Dashnor Kaloçi
Pjesa e tridhjetenjë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze që i përket Tuk Jakovës, i cili që nga periudha e Monarkisë së Zogut, ishte një nga krerët kryesorë të Grupit Komunist të Shkodrës, i dënuar me burg politik në gjyqin e famshëm të vitit 1938, së bashku me Qemal Stafën e Vasil Shanton, pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare dhe anëtar i Komitetit Qendror Provizor të saj, që nga mbledhja themeluese e 8 nëntorit të vitit 1941, komisar politik i Brigadës së Parë Sulmuese dhe Korparmatës së Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ku nga mbarimi i Luftës, në nëntorin e vitit 1944 e deri në 1955-ën, mbajti disa funksione dhe detyra të larta partiake e shtetërore, si: anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, ambasador fuqiplotë i Republikës Popullore të Shqipërisë në Beograd, President i Sindikatave të Shqipërisë, ministër i Financave dhe zv/Kryeministër i qeverisë shqiptare, të kryesuar nga Enver Hoxha etj. E gjithë dosja voluminoze (formulare dhe hetimore) që publikohet për herë të parë nga Memorie.al., ku ndodhen me qindra dokumente të panjohura, në ngarkim të ish-gjeneral-leitnant Tuk Jakovës, (“Hero i Popullit”), të cilat i përkasin periudhës së viteve 1951-1959, kur ai pas kontradiktave të shumta, që kishte me Enver Hoxhës që nga mbarimi i Luftës, në vitin 1951 u përjashtua si anëtar i Byrosë Politike dhe në 1955-ën, u përjashtua edhe nga Komiteti Qendror i PPSh-së, duke u shkarkuar edhe nga të gjitha funksionet e partiake e shtetërore, që kishte mbajtur deri në atë kohë, u internua familjarisht në rrethin e Beratit, ku pasi punoi disa kohë si përgjegjës i Repartit të Zdrukthëtarisë në atë qytet, në 1957-ën, u dënua me izolim në Kalanë e Kaninës së rrethit të Vlorës, ku dhe u arrestua në vitin 1958, duke u dënuar me 20 vjet burg, i akuzuar si “tradhtar e armik i popullit”, deri sa vdiq në spitalin e Burgut të Tiranës në vitin 1959, në rrethana misterioze! Çfarë thuhet në dokumentet sekrete (relacione, fotografi, kartela, formularë, raport-informacione, shënime, proces-verbale, raporte-survejimi, plane-masash, deklarata, letra denoncuese, etj.) që i përkasin periudhës 1955-1959, kur ai ishte në ndjekje dhe survejim të vazhdueshëm nga organet e Sigurimit të Shtetit, cilët ishin oficerët e organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që ishin ngarkuar për vëzhgimin e tij dhe emrat e pseudonimet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, që e mbanin atë nën kontroll të rreptë?!
Dokumenti me proces-verbalin e marrjes në pyetje të dëshmitares Dhora Leka, nga ana e hetuesve të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Kapiten i I-rë Rexho Hyseni dhe Kapiten, LlambI Gegeni
Proces-verbal
(Dëshmija)
Tiranë, më 18 janar 1958.
Unë hetuesi i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Kapiten i I-rë, Rexho Hyseni, duke asistuar dhe Kapiten Llambi Gegeni, morra në pyetje dëshmitaren Dhora Lekën, e bija e Andreas dhe Anastasisë, e dt. 1923, lindur në Korçë dhe banuese në Gjirokastër, me arsim të lartë, me profesion kompozitore, shtresë e varfër qytetare, e divorcuar, e dënuar 25 vjet burg, në vitin 1957, për çështje politike, vuan dënimin në Punëtorinë qendrore të Ministrisë së Brendshme, Tiranë, me shtetësi dhe kombësi shqiptare.
Pyetja filloi në ora 13 e 15
Pyetja mbaroi ora…….
Jam përgjegjëse për dhënie deponimesh të zhdrejta, ose për kufizim deponimesh, në bazë të nenit 225 të Kodit Penal.
Dëshmitarja
Dhora Leka
Pyetje: Kur keni shkuar në Elbasan, jeni takuar me Bedri Spahiun ju, dhe nëse po, çfarë është biseduar midis jush?
Përgjigje: Në këtë plenum, ai tregonte mënyrën që i ishte drejtuar Enver Hoxha, duke i thënë fashist, me gjithë durimin që kisha tha ai, i thashë Enverit, se dhe unë po të isha në vendin tuaj edhe unë, ashtu do të thosha. Unë Dhora, në këtë rast i thashë Bedriut, se Tuku mendon se juve Bedri, kësaj radhe jeni dënuar për çështjen e tij. Bedriu në këtë moment, vetëm ka qeshur.
