Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Eftimiu, dramaturgu me famë botërore që ishte autodidakt!
Viktor Eftimiu u lind në fshatin Boboshticë të Korçës në vitin 1889. Gjyshi i tij quhej, Grigor Ekonomi dhe shërbente si prifti i fshatit. Si shumë bashkëfshatarë të tyre, familja Eftimiu u shpërngul nga fshati për të emigruar në Rumani, në fillimet e shek XX-të. Në vitin 1914, ai krijoi familje duke u martuar me aktoren e famshme rumune, Agepsina Makrin. Në vitin 1920, kur ishte në moshën 31 vjeçare, ai u emërua si drejtor i përgjithshëm i teatrove të Rumanisë. Eftimiut, si një nga dramaturgët më të famshëm të Rumanisë, i’u rezervua një lozhë e përhershme, në Teatrin e Bukureshtit. Ë Eftimiu mbetet një rast i rrallë në historinë e njerëzve të mëdhenj që janë bërë të famshëm me veprat e tyre, duke studiuar në mënyrë autodidakte, pasi ai zhvilloi vetëm tre klasë shkollë në Liceun e Bukureshtit dhe më pas e braktisi atë. Ndonëse i pashkolluar, Eftimiu, përfitoi nga inteligjenca e tij natyrale, për t’u bërë i famshëm në të gjithë kontinentin. Kështu. gjatë Luftës së Parë Botërore, kur një tjetër aktor i famshëm me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiu, u zu rob si ushtar në front, do të ishte pikërisht, Ë Eftimiu, ai që do të bënte të mundur lirimin e tij. Madje lirimi i Moisiut, u bë dhe pas një letre që bashkëshortja e tij gjermane, i dërgoi Ë Eftimiut për të shoqin e saj. Pasi u lirua, në shenjë mirënjohjeje, Aleksandër Moisiu, interpretoi për nder të tij në Bukuresht, dramën, “Kufoma e gjallë”. Eftimiu, ka shërbyer edhe për një periudhë kohe si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Rumanisë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, dy shtëpitë e tij, në Bukuresht dhe Boboshticë, u dogjën nga trupat naziste. Eftimiu, përgjatë gjithë karrierës së tij krijuese, shkroi mbi 60 mijë vargje, mbi 150 libra me poezi, poema, vjersha, lirikë, drama, novela, tregime, etj. Zgjedhja e tij si akademik, bëri që ai të vlerësohej me shumë tituj dhe dekorata. Ndonëse Rumania e vlerësoi shumë Eftimiun, ai kurrë nuk e harroi vendin e tij të origjinës, Shqipërinë të cilën e vizitoi në 1971.
Kristaq Antoniu, aktori dhe tenori i famshëm
Kristaq Antoniu u lind në Bukuresht në 2 dhjetor të vitit 1907. Familja e tij, ishte shpërngulur nga Boboshtica dhe kishte emigruar atje për arsye ekonomike. Që në moshë të re, tek Antoniu u shfaqën prirjet për aktrim dhe cilësi të larta vokale. Pas shumë peripecish dhe ndihmash nga ana e miqve të tij nga Boboshtica, ai mund të regjistrohej në shkollën, “Mimo – Dramatike”, ku përgatiteshin aktorë dhe kineastë. Që në fillim të studimeve, Kristaq Antoniu, u shqua për talentin e tij të rrallë. Studimet e larta në degën e Kantos ai i mbaroi në vitin 1928 dhe më pas, intuita e tij aktoriale do të fillonte të testohej deri sa i’u besua roli i tij i parë te “Mëkati i parë”, një film me metrazh të shkurtër, i vitit 1924. Pas këtij interpretimi, ai u aktivizua në filmat me metrazh të gjatë, si: “Xha Enea Kokoroçi në Çiflig”, “Jadesh”, “Napasta”, “Lyra”, “Sulmi”, etj. Në vitin 1928, ai interpretoi në mënyrë të suksesshme, ‘antagonistin hajdut Merenau’, tek filmi “Janku Zhianu” dhe filmit tjetër “Haiduci”, në vitin 1929. Por ato që do të “vulosnin” suksesin e tij, ishin filmat: “Majori Murra” në vitin 1927 dhe “Çokoj” në 1931-in, pasi interpretimi në këto filma, do të vlerësohej masivisht nga Kritika e kinematografisë së kohës. Lidhur me këto, revista “Minerva”, që dilte në Tiranë, midis të tjerash shkruante: “Ka ca kohë që një djalosh simpatik shqiptar, i pajisur me cilësi të rralla artistike, u duk si një yll në qiellin rumun. Bota mbeti e habitur nga talenti i tij, pasi emri Kristaq Antoniu, lartësoi famën e vendit të vet”. Por fatkeqësisht vështirësitë financiare, të firmës “Clipafilm”, ku ai ishte punësuar si dhe trajtimi i pabarabartë me aktorët rumunë, bënë që ai t’i largohej kinematografisë dhe t’i përkushtohej kantos. Në vitin 1932, Antoniu erdhi në Shqipëri ku dha disa koncerte, si në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, etj, ku pati shumë suksese. Pas një premtimi të pa mbajtur për një bursë studimi në Austri, Kristaq Antoniu, përfundimisht u kthye në Shqipëri në vitin 1938. Disa vjet më vonë, në 1943-in, Antoniu, interpretoi në një film me metrazh të shkurtër, të regjisorit Mihallaq Mone, të titulluar “Takim në Liqen”. Në këtë film, përveç tij interpretuan edhe aktorët, Merita Sokoli dhe motrat Xhaçka. Pas mbarimit të Luftës, Antoniu i’u përkushtua tërësisht Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë, ku në saj të arritjeve të tij dhe një karriere brilante, atij i’u akordua titulli më i lartë: “Artist i Popullit”. Antoniu u nda nga jeta në Tiranë, në vitin 1979.
Gjergj Bubani, drejtori i Radio – Tiranës
Gjergj Dionis Bubani u lind në fshatin Boboshticë të Korçës në vitin 1899. Shkollën fillore ai e kreu në fshatin e tij të lindjes dhe më pas ndoqi studimet në Liceun e Korçës, të cilin Bubani asokohe e bënte rrugën Boboshticë – Korçë, çdo ditë në këmbë, (vajtje-ardhje), për të ndjekur mësimet e Liceut. Pas mbarimit të Liceut Francez me rezultate shumë të larta, ai shkoi me studime në Athinë ku u diplomua në Shkencat e Natyrës në Fakultetin e Kimisë. Në moshën 22-vjeçare, ai shkoi në Bukuresht, ku ishte martuar motra e tij, Maria (me një shqiptar) dhe aty caktohet si kryeredaktor i gazetës “Shqipëria e Re”. Midis shumë artikujve të Bubanit të botuara në atë gazetë, vlen të përmendet ai me titull: “Kosova në rrezik” (kundër gjenocidit serb ndaj kosovarëve) dhe ai: “Dy pika Loti”, për humbjen e Shën-Naumit. Në vitin 1922, Bubani, botoi revistën letrare “Dodona”, ku shkruanin emrat më të njohur të letrave shqipe dhe personalitete, si: Eftimiu, Asdreni, Lasgush Poradeci, Mit’hat Frashëri etj. Në vitet 1932-‘33, Bubani botoi në Konstancë të Rumanisë, gazetën “Kosova” (46 numra) dhe në atë organ, ai demaskoi me fakte e dokumente, gjenocidin serb ndaj popullit të Kosovës. Në vitin 1934, ai botoi në Bukuresht gazetën “Kuvendi Kombëtar” dhe në vitin 1936, erdhi në Tiranë dhe u caktua kryeredaktor i gazetës “Drita”. Më 28 Nëntor të vitit 1938, me rastin e inaugurimit të Radio – Tiranës, në ‘Ditën e Pavarësisë’, Bubani u emërua si drejtor i parë i kësaj radioje. Më datën 4,5, dhe 6 prill të vitit 1939, tri ditë para agresionit ushtarak të Italisë fashiste ndaj Shqipërisë, Bubani foli nga mikrofoni i Radio – Tiranës (në disa gjuhë të huaja) kundër këtij pushtimi. Kurse më 9 prill dhe dorëheqjen nga detyra e drejtorit të Radios dhe kërkoi të kthehej në Bukuresht, ku kishte familjen (gruan dhe djalin, Dionisin, i cili ishte në klasën e dytë të Liceut). Djali i dytë i Gjergjit, (Loredani), lindi më 28 prill të vitit 1939, por