Dashnor Kaloçi
Pjesa e pestë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), që janë shkëputur nga një dosje voluminoze me siglën “Tepër sekret” e cila i përket viteve 1980-1982 dhe bën fjalë për ngjarjen e bujshme të çarjes së gomave të disa prej automjeteve të trupit të huaj diplomatik të akredituara në Tiranë, e cila shqetësoi deri udhëheqësin kryesor të Partisë, Enver Hoxhën, që i telefonoi menjëherë ministrit të Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, ku, në kulmin e zemërimit, “Komandanti” i tha: “Nëse për 24 orë nuk e gjeni se kush dhe përse i ka dëmtuar automjetet e ambasadave të huaja në Tiranë, gjej vrimë dhe futu”! Alarmi i ministrit të Brendshëm Feçor Shehu, i cili thirri në një mbledhje urgjente, të gjithë drejtorët kryesorë të dikasterit që drejtonte dhe pasi iu bëri të qartë shqetësimin e madh të “Komandantit”, se mos ajo ngjarje do krijonte incident diplomatik me disa shtete, organet e Sigurimit të Shtetit dhe struktura të tjera të Ministrisë së Punëve të Brendshme, brenda 24 orësh, arritën të zbulonin autoren e “krimit”, Prendushme Deda, punëtore e Ndërmarrjes Komunale të kryeqytetit, që punonte në pastrimin e rrugëve, e cila u kap në flagrancë përpara Hotel “Dajtit” teksa çante gomat e disa prej automjeteve, të trupit diplomatik në Tiranë. Dëshmia e rrallë e ish-Drejtorit të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Neshat Tozaj, të dhënë pak kohë para se ai të ndahej nga jeta, lidhur me debatet e ashpra e përplasjen e tij, më ministrin Feçor Shehu, pasi ai, si titullar i laboratorit që drejtonte, nuk pranoi të firmoste akt-ekspertimin, për të konsideruar “armë të ftohtë” mjetin prerës, me të cilën punëtorja e pastrimit, kishte çarë gomat e disa prej automjeteve me targa “CD”! Kërcënimi i Feçor Shehut, për vartësin e tij që e shkarkoi menjëherë nga detyra, duke e dërguar si skenarist në Kinostudion “Shqipëria e Re” dhe odiseja e gjatë e Tozajt, për të vënë në vend nderin dhe dinjitetin e tij, duke i dërguar letra ankesash kryeministrit Mehmet Shehu dhe më pas Enver Hoxhës, gjë e cila u bë shkak e solli dhe ftohjen e përplasjen e parë midis dy krerëve më të lartë të Shqipërisë komuniste, të asaj kohe! Akuzat e Enverit ndaj Mehmet Shehut, se: përse ai e kishte mbajtur të fshehtë ngjarjen e bujshme, që tronditi Tiranën zyrtare, (nga frika e ndonjë incidenti diplomatik me disa shtete), ku pas vdekjes së tij dhe arrestimit të Kadri Hazbiut e Feçor Shehut, ajo ngjarje ri doli “në skenë” dhe si rezultat, u liruan nga burgu e internimi të gjithë pjesëtarët e “grupit armiqësor”, që ishin akuzuar për dëmtimin e automjeteve të ambasadave të huaja (me përjashtim të Prendushe Dedës, që u lirua me amnistinë e vitit 1986), e kthimin në vendin e punës së Neshat Tozajt, (si Drejtor i Laboratorit Qendror Kriminalistik pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme) i cili disa vite më pas, shkroi romanin “Thikat”, që asokohe do të bënte një bujë të madhe, duke u ribotuar disa herë!
Dokumenti sekret me relacionin e hartuar nga Rexhep Kolli, funksionar i lartë në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së për organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, dërguar eprorëve të tij, lidhur me problemin e “Grupit kriminal armiqësor”, që ishin arrestuar e dënuar për dëmtimin e automjeteve të ambasadave të huaja në Tiranë!
DISA ÇËSHTJE PËR T’I SHTRUAR DHE SQARUAR NË ORGANIZATËN BAZË TË PARTISË TË DREJTORISË SË HETUESISË
ç. Më 28.5.1981 në organizatën bazë, kur ju diskutonit rreth raportit “kritika dhe autokritika mjet i fuqishëm për gjallërimin e jetës së brendshme dhe rritjen e rolit udhëheqës të organizatës bazë”, ndër të tjera është ngritur edhe ky problem, por jo në raport.
– Shoku Elham, duke diskutuar ka bërë po atë autokritikë që bëri në komitetin e Partisë të Ministrisë më 29.4.1981, aq sa thuhet edhe në përgjithësim. Shokët kanë bërë disa pyetje:
– Shoku Florian pyet: A është internuar familja e vajzës dhe vajza? Po të jetë kështu, duhet të bjerë tani edhe kjo masë. A është e drejtë të thuhet se, Sokoli nuk e kupton rëndësinë e çështjes?
– Shoku Jorgo Çuli, pyet: A ka porosi nga shoku Bato që ky problem të analizohet?
Shokët kanë shfaqur mendimet e tyre rreth këtyre pyetjeve. Kështu:
– Shoku Elham ka thënë: “Masa e internimit është marrë më parë për tërë familjen. Prokuroria e Tiranës nuk miratoi sanksionin e arrestit, pse nuk kishte bindje, por u urdhërua nga zv/Prokurori i Përgjithshëm. Sokol Koleka e ka bërë nga pakujdesia dhe duke u ndikuar nga fjalët e thëna prej meje. Në qoftë se organizata do të analizoi problemin, mendoj të përgatitemi dhe të ndalet organizata në pikën “të ndryshme”.
– Shoku Jorgo Çuli, ka thënë: “Po ka porosi nga shoku Bato, ky problem të analizohet në pikë të veçantë”.
– Shoku Pelivan Luçi: “Shoku Bato tha që të sqarohet organizata, prandaj dhashë mendimin…”!
– Shoku Xhezo Hodaj, ka thënë: “Unë mendoj se ky problem nuk është i nevojshëm të analizohet në organizatë, të ngelet me kaq”.
– Shoku Kristo Vangjeli, ka thënë: “Jam dakord për Elamin me kritikën, kurse për Sokolin duhet parë problemi”.
– Reshat Leskaj, ka thënë: “Jam i mendimit të mos thellohemi në masat”.
– Shoku Irfan Shaqiri, ka thënë: “Jam i mendimit që gabime do të ketë dhe neve do i kritikojmë të metat e gabimet, por jo të marrim masa të rënda. Gabimi i fundit i Sokolit nuk ka lidhje me gabimet e mëparshme. Shoku Elham e bëri autokritikën dhe duhet të ngelet me kaq”.
Gjykoni pra shokë dhe reflektoni pak në materialet e Partisë dhe në mësimet e shokut Enver. A është trajtuar mirë e drejt problemi në këtë mbledhje të organizatës bazë?
Këtu gjithçka është parë cekët dhe prandaj dalin disa çështje që duhen sqaruar:
– Pse e ka shtruar kështu problemin shoku Elham, duke thënë: “Në qoftë se organizata do ta analizoi problemin”, “të përgatitemi e të ndalet organizata në pikën të ndryshme”? A nuk e ka të qartë ky shok, se organizatës bazë i duhet raportuar për punën dhe shkeljet e ndryshme? Ky mori porosi në komitetin e Partisë që problem të analizohet në organizatë, ç’bëri shoku Enver nga data 30 prill 1981 e deri më 28 maj 1981, që nuk ishte përgatitur për t’i raportuar organizatës? Si qenka e mundur që një shkelje kaq e rëndë ligjshmërie, që u solli vuajtje të padrejta disa qytetarëve, të analizohet në pikën “të ndryshme”? A nuk kemi të bëjmë këtu me koncepte nënvleftësuese ndaj organizatës bazë dhe rolit të saj udhëheqës?
– Si shpjegohet që disa komunistë kanë dhënë mendime të cekta e që bien erë servilizmi, si: “ky problem nuk është i nevojshëm të analizohet në organizatë, të ngelet me kaq”, “të mos thellohemi në masat”, “shoku Elham e bëri autokritikën, të ngelet me kaq” etj., dhe kjo kur çështja nuk është analizuar fare, kur edhe me përgjithësimin, këta shokë nuk ishin njohur?
– Si shpjegohet që organizata e juaj nuk ju fut këtij problemi e të kërkojë llogari, që edhe kur u vu në dijeni, u kënaq me një autokritikë të përciptë?
- Më 25.4.1981, Këshilli Gjyqësor i Gjykatës të rrethit të Tiranës, e prishi vendimin Nr.65 datë 19.12.1981, të Gjykatës së Shkallës së Parë, që u takon të pandehurve Edmond Ruzi dhe Lindita Bekës, duke e kërkuar çështjen për hetime të reja.
– Lidhur me këtë, dalin disa çështje që kërkojnë sqarime:
– Çfarë hetime të reja bëri Hetuesia? Ju do të thoni atë e di dega e Hetuesisë së Tiranës. Mirëpo, ju që merreni me kontrollin e Hetuesisë, çfarë dini?
– Pse nuk u pa çështja e zbatimit të nenit 100 të Kodit të Procedurës Penale dhe të nenit 57 të Kodit të Punës për Lindita Bekën? Edhe për këtë ju do të thoni, ajo i përket degës së Hetuesisë së Tiranës. Mirëpo, ju e dinit problemin, pse e keni pasur çështje të centralizuara, dinit edhe se si u bë marifeti për sanksionin e arrestit.
Në këto rrethana, shoku Elham dhe ndonjë shok tjetër që është marrë me këtë, a nuk duhet të reflektonin? Po ju që merreni me kontrollin e ligjshmërisë ne hetim, nuk e shikoni zbatimin e nenit 100 të Kodit të Procedurës Penale dhe të nenit 57 të Kodit të Punës si objekt të punës suaj?
A e dini ju se Lindita Beka u sorollat disa muaj pa punë, se më 27 gusht 1981, dega Hetuesisë së Tiranës i dha asaj dorazi vërtetimin për pushimin e akuzës, në vend që të kishin shkuar që më 1 mars në uzinë dhe t’ia komunikonin në kolektiv? A e dini ju se edhe këtë vërtetim për pushimin e akuzës, si dhe për sistemimin e saj në punë, u desh ndërhyrja e Prokurorisë së Përgjithshme, se deri më 10.12.1981, ende nuk i qe dhënë paga për kohën e qëndrimit në burg?
A dini ju se Lindita, nga 1 marsi e deri më 1 gusht, ishte pa strehim? A e dini ju se për këtë vajzë, si qendra e punës dhe lagja, formuan një opinion të keq, sepse Hetuesia nuk informoi ato për asgjë?
– Por kur Hetuesia heq aktet nga dosjet penale, ndryshojnë datat në akte etj., ju shokë të kontrollit, a duhet të veproni, në se po, pse nuk vepruat në rastin konkret?!
- Kur ne filluam më 7 dhjetor 1981 të kontrollojmë e sqarojmë çështjet e lidhura me këtë proçes penal, shokët e drejtorisë së Hetuesisë dhe ata të degës së Hetuesisë së Tiranës, na nxuarën pengesa, në kuptimin që nuk na i thanë hapur që në fillim si është e vërteta. Na u desh të bënim disa ballafaqime midis kuadrove, disa ballafaqime me dokumentet. Shtrohet çështja:
– Pse na e bënë këta shokë këtë gjë, çdo të thotë kjo?
– A nuk ishte me vend që shokët të reflektonin mbi gjithçka rreth proçesit dhe pasojave që rrodhën prej tij, t’i thonin ku e pse u bënë shkeljet, të mendonin edhe për masat si t’i venë në vend këto shkelje?
– Si kuptohet e konceptohet kontrolli i aparatit të Komitetit Qendror të Partisë, pse na fshihen gabimet dhe të metat? Ne na ka porositur udhëheqja e Partisë, e kjo lypset të jetë e qartë për të gjithë, nuk vijmë për “t’u zënë në gabime”, por për të mësuar si punoni, si i zbërtheni e zbatoni direktivat, ç’përvojë pozitive keni dhe natyrisht kur keni shkelje edhe t’u vëmë në dukje, edhe t’u rikujtojmë mësimet e Partisë e të shokut Enver.
Tiranë, më 7.1.1982 Rexhep Kolli
DISA PROBLEME PËR T’I THEKSUAR NË KOMITETIN E PARTISË TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME
Me konkluzionet që shtruam në organizatën bazë, ju u njohët shokë. Këto çështje në organizatën bazë u analizuan dhe ajo i gjykoi me pjekuri dhe frymë të lartë partishmërie, duke nxjerrë jo vetëm shkaqet që e çuan shokun Elham të shkeli ligjet në mënyrë flagrante, por edhe përgjegjësinë e saja, e të secilit komunisti, që nuk e parandaluan shkarjen e shokut Elham në këto gabime e faje. Kjo i dha mundësi shokut Elham që në fund të diskutimeve të shokëve, të reflektoi më mirë e ta thelloi autokritikën.
Çfarë tha organizata bazë konkretisht? Ajo tha se shoku Elham është një kuadër i aftë dhe me përvojë në punën hetimore, se ka drejtuar e zhvilluar hetime për procese të mëdha e të një rëndësie të veçantë, se edhe nga niveli politiko-ideologjik, është shok i përgatitur. Po pse atëhere e bëri këtë shkelje të rëndë të ligjshmërisë socialiste, si shpjegohet kjo? Komunistët me argumente i dhanë një shpjegim të qartë dhe të drejtë kësaj pyetje.
Ata thanë se: fakti që shoku Elham ka një kohë të gjatë në Drejtorinë e Hetuesisë, se ka drejtuar e zhvilluar procese penale të mëdha, për nga rëndësia e karakteri i tyre, u bë drejtor dhe mbahej afër nga shoku Feçor e shoku Bato, kultivoj ai mendimin se: “unë jam më i afti, se unë i di mirë ligjet e normat juridike”, se: “normat e ligjet janë për të tjerët, jo për të”.
Kështu u kultivua dhe lulëzoi tek ky shok mendjemadhësia politike e profesionale, duke mbivlerësuar veten dhe nënvlerësuar shokët, u kultivua tendenca e vetëkënaqësisë e euforisë, shfaqja e punës për t’u dukur, prepotenca e arroganca.
Për të argumentuar këto koncepte dhe shfaqje të huaja për moralin komunist të cilat kishin zënë vend tek shoku Elham, organizata bazë dha këto fakte konkrete:
- Shoku Elham nënvleftësonte organizatën bazë dhe rolin e saj udhëheqës. Ai nuk jepte llogari në organizatë, njëlloj si ne komunistët e tjerë. Prandaj, në vend që të përgatitej me kohë e t’i raportonte organizatës për shkeljen e shkaqet dhe përgjegjësinë, shokët thanë, u revoltua kur i’u kërkua të japë shpjegime.
Jo vetëm kaq, por shoku Elham tha: “Po të dojë organizata të analizojë, të përgatitemi e të dalë ajo në pika të ndryshme”, kur kjo shkelje kishte mbi një muaj që ishte ngritur nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Gjykata e Lartë.
Për më tepër, shoku Elham, pikërisht në këtë mbledhje organizate, kur i kërkoheshin shpjegime, kërkonte leje të ikte nga mbledhja, nën pretekstin se: “ka një punë me rëndësi”, sikur mbledhja e organizatës nuk ishte me rëndësi?! Por problemi i shkeljes së ligjit që duhej shpjeguar dhe analizuar, nuk ishte i rëndësishëm për shokun Elham?!
Nënvleftësimi i organizatës bazë nuk është vetëm për këtë rast, por ai, siç thonë shokët, në mbledhjet e organizatës, vazhdimisht diskutonte, u mbyste kritikën komunistëve, duke u bërë karakteristikat komunistëve, kohë e pa kohë. Kur diskutonte për një problem, fliste diçka për vete dhe pastaj fillonte me radhë për komunistët e tjerë, duke u bërë karakteristikat dhe kjo jo për të gjithë, por vetëm për ata që nuk i shkonin pas avazit.
Kuotat e Partisë, nuk shkonte vetë e t’ja jepte sekretarit të organizatës, por priste që sekretari të vente në zyrë dhe t’ja merrte. Për këtë arsye, shpesh kishte muaj që nuk paguante dhe pastaj i thoshte sekretari i organizatës: “Shoku Elham, ke dy muaj pa paguar kuotat e Partisë”! Pra shoku Elham, nuk e ndjente rolin e organizatës dhe nuk i lidhte fjalët me veprat.
- Komunistët thanë se: shoku Elham nuk merrte pjesë në punën profesionale, kurse në punën ushtarake, shkonte sa për të bërë qitjen. Kur shokët në bazë të planit përgatitën një raport, “si shkon puna profesionale dhe masat për ta përmirësuar atë”, shokut Elham nuk i pëlqeu ky raport, se ata thonin në raport, midis të tjerash, që: “Puna profesionale nuk shkon mirë, pasi dhe shoku Elham si drejtor, nuk merr pjesë”!
Për këtë arsye, ai e hoqi shokun Pelivan nga grupi i punës dhe e ndryshoi raportin. Pra, urdhri i ministrit për punën profesionale, “nuk mund të zbatohej për shokun Elham”, pse ai “s’ka nevojë, i di të gjitha”?! Memorie.al
Tiranë, më 12.1.1982 Rexhep Kolli
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016