Nga SAMI REPISHTI
Pjesa e shtatë
Sami Repishti: – “Në Shqipni, nuk ashtë dokumentue e ndëshkue krimi komunist i së kaluemues, nuk ashtë ba “spastrimi shpirtnor”, rrëfimi i ndërgjegjshëm e denoncimi i kriminelëve ordinerë komunistë! –
‘Nën hijen e Rozafës’
Memorie.al / Gjatë viteve ’30 dhe ’40 të shekullit të kaluem, me zbritjen e rrebeshit të pandalshëm fashist e komunist mbi Europë, ma parë e ma vonë mbi të gjithë botën, “fati” zuni për gryke edhe kombin shqiptar. Si të gjithë të rinjt, edhe unë u gjenda në nji udhëkryq ku duhej marrë nji qëndrim, qoftë edhe me rrezikun e jetës. Atëherë i thashe “jo” diktaturës, e mora rrugën që nuk kishte fund, nji lundërtar në detin e gjanë, pa brigje. Akti rebel që pothuajse më vrau, më çliroi njëkohësisht. Jam dëshmitar okular i jetës në ferrin fashist dhe komunist në Shqipni, jo si “politikan”, “personalitet” i makro-politikës shqiptare, por si student, si i ri që u ndërgjegjësova për rolin tim, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashunia për atdhe dhe dëshira për liri; thjesht, si nji i ri me sensibilitet të theksuem, besnik i vetvetes, i jetës me dinjitet.
VIII
Në këto ditë konfuzioni, nji lajm shpresëdhënës u hap si rrufeja. Në nji trakt të shpërndamë nga Organizata “Balli Kombëtar”, thuhej se; në fillim të muajit gusht 1943, nji mbledhje e përbashkët e përfaqësuesve të dy kampeve kundërshtare të rezistencës kundër okupatorit, kishte përfundue në nji marrëveshje (ma vonë e njohun si Marrëveshja e Mukajt). Si mbas tekstit të botuem, forcat e rezistencës bashkoheshin në nji front të përbashkët, në luftë kundër pushtuesit dhe e nesërmja e Shqipërisë, që kërkohej të ishte etnike, premtonte të ishte e lirë e demokratike. Shumica e shokëve dhe unë u entuziazmuem nga ky zhvillim politik, e shpresojshim se “Marrëveshja” do të respektohej nga të gjithë. Të tjerët, që zakonisht njiheshin me emnin “komuniste”, ishin ma të rezervuem. Propaganda e tyne dyvjeçare, i kishte paraqitë si elementi i vetëm që përfaqësonte rezistencën, e i vente në pozitë të vështirë.
Komentet e tyne, të shoqnueme me nji buzëqeshje të shtrëngueme, ishin “duhen parë hollësitë”, ose “presim instruksione nga qendra”. Kjo pritje, nuk qe e gjatë! Nji javë ma vonë, nji trakt i Nacional-Çlirimtares, hidhte poshtë “Marrëveshjen”, demaskonte randë palën tjetër, tue e damkosë atë, si “bashkëpunëtorë të okupatorit”, kundërshtonte pa rezerva idenë e “Shqipërisë etnike”, dhe kërkonte nga anëtarët e saj, të hidheshin në sulm kundër “ballistëve”. Hendeku i hapun nga “komunistët” ishte tashma i pambyllshëm. Marshi drejt përleshjes kaloi pengesën e fundit. Pa asnji dyshim, ideologjia komuniste me programin e saj social, kishte fitue për epërsi mbi frymën kombëtare; si rrjedhim, interesat e vendit i ishin nënshtrue imperativit të marrjes se pushteti me forcë, e vendosjes së “diktaturës së proletariatit”.
