-Një udhëtim dhe vështrim mbi jetën e veprën e Koliqit, një prej personaliteteve më në zë të letrave shqipe, të shekullit të kaluar-
Memorie.al / Një kontribut të veçantë i ka dhënë arsimimit në Kosovë, në vitin 1941, kur forcat italo-shqiptare kishin depërtuar në vendin tonë dhe kishin dëbuar forcat ushtarake e policore të Mbretërisë famëkeqe jugosllave, e cila gjatë tërë kohës së sundimit nga vitit 1913 e deri në vitin 1941, nuk kishte lejuar asnjë shkollë shqipe por, as edhe një libër në gjuhën shqipe. Ata shqiptarë që mësonin ilegalisht gjuhën e tyre, ndiqeshin e dënoheshin nga regjimi deri më 20 vjet burg.
Dërgimi në Kosovë i më shumë se 200 mësuesve, hapja për herë të parë e qindra shkollave shqipe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, ishte dhurata më e madhe që mund t i jepej një kombi të ndarë padrejtësisht dhe të persekutuar mizorisht vetëm për shkak të përkatësisë së tij kombëtare e fetare.
Pavarësisht se Koliqi i mbeti besnik Italisë, nuk mund të thuhet se ka qenë besnik i fashizmit, me faktin se ai gjatë asaj kohe, ka ndihmuar, aq sa ka pasur mundësi edhe intelektualët shqiptarë, të cilët regjimi i trajtonte si armiq. Pas çlirimit nga Italia, Koliqi u anatemua se bashkëpunëtor i regjimit italo-shqiptar dhe vepra e tij nuk u vlerësua.
Megjithatë, Koliqi me punën dhe veprën e tij, me kontributin që i ka dhënë letërsisë, kulturës, albanologjisë, sidomos hapjes së shkollave shqipe në Kosovë e më gjerë, është një kontribut madhor, që nuk e zbeh aspak përkatësia e tij partiake në një kohë të caktuar. Koliqi meriton ta ketë një përmendore në qendër të Prizrenit apo të Prishtinës.
Ernest Koliqi, u lind në Shkodër më 20 maj të vitit 1903. Ishte i biri i Shan Koliqit dhe i Ages së Cuk Simonit, nip Parrucejsh, familje shkodrane, fort e kamur. Ndërsa nga babai kishte origjinën prej Lotajve të Shalës së Dukagjinit, të cilët kishin rënë në krahinën e Anamalit.
Pas mësimeve të para në Kolegjin Saverian të Jezuitëve, i ati e dërgoi për të studiuar në Itali më 1918-ën. Së pari në Kolegjin Jezuit “Cesare Arici”, në Breshia e, pastaj në Bergamo. Bashkë me nxënës të tjerë, ai hapi gazetën “Noi giovani” (“Ne të rinjtë”), ku botoi poezitë e para në italisht.
Pasi kthehet në Shqipëri, për shkak se situata e brendshme stabilizohet disi pas Kongresit të Lushnjës, nxë shqipen dhe falë njohjes me Luigj Gurakuqin, njihet edhe me shumë intelektualë të kohës. Më 1921-in, mbahet një konkurs për himnin kombëtar, ku Ernesti merr pjesë me një poezi e cila, fitoi çmimin e parë të dhënë nga juria e përbërë prej: Gjergj Fishtës, Fan Nolit, Mit’hat Frashërit e Luigj Gurakuqit.
Në mars-prill, të atij viti, merr pjesë si përfaqësues i Shoqërisë Kulturore “Rozafa” në një mbledhje me Patër Anton Harapin nga shoqëria “Bogdani” dhe bashkë me të në takimin që formoi grupimin “Ora e Maleve”, nën dorën e Imzot Lazër Mjedës. Pas të ashtuquajturit “Revolucioni Demokratik i Qershorit”, në vitin 1924, Luigj Gurakuqi e thërret në Tiranë dhe e emëron sekretar personal. Koliqi aderon në shoqërinë “Bashkimi” të themeluar prej deputetit, Avni Rustemi. Më pas, emërohet sekretar në Ministrinë e Brendshme, ku ministër ishte, kolonel Rexhep Shala.
Me Triumfin e Legalitetit, në dhjetorin e vitit 1924, ai shtrëngohet të dalë në mërgim, duke u vendosur në veri drejt Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene, ku studioi gjuhën dhe kundron letërsinë serbo-kroate. Qëndron për dy vjet në Tuzla të Bosnjës, me shumë nga krerët e maleve. Më 1928-ën, gjendet në Bari të Italisë, mes Bahri Omarit, Sotir Pecit, Sheh Karbunarës dhe Kostë Paftalit. Në Zara të Dalmacisë, në vitin 1929, ai botoi edhe përmbledhjen e parë me novela, ku ishte edhe miku i tij në ideale e në punë gjuhe, Mustafa Kruja.
Kthehet në atdhe dhe nis punën si mësues në Shkollën Italiane Tregtare në Vlorë dhe mandej në Gjimnazin e Shkodrës (1930-’33) ku mes të tjerëve, do t’iu jepte mësim Petro Markos dhe Luigj. Radit. Nis të verojë ndër bjeshkët e Dukagjinit, ata vite ku përpos ndodhive, shënonte edhe kangët e buta – siç i thonë në Dukagjin, këngëve erotike – kujtime të cilat do t’i shkruante mbas viteve ’70-të, me pseudonimin “Hilushi”. Ndërkohë, miku i tij, Mustafa Kruja, i kërkon me mbledhë librat e bibliotekës së tij, të cilat qenë shpërndarë ndër françeskanë e jezuitë, mbas lëshuan Shqipërinë në dhjetorin e 1924-ës.
Më 1933-in, jep dorëheqjen nga mësimdhënia, për të nisur studimet universitare në Padova të Italisë. Gjatë periudhës 1934-1936, ai ishte pjesëtar i grupit botues të përkohshmes “Illyria”, ku botoi poemthin në prozë “Quattuor”. Në po të njëjtën të përkohshme, në vitin 1935, Migjeni botoi vjershën “Të lindet Njeriu”, me nxitje të Koliqit. Më 1936-ën, e emërojnë Lektor të Shqipes, në katedrën e Albanologjisë të drejtuar nga gjuhëtari, Carlo Tagliavini.
Më 1937-ën, doktoron po në Padova, me tezën “Epica popolare albanese” (“Epika popullore shqipe”) falë mbledhjeve që kishte bërë Padër Bernardin Palaj, tezë doktorate e cila, u vlerësua nga shumë albanologë si Norbert Jokli, Maksimilian Lambertz, etj. Transferohet nga Padova në Romë, tetorin e vitit 1937, si lektor i shqipes. Më 1939-ën, hapet në Universitetin Shtetëror të Romës, Katedra e Albanologjisë, ku Koliqi emërohet ordinar dhe qëndron i tillë, derisa doli në pension. Ndërprerja e vetme disi e gjatë ishte, kur u emërua ministër Arsimi, në vitet 1939-1941.
Ministër Arsimi, në qeverinë Vërlaci, nën pushtimin italian
Pavarësisht rrethanave, gjatë periudhës që ishte ministër i Arsimit në qeverinë e kryesuar nga Shefqet Vërlaci, Koliqi shfrytëzoi deri në skaj mundësitë që i jepte zyra e tij. Në atë kohë panë dritën e botimit, tekste shkollore shqipe e libra, më shumë se ç’qenë botuar prej vitit 1912 e, deri atëherë: botimi i ‘Historisë së Letërsisë’, në dy vëllime “Shkrimtarët shqiptarë”, nën kujdesin e Namik Resulit e Karl Gurakuqit; vijoi botimi i përmbledhjeve të folklorit, “Visaret e kombit” me v. IV prej Hasan Reçit, Spiro Çomorës e Aanton Palucës dhe shumë arsimtarëve të tjerë, duke e çuar deri në XIV-të vëllime – punim në aq pak kohë dhe me rëndësi, për themelin e studimit të folklorit.
Tok me Mustafa Krujën dhe Zef Valentinin, thirri në Tiranë Kongresin Ndërkombëtar të Studimeve Shqiptare, në vitin 1940, prej ku lindi ‘Instituti i Studimeve Shqiptare’, me qendër në Tiranë, pararendës i Akademisë së sotme të Shkencave. Themeloi e drejtoi të përkohshmen “Shkëndija” në korrik të 1940, e cila qe “palestër” e mendimtarëve dhe shkrimtarëve të kohës. Në shtatorin e vitit 1941, nis mbi 200 arsimtarë ‘normalistë’, drejt Kosovës.
Në një letër dërguar më 16 tetor 1941, nga ministri i Arsimit të Qeverisë së atëhershme shqiptare, Ernest Koliqi, konsullit shqiptar Nikollë Rrota, në Vjenë, thuhet se, ka angazhuar Norbert Joklin, si organizator të bibliotekave të Shqipërisë, me një rrogë mujore prej 600 frangash ari. Përpjekje kjo, si shumë të tjera, për ta shpëtuar studiuesin e shumë çmuar, por që nuk dha rezultat.
Më 1943-in, Koliqi vajti në Romë, të vazhdonte punën si ordinar në universitet dhe u emërua ambasador në Vatikan, i fundit para regjimit komunist që do të vinte. Nga një telefonatë, merr vesh për kapjen e Petro Markos nga ana e gjermanëve, të cilit i shpëton jetën. Më 6 nëntor 1946, krijohet partia “Blloku Kombëtar Indipendent”, me bërthamën krijuese e drejtuese të përbërë nga vetë Koliqi, Dr. Ismail Vërlaci, Gjon Marka Gjoni dhe Ndue Gjon Marku – duke i ndenjtur veprës së Mark Gjon Markut. Në mars të 1947-ës, themelon dhe kujdeset të botojë të përkohshmen “L’Albanie Libre”, që ndali më 1959-ën, e më pas “Lajmëtari i të Mërguemit”.
Me dekret të Presidentit të Republikës së Italisë, më 2 shtator 1957, për njohje të prestigjit, Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe e Universitetit të Romës, nderohet, duke u bërë Institut i Studimeve Shqiptare, dhe Koliqi u emërua president i saj.
Themelon të përkohshmen “Shêjzat” (itlisht, “Le Pleiadi”) që e drejtoi për 18 vjet, e përkohshmja kryesore letraro-kulturore e asaj periudhe kohe. Vijimësi e traditës publicistike që la n’atdhe, me “Shkëndijat”, penat e hershme dhe ato të reja, gjetën të satin log ku, do të kultivonin kulturën shqiptare në mërgim, të pa ndotur nga ideologjia me të cilën përlyhej në atdhe. Ndihmon talente të shumë fushave, të ikur nga ish-Jugosllavia, duke iu dhënë hapësirë ndër faqet e revistës, ndër ta piktori Lin Delija, shkrimtarët Martin Camaj e F. Karakaçi dhe etnologu Vinçens Malaj.
“Shêjzat”, shërbyen si tribunë dhe dritare informimi mbi aktivitetet shkencore albanologjike në botë. Ato regjistruen në kroniken e tyne edhe ngjarje shoqnore që në të ardhmen, do të vlejnë sadopak si dokumentacion historik e kultural, për nji periudhë rreth njizet vjeçare”, do të shprehej Martin Camaj.
Më 4 maj të 1969-ën, Koliqit, i vdes bashkëshortja Vangjelija. Zhdukja e saj i shkaktoi një mungesë të pazëvëndësueshme e ndoshta shpejtoi edhe humbjen e tij më 1975-ën. Ernest Koliqi, vdes në shtëpinë e tij në Romë, më 15 janar 1975 dhe u varros në qytetin e amshuar, me datën 18 të atij muaji, i nderuar nga i gjithë komuniteti shqiptar në mërgim, por i mohuar nga vendi i tij. Në ceremoninë e asaj dite, kishin ardhur personalitete të ndryshëm, kolegë, shqiptarë, arbëreshë, miq të ardhur nga vende të ndryshme të botës.
Vepra e Koliqit
Siç u përmend, qasjen e parë që pati me letrat, e përshfaqi në revistën që hapën gjatë nxënjeve të para në Itali, të cilat, i bëri në gjuhë italishte. Mbasi fitoi konkursin për himn kombëtar, Koliqi, nxitet nga Gurakuqi të shkruaj atë që do të bëhej poemthi i tij i parë dramatik, “Kushtrimi i Skanderbegut”, botuar në shtypshkronjën “Nikaj”, Tiranë më 1924 – e cila mbarështohej nga vëllau, i Dom Ndoc Nikajt.
Gjatë mërgimit të pare, ndërsa bluante ndjesitë e përftuara nga kurbeti dhe malli për vatrën familjare e klimën morale që e rrethonte, shkruan me pseudonimin “Borizani”, në të përkohshmen e Omer Nishanit. Nxjerr përmbledhjen e dymbëdhjetë novelave “Hija e Maleve”, botuar në Zara, më 1929-ën. Përmbledhja pasqyron suazën mjaftueshëm harmonike të mjedisit, me taban patriarkal, mesdhetar e oriental, ku kishte kaluar fëmininë – trung ky që përshkohej nga një shije e hollë perëndimizimi.
Fryma qytetare gjithnjë në dialog me atë malësore, dëshmon tharmin e formësimit të autorit përmes prozës psikologjike, të stilizuar me ëndje, e selitur me themelet dokësore të shpirtit shqiptar.
Boton në vitin 1932, vëllimin e parë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të Italisë”, me parathënie të Fishtës, një antologji me 280 faqe, që u përdor menjëherë, si tekst letërsie në gjimnazin klerik të Shkodrës dhe përmban katër poetët më të mëdhenj të Italisë: Danten, Petrarkën, Arioston, Tason. Vjershat e veta, i përmbledh në vëllimin “Gjurmat e stinve”, më 1933-in, ku paraqiten me një frymë krejt të re skenat e jetës shkodrane.
