Nga Sefedin Krasniqi
Pjesa e parë
-Krimet komuniste në Kosovë, njëlloj si në Shqipëri-
Memorie.al / Rrahjet, tmerrin, persekutimet, burgosjet dhe vrasjet që pësoi fshati Zhilivod tash Trimor, sidomos familja, miqtë dhe dashamirët e Aziz Zhilividës, më ka rënë t’i dëgjoj shpesh nëpër oda burrash të këtij fshati. Përkundër frymëmarrjes, më të lirë, e të kahëpaskohëshme nga ndryshimet që vinin në Jugosllavinë e pas luftës së Dytë Botërore, kurrë nuk kemi guxuar t’i shprehim, as t’i shkruajmë lirisht në gazeta apo libra. Kësaj radhe, ekskluzivisht flet Faik Krasniqi, djali i dytë i Aziz Zhilivodës.
SHFLETIME NËPËR HISTORI
– Pas atentatit kundër Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, djalit të axhës tim, Ahmet Krasniqit dhe ofensivës barbare të forcave çetniko-serbe ndaj katundit Zhilivodë (tash Trimor), të 22 shtatorit të vitit 1998, duke mos ditur se çka do të ndodh me fatin e mëtutjeshëm të familjes sime, të vet fshatit Zhilivodë dhe më gjerë, më datën 27 shtator të vitit 1998, fillova të shkruaj një pjesë të kaluarës të familjes sime, e quajtur; Muja. Këtë e bëra edhe për të kryer amanetin e gjyshit tim, Mustafës, babait të Aziz Zhilivodës dhe axhës tim Qerkinit, i cili aq shumë u sakrifikua për ne.
Me këtë rast dua të përmend edhe sakrificat e dajave të mi, Avdijajve, nga Hadja dhe dajave të babës, Abdullahajve, nga Vranidolli i Llapit. Një pjesë e këtyre kujtimeve, janë ngjarje që i kemi përjetuar unë dhe familja ime, drejtpërsëdrejti. Dua të flas edhe për të gjithë ata burra e ato gra, që mbajtën mbi supe tërë tmerrin e kohës gjatë pushtimit turk dhe serb, në këto anë, të cilët qëndruan të patrembur dhe stoikë, gjatë gjithë jetës së tyre dhe na mësuan se si të rrojmë si njerëz, të patrembur për idealet e larta kombëtare dhe njerëzore. Duke u bazuar në porosit brez pas brezi, pata fatin që nga gjyshi im, Mustafë Latifi, të mësoj për paraardhësit tonë, të cilët kishin jetuar në fshatin Gllavotin, jo larg fshatit Zhilivodë, ku tani edhe jetojmë.
Dikur në vitin 1890, në kohën e pushtimit turk, i pari kësaj familje, quhej Mikel Lekë Gjoni, pra atëherë ishim të krishterë. Po në këtë vit, pas kalimit në fenë islame, me dhunë, është dashur të ndërrohen edhe emrat. Në atë kohë, në fshat kishte jetuar, Muja, djali i madh i Mikelit, i cili për shkaqe të mos durimit të pushtetit turk, detyrohet të lëshojë shtëpinë dhe tokën e të parëve, për t’u strehuar në malet e Qyqavicës. Në fillim do ta përshkruaj origjinën e Mujajve, sipas asaj që më ka folur gjyshi.
Mujajt
Gjyshi im ka qenë i mençur dhe ka përcjellur kujtimet dhe amanetet e prindërve të vet. Aso kohe, sa kishin qenë në fshatin Gllavotin, një ditë, shkon Muja të marrë dru në malin e Qyqavicës. Derisa ishte në mal, vjen një çaush i Mbretit, me shtatë tasildarë me katër zapti. Hyjnë në oborrin e shtëpisë së Mujës dhe pyesin se ku ndodhej i zoti i shtëpisë. Nëna e Mujës, u thot se Muja me djemtë, kishin shkuar me marrë dru në mal. Çaushi vret gjelin e shtëpisë dhe i thotë nënës së Mujës, t’ua përgatiste për ta ngrënë. Çaushi me zapti e tasildarë, shkojnë në kullë dhe shtrihen të flenë. Nuk vonon shumë, Muja kthehet nga mali. Nëna i del përpara dhe pyet:
– A u lodhe biro?
– Jo moj nënë, po ti a u lodhe? – pyet Muja
Muja i sheh disa pika gjaku nëpër oborr dhe pyet: – Lum nëna, çka janë kështu këto pika gjaku? Nëna për të mos i treguar të birit, duke ditur se do t’i zë belaja me turqit i thot: – Biro e kam pre një gjel! Në atë moment vjen një djalë i Mujës dhe i thotë: – Baba Mujë! – Fol biro!? – Na e ka vrarë çaushi gjelin! – thot djali. – Çfarë çaushi ore? – Çaushi me do zapti e tasildarë janë në kullë baba Mujë, – përgjigjet djali. – Euu, – bërtet Muja, leni drutë ore! – u bërtet vëllezërve! – rrokni martinat! dhe hyjnë në kullë. – Çohuni ore qenë, iu kishte bërtitur Muja. – Kush u ka dhënë leje të qitni pushkë në oborrin tim dhe të mi vrisni pulat?
Pas pak fjalëve, dëgjohen të shtëna në kullë, ku vritet çaushi vetë i njëmbëdhjeti. Atëherë, Muja i merr anëtarët e familjes së vet dhe lëshon shtëpinë, për të shpëtuar nga ekspeditat ushtarake turke. Pasi djegë shtëpitë dhe pasurinë me gjithë turqit mbrenda, ia mësyen maleve të Qyqavicës dhe atje gjen strehim. Nga ky gjest i Mujës ka mbetur thënia: “Hajde ta bëjmë Zhilivodë”.
Këtu ku jetojmë tash, prej të parëve tonë, themelohet fshati Zhilivodë. Pastaj Muja fillon të presë malin, për të bërë tokë për bukën e familjes. Gjyshi thoshte se; shtatë herë ishte rrethuar Muja nga ushtritë dhe zaptitë turke, por i ndihmuar nga vëllezërit dhe djemtë, ai i kishte thyer këto ekspedita. Një pjesë e meshkujve të Mujës, kishin bërë gjithnjë roje, që të mos i sulmojnë turqit tinëz, sikur e kishin pasur zakon. Muja vazhdon të punojë tokën buzë malit. Toka në mes të lumit Llap dhe Sitnicë, ku tani shtrihet fshati Prelluzhë, mbetet djerrë. Një ditë vjen një beg prej Vushtrrie dhe i thot Mujës: – Nëse do të shpëtoj prej ekspeditave të turqve, mund ta bëjmë një marrëveshje.
Më jap tokën dhe livadhet e unë, t’i heqi turqit prej qafe. Në atë kohë, Muja kishte jetuar në një bashkësi familjare, prej 63 anëtarësh. Pasi mendohet Muja dhe konsultohet me vëllezër, marrin vendim, që ta lënë token, në kundërshpërblim të dhënies fund të ekspeditave turke. I kishin lënë më se 80 hektarë tokë. Pasi begu i merr tokat, i kolonizon me çerkezë (çeçenë) të ndjekur nga Rusia. Për hir të vërtetës duhet thënë, se babëgjyshit nuk i kujtoheshin vitet, se kur kishin ndodhur këto ngjarje. Sot e kësaj dite, çerkezët e Stanofcit të Ulët, e kanë një pjesë të tokës tonë. Pjesën tjetër, e kanë serbët e Prelluzhës. Pas çlirimit nga turqit, e sidomos pas vitit 1912, Kosova okupohet nga Serbia dhe tash na vijnë zotni taze, të cilët filluan t’i lëvizin mexhat, secili sipas nevojës së vet dhe deshirës personale.
Masakra në mes të Krasmirofcit dhe Gradicës
Me kalimin e kohës dhe viteve, rëndohej edhe pesha e robërisë mbi supet e të parëve tanë. Kështu, në shtatorin e vitit 1919, një ekspeditë e shkaut, ia mësyen Qyqavicës dhe fshatit Zhilivodë. Krismat e pushkëve përhapen nga fshati Zhilivodë, deri në fshatin Kollë të komunës së Vushtrrisë. Pasi forcat serbe thehen nga shqiptarët, shkijet sjellin përforcime te reja ushtarake. Në rrethet e Qyqavices, fillon luftë e madhe për jetë a vdekje. Pas shumë luftimeve, shqiptarët nuk kishin qenë më në gjendje, t’iu përballojnë forcave të Serbisë. Njësitet e luftëtarëve tonë, tërhiqen thell në zemrën e Qyqavicës. Po në këtë vit, nga forcat serbe, zihen 87 burra, prej Kollës e deri në Zhilivodë. Të paarmatosur, pleq dhe të rinj, të gjithë, pushkatohen dhe masakrohen, në mes të fshatrave Krasmirovc dhe Gradicë. Në mes të të vrarëve, nga shtëpia e Mujës, ishte axha Shaban, vëllau i babëgjyshit-Mustafës. Serbët i kishin masakruar, në mënyrën më barbare. Në këtë masakër, u pushkatuan Fazliu dhe Sejdiu, 17 vjeçar.
Babëgjyshi thoshte, – Kur kemi shkuar t’i marrim kufomat, meshkujt tonë, të gjithë kishin qenë të zhveshur lakuriq. Teshat e trupit, ua kishin marrë fshatrat për rreth vendit, ku ishte bërë masakra. Aq keq i kishin masakruar kufomat, sa mezi i kishin njohur, përmes shenjave të trupit. I marrin 12 meshkuj e, në mesin e tyre, edhe një vajzë, po ashtu e masakruar. Vajza quhej Zylfie, e bija e Avdullit, prej Zhilivode. Meqenëse Avdulli, nuk kishte pasur djem, vendos ta bëjë vajzën, si djalë. Kurë fshatarët e Zhilivodës, nuk e kishin ditur se është vajzë dhe se emrin e kishte Zylfie, por e kishin quajtur; Syla i Avdullit. Vetëm pas kësaj masakre, është konstatuar se Syla, kishte qenë Zylfia, e bija e Avdullit, 22 vjeçare.
Vëllau i babëgjyshit, Shabani, i vrarë i lenë dy jetima: Qerkinin dhe Qerimin. Qerkini, Qerimi dhe Azizi, e kanë parë babën e tyre, gjegjësisht axhën, të masakruar dhe janë betuar te varri i tij, se do t’ia marrin hakunj axhës Shaban dhe të gjithë te tjerëve. Sipas tregimeve të babëgjyshit tonë, Mustafës, shtëpia e Muajajve, mbeti në shënjestër të pushtetit të atëhershëm të Serbisë. M’u për këtë fillon jeta, por edhe qëndresa jonë familjare, nëpër burgjet serbosllave. Edhe pas shumë persekutimeve, maltretimeve, vrasjeve, qëndruam të paepur, kundruell çështjes kombëtare, por edhe njerëzore. Pra, fatin e të parëve, e kemi përjetuar edhe gjatë luftës së Dytë Botrore dhe pas saj.
Aziz Zhilivoda dhe pjesëmarrja e tij në NDSH
Baba jonë Azizi rritet, po ashtu edhe Qerkini dhe Qerimi. Martohen që të tre dhe babëgjyshi, ia lë përkujdesjen e shtëpisë, Qerkinit. Baba im, Azizi, hynë në detyrën e xhandarmërisë shqiptare të asaj kohe. Në vitet që vijojnë, siç dihet, Kosovën e ndajnë mes vete, gjermanët dhe italianët. Azizi gjendet më detyrë në Orllan të Podujevës, pastaj në Lluzhan dhe në fund, në Besi. Disa vite më vonë kalon në Gardën e Xhafer Devës. Pas largimit të gjermanëve dhe italianëve nga Kosova, këto formacione ushtarake të shqiptarëve, shpartallohen krejtësisht. Kosova ripushtohet nga forcat sllavokomuniste. Këto formacione ushtarake shqiptare, ndahen në grupe më të vogla dhe strehohen disa në Drenicë, dhe disa në Qyqavicë. Pa vonuar, organizohen dhe riorganizohen formacione ushtarake nga Xhafer Deva, Marie Shllaku dhe Gjon Serreqi. Fillon lufta frontale dhe në prita kundër sërbosllavëve.
Ne po kufizohemi të flasim vetëm për rrethin e Çyqavicës, të Shalës dhe Llapit, që na i la me gojë dhe shkrim, baba ynë, Aziz Zhilivoda, duke mos harruar të përmendim, lidhjet e këtyre rretheve, me pjesë tjera të Kosovës. Me këto formacione ushtarake, kanë komanduar në rrethin e Qyqavicës, të quajtur Artakoll, Aziz Zhilivoda, Hashim Gjaka dhe Ferat Hashim Strofci. Në Shalë të Bajgorës, kryengritjen e ka udhëhequr Ahmet Selaci dhe Adem Voca, i Shalës. Me Drenicën, kanë mbajtur kontakte, konsultime dhe marrëveshje të vazhdueshme, me Marie Shllakun, Gjon Serreqin, Ajet Gërgurin, Hilmi Zariqin, Miftar Bajraktarin e Llaushës, Bajram Dërgutin, Bajraktarin e Gllogovcit, Ymer Berishën dhe shumë te tjerë.
Mbajtjen e tyre me ushqim dhe veshmbathje, si dhe strehimin, e kanë siguruar; Bajram Zuka i Likoshnit dhe Xhemail Lahu-Dervisholli i Gradicës. Nga organizimi dhe riorganizimi i sërishëm, përpjekjet dhe luftërat nën përkujdesjen e Gjon Serreqit, Marie Shllakut dhe Ymer Berishës, formohen aradhat për Drenicë. Komandant të këtyre formacioneve ushtarake, ishin Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica. Në Artakoll, formohen formacione ushtarake, duke përfshirë edhe Shalen e Bajgorës, dhe emërohen komandantë; Adem Voca, Ahemet Selaci, Aziz Zhilivoda, Osman Bunjaku, Ferat Hashim Strofci, Fazlli Saraçi, Hashim Gjaka, etj.
Pas shumë përpjekjeve e luftërave për çlirim, Kosovën e riokupjnë definitivisht sllavokomunistët. Në rrethin e Hades, ku bëjnë pjesë Shipitulla dhe Bellaçevci, formacionet ushtarake, i kanë udhëhequr Ajet Mjekiqi, Hakif Mjekiqi, Jakup Avdi Graiçevci i Hades me vëllëzër (Ibrahimin dhe Qazimin), Rrustem Salihi dhe Sylë Shaban Morina (Haxhi Syla), i cili kishte merita jashtzakonisht të mëdha. Në këto formacione, ishin edhe Sadik Shala dhe Zenel Mani. Në të gjitha kuvendet që janë mbajtur prej Kuvendit të Dobërdolit, e deri në Kongresin e Lipovicës, Aziz Zhilivoda, ishte gjithnjë i pranishëm, në të gjitha marrëveshjet. Sipas fjalëve të Aziz Zhilivodes, ai thoshte se, në qoftëse dikush e nxjerrë Kosovën prej robërie, të vetmit shqiptarë të ndërgjegjshëm të kohës, ishin Xhafer Deva, Gjon Serreqi, Marie Shllaku, Ymer Berisha, etj.
Pas shumë përpjekjeve, e luftërave për çlirim, Kosovën e riokupojnë definitivisht sllavokumunstët. Një pjesë e këtyre formacioneve ushtarake, sipas fjalëve të Aziz Zhilivodës, kalojnë në ilegalitet dhe vazhdojnë luftërat, e disa prej tyre, më vonë, kalojnë kufirin dhe dalin në Shqipëri. Këtë e bënë edhe Azizi, i cili pas disa viteve, që kishte kaluar në liri, burgoset dhe dënohet dhjetë vjet, nga regjimi komunist diktatorial i Enver Hoxhes. Sipas dëshmive të Mërgimes, bijës së Azizit, e cila jeton në Elbasan, një natë para se të lirohet Azizi nga burgu, e kishte helmuar një njeri i Sigurimit të Shtetit i Enver Hoxhës, me origjinë nga kosova, të cilit ia dimë emrin dhe mbiemrin.
Pak vite para luftës çlirimtare të Kosovës, Azizi, nëpërmes një interviste në revistën “Zëri”, pati porositur: – “Mos hyni në luftë, nëse nuk mund ta fitoni, mjaft kemi humbur! Por nëse fillon lufta, edhe pse në moshë të shtyrë, do më shihni me ‘mashinkë’ në krah, në malet e Qyqavicës”. Vdiq pa iu plotësuar dëshira, por “mashinka” e tij bëri punë gjatë luftës çlirimtare të Kosovës, të viteve 1998-‘99. Armën e Azizit, të ruajtur me përkushtim që nga Lufta e Dytë Botërore, e përdori me trimëri, një luftëtar i UÇK-ës, nga Drenica dhe ajo tash ruhet në muzeun e Kosovës.
Burgosja e familjes së Aziz Zhilivodës
Pasi Aziz Zhilivoda, kishte marrë pjesë aktivisht në luftërat kundër shkijeve, për çlirimin e Kosovës, familja e tij, i nënshtrohet maltretimeve dhe burgosjeve. Në vitin 1946, burgosen të gjithë anëtarët e familjes së tij, prej babgjyshit 81 vjeçar, deri te fëmija më i vogël, i moshës 6 muajshe. Kështu vazhdon rrëfimin e vet, Faik Aziz Krasniqi, nga Zhilivoda. – Odën e Hajrë Isufit të Zhilivodës, OZNA, me dhunë, e shndërroi në burg privat dhe në këtë odë-burg, qëndruam gjashtë muaj rresht. Bukën, fshehtas prej shkijeve, na e sillte nëna e Hajrës, halla Mehreme. Një ditë erdhi një kontrollë në odën e Hajrës dhe i panë disa trosha buke.
Në kontrollë, bënte pjesë edhe një i qujtun, Sejdi Hasani. Sejdiu shkon, në Shtab të OZN-ës dhe lajmëron shefin e shtabit, se familjen e ballistit të Aziz Zhilivodës, po e ushqen halla Mehreme. Shefi i shtabit, një Kërst Kërstiqi, i quajtur Tushi, erdhi vetë në burg. E fliste shqipen rrjedhëshëm. Ishte bashkë me Simën dhe Çiçën, që kishin mbytur shqiptarë me guxhum (shkop me kokë). E muarën hallën Mehreme në pyetje dhe i thanë:
– “Pse po e ushqen familjen e ballistit”?! Në praninë e tërë familjes tonë, të Januz Rexhë Zhilivodës, plak i mençur dhe Sejdi Hasanit, halla Mehreme, iu drejtua shkijeve, me këto fjalë: “Çfarë pushteti jeni ju, që burgosni pleq, gra e fëmijë? Sa të jem gjallë, kam për t’i ushqyer edhe nëse më pushkatoni”. Pastaj filluan ta marrin në pyetje nanën tonë, Hidën: – “Pasi nuk po mund ta zëmë Azizin, tashmë sa kohë, na trego ti, me kë e ke këtë fëmijë në prehër”? Fëmija i kishte gjashtë muaj.
– “E kam me Aziz Zhilivodën”, – ia këtheu nëna.
– Atëherë kush ia ka gatuar dhe dërguar bukën Azizit dhe bandave të tij?
– “Unë e kam gatuar e, nëna e Azizit, ia ka dërguar deri te ara (Ara e Kishës). Prej atje, burri im, e ka marrë me shokët e vet”. Në atë moment, është ngritur në gjunj, Januz Rexhë Zhilivoda dhe ka bërtitur, – “Rrofshë o bija e Avdi Hoxhës së Hades. Qenke grua burrënore dhe fisnike”. Pas fjalëve të Januzit, ka ndërhy Sejdi, me këto fjalë: – “Sikur të kishte qenë grua burrënore dhe fisnike, ia kishte qitur tlynin e vluar, në vesh Azizit dhe e kishte likuiduar”.
Atëherë nëna foli: – “O Sejdi Hasani, për herë të parë po të shoh edhe pse je i këtij katundi, por me pas qenë Azizi, burrë sikur ti, vërtetë ia kisha qitur tlynin e vluar në vesh”. Sejdiu deshi të thot edhe diçka, mirëpo shefi i OZN-ës, ndërhyri me fjalë të pista. Shefi iu drejtua hallës Mehreme, se ajo prej tash, mund të na sillte bukë dhe të na ushqente, se fëmijët, i tha, nuk kanë faj.
Erdhi vjeshta e vitit 1947. Krejt familjen na dërguan në burgun e Vushtrrisë. Pas dy-tri ditëve, e sollën në burg edhe nënën e Sherif Tërstenës, gruan e tij dhe një vëlla më të ri, të Sherifit. Atë ditë, na regjistronin në burg. Gjatë regjistrimit, hyri Ali Shukriu dhe Rasim Qerkezi. Ali Shukriu, ishte prokuror publik për Kosovë e Rasimi, ishte shef i OZN-ës për Mitrovicë. Aali Shukriu, iu drejtua nënës: – Ti je nëna e Aziz Zhilivodës a”? Lokja ia këtheu: – “Po unë vetë”! Ali Shukriu, iu afrue dhe e kapi lokën për flokësh e i tha: – “Ti je shtriga plakë, që ke pjellur Azizin, që na i ka vrarë 96 komunista, bijtë më të mirë të Jugosllavisë së Titos”?! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm