Dashnor Kaloçi
Memorie.al/ Letra me informacionin denoncues për regjisorin e njohur që u shtyp për udhëheqjen: “Pesë personazhe (shoqe), paraqiten në dramë si femra të degjeneruara, të deziluzionuar në jetë, pijanece, të paciptat, të braktisura nga një e më shumë të dashur. Jeta në konvikt e këtyre shoqeve paraqitet e ulët dhe poshtëruese”.
Dokumenti që po publikojmë i përket datës 9 shtator të vitit 1973 dhe është një raport-informacion që mban nënshkrimin e Andon Rrudha, dërguar Ramiz Alisë, sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, që asokohe por dhe më pas mbulonte Artin, Kulturën dhe propagandën e partisë.
Nga sa shihet në fund të këtij raport-informacioni, ai është shtypur në pesë kopje, gjë e cila më shumë gjasa (nisur kjo, nga praktika e punës mbi të cilën rëndom funksiononte aparati i Komitetit Qendror të PPSH-së), i është dërguar edhe funksionarëve të tjerë më të lartë, si; Manush Myftiut, Mehmet Shehut dhe deri Enver Hoxhës?!
Gjë e cila e pati zanafillën direkt pas Festivalit të 11 Kombëtar të Këngës në Radio-Televizion, ku pjesa më e madhe e dokumenteve të asaj periudhë, janë parë dhe kanë firmën e Enverit dhe Ramizit, apo dhe shënime përkatëse të tyre. Ashtu siç do të shohim më poshtë dokumentin përkatës, Andon Rrudha (instruktor i Komitetit të Partisë së Rajonit që mbulonte Kombinatin Tekstilit “Stalin”), ka informuar në rrugë partie, eprorët e tij më të lartë, lidhur me një dramë që regjisori i famshëm i atyre viteve, Kujtim Spahivogli, (i diplomuar në Moskë në vitin 1956), po përgatiste të vinte në skenën e Kombinatit të Tekstileve “Stalin”.
Tema të cilën ai kishte përzgjedhur, si për koincidencë i ishte kërkuar edhe nga Osman Laze, drejtori i Klubit të Kulturës së Kombinatit të Tekstileve “Stalin” në Tiranë, merrte shkas nga jeta e vajzave dhe grave të atij kombinati të madh, ku ishin sistemuar me punë shumë të tilla, që nga fillimi i viteve ’50-të, kur ai filloi prodhimin.
Regjisorit i njohur Kujtim Spahivogli, këtë realitet të punës dhe ngjarjeve që ndodhnin në Kombinat, e gdhendi në art, duke e pasqyruar në një dramë, që çuditërisht ai e kishte pagëzuar me titullin: “Kurvat e Kombinatit”?! Por që natyrisht ajo dramë nuk është aprovuar nga autoritetet partiake përkatëse dhe nuk është vënë kurrsesi në skenë. Ajo që të habit më shumë, apo më saktë pjesa më interesante, nuk është titulli i dramës, (që gjithsesi ka qenë një guxim i Spahivoglit,), se sa qëndrimi që ai mban në atë vepër?! Ku në fund të saj, jepet monologu i personazhit kryesor, Lumtos, që i tregon plakës së shtëpisë ku ishte strehuar, për historinë e një vajze, e cila kishte pasur një fund të keq, pasi kishte shkuar të punonte në kombinat, pa lejen e prindërve.
Dhe kjo duket që nuk i ka shpëtuar as përpiluesit të raport-informacionit, i cili shprehet se: “Autori bën një lloj proteste, po kundër kujt”?! Duke lënë të kuptohet qartë se ajo protestë është kundër partisë, e cila iu bënte thirrje grave dhe vajzave, që të vinin dhe të punonin në kombinat. Nuk dihet me saktësi se sa ka ndikuar ky raport-informacion, në goditjen e mëvonshme që iu bë Spahivoglit, (nga ajo periudhë ai u dërgua si punëtor në Ndërmarrjen e Ndërtimeve të Fierit, ku jetoi në kushte të vështira jetese, deri sa ndërroi jetë në vitin 1987).
INFORMACION
MBI NJË DRAME TE KUJTIM SPAHIVOGLIT PARAQITUR NE KLUBIN E KULTURËS TE KOMBINATIT TEKSTILEVE “STALIN”
Bashkë me shokun Idriz, morëm takim me shoqen Eftimi Lito dhe drejtorin e Klubit të Kulturës, shokun Osman Laze, për çështjen e një drame që Kujtim Spahivogli, i ka paraqitur këtij institucioni. Shoku Osman Laze, si drejtor i Klubit të Kulturës, i ka kërkuar Kujtimit, një dramë ku të paraqitej figura e gruas tekstiliste të Kombinatit. Kujtimi i është përgjigjur kërkesës dhe i ka thënë se për një vepër të tillë, unë po punoj dhe e kam titulluar “Kurvat e Kombinatit”.
Shoku Osman i ka thënë se me këtë titull, nuk ta pranoj në asnjë mënyrë. Mbasi një kopje të dramës me titull “Hapat e para, dhimbjet e fundit” Kujtimi e ka dorëzuar. Pjesa është diskutuar nga shokët e Këshillit Artistik të Klubit dhe nuk është aprovuar. E cilëson si një vepër që nuk i përgjigjet realitetit dhe poshtëron figurën e gruas.
Ne e lexuam këtë dramë dhe me të vërtetë përmbajtja të revolton. Sido që titulli është ndryshuar, përmbajtja mbetet po ajo. Po japim shkurtimisht disa gjëra:
Pesë personazhe (shoqe), paraqiten në dramë si femra të degjeneruara, të deziluzionuar në jetë, pijanece, të pacipa, të braktisura nga një e më shumë dashnorë. Jeta në konvikt e këtyre shoqeve, paraqitet e ulët dhe poshtëruese. Nga goja e këtyre vajzave të reja, që kanë lënë familjet e tyre dhe kanë ardhur në Kombinat, del një fjalor i shthurur, që të dhimbsen për jetën ku janë katandisur. Ato kanë rënë pas alkoolit, pas librave të verdha, pas dashurisë së shthurur, janë bërë viktima të matrapazëve dhe për gjendjen e tyre shpirtërore, nuk kujdeset njeri. Vetëkuptohet se këtu kemi të bëjmë me një vetë shtrembërim flagrant, të realitetit tonë socialist. Lumta, një nga personazhet kryesore që ka dështuar në dashuri, përfundon me Demon, me të cilin kanë dhe një fëmijë. Duke mos i rezistuar opinionit përbuzës në Kombinat, Demo e bind Lumton, të largohet nga Kombinati, ata enden pa strehë nëpër Tiranë, pa punë, në një gjendje të vështirë ekonomike. Një plakë i strehon për mëshirë. Por edhe këtu çiftin e ndjekin fatkeqësitë e thashethemet. Gjithnjë nën motivin si “vajzë e Kombinatit”, matrapazët i vërsulen. Demo, i shoqi, përfundon vetë si matrapaz. Lumto, çoroditet. Në tërë këto peripecira ajo mbetet fill e vetme. Nuk di ku të ankohet, ku ta qajë hallin. Opinioni i shëndoshë, forca e partisë, nuk duket gjëkundi. I vetmi personazh disi i ftohtë del Iliri, biri i plakës, ku këta janë strehuar, por ky nuk është deçiziv. Kështu Lumto, ndjek një rrugë fataliste, krejt individuale, karakteristike kjo për vendet kapitaliste e revizioniste. Nga fundi, autori na jep monologun e Lumtos, drejtuar plakës ku i thotë: për historinë e një vajze, e cila duke mos dëgjuar prindërit, ju përgjigj thirrjes së Partisë dhe erdhi në Kombinat, por këtu atë e ndoqën fatkeqësitë. Mesa duket, autori këtu bën një lloj proteste, por kundër kujt?!
Nga fundi autori e kthen Lumton në konvikt, midis vajzave dhe shoqeve të saja, ku pak më parë në aktin e pestë, gjendja na jepet e pandryshuar.
Duhet thënë se, sido që kjo dramë nuk u vu në skenë, shokët e Kombinatit duhet të kishin mbajtur qëndrim duke bërë një diskutim masiv./Memorie.al
Andon Rrudha Koncep. A Rrudha Dakt. Z. Tola
7/9/973
(firma)
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016