur dhe internuar ne Itali.
Disa nga ata që ngelën, vazhduan kurset e doktrinës fashiste. Disa mësues në Edukatën Morale të nxënësve të tyre, predikonin edukatën fashiste. Rinia u detyrua të aderojë në Rininë Fashiste Italianë. Fashistët rekrutuan edhe disa të rinj, të cilët shërbenin për të spiunuar dhe paditur prindërit e tyre. Me arritjen e Italianëve dhe të Gestapo-s së tmerrshme, u manifestuan me njëherë edhe brutalitetet me ndjekjet. Qëndresa e thjeshtë shqiptare, nuk duroheshe dhe burgoseshe. Klerikët kanë vuajtur shumë. Shumë murgj u përzunë nga manastiret e tyre. Manastiret, teqet, kishrat dhe xhamitë e të gjithë entet e kultit fetar, u bënë depo ushtarake, ose vënde spektakli për trupat okupuese.
Fashistët deshnin të shuanin prej toke Shqipërinë. Disa nga shqiptarët kanë dashur të ndalonin edhe gjuhën shqipe. Ata që kundërshtuan e paguan me burgje. Disa shqiptarë italjanizuan edhe emrat e veta. Rrugët e ndryshme u pagëzuan me emra italiane. “Giovinezza”, u bë himni shqiptar. Flamuri i ynë i trashëguar u përfshi në stemën e Savoias dhe u rrethua me shenjat e Liktorit. Që të gjitha kryheshin me pëlqimin e qeveritarëve tradhtarë. Burgjet mbusheshin. Në fushat e përqendrimit për dit koncentroheshin motrat dhe vëllezërit t’anë. SIM-i filloi nga veprimtaria e tij e zakonshme: brutalitet dhe tortura.
Te të gjitha këto masa, populli i yt Madhëri qëndroi. Ndoshta nuk e ka ndjerë kurrë ndonjëherë tjetër kaq shqiptar veten, sa në kohën e vuajtjeve të Liktorit dhe të Teutonit. Nuk ëndërron veçse triumfit dhe hakmarrjes. Me qindra nga pjesëtarët e tij, të rinj dhe të reja, e kanë paguar me jetën e tyre për besnikërinë ndaj Shqipërisë, ose për qëndrimin kundërshtar ndaj armikut: sa burra dhe gra janë pushkatuar për veprimtarin e tyre shqiptare; sa janë torturuar për arsye të favorizimit që kanë treguar në mbrojtjen, sigurimin dhe fshehjen e shokëve dhe shoqeve të tyre dhe sa janë varur!
Pak nga pak qëndresa shtohet. Populli shqiptar del prej lithargjise (letargjisë) së tij, sa do që ndjekjet qeveritare janë shumë të rrepta dhe masat e okupatorit janë të tmerrshme. Shfaqen trakte dhe shkrime të ndryshme të daktilografuara. Kudo këndohen (lexohen) nëpër mure, bile edhe nëpër vendet e shpalljeve zyrtare qeveritare, parullat: “Rroftë Shqipëria e Lire; Rroftë Mbreti; Poshtë okupatori”.
Shpërndahen fletore modeste klandestine, të shtypura me makinë shkrimi, në fund të të cilave ftohen kënduesit, që pasi t’a këndojnë, t’ia shpërndajnë tjetrit. Këto fletë nuk pushojnë së kaluari dorë më dorë, deri sa bëhen nga përdorimi fare të pa lexueshme. Disa gjejnë mjete lehtësuese nga shtypshkronja të ndryshme dhe sasia e fletores së tyre shtohet dhe propaganda lëshon rrënjat e veta nëpër katundet dhe qytetet fqinje. Çdo ditë fletët klandestine shpërndahen më larg. Shtypi i tradhtarëve sulmon propagandën e vërtetë të zërit të popullit shqiptar. Shtypi zyrtar shqiptar, kontrollohet nga italianët e gjermanët dhe i detyrojnë drejtimet e tyre, duke i’u diktuar edhe vijën e sjelljes.
Shqiptarët të egër nga temperamenti, refuzojnë bindjen e tyre ndaj zërit të shtypit zyrtar. Por në anën tjetër, kushtet e jetës keqësohen dita-ditës. Çmimet shtohen, burgjet mbushen dhe nuk zbrazen. Ingliterra vazhdon qëndresën e vet madhështore dhe numri i atyre që binden se okupatori do të shporret nga toka e jonë, shtohet tepër e më tepër. Fletoret klandestine fitojë shumë shpejt favorin e publikut. Lënda është e goditur dhe e informuar mirë. Redaktoret e tyre, shumica jo profesional, japin këshilla e fjalë urdhëruese. Shitja e makinave të shkrimit, shaptillografe, letër, të gjitha janë të rregulluara. Redaktuesit përpiqen për nxjerrjen e fletoreve të shtypura, ose një gazetë të vërtetë, dhe pranojnë për realizimin e kësaj nevoje, çdo sakrificë.
