Dashnor Kaloçi
Pjesa e njëzet e gjashtë
Memorie.al publikon disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale arkivore të cilat mbajnë siglën ‘Tepër sekret’, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1981-1982, me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj., duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, “me një vajzë e cila në rrethin e saj familjar kishte disa të arratisur politikë”, mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të tij viti që vazhdoi deri në orët e vona të asaj nate, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit, pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë: “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, ku Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh: “Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit. Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror, etj.”! Të gjitha këto dhe të tjera dokumente me siglën ‘Tepër sekret’, do të publikohen në disa numra me radhë, ekskluzivisht nga Memorie.al.
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË
KOMITETI QENDROR Sekret
-Sektori i Përgjithshëm-
PROCES – VERBAL
I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KQ TË PPSH TË DATAVE
17 E 18 DHJETOR 1981
Rendi i ditës: Analiza e gabimit të rëndë të kryer nga anëtari i Byrosë Politike, Mehmet Shehu, lidhur me fejesën e djalit me një vajzë me përbërje shumë të keqe politike.
Në këtë mbledhje marrin pjesë gjithë anëtarët e Byrosë Politike, me përjashtim të shokut Hekuran Isai, që nuk erdhi për arsye se mbrëmë natën, i vdiq e ëma.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Vendimi më i drejtë do të ishte që ai të mos shkonte fare jashtë, por të dërgohej të punonte në një uzinë, të vente njëkohësisht në organizatën-bazë të Partisë, dhe të jepte llogari përpara saj për atë që beri, se është komunist. Kjo do të ishte më e drejta të bëhej dhe do të ishte dëshmi për një kuptim, si të thuash, i atij gabimi të rëndë që u bë i pjesshëm.
SHOKU MEHMET SHEHU: Ashtu duhet të ishte vepruar.
SHOKU SIMON STEFANI: Në njëfarë shkalle, djali u mor nën mbrojtje nga ju. Këtu, sentimentalizmi që thoni ju, u thellua më tej. Ju nuk arritët të mendonit që ai është komunist, që ka bërë një gabim të rëndë, shumë të rëndë e duhet të japë llogari në Parti, e cila ta gjykojë pastaj nëse duhet apo nuk duhet të shkojë jashtë shtetit më vonë. Ai është një njeri që ka bërë gabim të rëndë, bile edhe e ka përsëritur, dhe do ta them në diskutimin tim këtë.
SHOKU FOTO ÇAMI: Edhe këtu është prapë defekti ku keni rënë ju në rastin e parë, shoku Mehmet, domethënë që, nuk keni vënë mbi të gjitha interesin e Partisë. Po të mendoje thellë, do të shikoje se populli, duke parë se si u veprua e u vlerësua, gabimi e gjesti i djalit tuaj, i cili bëri një gabim, më pas edhe një tjetër dhe u lejua të dilte jashtë shtetit, ka të drejtë që thotë: “more, po ç’bëhet këtu, ka një vijë partie apo ka dy vija, një për disa e një për masën tjetër”?!
SHOKU MEHMET SHEHU: Ja, pikërisht për atë unë po e tërheq djalin nga Suedia.
SHOKU PALI MISKA: Po të ishte djali i një tjetri e kishim tërhequr ne, domethënë Partia, po pikërisht se është djali yt, ti duhesh ta tërhiqje vetë.
SHOKU MEHMET SHEHU: Po, duhej ta kisha tërhequr.
SHOKU PALI MISKA: Ashpërsinë, nxitimin në këtë rast, ti duhet ta tregoje në krahun tjetër, djalit t’i thoshe të shkonte në Martanesh, të shkonte të punonte me minatorët e me gjeologët, që të lante gabimin që bëri, e jo ta çoje të jepte provime jashtë shtetit, ta lejoje të bënte këtë e të bënte atë, pastaj të kthehej.
SHOKU RITA MARKO: A nuk tregon kjo një pranim formal të gabimit? Ky nuk është një thellim i menjëhershëm, po ju duhej të mbanit një vendqëndrim, ta analizonit deri në fund çështjen e tij.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Shoku Mehmet thotë se e ka kritikuar djalin se s’punonte. Kush e ka kritikuar? I’u nënshtrua djali juaj kritikës në ndonjë organ apo organizatë, apo e kritikuat vetëm ju si baba? Ku është kritikuar tjetër ai, dhe kush e ka kritikuar?
SHOKU MEHMET SHEHU: Jo, se nuk punonte. Deri tani di që e kam kritikuar vetëm unë. Ai bën pjesë në organizatën-bazë ku studion, në Suedi dhe kur të kthehet në Shqipëri do të vejë të bëjë pjesë në organizatën bazë të tijën.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Po mirë, më fal, shoku Mehmet, a jeni ju në dijeni nëse në organizatën-bazë të Partisë në ambasadë, kush bën pjesë, e ka shtruar ai për diskutim këtë problem, këtë veprim shumë të gabuar që bëri?
