Nga Sefedin Krasniqi
Pjesa e dytë
-Krimet komuniste në Kosovë, njëlloj si në Shqipëri-
Memorie.al / Rrahjet, tmerrin, persekutimet, burgosjet dhe vrasjet që pësoi fshati Zhilivod tash Trimor, sidomos familja, miqtë dhe dashamirët e Aziz Zhilividës, më ka rënë t’i dëgjoj shpesh nëpër oda burrash të këtij fshati. Përkundër frymëmarrjes, më të lirë, e të kohëpaskohshme nga ndryshimet që vinin në Jugosllavinë e pas luftës së Dytë Botërore, kurrë nuk kemi guxuar t’i shprehim, as t’i shkruajmë lirisht në gazeta apo libra. Kësaj radhe, ekskluzivisht flet Faik Krasniqi, djali i dytë i Aziz Zhilivodës.
Burgosja e familjes së Aziz Zhilivodës
Atëherë gjyshja, iu drejtua Ali Shukriut me këto fjalë: – “Hiqi duart nga unë, he qen bir qeni! Pushkë, topa e ushtri ke, ndjeke Azizin nëse mundesh me zënë”. Në atë moment, gruas së Sherif Tërstenës, i ra të fikët, sepse e kishin torturuar në Mitrovicë, ende pa e sjellur në Vushtrri. I kishin rënë krejt thonjtë e gishtave të dorës. Ndërsa nëna e Sherifit, i kishte ende teshat e lagura, sepse e kishin gjuajtur në lumin Ibër, duke ardhur në Vushtrri. Pas këtyre fjalëve, Ali Shukriu dhe Rasimi, dualën jashtë.
Ne vazhduam jetën nëpër burgje
– Në dimër të vitit 1947, ishte afruar koha për gruan e axhës tonë, Hajrizit, që të lind. Gruan e axhës e liruan dhe shkoi te baba i vetë, në fshatin Brezhnicë. Dikur, në prill të vitit 1948, na erdhi lajmi se kishte lindur djalë. Nga burgu, e kemi pagëzuar, me emrin Ahmet. (Është fjala për Ahmet Krasniqin, ministrin e ardhshëm të Mbrojtës së Replikës së Kosovës dhe komandantin e FARK-ut). Burgun edhe për një kohë, e vazhduam në Vushtrri, e një pjesë të kohës, edhe në burgun famëkeq të Prishtinës. Në vitet 1949-‘50, na kthyen prap në burgun e Vushtrrisë. Pasi shkijet i mbushën burgjet me shqiptarë, na dërguan prap në burg privat (shtëpi private). Në shtator të vitit 1950, na liruan prej burgut dhe u kthyem të dërmuar në Zhilivodë.
Edhe pas burgut, nuk përfunduan ndjekjet dhe përndjekjet. Ishim edhe në skamje të madhe. Ndihmën më të madhe me ushqim dhe veshmbathje, na e kanë dhënë dajtë e Hades. Por, Bajram dhe Selim Zukën, prej Likashanit, e burgosën, nipin Xhemajl Preniqin, e Hades dhe mikun, Isë Preniqin e Hades. Shkijet burgosën edhe shumë burra në atë kohë, si: Ilaz Xhemajl Dervishollin, me vëllaun Sadikun, shumë burra nga fshati Dobrashevc dhe lagjja e Morinëve të Akrashticës së Vushtrrisë, pastaj dajtë e babagjyshit, nga Kutllovci i Shalës së Bajgorës. Kështu, pësuan të gjithë miqtë dhe dashamirët tonë, duke i mbushur burgjet, prej Nishit e deri në Goli-Otok.