autoritetet fashiste italiane nuk e lejuan Bubanin të largohej nga Shqipëria, duke pasur frikën e botimit të ndonjë gazete që do demaskonte pushtimin fashist në Shqipëri. Në këto kushte, Bubani vazhdoi të mbante detyrën e drejtorit të Radios dhe gjatë gjithë kohës së pushtimit deri më 18 tetor të vitit 1943, kur i gjithë personeli i Radio – Tiranës, u arrestua nga gjermanët. Kjo gjë erdhi pasi forcat gjermane në Tiranë kishte të dhëna se Radio – Tirana ishte kthyer në një “çerdhe” e Lëvizjes Antifashiste dhe Bubani së bashku me të gjithë personelin, mundi të shpëtonte pas ndërhyrjes së Mihal Zallarit (Kryetari i Parlamentit Shqiptar në vitin 1943-’44), pranë komandës gjermane. Me ardhjen e komunistëve në pushtet që në fundin e vitit 1944, Bubani u arrestua prej tyre dhe në Gjyqin Special, të zhvilluar në muajin mars të vitit 1945, Prokurori Bedri Spahiu kërkoi dënimin e tij, me 30 vite burg. Por Gjykata i dha dënimin me 15 vite burg, dënim të cilin ai nuk e vuajti, pasi pas prishjes me jugosllavët në vitin 1949, kur ndodhi ajo që quhet “Kthesa e Partisë”, ai u lirua nga burgu duke u konsideruar si “viktimë e Koci Xoxes”, dhe ndërroi jetë në fillimin e viteve ’50-të, i drobitur nga plagët e burgut.
Sotir Kuneshka, pionier i Fizikës në Shqipëri
Sotir Kuneshka u lind në fshatin Boboshticë në vitin 1912. Pas mbarimit të shkollës fillore në fshatin e tij të lindjes, ai mbaroi dhe Liceun Francez të Korçës në vitin 1932. Pasi nuk arriti të përfitonte një bursë shtetërore, babai i tij mësues në Boboshticë, vendosi dhe e dërgoi me shpenzimet e veta në Paris, për të studiuar në një nga universitet e kryeqytetit francez. Sipas porosisë të të atit, me të vajtur në Paris, Sotiri u lidh me Andrea Mazonin (studiuesin e njohur francez të Boboshticës), i cili e ndihmoi shumë atë, për t’u stabilizuar në kryeqytetin francez. Vitet e para në universitetin parisien (dega e Fizikë), i pati mjaft të vështira, pasi ai ishte i detyruar që të punonte dhe të fitonte për të përballuar studimet. Nisur nga kjo, ai filloi të punonte duke dhënë mësime private te nxënësit e shkollave të mesme. Ndërsa dy vitet e fundit të fakultetit deri në mbarimin e studimeve, atij i’u akordua një gjysëm burse. Pas mbarimit të fakultetit dhe diplomimit në Paris me rezultate shumë të larta, Kuneshka u kthye në Shqipëri dhe u emërua si pedagog i Fizikës në disa gjimnaze të shtetit, si në Korçë dhe Tiranë. Pas mbarimit të Luftës, Kuneshka, punoi në Ministrinë e Arsimit, ku hartoi shumë tekste të reja, në lëndën e Fizikës. Me hapjen e Institutit dy vjeçar dhe më vonë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, profesor Kuneshka, ishte një nga themeluesit e tyre. Duke parë mungesën e madhe në kuadro (pedagog të Fizikës,) Kuneshka u detyrua që të jepte mësim për të gjitha tekstet e Fizikës që studioheshin në shkollat e larta. Ai është themeluesi i Katedrës së Fizikës dhe për shumë kohë ka qenë dhe dekan i Fakultetit të Shkencave. Në vitin 1982, me rastin e 80-vjetorit, të Prof. Dr. Sotir Kuneshkës, Dr. Prof. Rexhep Meidani, në një artikull përkujtimor në shtypin e asaj kohe, midis të tjerash shkruante: “Teksti i parë i Fizikës universitare në vendin tonë, mban emrin e prof. Kuneshkës. Artikulli i parë shkencor në lëmin e Fizikës tek ne, ka si autor Kuneshkën, titujt e parë të docentit, profesorit e akademikut, i janë dhënë, Sotir Kuneshkës”.
Gjergji Canco, “Mësues i Popullit”
Gjergj Canco u lind në Boboshticë në vitin 1906 dhe mësimet e shkollës fillore ai i mbaroi në fshatin e lindjes dhe më pas ndoqi Liceun Francez të Korçës, të cilin e mbaroi në vitin 1937. Që në moshë fare të re në bangat e Liceut, ai u dha shumë pas letërsisë dhe botoi në revistat letrare të shkollës, siç ishte “Shpresa”. Përveç krijimeve në prozë dhe poezi, Canco botoi në 17 numra gazete, përkthime nga autorë të ndryshëm francez, si: La Martin, Balzak, Hygo etj. Gjergji ishte në grupin e parë të studentëve shqiptar që shkuan për studime në Francë aty nga mesi i viteve ’20-të dhe ai u regjistrua në një nga universitetet e Montpeljes, në degën e Matematikës. Pas mbarimit të studimeve në Francë, Canco u kthye në Shqipëri dhe u vendos për pak kohë në Tiranë. Kur ende nuk e kishte marrë mirë veten nga udhëtimi i largët, atij i erdhi në dorë një letër nga drejtori i shkollës Teknike Amerikane, Harry Fultz, ku shkruhej: “Do të jemi të kënaqur nëse gjatë këtij viti, studentët do të marrin një ide të qartë mbi projeksionet e vijave dhe sipërfaqeve. Keni mjaft kohë me të cilën mundeni me i dhënë studentëve ide dhe dijeni për të cilën ata kanë nevojë dhe mund të pjesëtoni kohën tuaj”. Menjëherë pas kësaj letre që Fultzi i shkruante Cancos, ku e ftonte që të jepte lëndën e Matematikës në Shkollën Teknike, ai i ktheu përgjigje pozitive dhe në atë shkollë, Canco dha mësim deri në vitin 1936, ku me urdhër të Mbretit Zog, ai u transferua në Gjimnazin e Shtetit në Shkodër. Në atë gjimnaz, Cancon, e zuri edhe pushtimi fashist i Shqipërisë. Mbas mbarimit të Luftës, Canco, u emërua drejtor i Shkollës Teknike (ish-shkolla e Fultz-it), ku ai kishte dhënë mësim vite më pare, pasi ishte kthyer nga Franca. Në atë shkollë, Canco punoi me përkushtim të madh, derisa doli në pension në vitin 1966. Për punën e tij të madhe në Politeknikumin e Tiranës, Canco, u dekorua me titujt “Hero i Punës Socialiste” dhe “Mësues i Popullit”. Ai u nda nga jeta më 22 gusht të vitit 1971, duke u kujtuar me respekt nga të gjithë kolegët dhe studentët e tij.
Miço Canco: vendi im është Shqipëria
Eftim Canco, ose siç është njohur nga miqtë dhe të afërmit e tij, Miço, u lind në fshatin Boboshticë në vitin 1915. Pasi mbaroi studimet në kryeqytetin rumun, Bukuresht për Drejtësi ai shkroi disa artikuj në revistën “Oshëtima” që ishte organ letrar i studentëve shqiptarë të Rumanisë. Lidhur me këtë, një nga të afërmit e tij, Zhani Gjergj Canco, midis të tjerash tregon: “Ishte maji i vitit 1961, kur Shqipëria po dilte nga blloku i vendeve socialiste, apo siç njiheshin ndryshe, si ‘vendet e Demokracive Popullore’. Ishte bërë mbledhja e Bukureshtit ku Tirana zyrtare ishte shprehur kundër vijës politike të Moskës dhe po përgatitej të vendoste e konsolidonte marrëdhënie me Republikën Popullore të Kinës së Mao Ce Dunit. Në atë kohë, unë po punoja në atelienë e Fakultetit të Arkitekturës në Bukuresht, kur hyri një student i vitit të IV-të dhe pyeti se kush ishte studenti me mbiemër Canco? Pasi e takova këtë student, ai më tha se më prisnin poshtë te dera e fakultetit me një person tjetër. Zbrita poshtë dhe pashë një mesoburrë të plakur në fytyrë. ‘Ju jeni ai që kërkova’?! m’u drejtua ai sapo u takuam, duke më shpjeguar se kishte menduar se mos unë kisha të bëja me një mik apo vëlla që tani ndodhet në Shqipëri dhe e quajnë Eftim Canco. I thashë që është kushëri i parë i babait tim. Pashë që u përmallua dhe pasi më futi krahun, më tha që do më rezervosh disa minuta. Dhe të dy u ulëm në një kafene që ndodhej midis Fakultetit të Arkitekturës dhe Kishës Ortodokse Shqiptare të Bukureshtit. ‘Ke diçka të përbashkët me shokun tim Miçon sepse në këtë moshë e kam njohur atë’, m’u drejtua ai. Pazi ndezi cigaren, më tha që: ‘U ndamë për së gjalli dhe nuk e di nëse ekziston dhe kjo shprehje tek ju shqiptarët?! Miço ka qenë një student i shkëlqyer dhe një intelektual i madh, të cilit, profesori që na jepte të ‘Drejtën Civile’, i’u lut që të qëndronte në Rumani, si asistent i tij, por Miço nuk pranoi. ‘Rumania më përgatiti si kuadër, por vendi im është Shqipëria’ i deklaroi ai. ‘Dua ta kem afër Korçën dhe vendlindjen time Boboshticën’, tha ai. Kështu djalë, kur të shkosh në Shqipëri, thuaji që një mik që banon jo shumë larg ‘Harkut të Triumfit’, të kujton dhe të përshëndet”. Këtu u ndava me atë njeri që fliste me shumë nostalgji për Mico Cancon, kushëririn e parë të babait tim i cili erdhi në Shqipëri dhe punoi si avokat në Korçë deri në vitin 1967 që regjimi komunist e suprimoi Ministrinë e Drejtësisë dhe njëkohësisht edhe institucionin e avokatisë. Miço ndërroi jetë në Korçë në vitin 1982”.
Intelektualët e tjerë të njohur nga Boboshtica
Boboshtica, fshati i famshëm që i përngjan një qyteze me pamje dhe pejsazhe tepër piktoreske, nuk nxori nga radhët e saj vetëm Viktor Eftimiun, Kristaq Antoniun, Dionis Bubanin, Sotir Kuneshkën dhe Cancot. Që në fillim të shekullit të XIX-të me dhjetëra boboshticas do të shkolloheshin në universitete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Ndërmjet njerëzve të famshëm që nxori ai fshat, janë dhe: Ilo Kuneshka i vëllai i Prof Sotirit, Sotir Manushi, Sotir Temo, Dhori Canco (i diplomuar në Bullgari), Andrea Manço (i diplomuar në ish-Bashkimin Sovjetik për Inxhinieri- Gjeollogji), dhe vëllai i tij Todo Manço (i diplomuar në Poloni, deputet dhe Kryeinxhinier i Minierave në Ministrinë e Industrisë së rëndë dhe Minierave, “Hero i Punës Socialiste”), Stavri Xhara, (i diplomuar për Agronomi në Rumani), Sotir Filto (gjeneral i famshëm i diplomuar në akademitë ushtarake të ish-Bashkimit Sovjetik), inxhinier Pavllo Koço, (një ndër themeluesit e Metalugjikut të Elbasanit), Gaqo Xhara, (i diplomuar në Matematikë), Misto Lolo (i diplomuar në në Mjekësi, Todo Gjermeni (i diplomuar në Agronomi), Dionis Bubani, (gazetar, shkrimtar dhe përkthyes), Vaso Skënderi (I diplomuar në Matematikë), Leka, Todo, dhe Boris Canco, (djemtë e Miços që studiuan dhe u diplomuan për Fizikë, Mësuesi, dhe Agronomi), Mihal Qirko, Petro Filto, etj. Lista e boboshticasve të shkolluar dhe diplomuar me rezultate të larta që kanë bërë emër të madh në fushat përkatëse është shumë e gjatë dhe së fundi mund të përmendim edhe djalin e prof. Sotir Kuneshkës, i diplomuar për Fizikë, i cili në fundin e viteve ’90-të, ndodhej në një grup pune që merrej me kërkime shkencore në Antarktidë./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016