Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon letrën e ish-Ministrit të Mbrojtjes, Beqir Balluku për Enver Hoxhën, e datës 18 Shtator të vitit 1974, e dërguar nga Roskoveci ku vuante fillimisht internimin, i akuzuar si “armik i partisë dhe popullit”. Në 24 faqe të asaj letre, Balluku i shpjegon gjithçka ish-shefit të tij, duke filluar që nga periudha e Luftës, e deri në atë ditë që ndodhej aty, larg shokëve dhe i ndarë nga familja. Dhe me damkën e madhe si i “pushkatuar politikisht” ai i lutet Enverit dhe Partisë, që të vënë dorën në zëmër dhe t’i japin edhe njëherë mundësinë që për ato pak vjet të jetës që i kanë mbetur, t’i kalojë pranë shoqërisë socialiste, duke dhënë kontributin e tij qoftë dhe në duke punuar në punë krahu…?!
LETRA E BEQIR BALLUKUT PËR ENVER HOXHËN
Në mbledhjen e Këshillit të Mbrojtjes për aprovimin e tezave unë kam bërë disa vërejtje të vogla të cilat janë pranuar, dhe menjëherë pas aprovimit ne iu përveshëm punës për zbatimin dhe vënien e tyre në provën e jetës, rezultatet e punës dhe traditat organizative- luftarake të arritura në ushtri dhe në hallkat e tjera të mbrojtjes sipas kërkesave të tezave janë të njohura. E konsideroj të nevojshme të theksoj se Komiteti Qendror dhe shoku Enver që në fillim, për hartimin e tezave ndoqën rrugën e drejtë, neve na u dha skema për hartimin e tyre, dhe fillimisht me këtë detyrë në krye të një grupi pune u ngarkua shoku Petrit, i cili mbas disa muajsh përpjekje nuk ja arriti dot qëllimit, në kohën që shoku Mehmet paraqiti projektin e mbaruar, shoku Enver më ka thënë se në qoftë se neve kemi material të gatshëm sipas detyrës së vënë, e paraqitni për shqyrtim.
Në këtë kohë unë duke parë se projekti i paraqitur nga shoku Mehmet ishte një material që trajtonte në një nivel të lartë politik, ideologjik dhe ushtarak të gjitha problemet e mbrojtjes, që ishin në të vërtetë një doktrinë ushtarake dhe që materialet tona të grupit të parë, ashtu edhe të grupit të dytë, ishin jo vetëm larg tij, por të zbehtë dhe me trajtim të ngushtë, në këtë kohë unë i kam thënë shokut Enver, që të bazohemi në materialin e paraqitur nga shokut Mehmet dhe në këtë mënyrë u veprua. Unë kurdoherë kam vlerësuar lart ashtu siç janë aftësitë dhe talentin e shokut Mehmet në të gjitha fushat përfshi dhe atë ushtarake, e kam vlerësuar si krahun e djathtë të shokut Enver, si shokun që ka zbërthyer dhe zbërthen idetë e tij me talent e frymë të lartë M-L në të gjitha fushat, dhe në rastin konkret edhe në fushën ushtarake si gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare dhe në periudhën e pasçlirimit për forcimin dhe modernizmin e ushtrisë, e deri në hartimin e librit të tezave, kurrë nuk kam menduar të vejë vijën e barazimit të aftësive të mija të kufizuara me ato të Mehmet Shehut.