Familja jonë nuk kishte asnjë të drejta, as qytetare, as njerëzore. Na e humbën edhe të drejtën e shkollimit. Merreshim vetëm me punë të rënda fizike. Kur shkonim të punojmë tokën tonë, duhej të lajmëroheshim te këshilltarët komunistë të fshatit, që ta dinin se ku gjendeshim. Kjo gjendje ka vazhduar deri pas plenumit të Brionit, të vitit 1966, ku sllavo komunistët i kanë qëruar hesapet mes veti. Pas Plenumit, kemi marrë frymë më lirisht dhe i kemi kryer shkollat privatisht. Unë, Faiku i Azizit, mbarova shkollën fillore, të mesme dhe shkollën e lartë, të gjitha privatisht. Poashtu, edhe vëllau im i vogël, Shaipi. Më vonë që të dy, u punësuam në Elektro ekonominë e Kosovës. Por më vonë, rifilloi ndjekja e familjes sonë. Mua më përjashtuan nga vendi i punës.
Shaipi operohet nga një shpërthim i gjakut në kokë dhe më vonë emigroi në Suedi, me gjithë familjen e tij, ku gjendet edhe tani. Pas demonstratave të vitit 1981, shkijet e burgosën djalin e axhës, Hajriz, Behxhetin, i cili që nga viti 1977, ishte anëtarësuar nga Xhafer Durmishi, në një organizatë ilegale që vepronte për të mirën e Kosovës dhe lirinë e saj. Behxheti, mbajti gati dy vite burg. Në vitin 1992, pasi u shkatërruan shtyllat e rrymës elektrike të tensionit të lartë, të cilat kalojnë nëpër Zhilivodë dhe bartin rrymën për Malë të Zi, policia serbe e fshatit Zhilivodë, ia shtoi zullumin.
Kështu përveç rrahjeve për vdekje që pësuan, Shefki Islam Krasniqi, Jakup Bajram Krasniqi, Hashim Bejtë Krasniqi, Hajra Galan Krasniqi, Rrahim Hysen Krasniqi, etj., i gjithë fshati, u detyrua të lëshojë shtëpitë e veta dhe, për tre muaj, u strehua në malet e Qyqavicës. Behxheti duke iu falënderuar Shefki Islamit, shpëtoi nga ky tmerr dhe iku në Gjermani, ku gjendet edhe sot, me familjen e tij të ngushtë.
Kujtime nga burgu
Gjatë kohës sa ishim në burg, 1947-‘48 në Vushtrri, axhës Hajriz, Qerkinit dhe Qerimit, ua vunë prangat në këmbë, me nga 45 kg., për copë. Qerkinin dhe Qerimin, i dërguan në burgun e Mitrovicës, e pastaj në burgun e Prishtinës dhe i dënuan me nga tre vjet burg, të cilin e vuajtën në burgun e Nishit. Ndërsa ne mbetëm në burgun e Vushtrrisë. Dua ta theksoj, se në vitin 1948, kemi vuajtur për kafshatën e gojës.
Kujdesin për ushqim, e mori përsipër halla Fatë, motra e babës dhe Jakupi, djali i axhës Qerkin, i cili pësoi më së shumti, ngase ishte i ri (13 vjeç). Jakupi dhe gratë e Qerkinit dhe Qerimit, ishin në liri. Derisa ishim në burg, në kullën tonë, ishte vendosur OZN-a me 110 ushtarë. Pas pastrimeve etnike, në polici, shqiptarët janë larguar nga vendi i punës, për arsye absurd, si: pse nuk je i martuar, apo, pse je i martuar, etj.
Komandat burgu, ishte një Dinë Bajraktari nga Gjakova. Ky na sillte miell misri, për të bërë qull, sa për të mos vdekur urie. Ndjej obligim familjar të them, se edhe fëmija i fëmijës tonë, i ka borxh, që ta kujtojë me respekt të lartë, Dinin, i cili fatkeqësisht më vonë edhe e ka pësuar, sepse u dënua me 20 vjet burg të rënd. Pas një kohe, kam dëgjuar se Dini, kishte strehuar kaçakun e maleve të Karadakut të Gjilanit, Hasan Ali Kerenikun. Pas burgosjes dhe dënimit të Dinit, Hasan Aliun, e kanë qitur në pritë dhe e kanë vrarë, në vitin 1958. Këto fjalë, i thash për t’i bërë homazh publikisht, se i kemi borxh, Dinë Bajraktarit.
Pas ardhjes së komunistëve në pushtet, as plis për krye të shqiptarit, nuk po gjendet në kë vend!
