Pjesa e dytë
Memorie.al / Kur kishin kaluar pak më shumë se një vit nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, në fundin e muajit gusht të vitit 1946, një delegacion i qeverisë shqiptare, i kryesuar nga kolonel Tuk Jakova, (i cili asokohe mbante postin e kryetarit të Kuvendit të Republikës Popullore të Shqipërisë), bëri një vizitë në SHBA, ku zhvilloi një sërë takimesh me zyrtarë të Departamentit të Shtetit dhe në fokus të bisedave të tyre, ishin rishikimi i disa marrëveshjeve zyrtare të lidhura mes dy vendeve para 7 prillit 1939, si dhe disa problemeve ende të pazgjidhura të shtetit shqiptar, me fqinjët e tij të gadishullit Ballkanik, kryesisht Greqia, apo dhe me shtetin italian, për dëmshpërblimet e luftës, etj. Por përveç këtyre takimeve me zyrtarë të qeverisë amerikane, delegacioni shqiptar pati edhe disa takime me Imzot Fan S. Nolin, Peshkopin e Kishës Ortodokse Shqiptare në SHBA-ës, i cili në atë kohë u vetë ofrua për të ndihmuar delegacionin shqiptar dhe qeverinë, që ata përfaqësonin në probleme të ndryshme, që ata do të parashtronin në takimet që do të zhvillonin në Departamentin Amerikan të Shtetit, etj. Siç do të shohim edhe në disa letra që Peshkopi Fan S. Noli, do i dërgonte më pas kryeministrit Enver Hoxha, ai mbeti tejet i zhgënjyer nga takimet me delegacionin shqiptar dhe kryesisht me kreun e delegacionit, kolonel Tuk Jakova, për të cilin ai shprehet me nota tejet negative, madje arrin deri në sharje nga më të ulëtat. Të gjitha këto, bëhen të ditura në librin ‘Noli – Vepra 6’, i cili është botuar në vitin 1996, nën kujdesin e Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, ku përveç korrespodencës me Enver Hoxhën, ndodhen edhe intervista të Nolit, fjalime dhe biseda të ndryshme, jetëshkrimi i tij, etj., pjesë nga të cilat po publikojmë në këtë shkrim.
Mesazhet dhe telegramet e Peshkopit Fan S. Noli, dërguar kryeministrit Enver Hoxha, në vitin 1946, për shtyrjen e pranimit të Shqipërisë në OKB
Rezoluta speciale e delegatit amerikan, Stettinius, që e shtyu diskutimin e çështjes së anëtarësisë gjer në gusht, u pranua unanimisht nga Këshilli i Sigurimit në mbledhjen e 17 majit. /stop/
Peshkop Fan S. Noli
Mesazh Enver Hoxhës
Nga bashkë fjalimet me zyrtarë të Sekretariatit të Kombeve të Bashkuara (UNO) në New York, në lidhje për paraqitjen për diskutim të anëtarësisë së Shqipërisë përpara Këshillit të Sigurimit, që do të bëhet nga fundi i majit ose më 2 qershor 46: Si mbas bisedës, pranimi i anëtarësisë do të efektohet në Asamblenë e Përgjithshme, nga rekomandimi që do të bëjë Këshilli i Sigurimit.
Ky rekomandim do bëhet me votë afirmative nga shtatë anëtarë të Këshillit të Sigurimit, duke përfshirë pesë anëtarët permanentë: Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe, Bashkimin Sovjetik, Francën dhe Kinën.
Një delegacion shqiptar pranë Sekretariatit të Kombeve të Bashkuara në New-York, do ta ndihmonte me të tepërt. Lutem bëni viza te Ministri i Shteteve të Bashkuar në Tiranë dhe më lajmëroni përfundimet e arrijtura.
Shtoj me keqardhje se zyrtarë të Departamentit të Shtetit, janë në pritje për heshtjen tuaj të gjatë në lidhje me çështjen e traktateve midis Shteteve të Bashkuar dhe regjimit të mëparshëm të Shqipërisë.
Në disa qarqe heshtja e juaj prej shumë muajsh, interpretohet si një akt mosbesimi (defiance). Ata ankohen gjithashtu se anëtarë të ndryshëm të Misionit amerikan janë ndaluar të lëvizin dhe kjo me fjalë të tjera konsiderohet si kundërshtim.
Në lidhje me këtë flitet që si protestë për këto masa, Misioni diplomatik amerikan që ndodhet në Tiranë, do të tërhiqet. Ju sugjeroj përçapje të menjëhershme për të ndrequr situatën dhe për të përmirësuar relatat me Shtetet e Bashkuara, të cilat unë i konsideroj të mira për zgjidhjen e problemeve tuaja ndërkombëtare.
Peshkop Fan Noli,
26 Blagden St. Boston 16 mars.
***
Mesazh Enver Hoxhës
Më 20 prill 1946
Nga bashkëfjalimi me kryetarin e delegacionit britanik në New-York, unë nxjerr se; në qoftë se mosmarrëveshjet do të rregullohen dhe relatat diplomatike do të rifillojnë, Qeveria britanike, do ta përkrahë pranimin e Shqipërisë në UNO. Kini mirësinë të më jepni informata të hollësishme mbi këtë gjë.
Peshkop Fan Noli
Blegden St. Boston 16 mars.
* * *
Mesazh Enver Hoxhës
Më 13 maj 1946
Kryetari i delegacionit amerikan, Eduard Stettinius, në një projekt-rezolutë që i dërgoi dje sekretarit të përgjithshëm, Lie, dhe që qarkulloi ndërmjet delegatëve, propozonte që Këshilli i Sigurimit, ta vonojë debatin mbi pranimin e Shqipërisë gjer në mbledhjen e përgjithshme në gusht, në të cilën do të shtrohen të gjitha konditat e pranimit. Stettinius kërkoj që mocioni i tij, të dalë në agjendën e bisedimit në mbledhjen e Këshillit, javën që vjen.
Peshkop Fan Noli
* * *
Telegram Enver Hoxhës
Më 19 maj 1946
Rezoluta speciale e delegatit amerikan, Stet tinius, që e shtyu diskutimin e çështjes së anëtarësisë gjer në gusht, u pranua unanimisht nga Këshilli i Sigurimit në mbledhjen e 17 majit. /stop/.
Vënia e Shqipërisë në rangun formal të anëtarësisë mbetet e varuar. /stop/.
Delegati i Bashkimit Sovjektik, Gromiko, në votimin e kësaj resolute, tha se ai e konsideronte të panevojshme meqenëse, simbas pikëpamjes së tij, ajo i dyfishon rregullat e anëtarësisë së përgjithshme, që janë aprovuar nga Këshilli. /stop/.
Delegati polak, Lange, i kujtoi Këshillit se Polonia do ta përkrahë çështjen e Shqipërisë, ashtu siç bëri në Londër, së pari për shkak se populli Shqiptar luftoi trimërisht kundër fashizmit dhe së dyti, për shkak pse pranimi i Shqipërisë… (është mbështetur nga aleatja Jugosllavi? /stop/
Shpresoj se vonesa prej dy muajsh mund të ketë përfundime të mira. /stop/.
Kjo gjë mund t’ju japë rast, të rregulloni pikëpamjet me Shtetet e Bashkuara dhe me Britaninë, duke fituar kështu përkrahjen e tyre. /stop/.
Kjo gjë mund t’ju japë kohë gjithashtu të dërgoni delegacionin prej Shqipërisë në New York. /stop/.
Do ta çmoj shumë çdo informatë mbi zhvillimin e mëtejmë.
Peshkop Fan Noli
26 Bladgen St. Boston 16 mars.
* * *
Kryeministrit të Shqipërisë, gjeneral Enver Hoxhës
Tiranë, Shqipëri
Boston janar 28, 1948
Zoti kryeministër,
Z. Filip Nini (Konstandin Dhimitri), lindur në katundin e Luarasit të Kolonjës dhe tani banonjës në Boston, Massachusetts, Amerikë, fëmija e të cilit banojnë në Korçë, si ushtar i vjetër i Kishës Kombëtare, u paraqit në këtë zyrë dhe më kërkoi t’ju jap informacionet pasonjëse: Filip Nini ka ardhur në Amerikë më 1922 dhe punoi si çirak në një dyqan të vogël, si këpucëfshirës në Taunton Mas.
Pastaj erdhi në Boston Mass, si punëtor në një fabrikë të hekurit, më vonë zuri punë në një restorant të vogël, si pjatalarës dhe tani punon në një restorant popullor si ndihmës gjellbërës, me një rrogë prej 35,00 dollarë në javë. Me këtë rrogë e cila është tepër e vogël këtu, na shkaku i shtrenjtësisë së madhe, rron me një varfëri të madhe që të mund të përmbanjë familjen në Korçë.
Tani mësojmë se ndodht në gjyq, që e ka humbur davanë për gjysmën e shtëpisë, gjoja si fajdexhi dhe davaxhiu i pakënaqur i ka apeluar davanë dhe këron t’i rrëmbejë dhe gjysmën tjetër të shtëpisë, që zotëron e shoqja në Korçë. Në këtë gjyq, avokati i davaxhiut, e ka përshkruar Filipin si një kapitalist që merr me qindra dollarë në muaj. Këto të gjitha, nuk kanë ndonjë bazë vërtetësie dhe ju shkruaj këtë letër, që t’u shuguronj se Filipi është punëtor i varfër, i cili shembet në punë për të fituar një cope bukë, për veten dhe fëmijën.
Në këto duhet të shtoj se ka një rekord të gjatë si patriot, që kur erdhi në Amerikë, si gjithë Luarasillnjtë e kanë pasur patriotizmën si një traditë. Me shpresë informata do të hedhin dritë mbi çështjen e tij dhe do të ndihmojë gjykatën e Korçës, ta shikojë Filip Ninin si një punëtor të përunjur dhe t’i jepet e drejta përbrenda ligjës, mbetem Uronjësi juaj me Zotin.
Peshkop F. S. Noli
* * *
Gjeneral-kolonel Enver Hoxhës
Dr. Omer Nishani
Tiranë, shkurt 1946
Në emër të mbledhjes së përvitshme të kishave orthodhokse shqiptare në Amerikë, të mbajtur më 24 shkurt në Boston, unë dëshrioj t’ju dërgoj përshëndetjet më të përzemërta dhe t’ju shpreh admirimin tonë, për punën e shkëlqyer të rindërtimit që po bëni.
Peshkop Fan S. Noli
* * *
Telegram Enver Hoxhës
Mars 1946
Dy shqiptarë, të quajtur Dr. Ali Kuçi dhe Stavro Skëndi kanë ardhur, të hënën e fundit në Shtetet e Bashkuara. /stop/.
Lutem na këshilloni mi besimin dhe besnikërinë ndaj këtyre personave. /stop/.
Me të arritur këtu, Dr. Ali Kuçi mori lidhje me grupin e gangsterëve të “Shqipërisë së Lirë”. /stop/.
Shqiptarët e këtushëm ankohen për taksat e rënda që janë vënë për të gjithë rrobat e përdorura që dërgohen prej Shteteve të Bashkuar në t’afërmit dhe në miqtë e tyre në Shqipëri. /stop/.
Lutem jini në dijeni, se po të jetë kështu, dërgesa e teshave prej këtej do të pakësohet ose do të ndalohet krejtësisht meqenë se asnjëri prej këtej nuk dëshiron të krijojë vështirësira financiare për t’afërmit dhe miqtë e tij në Shqipëri. /stop/.
Kjo është një çështje vitale /stop/. Kini mirësinë të na informoni mi gjendjen ekzakte. /stop/.
Na telegrafoni me anë të “Dielli”, 30 Huntington Are Boston.
Peshkop Fan Noli
* * *
Mesazh Enver Hoxhës
21.3.1946
Marr vesh nga bisedime që kam patur me funksionarë të Departamentit të Shtetit, që pranimi i traktateve të konkluduara nga regjimi i kaluar, është një konditë e domosdoshme për njohjen e Qeverisë shqiptare nga SHBA. Unë besoj që tani çdo vonesë, do të prejudikojë çështjen tonë në një kohë kritike.
Duke marrë parasysh bisedimin e afërt në UNO, të kërkesës të Shqipërisë për anëtarësi dhe agjitacionin e interesit grek, mbi Epirin e Veriut, unë sugjeroj që të pranohen menjëherë traktat në fjalë. Ky pranim do të sjellë automatikisht njohjen amerikane, do të zhdukë pengesat për pranimin në UNO dhe do të na lehtësojë punën e mbrojtjes me sukses të integritetit tokësor të Shqipërisë.
Peshkop Fan Noli
* * *
Mesazh Enver Hoxhës
25.03.1946
Misioni diplomatik bullgar, ka që nga tetori i kaluar që po funksionon në Uashington, megjithëse qeveria bullgare, nuk është njohur zyrtarisht prej SHBA. Në rast se vonohet edhe më njohja e Shqipërisë, sugjeroj të përdorni këtë precedent, për të kërkuar viza për një mision të njëllojtë këtu dhe për arsye specifike, që të paraqit çështjen shqiptare para UNO-s.
Peshkop Fan Noli
* * *
Mesazh Enver Hoxhës
27 mars 1946
Sipas “New-York-Times” datë 25 mars, Shqipërisë i u mohua pranimi në UNRRA, me 23 vota kundër 6. Disa na shtetet votuan kundër, pse Shqipëria nuk është anëtare e UNO-s. Delegati grek u ngrit kundër pranimit të Shqipërisë, duke thënë se Shqipëria është akoma në luftë me Greqinë dhe disa delegatë thane, se nuk mund të pranohet një vent, që është akoma në luftë me një nga antarët e Kombeve të Bashkuara.
Ndihmës-Sekretar i Shtetit, Bill Clayton, tha se Amerika është kundër pranimit të Shqipërisë, vetëm pse Amerika nuk e ka njohur Shqipërinë, nga shkaku se Shqipëria nuk siguron që ka nërment të respektojë traktatet me Amerikën. Ne kemi frikë që kërkesa shqiptare për pranimin në UNO, do të ketë po këtë fat, veçse po të merret vendim, që të fitohet përkrahja e Amerikës, duke i dhënë asaj sadisfaksion të plotë, në çështjen e traktateve.
Peshkop Fan Noli
* * *
Mesazh Enver Hoxhës
10. 04.1946
Nga bashkë fjalimet me zyrtarë të Sekretarit të UNO-s në Nju-Jork, diskutimi i anëtarësisë së Shqipërisë përpara Këshillit të Sigurimit, do të bëhet nga fundi i majit ose, më 2 qershor 1946. Kjo do të ketë efekt në Asamblenë e Përgjithshme, nga rekomandimi që do të bëjë Këshilli i Sigurimit. Një delegacion shqiptar pranë sekretariatit të UNO-s në Nju Jork, do të ndihmonte tepër. Zyrtarë të Departamentit të Shtetit, janë në pritje, lidhur me traktatet për të cilat ju heshtni…!
Peshkop Fan Noli
* * *
Mesazh Enver Hoxhës
1.04.1946
Me gjithë protestat tona të përsëritura, Komiteti për Marrëdhëniet e Jashtme i Senatit amerikan, votoi për një rezolucion, që t’i akordohet Shqipëria e Jugut, Greqisë. Ne kemi prirje të besojmë, se kjo është e lidhur me refuzimin nga Shqipëria, në Atlantik City, përpara Këshillit të UNRRA-s dhe në Uashington.
Fan Noli
* * *
Mesazh Enver Hoxhës
20.04.1946
Nga bashkëfjalimi me kryetarin e delegacionit britanik në Nju Jork, unë nxjerr /konkluzionin/, se në qoftë se marrëveshjet do të rregullohen dhe relatat diplomatike do të rifillojnë, qeveria britanike, do ta përkrahë pranimin e Shqipërisë në UNO.
Peshkop Fan Noli
* * *
Mesazh Enver Hoxhës
27.04.1946
Një letër që mora tani nga Departamenti i Shtetit në Uashington, thotë se SHBA e kundërshtuan pjesëmarrjen e Shqipërisë si anëtare e UNRRA-s, se Shqipëria s’është anëtare e Kombeve të bashkuara dhe ka refuzuar të pranojë detyrimet e traktateve të mëparshme. Nga ana tjetër, nga bashkë fjalimet me delegatë në Nju-Jork, kuptoj që nuk ka asnjë shpresë, pranimi në anëtarësinë e Kombeve të Bashkuara, përpara se të ndreqen marrëdhëniet diplomatike, me SHBA-an e Britaninë. Memorie.al
Peshkop Fan Noli