Ishte shumë rëndë të gjendej ndonjë drejtues shtypshkronje, që të ishte i guximshëm për të pranuar rrezikun. Me gjithë këto, shtypi i ynë klandestin pasuroheshe çdo ditë, me organe të reja: shpërndarja e tij shumëzoheshin pa pushim; numri i kënduesvet nuk mund të krahasohet me sasinë që shtypet, sepse çdo fletë këndohet nga 10, apo 20 e më tepër veta. Ky shtyp, së bashku me radion shqip të Londrës, kurajën popullin e Shqipërisë, që fillon të besojë në Lëvizjen e qëndresës së brendshme dhe të bindet se okupatori do të shporret, se inglizët do të rezistojnë dhe më në fund, do të fitojnë. Qëndresa me kundërshtimin shtohen. Populli brohorit qëndresën stoike të britanikëve ndënë bombardimet e tmerrshme; admiron fair-play-in e tyre, kur durojnë goditjet që pësojnë dhe me flegmën karakteristike të karakterit të tyre kombëtar, flasin për triumfin që kanë për të siguruar në dy ose tri vjet.
Energjia e egër e Churchill-it, u bën përshtypje shqipëtarëvet, të cilët pas një kohe të humorit të keq, futen në thellësi e zemrës së tyre dhe betohen me besë ndaj miqësisë së tyre. Disa aeroplanë aleat, fluturojnë kohë pas kohe mbi qiellin t’onë. Qeveritarët t’anë tronditen. Populli kupton shenjat e bombardimeve. Okupatori i interpreton sipas interesit të vet këto bombardime, duke pandehur se ka për të tërhequr popullin me vete. Pak nga pak populli i Shqipërisë bindet, se çlirimi i tij do të bëhet dhe se mbështetja e tij kryesore, janë Aleatët. Shtypi klandestin kontribuoj shumë në evolucionin e shpirtrave, kundrejt gjithë pjesëtarëve të këtij shërbimi. Prandaj populli shqiptar u është shumë mirënjohës, sepse e din se çfarë kuraje u është nevojitur për përballim gazetarëve të tij, kundrejt gjithë pengesave të panumërta, të pa reshtura.
Kur gjendeshe botuesi me vullnet të mirë, nevojiteshe pajisja e tij me letër, e cila mungonte. Pjesëtarët e këtij shërbimi sulmonin ku duheshe dhe më në fund e gjenin, Por duhet ditur se, si çdo gjë edhe letra ka qenë e bllokuar, qoftë prej okupatorit, qoftë prej qeveritarëve. Kishte raste edhe të tregut të zi. Nevojiteshin të holla. Për këto të holla kontribuonin miq të popullit, të cilët ndihmonin sa mundnin, pa kërkuar shpjegime.
Në fillim fletorja e jonë si dhe traktet, përgatiteshin cope-copë prej punëtorëve të shtypshkronjave të ndryshme gjatë punës së tyre pranë patronit të shtypshkronjës, duke pranuar çdo sakrificë. Shumë herë punonjësit punonin natën, nëpër shtëpitë e tyre. Materialet shtypeshin sipas mundësive, natën, ditën, të dielave dhe të shumtën e rasteve ndër makina të vjetra. Gjithnjë me rreziqe, sepse shumë herë agjentët e fshehtë shfaqeshin duke vënë hundët e tyre kudo dhe arrestonin punëtorët. Por këta, sa do që janë rrahur e janë burgosur, kanë bërë që fletorja me traktet, të dilnin rregullisht.
Njohim një botues, i cili me të dalë nga burgu, u takua me krerët e grupit t’onë të rezistencës dhe u thotë: “U liruash, jam gjithnjë në shërbimin t’uaj……”! Mënyra e shpërndarjes, e tërheqjes dhe e afishimeve, habitin okupatorin dhe klikën qeveritare. Terrori, torturat dhe përpjekjet e treguara nga okupatori e nga qeveritarët kuislinga, për të penguar manifestimin e mendimit të lirë shqiptar, nuk patnë përfundimet e kërkuara, prandaj mendimi ngeli i gjallë.
Nuk është e mundur të shtypet shpirti shqiptar, nuk është e mundur të vritet. Me qëndrimin e tij të gjallë, u sigurua bindja se vullneti është i pa tundur për çlirimin e Atdheut dhe këtë e treguan edhe botimet ndënë terrorin nazifashist të një letërsie të lirë shqiptare, me anën e të cilës manifestohej shpresa e gjallë e një populli për liri. Me njëherë qëndresa mori shumë shpejt një pamje tjetër. Me grupet e redaktorëve dhe të shpërndarësve të botimeve, dalë nga dalë u bashkuan njerëz të cilët me temperamentin dhe zotsit e tyre, njoftuan nevoja dhe detyra të tjera. Ndriçonin opinionin që ka qenë shumë i nevojshëm dhe kryenin veprim që ka qenë i domosdoshëm…! Memorie.al
Sekr. Përgj. Lëvizjes së Legalitetit Kryetari
Prof. Gaqo GOGO Major Abaz KUPI
Kajro, më 2 gusht 1945
Vijon numrin e ardhshëm
Marrë nga gazetadielli.com