Pasi serbët i muarën burgjet në dorë, bënin çmos për ta mposhtur popullin shqiptar. Burgjet i mbushnin për çdo ditë, me shqiptarë nga vise të ndryshme të Kosovës, sidomos nga Artakolli, Drenica dhe Shala, etj. Por natën, sikur i përbinte terri shqiptarët. Një pjesë të tyre, shkijet i kanë vrarë e masakruar, para shtëpisë së Popit, afër kalasë së Vushtrrisë. Më vonë, këto varreza masive, janë zbuluar me rastin e ndërtimit të ambulancës së re në Vushtrri. Në burgun e Vushtrrisë, më kujtohen edhe disa burra tjerë, si: Sherif Tërrnava dhe Veli Aliu nga Zhilivoda, të cilët dinin për mbledhjet e ballistëve. Veliun e kishin mbajtur, në një kosh të Badivikëve të Vushtrrisë. Ashtu të zbathur dhe të zdeshur, e sollën në qeli të burgut. Mishi i këmbëve, i kishte rënë nga të ftohtit.
Dini na i solli disa lakra turshi nga qyteti dhe gjyshja jonë, Sherifja, me ndihmën e Dinit, ia ka mjekuar Veliut këmbët me lakra, fshehtas nga komandanti i burgut. Xha Veliu, qëndroi si burrat dhe nuk pranoi asgjë. Po të pranonte ai diçka, do t’i pushkatonin së paku edhe 120 persona, prej Bardhit, deri në Kollë. Më kujtohet edhe një rast tjetër, shumë trishtues. Një ditë e sollën një plak, i cili i kishte ndihmuar materialisht dhe strehuar ballistët. OZN-a, me bashkëpunëtorët e vet, ia kishin dhunuar vajzën 18 vjeçare. Plaku ishte nga një fshat i komunës së Vushtrrisë dhe rridhte nga një familje shumë bujare. Pas dhunimit, vajza mbetet shtatzënë. Atë e torturojnë aq mizorisht, sa për t’i shpëtuar vdekjes, ajo pranon që e kishte dhunuar babai i saj.
Plakun e dënuan 15 vjet burg dhe nga turpi, për akuzat që ia kurdisi shkijau, vdiq në burgun e Nishit. Vajza lindi një djalë, derisa po e transportonin në burgun e Mitrovicës, nga edhe humbi çdo lidhje me të dhe kurrë nuk është ditur për fatin e saj. Në burg e sollën edhe një, Bajram Pasomën. Kishte qenë burrë i zoti. Atë e burgosin në Vushtrri, një ditë kur vjen për ta blerë një plis të bardhë. Pasi i shëtit tri-katër shitore, të cilat shitnin plisa, nuk i bie asnjë për qejfi dhe bërtet: – “Nanën ia q… englezit, gjermanit, amerikanit, e krejt atyre që e sollën Titon në pushtet, se as plis për krye të shqiptarit, nuk po gjendet më në këtë vend”!
Për këto fjalë, Bajrami dënohet me tri vjet burg. Prej torturave, u çmend në burgun e Vushtrrisë. Ashtu i çmendur bërtiste: – “Nesër po vritet Mustafë Zhilivoda (babëgjyshi im), nesër po vritet Sherifja (gjyshja ime) etj…! Gjyshja frikësohej shumë. Duke parë gjendjen tonë të mjerë (të fëmijëve të Azizit), pa bukë e gjëra të tjera, shpesh thoshte: – “O Zot, theja qafën Allahut, çka na bëri…”!!! Mendonte se Zoti i shqiptarëve, ishte më i madh se Allahu i myslimanëve. Kur i binte, më vonë, në mend, thoshte: – “O Zot, mos ma zë për të madhe”!
Nipi i Aziz Zhilivodës, kolonel Ahmet Krasniqi
Kolonel Ahmet Krasniqi (1948-1998), kreu shkollën Teknike, dega e Makinerisë në Prishtinë. Në vitin e dytë të shkollës së mesme, u shpall një konkurs për Akademi Ushtarake. Ishim në kullë duke ndejtur, ne djemtë e Azizit dhe Ahmeti. Unë lexoja “Kujtimet e Hoxhë Kadrisë”, kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e Tokave të Lirueme Shqiptare. Në lexim e sipër, erdha te kapitulli “Besëlidhja e Junikut“, kur janë thirr të gjithë krerët e shqiptarisë. Ishte bërë besëlidhja, për t’u dalur zot trojeve shqiptare. Në atë besëlidhje, ka marrë pjesë edhe koloneli i xhandarmërisë së Shkupit, Bajram Curri.
Më shkoi mendja, se pa kuadra të shkolluara ushtarake, trojet shqiptare, nuk do të çlirohen kurrë. U ulëm të bisedojmë dhe në kullën tonë, u vendos që Ahmeti, pas mbarimit të shkollës së mesme Teknike, të shkojë në Akademinë Ushtarake. Të nesërmen, shkova në Prishtinë, të konsultohem me disa shokë, rreth shkollimit të mëtutjeshëm të Ahmetit. Në shkollimin e tij, ndikimin më të madh, e ka pasur nga Metush Krasniqi, i Dajkovçit dhe Hyrije Hana, nga Gjakova, që banonte në Prishtinë. Po ashtu, edhe nga shokët e tij, Sabri Novosella dhe Shefqet Jashari-Strofci.
Kur i kemi dorëzuar dokumentet në Vushtrri, referenti për çështje ushtarake, në komunë, ishte një shqiptar, i lig. Nuk pranoi t’i nënshkruaj dokumentet dhe na quajti familje reaksionare dhe balliste. U kthyen dokumentet, në Shtabin Krahinor. Aty ishte një major. Ai na pyeti se; pse nuk i kishim nënshkruar dokumentet në Vushtrri?! I shpjeguam se në Vushtrri, na kthyen, me pretekst se jemi familje balliste dhe se djemtë tonë, nuk kanë drejtë të shkollohen në Akademi Ushtarake. Shfrytëzuam nga rasti dhe pyetëm majorin, sa kohë duhej të zgjaste dënimi i familjes tonë, për këto punë dhe se, a ka fund kjo mposhtje dhe përbuzje familjare?! Majorit, ia thamë edhe këto fjalë: – “Këto forma të diskriminimit të të miturve dhe fëmijëve të baballarëve tonë, janë dënuar në Plenumin e Brionit dhe se dëshira jonë, ishte të integrohemi në shoqëri”.
I treguam vuajtjet dhe peripecitë tona prej fillimit, e deri pas Plenumit të Brionit dhe i thamë se ne; nuk kemi nevojë të lahemi e shpërlahemi, para askujt. Gjatë gjithë kohës, derisa ne flisnim, majori dëgjonte me vëmendje. Dikur i nënshkroi dokumentet dhe pa asnjë fjalë e, na uroi regjistrimin e Ahmetit në Akademi. Ahmeti filloi Akademinë Ushtarake në Beograd. Gjatë studimeve, përveç neve djemve të Azizit, Ahmetin e kanë ndihmuar edhe shokët e tij dhe i kanë dhënë kurajo, duke i ngritur moralin, për ta mbaruar Akademinë. Ndër ta, ishin; Metushi, Hyria, po ashtu edhe shoku i tij, Mehmet Gjoshi, etj., të cilët i përmenda më lartë.
Pasi diplomoi në Akademinë Ushtarake në Beograd, u caktua me detyrë ushtarake, në Zagreb të Kroacisë. Atje, ne djemtë e Azizit e kemi vizituar shpesh. E kanë vizituar edhe shokët e tij, Metushi dhe Mehmeti. Fakte për biografinë dhe veprimtarinë e Ahmetit, deri në shthurjen dhe shkatërrimin e Jugosllavisë, mund të gjinden nëpër arkiva të ndryshme ushtarake, të Kroacisë. Shtypi kroat, disa herë ka shkruar, se si Ahmet Krasniqi, e ka ç’armatosur kazermën e Gospiqit dhe ua ka dorëzuar forcave kroate, të Tuxhmanit.
Pas luftës në Kroaci, me rënien e diktaturës së Enver Hoxhes në Shqipëri, Ahmeti shkoi në Shqipëri dhe kontaktoi me Aziz Zhilivodën, në Elbasan. Pastaj ka bërë disa vizita në Austri, Zvicër, Gjermani dhe Norvegji, gjithnjë në funksion të organizimit të oficerëve shqiptarë, për çlirimin e Kosovës. Më vonë, me fillimin e luftës në Kosovë, emërohet nga qeveria e Bukoshit, ministër i Mbrojtjes dhe komandant i FARK-ut.
Mandej, sipas mendimit tim dhe shumë shkrimeve që janë botuar në shtypin tonë, për shkak të fraksioneve të ndryshme të UÇK-ës në Kosovë dhe gjetiu, marrëveshjes në Norvegji me Adem Demaçin dhe mosrealizimit të saj, për shkrirjen e ushtrive: FARK-ut dhe UÇK-ës, në një Armatë Kombëtare të Kosovës, me t’u kthyer Ahmeti në Tiranë, bëhet atentat në të dhe vritet në mënyrën më brutale.
Ne familja e Ahmetit, deklarojmë, se; Ahmetin nuk e kemi emëruar ne ministër, për të uzurpuar pronat e Kosovës dhe pronat e popullit. Ahmetin e emëroi ministër të Mrojtjes, qeveria e Bukoshit, e cila doli nga vota e popullit të Kosovës. Nga kjo del se Ahmeti, e kishte edhe mandatin e popullit, për ta organizuar çlirimin e Kosovës. I takon qeverisë së Bukoshit, Shtabit Suprem të FARK-ut, të Ministrisë së Mbrojtjes e, në veçanti, autoriteteve të Tiranës, ta ndriçojnë vrasjen e ministrit dhe birit të familjes tonë. Një e vërtet, është e pamohueshme.
Edhe pas vuajtjeve nëpër burgje, persekutimeve, maltretimeve, gjatë historisë së familjes sonë, nuk ka ndodhur që t’ua kthejmë pushkën shqiptarëve. Pra hak, as gjak, as borxh, nuk i kemi askujt. M’u për këtë, ky akt mizor, na ka tronditur shumë. Prandaj, nga faktorët relevant politik shqiptar, të Kosovës dhe të Shqipërisë, presim hulumtime, për ta ndriçuar këtë vrasje.
Për habinë tonë, krerët ushtarak dhe politik të UÇK-ës, nuk e kanë parë të rrugës, as të na ngushëllojnë, neve si familje! Sikur i ka gëzuar, vrasja e Ahmetit?! Përkundër këtij fakti, djemtë tonë, që i patëm në formacionet e UÇK-ës, nuk i tërhoqëm nga lufta, duke besuar se liria e kombit, është e shenjtë. Por, as nuk organizuam, prita e vrasje pas shpine, e as që do të organizojmë. Por tash pas luftës dhe lirisë, jemi të gatshëm të ballafaqohemi, me ish-organet ushtarake dhe politike të UÇK-ës dhe atë në çdo kohë, për të shpjeguar, vrasjen e Kolonel Ahmet Krasniqit.
Pas tërë kësaj që u tha më lartë: për krejt biografinë familjare, persekutimet, terrorin që përjetuam si familje dhe më gjërë, qëndrojmë ne bijtë e Aziz Zhilivodës dhe familja e tij. Por, edhe për të hapur një debat, me zotërinjtë që i përmendëm më lartë, d.m.th., me ish-kreun politik dhe ushtarak të UÇK-ës, në mënyrë konstruktive dhe objektive, e pa maska, jemi të gatshëm të ballafaqohemi në çdo moment. Si familje, nuk kemi nevojë t’i lahami, as t’i japim llogari, askujt.
Nderi, qëndresa dhe sakrifica, i takon të gjithë popullit shqiptar të Kosovës. Është fakt se; pushka ia ka kthyer dinjitetin popullit, e jo përfituesve në fatkeqësi të popullit. Si familje, përkulemi para të gjitha nënave kosovare, djemve të rënë për lirinë e Kosovës dhe para të gjitha viktimave të luftës. Memorie.al