Dashnor Kaloçi
Pjesa e tridhjetë e një
Memorie.al publikon disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale arkivore të cilat mbajnë siglën ‘Tepër sekret’, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1981-1982, me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj., duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, “me një vajzë e cila në rrethin e saj familjar kishte disa të arratisur politikë”, mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të tij viti që vazhdoi deri në orët e vona të asaj nate, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit, pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë: “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, ku Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh: “Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit. Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror, etj.”! Të gjitha këto dhe të tjera dokumente me siglën ‘Tepër sekret’, do të publikohen në disa numra me radhë, ekskluzivisht nga Memorie.al.
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË
KOMITETI QENDROR Sekret
-Sektori i Përgjithshëm-
PROCES – VERBAL
I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KQ TË PPSH TË DATAVE
17 E 18 DHJETOR 1981
Rendi i ditës: Analiza e gabimit të rëndë të kryer nga anëtari i Byrosë Politike, Mehmet Shehu, lidhur me fejesën e djalit me një vajzë me përbërje shumë të keqe politike.
Në këtë mbledhje marrin pjesë gjithë anëtarët e Byrosë Politike, me përjashtim të shokut Hekuran Isai, që nuk erdhi për arsye se mbrëmë natën, i vdiq e ëma.
SHOKU KADRI HAZBIU: Mendimi im është se nuk ke luftuar. Përveç kësaj, ju e keni favorizuar djalin, pse këtu nuk bëhet fjalë për çështje që nuk i keni parë. Ju i shihnit shoku Mehmet ekstravagancat e fëmijëve tuaj, i quajmë fëmijë, po ata nuk janë më fëmijë. Secili ka nga një makinë, nga një motoskaf për kokë në dispozicion! Unë e kam thirrur shoqëruesin tuaj, ke qenë edhe ti aty, e i kam thënë: çfarë po ndodh kështu? Me lejen e shokut Mehmet, më tha ai. Tani reflekto drejt mbi këto që të thonë shokët.
SHOKU MEHMET SHEHU: Edhe unë më pas, mbasi kemi biseduar bashkë, kam marrë masa.
SHOKU KADRI HAZBIU: Fakti është se nuk është drejt të flasim në Parti kështu, “unë kam luftuar”, “unë kam luftuar”. Kjo që ke bërë atëhere është luftë e përciptë. Bile po të isha në vendin tuaj, do të thosha: Ore shokë, unë mbaj përgjegjësi edhe për këtë, më dënoni edhe për këtë, që i kam favorizuar fëmijët. Ne mund të flasim, shoku Mehmet, se tani po dalin këto gjëra, pa jua thënë se djali juaj ka shkuar me aeroplan nga Suedia në Gjermani, për të parë një ndeshje. Po ky djalë është nisur për të ardhur në Tiranë duke kaluar nga Danimarka, Hollanda, Gjermania Perëndimore dhe në Danimarkë bëri edhe një aksident.
Përse ky djalë, siç del tani, ka shkuar në Paris, kur ka qenë aty dhe djali tjetër? Kush janë ata? Kush i paguan të tëra këto shpenzime? Janë para të shtetit këto. Për këto veprime ju po se po, por mbajmë përgjegjësi edhe ne, dhe për ato që kemi ditur e nuk kemi vepruar, duhet të përgjigjemi në Parti. Para dy vjetësh, kur isha ministër i Brendshëm, bashkë kemi folur, shoku Mehmet, e ju kam thënë që të mos futeni në itineraret e fëmijëve, leruani atë organeve përkatëse. Ju vetë i ndërtonit itineraret e tyre, jo të shkojë këtej, jo të shkojë andej.
Pse i hiqnin ju rojet tuaja dhe ua jepni fëmijëve, në kundërshtim me dëshirat dhe me rregullat e Xhule Çirakur dhe të sektorit të tij? Kemi folur për këto, shoku Mehmet, prandaj, me qenë se ra rasti dhe bëri pyetjen shoku Rita, po t’i theksoj edhe një herë me qëllim që të reflektoni drejtë. Nuk duhen rrumbullakosur gjërat. Kemi luftuar edhe ne që te fëmijët tanë të mos të ketë gjëra të tilla si te fëmijët tuaj, se edhe ata ndeshen me influence të përditshme, prandaj domosdo do të vazhdojmë të luftojmë për t’i edukuar. Te ju kjo luftë nuk është bërë, prandaj ju kanë shpëtuar nga duart fëmijët. Këtu ti dhe Fiqereti, duhet të shikoni edhe përgjegjësinë që keni. E drejta është kështu të flasim.
SHOKU RITA MARKO: Shoku Mehmet, ka një rregull që edhe një shofer që punon me ne, nuk duhet të shkojë jashtë shtetit me punëra të tjera, pse di shumë gjëra. Ju personalisht, rojen kryesore ua keni vënë fëmijëve në dispozicion. Si shpjegohet kjo?
SHOKU KADRI HAZBIU: Nejse, roja mund të vejë, shoku Rita, nga ajo anë mund të vejë.
SHOKU RITA MARKO: Po siç punojmë ne edhe armiqtë punojnë kundër nesh.
SHOKU MEHMET SHEHU: Roja ka vajtur me autorizim.
SHOKU FOTO ÇAMI: Këtu çështja është se duhet reflektuar, shoku Mehmet. Nuk mund të thuhet se ju keni luftuar, mund të keni bërë në të vërtetë ndonjë muhabet, fakti që sjellja e fëmijëve tuaj është bërë problem në Tiranë e gjetkë, jashtë Tiranës, flet se nuk keni punuar. Pastaj atyre ju u keni krijuar edhe disa kushte të favorshme. Ashtu si vishet nusja juaj, lind pyetje: ku i gjen ajo ato rroba? Në treg nuk ka të tilla. Ju e shikoni si ju vishte për dita në shtëpi. Atëhere pse e lejoni? Kështu që edhe te vetë ju, jo vetëm që lufta ka qenë e cekët, do të thosha, po përkundrazi, u keni krijuar edhe mundësira e kushte, më duket, lehtësira që t’i manifestojnë më shumë këto shfaqje edhe jashtë shtëpisë.
SHOKU MEHMET SHEHU: Jo se s’kam luftuar, po lufta që kam bërë, ka qenë e cekët.
SHOKU KADRI HAZBIU: Unë, shoku Mehmet, kisha për t’u shtuar atyre që u thane, se ju i keni nxitur e favorizuar shumë fëmijët dhe këtë jua them me ndërgjegje si komunist. Edhe kur kemi biseduar bashkë, ju kam vënë në dukje se kam pas hezituar t’jua thosha ato që shikoja, pse ç’tju flisja për gjëra që ju i shikonit vetë, nuk ishte fjala se kisha mësuar diçka që ju nuk arrinit dot ta shihnit, e ta kuptonit.
SHOKU ENVER HOXHA: Tek ty, ka sentimentalizëm Mehmet dhe këtë ti e pranon edhe vetë. Këto gjëra, ekzistojnë tek ty. Edhe shokët, që i ngrejë, nuk i shpikin nga mëndja dhe as i ngrenë për të keq. Ja, ka disa gjëra që unë nuk i kam dëgjuar deri tani. Edhe mua këto, nuk mi kanë thënë, po këtu, për të mirën e çështjes thuhen, prandaj duhen kuptuar drejt.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Ja për shembull rasti i fundit: Përse shkoi për një javë në Athinë djali juaj, që porsa ishte fejuar, për të parë ndeshjet e volejbollit?!
SHOKU SIMON STEFANI: Për shkak të tij madje, u shty dhe lëvizja e skuadrës, se do ti duhej të shkonte një ditë më vonë. Po si i lejon këto ti shoku Mehmet?! Ç’është ky djali juaj kështu?!
SHOKU ENVER HOXHA: Po afati i nisjes së avionit, pse u shty?!
SHOKU PALI MISKA: Me makinë, shkoi djali në Greqi?!
SHOQJA LENKA ÇUKO: Vajti, me makinën e shoqes Fiqret?!
SHOKU MEHMET SHEHU: Unë nuk e di që mund të jetë shtyrë afati i avionit, e për këtë nuk mund të gënjej, e të them kot që e di.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po që djali do të rrinte në Greqi, me alokacionet e shtetit, për të parë ndeshjet, e di ti shoku Mehmet?!
SHOKU MEHMET SHEHU: Po, e di.
SHOQJA LENKA CUKO: Po atë që shoqja Fiqret i dha makinën dhe e çoi djalin atje, e di?!
SHOKU RITA MARKO: Po atë që shoqja Fiqret, anëtarja e Komitetit Qendror, i vuri makinën në dispozicion, e dinit ju?!
SHOKU MEHMET SHEHU: U bë këtu një pyetje: Arroganca juaj është momentale, apo rrjedhim i mendjemadhësisë?! Mua, më duket se temperamenti im, është i atillë, që dhe në autokritikë e them që arrin deri në arrogancë. Edhe me fëmijët, e kam këtë të metë.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Po ta kishit këtë dhe me fëmijët, atëherë nuk do të ishte kjo gjendje. Ju siç del, mbani qëndrim krejt të ndryshëm me fëmijët.
SHOKU RITA MARKO: Më thellë, e shikoni këtë çështje shoku Mehmet se kjo është e lidhur me….!
SHOKU KADRI HAZBIU: Popullit thotë: Kur nxehesh, kap veshin. Kjo është një fjalë e urtë, që thotë se këtu ka një disiplinë shoqërore, por ka edhe një disiplinë partie. Të tërë jemi impulsivë, të tërë kemi nerva, të tërë nxehemi, por në fund të fundit, kujtojmë normat dhe kërkesat e Partisë. Vërtet mbrojmë interesat e Partisë, nga posti ku jemi, por këtë e bëjmë me gjakftohtësi.
SHOKU QIRJAKO MIHALI: Nxehja, nuk ka të bëjë me arrogancën.
SHOKU RAMIZ ALIA: Ka një gjë shoku Mehmet, që kur flasim për impulsivitet, burimin arroganca nuk e ka tek impulsiviteti.
SHOKU MEHMET SHEHU: Mua, më duket se atje e ka burimin.
SHOKU RAMIZ ALIA: Shikojeni pak nga ana ideologjike, mos e shikoni kështu thjesht pa u thelluar!
SHOKU ENVER HOXHA: Arroganca, është pjellë e mendjemadhësisë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Ja kjo është, prandaj shikojeni pak nga ana ideologjike se ku e ka burimin arroganca.
Unë shoku Mehmet, gjykoj kështu mund të bëhem arrogant kur mundohem t’i imponoj tjetrit mendimin tim, dhe për këtë nuk kam argumenta, prandaj dhe e përdor arrogancën. Është i njëjti fenomen që ndodh dhe me fëmijët e vegjël. Pse ata, përdorin sharjet, gurët, e mjetet e tjera të ndaluara ndaj fëmijëve?! Se nuk kanë fuqi, janë të vegjël dhe duan t’ju imponojnë vullnetin e tyre. Edhe kjo, është shprehje e mendjemadhësisë. Kur një njeri, nuk ka argumente për të imponuar mendimin e tij, ai përdor grushtet, dhe arrogancën, d.m.th., thërret: Pushoni, mbylleni gojën, bëni si them unë, etj. Sigurisht në këto raste me fjalë shumë të varfra. Prandaj duhet parë nga ana ideologjike kjo çështje.
SHOKU ENVER HOXHA: Arroganca është shumë e rrezikshme, kur je në pozita të larta. Ajo, është përgjithësisht e rrezikshme, por kur je në pozitat e larta, ajo bëhet dhe më e dëmshme.
SHOKU MEHMET SHEHU: Më bëhet pyetja: Përse në autokritikën time, nuk prek asgjë nga ajo që shtroi shoku Enver në mbledhjen e Byrosë Politike për çështjet organizative. Unë, e kisha mbaruar autokritikën në këtë kohë.
SHOKU PROKOP MURRA: Me leje shoku Enver. Mirë, po juve, ju kërkua kjo dhe nga shoku Simon, dhe nga shoku Hekuran, dhe se sa do ta bësh autokritikën për këtë punë, është tjetër gjë. Një paragraf, mund ta kishe futur atje, nëse janë të drejta ato që thotë shoku Enver, apo jo. Se edhe, mund të ndihmoheshim. Ne, do t’i bëjmë analizën kësaj çështjeje, po ju, duket sikur nuk jeni fate dakord?!
SHOKU MEHMET SHEHU: Ne, po i studiojmë ato probleme.
SHOKU PROKOP MURRA: Po mirë, të paktën një paragraf ju mund ta vinit atje. Studimi i plotë i çështjes, është tjetër gjë, por ju duhet të prononcoheshit për këtë problem. Të thoshit nëse ishit dakord apo jo, me ato që thotë shoku Enver. Kjo, duhet parë pak me kujdes, se duket që shkon më tej.
SHOKU MEHMET SHEHU: Sigurisht që unë, isha dakord me ato që shtroi shoku Enver, dhe nuk e pranoj atë që mund të kem qenë kundër tyre.
SHOKU PROKOP MURRA: Po mirë atëhere, si nuk thatë një fjalë të paktën, po hiçgjë nuk thoni në autokritikë. Unë do të them se ti, je nxituar, madje u kritikove se u vonove për të nxjerrë autokritikën, një ditë pas mbledhjes së Byrosë Politike. Të paktën të kishe vënë një paragraf.
SHOKU RITA MARKO: Atje, u ngritën shumë gjëra të rëndësishme mbi stilin e metodën e punës së Kryesisë së Këshillit të Ministrave. S’është rasti për t’i përmendur këto këtu, se janë probleme të mëdha. Por midis të tjerash shoku Enver, ngriti dhe çështjen se njerëzit në aparatin e Këshillit të Ministrave, janë ndrydhur. Me metodën që është përdorur, ministrat nuk kanë shfaqur dot mendimet e duhura, etj. Si nuk ju bënë këto juve shoku Mehmet, të ndaleshit, të mendonit, e të thoshit, sesi do ta nis unë këtë autokritikë kështu?!
Jo vetëm kaq por kjo gjë, ju rikujtua këtu nga shokët e Byrosë Politike. Mirë, do të analizohen ato, janë analizuar deri tani dhe shumë gjëra që janë vënë në vend. Por çështja është se ti tani, duhet të reflektosh, se po nuk reflektove, qëndrimet e gabuara nuk korrigjohen. Sigurisht ato do korrigjohen, sepse do t’i korrigjojë Partia. Por ju, duhet të ishit ndalur në këtë çështje dhe të kishit dhënë mendimin tuaj.
SHOKU MEHMET SHEHU: Po sigurisht këto, do të analizohen. Pyetem: Po ta bënte këtë gabim dikush tjetër, si do të reagonit. Unë e thashë, se nuk do ta miratoja, por për djalin tim e miratova, për të gjitha ato arsye që them atje.
SHOKU PROKOP MURRA: Kjo, është një logjike shumë kontradiktore. Atij tjetrit, do t’i thoje mos e bëj, edhe pse mund të ishte një komunist i thjeshtë. Kurse ti, si Kryeministër, nuk e vlerësove megjithëse në rastin tënd, dëmi ishte shumë më i madh. Si e shpjegon ti këtë, se je dhe udhëheqës në vijën e Partisë dhe Kryeministër në vijën shtetërore.
SHOKU MEHMET SHEHU: Po ta bënte këtë gabim dikush tjetër, unë do t’i thosha të mos e bënte.
SHOKU PROPKOP MURRA: Shiko, shiko, po vetes si nuk i the mos e bëj?
SHOKU MEHMET SHEHU: Unë e shpjegoj në autokritikën time, përse arrita në një gabim të atillë.
SHOKU BESNIK BEKTESHI: Më duket se fakti që ndërhyn shoku Prokop, për të pyetur përsëri, do të thotë që me gjithë përgjigjet që ka dhënë deri tani për këtë pyetje Mehmeti, ne nuk kemi krijuar bindje të plotë. Pse si mund t’i thuash atij tjetrit ti, që të mos e bëjë këtë gabim dhe ti ta bësh? Kjo duhet shpjeguar një çikë.
SHOKU MEHMET SHEHU: Shoku Besnik, është për këto arsye që thashë që arrita në atë gabim të rëndë, me të cilin kam dëmtuar interesat e Partisë.
SHOKU MANUSH MYFTIU: Sot si e vlerësoni ju këtë që tjetrit, i thoshit mos e bëj, kurse vetes i’a lejoni? Pse ta bësh ti atë?
SHOKU MEHMET SHEHU: Nuk duhej ta thosha ashtu, nuk duhej të veproja ashtu.
SHOKU ENVER HOXHA: Mehmet, të të shpjegoj unë një gjë. Dëgjomë mua. Ti, kur të thashë unë e realizove gabimin dhe natyrisht këtë e bëre për gjithë ato shkaqe që u përmenden, por pastaj kërkove që këto shkaqe, t’i spostosh, pse do t’i paraqitej në Byronë Politike e në Parti. Tani, nga një anë thua një gjë, nga ana tjetër thua të kundërtën e asaj, prandaj pyetjet e shokëve, janë të domosdoshme të bëhen, ato janë edhe të arsyeshme, të besuar. Nëse shpjegimit që i bëre pyetjes për çështjen e sentimentalizmit, nuk do t’i vije bishtin, se po të ishte për një tjetër, nuk do ta lejoje etj., etj., atëhere nuk do të të drejtoheshin gjithë këto pyetje e tjera. D.m.th., ti thua se e bëre gabimin me konsekuencë, me dashje dhe fap, për të zbutur situatën, ti i shton asaj një gjë tjetër. Këtë e bën për të thënë se ja: unë jam njeri që reflektoj. Prandaj është e natyrshme pyetja, që të bëjnë shokët. Atëhere shpjegoje pse e bëre?
SHOKU MEHMET SHEHU: Po për të tjerët, shoku Enver, ka pasur ndonjë rast që t’iu kem rekomanduar, kur ka qenë ndonjë rast i këtillë, t’i thosha që ta bënte.
SHOKU ENVER HOXHA: Pse u shtange? U shtange se e kuptove që ishte i gabuar. Pse u imunizove?
SHOKU MEHMET SHEHU: Gabova, pikërisht për këto arsye.
SHOKU ENVER HOXHA: Pse? Se ti ke menduar që je i imunizuar. Ti ke bërë propagandë ditë e natë, që Partia duhet të ruhet nga presioni revizionist e kapitalist, ndërsa ti vetë i kapërceve porositë e Partisë.
SHOKU MEHMET SHEHU: I kapërceva se mendova gabim.
SHOKU ENVER HOXHA: E po mirë, prandaj të themi edhe ne se janë gabime. Po këto gabime kanë arsyet dhe këtu është çështja. Këto arsye duhen thënë, zbërthyer, e jo vetëm të thuash thjeshtë “e bëra gabim”! Gabimi është i kuptueshëm. E ke kuptuar ti se është gabim? Po kërkojmë të dimë edhe ne pse u bë ai, cilat janë shkaqet e këtyre gabimeve. Në këtë analizë që po bëjmë, ti nuk i thellon shkaqet, qëndron në çështjen e sentimentalizmit. Nuk i shpjegon kjo arsyet e veta.
SHOKU SIMON STEFANI: Po, më fal, pse dy vija?
SHOKU MEHMET SHEHU: Jo, në Parti ka një disiplinë.
SHOKU SIMON STEFANI: Atëhere pse arrite ti të thyesh disiplinën?
SHOKU MEHMET SHEHU: Jo një disiplinë ka, por këto qenë arsyet që gabova.
SHOKU RAMIZ ALIA: Ta themi hapur, ti ishe i ndërgjegjshëm, shoku Mehmet, që Partia do të të dënonte për këtë gabim që bëre dhe ti do ta pranoje dënimin e Partisë? Apo mendoje që Partia nuk do të të dënojë?/Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016