Ndërsa, autodafeja e vendosur në krye të këtij libri, vlerësohet si një ndër aktet më të rëndësishme në fushë të mendimit estetik shqiptar, në 1935-ën, në Itali. – Pas suksesit të vëllimit të parë me tregime, Koliqi boton një libër me 16 novela, me titull: “Tregtar flamujsh”, me lëndë të nxjerrë nga mënyra e jetesës së popullit tonë, sidomos të atij të qytetit të Shkodrës. Ngjarjet dhe problematikat sociale që prekin veprën, gjithnjë i nënshtrohen një analize të thellë psikologjike.
Boton vëllimin e dytë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të Italisë”, me parathënie nga Tagliavini. Ky vëllim, përfshin vjersha të përkthyera të katër italianëve të tjerë: Parini, Monti, Foskolo, Manxoni. Personalisht, çmonte Giosuè Carducci, Giovanni Pascoli, dhe Gabriele D’Annunzio-n. Edhe vëllimi i tretë, ishte i përgatitur, por nuk u botua. Te “Tregtar flamujsh” (1935) dhe “Pasqyrat e Narçizit” (1936), Koliqi sjell një botë krejt unike shpirtërore shqiptare, ndërsa gjuha e tij dhe stili, i japin frymëmarrje të re letrave shqipe.
Bashkëpunoi me revistat “Hylli i Dritës” e françeskanëve, “Leka” e jezuitëve, “Përpjekja shqiptare” e Branko Merxhanit, “Minerva”, e Nebil Çikës, “Besa”, etj. Poezitë më të mira të këtij vëllimi, janë ato të shkruara në formë të tingëllimit (sonetit).
Nis të botojë nga viti 1954, deri më 1961, studimin krahasues “Dy shkollat letrare shkodrane – e Etënve jezuitë dhe e Etënve françeskanë”. Në këtë studim të tij, vërehet përpjekja për të hartuar një histori të mirëfilltë të letërsisë shqiptare, jashtë ngjyrimeve ideologjike. Në Firenze, Koliqi boton vëllimin “Poesia popolare albanese”, (“Poezia popullore shqiptare”), ku spikat si studiues i merituar i traditave artistike dhe folkloristike të atdheut të tij.
Në vitin 1959, boton vëllimin “Kangjelet e Rilindjes” (“I canti della Rinascita”), me përkthimin në italisht, kushtuar arbëreshëve të Italisë, ku i nxit ata të ruajnë gjuhën e zakonet e, të kenë besim në pavdekësinë e fisit. Në vitin 1960, boton romanin “Shija e bukës së mbrûme”, për të cilin Koliqi vetë, shprehet: “Ky tregim, parashtron edhe përpiqet imtësisht të hulumtojë dramin shpirtnuer, të nji të riut shqiptar, flakrue jashta atdheut nga pasojat e së Dytës Luftë Botnore”. (Paraqitje në “Shija e bukës së mbrûme”, Shkodër, 1996). Boton gjithashtu studimin “Gabriele D’Annunzio e gli Albanesi” (“Gabriel D’Anuncio dhe Shqiptarët”).
Në vitin 1963, boton “Antologia della lirica albanese” (“Antologjia e lirikës shqiptare”), ku për herë të pare, paraqiten në një gjuhë evropiane, përkthimet e lirikat më të mira të autorëve shqiptarë, të vjetër e të rinj, ku theksohen autorët kosovarë, me qëllim që të njihen më mirë. Riboton “Shtatë Pasqyrat e Narçizit” (që e kishte botuar së pari në fletoren “Gazeta Shqiptare” të Bari-t më 1936), ku paraqiten shtatë copa proze poetike, që përshkruajnë gjendjen shpirtërore të shkrimtarit.
Në vitin 1965, del në dritë “Albania”, një monografi italisht, botuar në “Enciclopedia dei popoli d’Europa”, Milano, ku paraqet një pasqyrë të gjërë mbi Shqipërinë, si në pikëpamjen gjeografike, ashtu edhe letrare e historike. Në vitin 1970, riboton poemthin “Simfonia e Shqipeve” (që e kishte botuar për herë të parë në fletoren “Gazeta Shqiptare” të Bari-t më 1936), që është si, një testament poetic, që nënvizon trashëgiminë kombëtare, lashtësinë dhe traditat e popullit.
Kjo vepër ka për argument, lartësimin e kohës së kaluar të fisit tonë. Në vitin 1972, botohet vëllimi “Saggi di Letteratura Albanese”, në Firenze. Një përmbledhje e mirë shkrimesh e konferencash, përpunuar gjatë disa vjetëve. Në vitin 1973, vazhdon të përkthejë në italisht, pjesë nga “Lahuta e Malcís” e Fishtës, këngët II-III-IV-V (punë kjo e nisur që në vitin 1961, kur përktheu këngën XXVI; më 1971, këngët XII-XIII-XIV dhe XV). Memorie.al