Nga Islam Spahiu
Pjesa e parë
– DY ANËT E NJË MEDALJEJE-
Memorie.al / Në datën 22 gusht 2016, një e gazetë përditshme, ka botuar një polemikë mes z. Shaqir Vukaj dhe z. Hamza Kazazi, me rastin e 73-vjetorit të Luftës së Reçit. Me këtë rast, i pari mbron tezën e komunistëve shqiptarë, ndërsa i dyti, të kundërtën e saj. Do të ishte shumë i dobishëm për historiografinë shqiptare, një debat i tillë, kur kemi parasysh që rrahja e mendimeve, çon në përfundime të drejta, por kur sheh që secila palë shikon vetëm njërën anë të çështjes, atëherë këtu kemi të bëjmë me atë dukuri, që me shprehjen popullore quhet; “njëri i bie gozhdës, tjetri patkoit”. Për të shmangur këtë mosmarrëveshje, jam i mendimit që në këtë debat të marrin pjesë të gjithë ata që kanë qenë dëshmitarë okularë në ngjarjet historike, dhe që kanë argumente dhe fakte që vënë pikën mbi “i”.
“Asnjë dëshmitar nuk është më i mirë se sytë e tu” – thotë një fjalë e urtë e, nën këtë prizëm, do të përpiqem të jap kontributin tim modest, në zbardhjen e së vërtetës. Nuk do desha të ndalem te Lufta e Reçit; atë do t’ua lija zotërinjve të lartpërmendur të polemikës së rastit, veç para se të hymë në temën që kam zgjedhur, nuk po më rrihet pa bërë një vërejtje, si lexues i thjeshtë, mbi qëndrimin e ashpër, akuzues të z. Vukaj dhe në atë të z. Hamza Kazazi, gati të përulur e shfajësues, si t’ishte i pandehur para gjyqit.
E them këtë sepse; ndërsa z. Vukaj e akuzon të atin e Kazazit (Jup Kazazin), si “kolaboracionist”, ky i fundit shkruan tekstualisht: “Jupi i ka pas thënë të shoqes dhe të afërmve se, i vetmi gabim në jetë ishte, se pranoi post në periudhën e fashizmit dhe se, sa të qetësohej situata, me mbarim të luftës, do të kërkonte vetë të dilte në gjyq e pikërisht pse komunistët flisnin”.
– Me këtë deklaratë, z. Vukaj del fitues i një beteje, por unë do të thosha, jo i gjithë luftës; kjo pse ne do të vazhdojmë t’i shohim dy anët e medaljes dhe duke i shkuar çështjes gjer në fund, pa u trembur nga e vërteta, pse, siç ka thënë Shekspiri; “Duhet thënë shpesh e vërteta, sepse shpesh përsëritet dhe gënjeshtra”. – Po marrim çështjet më kryesore:
- Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare: Luftë çlirimtare, apo luftë civile?
Para së gjithash, duhet t’i kujtojmë z. Vukaj, se ai harron, që në fillim, se ç’bazë ka pasur e ashtuquajtura “Luftë Nacional-Çlirimtare”? Besoj se ai e di mirë që komunistët shqiptarë, nuk e kanë kundërshtuar pushtimin italian të 7 prillit 1939. Në atë kohë, ishte në fuqi pakti gjermano-sovjetik. Polonia e pushtuar u nda përgjysmë mes tyre; në sheshin e Varshavës, u bë paradë e përbashkët e dy ushtrive.
KOMINTERN-i, që nga Moska, lëshoi thirrjen për gjithë komunistët e botës: Mos kundërshtoni luftën e drejtë të fashizmit, kundër kapitalizmit botëror. Unë në atë kohë isha 10 vjeç dhe kam lexuar me sytë e mi këngë fashiste, pa ndonjë ndryshim, nga këngët partizane. E kështu, në këtë kohë nuk ka pasur partizanë në Shqipëri.