Unë i kam thënë pastaj se Tuku i ka drejtuar një letër Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Bedriu më tha se Tuku nuk ka bërë mirë, është naiv dhe nxitohet, sikur t’u bjerë ajo letër atyre, nuk është mirë që ata të dinë mendimin tonë dhe më porositi, që t’i thuash Tukut, që të mos dërgonte letër në Komitetin Qendror dhe të mos e lëshonte veten, sepse më kanë thënë që atje në Berat, Tuku e ka lëshuar shumë veten, i thuaj më tha që të bëhet burrë.
Përsa i përket atyre çështjeve që kishin të bënin me Jugosllavinë, si p.sh. gjyqi i Koçi Xoxes, republika e shtatë dhe divizionet, ai i shikonte si akuza të pa baza, që ishin bërë vetëm n’atë kohë. Përsa i përket situatës të krijuar në Parti n’atë kohë, ajo ishte vijë e përgjithshme e Partisë, dhe nuk ishte faji i Koçi Xoxes. Ai në këtë rast më tha, se mirë atëherë ish Koçi Xoxe, po tani kush është, që është e njëjta situatë në Parti? Në këtë rast ai tha se duhet punuar me anëtarët e Komitetit Qendror në radhë të parë dhe me gjithë komunistët e tjerë, për t’i sqaruar.
Ai më pyeti mua se si shkoja në Lidhjen e Artistëve, si shkonte letërsia dhe arti. Ai më tha që nënvleftësimi që i vjen artit dhe kulturës nacionale, e ka burimin në Enver Hoxha, ai është shkaktar që arti dhe muzika nuk zhvillohen sa duhet.
Pyetje: Kur juve i thatë Bedri Spahiut, se jam e dërguar dhe interesohet për materialet e Koçi Xoxes dhe pretencën e gjyqit të Koçi Xoxes. Ç’farë ju tha Bedriu për këtë?
Përgjigje: Bedri Spahiu, kur unë ju paraqita si e dërguar nga një funksionar i Legatës Jugosllave, i cili interesohet për materialet e Koçi Xoxes, ai ma tregoi se ku gjinden këto materiale, siç e shpjegova dhe më lart.
Pyetje: Po më vonë jeni takuar ju me Bedri Spahiun dhe ku?
Përgjigje: Lidhjet më vonë me Bedri Spahiun unë i kam mbajtur në Tiranë. Me Nedo Spahiun, një herë jam takuar në shtëpinë e një fisit të Bedri Spahiut që banon në apartamentet e Ministrisë Punëve të Brendshme, ka një vajzë në burg, quhet Engjëllushe. Bisedën që ne zhvilluam në këtë shtëpi, e cila afërsisht është bërë në Shkurt – Mars 1956, unë dhe Nedoja kemi biseduar me zë të ulët, duke qenë edhe e zonja e shtëpisë, porse nuk na ndigjoi.
Unë desha t’i kallëzoja për Kongresin e XX-të, porse ajo më tha se i dinte të gjitha, sepse materialet i kishte marrë gjetkë porse ku, nuk më tha. Unë i thashë Nedos, në këtë rast që merrja masat për të shkuar në Bashkimin Sovjetik, për të çuar një letër tek Hrushovi, të cilën do ta shkruante Tuku dhe e porosita që të shkruante dhe Bedriu. Ajo më tha se për këtë çështje, do të bisedonte me Bedrinë dhe se letrën do të çonte me të ëmën e saj që neve i flitnim.
Unë i dhashë Nedos edhe 12.000 lekë në këtë rast, mbasi na kishte lënë një plaçkë për t’a shitur. Nedua u largua për Elbasan dhe mbas afërsisht ditën që kishim caktuar, vjen e ëma e Nedos, që kishte sjellë tek doktori fëmijët, unë shkoj tek kjo gruaja prapë, porse e zonja e shtëpisë, më tha se plaka me fëmijët është tek Dr. Hoxha. Unë shkova atje dhe takova plakën kur doli nga doktori, e pyeta nëse i kish dhënë gjë Nedoja për mua dhe ajo më tha jo.
Edhe një herë tjetër, kur jam takuar me Nedon në buzë të Lanës afër Legatës Çeke, ajo më tha që; Bedriu është dakord që ta shkruante letrën, porsa Bedriu n’asnjë mënyrë nuk pranonte që letra të shkonte nëpërmjet Legatës Jugosllave. Në këtë takim, Nedoja më tha se nuk është mirë që të takohemi bashkë, se ajo ishte në korrent të çdo gjëje, kishte njerëz që e mbanin në korrent të çdo gjëje.
