Nga Nestor Topençarov
Pjesa e katërmbëdhjetë
DRAMA E JETËS
(HISTORIA E NJË FAMILJEJE)
Këtë libër ia dedikoj: Të gjithë bashkëvuajtësve. Familjeve të tyre. Dhe në veçanti, personave që nuk patën mundësi të tregonin odisenë e jetës, gjatë diktaturës komuniste.
P A R A TH Ë N I E
Memorie.al / Kam lindur në qytetin e Korçës, në 22 tetor të vitit 1953. Nga Shqipëria, jam larguar në muajin tetor të vitit 1990, pasi na u dha e drejta familjarisht, për t’u riatdhesuar në Jugosllavi (sot Maqedonia e Veriut). Në qershor të vitit 1992, emigrova në Itali, ku jetoj edhe sot. Megjithëse jam larguar prej 32 vitesh, lidhjet nuk i shkëputa, pasi Shqipëria ishte vendi i lindjes, ku kalova 37 vite, dhe se një pjesë e gjakut tim, është shqiptar. Vite më vonë, lidhjet me Shqipërinë u përforcuan, pasi edhe gruan e mora nga Durrësi. Vinim çdo vit me pushime, por koha e shkurtër e qëndrimit, bëri që shumë kontakte të ndërpriten. Megjithatë, shokët dhe miqtë e vërtetë kishin mbetur përgjithmonë në zemrën time.
Tre vitet e fundit nuk pata mundësi të vizitoja Shqipërinë. Por gjatë vitit 2022, erdha disa herë. Impenjimi im nga njëra anë dhe rastësia nga ana tjetër, bënë të mundur që të rikrijoj lidhjet me shokë dhe miq, me të cilët kisha dekada pa u parë. Duke ditur të kaluarën time, disa prej tyre më këshilluan të hidhja në letër, atë çka më kishte ndodhur në jetë. Në fillim kjo ide m’u duk utopi, pasi edhe pse kisha qenë nxënës i mirë, në hartime nuk kisha patur prirje. Më pas reflektova. Do të shkruaja thjesht historinë time, ngjarje të vërteta, ku nuk duhej shumë frymëzim. Ndoshta një shkrimtar, këto ngjarje do të dinte t’i paraqiste, ashtu siç di një artist i vërtetë i penës. Ndërsa unë do t’i shkruaj, pa shumë përshkrime: shkurt, thjesht, nudo, ashtu siç kanë ndodhur.
Një diçka tjetër që më shtyu edhe më shumë të shkruaj këtë libër, ishte një intervistë në Tv Klan, të cilën e pashë në tetor të këtij viti, e drejtuar nga gazetari i mirënjohur Blendi Fevziu. Nuk kërkova hakmarrje. Por nuk pata as drejtësi. Me anën e këtij libri, do t’i bëj të njohur opinionit publik shqiptar, rolin e individëve që kontribuuan në vuajtjet e mia e të familjes sime. Dhe sot, po vendos gishtin mbi këto “qenie”, jo për detyrën që ata kanë patur, por për mënyrën se si e kanë kryer atë. Shkrimin tim, do ta filloj me gjyshin, nga ana e mamasë, për të vazhduar me babanë tim, ku do të prek momentet më kyçe të jetës së tyre. Kjo do të ndihmojë lexuesin për të njohur prejardhjen time.
Më pas do të flas edhe për vete. Në këtë libër do të tregoj gjithashtu, edhe disa ngjarje, njëra më dramatike se tjetra, që ju kanë ndodhur njerëzve, të cilët kam patur nderin t’i njoh. Më vjen mirë që janë botuar mjaft libra, mbi vuajtjet dhe persekutimet e “armiqve të popullit” dhe familjeve të tyre nëpër kampe internimi dhe burgje, gjatë diktaturës komuniste. Kam mundur të lexoj disa nga këto vepra. Besoj që ky libër, në mënyrë modeste, do të kontribuojë për të njohur edhe më shumë metodat çnjerëzore të Sigurimit të Shtetit, mënyrën si krijonin akuzat dhe si shkatërronin persona dhe familje për të mbajtur popullin nën terror.
Autori
Dhjetor, 2022
KAPITULLI I KATËRT
Rrugën e bëmë me kamionë të mbuluar me mushama, që nuk kishin as stola për t’u ulur. Udhëtonim më keq se kafshët. Gjatë rrugës, larguam mushamanë në pjesën e pasme të kamionit, që të na hynte dritë e ajër. Nëpër rrugën e Mirditës, shihnim gra e fëmijë të vegjël, që na shihnin me urrejtje dhe bërtisnin; “armiqtë”, “armiqtë”. Kaluam me radhë Repsin, Rubikun. Pasi lamë Milotin dhe morëm për Laç, ndryshoi jo vetëm natyra, por edhe sjellja e njerëzve, të cilët na përshëndesnin me dorë. Në këto çaste u ndjeva mirë.
Më pas kaluam Mamurrasin, Fushë-Krujën dhe Kamzën. Gjatë gjithë kësaj rruge, njerëzit vazhdonin të na përshëndesnin dhe të na uronin për kthimin në familje. Megjithëse ishte mesi i nëntorit dita ishte shumë e bukur dhe me diell. Kur kaluam në Kodër Kamzë, aty përpara Institutit Bujqësor, ku ishte edhe fakulteti im, kamioni ngadalësoi.
Ktheva kokën dhe pashë rrugën e brendshme, që ishte plot me të rinj e të reja. Më erdhi dëshira të zbrisja për pak minuta, për nostalgjinë që kisha. Gjatë katër viteve të Institutit, kisha kaluar disa nga çastet më të bukura të jetës time. Më mungonin shokët dhe profesorët, më mungonin sallat e leksionit dhe laboratorët.
Edhe mund të kisha zbritur. Tani isha i “lirë”, por do të komplikoja udhëtimin tim. Në atë moment, prioritet ishte kthimi në shtëpi. Vazhdova udhëtimin me imazhin e asaj pamjeje dhe me urrejtjen ndaj atyre, që më kishin shkatërruar ëndrrat, rininë dhe të ardhmen time.
Ky burg që bëra, (ky kamp riedukimi, siç thoshte sistemi), jo vetëm që nuk më edukoi me doktrinën komuniste, por nga një njeri paqësor, që nuk merrej me politikë, (meqenëse në ato vite politikën e bënte vetëm Enver Hoxha), më ktheu në një armik të diktaturës.
Na ndalën në një lokal, në ngjitje të Qafë-Kërrabës, ku bleva diçka për të ngrënë. Meqenëse nuk kishte tavolina të lira, dy gra të zonës, që ishin në pushimin e drekës, më ftuan në tavolinën e tyre. Ishin shumë dashamirëse dhe shprehën kënaqësinë e tyre, që po kthehesha në familje.
Kur arritëm në Maliq, kamioni ynë bëri një pushim të vogël, meqë zbritën disa bashkëvuajtës. Po errësohej. Këtë çast kaluan dy kamionë të ngjashëm me tonin dhe kur dikush pyeti se nga vinin, përgjigja ishte; Ballshi. Pas pak arritëm në qytetin e Korçës, ku ishte bërë natë. Na zbritën te agjencia e autobusëve.
U drejtova menjëherë në postë, ku i bëra një telegram Leonidhës, shokut që mbeti në Spaç. Më pas mora rrugën me hap të shpejtë, drejt shtëpisë. Rruga kryesore ishte po thuajse bosh. Kur arrita në shtëpi, babanë sapo e kishin futur brenda. E kishte pritur dhe shoqëruar një shoku i tij, Qemali. Mamaja dhe motra, kishin preferuar të prisnin në shtëpi, meqenëse ktheheshim nga dy burgje të ndryshëm dhe nuk dihej orari. Ishte një gëzim i madh për ato.
Edhe unë, pas më tepër se gjashtë vitesh, ndjehesha mirë, që po hyja në shtëpi. Pas pak shoku i babait, na përshëndeti dhe iku. Pasi ndihmuam të lahet babai, bëra një dush edhe unë. Kur u ulëm në tavolinë babai nuk fliste, por më vështronte me një pamje melankolike. I kishin shkatërruar shëndetin. Më kishin privuar shumë vite larg babait, por edhe tani ky baba, ishte shumë larg meje. Kuptova që familja që ishim një kohë, nuk do të kthehej më. Pasi më arrestuan, Iu tregova kryesisht për vuajtjet e mia, pasi më arrestuan, si në Degën e Korçës, ashtu edhe në Spaç.
Babai, edhe ai kishte kaluar këto vite në Ballsh. Depresioni e kishte shoqëruar gjatë të gjithë kohës. Siç ju tregova më lart, gjithmonë nën përkujdesjen e bashkëvuajtësve. Ishte një i moshuar, që i kishin shkatërruar shëndetin. Jo vetëm nuk e liruan, por as nuk e mjekuan.
Të dënuar si babai, piktori Vangjush Tushi, (gjendjen shëndetësore të tij e kisha parë në kaush) dhe të tjerë, të moshuar ose jo, me probleme të rënda shëndetësore fizike e psikike, nuk ishin të përshtatshëm për t’u mbajtur në këto struktura. Ai pushtet, nuk kishte asnjë grimcë njerëzore. Kuptohet. Ishte pushteti i diktaturës.
Nga ana tjetër edhe jeta e mamasë dhe Ivanës, kishte qenë një skëterrë. Pas arrestimit tim, mamaja u dobësua shumë, trupi iu thye më dysh dhe iu mbush me njolla. Pas gjithë atyre kontrolleve dhe presioneve psikologjike, iu ishte dashur të përballonin jetën me vështirësi ekonomike, me burrin dhe djalin, në dy burgje. Kjo i detyronte të merrnin rrugë të ndryshme, për të na takuar. Kishin përballuar edhe opinionin e njerëzve, trajtimin e keq nga lagjja dhe autoritetet e pushtetit.
Përsa i përket punës, Ivanës i kishin rezervuar ndërtimin dhe bonifikimin. Më tregoi që në kantieret e ndërtimit, kish nga ata teknikë që kishin ruajtur respektin për babain dhe ishin munduar pa rënë në sy, t’ia bënin më të lehtë punën. Më pas në bonifikim, Marjana, teknikja, e bëri shoqe të ngushtë. Disa vite më vonë, motra kaloi në Fabrikën e Konservimit, në repartin e turshisë, me përgjegjës Sokrat Tashon, i cili ia kishte vlerësuar punën dhe e kishte mbrojtur në momente të vështira.
Në një rast, shoferi i një mjeti të Komitetit të Partisë rrethit, që kishte shkuar për të marrë turshi për disa udhëheqës që kishin ardhur nga Tirana, e kishte njohur dhe denoncuar te sekretari i partisë së ndërmarrjes. Më pas, Sokratit i kishin kërkuar llogari se, motra ime, mund të helmonte turshitë.
Përgjegjësi i Ivanës, iu ishte kundërvënë dhe kishte marrë përgjegjësinë. Ishte bërë garant, duke lavdëruar punën e motrës, se këtë punë e bënte vetëm ajo. Përfitoj të falenderoj këtë njeri të mirë dhe gjithë familjen e tij, që e kanë dashur e respektuar motrën time.
Kjo gjendje dhe të tjera të kësaj forme, e mbanin Ivanën në tension të vazhdueshëm, për të mos folur për provokime të natyrave të tjera, ndaj një vajze që u godit në moshën 19 vjeçare. Kur merrte lejen, deviacionet e saj, ishin Ballshi dhe Spaçi. Shpesh kamionët për Reps dhe Spaç, kishin urdhër të mos i merrnin, meqenëse ishin; “familjarë armiqsh”.
Mjaft herë, pjesën e fundit të rrugës nga Shën Pali, e bënin në këmbë, (motra shpesh organizohej me gra, që kishin familjarë në Spaç). Kishte ndodhur që hoteli i vetëm në Rrëshen, të ishte plot, dhe kishte qenë e detyruar, ta gdhinte jashtë.
Konkluzioni?
Edhe ato, gjithë këto vite, kishin parë ferrin. Disa ditë pas lirimit, dola për të bërë një shëtitje. Çdo gjë më dukej ndryshe. Qyteti dhe njerëzit me zërat dhe veshjet e tyre të ndryshme. Për më tepër se gjashtë vite, syri ishte mësuar me pamjet e asaj panorame të trishtuar të burgut, me fytyrat e vuajtura dhe me të njëjtat veshje, në ngjyrë kafe.
Veshët ishin çmësuar nga zërat femërorë, të cilët për një periudhë, për mua kishin të gjitha një timbër. Mundohesha që njerëzit të mos i shihja në sy, se mund të dilte ndonjë fytyrë e njohur dhe nuk e dija çfarë qëndrimi do të mbante. Të paktën në Spaç, ishim të gjithë njëlloj, (të burgosur politikë). Kisha një moto: Mos përshëndesja njeri, por të prisja më parë sjelljen e të njohurit, për të mos ngelur keq.
Pata të drejtë, pasi dhe reagimi i njerëzve që me njihnin, ishte i ndryshëm. Dikush më shihte si armik, ndonjë tjetër nuk më fliste nga frika. Të tjerë më bënin një përshëndetje nga larg, me kokë. Dikush, si një shoku i gjimnazit, pasi më dha dorën, u shpreh i habitur, që unë kisha bërë atë “gabim”.
– “Kemi qenë shumë shokë”, – i thashë.