Vetëm nacionalistët e bënë gjestin e rezistencës (nuk kish mundësi më tepër), por duhet ditur që nga gjestet e vogla, bëhen beteja të mëdha. Prandaj duhet ditur gjithashtu që Mujo Ulqinaku, nuk qe komunist, siç deshët ta bëni ju; ai ish-nënoficer me siglën “Z”, (Zogu i I-rë) në kapelë.
E ndërsa nacionalistët internoheshin në Ventotene, komunistët shqiptarë fërkonin duart me entuziazëm për “sukseset” e “Luftës rrufe”, të Hitlerit, e veç atëherë kur Gjermania hitleriane sulmoi Bashkimin Sovjetik, atdheun e tyre ideologjik, vetëm atëherë ata rrokën armët, – ofshe! Për një vend të huaj, jo për të vetin! – E si është e mundur që z. Vukaj, që mbahet si njohës i historisë, e injoron këtë fakt të pamohueshëm?
Zotëria e tij nuk e përmend fare PKSH-në dhe kush e organizoi atë! A nuk qe vallë malazezi Miladin Popoviç, që e organizoi dhe e udhëhoqi Partinë Komuniste Shqiptare, deri në fund të luftës? Nga e merrte drejtimin LANÇ-i? Ky emërtim u mor nga AVNOJ, i përkthyer nga serbishtja. Atëherë lind pyetja: Kundër kujt u drejtua pushka e partizanit shqiptar, kundër të huajit, apo kundër vëllait të vet?
Një statistikë shkencore, do të nxirrte në dritë një bilanc të tmerrshëm, “Ushtria Nacional-Çlirimtare”, nën udhëheqjen e PKSH-së, e cila nga ana e saj udhëhiqej nga ajo jugosllave, luftonte nën sloganin; “kundër armiqve të brendshëm” apo “reaksionarëve” e, pastaj lahej goja “kundër okupatorit”! Humbjet njerëzore gjatë periudhës së Luftës Dytë Botërore në Shqipëri, në përqindjen më të madhe, janë shqiptarë të vëlla-vrarë; shembujt janë të ditura nga familje viktimash, që i përkujtojnë të vetët sot e kësaj dite.
Në qoftë se Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare, do të ishte me të vërtetë çlirimtare, ç’donte Brigada e I-rë e Mehmet Shehut, në një fshat të Peqinit, ku u masakruan 67 fshatarë të pafajshëm? “Okupatorë” qenë ata?! Për këtë krim, krenoheshin komunistët: “vranë kaq ballistë…”, po Brigada e V-të “Sulmuese” e Shefqet Peçit, ç’deshi në Lumën e largët, duke u hedhur nga Jugu në Veri? Pse i vranë dy arsimtarët 20-vjeçarë, që posa kishin kryer ‘Normalen’ e Elbasanit?
A nuk pati të drejtë pastaj fshati i tyre, Lusna, që u ngrit në këmbë, me të madh e më të vogël dhe i ra asaj brigade gjakatare? A nuk ishin shqiptarë fshatarët e pafajshëm të Buzmadhes, ku u pushkatuan 21 vetë, në mes të cilëve, një 19-vjeçar? Kjo ndodhi me 26 shtator 1944. Po në këtë vit, u pushkatuan 4 burra në fshatin Novosej. A nuk mjaftojnë vallë këto kulme tmerri, që të vërtetojnë se ajo luftë nuk qe aspak “çlirimtare”, por mirëfilli vëllavrasëse? Të shohim më poshtë çështje tjera.
2. KOLABORACIONIZMI NË SHQIPËRI 1939-1944
Duke pasur parasysh sa thamë më lart, le ta analizojmë me kujdes këtë term, që përbën akuzën e komunistëve shqiptarë ndaj nacionalistëve gjatë okupacionit, akuzë kjo që sot e kësaj dite, ata e përdorin si kalë beteje! Sipas fjalorëve të gjuhëve të ndryshme europiane, termi “kolaboracion”, shpjegohet, pos të tjerave, edhe me fjalën kompromis. Njihen kompromiset historike. Le ta shqyrtojmë pak, pa u ngutur, për t’i shkuar çështjes gjer në fund.
