Nga Gjet Kadeli
Pjesa e njëzetepesë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Autoriteti për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze (dosja formulare e përpunimit me 433 faqe dhe ajo hetimore e gjyqësore me 632 faqe) në ngarkim të Gjet Kadelit, me origjinë nga fshati Bulshar i Oroshit të Mirditës dhe me banim në Bushnesh e Mamurras të Kurbinit, ish – i burgosur politik në regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, i cili kaloi plot 16 vjet në kampet dhe burgjet komuniste, si në Spaç, Burrel, etj. Siç do të shohim nga dokumentet që ndodhen në dosjen në ngarkim të Gjet Kadelit, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, survejimi dhe ndjekja ndaj tij, ka filluar që në vitin 1957, kur ai ishte në moshën 17 vjeçare, me raport-informacionin e oficerit të Sigurimit të Shtetit, Fahri Kraja, (në bazë të të dhënave të bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Dylli i Bardhë”, me miratimin e Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Krujës, nënkolonel Muhedin Kërxhalliu), ka vazhduar më pas edhe gjatë periudhës që ai ndodhej në kampe dhe burgje, si në Spaç, ku pas revoltës së majit vitit 1973, Gjeta u ri dënua, pasi ishte ideatori kryesor për ngritjen e flamurit pa yllin komunist, duke vijuar më pas në burgun e Burrelit, me raport-informacionet e Punëtorit Operativ, Piro Nuredini, etj., për bisedat e Gjetës me të dënuarit e tjerë të atij burgu, si: Pjetër Arbnori, Daut Gumeni, Abdulla Sallaku, Spartak Ngjela, Avni Aliko, Luan Burimi, Çaush Çoku, Kapllan Resuli, Bardhosh Gjonzeneli, Bashkim Shehu, etj. Survejimi dhe ndjekja ndaj Gjet Kadelit, ka vijuar edhe pas daljes nga burgu në vitin 1987, duke vazhduar deri në janarin e 1991-it, me shembjen e regjimit komunist, kur dosja e tij u mbyll përfundimisht duke u arshivuar në arshivën sekrete të ish-Sigurimit të Shtetit. Po kështu, një vend të rëndësishëm në dosjet e në fjalë, zë edhe korrespodenca me letra e Gjetës dhe familjes së tij, me babanë e tyre, Pjetër Kadeli, ish-ushtarak i Monarkisë së Zogut, i cili pasi kishte shpërthyer qelitë e burgut të Degës së Brendshme të Rrëshenit më 28 korrik 1950, qëndroi disa kohë në male në arrati, e më pas në vitin 1951, u kthye fshehurazi në Mirditë, mori dhe djalin e tij, Gjonin dhe u arratis në Jugosllavi e, më pas në SHBA-ës, ku qëndroi si emigrant politik, deri në fillimin e viteve ’90-të, kur u kthye përgjithmonë në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe kohe gati 35 vjeçare që, Gjet Kadeli është ndjekur dhe survejuar nga Sigurimi i Shtetit, ndaj tij janë angazhuar dhe aktivizuar plot 33 bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, që kanë dhënë raportet e tyre, duke filluar nga “Dylli i bardhë” në 1957-ën, e deri te “Dallëndyshja e Malit” në 1990-ën, të cilat, do të pasqyrohen të gjitha të plota, ashtu siç ndodhen në dosjet përkatëse.
Dokumenti sekret me raport-informacionin e Punëtorit Operativ, Vehap Kuka, me të dhënat e agjentit të Sigurimit “Shkëmbi”, për bisedat e bëra në burgun e Burrelit, nga Gjet Kadeli dhe Daut Gumeni, Luan Burimi, Çaush Çoku, Dhori Grënjoti, Bardhosh Gjonzeneli, Muho Bala, etj.
Marrë: nga P.Op. V.Kuka
Dhënë” nga B.p. “Shkëmbi”
Burrel më 12.7.1983
R A P O R T
Ai njofton se, një ditë në dhomë po bisedohej për vuajtjet e të burgosurve në burgun e Burrelit, nga të dënuarit Bardhosh Gjonzeneli, Daut Gumeni, Skënder Shatku dhe më vonë u fut Dhori Grënjoti.
Daut Gumeni, tha: “Këta kanë marrë gjithë gjërat e këqija të Hitlerit që bënte nëpër burgje me hebrenjtë. Hitlerianët i vrisnin të burgosurit, i linin pa ngrënë, i futnin me një dhomë bashkë dhe i rrihnin. Kështu bëjnë edhe këta, të rrahin, të lënë pa ngrënë, të dënojnë kot, të fusin në një dhomë 24 vetë etj”.
Dhori Grënjoti, tha: “Edhe kur arratisesh nga kampi, të vrasin si të vrisnin në kampet gjermane. Kur u arratis një me mbiemër Zogu, nga kampi i Laçit dhe e zunë, e sollën para kampit dhe vetë një i Ministrisë, e qëlloi 7 herë me revole në këmbë, deri sa ja theu këmbën. Pastaj u kthye nga ne e tha. Ju vrasim për dore të gjithëve”.
Bardhosh Gjonzeneli, tha: “Në kohën e Koçi Xoxes, kishte 7 kg. ushqime, kurse sot pas 40 vitesh, u ulën në 2 kg. I marshin të keqen Koçit”.
Luan Burimi, tha: “Më fal o Mehmet Shehu se, të kam sharë, por paska edhe më të poshtër se ty. Paska lënë qent prap, gjallë”.
Gjet Kadeli: “Neve nuk duhet të përmendim me gojë torturat e krimet që kanë bërë tash 40 vjet. Është tmerr, ti kujtosh. Xhaxhai më bëri 25 vjet burg, doli ai dhe u futa unë, po bëj 12 vjet, babai ka bërë në fillim burg. Pra gjithë familja ime e dënuar nga pushteti”.
Sapo panë fotografinë e Ministrit Punëve të Brendshme, Bebi Konomi tha: “Shih sa qenka bërë Ministri (me emër, sa një fuçi, ku të len ky të haj”?
Çaush Çoku, tha: “Shiheni Sekretaren e Komitetit Qendror të PPSH-së (me emër), patrioten time, si është shëndoshur, krejt Myzeqenë e ka në dorë”. Erdhi nga Tirana, Kosta Gjoka e tha: “Lash në Tiranë Sadik Bekteshin, të dënuar 25 vjet”.
Muho Bala, erdhi menjëherë tek krevati i Kostës dhe e pyeti për Sadikun. Në fund tha: “Sadiku ka qenë një nga kuadrot më të mirë të Ushtrisë tonë. Por, kjo qeveri, po i zëvendëson me Ministrin e Mbrojtjes Popullore (me emër) me shokë, që s’dinë as me lexu, por ama, janë të zotët me vra cilindo që t’i kundërshtojë”.
Paulin Vata, tha: “Të gjithë vendet socialiste, i vrasin njerëzit e zgjuar, lufta kundër teknokratizmit se kanë dëgjuar si e thoshte Stalini, udhëheqësi kryesor i Partisë, e të tjerë”.
Muho, u përgjigj: “Këto nuk janë socialistë, se socialistët janë në Moskë, Jugosllavi, Bullgari e Hungari.
“SHKËMBI”
Vlerësimi: Raporti ka vlerë operative, në të dalin reagime armiqësore të dënuarve të sipërpërmendur, lidhur me regjimin e burgut, mbi gjoja trajtimin e keq që u bëhet nga shteti të burgosurve, për ndryshimin në rregulloren e burgut. Flasin me urrejtje për udhëheqjen e Partisë dhe të shtetit. Pse këta të dënuar, zhvillojnë veprimtari armiqësor në formën e agjitacionit e propagandës me njëri tjetrin.
Detyra: B.p. ju dha detyrë që të na informojë për komentet armiqësore që, zhvillojnë të dënuarit në dhomë me njëri tjetrin për probleme të ndryshme.
Ju dha detyrë të bisedojë me Kapllan Resulin dhe nëpërmjet bisedave, të mësojë se çfarë e shtynë atë të veprojë në mënyrë armiqësore, me ç’qëllim e bën studimin e të burgosurve të burgut të Burrelit. Ku e kanë bazën veprimet e tij armiqësore dhe nga kush shtyhet e frymëzohet, mos ka lidhje me UDB-në Jugosllave dhe nëpërmjet kujt e realizon?!
Në biseda me të dënuarit e sipërm dhe me lidhjet e tyre në dhomë, të mësosh se, si e kanë formuar besimin e flasin në mënyrë armiqësore hapur, mos e bëjnë të organizuar, nëse po, nga kush drejtohen, në se kanë veprimtari armiqësore të përbashkët se të dënuarit e tjerë të burgut, si e kanë organizuar dhe me ç’mënyrë komunikojnë për detyrat e ngarkuara?!
Punëtori Operativ
Vehap Kuka
Dokumenti sekret me raport-informacionin e Punëtorit Operativ, Vehap Kuka, me të dhënat e agjentit të Sigurimit “Shkëmbi”, për bisedat e bëra në burgun e Burrelit, nga Gjet Kadeli dhe Daut Gumeni
Marrë: nga P.Op V.Kuka
Dhënë: nga B.p. “Shkëmbi”
Burrel, më 8.10.1983
R a p o r t
Ai njofton se para disa ditësh, radio dha një emision për ngjarjet e Kosovës, se një shqiptari i kishin thyer shtyllën kurrizore. Sepse, e tha këtë i dënuari Gjet Kadeli, tha me zë të lartë: “I harrojnë këta shqiptarët e viteve 1947-‘48-‘49, kur i mbytnin nëpër qelitë e burgjeve. Vetë Vangjel Rëmbeci, komandant burgu këtu në Burrel, ka vrarë dy vetë për një natë”.
I dënuari Daut Gumeni, tha: “Brenda një dite janë dorëzuar mijra kosovarë policëve të Titos. Me urdhër të Komitetit Qendror, janë dorëzuar nacionalistët kosovarë me, u pushkatuar nga Titoja me shokë. Dhe Tito, nuk i kurseu, por i vrau. Na tregonte Sajit Bulica mua dhe Pjetër Arbnorit, se, mundoheshin në vitin 1945-1946, kur luftonin atje kosovarët, me ardh me ne në Shqipëri dhe kacavirreshin nëpër spondet e makinave tona, kurse neve, me urdhër, u binim duarve me kondak të pushkës. Ne i rrëzonim për tokë, serbët i merrnin i pushkatonin pa gjyq”.
“SHKËMBI”
Sqarim: Gjet Kadeli, është i dënuar për krime kundër shtetit, ka babën dhe vëllezërit të arratisur jashtë shtetit, kemi të dhëna në ngarkim të tij.
Daut Gumeni, është i dënuar për krime kundër shtetit, ka një vëlla të dënuar për krime kundër shtetit, kemi të dhëna në ngarkim të tij.
Pjetër Arbnori, është i dënuar për krime kundër shtetit, ndiqet nga ana jonë në përpunim aktiv 2/A për organizim k/revolucionar.
Sehit Butlica, ka qenë i dënuar për krime kundër shtetit, sot i vdekur.
Vlerësimi: E dhëna ka vlerë operative, në të del agjitacioni e propaganda e mprehtë që zhvillojnë këta të dënuar, lidhur me ngjarjet në Kosovë. Del se, këtë veprimtari, këta të dënuar e zhvillojnë hapur në prezencë të të dënuarve të tjerë të dhomës. Del se Dauti, është në lidhje të ngushtë e objektit Pjetër Arbnori.
Detyra: B.P. ju dha detyrë që të bisedojë përsëri me të dënuarit e sipër, lidhur me ngjarjet në Kosovë dhe Jugosllavi, duke u thënë se; jo të gjithë kosovarët që kanë ardhur në Shqipëri, janë dënuar, por ato që kanë zhvilluar veprimtari armiqësore si puna jonë.
Përsa thoni, lidhur me ngjarjet e viteve 1974-1949, mua më duket se, e sqaron shumë mirë udhëheqësi i Partisë në veprën e tij “Titistët” dhe mua së paku, më mbushet mendja se ashtu siç thotë ai, është, ju nëse keni ndonjë mendim të kundërt, më mbushni mendjen me fakte konkrete dhe jo me muhabete boshe.
Të na informosh për komentet armiqësore që do të zhvillojnë këta të dënuar dhe të dënuar të tjerë të dhomës.
Masat operative: Raporti të studiohet nga drejtuesit e Degës, sipas implikimeve, të shfrytëzohet për informacion në Degën e VIII-të në Ministri dhe për Buletinin e parullave armiqësore të muajit.
Punëtori Operativ
Vehap Kuka
Shënim: Dakord, me detyrat dhe masat e parashikuara.
Të takohet agjentura tjetër që kemi në këtë dhomë, apo të dënuar që kemi mbajtur afër, për të parë se si, vërtetohet e dhëna dhe për t’i shfrytëzuar, për interesa operative.
Kryetari Degës P. Brendshme
FIRMA
27.10.1983
Dokumenti sekret me raport-informacionin e Punëtorit Operativ, Vehap Kuka, me të dhënat e agjentit të Sigurimit “Shkëmbi”, për bisedat e bëra në burgun e Burrelit, nga Gjet Kadeli dhe Daut Gumeni
Marrë nga P.Op V.Kuka
Dhënë nga B.P. “Shkëmbi”
Raporti i datës 31.12.1983
Ai njofton se, sapo mori vesh se ja kanë internuar familjen Marian Pistulli (këtë lajm ja solli Nuri Stepa nga Eduart Marashi, daja i Marianit), Mariani shkoi në depo, ja tregoi Gjetë Kadelit dhe Gjeta tha me të madhe: “Ju pritnit lirim, por mos prit mirë kurrë prej jevgut. Kjo qeveri me jevgj është krijuar dhe tash 40 vjet, me jevgj mbahet. Do bëjë mirë Kryetari Presidiumit Kuvendit Popullor (me emër). Ai është shok i Mehmet Shehut dhe nuk është më i mirë se ai”.
Edhe shumë të tjerë diskutuan për këtë gjë. Por fjala e Babi Konomit qe e rëndë. Ja çfarë tha Bebi: “Tani fillon edhe një terror 10 vjeçar si në vitin 1975-ën, deri sa i mbushët burgjet plot e për plot”.
Sapo mbaroi Kuvendi. Kur e panë se nuk doli gjë, se pritnin falje, Luan Burimi tha: “Ku falin këta bre, shyqyr që na kanë futur brenda”. Tani po dalin në shesh qëllimet e atyre personave që duan Rusinë.
Dhe këta janë: Zef Bushgjoka, Kapllan Resuli e të tjerë. Zefi ka deklaruar hapur: “Unë dua rusin dhe jugosllavin, sepse jam nga Mali i Zi me origjinë. Këta të dy, po të vinë këtu tek neve, mua më japin post. Ndërsa po të vij amerikani, prap jam i lirë pasi, amerikanët janë demokrat dhe nuk pyesin se çfarë je, rus apo amerikan. Pra, fitime ke prej tyre”. Këtë pohim, e ka bërë dy here, një herë në prezencë të Paulin Vatës, Gjetë Kadelit dhe Luan Burimit. Kurse pohimin e dytë, ja ka bërë Spartak Veliut dhe Marian Pistullit. Në të parin, ka qenë prezent edhe ai, ndërsa të dytin, ia thanë Mariani dhe Spartaku.
“Shkëmbi”
Sqarimi: Pistulli, Gj. Kadeli, L Burimi dhe Z.Bushgjokun, janë të dënuar për krime kundër shtetit, kemi të dhëna në ngarkim të tyre.
Vlerësimi: Raporti ka vlerë operative, se flasin kundër vendit tonë, si dhe shpresat që ushqejnë për pushtim të vendit tonë nga fuqitë imperialisto –revizioniste.
Detyra: B.p., ju dha detyrë që të bisedojë me Zefin, lidhur me armiqësinë që shfaqën hapur ky i dënuar, duke i thënë se ti Zef me sa kam dëgjuar ke qenë i organizuar dhe je me arsim të mesëm, ti ishe në poste drejtuese në kooperativë, çfarë të shtyri ty të arrije deri sa të dënoheshe për krime kundër shtetit dhe deshe të tradhtoje atdheun. Unë habitem se si ke arritur ti deri në këtë veprim, tjetër është puna ime se biografia ka qenë e tillë.
Nëpërmjet bisedave me Marianin, të bisedosh se ku e ka qëllimin që. kërkon t’i armiqësoj njerëzit Gjetë Kadeli dhe si e merr kurajon e flet hapur, në prezencë të dënuarve të tjerë?!
Të na informosh për, komentet armiqësore që do të zhvillojnë të dënuarit e dhomës, për probleme të ndryshme.
Punëtori Operativ
Vehap Kuka
Dokumenti sekret me ekstraktin e Punëtorit Operativ, Vehap Kuka, me të dhënat e agjentit të Sigurimit “Shkëmbi”, për bisedat e bëra nga Gjet Kadeli, në burgun e Burrelit
E K S T R A K T
Nxjerrë nga raporti i dt. 5.1.1984 i B.p. “Shkëmbi”. në ngarkim të dënuarit Gjetë Kadeli:
….. Gjetë Kadeli tha: “Viti i ri, për sekretarin e parë të Partisë, fillon me caktimin e burgjeve dhe numrin e të vrarëve”. Këtë bisedë, Gjeta e tha në kohën kur radio, jepte revistën radiofonike të mbrëmjes dhe tregonte për vendet e punës të mijra shqiptarëve.
“SHKËMBI”
Punëtori Operativ
Vehap Kuka
Dokumenti sekret me ekstraktin e Punëtorit Operativ, Vehap Kuka, me të dhënat e agjentit të Sigurimit “Shkëmbi”, për bisedat e bëra nga Gjet Kadeli, në burgun e Burrelit
E K S T R A K T
Nxjerrë nga raporti dt. 16.1.1984, dhënë nga B.p. “Shkëmbi”, për Gjet Kadelin.
….. Gjet Kadeli, më intriganti i dhomës, njeriu që shanë si ordiner me fjalë fyese udhëheqësin. Ja një shembull: “Po fliste Kryetari Presidiumit të Kuvendit Popullor, në radio. Gjeta tha: “… ha, ha … (fjalë fyese). Këtë e tha me zë të lartë, çdo dëshirë që ka e realizon me anën e Mark Lekës dhe të Kin Bashës në depo. Simpatizon Amerikën.
“Shkëmbi”
Vërtetohet njësia me origjinalin/Memorie.al
Punëtori Operativ
Vehap Kuka
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016