• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Monday, February 2, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Art & Kulture

“Ata njerëz të mirë, tani rrinin pas dyerve të gjyqeve, dhe nën zë thuhej: Vlora e mençur ishte zhdukur nga faqja e dheut, kishte mbetur vetëm ajo e marra, pasi…”/ Refleksione për librin e Ani Wilms

“I dhënë pas argjendarisë, librave dhe ‘Zërit të Amerikës’, Miki vdiq me radio tek veshi, zanatin, ia la të birit Dhimitrit, i cili ua trashëgoi djemve, Gavril e Valirian…”/ Historia e panjohur e familjeve hebreje në Berat
“Klithmat kundër regjimit në poezitë e Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit, duket sikur i ndeshim te ‘Tabir Saraji’ i Kadaresë…”/ Refleksione mbi jetën e veprën e dy poetëve të pushkatuar
“Ata njerëz të mirë, tani rrinin pas dyerve të gjyqeve, dhe nën zë thuhej: Vlora e mençur ishte zhdukur nga faqja e dheut, kishte mbetur vetëm ajo e marra, pasi…”/ Refleksione për librin e Ani Wilms
“Kur isha mësues në Pezë, u futa mes dy grupeve të armatosura prej 40 vetash, të Babë Myslymit, kundër vëllait tij, Shyqriut, i vrarë në luftë, por u tmerrova…”/ Dëshmia e rrallë e Prof. Neki Babamustës
“Kur filloi shfaqja dhe në skenë doli ‘Dhimitri’ me ‘Olimbinë’, që salla i shikonte me admirim, në galerinë qëndrore u dëgjua zëri Demirit, sekretarit të Partisë…”/ Historia e trishtë e “familjes reaksionare”!
“Kur Afërdita i tregoi diplomën e maturës dhe për të shoqin që kishte vdekur në burg, kryetari i Komitetit Ekzekutiv, heshti pak dhe i tha…”/ Historia e trishtë e diktaturës komuniste

Nga SHPENDI TOPOLLAJ

Memorie.al / Historia e mbrojtjes dhe shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore nga ana e popullit tonë, atëherë kur kjo ishte një gjë me rrezik të madh, është e njohur edhe ndërkombëtarisht. Humanizmi dhe guximi i treguar si nga njerëzit e thjeshtë, ashtu dhe nga ana e qeverive që zëvendësonin njëra – tjetrën, me të drejtë na bën të ndihemi krenar. Por përfytyrimi ynë te këto ngjarje, mbështetur kryesisht në kujtime sporadike apo, mirënjohja e vetë dëshmitarëve hebrenj që i përjetuan ato, ka ndalur te strehimi, fshehja, ushqyerja apo pajisja me dokumente false e tyre.

Dhe askush nuk është përpjekur të përshkruajë imtësisht, si kohën, ashtu edhe gjendjen emocionale, psikologjinë, mentalitetin, solidaritetin, respektimin e riteve e praktikave zakonore e fetare, vuajtjet, përpjekjet për mbijetesë, dëshirën për punë e kulturë në çdo rrethanë, mbajtjen gjallë të shpresës, zhgënjimet apo dhe ruajtjen e dinjitetit të vetë hebrenjve.

Kështu që tabloja e këtij momenti, nisur qysh kur hebrenjtë, me intuitën e mprehtë nga ndjekjet e përndjekjet e pafundme, i besuan gojëdhënës, se “kushdo që kapërcen kufirin dhe ia del të hyjë në Shqipëri, është i shpëtuar”, ka qenë disi i cunguar.

Gjithashtu mund të lexoni

“Libri i ‘Akuza që ulërijnë’, i cili përmban protestën ndaj Evropës, që nuk reagoi në mbrojtje të shqiptarëve gjatë zhdukjes masive të tyre, ndodhet në…”/ “Golgotha Shqiptare, si u gjet libri i holokaustit?

“Nga sekretar i Akademisë, në ‘vullnetar’ në bazë: Profili i panjohur i Prof. Bedri Dedjes dhe ‘ravat’ e jetës së tij.”