Nuk ka popull në historinë e njerëzimit, as ata më të mëdhenjtë, që e kanë siguruar ekzistencën e vet, – në një mënyrë a në një tjetër – pa mbështetje a bashkëpunim me ndonjë tjetër. Nëse është kështu, pse do të bënte përjashtim një popull i vogël si ky i yni, aq më tepër kur dihet që historikisht, ka qenë objekt përbuzjeje e dhunimi, për Fuqitë e Mëdha? Ishte Traktati i Londrës, ai që e ktheu Shqipërinë në një shesh lufte mes fuqive ndërluftuese gjatë Luftës I-rë Botërore.
Një zëdhënës i qeverisë angleze, i pyetur se cilët ishin miqtë e përhershëm të vendit të tij, u përgjigj: Britania e Madhe, nuk ka miq të përhershëm, por interesa të përhershme. Kurse në vigjiljen e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, kryeministri konservator anglez, Çamberlajn, i pyetur se çfarë qëndrimi do të mbante qeveria e tij ndaj ndonjë sulmi eventual të Italisë ndaj Shqipërisë, u përgjigj me gojën plot: Britania e madhe nuk ka interesa në Shqipëri.
– Nuk do të mjaftonte me kaq, po mos të dinim një fakt tjetër kuptimplotë, që vërteton edhe më tepër, se ç’rëndësi kishte Shqipëria në arenën ndërkombëtare. Të gjithë e dinë se gjatë Luftës II-të Botërore, të gjithë Mbretërit e vendeve të pushtuara emigruan e, shumica e tyre kërkoi strehë në Angli, te “Nëna e Mbretërive Botërore”, siç mund të thuhet në këtë rast.
Kështu ndodhi edhe me Mbretin tonë, Zogun I-rë, Mbret i Shqiptarëve; por këtu u bë një përjashtim: Mbretëria tradicionale britanike, nuk denjoi ta njohë këtë Mbret të “vetëshpallur”, siç e quanin armiqtë e tij. Ia refuzuan, gjithashtu, edhe kërkesën për t’u takuar me ndonjë titullar të Mbretërisë dhe e lanë si emigrant të thjeshtë, në një hotel privat. E, natyrisht, Mbreti Shqiptar, i zhgënjyer, u largua që andej e, pas peripecirash, ndërroi jetë në një klinikë private, në rrethinat e Parisit.
Por e kundërta ndodhi me Mbretin Konstandin të Greqisë. Ai u vendos në një vilë të posaçme, në mes të Londrës, i ruajtur me Gardë Mbretërore. Edhe sikur të jenë pak këto që u thanë më lart, a nuk del i qartë fakti që; Fuqitë e Mëdha, e kanë denigruar historikisht Shqipërinë? Është për t’u mbajtur mend rasti kur Konferenca e Londrës, vendosi kufijtë e 1913, që linin jashtë vende e troje thjesht shqiptare. Atëherë Fishta ynë i madh shfryu: “Uh! Evropë ti kurva e motit / Qi i rae mohit besës Zotit! / Po a ky â shêji i qytetnisë / Me da tokat e Shqypnisë / Për me mbajtë klysht e Rusisë”?!
Atëherë, ç’qëndrim do të mbanin patriotët tanë përballë një armiqësie të tillë, e cila synonte asgjësimin e kombit e të Atdheut? Le të japim përgjigjen e duhur si realistë e, jo si ëndërrues. Përgjigjja më e saktë, mendojmë se është sakrifica që ata bënë nën moton; “Atdheu mbi të gjitha”. Jo më kot, këtu do të kujtojmë shprehjen e poetit të madh hungarez, Petöf: “Për dashurinë jap jetën, por për lirinë jap dashurinë”. – E, pa dyshim, do të thoshim që patriotët tanë, pranuan një sakrificë ende më të madhe; madje sublime: me gjestin e tyre ata thanë: “Për nderin japim jetën, por për Atdheun, japim edhe nderin”, dhe e bënë; pranuan nofkën mallkuese “kolaboracionist” dhe nuk iu trembën as vdekjes, për këtë.
Duke e shqyrtuar pa paragjykim këtë dukuri, do të arrijmë në përfundimin e drejtë që ky term, në këtë vend e kohë, e humbet hijen e keqe dhe merr shkëlqimin e së mirës; kthehet në të kundërtën: ata marrin hirin e heroizmit; shkrinë gjithçka për idealin më të shenjtë: Atdheun. “Qëllimi shenjtëron mjetet”, është një nga parimet e urdhrit jezuit. Kështu, patjetër mallkimi kthehet në respekt. Një dukuri e tillë njihet në vende dhe epoka të ndryshme, e nga persona të veçantë. Për shembull:
KONTESHA VALEVSKA
Polonia fatkeqe, kishte pësuar një ndarje të dhimbshme midis Prusisë, Rusisë dhe Austrisë, në vitin 1795. Popullsia aty do ta priste si shpëtimtar Napoleon Bonapartin. Ky, gjithashtu, kishte interes të krijonte një shtet aleat, në qendër të Evropës. Kur perandori frëng, hyri me ushtrinë e tij në Varshavë (1807), aristokracia polake i bëri një pritje madhështore; mes tyre ishte edhe kontesha Valevska.
Me perandorin ajo pati një bashkëbisedim; për Napoleonin, ai qe një “flirt”. Zonja e hekurt nuk deshi të dorëzohej; nuk donte të tradhtojë bashkëshortin e saj plak. Porse – duket e çuditshme – jo vetëm parësia e vendit, por vetë i shoqi, bënë çmos ta bindnin zonjën e lartë polake, që t’i jepej perandorit frëng; e kjo në emër të shpëtimit të atdheut. Pas një hezitimi ajo, më në fund, pranoi. Dha pra nderin personal, për atë që ishte më e shtrenjtë për kombin.
Tani një kuriozitet: sipas biografëve seriozë nga atdheu, ato pak femra që u lidhën me Bonapartin, e vetmja që i ka qëndruar besnike deri në fund, ishte kontesha Maria Valevska. Emil Ludvig, në veprën e tij madhore “Napoleoni”, veç tjerash, ka shkruar edhe për disa anekdota, nga jeta e Bonapartit. Pas abdikimit të parë, siç dihet, Fuqitë e Mëdha ia njohën këtij sovranitetin mbi ishullin Elba (1814-1815).
Duke përshkruar banesën e sovranit, ai tërheq vëmendjen: “…në kopshtin e vilës së Bonapartit, shihej duke luajtur një fëmijë 10 vjeç, me kostum polak”. Ky qe biri natyror i Napoleonit I-rë dhe i konteshës Maria Valevska. Ky mori titullin “Konti Kolona”, që më vonë u bë figurë politike. Nën sundimin e Napoleonit III-të, qe ministër i Punëve të Jashtme (1855), pastaj arriti të kryesojë Kongresin e Parisit (1856).
WINSTON ÇËRÇILL
Le të vijmë këtu në kohën e Luftës Dytë Botërore (1939-1945). Evropa u trondit nga shpallja e “Luftës rrufe” të Hitlerit. Objektivi kryesor, ishte Anglia. Pas një përshkallëzimi të luftës, Londra u bombardua dhe u dëmtua mjaft; tmerri tashmë e kishte pushtuar popullin. Në vitin 1942, qeveria e kryeministrit konservator, Çërçill, bëri aleancë me Bashkimin Sovjetik të Stalinit. Në qarqet politike, mbase edhe në popull, ky akt u quajt skandal.
Në Parlamentin britanik, Dhoma e lordëve, këta të fundit u ngritën të alarmuar dhe të indinjuar e protestuan. Pyetjes se; si është e mundur që një vend si Anglia, një Mbretëri tradicionalisht e njohur si simbol autoriteti dhe qytetërimi, të katandisej në një aleancë, me vendin më barbar e obskurantist me një regjim totalitar komunist?! Çërçilli, me gjakftohtësinë proverbiale angleze, u përgjigj: “Në qoftë se Hitleri do të invadojë ferrin, ne do të luftojmë krah për krah me djallin”. – Kjo shprehje, besojmë se nuk ka nevojë për koment.
MARESHALI PETAIN
– Meqenëse termi “kolaboracionizëm” lindi në periudhën e Luftës së Dytë Botërore e, pikërisht si përcaktim i dukurisë së bashkëpunimit me okupatorin nazist gjerman, le t’i hedhim një sy Francës së kësaj kohe, e cila është tipike në këtë drejtim. Në këtë kohë e në këtë vend, kemi dy anët e një medalje: e para është rezistenca e paepur e popullit francez, kundër pushtuesit nën udhëheqjen e gjeneralit De Gol, dhe tjetra, është e bashkëpunëtorëve (kolaboracionistë) me okupatorin, me qëllimin për të shpëtuar atdheun; të kryesuar nga mareshali Petain.
Për të parën nuk kemi asnjë koment, sepse është e kuptueshme nga kushdo, kurse e dyta anë e medaljes, paraqitet enigmatike dhe kërkon shumë durim e kurajë, që të zbërthehet gjer në fund. Atëherë le të merremi me të dytën. Protagonisti kryesor i kësaj historie në Francë, pa dyshim qe mareshali Petain. Ky, pas një karriere të lavdishme në shërbim të atdheut, e sakrifikoi famën e nderin, kur Franca qe përballë një rreziku asgjësues. E ja se si:
Ai qe ambasador në Madrid, kur Gjermania sulmoi Francën (1939). U thërrit në qeveri dhe u emërua kryetar i Këshillit Ministrave. Menjëherë pas kësaj, ai kërkoi armëpushim me Gjermaninë. I veshur me të drejta fuqiplote nga Asambleja Kombëtare, më 10 korrik 1940 ai, 84-vjeçar, u njoh si kryetar shteti në Vishi. Për politikë të brendshme, ai shpalli “Revolucionin Kombëtar”, ndërsa për atë të jashtmen zgjodhi rrugën e “kolaboracionizmit”. I ndodhur tashmë në postin e tij, në këtë zonë të lirë, në nëntor të 1942, ai qe gjithnjë e më tepër i varur nga gjermanët, të cilët e morën me vete, gjatë tërheqjes në gusht të 1944.
I transferuar në Singmaringen bashkë me qeverinë e tij, u kthye në Francë, ku pas një viti (1945) u dënua me vdekje nga Gjykata e Lartë, porse për hir të shërbimeve të larta dhe lavdisë që i dha atdheut në të kaluarën, dënimi iu kthye në burgim të përjetshëm, të cilin vuajti në ishullin Yen, në bregdetin e Oqeanit Atlantik – fortesa është dhe sot – Mos të harrojmë që, godina ku u zhvillua gjyqi i tij, qe e rrethuar nga një kompani ushtarë, në roje nga turmat e revoltuara të popullit, që brohorisnin për Petainin hero dhe kërkonin lirimin e tij.
Sidoqoftë, ai e arriti qëllimin: Po të ishte bërë një luftë mes Francës e Gjermanisë, përveç humbjeve njerëzore të paparashikueshme, Franca do të ishte shkatërruar. Dihet se si ushtria hitleriane, i linte vendet e braktisura. Mjafton vetëm një shembull: Varshava u shndërrua në gërmadhë, kurse në Parisin kolosal, me urdhrin direkt të Hitlerit, nuk u prek asnjë tjegull. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm