Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së pranë Arkivit Qendror të Shtetit që i përkasin periudhës së viteve 1973 -’74 dhe bëjnë fjalë mbi një korrespodencë të shefit të kabinetit të sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, për artin, kulturën dhe propagandën, Ramiz Alia, (Ilo Kodra) me sekretarin tjetër të Komitetit Qendror, Hysni Kapon, lidhur me një letër ankesë, që ka paraqitur aktori i Teatrit Popullor, Sheri Mita, ku ai tregon për një konflikt dhe mosmarrëveshje, që ka pasur me Drejtorin, Vaskë Aristidhi, lidhur me mos aprovimin e dramatizimit të pjesës teatrale “Vitet e paharruara”, që ai donte ta vinte në skenë në Teatrin Popullor. Si u acarua ai konflikt, që zgjati dy vite me radhë ku për zgjidhjen e tij, u angazhuan tre figurat kryesore udhëheqës të lartë komunist, pas Enver Hoxhës, (Hysni Kapo, Ramiz Alia dhe Manush Myftiu) duke kërkuar dokumentet e zyrës së Kuadrit, për aktorin Sheri Mita dhe për të kaluar në një “sitë” të hollë biografitë e familjarëve të tij dhe të të afërmve, ku rezultonte se ai kishte pasur babanë të arratisur në SHBA-ës, xhaxhanë xhandar, gjatë Luftës dhe disa të afërm të tij të përjashtuar nga partia, gjë e cila u bë shkak që drama e tij të mos aprovohej për t’u vënë në skenë, pasi sipas tyre, “ajo kishte frymë social-demokracie, që nuk kishte ekzistuar në Shqipëri”, si dhe “implikimi” i disa aktorëve, dramaturgëve e regjisorëve të Teatrit Popullor, si: Riza Hajro, Pirro Mani, Esat Oktrova, Pjetër Gjoka, Sulejman Pitarka, Luan Qerimi, Dhimitër Pecani, etj.
Udhëzimet dhe porositë e shefit të kabinetit të Ramiz Alisë
Për porosi shokut Hamit
U bisedua me shokun Mantho Bala, Dashnor Mamaqi dhe shokun Xhabir, sekretar i Komitetit të Partisë të Rajonit Nr. 1.
Dt. 19/5/1973
- Mund të mos aktivizohet në kinematografi (Mantho Bala)
- Mund të thuhet se pse mban lidhje me letra me babanë (nga kolektivi dhe ndokush)
- Më vonë nga shtatori në kuadrin e qarkullimeve që mund të bëhen, mund të vejë në ndonjë teatër tjetër (me Mantho Balën dhe Dashnor Mamaqin). Me këtë rast të sqarohet se pse ka ardhur nga Elbasani në Tiranë.
Biografia e aktorit Sheri Mita sipas dosjes së zyrës së Kuadrit
TE DHËNA BIOGRAFIKE PËR AKTORIN E TEATRIT POPULLOR
SHERI MITA
Nga shqyrtimi i dosjes personale të Sheri Mitës në Komitetin e Partisë të Rajonit Nr. 1 dhe disa mendime të shkëmbyera për këtë qëllim edhe me disa shokë të tjerë, rezulton si më poshtë:
Ka lindur më 14. I. 1943 në fshatin Fterrë të rrethit të Sarandës. Rrjedh nga një familje me origjinë shoqërore fshatar u varfër.
I ati, Shefki Mita, që nga viti 1939 e deri më 1943 ka qenë arsimtar. Në karakteristikën e Institutit të Lartë të Arteve thuhet se i ati i Sheri Mitës, ka qenë i lidhur shumë me Lëvizjen nacional-çlirimtare, por nga fundi i Lëvizjes nacional-çlirimtare, me qenë se ka vjedhur u tremb se mos e vrisnin dhe shkoi në Tiranë, ku siguroi bursë dhe iku për studime në Salsburg të Austrisë. Mbas mbarimit të studimeve, ka ikur në SHBA ku punon si profesor dhe si mbas të dhënave që kemi, nuk zhvillon aktivitet kundër vendit tonë, dhe nuk dihet nëse ka ndërruar shtetësinë. E ëma e Sherit, punon si kuzhiniere dhe që nga viti 1952 është shkurorëzuar me të shoqin. Lidhjet e Sherit me të atin janë të rralla dhe merr letër 1-2 vjet.
Një dajo i Sherit, Nail Bezhani, i cili ka qenë partizan dhe ka punuar në ndërmarrjen 21 Dhjetori, tani është si invalid i KEMP-it, është përjashtuar nga Partia me motivacionin “Për mungesë sinqeriteti në dokumenta”. Dajua tjetër, Nafiz Bezhani, me profesion, avokat, gjithashtu është përjashtuar nga Partia me motivacionin për “humbje të besimit në vijën e Partisë”, sepse ka qenë bashkëpunëtor i grupit antiparti që doli në Konferencën e Tiranës. Një xhaxha i Sherit, Arif Mita, ka qenë xhandar në Tiranë dhe është vrarë më 1943 në Durrës në një përpjekje me armë me xhandarët e atjeshëm. Nga fisi i nënës, ka gjithashtu kushërinj të parë, Ismet Elezin, Besim Elezin, Jakup Maton etj. Sipas autobiografisë të vetë Sheri Mitës, ka në farefisin e tij rreth 16 anëtarë partie.
Vetë Sheri Mita ka mbaruar më 1961 Teknikumin e Ndërtimit dhe deri në vitin 1963 ka punuar në Drejtorinë e Ujërave në Durrës dhe pastaj në Ministrinë e Komunikacionit si përgjegjës teknik i rrugës Durrës-Tiranë.
Nga 1963 e deri më tani ka vazhduar Institutin e Lartë të Arteve. Me mbarimin e Institutit është emëruar aktor në Teatrin profesionist të Elbasanit, ku sipas dokumenteve ka punuar mirë. Por në një karakteristikë të Komitetit të Partisë të Elbasanit, thuhet se Sheri Mita e shikon shumë interesin personal. Nga korriku i vitit 1968 e deri në korrik të 1969-ës, ka kryer zborin ushtarak si student i diplomuar, dhe nga data 1.II.1970 me vendim të Sekretariatit të Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës, është emëruar aktor në Teatrin Popullor, ku punon edhe sot.
Me këtë problem, kohë më parë, është marrë edhe Ministria e Arsimit dhe Kulturës dhe problem i të atit të Sherit ka rezultuar njëlloj si dhe në këtë verifikim që bëmë ne tani.
A.M.
Tiranë, 29.IV.1973
Letra ankesë e aktorit Sheri Mita, dërguar organizatës së partisë së Teatrit Popullor
ORGANIZATËS BAZE TE PARTISË
TEATRIT POPULLOR
T I R A N E
K ë r k e s ë
Drama ime “Vite të paharruara”, të cilën e kam shkruar me porsi të Drejtorit të Teatrit tonë (personalisht të drejtorit me piksnim që të vihet në skenë nga Theatri Popullor (e drejta e vënies së parë), u aprovua në disa mbledhje të Këshillit Artistik, por për fat të keq u spostua, megjithëse kishte radhën.
Jam i mendimit, që rruga e spostimit të saj nuk është e drejtë, për këto arsye:
- Të dy dramat pretendente, imja dhe e Kol Jakovës, u vlerësuan nga Këshilli Artistik veç e veç, paralelisht, u aprovuan të dyja paralelisht dhe nuk u bë ballafaqim i tyre. Nuk u mblodh këshilli për të konkluduar përfundimisht, se cila duhet vënë.
- Drejtori përdori veton dhe e paraqiti mendimin e tij në Komitetin Ekzekutiv të shtrembëruar. (Përgjigja që më dha Komiteti Ekzekutiv: Drama jote ka vërejtje, kurse tjetra është e gatshme)
- Në veton që përdori drejtori (nuk kam kundërshtim që ai të vendos vetë, por në rrugë të drejtë), nuk morri parasysh vijën e masave, përderisa nuk mori mendimin e kolektivit (për drama të tjera e ka marrë këtë mendim), dhe ajo që është më kryesorja, nuk mori mendimin e organizatës.
- Marrëdhëniet e tija me mua si autor nuk ka qenë e mirë. Kur i kam paraqitur dramën, nuk ka pranuar të bisedojë (dramën ma porosit vetë), por përkundrazi ka përdorur një takt shumë ofendonjës, duke thënë: “Ikë se s’ke bërë gjë”. Kërkova me qetësi, pa e prishur gjakun, bashkëbisedim për foshnjën (dramën), por përsëri i njëjti qëndrim mospërfillës: “Drama jote nuk bën”. U detyrova t’i them se: “Koha do ta tregojë se është apo nuk është e mirë”. U largova i thyer shpirtërisht dhe vazhdova me këmbëngulje punën me dramën. Koha tregoi se puna ime ishte e mirë. Këshilli e aprovoi. Mendimi im është se shoku Vaskë Aristidhi, për të mos humbur prestigjin e tij, me që tha që: “Drama jote nuk bën”, dhe këtë mendim nuk nguroi ta përhapte edhe te njerëz të ndryshëm e mes të tjerëve edhe Shefqet Musaraj, ka ngulur këmbë që të mos vihet. Për këto rezerva, mendoj se çështja e dramës sime duhet të shqyrtohet në organizatën e partisë.
Përshëndetje revolucionare
Sheri Mita
Tiranë, më 25/9/1974
Shënimi i Qemal Myrselit, instruktor në Komitetin Qendror
Ky informacion paraqet një gjendje jo të shëndoshë të organizatës së partisë të Teatrit Popullor. Egoizmi profesional, ndarjet dhe grindjet aty vazhdojnë. Mendoj që Komiteti i Partisë së Tiranës ta analizojë me ekip dhe të marrë masa për shëndoshjen e gjendjes duke larguar po qe nevoja edhe ndonjë aktor apo regjisor.
30/9/1974
Shënimi i Hysni Kapos
Në qoftë se Ramizi e ka parë, ta shoh Pirro Kondi dhe Hamit Beqja.
Të ndihmohen e kontrollohen organizata e Partisë në këto institucione qendrore që të forcohet roli i tyre dhe puna ideologjike me punonjësit, sepse ka njerëz me lakra në kokë.
Hysni Kapo
1.II.1974
Raport-informacioni i Ilo Kodrës, sekretar i Ramiz Alisë, lidhur ne problemin e Sheri Mitës
I N F O R M A C I O N
Në datën 26.9.1974 u bë mbledhja e organizatës bazë të Teatrit Dramatik për të aprovuar repertorin për vitin 1975.
Në materialin që u paraqit dhe nga diskutimet doli se Teatri po e kalon situatën jo të mirë që i’u krijua nga veprimtaria e dëmshme e Fadil Paçramit dhe shfaqjet e liberalizmit në këtë institucion. U tha, veç të tjerave, se Fadili kishte dëmtuar teatrin edhe duke krijuar gjendje jo të mirë të autorëve që nuk i pëlqenin atij të cilët dalëngadalë pothuajse ishin larguar nga teatri.
Tani kjo gjendje ka ndryshuar si rezultat i luftës që bëri partia kundër liberalizmit, i punës më të kujdesshme të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe luftës e punës që po bën organizata bazë, kolektivi e drejtuesit e këtij institucioni, teatrit i janë ofruar tani një numër i mirë drama dhe bashkëpunimi e ndihma me autorët është rritur.
Paralelisht me këto është rritur roli drejtonjës i organizatës bazë e cila po merret më mirë me probleme kryesore, me repertorin etj., dhe kur ka shqetësime shqyrton edhe pjesët që mendohet të shfaqen.
Konkretisht tani Teatri ka mundësi të shfaqë 4 vepra origjinale dhe 3 dramatizime, të cilat i ka aprovuar Këshilli Artistik dhe që praktikisht përbëjnë repertorin e vitit 1975. Ata kanë dhe 5 drama të tjera që konsiderohen të vlefshme për të kaluar për shqyrtim në Këshillin Artistik.
Ky fakt u konsiderua shumë pozitiv nga organizata dhe diskutanët vunë në dukje punën e mirë të drejtorit, shokut Vaskë Aristidhi dhe të Këshillit Artistik në këtë drejtim.
Megjithatë në organizatë u bënë vërejtje për punë më të mirë në të ardhmen. Kështu p.sh. u kritikua fakti që shumë nga dramat që mendohet të përfshihen në repertorin e vitit 1975 të cilën organizata do ta aprovonte, nuk janë të njohura nga autorët e organizatës. U kritikua një rast kur komunistët u porositën të lexonin dy drama se do t’u kërkohej mendimi për to, por në fund ky mendim nuk u kërkua.
U bënë gjithashtu vërejtje ndaj drejtorit Vaskë Aristidhi për të qenë më i kujdesshëm me autorët, sidomos kur është fjala për vlerësimin e veprave të tyre dhe më i përmbajtur lidhur me kërkesat e kolektivit.
Në organizatë u ngrit me forcë çështja e regjisorit. Aty u tha se me urdhër të Ministrisë, i vetmi regjisor që kishte teatri, Pirro Mani, i kaloi Teatrit të Operës si ndihmë plus për të vënë në skenë operën “Komisari”, kurse si kuadër i ri, u është dhënë për këtë punë, Dhimitër Pecani, i cili ka dështuar në vënien e 2 pjesëve në skenë dhe përgjithësisht konsiderohet i dobët.
Organizata aprovoi si repertor për tani dhe vitin 1975 dramat: “Tymra që gërryejnë”, autor Ziso Cikuli, “Bashkë me agimin”, autor Kolë Jakova, “Lumi i vdekur”, dramatizuar nga Kudret Velça, “Epopeja e Ballit Kombëtar”, dramatizuar (Komedi), “Vite të paharruara”, dramatizim i romanit “Para agimit” nga Sheri Mita, “Duke gdhirë viti 1945” nga Teodor Laço, (botuar), “Dy gjynahet e pushkës”, dramë nga Hamza Minarolli.
Do të merren gjithashtu në shqyrtim nga Këshilli Artistik 5 drama të tjera.]
Aprovimi i bërë është në formë paraprake mbasi organizata i raportohet dhe kur ka kërkesë ajo e sheh konkretisht çdo dramë kur vjen koha për ta vënë konkretisht atë në skenë.
Mendimi im është se mbledhja u zhvillua mirë, organizata është preokupuar për mbarëvajtjen e punës në institucion dhe Lufton për të rritur rolin e saj udhëheqës.
Megjithatë në organizatë pati edhe shfaqje që tregojnë se në atë organizatë e aq më shumë në atë kolektiv, ka pre-dispozicion për t’u krijuar edhe për gjëra të vogla-gjendje të sëmura.
Një gjë e tillë ndodhi dhe në këtë mbledhje.
Aktori i këtij teatri, Sheri Mita, që njëkohësisht shkruan edhe drama, ka dramatizuar me kërkesën e shokut Vaskë Aristidhi, romanin “Para agimit”. Kur ky dramatizim u shqyrtua, shoku Vaskë tha se kishte disa vërejtje ideologjike, por që janë të ndreqshme, prandaj mund të punohet me të. (Vërejtja kryesore ishte se në dramë flitej për ekzistencën e një social-demokracie këtu te ne, gjë që nuk është theksuar ndonjëherë).
Mbi këtë bazë, aktori Pjetër Gjoka mendoi të vihej në rolin e regjisorit dhe të përgatiste këtë vepër për t’u shfaqur nga Teatri i Fierit.
Në këtë kohë ndodhi që Teatrit i’u morr regjisori Pirro Mani. Këtë boshllëk, Këshilli Artistik vendosi ta plotësojmë me forcat e tjera të veta, prandaj ngarkoi me detyrë aktorin Sulejman Pitarka, i cili filloi punën me një pjesë që menduan se mund ta vinte në skenë.
S’shkoi shumë dhe aktori Pjetër Gjoka kërkoi që për arsye se ka një gjendje të rëndë familjare (ka sëmurë rëndë një djalë), ta përgatisë dramën e Sheri Mitës, jo për në Fier, por për në Teatrin Popullor.
Kjo kërkesë u miratua dhe puna filloi.
Më vonë shoku Vaskë Aristidhi u thirr nga shoku Manush Myftiu për të raportuar mbi çfarë po bën Teatri lidhur me 30 vjetorin e çlirimit.
Shoku Vaskë tha se Këshilli i tyre ka shqyrtuar 2 dramat “Bashkë me agimin” të Kolë Jakovës dhe “Vite të paharruara”, dramatizim nga Sheri Mita, por për këtë të fundit, ka nja dy vërejtje ideologjike dhe mbi të gjitha e shqetëson çështja e regjisorit.
Shoku Manush tha se atë e shqetësonte ajo çështja e social-demokracisë në atë dramë dhe veç porosive të tjera, urdhëroi që Teatri të mos verë në skenë asnjë vepër në qoftë se nuk jepet regjisor. Kjo porosi ju komunikua edhe shokut Dashnor Mamaqi.
Shoku Dashnor në marrëveshje me Ministrinë vuri në dispozicion të Teatrit si regjisor të jashtë, shokun Esat Oktrova.
Shoku Esat deklaroi se ai ishte për të vënë në skenë dramën e Kol Jakovës e jo atë të Sheri Mitës. Në këtë kohë doli dhe mendimi se nuk ishte mirë që të vihej në skenë drama e Sheri Mitës, sepse është dramatizim dhe jo vepër origjinale, pra tregon varfëri krijimtarie gjë që nuk është mirë me që është rasti i 30 vjetorit.
Mbi bazën e këtyre arsyetimeve në një mbledhje në Komitetin Ekzekutiv (repertorin e aprovojnë Komitetet Ekzekutive), ku ishte dhe shoku Dashnor, u vendos që për 30 vjetor të përgatitet drama e Kolë Jakovës dhe jo e Sheri Mitës.
Ky vendim nuk i pëlqeu Sheri Mitës, i cili filloi të bluaj se kush po e pengon dhe gjeti shokun Vaskë Aristidhi. Në organizatë u tha se Sheri Mita ka deklaruar se ai është në dijeni për gjithçka është thënë në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv (ka mundësi nga ish-Drejtori i Teatrit, Riza Hajro, i cili u hoq për gabime me Fadil Paçramin), prandaj në çastin që po fillonte mbledhja e organizatës, me anën e shokut Luan Qerimi dorëzon tek sekretari një letër ku thuhet se: shoku Vaskë Aristidhi po e lufton atë, se ai ka vënë veton kundër dramatizimit të tij, etj., etj., prandaj i lutet organizatës bazë ta shqyrtojë këtë çështje.
Kjo çështje doli në organizatë dhe me nuanca të tjera. Shoku Luan Qerimi tha se: Esat Oktrova nuk don të vërë në skenë pjesën e Sheri Mitës, sepse ai ka dashur të dramatizojë vetë atë roman dhe ka dështuar, prandaj ai duhet të imponohet. Shoku Vaskë tha se: Sheri Mita po më sulmon kot dhe ka krijuar shqetësime në kolektiv etj., dhe në mbledhja u elektrizua.
Më në fund u dha sqarimi që unë përmenda më sipër dhe organizata u bind që duhet të vihet në skenë drama e Kolë Jakovës, e jo ajo e Sheri Mitës.
Fill pas mbas kësaj, në organizatë u ngrit çështja: si do të sqarohet kolektivi dhe u kërkua që të gjithë shokët të mbajnë të njëjtin qëndrim etj.
Kjo më krijoi përshtypjen se element jashtë organizatës ushtrojnë presion të madh te komunistët se i ngatërrojnë ata dhe nxisin e krijojnë situate jo të mira në organizatë.
Kështu p.sh. ish preokupacion si do të sqarohej Sheri Mita e Pjetër Gjoka, të cilin do ta vriste shumë sidomos tani që ka djalin shumë sëmurë, po t’i thuesh se nuk mund të ishte regjisor i një pjese për 50 vjetorin etj., kurse mbas Sherit janë 20 të tjerë.
Kjo nuk është një gjendje e mirë dhe ata do t’i ngatërrohen vazhdimisht po s’u punua që të shihet interesi i përgjithshëm e të luftohet egoizmi profesional.
Veç kësaj mendoj se organizata duhet të ndalet më mirë tek letra e Sheri Mitës, e përgjithësisht tek ky njeri. Disa vjet më parë për arsye të biografisë jo të mirë politike të tij, Ministria kishte vendosur që të mos i botonte fare shkrimet e Sheri Mitës. Ai u ankua te shoku Ramiz Alia dhe ne thamë që të shihet me kujdes kjo çështje e sidomos çdo vepër e tij.
Por me sa duket Sheri Mita kërkon tani edhe vend të parë ka ego profesionale të tepruar që e shtyn deri në mos përmbajtje dhe e kthimin e çështjeve në prizëm profesional apo në akuza pa vend.
Kjo gjë duhet shqyrtuar e goditur tek ai ndoshta që tani që është fillimi i krijimit të një gjendje të sëmurë në Teatër.
Bashkangjitur ndodhet letra që Sheri Mita i drejton organizatës bazë./Memorie.al
Ilo Kodra
Tiranë, 28.9.1974
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016