Dashnor Kaloçi
Pjesa e tetë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat përmbajnë siglën “Sekret” e “Tepër Sekret” dhe i përkasin një periudhe nga janari i vitit 1982 e deri në shtatorin e vitit 1983, ku ndodhet një dosje voluminoze me, proces-verbale mbledhjesh të Sekretariatit të Komitetit Qendror dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, mbledhje të cilat janë kryesuar nga sekretari i Përgjithshëm i saj, Enver Hoxha, ku kanë asistuar: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Manush Myftiu, Hekuran Isai, Rita Marko, Pali Miska, Hajredin Çeliku, Haki Toska, Simon Stefani, Lenka Çuko, Muho Asllani, Vangjel Çerrava, etj., si tema kryesore janë analizat rreth “veprimtarisë armiqësore” të Mehmet Shehut dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, që nga Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela, Vasil Kati, Kadri Hazbiu, Fiqret Shehu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, etj. Në dosjen që disponon Memorie.al, përveç analizës së “veprimtarisë armiqësore të poli-agjentit Mehmet Shehu dhe bashkëpunëtorëve të tij Beqir Balluku te Kadri Hazbiu”, në mbledhjet e Byrosë Politike dhe takimet ditore të Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, janë marrë në analizë edhe veprimtaria e Ministrisë së Punëve të Brendshme e Sigurimit të Shtetit, me agjenturën e bashkëpunëtorët e saj, brenda e jashtë vendit, raportet e marrëdhëniet e shtetit shqiptar me vende të ndryshme të botës, si: SHBA-ës, Bashkimi Sovjetik, Gjermania Perëndimore, Anglia, Spanja, Italia, si dhe ato me fqinjët, si Greqia e Jugosllavia e demonstratat në Kosovë, si e paraqiste shtypi botëror Shqipërinë Socialiste, bisedimet me Gjermaninë Perëndimore për pagesat e reparacioneve të Luftës, takimet e bisedat me kryetarët e partive marksiste-leniniste të vendeve të ndryshme të botës, si Ernst Aust, Zhoao Amazonas, Fosko Dinuçi, etj., lidhur me “vetëvrasjen e Mehmet Shehut”, problemet e emigracionit politik shqiptar, në shtete të ndryshme të botës, e ndryshimin e kursit të shkëmbimit të dollarit në dërgesat, që ata bënin për të afërmit e tyre në Shqipëri e deri te probleme të shumta ekonomike, që nga industria e rëndë, hidrocentralet mbi kaskadën e lumit Drin, importi dhe eksporti i energjisë, etj., etj.
Dokumenti “Tepër sekret” me proces-verbalin e takimit ditor të sekretarëve të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 12 shtator 1983, ku diskutua: “Mbi përfundimin e gjyqit kundër tradhtarëve, komplotistëve, e puçistëve, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, etj. Si dhe për njoftimin që u duhet bërë organizatave të Partisë, mbi to”.
TAKIM DITOR I SEKRETARËVE TË KOMITETIT QENDROR TË PARTISË MË 12 SHTATOR 1983
Tepër Sekret
Në këtë takim, marrin pjesë dhe Sekretarët e Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Ramiz Alia, Lenka Çuko, dhe Vangjel Çërrava, si dhe shokët Muho Asllani, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror dhe Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Durrësit, e Pali Miska, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror dhe Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Elbasanit, ku u shtrua problemi:
Mbi përfundimin e gjyqit kundër tradhtarëve, komplotistëve, e puçistëve, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, etj. Si dhe për njoftimin që u duhet bërë organizatave të Partisë, mbi to.
SHOKU RAMIZ ALIA: Njerëzit e morrën vesh, që po zhvillohet gjyqi kundër bandës së komplotistëve, terroristëve, e puçistëve, të kryesuar nga poliagjenti Mehmet Shehu, me pjestar: Kadri Hazbiun, Feçor Shehun, Llambi Ziçishtin, Fiqrete Shehun, etj.
SHOKU MUHO ASLLANI: E morën vesh se e kanë dëgjuar njëri pas tjetrit. Ndoshta tani pas gjyqit, mund të jetë e nevojshme të bëjmë ndonjë sqarim në organizatat e Partisë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Kemi ndërmend, të bëjmë një sqarim të tillë. Për këtë na porositi edhe shoku Enver. Pas Plenumit të 7 të Komitetit Qendror, është menduar të dërgohet në Parti dhe në Popull një komunikatë e Gjykatës së Lartë të RPSSH. Këto ditë ajo, mund të bëhet gati.
SHOKU PALI MISKA: Pra është menduar që të veprohet, ashtu siç u bë për Beqir Ballukun dhe për armiqtë e tjerë.
SHOKU MUHO ASLLANI: Sqarimi është i domosdoshëm që të bëhet në çdo organizatë bazë Partie.
SHOKU RAMIZ ALIA: Të dy gjyqet, si ai i pari që u bë me dyer të hapura, ku u gjykuan dhe dënuan armiqtë Fiqret Shehu, Skënder Shehu, Llambi Ziçishti, dhe Nesti Nase, ashtu si dhe ai i dyti që për shkak të sekreteve ushtarake, u bë me dyer të mbyllura, ku u gjykuan dhe dënuan, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, etj., u zhvilluan mirë dhe me interes.
Ajo që kishte më shumë rëndësi gjatë këtyre gjyqeve, është se komplotistët dhe terroristët u zbërthyen me fakte dhe me dokumenta. S’kishin nga t’ja mbanin, sidomos Kadriu dhe Feçori, që përpiqeshin t’i bënin bisht fajësisë së tyre, se donin të fshihnin veprimtarinë e tyre, dhe të pengonin drejtësinë për të arritur në një konkluzion të saktë. Mirëpo, faktet i vunë me shpatulla në mur.
Ja p.sh., doli problemi i dokumenteve tepër sekrete të Sigurimit të Shtetit që këta armiq, ja kanë dërguar KGB-së sovjetike. Kadri Hazbiu, filloi të thoshte se këtë gjë, e ka bërë Llambi Peçini. Llambi Peçini, nuk e mohonte këtë gjë, veթse i thoshte atij: “Këtë vërtetë e kam bërë unë, vërtet e kam firmos unë, por ama, urdhrin e ke dhënë ti”.
SHOKU VANGJEL ÇËRRAVA: Se porositë për këtë apo për atë, këta i jepnin.
SHOKU RAMIZ ALIA: “Jo, unë s’mbaj mënd që të kem dhënë një porosi të tillë”, thoshte Kadri Hazbiu. “Nuk e mban mënd ti, por shife pak rregulloren e Ministrisë së Punëve të Brëndshme se, ç’farë thotë”, i përgjigjej Llambi Pecini. Ai, i thoshte që të shikonte rregulloren se helbete, donte të ruante kokën e vet.
“Në atë rregullore, – vijonte armiku Llambi Peçini, – thuhet se me përjashtim të ministrit, askush tjetër nuk ka të drejtë që të marrë në dorëzim, dokumentet tepër sekrete. Prandaj si mundet që unë t’i merrja ato, pa urdhrin tënd”?!
SHOKU MUHO ASLLANI: Ky rregull, është i ligjëruar.
SHOKU RAMIZ ALIA: “Unë nuk e mbaj mënd që të të kem dhënë atë urdhër, i thoshte Kadri Hazbiu”. “Nuk e mban mënd ti, po ja që e mbaj mënd unë, i kundërpërgjigjej Llambi Peçini”.
SHOKU PALI MISKA: Edhe takimi i Kadri Hazbiut me Mehmet Shehun, natën e 17 Dhjetorit 1981, para se ky i fundit të vriste veten, nuk është pa domethënie.
SHOKU RAMIZ ALIA: Ai takim, u bë komedi fare. Armiqtë Fiqrete Shehu dhe Ali Çeno, deponuan hollësisht për rrethanat sesi u zhvillua ai takim. Fiqrete Shehu, shpjegoi se; atë natë para se poliagjenti Mehmet Shehu të vriste veten, në shtëpi erdhi Kadri Hazbiu, i cili i kishte thënë Mehmet Shehut se, një nga pyetjet dhe diskutimet që u bënë në mbledhjen e Byrosë Politike, ishte se gjendja jote është shumë e rëndë dhe se dyshonte se mos udhëheqja e Partisë, kishte ndonjë sinjal kompromentues ndaj tij.
Kadri Hazbiu, e mohonte takimin dhe për të vërtetuar alibinë e tij, kërkoi që të pyetej si dëshmitar në gjyq shoferi i tij, si dhe një person tek i cili, atë natë Kadriu kishte shkuar për një përvjetor ditëlindjeje. Erdhi shoferi i tij si dëshmitar, dhe e pyetën: “Çfarë ke bërë atë natë, kur Mehmet Shehu vrau veten”?!
“Atë natë, – shpjegoi ai, – pasi mbaroi mbledhja e Byrosë Politike, e mora Kadriun me makinë dhe e çova në zyrën e tij. Sapo e çova në zyrë, ky më dërgoi në shtëpi, ti merrja një qese duhani. Vajta në shtëpi, i mora qesen e duhanit dhe i’a çova në ministri. Sa i’a dhashë qesen ,ai më tha: Më prit se do të zbres poshtë. Edhe unë, ashtu bëra.
Zbrita poshtë dhe po e prisja, ku nuk vonoi shumë dhe nuk vonoi shumë kur erdhi Kadri Hazbiu, dhe pasi hipi në makinë më tha të ecja nga bulevardi. Dhe unë ashtu bëra. Kur erdhëm tek ura e Lanës, ai më tha të kthehesha djathtas dhe unë hyra me makinë deri tek shtëpia që hyn në Bllok”.
Kryetari i Gjykatës, shoku Aranit Çela, e pyeti: “Ku vajte”?! “Vajta, – i tha shoferi, – deri tek shtëpia e shokut Rita Marko dhe aty u ndala. Kadriu, doli nga makina dhe u fut në Bllok. Se ku ka shkuar unë, nuk di gjë. Aty ndenja rreth 20 minuta pasi me saktësi nuk e mbaj mënd, por pas një kohe, Kadriu u kthye. Prej andej e kam çuar në shtëpinë e një të quajturi, Ismail”.
Kryetari i Gjykatës, i tha Kadriut: “Ke për ti bërë pyetje dëshmitarit”?! “Po, – ju përgjigj ai, – do t’i bëj pyetje”. Dhe e dini se çfarë pyetje i bëri?! “E mban mënd ti kur më çove atje me makinë, zbrita apo nuk zbrita unë”?!
SHOKU MUHO ASLLANI: Çfarë pyetje?!
SHOKU RAMIZ ALIA: Pyetja, duket si e trashë por, ai i kishte llogaritur ato. Dhe shoferi, e dini si i tha?! “Përse të çova unë atje, që ti të rrije në makinë?! Unë, të cova atje ku më the, ti dole nga makina hyre në Bllok, dhe pas një kohe erdhe. Se ku shkove ti, unë nuk e di”!
Kadri Hazbiu, duke e njohur shoferin, e kishte llogaritur që me këto pyetje, ta hutonte, ta ngatërronte, që shoferi të thoshte se, nuk e dinte se nga kishte dalë. Pra siç duket, ai kërkonte ndonjë gjë, ku të kapej. Nëse shoferi do të thoshte se, unë nuk e di nëse zbriti apo jo nga makina Kadriu, atëherë ky i fundit, do të thoshte: “Kur shoferi nuk e di nëse unë zbrita nga makina apo jo, atëherë si e mban mënd ky nëse më ka çuar atje”?!
Mirëpo shoferi, nuk e humbi. Pas shoferit, erdhi si dëshmitar i zoti i shtëpisë, ku u bë ahengu dhe tha: “Unë kisha 35 vjetorin e ditëlindjes, por nuk e kisha ftuar Kadri Hazbiun. Nga ora 8.00 e mbrëmjes, më lajmëruan që Kadri Hazbiu do të vonohej pak, por duhet t’ja linim karrigen bosh se, ai do të vinte. Ne filluam nga darka, dhe unë piva ca se kisha gëzim.
Në një moment, më thonë se po vjen Kadri Hazbiu dhe unë, ashtu siç isha vesha një xhaketë, se isha i djersitur. Dhe pasi zbrita poshtë, ndenja pak atje, dhe pasi erdhi Kadriu, e çova lart”. Kryetari i Gjykatës shoku Aranit, e pyeti: “Sa ishte ora, kur erdhi Kadri Hazbiu”?!
“Për nder, i tha Ismaili, unë orën nuk e kam parë por, ma merr mëndja që duhet të ketë qenë nja 9 e 30 ose 10.00, pasi kishte kaluar goxha kohë qëkur kishim filluar dhe unë kisha pirë ca. Kur erdhi Kadriu, unë piva dhe dy gota e më pas nuk mbaj mënd gjë, pasi u bëra tapë. Më kishin marrë dhe më kishin nxjerrë nga dhoma”.
Pasi mbaroi deponimet dëshmitari, Kryetari i Gjykatës ju drejtua Kadriut: “Do ta pyesësh dëshmitarin”?! Po, i tha ai dhe që ta ngatërronte i bëri këtë pyetje: “Po mirë ti që ishe dehur, ku e mban mënd nëse unë kam ardhur në orën 9 e 30 apo 10.00”?! “Kur erdhe ti në shtëpi unë e mbaj mënd mirë, i tha ai, sepse unë u deha pasi erdhe ti dhe jo përpara ardhjes tënde.
E dyta, unë e mbaj mënd mirë që kisha pirë e isha djersitur, e më vonë u sëmura me broshit ku u shtrova për dy javë në spital. Kështu, kur dola nga spitali, kam pasur kohë të mendohem se ku e mora këtë broshit, dhe atë e mora atje, kur dola për të të pritur ty, se isha i djersitur.
Unë, s’mund të isha djersitur për 5 minuta, pra kisha pirë që kur kishim filluar ahengun, dhe që nga ai moment, kishte kaluar një orë e gjysëm apo, dy orë, dhe për këtë jam i sigurt, që ti ke ardhur në atë orë”.
Sikur edhe asnjë dëshmitar tjetër të mos kishte, vetëm me këto që thanë këta të dy, është shumë. Domethënë ai, u vu përpara këtyre fakteve. Doli si dëshmitar dhe Halit Kaçanolli.
SHOKU PALI MISKA: Haliti i Fierit.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po, Haliti i Fierit. Ky në gjyq, tregoi disa fakte konkrete. Ndërmjet të tjerave tha se; Kadri Hazbiu, është takuar në Gjakovë me, një njeri të afërt të Rankoviçit, një agjent të tij, madje e përmëndi dhe me emër. Këtë unë e dij, pasi bazat ku ne ishim atje, ishin dekonspiruar, tha Haliti.
Më thanë që i ka dekonspiruar filani. Dhe kaq e vërtetë është kjo, theksoi ai, sa për të dalë nga Jugosllavia, gjeta belanë, ndesha në forca rrugës dhe u plagosa, kur më në fund kalova në Tropojë. Atje, më shëruan dhe pastaj erdha në Tiranë.
Mirëpo, këtë informatë që më thanë, që Kadri Hazbiu ka takuar përfaqësuesin e Rankoviçit, dy herë matanë kufirit, e kisha shkruar që të mos e harroja, dhe letrën me këtë shënim e kisha futur tek taka e këpucës, të cilën kur erdha këtu, e nxora. Kujt t’ja jepja, e kujt t’ja thoja, më mirë se ministrit?!
Atëherë vendosa, – tha ai, – të shkoj te Mehmet Shehu. (Qeshin) Ky atëherë, ishte Ministër i Brendshëm deri në vitin 1954. Ia thashë Mehmetit, kështu e kështu, e pastaj ika. Kur pas këtij takimi, s’kaluan më shumë se dy muaj, më thirri Kadri Hazbiu.
SHOKU PALI MISKA: Mehmet Shehu, i kishte thënë atij.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po, pra. “Përse të dërgojmë ne ty, i kishte thënë Kadriu, që të më gjurmosh mua”?!
SHOKU MUHO ASLLANI: Kështu i kishte thënë?! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016