Memorie.al sjell ntervistën e rrallë në emisionin RREFIM të TV Scan, të “Skupltorit të Popullit”, Muntaz Dhrami, lidhur me vizitën në vitin 1972 në Republikën Popullore të Kinës të një delegacioni nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë që kryesohej nga shkrimtari ushtarak, Resul Bedo, ku bënte pjesë dhe ai vetë bashkë me shkrimtarin Ismail Kadare….
Para pak kohësh në Tv Scan, ishte i ftuar “Skulptori i Popullit”, profesor Muntaz Dhrami, i konsideruar edhe si legjenda e skulpturës shqiptare, pas të madhit Odhise Paskali. Gjatë dëshmisë së tij në emisionin “RREFIM”, të moderuar nga gazetarja Albana Shehu Qirjako dhe me autor gazetarin Dashnor Kaloçi, mjeshtri Muntaz Dhrami ndër të tjera u ndal edhe në një vizitë që ai kishte bërë në Republikën Popullore të Kinës në vitin 1972, (bashkë me shkrimtarin e njohur, Ismail kadare), në përbërje të një delegacioni nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, i cili kryesohej nga shkrimtari ushtarak Resul Bedo, i cili asokohe mbante funksionin e shefit të Propagandës së Ushtrisë shqiptare në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore..
Shkrimtari Resul Bedo mbante atë funksion në Ministrinë e Mbrojtjes, në sajë të meritave të tij, pasi: “në moshën 15-vjeçare, ishte nga të parët që u rreshtua në çetën partizane “Çerçiz Topulli”, më pas në batalionin “Asim Zeneli” dhe më vonë në Brigadën e VI-të Sulmuese. Gjatë Luftës mori pjesë dhe në betejat në Jugosllavi, ndërsa pas çlirimit të vendit, do të ishte nga ushtarakët që morën pjesë në përballjet me Greqinë gjatë provokacioneve në kufi, më vitin 1949”.
Në emisionin në fjalë, mjeshtri Dhrami tregoi se delegacioni i tyre u prit me nderime të mëdha në Republikën Popullore të Kinës dhe nisur nga fakti se ai kryesohej nga Resul Bedo, që asokohe mbante edhe funksionin e shefit të Propagandës në Ushtrinë Shqiptare pranë Ministrisë së Mbrojtjes, në bazë të protokollit, atë duhej ta priste homologu kinez, Çian Çin, që ishte vetë gruaja e Mao Ce Dunit, e cila mbante postin e drejtores së Propagandës së Ushtrisë së Kuqe të Kinës. Dhe ashtu ndodhi vërtet, sipas Dhramit atyre iu bë një pritje madhështore, ku ata ecën mbi qilimin e kuq të rrethuar me roje nderi dhe nën tingujt e bandës frymore te ushtrisë. Mjeshtri Dhrami kujton se në ato takime, shkrimtari Resul Bedo, ishte me uniform ushtarake dhe me dekorata e medalje të vëna bukur në gjoks.
Pas këtij takimi, delegacioni shqiptar u prit në një takim të veçantë edhe nga Go Mo Zho, një personalitet me reputacion dhe popullaritet mjaft të madh, i cili në atë kohë mbante funksionin e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Republikës Popullore të Kinës.
Sipas mjeshtrit Dhrami, pas fjalës së rastit e mbajtur nga Go Mo Zho, e mori fjalën Resul Bedo, i cili pasi e falenderoi shokun Go për ftesën dhe mikpritjen, që në fillim të fjalës së tij i iu drejtua duke i thënë: “Shoku Go, ju nuk ishit thelluar në autokritikën tuaj që keni bërë pas kritikave që ju ka bërë shoku Mao në raportin e tij….”. Dhrami kujton se këto fjalë u ranë si bombë atyre të dyve dhe shkrimtari Ismail Kadare u nxeh dhe inatos keqas me Resul Bedon, aq sa nuk e përmbajti dot veten dhe në kulmin e zëmërimit ndërhyri duke i folur me fjalë nëpër dhembë kolegut Bedo edhe pse ai ishte kryetar delegacioni. Por ndërsa ndërhyrja e Kadaresë ndaj Bedos ishte me njëfarë takti, mjeshtri Muntaz Dhrami kujton se ai vetë i foli më ashpër Bedos, madje fare hapur, pasi e kishte më afër se Kadareja, (ishte në mes tyre), duke i thënë: “Resul, ç’janë këto broçkulla që na lëshon këtu….”.
Por sipas Dhramit, (që publikon për herë të parë për Tv Scan, dhe komenton foton e rrallë ku ai ka dalë në mes të Kadaresë dhe Resul Bedos në takimin me kryetarin e Akademisë së Shkencave të Kinës), shoku Go Mo Zho, jo vetëm që nuk ia mori për keq “kritikën” që i bëri “shoku Bedo”, por përkundrazi, ai e vlersoi atë si “shumë parimore” dhe u ndal gjatë te “puna dhe përpjekjet që ai po bënte për të përmirësuar të gjitha ato që përmbante kritika e shokut Mao, në raportin e paraqitur Kongresit të Partisë Komuniste të Kinës”.
Në dëshminë e tij në emisionin “RREFIM”, mjeshtri Dhrami nuk u ndal më gjatë se si dhe çfarë diskutuan ai dhe Kadare me kolegun e tyre Resul Bedo lidhur me “incidentin” në takimin me shokun Go Mo Zho, dhe a bëri më Resuli “kritika” të tilla në takimet e tjera që ata zhvilluan më pas?! Pasi ai, (Muntazi), u nda nga ai delegacion dhe vazhdoi vizitat e tjera me kolegë të tjerë shkrimtarë dhe artistë shqiptarë që asokohe ndodheshin në Republikën Popullore të Kinës, ndërsa Resul Bedo me Kadarenë, vazhduan vizitën e tyre në Vietnamin e Veriut, që asokohe ishte në luftë të ashpër me amerikanët.
Por duket se shkrimtari ushtarak Resul Bedo, (ish-partizan i Brigadës së VI-të Sulmuese”, edhe në Vietnam lëshoi “xhevahire” të tilla si ato me “shokun Go Mo Zho”. Këtë gjë e bën të ditur shkrimtari i njohur, Ismail Kadare në kujtimet dhe ditarët e tij, ku një pjesë tashmë janë bërë publike nga bashkëshortja e tij znj. Helena Kadare, në librin e saj “Koha e pamjaftueshme” (Botime ONUFRI, Tiranë 2011), ku ndër të tjera lidhur me këtë vizitë të Kadaresë dhe Resul Bedos në Vietnam, ajo shkruan: “Në një moment Ismaili tha me vete se: po shpëtuam nga vdekja prej pickimit të këtyre gjarpërinjëve helmues, do të na vrasin vetë këta vietnamezët, pasi Resuli u thotë që të vazhdojnë të luftojnë dhe të vazhdojnë më tej qëndresën, ndërsa ata janë të raskapitur dhe të dërmuar keqasi pasi kanë disa muaj pa lëvizur nga pozicionet e tyre…”?!/Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016