SHOKU MEHMET SHEHU: Unë i kam thënë që të vejë ta informojë organizatën bazë të Partisë dhe të veprojë si t’i thotë organizata-bazë atje. Kur ka ardhur këtu, kam pyetur shokun Dhimitër Lamani, nëse ka informuar. Ai më ka informuar se atë vetë e ka vënë në dijeni për këtë çështje, por në organizatën -bazë atje, nuk e di që të jetë shtruar një gjë e tillë.
SHOKU SIMON STEFANI: Po ja, shoku Mehmet, si do të thotë opinioni pozitiv në një rast të këtillë? Ai bëri këtë gabim kaq të rëndë, shkoi prapë jashtë dhe për të s’u diskutua asgjë. A nuk tregon kjo që kemi të bëjmë me ato mendime e koncepte se ne qëndrojmë mbi të tjerët, jemi jashtë normave e rregullave të Partisë, se për ne ka rregulla të tjera, ndërsa për tërë komunistët poshtë, ka rregulla të tjera?
SHOKU MEHMET SHEHU: Jo, unë gjykova kështu që ky e bëri këtë gabim dhe e ndreqi atë, se pranoi ndarjen. Këtu fajin nuk e ka djali, po e kam unë, sepse djali, do ta kishte lënë atë vajzë në qoftë se unë do t’i thosha ta linte.
SHOKU SIMON STEFANI: Jo, jo, ai bile ka faj shumë të rëndë.
SHOKU QIRJAKO MIHALI: Sigurisht që ne të gjykojmë ty këtu, po edhe ai ka faj shumë të rëndë.
SHOKU MEHMET SHEHU: Sigurisht që ka faj që vajti u lidh me atë vajzë.
SHOKU SIMON STEFANI: Po ai është komunist ama.
SHOKU RAMIZ ALIA: Edhe një herë po them për t’a ndihmuar shokun Mehmet. Mos qëndroni në mendimin si gjykonit atëherë. Sot, tani ç’mendon për pyetjet që të bëjnë shokët: bëtë mirë apo nuk bëtë mirë që e latë të shkonte dhe pse e latë djalin të qëndronte jashtë? Ky është problemi.
SHOKU MEHMET SHEHU: Jo, nuk bëra mirë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Se si menduat në atë kohë ju, është tjetër problem. Tani, tani si gjykoni?
SHOKU KADRI HAZBIU: Edhe këtë sentimentalizëm që thoni ju duhet ta shikoni dhe e drejta është që të thelloheni në të për të parë se ai ju ka shpurë edhe në qëndrime të tjera toleruese, jo vetëm në trajtimin e familjes, në këtë ne nuk po futemi në hollësira, por në vënien në kushte jo të barabarta me të tjerët, jo vetëm si anëtar partie, por edhe si udhëheqës me ato të drejta që më ka dhënë Partia.
SHOKU MEHMET SHEHU: Unë mund të kem bërë gabime, po nuk jam nisur me ndërgjegje që të vë veten time mbi shokët.
SHOKU KADRI HAZBIU: Një minutë, një minutë, në analizë neve nuk nisemi vetëm nga ndërgjegjja, vëmë në dukje faktet si janë, pastaj shikojmë shkakun, është ndërgjegjshëm apo i pandërgjegjshëm. Ty sa të ka ndihmuar organizata bazë e Partisë është tjetër gjë, në qoftë se ke pretendime që s’të kemi ndihmuar ne, dakord, por një herë t’i themi faktet ashtu siç janë.
SHOKU MEHMET SHEHU: Unë mendoj se nuk jam përpjekur që t’i kërkoj Partisë privilegje mbi të tjerët. Gabime mund të kem bërë, po jo që të nisem me ndërgjegje nga ajo se jam kryeministër ose ku ta di unë e të krijoj privilegje për vete.
SHOKU PALI MISKA: Të tjerët për një gabim shumë më të vogël nga ky i djalit tënd i kemi sjellë me aeroplan nga jashtë dhe u kemi thënë: shko tani në punë, laje gabimin që bëre. Ti vetë i ke dëgjuar, i ke parë, i ke kaluar nëpër duar këto masa që kemi marrë, kurse në rastin e djalit tuaj, nuk ke menduar ç’po bëj unë, ku po më shpie mushka, pse nuk po veproj si për gjithë të tjerët edhe për djalin tim etj. Për këtë, ti pra ke një bindje tjetër dhe nuk qëndron çështja tek veprimi. Nuk e di, po ndoshta ke edhe rezerva në këtë çështje.
SHOKU MEHMET SHEHU: Jo rezerva nuk kam, prandaj i kam dhënë urdhër djalit që të kthehet.
SHOKU PALI MISKA: Po në rast se nuk ke rezerva, atëherë pse nuk e bëre këtë me kohë? Kjo është një gjë shumë e thjeshtë. Po të jepje urdhër ti si kryeministër, djali kthehej brenda ditës në Shqipëri. Ç’urdhër pret ti shoku Mehmet? Këtu nuk është puna të të themi ne, ti duhet ta kishe bërë vetë këtë punë.
SHOKU MEHMET SHEHU: Po unë them se po të duhet, unë i jap urdhër të kthehet që sot, po e kam lajmëruar që sa të mbarojë provimet që ka nëpër duar, të kthehet.
SHOKU PALI MISKA: Po ai nuk e meriton, more shoku Mehmet të mbarojë provimet. Kjo duhet kuptuar mirë.
SHOKU MEHMET SHEHU: Për këtë çështje vajta u konsultova edhe me shokun Ramiz dhe mbetëm dakord me të që të veproja kështu.
SHOKU RAMIZ ALIA: Jo, jo, nuk është ekzakt ashtu. Me shokun Ramiz ti erdhe u konsultove, po unë të thashë të njëjtën gjë që të tha edhe Pali, ai djalë menjëherë duhet kthyer. Pastaj se kur duhej kthyer, këtë ti e di vetë, vendosni juve për kohën.
SHOKU MEHMET SHEHU: Edhe unë e lajmërova që sa të mbarojë provimin që ka në dorë dhe të kthehet.
SHOKU RAMIZ ALIA: Jo, e drejtë është ajo që thotë shoku Pali. Ju pse nuk e menduat këtë gjë vetë, pse prisnit t’jua thoshim ne?
SHOKU MANUSH MYFTIU: Shqip, ai nuk e mendoi këtë për të ruajtur “prestigjin” dhe përpiqet të gjejë forma të ndryshme që të mos i preket autoriteti. Duhen thënë hapur gjërat. Se djali i tij jo vetëm që nuk e meritonte të shkonte përsëri jashtë, por ç’rëndësi ka për të nëse do t’i mbarojë apo s’do t’i mbarojë provimin, pasi ai kthehet për dënim, jo për vizitë, që nuk duhej të humbiste provimet.
SHOKU KADRI HAZBIU: Të flasim ashtu siç është, mbase juve të tjerëve nuk ju ka rënë rasti, por unë ia kam thënë hapët shokut Mehmet: ktheje djalin!
SHOKU RAMIZ ALIA: Edhe shoku Enver ia ka thënë, edhe unë i thashë në një mbledhje që kemi bërë: shoku Mehmet duhet kthyer djali.
SHOKU ENVER HOXHA: Le të kalojmë tani në pyetjet e tjera se kjo çështje është e qartë.
SHOKU MEHMET SHEHU: Pyetëm: a je çliruar plotësisht nga sentimentalizmi për këtë djalë? Mua më duket se në reflektimin që kam bërë jam çliruar nga sentimentalizmi dhe djali duhet të kthehet të japë llogari në Parti dhe të dërgohet të punojë atje ku do të caktohet. Tjetër pyetje. Nga cilët shokë duhej të ndihmohesha? Në radhë të parë duhet të ndihmohesha nga shoku Enver, po nuk kisha vetëm shokun Enver, kisha dhe shokë të tjerë.
SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Ju shoku Mehmet thoni se, në qoftë se shokët do ta dinin këtë e do të më ndihmonin, nuk do ta kisha bërë këtë veprim. Unë bëj pyetjen: Cilët janë këta shokë që e dinin problemin e fejesës së djalit tënd?
SHOKU MEHMET SHEHU: Në qoftë se ndonjë shok do më kishte ardhur, do ta kishte marrë vesh e do ta kishte kuptuar, do të më kapte për palltoje e do të më thoshte: Shoku Mehmet e ke gabim! Unë ju siguroj, shokë të Byrosë Politike, se menjëherë do ta korrigjoja.
SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Po nga ta dinim ne këtë, shoku Mehmet?
SHOKU ENVER HOXHA: Shiko si të tha ai, nga ta dinim ne? Po cilët ishin ata që e dinin? Kush e dinte që ti kishe fejuar djalin me një vajzë me të tillë përbërje?
SHOKU KADRI HAZBIU: Po, cilët e dinin? Ndryshe pse e shtron në autokritikë këtë që, po të më kishin ndihmuar shokët….cilët, kush janë ata shokë, thuaje emrin e tyre këtu, në Byronë Politike!
SHOKU MEHMET SHEHU: Unë nuk them që shokët e dinin, po në qoftë se ndonjë nga shokët do ta kishte marrë vesh dhe do të ma thoshte…
SHOKU PALI MISKA: Atëherë si do të të ndihmonim ne kur s’e dinim?
SHOKU KADRI HAZBIU: Më fal, shoku Pali, meqenëse tani u kap kjo çështje këtu, unë e kam për ta thënë këtë edhe në diskutim, ai e shtron çështjen që “edhe shokët duhet të më kishin ndihmuar”. Kjo do të thotë se ai aludon sikur dikush e ka ditur dhe nuk e ka ndihmuar. Në autokritikë kështu është shkruar. Atëherë pa na thuaj kush e dinte?
SHOKU MEHMET SHEHU: Unë nuk them që edhe shokët duhej të më kishin ndihmuar, po të gjithë duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin.
SHOKU KADRI HAZBIU: Në autokritikë kështu është shkruar./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016