Dhe ja ku vjen vajza e miqve të mi të hershëm e të respektuar, mjekëve Dezdemona dhe Bashkim Habibi, shkrimtarja Ani Wilms, me romanin e saj voluminoz “Dielli në mërgim”, (Botim i “Dudaj”), dhe me një talent të rrallë dhe saktësi të mahnitshme e plotëson mjeshtërisht këtë peizazh.

Këndvështrimi i kësaj autoreje për strukturimin e këtij romani, është krejt i veçantë. Ajo, në njëzet kapituj dhe njëqintedyzetedy nënkapituj, i përcjell lëvizjet dhe qëndrimet e personazheve të saj në sfondin e madh dhe shumë të ngarkuar të momentit, pra qysh kurse Shqipëria u pushtua e, deri pas vendosjes së të ashtuquajturit pushtet popullor.

Në të dy kahjet, ka një intensitet ndodhish, me të papritura, kthesa e befasira të çuditshme, si dhe përthyerje karakteresh, opinionesh e qëndrimesh të aktorëve të rëndësishëm apo kalimtarë. Në dukje, gjithçka vërtitet rreth Josef Jakoelit, një njeri paqësor që ndihet sa hebre aq edhe shqiptar.

Ai e do shumë familjen e tij, por po aq edhe shqiptarët. Beson në ideale dhe vetë është njeri i ndershëm. Bukurinë e jetës e sheh te puna, te shkolla, te muzika, te filozofia, te libri.

Ndaj dhe lexon pareshtur Shopenhauerin, Balzakun, Çehovin, Haidegerin dhe Frojdin, dhe di ta çmojë miqësinë, si e gjithë familja e tij. Jo më kot Ungj Mateo u drejtohet vlonjatve të pranishëm me fjalët: “Miqësia juaj peshon për ne më shumë se floriri. Një jetë pa miqësi, është gjëja më e trishtë në botë”.

Kjo është edhe arsyeja përse zoti Kurti në emër të Këshillit Bashkiak, u drejtohet atyre: “Vëllezërit e mi hebrenj! Ky qytet ju admiron për fuqinë dhe durimin tuaj. Ju jeni nga ata që edhe mund të përkulen, por asnjëherë nuk thyhen”. Hebrenjtë kudo që i përplasi fati, nuk ndenjën duarkryq.

Ata e gjenin mundësinë që me djersën e ballit ta përballonin jetesën e tyre. Edhe familja e Josefit, qysh nga babai i tij Rafaeli, kishin ngritur tregtinë e manifakturës me emrin “Levi & Jakoel” si në Vlorë, ashtu dhe në Durrës.

Josefi punonte, por edhe mezi i priste takimet me intelektualë, dhe lumturohej me bisedat me doktorin Quandt, të cilin e quante mentorin e tij. Formimi i tij e kishte shpënë në përfundimin se “Kultura është diçka që i jep një ndjesi pavdekësie atij njeriu që e kupton. Sepse ajo krijon një lidhje mes realitetit shqisor dhe të mbinatyrshmes”.

Por ja që shpesh realiteti i egër e bën krejt të pafuqishëm si perceptimin, ashtu edhe vetë qëndrimin ndaj ndaj tij. Se po të ishte për mbivlerësimin dhe fetishizimin e kulturës dhe ndikimin e saj në jetën e përditshme, nuk kishte pse populli gjerman, me shpikjen e tij, ideologjinë naziste, t`i shkaktonte aq e aq dhimbje e vuajtje të papërshkrueshme një populli tjetër, po ashtu mjaft të kulturuar, siç ishin hebrenjtë, të cilit i shkaktoi jo pak, por plot gjashtë milion viktima.

Natyra njerëzore është e çuditshme; edhe doktori nuk e shpjegon përse edhe “shqiptari nuk e kupton dot, madje i vjen keq, se përse këto dy kombësi të admirueshme, gjermanët dhe hebrenjtë, të jenë të armiqësuar me njëri – tjetrin”.

Nga kjo, mesa duket Josefi sheh ëndrra me ulërima tmerri dhe kur e pyet doktorin, ai i përgjigjet si psikolog që është se; “…lufta vjen nga brenda…! Orteku i maktheve dhe tmerreve merr përpara trutë e njerëzisë dhe i varros nën vete. Njerëzit rezistojnë për një fare kohe, por pastaj dorëzohen dhe tmerri u pushton shpirtrat.

Ky është burimi i gjithë luftërave: dhimbjet e ngërçet e padurueshme që shtyjnë njerëzit deri në pragun e çmendurisë. Kjo është arsyeja që ata ngrihen e bëjnë pastaj gjëra që në kushte normale, s`do i bënin kurrë.

Vdekja në këtë rast shërben si rrugëdalje, si shpëtim, si kapak floriri”. Dhe ai përfundon se; “…tërbimi dhe dhimbja rriten derisa e mundin arsyen. Deri sa vjen çasti që njeriu e harron se ç`është arsyeja”. Dhe kur Rafaeli mbron mendimin se duhet ndihmuar Lëvizja Nacionalçlirimtare që lufton pushtuesin, i pavendosuri Mateo, sjell fjalën e urtë se; “erën nuk e kthen dot, por velat po”.

E vërteta është se në këto situata bashkësia hebreje është e çoroditur. Ata mblidhen e diskutojnë rregullisht për qëndrimet që duhet të mbajnë dhe përgjithësisht janë për ta mbështetur me gjithçka mundin, rezistencën e djemve dhe vajzave që kanë dalë malit. Edhe vetë Josefi bashkohet me ta dhe shërben te ai manastiri, ku drejton prifti patriot që e thërrisnin Papa Theodhosi.

E sheh nga afër guximin e sakrificat e partizanëve dhe partizaneve, ku ishin përfshirë edhe ato bukuroshet delikate të kursit të baletit që dikur e drejtonte Miriami. Ama, kjo nuk do të thotë se edhe midis vetë shqiptarëve, nuk ndikon kjo çoroditje; ata me bindjen se po luftojnë armikun e jashtëm, ndahen në komunistë, ballistë dhe legalistë. Pastaj, lufta për parësi e pushtet, i hedh kundër njëri – tjetrit.

Ky është dhe momenti më i vështirë për ta trajtuar, për autoren e këtij romani. Por Ani Wilms, me një zgjuarsi dhe paanësi të pandehur më parë, as historikisht dhe as artistikisht, nuk gabon askund në zgjidhjen e këtij rebusi, të nisur qysh nga e famshmja Marrëveshje e Mukjes, që na ka zënë për fyti e s`po na lëshon, prej tetëdhjetepesë vitesh.

Ja, Zaho Panari, me partizanët, piktori Lazar, me nacionalistët, e mira Aulona që aq shumë e dashuronte në heshtje Zahua, e cila vetëm përhap libra e kulturë te Librari “Gega”, kjo vajzë e një atdhetari të shquar, ankohet se po e shohin si armike, dhe ndëshkohet nga gjyqet e analfabetëve, se donte të konkurronte në zgjedhje me një parti të re, Kaninët janë stepur, miqtë e Kavajës, familja e Shyqyri Myrtos, që e kishin mbajtur si birin e tyre Josefin, e kishin pësuar, dhe Kurti përfundon keq, për nipin, Adrianin.

Kjo situatë që solli këtë përçarje, natyrisht që lë mbresa të mëdha te Josefi, dhe trondit bindjet e tij. Dhe kur sheh se ligjet e reja që në nxitim e sipër, përpiluan fitimtarët, e prekën edhe familjen e tij, pa as më të voglin faj, por dhe pa asnjë mëshirë e mirënjohje, për më tepër që edhe i kishin ndihmuar ata, pashmangësish vjen zhgënjimi.

Burgosje të pasanikëve hebrenj, konfiskim pasurie, taksa mbi fitimin e jashtëzakonshëm gjatë luftës, dorëzim deri me tortura për nxjerrje të florinjve, kishin dalë në rend të ditës, ashtu siç kishte parë plot intelektualë e nacionalistë të pushkatuar rrugëve, nga vëllezërit e një gjaku. Jakoelëve, si shumë të tjerëve, pasi iu shkatërrua biznesi, iu morën edhe shtëpitë. Familjes së Josefit, përveç babait dhe të afërmve që ia burgosën, i morën gjithë ç`kishin dhe i degdisën në mjerimin e një kasolleje.

Tani, askush nuk i ndihmonte dot, qofshin ata dhe nga miqtë e dikurshëm. Njerëzit ishin tjetërsuar dhe spiunët gëlonin ngado. I trembur ishte dhe vetë Zaho që pasi ishte plagosur rëndë atje në mal, tani kishte një farë funksioni, ai Zaho që dikur e konsideronte vëlla dhe i quanin si vëllezërit Dioskurë, Kastori dhe Polluksi.

Mesa dukej edhe në jetën e vërtetë, me ta po ngjiste njësoj si në mitologji, ku pasi Kastori u vra nga Linkeu dhe ky nga Polluksi, duke qenë se njëri ishte i vdekshëm dhe tjetri jo, Zeusi iu përgjigj lutjes, duke i vendosur në mes të yjeve, me emrin Binjakët, por kur njëri shfaqej, tjetri fshihej, pra nuk shiheshin kurrë. Josefi habitet sesi ndryshuan gjërat dhe njerëzit kështu.

Ai ishte rritur mes murgjve në Janinë dhe dikur komunizmi ia kishte ngrohur zemrën, por kishte filluar të ftohej me të, kur shihte se shokët atje në Moskë, u kërkonin të rinjve të gënjenin dhe të vidhnin etërit e tyre, për të financuar Lëvizjen. Dhe paskej pasur të drejtë: Si ishte e mundur që ata vlonjatët e mirë e mikpritës, tani rrinin pas dyerve të gjyqeve, dhe duke dëgjuar ato broçkullat që dilnin nga altoparlantët, ulërinin “Armiqtë, në litar”?!

Në libër thuhet: “Vlora e mençur ishte zhdukur nga faqja e dheut, kishte mbetur vetëm ajo e marra”. Paskej pasur të drejtë Aulona e Gegajve, kur i thosh atij se: “Kush djallin është Enver Hoxha? E dëgjove atë fjalim që mbajti? Si lehje qeni, më keq se Mussolini. Një dështak universitar, një injorant province me delir madhështie, ja kush është”.

Ishte lodhur kot Aristoteli të gjente mbretin e mirë, pavarësisht emrit; Perandor, President, Duçe, Fyhrer apo Sekretar i Parë. Po shkallmohej gjithçka ishte ngritur me aq mund, me arsyetimin se do të ndërtonin botën e re. U pa se tipari kyç i revolucionit, qenka deliri i shkatërrimit. Gjithçka po shkonte drejt Jugosllavisë e Stalinit, se tani ata po e bënin ligjin dhe nuk qenë të pakët të tjerët, që shpresonin te ndërhyrja e Perëndimit e kryesisht e Britanikëve.

Por, aha…?! Nga ana e tyre, familja e Josefit, edhe atje në ftohtësinë e kasolles me mure me vrima, respektonte ritualet e hebrenjve dhe, lumturohej se pasi kishin ndrequr radion, do dëgjonin me zë të ulët muzikën e drejtorit të Teatrit “Skala”, Arturo Toskaninit (1867 – 1957), me zërin e Tancredi Paseros dhe Renata Tebaldit.

Dhe përfundimi: Josef Jakoeli, të cilit tani shokët dhe miqtë i largoheshin, me keqardhje shpreh bindjen se “Shqipëria është bërë një burg i madh nën qiell të hapur”. Dhe i vetmi ngushëllim në këtë valle të madhe të popujve, siç e quante doktori, mbetej ta pranonte katastrofën si çast historik, në vend që ta linte veten të dërrmohej shpirtërisht prej saj.

Nuk mund të rri pa përmendur faktin se Ani Wilms, ia shton vlerat librit dhe e bën tërësisht të tërheqës, të këndshëm dhe të besueshëm atë, duke na i dhënë me imtësinë më të madhe dhe duke na i përshkruar sikur të ishte vetë hebreje, festat e tyre apo ditët e shënuara që ata praktikonin.

Pa asnjë mëdyshje, mendoj se ky roman i bën nder letërsisë tonë dhe do të zërë pa tjetër një vend të rëndësishëm në gjerdanin e artë të romanit shqiptar. Gjithashtu, na paralajmëron se një prozatore me të ardhme të ndritur po duket andej nga Dielli lind!/ Memorie.al

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Libri i ‘Akuza që ulërijnë’, i cili përmban protestën ndaj Evropës, që nuk reagoi në mbrojtje të shqiptarëve gjatë zhdukjes masive të tyre, ndodhet në...”/ "Golgotha Shqiptare, si u gjet libri i holokaustit?

Next Post

“Gjyqit Special, si një vepër e madhe politike, siç e quajti ministri i Drejtësisë Manol Konomi, që ekzekutoi 17 vetë dhe ndëshkoi me burgime të gjata 41 persona të tjerë...”/ Refleksionet e studiuesit të njohur

Artikuj të ngjashëm

“Libri i ‘Akuza që ulërijnë’, i cili përmban protestën ndaj Evropës, që nuk reagoi në mbrojtje të shqiptarëve gjatë zhdukjes masive të tyre, ndodhet në…”/ “Golgotha Shqiptare, si u gjet libri i holokaustit?
Art & Kulture

“Libri i ‘Akuza që ulërijnë’, i cili përmban protestën ndaj Evropës, që nuk reagoi në mbrojtje të shqiptarëve gjatë zhdukjes masive të tyre, ndodhet në…”/ “Golgotha Shqiptare, si u gjet libri i holokaustit?

February 2, 2026
“Nga sekretar i Akademisë, në ‘vullnetar’ në bazë: Profili i panjohur i Prof. Bedri Dedjes dhe ‘ravat’ e jetës së tij.”
Art & Kulture

“Nga sekretar i Akademisë, në ‘vullnetar’ në bazë: Profili i panjohur i Prof. Bedri Dedjes dhe ‘ravat’ e jetës së tij.”

January 30, 2026
“Kur disa miq i thanë se po arrestoheshin njerëz, ai u tremb e i theu të gjitha nudot, por duhet thënë, se ai u eliminua nga nxënësit e tij, pasi…”/ Historia e trishtë e mjeshtrit të skulpturës, Janaq Paço
Art & Kulture

“Kur disa miq i thanë se po arrestoheshin njerëz, ai u tremb e i theu të gjitha nudot, por duhet thënë, se ai u eliminua nga nxënësit e tij, pasi…”/ Historia e trishtë e mjeshtrit të skulpturës, Janaq Paço

January 27, 2026
“Piktori i Merituar” Shaban Hysa, mitiku i skenografisë shqiptare, autor i mbi 250 punëve në Teatrin Kombëtar dhe Teatrin e Operas e Baletit!
Art & Kulture

“Piktori i Merituar” Shaban Hysa, mitiku i skenografisë shqiptare, autor i mbi 250 punëve në Teatrin Kombëtar dhe Teatrin e Operas e Baletit!

January 21, 2026
“Ndalova më gjatë tek pjesa e muzeut ku ishin një seri ‘vip’ nga ‘Flamuri i kuq’, njëra prej të cilave në vitet ’60-të, erdhi si dhuratë për Enver Hoxhën…”/ Refleksionet e gazetarit të njohur nga vizita në Kinë
Art & Kulture

“Ndalova më gjatë tek pjesa e muzeut ku ishin një seri ‘vip’ nga ‘Flamuri i kuq’, njëra prej të cilave në vitet ’60-të, erdhi si dhuratë për Enver Hoxhën…”/ Refleksionet e gazetarit të njohur nga vizita në Kinë

January 19, 2026
“Thashethemet dhe cmira, e detyruan të largohej nga Teatri Popullor dhe të shkonte në Institutin e Lartë të Arteve…”/ Dëshmitë e rralla të kolegëve; si e “vranë” aktorin e famshëm Naim Frashëri
Art & Kulture

“Thashethemet dhe cmira, e detyruan të largohej nga Teatri Popullor dhe të shkonte në Institutin e Lartë të Arteve…”/ Dëshmitë e rralla të kolegëve; si e “vranë” aktorin e famshëm Naim Frashëri

January 16, 2026
Next Post
“Gjyqit Special, si një vepër e madhe politike, siç e quajti ministri i Drejtësisë Manol Konomi, që ekzekutoi 17 vetë dhe ndëshkoi me burgime të gjata 41 persona të tjerë…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur

“Gjyqit Special, si një vepër e madhe politike, siç e quajti ministri i Drejtësisë Manol Konomi, që ekzekutoi 17 vetë dhe ndëshkoi me burgime të gjata 41 persona të tjerë...”/ Refleksionet e studiuesit të njohur

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme