Dashnor Kaloçi
Pjesa e tridhjetë e katër
Memorie.al publikon disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale arkivore të cilat mbajnë siglën ‘Tepër sekret’, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1981-1982, me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj., duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, “me një vajzë e cila në rrethin e saj familjar kishte disa të arratisur politikë”, mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të tij viti që vazhdoi deri në orët e vona të asaj nate, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit, pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë: “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, ku Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh: “Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit. Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror, etj.”! Të gjitha këto dhe të tjera dokumente me siglën ‘Tepër sekret’, do të publikohen në disa numra me radhë, ekskluzivisht nga Memorie.al.
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË
KOMITETI QENDROR Sekret
-Sektori i Përgjithshëm-
PROCES – VERBAL
I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KQ TË PPSH TË DATAVE
17 E 18 DHJETOR 1981
Rendi i ditës: Analiza e gabimit të rëndë të kryer nga anëtari i Byrosë Politike, Mehmet Shehu, lidhur me fejesën e djalit me një vajzë me përbërje shumë të keqe politike.
Në këtë mbledhje marrin pjesë gjithë anëtarët e Byrosë Politike, me përjashtim të shokut Hekuran Isai, që nuk erdhi për arsye se mbrëmë natën, i vdiq e ëma.
SHOKU PALI MISKA: Asnjë nuk është i imunizuar nga gabimet apo të metat në punë. E bëre gabimin, shoku Mehmet, të kishe shkuar të Sekretari i parë i Komitetit Qendror dhe t’ia kishe thënë gabimin që bëtë, të mos e lije deri sa të të thoshte shoku Enver, ato që duhet t’ia kishe thënë e duhesh t’ia kishe shprehur, apo duhesh t’ia kishe raportuar ti atij. Po t’i kishte ngjarë kjo një komunisti të thjeshtë, ai do të vinte me siguri te sekretari i organizatës-bazë, kurse ju nuk shkuat as te sekretari i byrosë së organizatës
(Këtu ndërhyn shoku Enver dhe sqaron se: Mehmeti nuk shkoi te sekretari i byrosë të organizatës në Kryeministri, prandaj e kish këshilluar ai, të sqarohej çështja në Byronë Politike, pastaj të shkonte në organizatë).
Më falni nuk e dija këtë hollësi, e tërheq deri sa juve keni thënë ta shikojmë më parë në Byronë Politike, pastaj te sekretari i organizatës, ose te shoku Muho, që qe sekretar i byrosë atje.
Pra kur flet e kërkon që të tjerët të zbatojnë disiplinën rigorozisht dhe këtu bën mirë, ashtu duhet ti t’i kërkosh edhe vetes, të njëjtën disiplinë dhe me rigorozitet në zbatimin e saj në rrugën e Partisë.
Shoku Mehmet, në autokritikën që bën, thotë se më shkau këmba e djathtë. Unë them dhe mendoj se kjo nuk është një shkarje aksidentale, se duke ecur, ty të zuri këmba në një gur të lëmuar e të rrumbullakët, e të shkau këmba. Jo. Unë nuk gjykoj kështu. Shoku Mehmet ka rrëshqitur me të dyja këmbët dhe jo aksidentalisht. Kjo shkarje është rrjedhim i tërë asaj që e solli këtu.
Po lëshove në parime, mendoj, je i detyruar të shkasësh, po lëshove një here, je i detyruar të lëshosh edhe shumë herë të tjera dhe pastaj kjo bëhet rrugë. Ne duhet të arrijmë që fëmijët tanë të mos i mendojnë, e jo më të propagandojnë, e nënvizoj këtë, veshjet dhe shfaqet e tjera të shëmtuara të jetës borgjezo-revizioniste, të bëhen shkas për prishjen e ambientit të shëndoshë shoqëror që është në vendin tonë.
Këto shfaqe të shëmtuara, ti nuk i ke parë në familjen tënde, shoku Mehmet, por nuk i ke ndaluar e as i ke dënuar, i ke lejuar që të trashen e të bëhen të rrezikshme, si për familjen tënde dhe për tërë shoqërinë tonë. Shembuj ka shumë, dhe këto i përmendën shokët, prandaj s’ka nevojë të themi të tjera.
Shoku Mehmet, duhet pra ta shikojë më gjerë problemin e të mos na thotë këtu se më shkau këmba e djathtë, duke e reduktuar këtë çështje vetëm me rastin e fundit të Skënderit. Rasti i fundit mendoj ishte produkt dhe rrjedhim i tërë asaj vazhde lëshimesh që karakterizon praktikën tënde. Populli thotë: ‘atë që ke mbjellë, atë do të korrësh’. E shikon tani se ç’na del këtu? Kjo që ndodhi me ju, është produkt i një qëndrimi dhe veprimi që ke menduar më përpara.