Dhe më pas shtova: – “Kur ti ke këtë opinion për mua, çfarë duhet të thotë dikush tjetër, që nuk më ka njohur”?!
Në verën e vitit 1990, kur prisnim vizën për Jugosllavi, ky shok, sapo ishte kthyer si turist nga Greqia. Kur më takoi, më uroi për riatdhesimin e afërt, duke shtuar që do të shpëtonim, do të vinim në një botë tjetër.
Në ditët në vijim, filluan të vinin disa kushërira dhe shoqe të mamasë, shoqe të Ivanës dhe disa familje që kishin ruajtur miqësinë. Dua t’i falenderoj të gjithë e, veçanërisht dy motrat, Athina dhe Dhimitra (kushërirat e ma masë), të cilat i qëndruan afër për gjithë kohën e vështirë, pa marrë parasysh presionin që iu bëri Sigurimi, për të mos na vizituar.
Në atë periudhë të vështirë, disa familje na mbajtën derën hapur. Një nga këto, ishte dhe ajo e Profesor Ilia Karanxhës. Ilka dhe e shoqja, Farida, kanë qenë prezentë gjithmonë. Përfitoj t’u shpreh mirënjohjen dhe falenderimin.
Kishin kaluar vetëm pak ditë që isha liruar, dhe një darkë më sjellin nga lagja, fletën e punës për në bujqësi, në Ndërmarrjen Bujqësore “Korça”. Këtë radhë në sektorin Qendër. Ishte data një dhjetor, kur u paraqita në ndërmarrje dhe më caktuan në brigadën e Ademit. Ishte një burrë i shkuar në moshë. Në atë periudhë të vitit, burrat hapnin kanale në fusha, për të bërë drenazhe. Më dha një bel dhe më tregoi drejtimin e fushës, ku do të punohej. Pasi më caktuan pjesën, fillova të kaloj belin e parë.
Pas pak kanali u mbush me ujë dhe puna m’u vështirësua shumë, pasi balta ngjitej në veglën e punës. Nga dreka bëra një pushim dhe hëngra bukën, që kisha marrë me vete. Vazhdova të punoja gjithë pasditen. Kisha mbetur vetëm, pasi gjithë të tjerët e kishin bërë normën. Mjaft kishin punuar në grupe. Kur më vonë erdhi personi i ngarkuar për regjistrimin e punës, kisha bërë rreth 70% të normës. Kur më pa me këmbët e zhytura në ujë dhe kuptoi që nuk kisha idenë e asaj pune, më shpjegoi si të evitoja ujin.
Më pas mbylli bisedën, se për atë ditë, çdo gjë ishte në rregull dhe se do të shiheshim të nesërmen. Ditën tjetër, diçka më mirë. Por duhej të kalonin disa ditë, që të arrija të bëja normën. Unë me lopatë kisha punuar në minierë, por këtu në bujqësi, ishte proces i ndryshëm pune. Një ditë, Ahmeti, ky i ri me flokë të kuqe, që regjistronte punën e bërë, më tha se m’i kish plotësuar ato ditë nën normë. E falenderova këtë njeri për humanizmin e tij. Ai muaj kaloi në atë brigadë.
Në janar, Ademi, brigadier, më komunikoi nga ana e përgjegjëses të sektorit, që më transferonin në një brigadë tjetër. Për brigadier kisha Yllin, një djalë të ri, që ishte anëtar partie. Brigada e tij, si brigadë e bimëve foragjere dedikuar blegtorisë, bënte punën më e rëndë dhe tokat i kishte shumë larg, në kufi me fshatin Çiflig. Por edhe në këtë rast, për mua nuk ishte problem largësia. Pjesa më e madhe e punëtorëve, ishte nga fshati. Bënin përjashtim disa burra të vjetër, që ishin marrë gjithë jetën me bujqësi. Në atë kohë isha 29 vjeç, por në brigadë më merrnin për ushtar të liruar, pasi kokëqethur dhe i dobët, nuk e tregoja moshën.
Kur u lirova nga burgu, peshoja 65 kg. Kisha humbur të paktën 10 kg. Pantallonat e kostumeve, më rrinin të gjera. U detyrova t’i çoja te rrobaqepësi. Unë në Spaç, isha njohur me Vaskë Orgockën. Ai së bashku me familjen, u goditën rëndë nga diktatura. Edhe kjo, një tjetër histori tragjike…!
Kur u lirova, shkova te prindërit e tij, që jetonin jo shumë larg shtëpisë sime, për t’iu çuar të falat nga i biri. Ivana me të bijën e Vaskës, kishte qenë në të njëjtën klasë në gjimnaz. Meqë babai i Vaskës, qepte në shtëpi, pantallonat i çova tek ai, për t’i ngushtuar. Pas ndonjë viti, këto pantallona nuk më bënin më.
Sa filloi pranvera, më caktuan me grevall, të mblidhja barin mbrapa kosaxhinjve. Pas mbirjes së misrit, fillonte prashitja. Ishte një punë me kurriz të përkulur, që kur dilje në fund të parcelës, me vështirësi drejtoje shpinën. Një ditë te brigada jonë, vjen zootekniku i sektorit. Ai kërkonte një punëtor për në stallën e lopëve, pasi kishte mungesë personeli. Asnjë nga të brigadës, nuk shprehu dëshirën të vinte.
Atëherë mendova se mund të ishte një mundësi, për t’ju afruar blegtorisë. Kur i shpreha gatishmërinë, më pyeti se a kisha punuar në këtë sektor. U kënaq kur mori vesh që kisha studiuar. Pasi më futi krahun dhe morëm drejtimin për nga stallat, vazhdoi të më pyeste për arsimimin tim. Në këtë çast, përgjegjësja e sektorit, Vera, pyet Vasilin se ku po më çonte. Kur mori vesh arsyen i dha urdhër:
– “Atë jo”!
I shkreti, mendonte që kishte gjetur njeriun e duhur.
Zuri t’i shpjegonte shkollën time, por Vera ishte e prerë:
– “Atë jo”!
Më erdhi keq për Vasilin. Ishte i vjetër në moshë, në prag të pensionit. I thashë se përgjegjësja kishte të drejtë, dhe u largova. Më kujtohet fytyra e habitur e tij, që në atë çast nuk e kuptonte arsyen. Nuk më erdhi mirë, por ishte fillimi, duhet të prisja edhe pak.
Në bazë të propagandës që bëhej, kush kishte studiuar në fusha jo ideologjike, mund të punonte në profesion. Kush kishte tre të larta, mund të punonte si teknik i mesëm blegtorie. Unë pothuaj e kisha mbaruar fakultetin. Muajt kalonin, kaloi vera e vjeshta. Tani isha njohur mirë, me gjithë brigadën. Më donin e respektonin. Punës në bujqësi, ia mora dorën. Kur filluan drenazhet në muajt e dimrit, më morën në grup, ku u bëmë vetë i pestë.
Ishin të gjithë nga fshatrat afër ndërmarrjes. Tre prej tyre, 23-24-vjeçarë, kurse më i vjetri, Isufi, ishte rreth të 40-ave. Për respekt i thonin; dajë. Ishim të gjithë të fortë dhe normën e bënim shpejt. Shpesh kishte raste, kur punonim në fushat larg magazinës së veglave, dhe isha i detyruar, që pasi të mbaroja punën, lopatën ta merrja me vete, në shtëpi.
Megjithëse “puna është nder”, unë nuk ndjehesha mirë, kur me lopatë në dorë dhe me çizme, kaloja bulevardin për në shtëpi. (Mundohesha të evitoja rrugët kryesore, por isha i detyruar, pasi shtëpia ime, ishte në qendër të qytetit). Ishin orët kur mjaft qytetarë, dilnin shëtitje. Mes tyre shihja dhe njerëz të njohur me familjet e tyre dhe më vinte keq për veten.
Erdhi pranvera tjetër dhe filloi kositja e barit. Një ditë vjen Vasili, më tërheq mënjanë dhe më propozon një punë te peshorja. Për të, të kishte një njeri të rregullt në atë vend pune, ishte shumë e rëndësishme. Aty çdo ditë peshoheshin mjaft qerre me bar dhe në bazë të sasisë, të peshës të këtij bari, kërkohej sasia e prodhimit të qumështit. Pasi kishin dyshime në lidhje me ata që kishin punuar më parë, kishin vendosur, këtë radhë bashkë me përgjegjësen, të më caktonin mua. E falenderova për besimin.
Mendova se ky do të ishte një hap përpara, për t’u sistemuar. Por edhe kjo shkëndijë, u shua menjëherë. Të nesërmen, i veshur ndryshe, shkova te peshorja, ku njeriu që po punonte, më tha se duhej të paraqitesha te përgjegjësja e sektorit. Ajo u shpreh me keqardhje, për ç’ka ndodhi. Ishte e urdhëruar nga shefi i kuadrit. U ktheva në brigadë. Kaluan disa muaj dhe në fund të vjeshtës, filloi shkulja e panxhar sheqerit. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016