Dashnor Kaloçi
Pjesa e dyzetë e shtatë
Memorie.al /publikon disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale arkivore të cilat mbajnë siglën ‘Tepër sekret’, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1981-1982, me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj., duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, “me një vajzë e cila në rrethin e saj familjar kishte disa të arratisur politikë”, mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të tij viti që vazhdoi deri në orët e vona të asaj nate, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit, pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë: “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, ku Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh: “Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit. Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror, etj.”! Të gjitha këto dhe të tjera dokumente me siglën ‘Tepër sekret’, do të publikohen në disa numra me radhë, ekskluzivisht nga Memorie.al
Dokumenti arkivor ‘Tepër sekret’ me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të datës 18 dhjetor të vitit 1981, e cila u zhvillua pa praninë e kryeministrit Mehmet Shehu, pasi disa orë më parë, ai ishte gjetur i vdekur në dhomën e tij të gjumit!
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË Sekret
KOMITETI QENDROR
-Sektori i Përgjithshëm-
PROCES – VERBAL
I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KQ TË PPSH TË DATAVE
17 E 18 DHJETOR 1981
SEANCA E PESTË
SHOKU ENVER HOXHA: Mehmeti në këtë rast mbajti qëndrim të mirë, por dhe unë mesa munda, qëndrova në kushte shumë të vështira. Nëse qëndrimi im në atë kohë, u duk disi i lëkundur (dhe për këtë kam bërë autokritikë), kjo ndodhi sepse kam qenë krejt i izoluar, i rrethuar nga gjithë ata armiq, se edhe Nako Spiro për poshtërsitë që kishte bërë më parë me jugosllavët, për të mos folur për Koci Xoxen dhe për të gjithë ata që përmenda, vrau veten. Nakoja, kishte sulmuar Partinë, më kishte sulmuar mua, si me letra, ashtu edhe me biseda, si me jugosllavët, ashtu edhe me sovjetikët.
Ai, jo vetëm që më shante e denigronte, por u përpoq të më skartonte nga udhëheqja, me synimin që të më zëvendësonte. Ka apo nuk ka gisht Mehmeti në këto ngjarje, këtë nuk e di, e nuk mund ta konfirmoj. Mik me Nako Spiron, e di që ishte por për ngjarje që nuk i njoh, nuk mund të flas me siguri. Kurse veprimet e Nakos, janë të njohura, të dokumentuara, dhe ato i kanë shpallur vetë jugosllavët. Pra, ka gjëra që Mehmeti nuk i shikon drejt, pasi në pikëpamjet e tij predominojnë, individualizmi dhe subjektivizmi.
Në autokritikën e vet Mehmeti, thekson qëndrimet e tij të prera dhe të drejta gjatë Luftës, e më vonë kundër fraksionistëve e revizionistëve. Kjo kështu ka qenë e kështu është, Partia këtë ja njeh. Por të kuptohemi, këtë luftë se kemi bërë vetëm “unë dhe ai”. Këto konsiderata, nuk afirmohen haptazi nga ana e tij, por disa herë Mehmeti, në diskutime politike, lë të nënkuptohet, siç përmenda lidhur me revizionistët jugosllavë, ata sovjetikë, e për të përfunduar me ata kinezë. D.m.th., sipas tij, vetëm unë dhe ai, e paskemi bërë këtë luftë.
Jo, protagonistë të kësaj lufte të madhe, nuk kemi qenë vetëm ne të dy, por e gjithë udhëheqja së bashku me Partinë, dhe i gjithë populli i shtrënguar grusht rreth Partisë sonë. Pra këtë unitet mendimi e veprimi Komiteti Qendror – Parti – Popull, nuk do ta kishim këtë gjendje të qëndrueshme që kemi sot. Thuhet se njeriu në jetë, edhe gabon. Kjo është e vërtetë, por ka gabim e gabim. Ky, nuk është i vetmi rast që ai shkeli vijën e Partisë. Nuk është i vetmi rast që Mehmeti për një qëndrim me rëndësi parimore e politike veproi, pa kërkuar nga unë asnjë mendim si Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë.
Shokët, mbajnë mënd se ai, pa asnjë arsye dhe pa asnjë bazë, vajti dhe i’u ankua ambasadorit Leviçkin, sikur gjoja unë kur u likuidua Beria, kisha humbur besimin tek Mehmeti. Ky, hiqet sikur i di, normat, vijën, teorinë, dhe politikën, e Partisë por ja që i shkeli këto me të dy këmbët. Mehmeti atëherë, bëri autokritikë për këtë gjë dhe ajo, ndodhet në fondin e Komitetit Qendror. Megjithatë ai prapë, gaboi rëndë. Gabimi i tij i fundit, ngjet me të parin. Edhe në të parin, edhe në të dytin ai, nuk e pyeti Partinë. Për gabimin e tij të parë, erdhi dhe më vuri në dijeni vetë Leviçkini, se e dinte rrezikshmërinë, po të mos e denonconte këtë përçapje të Mehmetit.
Gabimin e fundit të aleancës së Mehmetit me armiqtë, e mësova nga rruga. Sidoqoftë Mehmeti, edhe atëherë edhe tani, duhet ta dijë se revizionistët dhe agjenturat e tyre, i dinë këto gjëra dhe vetëm, pjekuria e Partisë i pengon ata që të na përçajnë. Prandaj përsëritja e gabimeve të rënda politike nga ana e Mehmetit, me ose pa dashje, i japin armë armikut që të shfrytëzojë rrethanat në dëm të socializmit, të Partisë së Punës së Shqipërisë, dhe udhëheqjes së saj. Partia, ka kaluar nga shumë rreziqe. Rreziqe të tjera mund ti turren asaj në rrugë. Prandaj duhet të shtrëngojmë radhët dhe të tregohemi të vendosur në vijën tonë, sepse me premtime dhe betime elokuente, Partia, Socializmi, dhe Atdheu, nuk mbrohen.
Mehmeti, është një shok me të mira, por edhe me të meta e me gabime. Të mirat le ti lërë t’ja njohin të tjerët, dhe këtë ata vazhdimisht e kanë bërë. Ai duhet kurdoherë të jetë modest! Të metat dhe gabimet e tij, të paktën unë, ia kam vënë haptazi në dukje që t’i ndreqë. Shokët e tjerë të Komitetit Qendror, të Byrosë Politike dhe të Qeverisë, shumë herë i janë shmangur kësaj detyre, ata nuk kanë treguar sa duhet guximin e ligjshëm komunist, t’i venë në dukje të metat e gabimet, që kanë vënë re te Mehmeti. Jo vetëm që s’ia kanë vënë në dukje atij vetë, por ai tek unë, nuk kanë ardhur të më sinjalizojnë. Kjo është shumë e gabuar, kjo sëmur unitetin në udhëheqje, krijon kultin e binomit Enver – Mehmet, sikur ne jemi “tabu”, gjë që është shumë e rrezikshme për Partinë.
Kulti i personit është i dënueshëm, jo vetëm kur teprohet me brohoritje, slogane, këngë etj., por ai shfaqet, bile bëhet shumë i rrezikshëm edhe kur një udhëheqës, pavarësisht se nuk brohoritet për të, kërkon të imponohet me urdhra, me arrogancë, me prepotencë, kur ka krijuar bindjen se të tilla qëndrime, të tilla veprime janë të drejta janë normale dhe se, ndryshe nga shokët e tjerë, atij mundet e duhet t’i lejohen këto, sido që të jenë, edhe kur s’janë të drejta. Këtu qëndron përsëri kulti i personit.
Me qindra herë kam theksuar se në Parti s’ka privilegje, se në Parti duhet të luftohet kulti i personit, se në Parti nuk duhet lejuar konformizmi, por të mbizotërojë bindja e vetëdijshme komuniste marksiste-leniniste, nëpërmjet diskutimeve të hapta, të çiltra, pa asnjë fije ndrojtjeje nga kurrkush.
Të gjithë i dimë këto parime, për to flitet shumë, por jo të gjithë e zbatojnë në jetë. Këta të fundit mendojnë se bëjnë mirë, mbasi, sipas tyre, kështu “ruhet harmonia”, kurse kjo harmoni është e dobët, është e krimbur brenda, pse është e infektuar me pikëpamje mikroborgjeze.
Situata në Parti është e fortë, por kjo duhet forcuar vazhdimisht dita-ditës më shumë. Kjo do të bëhet dhe duhet të bëhet kur të gjithë komunistët, anëtarë të thjeshtë ose udhëheqës dhe sidomos udhëheqësit, në çdo hap, në çdo rrethanë, duhet të mbrojnë vijën dhe normat e Partisë.
Në fund desha të theksoja pak edhe në ç’rrethanë politike, të jashtme dhe të brendshme, u bë ky gabim i madh politiko – ideologjik nga ana e Mehmetit? Ai u bë në një kohë që imperialistët, social-imperialistët, borgjezia reaksionare e çdo shteti kapitalist dhe gjithë revizionistët modern, i bëjnë atdheut tonë socialist një presion të vazhdueshëm dhe kanë organizuar një bllokadë të egër kundër tij. Çdo hap i Shqipërisë Socialiste, është në vëzhgim dhe shënjestrën e armiqve të klasës e të marksizëm-leninizmit.
Mehmeti bëri gabim në një kohë kur ngjarjet në Kosovë qenë acaruar në kulm dhe udhëheqja revizioniste jugosllave, na akuzonte politikisht ne për këto trazira dhe deklaronte që udhëheqja jonë, kishte bërë aleancë (kauz të përbashkët), me reaksionin politik shqiptar jashtë. Kur populli dhe Partia ishin hedhur në sulm, për të ardhur në Kongresin e 8-të me fitore të reja, shoku Mehmet, bëri këtë aleancë familjare me elementë të reaksionit më të zi.
Kur gjithë udhëheqja ishte angazhuar për përgatitjen e Kongresit, të raportonte për shumë probleme politiko-organizative, që lidheshin me këtë Kongres, shoku Mehmet, u izolua krejtësisht për t’i dhënë dorën e fundit një libri mbi krizën botërore, që paskësh shumë vjet që po e përgatit, kurse mua, ma zuri në gojë për herë të parë, kur erdhi në korrik në Pogradec, për takim dhe kjo ishte gjëja e parë që më tha. Që të shkruhen libra, është një e drejtë e çdo shoku, veçse duhet menduar mirë, si koha, ashtu dhe tema, se ç’i shërben më mirë Partisë.
Libri që shkruante Mehmeti, fundi i fundit, priste. Ne ishim para Kongresit, pra ishte rasti, që veçanërisht Mehmeti të mobilizohej totalisht, sepse ishte i pari plan pesëvjeçar, i mbështetur plotësisht mbi forcat tona, për të cilin, u bënë shumë studime dhe diskutime konstruktive dhe këto jo me iniciativën e tij. Në krah tani, na mungonte Hysniu, që mbante mbi supet e tij shumë probleme ekonomiko-organizative dhe ushtarake të Partisë.
Mehmeti, jo vetëm që nuk më erdhi në ndihmë në këtë periudhë, për këto probleme, e nuk u kujdes jo vetëm për raportin e Komitetit Qendror, që do t’i paraqitej Kongresit, por ai nuk u kujdes as për raportin e tij, e la këtë për në fund të gushtit, pastaj ndodhi gabimi që bëri, dhe nuk qe në gjendje ta ngrinte atë në nivelin që kërkohej për në Kongres, bile la boshllëqe të ndjeshme, në trajtimin politik të disa çështjeve kardinale, si dhe aspekte të tjera që i’u vunë në dukje.
Pra, Mehmeti, duhet të kuptojë thellë gabimin që bëri, gabime të tjera dhe të metat në punë. Burimi i këtij gabimi, nuk është sentimentalizmi, e thjesht gjykimi i rrëmbyer, por kryesisht, janë mendjemadhësia dhe disa elementë të tjerë negativë në karakterin e tij.
Byroja Politike në analizën e vete, nuk u ndal vetëm në gabimin e fundit të Mehmetit, sepse nuk e konsideron këtë si një gjë të rastit, siç përpiqet t’a shpjegoj ai, por si një gabim që ka ardhur nga shkaqe më të thella, që janë të dëmshme për Partinë, e bëhen të rrezikshme për të ardhmen. Akti i shëmtuar që kryejti, e shpjegon këtë gjë.
Do të ishte gabim të mendohej se vija e Partisë, shkelet vetëm kur bëhet krushqi me reaksionarë. Shfaqje të tillë janë si konsekuencë e një botëkuptimi, sa të ngushtë, sektar, aq edhe liberal-oportunist.
Prandaj, autokritika e Mehmetit, nuk më bindi që ta ketë kuptuar thellë burimin e shfaqjet e gabimit. Mehmeti, nuk duhet të kufizohet vetëm të premtojë, por, ta ndjej thellë se duhet me doemos të bëjë kthesë rrënjësore në mendimet, në qëndrimet, e në veprimet e papeshuara, në marrëdhëniet e bashkëpunimit, me shokët dhe në sjelljet e tij me vartësit. Të bëjë kthesë, e të përmirësojë metodën e punës, sepse, disa nga tiparet e karakterit të tij, kanë influencuar për keq në organet shtetërore që drejton.
Dhe ju, shokë, kishit të drejtë që i bëtë pyetje Mehmetit, pse në autokritikë, ai nuk e përmend këtë çështje. Kjo atij, nuk i leverdiste dhe tha se do ta bënte më vonë. Për këtë, duhet e do të ndihmojmë të gjithë. Kritika shoqërore që i bëmë, nuk duhet ta bëjë të lëkundet e të ligështohet. Këtë mjerisht, nuk e parashikuam kështu, e parashikuam gabim, ai u ligështua deri në vetëvrasje.
Mehmeti me forca të reja duhet të jetë në krye të përgjegjësisë që i ka ngarkuar Partia. Rezultati, tregoi se ai nuk e kishte këtë kurajo dhe këtë besim tek ne, nuk priti.
Në mbledhjen e kaluar të Byrosë Politike, shtrova nevojën e një analize të thellë për korrigjimin e metodës së punës në Qeveri dhe në kryesinë e saj, duke marrë deri edhe disa masa organizative për kryesinë e Këshillit të Ministrave dhe për përcaktimin më të drejtë të ndarjes së punës e të funksioneve të anëtarëve të Kryesisë, duke mos lejuar që kjo të vihet mbi Qeverinë.
Ditët e fundit, pata një bisedim të gjatë me shokun Adil dhe me Mehmetin, për këtë problem. Tri orë të tëra biseduam e diskutuam bashkë vëllazërisht, shoqërisht, në një frymë shumë të hapët e të ngrohtë, bile edhe shakara u bëra të dy shokëve. Adili ishte i bindur për atë, që kështu është e drejtë dhe kështu duhet bërë, binda kështu edhe Mehmetin.
(Por vetëvrasja tregoi, se ai nuk ishte i bindur për asgjë.)
Ne duhet të përcaktojmë më qartë kompetencat e ministrave, si individë, që duhet të jenë shumë më të gjera. Përgjegjësia e tyre duhet të jetë shumë më e madhe për dikasteret a sektorët që drejtojnë dhe si anëtarë të Qeverisë, si një organ i lartë shtetëror kolegjial.
Të gjithë duhet të jemi plotësisht të mobilizuar e më shumë se kurdoherë në punë, që t’i përgjigjemi gjithë këtij hovi revolucionar që ka shpërthyer në klasën punëtore, në fshatarësinë kooperativiste, në gjithë punonjësit e sektorëve shkencorë, arsimorë e kulturorë të vendit tone, për të zbatuar, me komunistët në ballë, vendimet historike të Kongresit të 8-të të Partisë dhe për të realizuar planet e reja të pesëvjeçarit të shtatë.
Dua të shpreh bindjen që, ashtu si të gjithë ne, edhe Mehmeti, do të jetë në krye të punëve që i ka ngarkuar Partia.
Mehmeti nuk pati durim, vrau veten edhe nuk e dëgjoi dhe diskutimin tim, që bashkohet dhe është në akord me vërejtjet e shokëve, Mehmeti e kishte humbur besimin te Partia. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016