Pyetje: Juve më vonë personalisht jeni takuar me Bedriun?
Përgjigje: Po jam takuar në Maj të 1956-ës në mëngjes, ka qenë ora 10-11, në trotuarin karshi hotel “Dajtit”, i cili vinte nga rruga e kryeministrisë, mbasi u përshëndetëm, ai më ndali dhe më tha se; dhe ti Dhora tani mos ki frikë, se dhe ti tani je e ‘lagur’. Më tha nëse më kishte ardhur keq që më përjashtuan dhe shtoj se që të përjashtohesh sot nga Partia, është një çështje nderi. Gjatë kësaj bisede kemi ecur nja dhjetë- pesëmbëdhjetë hapa bashkë, dhe pa biseduar gjë tjetër bashkë u ndamë.
Në Qershor 1956, jam takuar me Bedrinë e me të shoqen në lulishte karshi hotel “Dajti”-t. Bedriu më tha se e dinte që isha transferuar në Gjirokastër, por se unë i thashë se nuk do të shkoj në Gjirokastër, e për këtë, do të shisja një piano forte dhe të jetoja në Tiranë. Bedriu më tha se; kjo që unë mendoja, është e parealizueshme, sepse as pianon s’ta blejnë dhe as këngë nuk do të të lejojnë të kompozosh.
Por më këshilloi që të nisesha për Gjirokastër, se është popull i mirë. Bedriu më tha se kishte gjithë mëngjesin që kërkonte Tukun, se kishte marrë vesh që kishte ardhur. Unë i thashë se Tuku kishte ardhur në Tiranë në darkë ke e ëma dhe ishte nisur në mëngjes, që dhe unë nuk e kisha takuar. Bedriu atëherë më tha se; si iku përnjëherësh dhe tregoi keqardhje që nuk u takua. Që nga kjo ditë, me Bedriun, nuk jam takuar më, ndërsa me Nedon jam takuar në korrik në tren, rastësisht kur unë udhëtoja nga Tirana për në plazhin e Durrësit.
Pak biseduam me Nadon në tren dhe ajo më tha se; Bedriu mendon se problemet tona nuk po zgjidhen, e se sipas mendimit të tij, me sa ai dëgjonte radion, ka thënë se edhe në Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, nuk ishin të gjitha punët në rregull. Pastaj me Nadon janë takuar në shtator 1956, ku ka qenë Komiteti i Rrethit të Tiranës, unë atëherë kisha ardhur që nga Berati dhe ajo vinte nga Elbasani dhe jemi ndeshur pranë ish Komitetit Ekzekutiv të rrethit Tiranë. Ajo më tha; u Dhora, do të thonë sikur ne kemi lënë takim. Që të dyja ramë dakord që të takoheshim në lulishten para “Dajti”-t, por unë nuk vajta.
Pyetje: Çfarë gjë tjetër ju porosit Bedriu në Elbasan?
Përgjigje: Përveç të tjerave Bedriu më ka thënë, t’i them Tukut, që të mos shes plaçkat përnjëherë, sepse si mbas mendimit të tij, kjo situatë do të vazhdonte shumë kohë dhe se Bedriu më tha mua se ata ishin ngushtë nga gjendje ekonomike, porse ata nuk i shisnin plaçkat. Ai vazhdoj e me tha se; për mua thonë se kam patur 400.000 lekë, këtë e thonë për të na diskredituar, se gjoja ne kishim marrë masa për këtë gjendje. Kur u ndamë, u zumë në qafë dhe ma shtrëngoj dorën dhe më tha se; je i pari komunist që unë i shpreha mendimet e mia.
Pyetje: Çfarë tjetër kini për të thënë?
Përgjigje: Që nga takimi i parë që kam bërë me Bedri Spahiun e deri në fund, ja kam dhënë këto informata Cvetozar Vuçiçit, funksionar i Legatës Jugosllave, duke i dhënë pretencën, proceset e gjyqit të Koçi Xoxes, të cilat i kam marrë nga koleksioni i gazetës “Zëri i Popullit”. Gjithashtu i kam dhëna Cvetos, bisedën e parë me Bedri Spahiun, ashtu edhe opinionet e tija deri në fund. Memorie.al
Dëshmitarja Hetuesit
Dhora Leka Rexho Hyseni Llambi Gegeni
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016