Nga Esat Myftari
-MICOTAQIS PЁR HERЁ TЁ DYTЁ NË TIRANË-
Memorie.al / Fill mbas formimit të qeverisë demokratike, kryeministri Konstantin Micotaqis, i cili mbulonte përkohësisht edhe postin e ministrit të Jashtëm, njoftoi papritmas në parlamentin grek, se do të bante nji vizitë zyrtare në Republikën e Shqipnisë. Natyrisht, do të ishte kjo nji vizitë njohjeje me ekipin e ri drejtues në vendin fqinj dhe përҫimi i mesazheve të tija për qeverinё e re demokratike. Aq ma parë që kriza në Jugosllavi, përkrahja zyrtare greke për Serbinë dhe konflikti rreth Maqedonisë, si shtet i posaformuem, e kishin komprometue mjaft në sytë e botës së lirë. Madje edhe përpjekja për të përligj shkuemjen e tij në Pale, bashkë me Millosheviqin, në ket qendër krimi serb, si përgjigje ndaj kërkeses së negociatorit konservator anglez Oven, nuk po gjente mirёkuptimin e shumkujt.
Për përceptimin e Micotaqit, ardhja në pushtet e qeverisë demokratike nё Shqipni, shënonte edhe njifarë suksesi personal sepse, sikurse e kemi pa, ai kishte qenë ndёr kundërshtarёt ma tё zashëm tё regjimit komunist shqiptar, por kryesisht për shkak të pakicës greke dhe synimeve tё veta tё fshehta politike, në kët drejtim. Nga ana tjetër, fitorja e tij në zgjedhjet e fundit, ishte njikohësisht edhe nji lloj ndëshkimi i politikës së heshtjes së PASOK-ut, përgjatë dy mandateve të qeverisjes së saj pranё forumeve tё OKB-së, për “vuejtjet e pakicës greke, që jetonte në Shqipni”.
Veç kёsaj, gjatё fazёs sё hershme tё veprimtarisё sё Partisё Demokratike, ai kishte dalë me krijue lidhje tё posaçme me kёt parti, tue u nis nga kauza e përbashkët antikomuniste. Prandaj, simbas tij, ai po vinte nё Tiranё, me meritёn e “dyfishtё”, gja qё e vuni nё dukje qysh nё fjalёt e tija tё para, kur iu drejtue kryeministrit të posafronësuem, Aleksandër Meksi.
“Vij si mik, – tha ai, – jemi gati t’ju ndihmojmë në të gjitha drejtimet, sepse sot jeni vend demokratik, kjo njihet nga të gjithë e, në radhë të parë, e njohim ne, grekët! Por jemi edhe për të marrë mbështetje qё, ketej e tutje, tё kemi nji platformë takimesh e sugjerimesh me të gjitha rangjet, për të gjitha temat, sidomos në ato të politikës së jashtme greke”.
Parashtrimet e tija gjatë bisedimeve, qё tingёllojshin si pjesё e nji platforme tё pёrgatitun me kujdes e ambicje, ishin tё gjana e gjithpёrfshimёse. Ato nuk lejshin jashtё pothuej asnji fushё tё veprimtarisё politike dhe ekonomike. Kёsaj here, jo vetёm qё pёrsёriti premtimet e dhana gjatё vizitёs sё parё, por shtoi edhe shum pika tё tjera qё, po ta besojshe, delte se sё shpejti, do tё zgjidheshin problemet e pafund, qё na kishte lanё si pajё historija dhe diktatura.
Premtimet e tija tё reja ishin si ma poshtё:
– Do jepte urdhёn pёr ta ndalue operacionin “skupa”, (fshesa) kunder emigrantёve shqiptarё (me çka u prezantue tërthorazi, ashtu siç flitej në publik, si autor i saj!);
– do tё nёnshkruente marrёveshje punёsimi për emigrantët shqiptarë, (afatgjatë e stinorë);
– do tё sistemonte refugjatёt qё ndodheshin pёrkohësisht nё Greqi;
– do tё nënshkruhej marrëveshja doganore dhe hapja e dy pikave tё reja tё kalimit kufitar;
– do tё lehtёsohej dhanja e vizave pёr tregtarёt;
– do tё angazhohej pёr fillimin e bisedimeve lidhun me pasunitё e shqiptareve në Greqi;
– do të vazhdojshin ndihmat për Shqipninë mbi nji bazё tё re (simbas kёrkesave e nevojave tё palёs shqiptare, tue pranue tërthorazi gabimet e konstatueme nё shperndamjen e ndihmave, vetem ndёr minoritarёt grekё);
– do tё nxiste investimet greke nё ekonomi, turizёm e transporte detare;
– do tё inkurajonte hapjen e bankave greke e, do tё nёnshkruhej marreveshja për evitimin e taksimeve te dyfishta;
– ftonte pёr specializim në Greqi 250 persona, në fushën e organizimit të punësimit jashtë vendit;
– u shpreh i gatshёm pёr fillimin e bisedimeve pёr shelfin kontinental midis dy vendeve (qё tё firmosej nё Athinё nga kryeministri ose ministri i Jashtem) dhe tё vendoseshin marrёdhanje tё ngushta midis televizioneve tё dy vendeve “qё të ndihmohej krijimi i nji imazhi tё drejtё, midis dy vendeve”.
Sa i pёrket marrdhanjeve politike:
– shprehu gatishmёninё pёr marrёveshjen e miqsisë e bashkёpunimit dhe pёr institucionalizimin e konsultimeve midis dy ministrive të Jashtme për çdo muaj ose, çdo dy muaj, perveç atyne midis ministrave tё Jashtёm, kryeministrave e presidentёve te dy vendeve;
– u zotue se do ta mbështeste Shqipninë në Grupin e 24-shёs tё Komunitetit Evropian, pёr nevojat ekonomike te Shqipnisё dhe informoi se, bashkë me Italinë, kishin ra dakord që ta perkrahin anëtarёsinë e Shqipnisë nё Keshillin e Ministrave tё Jashtёm tё NATO-s;
– refuzoi heqjen e sitstemit të vizave pёr shtimin e kontakteve midis dy popujve, tё propozuem nga pala shqiptare, dhe nguli kambё qё, sa i përket emigrimit, me kontrollimin e kufijve tё merreshim ne;
– çeshtjen e konsullatave, e paraqiti si nevojё pёr vizat, por nuk e kushtёzoi hapjen e tyne;
– pёr momentin, u pajtue që të hapen vetёm nga nji konsullatë dhe dy pika të reja kufitare;
– u shpreh pozitivisht edhe për çeshtjen e kredisë prej 23.4 milion dollarësh, ndёrsa çeshtja e periudhës se shlyemjes dhe e uljes së interesit tё saj, u la tё diskutohej përsëri, mbasi nuk ishte në kompetencë të kryeministrit.
Mbas kёtij mirazhi qё shpalosi, me lehtёsi e krenari tё dukshme, z. Micotaqis, mori prej qeverisё fort nevojtare shqiptare, sigurimet e maposhtme gojore:
– pala shqiptare asht e gatshme me bashkёpunue me Greqinё, si dy vende fqinj që janë;
– minoriteti grek nё Shqipni, do tё gёzojё tё gjitha tё drejtat qё parashikohen në dokumentat ndërkombëtare, përfshi edhe të drejtën e fesë e të arësimimit;
– Shqipnia e kupton rolin e Greqisё pёr futjen e shpejtё tё saj nё Komunitetin Europjan dhe pёr kёt, asht mirёnjohёse;
– kёrkon vendosjen e marrёdhanjeve mbi baza te reja e shtimin e kontakteve politike, ekonomike dhe njerëzore, midis dy vendeve;
– u sigurua gjithashtu se qeveria shqiptare, do tё perpiqet pёr tё kontrollue emigrimin e njerёzve pёr nё Greqi dhe pёr ruejtjen e kufinit nga ana shqiptare, për të parandalue emigrimet ilegale;
– e pelqeu sugjerimin pёr kontakte tё rregullta midis personaliteteve tё dy vendeve si dhe, në përgjithësi, intensifikimin e marrëdhanjeve në të gjitha fushat me përfitim reciprok.
Por, nё konferencёn pёr shtyp, kryeministri Micotaqis zbuloi edhe dy detaje të tjera të këtyne bisedimeve që, për ndryshe, i konsideroi konstruktive:
- a) qeveria shqiptare i kishte premtue, se ajo nuk do ta njihte Maqedoninë, ma parё se nji gja tё tillё, ta bante Komuniteti Evropian dhe
- b) hapjen e Konsullatës greke në Gjinokastër dhe të Konsullatës shqiptare, në Janinë.
MOSPAJTIMET
Tue ba fjalë në intervistën për vlerёsimin e përgjithshëm të takimit, Micotaqis deklaroi se; kishte ra dakord me palën shqiptare, pёr 90% te çeshtjeve te diskutueme, por që të dyjat, kishin mbetë shkak divergjencash, si edhe pёrhera: çeshtja çame dhe ajo kosovare.
U ba e dijtun gjithashtu se, Kryeministri shqiptar, z. Aleksander Meksi, i kishte thanё homologut tё tij grek:
“Kërkojmë realizimin e të drejtave të çamëve, në përputhje me ato të drejta që i njohin normat ndërkombëtare. Nuk është fjala për ndryshime kufitare, por duam kthimin nё vatrat e tyre, pёr tё patur edhe ata tё drejtat pёr banesat e pronat e tyre. Ky ёshtё shqetësim pёr ne, sepse ka qenё problem i mbyllur nga regjimi komunist, ashtu si edhe problemet tjera, tё lidhura me te drejtat e njeriut.
Sot si qeveri demokratike, kemi pranuar se prona ёshtё e shenjtё dhe këto banorё qё banonin në Greqinё e Veriut, sot i kerkojnё qeverisё shqiptare, tё bёhet inteprete e kёsaj kёrkese dhe ne e ndjejmë si problem kombëtar i zgjidhshёm, me dëshirën e mirë, për marrëdhënie të mira midis dy popujve, që janë fqinj të mirë, qё janë perzier në historinë e çlirimit kombëtar të njeri tjetrit. Ky problem, nuk mund te injorohet nga qeveria shqiptare, e cila beson se do tё gjejё zgjidhje nё kohё”!
Micotaqis, i cili nuk e paskësh mendue (tё paktёn kshtu u hoq!) se do të ishte kjo një prej çeshtjeve tё para të randёsishme tё bisedimeve, theksoi se; nuk do të linte asnji dyshim nё kёt temë dhe ashtu bani. Ai tha:
“Tema asht e njohun te ne e, te ju. Çamët e ardhun nga Greqia, kanë qenë kriminelë lufte, kanë krijue probleme. Kanë kalue dekada dhe Greqia, nuk do të pranojë të kthehen mbrapsht. Kёt due ta theksoj! Tema e pasunive asht diçka tjetёr, që mund të diskutohet. Ka qytetarë me origjinë greke, që kanë lanë pasuni në Shqipni? Në një moment të diskutojme, me dy palët. Kthimin jo. Po të kthehen, do sjellin urrejtje. Koha bani që të harrohet problemi. Nuk asht në interesin tuej e tonin, të diskutojmë kёt çeshtje. Kjo asht pozita jonë dhe brenda klimës miqsore, jua skjarova kёt pozitë”.
Z. Meksi, i zhgёnjyem nga kjo pёrgjigje e akulltё, i bani shpjegimin plotёsues:
“Çamet e kanë konsideruar veten refugjatë në Shqipëri dhe nuk kanë qenë të gjithë bashkepunëtorë, siç janë gratë, fëmijët. Pёr kujtimet e kёqia, nuk mund tё ketё kthim, tё tilla gjёra kanё ndodhur edhe nё Shqipëri. Dhe forcat demokratike, kanë bërë një politikë të pajtimit kombëtar dhe jo të larjes së hesapeve. Jam i bindur se, në kontekstin e marrëdhënieve të mira mes dy qeverive, do të gjendet zgjidhje. Ne jemi nën presionin që ky problem të gjejë zgjidhje, në bazë të normave ndërkombëtare”.
Në përfundim, me ndёrhymjen e z. Alfred Serreqi, qe kjartësue se problemi çam, nuk reduktohej vetëm në çeshtjen e pronave, siç nuk ishte kërkesë kambëngulëse e qeverisё shqiptare, që çamët të kthehen të gjithë. Por, elementi i randësishëm që nuk duhej ta neglizhonte pala greke ishte, tash pёr tash, qё ata tё trajtoheshin si të gjithë të tjerët, pra, të qarkullonin lirisht, si të barabartё, me tё tjerёt.
Z. Mëhill Marku takon znj. Virgjinia Cuderu
Po atё ditё, z. Mëhill Marku, u takue me homologen e tij greke, znj. Virgjinia Cuderu, e cila, në mënyrë jo pak mujshare, kёrkoi qё bisedimet e tyne, tё ishin sa ma ma konkrete e tё drejtpёrdrejta dhe me transarencё bindёse.
Zv/ministri shqiptar, u duk sikur mezi kishte pritë që ky sugjerim, të dilte prej gojës së saj. “Edhe ne jemi të mendimt që të flasim hapun dhe në mënyrë të sinqertë, për problemet që kemi midis nesh, por që janë të trashigueme”, – tha ai.
Dhe, fill mbas kёsaj, i foli me rend: për çeshtjen çame, për problemin e kufinit, për sillogjet “vorio-epirote”, qё ishin gjallnue shum nё propagandёn e tyne antishqiptare, për “fshesën” e vitit tё shkuem, nё Sheshin Omonia, për ndihmën greke të kondicionueme, për dizinfrmimet mbi pakicën greke në Shqipni, për marrëdhanjet Greqi-Serbi e, shkëmbimin e vizitave të shpeshta të Millosheviqi dhe, në fund, i kërkoi të anullojshin aktin, që kishte vendos në sekuestro conservative, pasunitë e shqiptarëve në Greqi.
Shkoi deri aty sa, tue shpërfill paksa taktin diplomatik ndaj saj, ia citoi deklaratat antishqiptare të vetë asaj, tё shqiptueme dy-tre vjet ma parё, kur ishte në opozitë. “Keni anulue dy herë vizitën e delegacionit tuej ekonomik, me pretekstin se pala jonë, nuk pranonte kërkesën tuej për ҫeljen e tre konsullatave në Korҫë, Gjinokastër dhe Sarandë”, – i tha, tue e zbulue, në njifarë mënyre, paraqitjen e saj dyftyrëshe.
E nervozueme, znj. V. Cuderi, zgjodhi mёnyrёn e kundёrpёrgjigjёs, me tё njejtёn masё, me fjali të shkurta, të preme e shpërfillse.
Ajo i tha:
“Ju duhet me heq dorë nga ideja e zgjanimit (me nёnkuptim Kosovën dhe Maqedoninë Perëndimore). Propaganda juej, nuk pasqyron realitetin. Ajo, pa e dijtë realitetin, shpejton dhe të gjitha ja jep shtypit. Kërkojmë trajtimin e minoritetit grek, simbas konventave ndërkombëtare. Ne e dimë se minoritarë ka edhe në Shkodër, prandaj duem shkolla edhe për minoritarë të veҫuem, kurse operacioni ‘fshesa’, drejtohet ndaj atyne që kanë ardhë në mënyrë të paligjshme e, që kryejnë vepra penale e shqetësojnë popullin grek”.
Kur z. Marku e rimori problemin çam, ajo ia ktheu pothuej jashtё kontrollit:
“Përsa i përket problemit çam, ai u bisedue gjanësisht ndërmjet dy kryeministrave, sot në mëngjes. U ba e kjartë se s’ka asnji bazë e të drejtë, që çamët të vijnё në Greqi. Ata kanë qenë pjesë e nji pakice, që u radhitën me kundërshtarët e Greqisë. Ata përkrahën nazistat.
Cilësohen si kriminelё, prandaj nuk mund të kthehen. Ata humbën pronat e tyne. Ne s’duem dhe nuk do të lejojmë, që të kthehen në Greqi. Po të ketë ndonji pronё, që mund të bisedohet, atë ta bajmë gradualisht. Ardhja e çamëve, do të thotё kryengritje në Greqi”!
Takimi zgjati shkurt dhe nuk u vu re asnji pёrpjekje, pёr t’i zbutё kundёrshtitё e hapuna, me ndonji formulim formal e nё pёrputhje me tonin relativisht tё butё e arsyetues, tё shefave tё tyne.
Pak ditё mbas kёtij takimi plot ngarkesa, z. Mёhill Markun e larguen prej Ministrisё (për shkaqe që nuk i di) dhe ai nisi jetёn e tij të re private, larg atdheut. Memorie.al