Pjesa e tretë
Enveri: “Ambasadori rus ka dhjetë muaj që ka ikur nga Tirana dhe Kremlini na ankohet, se s’po i krijojmë kushte pune, por ambasada e tyre këtu, ka 80 vetë që merren me spiunazh”!
Memorie.al /publikon disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), ku ndodhet edhe fondi personal i ish-udhëheqësit kryesor të Shqipërisë komuniste, diktatorit Enver Hoxha, në ditarin e tij politik që i përket periudhës qershor 1961, nëntor 1963, ai ka mbajtur shënime dhe ka analizuar disa nga ngjarjet kryesore të asaj periudhe, si: takimi i Nikita Hrushovit me Xhon Kenedin në Vjenë, raportet e acaruara të Tiranës zyrtare me Moskën, pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike në mes dy vendeve dhe tërheqjes së ambasadorit rus nga Tirana, në nëntorin e 1961-it, (sipas Enverit, ambasada sovjetik kishte një personel me mbi 80 veta dhe të gjithë merreshin me spiunazh), ardhja në Shqipëri e delegacioneve tregtare të Çekosllovakisë, Republikës Demokratike Gjermane dhe Rumanisë, (të cilën Enveri e shikonte si një ndjesë të tyre, ndaj Shqipërisë), bisedat e Enverit me Ramiz Alinë, për një artikull në “Zëri i Popullit”, në lidhje me mbledhjen e Sofjes mbi “mirëkuptimin ballkanik”, raportet e marrëdhëniet e Partisë së Punës së Shqipërisë, me Partinë Komuniste të Kinës dhe disa nga Partitë Komuniste të Evropës e më gjerë, klima e acaruar politike ndërmjet SHBA-vë dhe Kubës së Fidel Kastros, (që gati u shndërrua në një konflikt ushtarak, në mes tyre me krizën e raketave në “Gjirin e Derrave”) dhe roli i Bashkimit Sovjetik në atë konflikt, që sipas Enverit e la Kubën në baltë. Vizita e Josif Broz Titos në Moskë dhe raportet në mes dy vendeve, fillimi i provave atomike nga ana e SHBA-ës, biseda telefonike midis Hrushovit dhe Kenedit, lirimi nga ana e sovjetikëve të një spiuni amerikan, e deri tek vrasja e presidentit të SHBA-ve, Xhon Kenedi më 22 nëntor 1963, si dhe komentet që bën Hoxha, rreth asaj ngjarje që tronditi të gjithë botën!
Ditari politik i Enver Hoxhës
E MËRKURE 12 QERSHOR 1963
KENEDI ZBULON RRUGËN E TRADHTISË SE HRUSHOVIT
Kenedi mbajti pardje një fjalim demagogjik, gjoja pacifist. Ai i del në mes të rrugës revizionistit e tradhtarit Nikita Hrushov dhe, gati me termat që përdor ky i fundit, e merr për krahu për ta vendosur si duhet, në rrugën e tradhtisë. Me të vërtetë, në këtë fjalim, Kenedi zbulon rrugën e tradhtisë së Hrushovit, për ta gozhduar si Krishtin dhe për ta hequr zvarrë, si Titon. Ai e lavdëron Hrushovin, i thotë se të dy kemi një politikë, një qëllim, një armik (nënkuptohet Kinën, etj.), prandaj duhet të merremi vesh kundër këtij armiku, që na kërcënon. Kenedi i bën thirrje Hrushovit, të ruajnë monopolin e armëve atomike, e këshillon të prishë kampin e socializmit dhe ka besim në këtë shkatërrim, pse Hrushovi, në ujdi me Kenedin e me Titon, i është futur kësaj pune me kohë.
S’ka ku të vejë më hapët tradhtia! Çdo gjë dhe për këdo është e qartë, çdo gjë dhe çdo ditë vërtetojnë largpamësinë e Partisë së Punës të Shqipërisë dhe drejtësinë e veprimeve të saj. Koha s’pret, duhet sulmuar haptazi dhe pa asnjë ngurrim banda tradhtare e Nikitiçit, pse po u bën një dëm kolosal komunizmit dhe njerëzimit. Nikita shkon me hapa të mëdhenj drejt integrimit në kapitalizëm. Është gabim për shokët kinezë, që të ecin me kaq prudencë dhe javashllëk, kundër këtyre banditëve ndërkombëtarë.
Në Moskë, është vendosur të bëjnë mbledhje të tre banditët (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglia dhe Bashkimi Sovjetik) për të biseduar mbi moratoriumin e provave atomike, për të përgatitur traktatin e vënies së provave jashtë ligjit, që do të thotë konfirmimin e tyre për ruajtjen e monopolit të bombës dhe kështu, të shtypin komunizmin dhe revolucionin në botë. Ne do të bëjmë deri në fund punën tonë, sikur edhe vetëm të ngelim. Po vetëm s’do të jemi!
E PREMTE 14 QERSHOR 1963
REVIZIONIZMI MODERN NE SHËRBIM TE IMPERIALIZMIT AMERIKAN
Shënime
Çështjet kryesore nga fjalimi i Kenedit mbajtur më 10 qershor
Ideja kryesore e tij është demagogjia për paqen, “paqe për të gjithë”, po paqe amerikane të imponuar me armë amerikane dhe jo “paqe e varreve”. (Këtu ai do të thotë këtë lloj paqeje gjoja e kërkojnë dogmatikët, variant kenedian i variantit revizionist hrushovian. Vijë e përbashkët armiqësore.) E gjithë demagogjia e këtij imperialisti mbi paqen i përngjet si dy pika uji demagogjisë së Hrushovit mbi paqen.
Ideja tjetër, që mbështet demagogjinë mbi paqen, është çështja se tash armët atomike neutralizojnë kundërshtarët dhe sigurojnë paqen. Pra, sipas Kenedit dhe Hrushovit, që janë dakord, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik duhet të punojnë për paqen “amerikano-sovjetike”, pse ato i kanë bombat dhe duhet ta ruajnë monopolin e tyre, të tjerët t’i ndjekin, t’u binden dhe këta të dy, domethënë SHBA-ja e Bashkimi Sovjetik, të bëjnë një traktat mbi ndalimin e provave të armëve bërthamore, të nxjerrin provat jashtë ligjit. (Kuptohet, këtu është fjala për Kinën që në asnjë mënyrë nuk duhet të lejohet të bëjë prova dhe të ketë armë dhe, po ta marrë Kina këtë guxim, jo vetëm ta demaskojnë si jopaqësore, por si shtet që rrezikon paqen, prandaj dhe ta likuidojnë me armë dhe ta copëtojnë midis tyre.
Këtu janë dakord Hrushovi e Kenedi e i janë futur me kohë një valleje të tillë, Tajvani, Laosi, Vietnami, India, Japonia, SENTO-ja etj.) Ideja tjetër demagogjike e përbashkët Kenedi-Hrushov, është çështja që “do të na mbeten fonde të shumta dhe këto do t’i përdorim për ndërtime, për përmirësimin e jetës” etj., domethënë për t’i mbajtur popujt nën zgjedhën dhe diktatin e tyre, duke i ushqyer me krodha, duke krijuar aristokracinë punëtore dhe shtresat e burokracisë. Kenedi i thotë Hrushovit: “Ja, pra, këtë ke predikuar ti, dhe unë aty jam, jemi dakord mbi qëllimet dhe mjetet. Të ecim dorë për dore në këtë rrugë”. Kenedi, duke e vënë problemin e “paqes” në një binar demagogjik me atë të Hrushovit, përcakton dhe pengesat objektive e subjektive të dyanshme që duhet të zhduken dhe si të zhduken.
Kenedi hapët lë të kuptohet se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka të tërbuar (i jep gjoja hakë Hrushovit), “por ata duhet të reflektojnë dhe do të reflektojnë, do të përmbahen dhe do t’i përmbajmë”, (u heq frikën Hrushovit, revizionistëve modernë, syleshëve). Kenedi u bën thirrje “të tërbuarve” që të rishqyrtojnë pikëpamjet e tyre ndaj Bashkimit Sovjetik. Kështu e do puna dhe s’prish ndonjë punë, thotë. Kenedi, asgjë s’lëshojmë, shpresa kemi të fitojmë dhe të mbytim komunizmin. Një sakrificë pa zarar mund ta bëjmë. Elizabeta Flinti s’ka ç’na bën, atë e kemi në FBI. Kenedi i siguron skeptikët amerikanë se udhëheqësit sovjetikë do të ndërrojnë, ose janë duke ndryshuar. S’janë më ata të parët, dhe, për t’i bërë qejfin Hrushovit, ai thotë se edhe ata (amerikanët) do të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj Bashkimit Sovjetik.
Nëse do të ndryshojnë, ose ku duhet tP ndryshojnë, Kenedi këtë e përcakton me demagogji të madhe. Kundrejt paqes — ajo “tash” është e mundshme, lufta nuk është e pashmangshme. (Pra, Kenedi i thotë Hrushovit: u binda dhe unë në tezat e tua të famshme të Kongresit të 20-të. Do më që të bindesh ti dhe miqtë e tu, që janë dhe miqtë e mi?) Prandaj, paqja mund të arrihet, thotë Kenedi, në evolucionin e institucioneve shoqërore (ndryshimet që po bëhen në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet satelite). Mosmarrëveshje mund të ketë dhe do të ketë (mosmarrëveshje ideologjike do të ketë, thonë Titoja me Hrushovin, midis «marksistëve», por këto do t’i zgjidhim me bisedime, ose duke i lënë mënjanë t’i zgjidhim më vonë, tash të ecim përpara), por t’i zgjidhim, thotë Kenedi, dhe të ecim përpara.
Dhe Kenedi i thotë Hrushovit haptazi: “Ne do të të ndihmojmë në këtë rrugë, mos ki frikë, ecë përpara”. Kundrejt Bashkimit Sovjetik, Kenedi u thotë amerikanëve, në të njëjtën kohë edhe Hrushovit për t’i krehur bishtin dhe për ta ndihmuar, siç e ka ndihmuar ai Kenedin, duke e quajtur të arsyeshëm e paqësor, se në çdo regjim ka njerëz me vlerë dhe këta njerëz me vlerë nuk u besojnë “të tërbuarve” të propagandës (të sovjetikëve). Prandaj, Kenedi këshillon Hrushovin që t’u vërë “fre” këtyre të tërbuarve, pse edhe Kenedi u ka vënë, ose do t’u vërë “fre” diplomatëve, oficerëve të Pentagonit e të tjerëve. Pra, edhe në këtë çështje i thotë Kenedi Hrushovit jemi plotësisht dakord. Kenedi përdor më tej formulat e Hrushovit: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik, kurrë s’kanë luftuar kundër njëri-tjetrit.
Ju “të shkretë sovjetikë humbët 20 milionë të vrarë, ju luftuat trimërisht, ju u dogjët”, etj., dhe sot, në qoftë se shpërthen ndonjë luftë (nga kinezët), ne do të dëmtohemi, prandaj dakord, thotë Kenedi, të ecim në rrugën që kemi caktuar që të dy së toku. Prandaj, Kenedi e këshillon Ilrushovin “të mos hyjmë në polemika” (siç bëjnë kinezët e shqiptarët), por të marrim masa efektive të fshehta, të lidhemi direkt me telefon, që të koordinojmë të dy çdo gjë. Dhe ti, Hrushov, lëri të lira vendet e Demokracisë Popullore, të shpartallohet kampi socialist, ashtu siç kemi rënë dakord me Titon dhe çështjen gjermane e të Berlinit, ta zgjidhim ashtu siç të kam këshilluar, se unë nuk ndërroj pozitë. Kenedi thotë haptazi se me këto çarje që janë në kamp, çdo gjë do të ecë mirë, paqja amerikano-sovjetike do të sigurohet, prandaj vazhdo më tej Hrushov. Duhet dërrmojmë Kinën, Shqipërinë, komunizmin. Me një fjalë, fjala e Kenedit vjen dhe vërteton drejtësinë e pikëpamjeve tona mbi Hrushovin.
Imperialistët amerikanë janë të bindur se Hrushovi po afrohet me ta, se ai është fort i angazhuar në rrugën e tradhtisë dhe njëkohësisht në rrugën e demaskimit. Prandaj, Kenedi i vjen në ndihmë, për t’i thënë shko përpara se më ke mua, po të ndihmoj në vijën tënde që ta kam diktuar, të komprometoj më tej, që të mos bësh kthesa se të ikën koka dhe së bashku të punojmë kundër Kinës, Shqipërisë etj., kundër marksizëm-leninizmit, kampit socialist dhe të robërojmë popujt e, të kthejmë prapë kapitalizmin në Bashkimin Sovjetik. Prandaj, i thotë Kenedi, vazhdo të gënjesh Kastrot, organizo diversion nën parullat e tua, bëj komplote kundër çdo vendi socialist, sill në fuqi njerëzit e tu dhe të mitë, vendos diktaturën e grupit revizionist etj., etj., dhe mua më ke në krah në çdo moment. Ky është kuptimi në vija të përgjithshme, i fjalimit të Kenedit.
E SHTUNE 22 QERSHOR 1963
DEMAGOGJIA E RE DHE PLANI I VJETËR I KENEDIT
Përfundova artikullin “Demagogjia e re dhe plani i vjetër i Kenedit” i dhe e dërgova që të botohet nesër në “Zërin e popullit”.
PREMTE 19 KORRIK 1963
AMERIKANET DHE SOVJETIKET KERKOJNE TE RUAJNË MONOPOLIN E ARMEVE ATOMIKE
Është e qartë se banda e Hrushovit, do t’u bëjë lëshime të mëdha amerikanëve. Ajo do ta lërë mënjanë idenë e parë, që ndalimi i provave të armëve atomike, duhet të ecë tok me ndalimin e përdorimit dhe me shkatërrimin e stoqeve të këtyre armëve. Hrushovi do të pranojë propozimin e Kenedit dhe këtë do ta quajë “sukses” të madh. Këtë “sukses”, qeveritë respektive do ta ratifikojnë pastaj me bujë, do ta bëjnë “ligj” në parlamentet e tyre dhe do ta çojnë edhe në OKB. Qëllimi është i qartë. Amerikanët dhe sovjetikët kërkojnë të ruajnë monopolin e bombës atomike për shantazh dhe luftë kundër Kinës e socializmit, ta pengojnë Kinën të bëjë prova dhe, po të bëjë prova, ta demaskojnë si luftënxitëse kundër paqes, e poshtërsi të tjera.
VLORE, E PREMTE 26 KORRIK 1963
UDHËZIME PËR DY NOTA PROTESTE
Duhet të përgatitim dy nota të tjera kundër qeverisë sovjetike (grupit të Hrushovit) dhe qeverive të tjera të vendeve anëtare të Traktatit të Varshavës. Përmbajtja të jetë si më poshtë:
- Duke marrë shkas se jemi anëtarë të këtij traktati, të demaskojmë qëllimet skllavëruese ekonomike që fshihen nën maskën e KNER-it, integrimin ekonomik nën drejtimin revizionist, që ka për qëllim presionin ekonomiko-politik të Bashkimit Sovjetik në vendet socialiste të Evropës për t’i hequr zvarrë në transformimin e tyre gradual drejt kapitalizmit dhe degjenerimit. Të demaskojmë qëllimin e mbrapshtë të grupit tradhtar të Hrushovit, që punon për degjenerimin e Bashkimit Sovjetik, duke krijuar kaosin në ekonomi, duke zgjeruar lidhjet politike, ekonomike dhe ideologjike me kapitalistët.
- Si anëtarë të Traktatit të Varshavës, të demaskojmë qëllimet tradhtare, që u arritën nga vendet e këtij traktati me marrëveshjen mbi ndalimin e pjesshëm të provave të armëve bërthamore. Këto qëllime drejtohen kundër Kinës, kundër nesh dhe vendeve të tjera të kampit socialist dhe synojnë që ne të mos bëjmë prova, të mos kemi armë bërthamore, të jemi të varur nga grupi i Hrushovit dhe të mbetemi gjithmonë nën presionin e shantazhit të dyfishtë atomik të sovjetikëve e të amerikanëve, të cilët bëhen monopolistë të armëve bërthamore. Me këtë marrëveshje, që nuk zgjidh problemin e çarmatimit dhe veçanërisht të shkatërrimit të stoqeve të bombave atomike, grupi i Hrushovit, tradhton kampin dhe komunizmin.
Ky grup vjen në propozimet e levërdisëshme për amerikanët, të cilët, nëpërmjet fjalimit të Kenedit, e thanë haptazi që marrëveshja nuk ndalon luftën bërthamore, nuk ndalon amerikanët as ta pakësojnë stokun e bombave, as të mos prodhojnë të tjera, as të mos armatosin aleatët e tyre dhe as t’u lidhin duart për ta prishur këtë marrëveshje. Dhe arsyet kurdisen menjëherë. Mjerë ata që u besojnë kapitalistëve! Kenedi e tha haptazi se Kina përbën rrezik për njerëzimin dhe citoi Hrushovin në këtë drejtim. Këto nota kanë rëndësi parimore dhe janë qëndrime të nevojshme nga ana jonë në këto çështje jetike për socializmin dhe komunizmin.
E SHTUNE 21 SHTATOR 1963
FJALIM MJALTË I GROMIKOS
Gromikoja foli dje në sesionin e 18-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Një fjalim mjaltë. Mjaltë ishte edhe fjalimi i Kenedit. Kështu, mjaltë plus mjaltë baras tradhti e plotë nga ana e sovjetikëve. Tash, ata do të ecin përpara pa u ndalur.
E SHTUNE 16 NËNTOR 1963
SOVJETIKET LIROJNË NJË SPIUN AMERIKAN
Nën presionin e imperialistëve amerikanë e personalisht të Kenedit, Hrushovi liroi spiunin amerikan, prof. Barghorni, që organet e sigurimit sovjetik e kishin arrestuar disa ditë më parë. Skandaloze! Po demaskohet, qen bir qeni.
E PREMTE 22 NËNTOR 1963
XHON KENEDI U VRA
Radiot perëndimore dhe agjencitë e lajmeve, shpallën se presidenti i SHBA-së, Xhon Kenedi, miku i Nikita Hrushovit dhe i Josip Titos, u vra gjatë një atentati kundër tij. Xhungla imperialiste, ku hanë kokën e njëri-tjetrit.
E DIEL 24 NËNTOR 1963
RREGULLIM LLOGARISH PËR TE MBULUAR GJURMËT
Agjencitë e lajmeve njoftojnë se një vrasës i ri, Xhek Rubi vrau, në duart e policisë amerikane, “vrasësin” e presidentit Kenedi, Li Harvi Osvald. Të gjitha këto janë të kombinuara. Larje llogarish në mes tyre. Por asgjë nuk ndryshon. Imperializmi amerikan, mbetet armiku numër një i popujve. /Memorie.al