Edhe marrja nën mbrojtje e shoqes Fiqret dhe e Skënderit, është gabim, për mendimin tim edhe kjo e rëndon më shumë edhe shokun Mehmet. Fiqreti në shumë çështje, po edhe në këtë të fundit, ka qenë nxitëse, e ka ditur çështjen dhe me siguri ka influencuar te shoku Mehmet. Ajo ka përgjegjësi të rëndë për tërë ato shfaqe dhe manifestime që janë dukur tek fëmijët tuaj dhe për konceptet jo të drejta që ka vetë Fiqreti, për tërë mënyrën e jetesës në familjen tuaj. Prandaj ajo nuk duhet marrë në mbrojtje nga ana jote, shoku Mehmet, por duhet kritikuar rëndë edhe nga ana tuaj dhe për përgjegjësinë që ka, të dënohet edhe ajo.
Qëndrimi që mbani ju edhe sot e kësaj dite ndaj Skënderit, për mendimin tim, është shumë, shumë i gabuar. Ne e thamë këtë edhe në ndërhyrjet. Ai, personalisht nga ju duhet të ishte sjellë menjëherë këtu dhe të çohej në një ndërmarrje jashtë Tiranës, për të punuar në gjirin e ndonjë kolektivi e në kushte të vështira që të mblidhte mentë, siç thotë populli, e jo të bridhte poshtë e përpjetë në Suedi, sikur të mos kish ndodhur asgjë me të.
Kam dëgjuar, nuk e di sa është e vërtetë kjo, se edhe atje, ai ka bërë jetë të shthurur, ka pasur shfaqe të imoralitetit etj. Po të ishte njeri tjetër, do ta kishim sjellë ne, kurse Skënderin, si djali yt, domethënë i kryeministrit, duhej ta kishe kthyer menjëherë, ta kishe bërë vetë këtë veprim, pa pyetur asnjeri.
Ky veprim do të ishte në nderin tënd shoku Mehmet dhe në interes të punës dhe opinioni do ta priste shumë mirë, se ai e ka marrë vesh këtë që ndodhi me djalin tënd dhe familjen tuaj.
Ky gabim i shokut Mehmet është shumë i rëndë. Ai ka edhe gabime të tjera në punën e tij, siç është tendenca për monopolizimin e punëve dhe kompetencave në qendër, deri tek shfaqjet e arrogancës, bile edhe të prepotencës, që i ka manifestuar në mbledhjet e Qeverisë, të kryesisë, si edhe në takime të veçanta me ne. Të gjitha këto gjëra natyrisht e kanë dëmtuar punën dhe e ngarkojnë atë me përgjegjësi.
Kohët e fundit, shikohet se është tërhequr nga të tilla shfaqje, bile vihen re te ai edhe raste hutimi në punë. Kjo nuk duhet të ndodhte, por të mblidhte veten, të gjente shkaqet që e sollën deri këtu, për të gjetur pastaj edhe mundësinë e korrigjimit e të ndreqjes së tyre. Sigurisht që ai e ka shumë zor të bëjë kthesën si duhet, sidomos në disa drejtime, por mendoj se interesat e punës e të Partisë, e kërkojnë këtë që ta bëjë.
SHOKU RITA MARKO: Përgjigjet e pyetjeve që i’u bënë, i dëgjuam, por shoku Mehmet, për këtë gabim të rëndë politik që ka bërë, shikoj që nuk ka reflektuar akoma si duhet. Sipas mendimit tim, ato që analizohen në autokritikë dhe në përgjigjet që dha, nuk janë shkaqet kryesore që çuan në gabimin e fejesës së djalit të shokut Mehmet, me vajzën e një rrethi familjar të keq, armiq të pushtetit popullor.
Unë mendoj se ky gabim politik i shokut Mehmet, do parë lidhur me natyrën e qëndrimit të tij në punë, me njerëzit e punës e të familjes, që vinë në kundërshtim shpesh herë me normat e Partisë. Shoku Mehmet, mbivlerëson shumë mendimin e tij dhe urdhrat që jep.
Kjo duket në tërë veprimtarinë e tij. Zor se pranon ai një vërejtje, ose një këshillë, sidomos kur është në adresë të punës së tij, ose në një mënyrë ka lidhje me të. Është i rëndë në bisedime, nuk krijon ambient që njerëzit të shprehin lirshëm mendimin dhe aq më tepër të bëjnë vërejtjet dhe kritikat. Pra, nuk është e saktë ajo që thotë shoku Mehmet, se po të m’a vinin në dukje shokët, këtë gabim, do ta korrigjoja.
Unë mendoj se kjo as është pasur fare parasysh nga shoku Mehmet, ai as që u mendua në atë kohë kur e bëri këtë dhe as është menduar, se po të ishte kështu, që të merrte parasysh mendimin, ose vërejtjet e opinionit, e shpjegoj këtë dhe shoku Kadri. Shoku Enver i ka qëndruar më afër, i ka bërë gjithë ato këshilla, pra kishte të gjitha mundësitë që ta pyeste edhe për këtë rast dhe të merrte këshillën e nevojshme, ashtu siç ja dha që u prish kjo fejesë, Kjo aq më tepër që shoku Enver shkoi tek ai. Por shoku Mehmet vajti dhe në Pogradec, pati dhe atje rastin që ta shtronte këtë çështje.
Po mendoj se shoku Mehmet, nuk e merr parasysh porosinë e Partisë e të shokut Enver, që anëtari i partisë, është nën kontroll të dyfishtë, edhe të Partisë, por edhe të opinionit të masave. Këtë ai, nuk e ka patur parasysh siç thashë. Ai është edhe i ashpër në bisedime, humbet durimin që arrin deri sa edhe i ofendon rëndë njerëzit. Më kujtohet një ditë, ka ca kohë, kur e ofendoi në një mbledhje të qeverisë, shumë rëndë, kryetarin e Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, shokun Nesip Ibrahimi, që është edhe kandidat i Komitetit Qendror të PPSH-së, me fjalë shumë të rënda, e që më duket nuk pajtohen me stilin e metodën e punës së Partisë.
Ai i tha atij: antiparti, ndaj teje duhet të merren masa, ti nuk je në rrugë, e ca shprehje të tjera. Kjo është kështu, dhe Nesipi qante. Pra, shokun Mehmet, e morri rrëmbimi, nevrastenia dhe kaloi çdo kufi, megjithëse nga ndonjëherë, në moment, bën sikur e korrigjonin atë që bën, Unë mendoj, se këto ndodhnin se ai nuk reflekton, por Partia ka forcë që ta korrigjojë, që shoku Mehmet të vihet në rrugë të drejtë në këto drejtime, se e dëmtojmë Partinë.
Ai ka vepruar kështu jo vetëm me shokun Nesip, por edhe me shokë të tjerë, për shembull me ministrin e Tregtisë së Brendshme. Nuk është rrugë e drejtë kjo. Siç më kanë thënë shokët, në mbledhjet e qeverisë, ai i foli Viktor Nushit shumë rëndë, për çështjen e perimeve, duke i thënë: ti nuk je për ministër, duhet të shkarkohesh, e të tjera. Po nuk bëhen këto gjëra kështu, se pastaj kapërcehen të tëra kufijtë dhe pastaj njerëzit flasin.
Kjo sjellje e shokut Mehmet me kuadrot dhe njerëzit, ka dëmtuar punën e Partisë dhe nuk është fjala këtu vetëm për një rast momental në mbledhje të Qeverisë, por këto veprime janë shprehje të mendjemadhësisë së tij, të mbivlerësimit më shumë të vetes dhe nënvleftësimit të të tjerëve. Kuadri duhet të ndihmohet, të inkurajohet, e të dëgjohet dhe jo të ndrydhet, se kështu dëmtohet puna e Partisë. Në një farë mase qëndrimi dhe sjellja e shokut Mehmet, ka bërë atë që…
SHOKU ENVER HOXHA: Ke qenë në ndonjë mbledhje ti, që ke parë që ka vepruar kështu shoku Mehmet?
SHOKU RITA MARKO: Për Nesipin kam qenë.
SHOKU ENVER HOXHA: Ndërhyre?
SHOKU RITA MARKO: Jo, nuk ndërhyra.
SHOKU ENVER HOXHA: Pse nuk ndërhyre?
SHOKU RITA MARKO: Nuk ndërhyra, shoku Enver, i’a kam bërë edhe unë pyetje vetes, pse nuk ndërhyra, po ja, nuk e mbaj të fshehtë, unë nuk ndërhyra atje…!
SHOKU ENVER HOXHA: Pse nuk ndërhyre, si anëtar i Byrosë Politike?
SHOKU RITA MARKO: Nuk ndërhyra se nuk pata kurajën civile.
SHOKU ENVER HOXHA: Si nuk pate kurajo? Po t’ja kishte thënë ti atje, ai nuk do ta përsëriste, ose mund ta përsëriste dhe ti do ja thoje prapë.
SHOKU RITA MARKO: E drejtë është kritika shoku Enver. Kjo për mendimin tim, ka bërë që shokët të mos ngrenë shumë probleme para tij, ose të mos bisedojnë drejtpërsëdrejti si kryeministër me të. Shoku Mehmet të krijon përshtypjen se merret me problemet më të rëndësishme dhe ashtu është, përpiqet të merret me problemet më të rëndësishme, na thotë gjithnjë që edhe ne të merremi me probleme.
Atëhere, përderisa është kështu, pse nuk influencon shoku Mehmet për shembull, që edhe shokët e tjerë të kryesisë, të kapin problemet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me forcimin e pushtetit, të luftës kundër burokratizimit, e probleme të tjera që vazhdimisht ka ngritur Partia, e për të cilat janë marrë edhe masa? Është si kontradiktore kjo, prandaj edhe në këtë drejtim, duhet të shikojë metodën e tij të punës Mehmeti.
Unë mendoj se edhe autokritikën që bëri, më shumë duhet të ishte thelluar shoku Mehmet në metodën e punës së tij, të nxirrte më shumë mësime nga kritikat e këshillat e Partisë, për punën që drejtoni e më shumë për vete. Vetë karakteri i punës sonë, kërkon që edhe kuadrot të punojnë në organet e pushtetit dhe në organet e tjera, t’i karakterizojë fryma e kontaktit me njerëzit, me masat, durimi që t’i dëgjojë ata, ndërsa shoku Mehmet, është shumë i rëndë në kontaktet me njerëzit, me masat.
Edhe me organizimin e masave, ai duhet të bashkëpunojë më mirë dhe të vlerësojë më mirë mendimet e punën e tyre, të ndihmojë edhe me masa konkrete, e jo vetëm në parim. Kjo, veç të tjerave, do të sjellë edhe përmirësimin e punës, pse një qëndrim më i matur dhe më i kujdesshëm i shokut Mehmet, duke pasur parasysh edhe funksionin si kryeministër që ka, do të çonte në kapjen më mirë të përvojës së përparuar, të normimit të punës dhe të materialeve në degë të njëjta, ose në mbështetjen dhe inkurajimin më mirë të nismave që lindin nga masat, për avancimin e detyrave, ose ndonjë problem tjetër.
Tani edhe shokët që bashkëpunojnë me shokun Mehmet, shokët kryesorë të Qeverisë për veprime të tilla, se ata kanë qenë më shumë në kontakt, mund të kishin ndihmuar e mund të kishin kritikuar më shumë e të ndërhynin. Edhe unë mund ta bëja më mirë këtë gjë. Në përgjithësi për këto çështje, mendoj se shoku Mehmet duhet të nxjerrë mësime.
Për sa i përket lëshimeve në familje, siç janë ato në veshje, në jetesë të papërshtatshme, në një mënyrë ose në një tjetër, këto kanë rënë në sy të opinionit, njerëzit shohin dhe kanë të drejtë të pyesin. A nuk i bien në sy këto shokut Mehmet, si veprime jo të mira, që Partia i kritikon publikisht dhe, në rast se ai, lufton dhe i ka kritikuar këto, atëhere pse i aprovon, përse u krijon kushte që fëmijët të zhvillojnë më shumë këto shfaqje?!
Pse nuk është i gatshëm shoku Mehmet që t’i denoncojë këto edhe publikisht. Unë jam për atë që t’i denoncojë në Parti, kur shikon këto gjëra. Mua nuk më duket e drejtë, që djali i shokut Mehmet, pasi bëri këtë gabim, u dërgua të studiojë jashtë dhe të shëtisë, bile edhe i shoqëruar me njerëz, pa dhënë fare llogari për këto gabime? Edhe djali i vogël dhe gruaja e tij, që kanë rënë shumë në sy për veshjet ekstravagante, dërgohen gjithashtu jashtë. Mirëpo, duke u trajtuar kështu, ata mund të bëjnë gabime shumë më të rënda.
Këto kushte a nuk influencojnë në zhvillimin e këtyre gabimeve? Unë mendoj se influencojnë në fëmijët për keq, pse janë privilegje që nuk u takojnë. Prandaj edhe fejesa e Skënderit me këtë vajzë, që rrjedh nga një familje me qëndrim të keq, lidhet me këto qëndrime, jo vetëm të djalit, por edhe të vetë shokut Mehmet dhe të shoqes Fiqret, që e aprovuan këtë fejesë dhe nuk morën parasysh udhëzimet e mësimet e Partisë, i shkëputën këto në rastin konkret të tyre.
Përgjegjësi kam edhe unë për këto, kanë edhe organet e përkatëse, që lejojnë gjëra të tilla, pse edhe këto, si për shembull organet e Sigurimit të Shtetit, ato financiare, që aprovojnë të tilla, mundet të ndërhynim. Ju, shoku Mehmet, i shikonit këto gjëra, po nuk i keni bërë ndonjëherë pyetje vetes ku e si sigurohen këto mjete? Kështu gjykoj unë për gabimin e shokut Mehmet, prandaj jam i mendimit që ai ta analizojë me më vëmendje kritikën që po i bën Partia për këto gabime të rënda dhe të reflektojë në punë. Kjo është në të mirën e Partisë dhe të tijën. Ne i duam të mirën, pa ia themi. /Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016