Balluku: Nuk mundëm të hartonim dot tezat e mbrojtjes
Siç thashë dhe më lart megjithëse ne na u dha skema taktike, dhe koha për hartimin e tezave me dy grupe pune, nuk mundëm ta kryejmë këtë detyrë. Duke e parë problemin në këtë plan, unë kam pranuar me bindje tezat dhe i jam përmbajtur faktit se neve nuk e kryejmë dot këtë detyrë sepse nuk ishim dhe nuk jemi në gjendje të kapim dhe të trajtojmë me një frymë kaq të lartë e parimore një rreth problemesh të tilla politike, ideologjike dhe ushtarake të lidhura dhe bazuara në kushtet e realitetit e teatrit shqiptar, por detyra jonë kryesore tani është zbërthimi dhe vënia e tyre në jetë energjikisht në të gjitha hallkat e mbrojtjes, kështu kam nisur rrugën me vendosmëri përpara zbërthimit e vënies së tyre në praktikën e në provën e jetës, si në fushën e organizimit e të përgatitjes luftarake e taktike-operative dhe të fortifikimit xhenier të vendit, sigurisht në raport të drejtpërdrejt me shkallën e njohjes dhe të përvetësimit të këtyre metodave të reja, duke u ruajtur nga format klasike të ushtrive të mëdha, dhe nga dogmatizmi në zbatimin e tyre.
Gjatë periudhës pesëvjeçare, d.m.th. deri në Plenumin e 12 të Komitetit Qendror të PPSH-së kur Byroja Politike mori në shqyrtim problemin e ushtrisë në bazë të raportit të Drejtorisë Politike, dhe të konkluzioneve të saj të tërhequra mbas konsultës mbi gjendjen e stërvitjes dhe gatishmërisë luftarake si dhe të marrëdhënieve të mia me Petritin, për çështje të tilla të metodës së punës, unë në këtë mbledhje u kritikova për pesimizëm dhe për tendencë të grumbullimit të kompetencave, mbi këtë bazë u muarrën masa organizative për përmirësimin e drejtimit, duke u shkarkuar unë nga lidhjet e shumta dhe u ngarkua shefi i shtabit.
E shtjellova këtë periudhë me qëllim që të nxjerr në pah, se përveç të metave dhe dobësive në stilin dhe metodën e punës gjatë punës 5 vjeçare të vënies në jetë të Tezave të Këshillit të Mbrojtjes, neve kemi luftuar kundër dobësimit e të metave në procesin e stërvitjes luftarake, si në lidhjen e saj me strukturën e hapjes organizative të ushtrisë dhe të hallkave të tjera të mbrojtjes, si përmirësimin e metodës së mësimdhënies dhe sigurimin e pjesëmarrjen e kontingjenteve që në këtë drejtim të vëreheshin dobësi të theksuara liberale dhe që pas Plenumit të 12–të të Komitetit Qendror, e veçanërisht pas Plenumit të 4 të K.Q., ky tregues pësoi ndryshime të mëdha pozitive si në pjesëmarrje ashtu dhe në drejtimin e sigurimin e saj me kuadro dhe bazë materiale, një ndikim pozitiv ka pasur në këtë fushë edhe krijimi i shkollave të lira mbi bazën e garnizoneve në vend, dislokimin e tyre në shkallë batalion-grup.
Balluku: U përqendrova kryesisht në mbrojtjen bregdetare
Pra pa mohuar aspak të metat dhe dobësitë e mia në punë, stërvitja luftarake është bazuar në kërkesat e Tezave të Këshillit të Mbrojtjes dukë vënë theksin në përmirësimin rrënjësor të stërvitjes së vogël të nënreparteve e reparteve, si bazë e përgatitjes dhe kompaktësimit të ushtrisë nga formacioni i vogël deri tek i madhi.
Krahas këtij kursi të drejtë gati për çdo vit janë zhvilluar e zhvillohen stërvitje me pjesëmarrje të gjerë të trupave dhe stërvitje të mëdha komando-shtabi të shkallës tekniko-operative dhe operative-strategjike, sepse këto janë binom dhe të lidhura organikisht në mes tyre, sepse pa ecjen e tyre paralele, nuk mund të zbatohen detyrat në fushën e luftës që parashikojnë Tezat e Këshillit të Mbrojtjes.
Temat e stërvitjeve të mëdha komplekse me pjesëmarrjen edhe të forcave vullnetare e organeve shtetërore të Partisë si në mbrojte, kundërmësymje, mësymje, bllokim e asgjësim të desantit ajror armik, janë karakterizuar kurdoherë në kryerjen me shpejtësi të manovrës së forcave e mjeteve, si paralel frontit ashtu dhe nga thellësia nën mbulimin kundërajror në shumë rrugë paralele natën, për në rajonet e përqendrimeve ose bazat e nisjes për kundërsulm e kundërgoditje të përgatitura posaçërisht për në pikëpamjen xheniere. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe 5 vjeçare më ka shqetësuar përsosja e mbulimit dhe sigurimit më të mirë të drejtimeve kryesore, veçanërisht të drejtimit bregdetar, kështu kam ecur unë në raport me Tezat e Këshillit të Mbrojtjes deri në Plenumin e 12 të Komitetit Qendror të PPSH-së, Qershor 1971.
Punimet e Plenumit të 12 të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe fjalimet e shokut Enver dhe Mehmet në këtë Plenum janë një afirmim dhe pasurim i mëtejshëm i tezave të Këshillit të Mbrojtjes, por unë këto mësime i kam kuptuar dhe e trajtuar në mënyrë të gabuar.
Pse ka ndodhur kjo?
Megjithëse gjatë periudhës 5 vjeçare, d.m.th. deri në Plenumin e 12 të K.Q. nuk kam shfaqur ndonjë lëkundje të hapur ose të hartoj ndonjë material, unë kam qenë nën efektin e influencës e ideologjisë borgjezo-revizioniste.
Në këtë vështrim, tek unë janë kristalizuar avash avash mendime dhe koncepte që vijnë në kundërshtim me tezat e Këshillit të Mbrojtjes, të cilat shpërthyen menjëherë pas Plenumit të 12-të të Komitetit Qendror dhe që më çoi të shkas në këto gabime dhe faje të rënda.
Balluku: Kam ecur qorrazi, kujtoja se isha mirë
Unë duke ndërmarrë këtë përpunim kam ecur me ndërgjegje të qetë se gjoja po mbështetem në konkluzionet e Plenumit dhe në emër të së resë, duke e gjykuar këtë fenomen në pozita të gabuara që kishin zënë vend në kokën time, kam menduar se arti ushtarak më tepër se çdo shkencë tjetër është në lëvizje dinamike dhe se ky fenomen kërkon njohje dhe e kontroll dhe masa efektive është kundërvënie në kohën e duhur, kjo rrugë është e drejtë dhe e domosdoshme kur bëhet brenda parimeve të artit ushtarak dhe është e dëmshme dhe e dënueshme rruga që kam ndjekur unë që i mbërthyer nga konceptet e huaja kamë ecur qorrazi i bindur se po bëja diçka të mirë e të nevojshme.
Gjatë vitit 1971-1972 si materiali i parë ashtu dhe materiali i dytë nuk është pranuar nga shokët, unë në këtë kohë kam menduar se me gjithë dobësitë e korrigjimet që i duhen bërë materialit, e reja hyn me vështirësi dhe kam ngulur këmbë që ky material të ripunohet dhe në këtë proces të lindë materiali i tretë me përmbajtjen e tij të gabuar, në tërë këtë proces unë kurrë nuk kam menduar që të hiqet dorë nga mbrojta pozicionale-aktive në fron, kurrë nuk kam menduar të anoj dhe të prek sadopak unitetin në të gjitha instancave e veçanërisht në Byro midis shokut Enver dhe Mehmet, të cilin e kam mbajtur në çdo rrethanë e situatë si sytë e ballit, ose kurrë nuk kam menduar se libri në tersi i tezave, të zëvendësohet me një platformë të re, ky është gjykim i përciptë dhe i përgjithshëm i një njeriu të sëmurë dhe hapja e rrugës dhe lënia në shesh të lirë për të vepruar, shkaqeve në rastin konkret, koncepteve dhe botëkuptimeve të huaja liberale.
Vihet pyetja pse shkova unë në këto gabime dhe faje?
Përgjigjja e vetme është një, kjo ka ndodhur se unë duke qenë nën efektin e ideologjisë borgjeze-revizioniste hodha ide dhe mendime që revizionojnë problemet esenciale të artit ushtarak popullor dhe që mënyra e të shtruarit e argumentimit të tyre në rastin konkret të çon në cenimin e unitetit në Byro dhe prekjen e problemeve të tjera që do të flas më poshtë. Unë gjatë kësaj kohe nuk kam bërë një luftë të ashpër me botën time të brendshme, pranoj se konceptet e mia të gabuara borgjeze-revizioniste si liberalizmi, subjektivizmi, mendjemadhësia, niveli i ulët ideologjik më kanë çuar në revizionimin e vijës ushtarake të Partisë që shprehet në Tezat e Këshillit të Mbrojtjes, dhe zëvendësimin e tyre me parime dhe norma që i ndryshojnë mbrojtjes karakterin e përcaktuar.
Balluku: Do luftonim si vietnamezët, luftë partizane
Si në materialin e parë, të dytë dhe të tretë, temë kryesorë është tema e mbrojtjes pozicionale-aktive ku hidhen ide mbi format e organizimit dhe aktivitetit të saj, si në fushën taktike ashtu dhe në atë operative, ndryshimet që parashikohen në këtë material prekin probleme që përbëjnë boshtin kryesor mbi të cilat është ndërtuar tërë sistemi i tezave, si parimet organizative, parimet e rregullat e luftimit në mbrojtje, kundërsulmet dhe kundërgoditjet. Ndryshimet që parashikohen në materialin e tretë të çojnë në mënyrë të paevitueshme në luftimin e manovruar, sidomos të forcave operative, të cilat humbin dhe lidhjen organike me forcat art-mitraljer që mbulojnë drejtimin e dhënë sepse ligji i luftës pozicionale-aktive në front kërkon lidhjen organike të luftimeve mbrojtëse në pozicione, pikëmbështetje, nyja mbrojtje e breza me aktivitetin e parashikuar dhe planëzuar që përmblidhet në dhënien e kundërsulmeve dhe kundërgoditjeve. Këtë ndryshim esencial e reflektojnë më së miri ndryshimet që parashikohen në materialin e tretë që gjoja në emër të rritjes së aktivitetit dhe të ngritjes së shpirtit sulmues të mbrojtjes, kundërsulmet zëvendësohen me sulme dhe kundërgoditjet me goditje, ky është një shartim i trashë dhe pavend i parimeve, e rregullave të luftës në front dhe prapavijë, me luftën e manovruar pa front në prapavijat e armikut, ashtu si veprojnë sot vietnamezët ose si do të veprojë, në rast eventual ushtria jonë nga e keqja, kur luftimi në front nuk është i mundur, atëherë kalohet në shkallën e ulët të luftës partizane.
Në këtë vështrim dhe problemet që i kundërvihen tezave nga e ashtuquajtura tema e mbrojtjes “të kthejmë fushat në male”, ku preken problem esenciale dhe që ndryshimi i tyre të çon në veprime të paevitueshme në ndryshimin e tërë pjesëve përbërëse të Tezave që janë të lidhura dhe në funksion të njëra tjetrës, pra kjo rrugë të çon dashur padashur në krijimin e një platformë të re tezash, rrugë në të cilën unë kam ecur qorrazi deri në Qershor 1973, i bindur se po bëja një punë të mirë, e cila mbasi të përpunohet dhe sistemohet, t’i paraqitet për aprovim Këshillit të Mbrojtjes.
Balluku: Nuk u tregova vigjilent në mbrojtje të parimeve
Vihet në pyetje pse nuk u ndala unë të shikoj se këtu po preken parimet?
Ose pse nuk u tregova vigjilent në mbrojte të parimeve?
Këtë gjë unë nuk kam mundur ta bëj sepse forca e presionit të ideologjisë borgjezo-revizioniste më kishte mposhtur e paralizuar, unë këto probleme i kam parë me sytë e liberalit dhe arrivistit, pra në këtë rast kisha humbur cilësitë e vërteta të komunistit për të mbrojtur me vigjilencë dhe disiplinë të hekurt vijën e Partisë, por kam ecur në këtë rrugë me mëndje të ngritur se unë këto gjëra i di dhe se këto elementë të rinj në stadin aktual janë të nevojshme për mbrojtjen tonë. Si përmenda dhe më lart, kundërshtimet e Petritit, për materialin e dytë i kam konsideruar si çështje që kanë të bëjnë me hezitim dhe ngurrim për futjen e së resë.
Në mbarim të materialit të tretë i cili iu dorëzua shokëve 40 ditë para mbledhjes së drejtorëve, përveç shokëve Hito dhe Sadik, që më kanë thënë se kanë vërejtje, bile Hito më tha se ja dhashë Rrahmanit, shoku Petrit nuk më ka thënë asnjë për këtë material, veç letrës që më dërgoi një natë para mbledhjes për vërejtje, që ky material të anulohet se vjen në kundërshtim me Tezat.
Pse nuk e shtrova për diskutim dhe vërejtje këtë material në rreth të ngushtë me shokët? Pse rashë në këtë gabim që është rregull elementar? Në këtë gabim unë kam rënë sepse jam udhëhequr nga mendimi i gabuar se Petriti përqafonte me vështirësi të renë dhe kundërvihet apriori pa argumentuar dhe bazuar mendimet e tij dhe se shikimi i këtij problemi në rrethin e drejtorëve do të jetë objektiv dhe një rreth për korrigjimin dhe sistemimin e materialit në të gjitha aspektet e armëve dhe shërbimeve, vërejtje të cilat i kanë bërë me shkrim një natë para mbledhjes, kjo është jo vetëm metodë e gabuar, por edhe cënimi i unitetit të mendimit e veprimit të komandës, sepse mendimet e kundërta duhen të shtrohen e zgjidhen në instancat më të larta dhe jo në mbledhje dhe konsulta si në rastin konkret.
Balluku: Para mbledhjes, anulova tezat e Petrit Dumes
Pra materialin me sinjalin e Petritit një natë para mbledhjes se ai është në kundërshtim me tezat e anulova dhe në po këtë moment çova materialin dhe duke e parë me këtë sy, shënova se vërejtjet e shokëve kanë të bëjnë:
- Me formacionin e luftimit
- Kundërsulmet, kundërgoditjet
- Lufta mobile sipas bisedës me Hiton
- Mbi disa formulime dhe dinamika të luftës në mbrojte, etj.
Në këtë aktiv ngrita problemin që hartimi i materialeve duhet të bëhet vetëm në përputhje me tezat e Këshillit të Mbrojtjes, në këtë mënyrë unë këtë material e quajta të anuluar dhe menjëherë u ula dhe shkrova vetë materialin e katërt, në këtë material unë qëllimisht flas për luftën mobile që është formë që praktikohet nga vende që kanë hapësira të mëdha territoriale dhe forca të mëdha ushtarake dhe është formë krejt e praktikueshme në kushtet tona. Pse e mbylla unë në mënyrë kaq të thjeshtë këtë çështje, pa u ndalur për të parë dhe analizuar në mënyrë kritike shkaqet dhe rrethanat që më çuan të frymëzoj hartimin e këtij materiali të cilin unë e zëvendësova me materialin e katërt, pas sinjalit të Petritit, bile vërejtjet me shkrim të drejtorëve që ndodheshin në arshivën e ministrisë bashkë me materialin unë i kam kënduar në Qershor 1974, kur doli kjo çështje mbas takimit me shokun Enver.
Si në takimin me shokun Mehmet dhe veçanërisht me shokun Enver, unë i jam përmbajtur qëndrimit semplist se unë nuk shkel tezat dhe se materialet e vjetra janë të anuluara e nuk kanë të bëjnë me mua, se ato janë të paqena dhe se materiali im është materiali i katërt, pa njohur faktin se idetë e hedhura në këto materiale ishin frymëzuar nga unë, pra ishin në kokën time. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016