Për “ne” të tjerët, ky qëndrim ishte i pafalshëm, dhe nji grusht fatal në përpjekjet tona për mirëkuptim. Lajmet që konfirmojshin praninë e “instruktorëve” politike e organizative të Partisë Komuniste Jugosllave, rritshin çdo ditë e ma shumë agoninë tonë. Nga përvoja e shoqnimit tim me “komunistët”, kuptojsha se nji fanatizëm i këtillë paraqiste rreziqe të mëdha, tue mos përjashtue edhe sulmet fizike kundër nesh, “armiqve” të tyne. Në mentalitetin e tyne, nji kundërshtar sot, ishte nji kundërshtar i përhershëm. Kompromisi në mendime ishte “tradhti“, e aksioni që nuk ndiqte vijën e tyne të mendimit, ishte “dezertim“. Posa caktohej kjo vijë, nuk mbetej tjetër, veçse vënia e “makinerisë” në veprim, mobilizimi i plotë me shkatërrue moralisht e politikisht, e ma në fund, me eliminue fizikisht “armikun“. Fjalët e ish-të dërguemit nga “qendra”, në mbledhjen tonë studenteske, filluen me marrë jetë: “çdo mendim ose veprim që avancon vijën e Partisë e luftën tonë, është i lejuar”.
I tronditun nga këto qëndrime, vendosa të zhvilloj bisedën time në nji ambient ma miqësor. Kërkova kushërinin tim të nji moshe, me të cilin kisha debatue sa herë. Inteligjent, idealist për natyre, e gjithëherë i sjellshëm, ai ishte partneri ma i mirë për nji debat. U takuem. I tregova si ndjehesha ato ditë e frikën time për zhvillimin e matejshëm të ngjarjeve, mbas prishjes së “Marrëveshjes”. Shpreha bindjen se “Marrëveshja” ishte bazë e shëndoshë për afrim e koordinim veprimesh, deri në lirimin e vendit, se kërkesa për nji “Shqipni etnike” ishte e arsyeshme, e synonte riparimin, mbas lufës, e dameve që i kishte sjellë diplomacia europiane, vendit tonë, dhe se bashkimi i tokave të humbuna, ishte nji detyrë patriotike për të gjithë. Reagimi i kushërinit më tronditi! Jo vetëm që ai e hodhi poshtë tezën time, që ai e quajti “fryma reaksionare e Mukajt”, por insistoi në nevojën e nji forcë revolucionare që të zgjidhte, nji herë e përgjithmonë, problemet e popullit tonë të shtypun “nga borgjezia”, dhe vendosjen e vendit tonë krah për krah me botën e re internacionaliste, që po lindte nën udhëheqjen e shokëve Tito e Stalin…!
Nuk e ndërpreva. Ai vazhdoi me folë, i skuqun në fytyrë, me nji zjarr që nuk e kisha pa ma parë. Përsëri, për habitjen time, ai foli për “diktaturën e proletariatit”, ashpërsinë e nevojën e ashpërsimit të saj me shtypë pa mëshirë rezistencën e “klasave të përmbysuna”. “Kur shqiptoj këto fjalë”, vazhdoi ai, “më duket sikur i shtyp me kambë, i shkatërroj nji herë e përgjithmonë. Vetëm mendimi i shtypjes së tyne më frymëzon, më ngren nalt, më ban të ndihem se jam diçka, nji instrument për nji funksion, diçka e domosdoshme që kërkon koha, e kërkon vendi, e kërkon procesi i historisë…nji element që duhej të luej nji rol në këtë proces. Nuk ka ndjesi ma ngritëse se bindja që je “dikush” e sidomos, kur besoj se je në pararoj të procesit historik. Me shpejtue ritmin e kohës, me shpejtue evolucionin e shoqnisë, ardhjen e agimit…e ditëve ma të mira për të gjithë… a ka gja tjetër ma fisnike a ma frymëzuese”? Buzëqesha pa dashje. Nuk kisha asnji prirje për tallje në atë çast. Ai më frikësoi me fjalët e tij.
Gjatë qëndrimit tim në Firence, kushërini kishte kalue nji jetë gjysmë ilegale, i ngarkuem nga “shokët” me grumbullue libra të përshtatshëm për edukimin e rinisë “komuniste”, nji bibliotekë klandestine, nji shërbim që ai e kishte krye me pasion. Gjithçka kishte qenë e fshehtë, gjithçka larg dritës së diellit. I zhytun ditë e natë në këtë veprimtari që, për atë, ishte ba vetë qëllimi i jetës, ai kishte hy në binarët e nji jetë tjetër, që justifikohej me punën ilegale në shërbim të kauzës “komuniste”. Çdo ditë e jetueme në këtë anormalitet, kishte forcue bindjen tek ai se jetonte nji realitet të ri, në të vërtetë, të vetmin realitet që ai e njihte e që kishte përqafue me pasion…! Ulë në tryezë karshi njeni-tjetrit, dy të rij, dy kushërinj që duheshim si vllazën, shikojshim njeni-tjetrin me dyshim, sikur gjindeshim përballë nji të panjohuni.
Mbas nji heshtjeje relativisht të gjatë, ai e theu atë me nji pyetje: “Si mendon ti, se do të çlirohet ky popull nji herë e përgjithmonë”? Unë nuk u përgjegja. Në mendjen time kalojshin në atë moment, përshtypjet e forta që më lanë fjalët e tij dhe frika e brendshme se, përballë meje, kisha kushërinin tim të zanë rob, në rrjetin e sloganeve të propagandës komuniste. Ai nuk ishte ma studenti inteligjent e i gatshëm për debate me mendje të hapun, që njoha gjatë vjetëve të rinisë së përbashkët. Ishim të nji moshe! Para meje ishte nji makinë propagandistike. Sa e besonte ai “logjikën” që më parashtronte? Besoj se plotësisht! Para meje ishte kushërini që kishte zgjedhë nji rrugë të pakonceptueshme për mue, por logjikë e akoma ma shumë, imperative për atë. Isha i bindun se ai besonte në drejtësinë e kauzës së tij, si dhe në metodat e zgjedhuna për shërbimin e kauzës së përqafueme.
Para meje qëndronte nji i ri fanatik, i transformuem nga forca e bindjeve të tij, i paaftë me ndigjue kritikat, ose me diskutue drejtësinë e rrugës së zgjedhun. Nuk mund të rrijsha në heshtje ma gjatë. Ai kërkonte nji përgjegje, unë dëshirojsha me folë, me vendosë kontaktin me këtë kushëri, që më dukej sikur largohej çdo ditë e ma shumë. Tue u përpjekë me ruajt gjakftohtësinë e me u shprehë pa pasion, fillova me shpjegue bindjen time se, trajtimi i problemit kombëtar, nga ai e nga shokët e tij, kishte pësue nji mospërfillje, në favor të probleme shoqnore. Okupacioni italian ishte përfundimi logjik i makinacioneve politike europiane, në kurriz të vendit tonë dhe kishin qenë këto makinacione që e zvogëluen aq shumë vendin tonë. Kjo ishte fryma me të cilën ishim rritë së bashku, në shkollat tona me traditë kombëtare, dhe ishte kjo frymë që na kishte hedhë të dyve në rrugët e qytetit, që me demonstratat e para të prillit 1939.
Projektet për reforma shoqnore ishin diçka e re për ne, jo thelbi i mendimeve tona, por nevojë që lindi nga dedikimi jonë në ndërtimin e “Shqipnisë së re”. Lufta kundër pushtuesit e liria e Shqipnisë, i mbeteshin përsëri në krye të detyrave që kishim ndërmarrë. Tue kalue në ngjarjet ndërkombëtare, vuna në dukje se koalicioni anglo-sovjeto-amerikan, ishte nji aleancë e imponueme nga nevojat e luftës kundër forcave të Boshtit, dhe me gjithë sistemet diametralisht të kundërta të aleatëve, ishte arritë nji shkallë bashkëpunimi dhe ndihmë reciproke e admirueshme, para armikut të përbashkët, dhe vuna pyetjen: pse nji bashkëpunim i këtillë, ishte i pamundun në Shqipni? Ai nuk u prek! I fola me nji ton lutës, tue shprehë frikën se marrëdhëniet tona, ishin prishë deri në atë pikë, sa nuk u kuptojshim, e se gjindeshim përballë njeni-tjetrit “si dy të huej”!
Ai më ndërpreu: “Aleanca për të cilën flet, – më tha, – asht nji oportunizëm politik i domosdoshëm në luftën e sotme kundër Boshtit. Ajo asht nji taktikë e kampit tonë proletar. Por na nuk harrojmë se lufta e fundit çlirimtare, asht para nesh. Marshi triumfues i proletariatit ndërkombëtar, asht i pandalshëm. Strategjia jonë nuk ndryshon. Me mbarimin e luftës, na do të marrim iniciativën, na do të vendosim kohën e vendin e përleshjes. Për këtë përgatitemi çdo ditë”. Asnji fjalë për Shqipninë, as për luftën kundër pushtuesit. E pyeta si ishte e mundun me folë për nji të ardhme që ata, “komunistët”, do të farkëtojshin vetë, “në kohën e vendin” e zgjedhun nga ata, pa marrë parasysh se, në Shqipëni ekzistojnë edhe forca të tjera politike? Ai më preu shkurt: “Fitorja asht e jona, e nuk ka forcë që na ndalon. Sa për “forcat e tjera”, na do t’i shtypim!”
– Kjo asht lufta juej, për nji vend ma të mirë? – e pyeta me inat. – “Po! – tha vendosmërisht. – Lufta e ashpër, me gjak ose pa gjak, por që na siguron pushtetin ma parë, e ma vonë, fitoren finale”. – Cilën fitore?- “Të Partisë sonë Komuniste, të proletariatit, të klasës punëtore”. – Pa vullnetin e shprehun lirisht të popullsisë vendëse? -“Ajo vjen ma vonë…me zhvillimin e nji demokracie të re, jo borgjeze, të demokracisë proletare, të udhëhequn nga klasa jonë punëtore…”!
Për çdo minut që kalonte, biseda jonë bahej ma shumë si dy monologë, se si nji dialog i kuptimshëm. Frazeologjia e tij tingëllonte e huej, krejt e huej, diçka nga nji botë e pakonceptueshme për mue. Përsëri, asnji fjalë për lirinë e vendit, për luftën kundër pushtuesit. Qartazi, ndamja jonë ishte e plotë, e unë nuk shihsha asnji mënyrë afrimi me kushërinin e, shokun e ngushtë të jetës sime! U ngrita, i urova ditën e mirë, por pa i dhanë dorën. Ai nuk lëvizi nga vendi, tue më përcjellë me nji buzëqeshje, ku nuk mshehej nënçmimi e që mbylli çdo mundësi për debate të matejshme.
Vetëm dy ditë ma vonë, nën errësirën e natës, hyni në shtëpinë time me hap të shpejtë, kushërini, kësaj radhe i palajmuem. Pa pritë pyetjen tonë, ai shpjegoi: “Policia fashiste më ndjek. U largova nga shtëpia. A mund të kaloj natën këtu, me ju”? Baba u prek! Me gjithë urrejtjen patologjike që ushqente për “komunistët ateistë”, “Po,” i tha, “rri këtu, derisa të gjejsh nji strehim të sigurt”! Ai u qetësue. Nuk shkëmbyem asnji mendim, përveç bisedës së zakonshme në nji rreth familjar. Mbas darke, tue urue “natën e mirë”!, çdonjeni shkoi në krevat. Duhet të ketë qenë mbas orës dymbëdhjetë të mesnatës, kur nji bastisje e papritun e shtëpisë nga policia fashiste, tronditi gjumin e qetësinë e natës në shtëpinë tonë. Para se të hyjshin brenda në shtëpi, dërrmuen derën e madhe të hymjes, me karrocerinë e nji kamioni ushtarak, nga ku zbritën rreth tridhjetë ushtarakë e policë italiane, të shoqënuem nga nji spiun shqipfolës.
Nana ime, me nji guxim të rrallë, e mori kushërinin për krahu e, nga dera e mbrapme, e kaloi nëpër kopsht, nga ku ai u largue në errësinë. Me hymjen e ushtarakëve, familja u mblodh në nji dhomë. Të huejt na rreshtuen me shpinë për mur. Prindë e fëmij ndiqshim me frikë lëvizjet e asaj bande fashistësh, që përmbysën çdo gja, në kërkim të nji diçkaje që nuk e gjejshin. Ndigjojshim shamjet e ndyta e mallkimet e fashistëve të armatosun. Dy prej tyne, bajshin roje me armë në dorë para nesh. Për ma shumë se nji ore, në rrobë gjumi, pritshim përfundimin e “operacionit”. Nji oficer kapi babën për krahu, e shtyu me forcë në dhomën tjetër, mbylli derën e filloi të bërtasë. Zani i babës nuk ndigjohej, por kuptohej nga britmat e oficerit, se ai e rrihte pa pushim. Ma vonë, baba u kthye i tronditun thellë. Për nji klerik musliman me moshë të kalueme, nji trajtim i këtillë ishte ma shumë se mund të mbahej në kurriz.
Nana e fëmijt e shikojshim me frikë e dhimbje. Mbas nji kërkimi të imtë, oficeri dha sinjalin, e të gjithë u larguen. Ishim përsëri të lirë me folë. Prindët na përqafuen, e uruem natën e mirë. Por në dhomën e tyne, drita nuk u shue. Ata nuk fjetën ma. Atë natë, në orët e para të mëngjesit, nana na zgjoi me britmat e saj. Na vrapuem. Në krevat shtrihej baba, gjysëm i paralizuem. Mjeku na tha se kishte pësue nji hemoragji cerebrale, shkaktue nga tensioni. Pak ditë ma vonë, baba im vdiq!
Që nga okupacioni i 7 prillit, baba jetonte i torturuem nga dilema që i shtrohej ato ditë si prind, në mes të detyrës patriotike të luftës kundër pushtuesve italianë nga njena anë, e frikës që i shkaktonte përhapja e ideve komuniste në vendin tonë e veprimtaria e tyne, nga ana tjetër. Si klerik pa dyshime, ai përsëriste me bindje: “Due të vdes, para se të fitojnë komunistët”! Megjithatë, kur kushërini im “komunist”, kërkoi strehim në shtëpinë e tij, ai e pranoi! Gjatë vjetve të pushtimit fashist, im at, tashma nji prind i plakun, në veprimtarinë time, përjetonte nji andërr të veten, të pandame me frikën e përditshme të humbjes së djalit, frikë atnore që nuk i lejoi me gëzue nji ditë të mirë, për katër vjet me radhë. Tashti fati e deshti me ra viktimë e fashizmit, për aktin vet flijues. Shpeshherë mendojsha se, çka do të thonte ai, sikur të mund të fliste sot për mënyrën e vdekjes se tij.
Ashtu si e njoha unë, kam bindjen se ai nuk do të mallkonte fatin e keq që pësoi, e në rast përsëritjeje, ai nuk do të kishte veprue ndryshe. Sigurisht, ai nuk do të kishte provokue nji vdekje të këtillë; por kur fati e kërkoi, ai e pranoi pa hezitim. Mbas varrimit të babës, ndjeva nji boshllëk të madh në zemër. Humbja e tij, pamja e dhimbshme e nanës e përgjegjsia e familjes, u treguen shumë të rënda për supet e mia të pa përvojë. Vetëm, i shtrimë në nji sofa e me sytë e ngulun në tavanin e dhomës, pritsha afrimin e natës, nga dritorja e hapun në atë mbramje fund shtatori. Pa u kujtue fare, ndjeva nji nevojë të thellë, të papërmbajtshme, për muzikë. Me gjithë turpin që ndiejsha për këtë nevojë atë natë, e që përpiqesha me mshehë, tingujt e muzikës së lehtë, mbas funeralit, tingëllojshin si nji hymn hyjnuer për zemrën time të përvlueme. Muzika…ashtu gjuha e perëndive, kur heshtja na mundon.
Për disa vjet, babë e djalë kishim farkëtue nji lidhje të mbështetun në dashuni e respekt. I trembun nga konservatorizmi fetar i babës, por i tërhequn nga këmbëngulja dhe qëndrueshmëria e tij në bindjet e veta, nuk arrita me besue si ai, pa kondita e me pranue pa rezerva, çdo mësim fetar që ai më jepte në mbramje, në shtëpi. Ai shqetësohej! Megjithatë, u edukova nga përvojat e përditshme, me pranue se ishte plotësisht e natyrshme për individët, me mbajtë bindje të patundshme në parimet themelore, bazë të mendimit e veprimit të tyne, si dhe me i mbrojtë ata, me guximin e nevojshëm, pavarësisht nga opinionet e kundërta, të përqafueme nga shumica. Kjo ishte edhe pozita e vështirë e klerikëve të vendit tonë, në vjetët e luftës dhe rritjes së influencës ateiste në shoqni. Baba im, lente mbas vetes nji trashëgimi të pa çmim. Pranimi i menjëhershëm i kërkesës për “strehim” nga kushërini i përndjekun, me gjithë bindjet e tij si klerik, të luftës pa kompromis kundër ateizmit materialist, tregonte suazën mendore, që drejtonte aktet e tij në jetë.
Respekti i tij fetar për shenjtninë e jetës së njeriut, e shtynte atë të rrezikonte veten e familjen për me shpëtue nji të ri me bindje komuniste. Për ma tepër, ai ishte edhe tradicional. “Miku” troket në derë, kërkon ndihmë e gjen strehim, sepse “e kemi zakon” mikpritjen! Ishte ky koncept i pranuem pa mëdyshje, që e ngriti babën në shkallën e përqafimit të sakrificës, për hit të nji parimi që ai e pranonte a priori. Gjesti i tij më dha të kuptoj gjithashtu, edhe thelbin e fortësisë së traditës në shoqninë shqiptare, për shekuj me radhë, në nji vend ku autoriteti e ligji i imponuem nga ai, kishin mungue. Tradita, ky pranim i vullnetshëm i dokeve e zakoneve të paraardhësve tonë, në jetën tonë të përditshme, pa rregulla të shkrueme, ky kod i kulturës popullore dhe qëndrimeve të mbajtuna në situata të ndryshme, ka luejtë nji rol kryesor në kohezionin shoqnuer të vendit tonë, për sa kohë që ekuilibri i krijuem nuk u prishte nga ndërhymjet e “hueja“, qoftë në formë invadimesh, qofte me ekspozime të detyrueme nga influencat e ardhuna nga “jashtë”, e diametralisht të kundërta me ata të vendit tonë.
Shprehja popullore se “i hueji na ka prishë”, ishte me vend! Të nesërmen, për hir të kujtimit të babës, shkova në xhami për lutjen e Bajramit. Ceremonia fetare më mallëngjeu edhe ma shumë, sepse kësaj radhe nuk ishte ai që e kryesonte; ishte nji imam i ri. Nuk më kujtohet gja nga predikimi i tij, as kisha dëshirë me ndigjue me vëmendje. Mendja ime ishte në shtëpi, te familja që vajtonte. Por ritmi i faljes, me ulje e ngritje, më bani të ndjehem pjesë e grupit rreth e rrotull meje. Të rreshtuem njeni pranë tjetrit, vargjet e gjata të besimtarëve lëvizshin me nji ritëm solemn, e më kujtojshin në atë çast, bukurinë e fushës në verë e përuljen e kallijve të grunit të pjekun, nën puhinë e erës së lehtë që fryn, e grunajat duken sikur të ishin valë deti. Në atë çast, pashë besimtarët që luteshin, adhurues të thjeshtë të Krijuesit që mbushnin faltoret, përuleshin para altarit, sikur të ishin të tërhequn nga nji burim jetëdhënës e i pa rezistueshëm. “Ata” mendova, besimtarët, janë të lumtun në thjeshtësinë e tyne…! / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm