Nga Uran Butka
Dëshmia e ish-Prokurorit: -“Projekt-ligj që lejonte dënimet pa bërë gjykimin, që nuk pranoi ta firmoste ministri i Drejtësisë, Manol Konomi, e kthyen në dekret dhe e firmosën, presidenti Omer Nishani, me sekretarin Sami Baholli”.
Memorie.al / Masakra e natës së 26 shkurtit 1951, është një vepër kriminale e regjimit komunist. Është e tillë, sepse u masakruan 22 intelektualë krejt të pafajshëm dhe sepse nuk u zhvillua asnjë gjyq, për të provuar fajësinë e tyre, duke tejkaluar e shkelur kështu edhe kushtetutën, edhe ligjet në fuqi të asaj kohe. Është, gjithashtu, absurde, por edhe skajshmërisht tendencioze, sepse ata u arrestuan dhe u pushkatuan me pretekstin e hedhjes së një dinamiti në oborrin e Ambasadës Sovjetike, por ‘de facto’, nuk kishin asnjë lidhje me këtë incident, madje edhe Sigurimi i Shtetit, nuk i akuzoi për këtë ngjarje. Kishte përfunduar etapa e dominimit të plotë jugosllav në Shqipëri, që e zvarriti atë pas qerres së Beogradit dhe kishte nisur periudha e dominimit rus. Klika e Enver Hoxhës, u kthye me fytyrë nga Moska. “Duhet t’i kemi sytë drejt Moskës”, – deklaronte ai. (Arkivi Qendror e Shtetit, F. 14. D. 11) Udhëzimet, urdhrat dhe metodat staliniste, Hoxha i zbatoi në mënyrë perfekte, duke ia kaluar edhe “ustait”!
Shqipëria u bë vendi më i mbyllur, më i varfër dhe më gjakatar në gjithë vendet e Lindjes. Diktatura ushqehej e mbahej me gjak. Sigurimi i Shtetit, drejtohej nga “specialistë” rusë. Vetëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme, drejtonin 40 agjentë të KGB-së. Por edhe reagimi antikomunist e antisovjetik, gjallonte dhe hera herës kundërvepronte.
Një nga këto manifestime ishte, edhe hedhja e dinamitit të reduktuar në oborrin e Ambasadës Sovjetike, më 19 shkurt 1951, vepër e organizatës “Bashkimi Kombëtar”. Gjithsesi, ishte një akt terrorist që nuk sillte asnjë dobi, veçse shtim të masave represive të shtetit, për të justifikuar valën e re të arrestimeve, pushkatimeve, burgimeve dhe të terrorit komunist.
Menjëherë u mblodh plenumi i Komitetit Qendror dhe më 20 shkurt, edhe Byroja Politike e Partisë Komuniste Shqiptare. Mehmet Shehu, atëherë ministër i Brendshëm, bëri ekspozenë e kësaj ngjarjeje dhe theksoi se: “kjo është një ngjarje politike, e kalibrit të madh, madje më e madhe se një atentat që, mund të bëhej kundër ndonjërit nga ne”.
Mehmet Shehu kërkoi masa represive, të jashtëzakonshme, pa marrë parasysh ligjet në fuqi, meqenëse: “edhe herë tjetër kemi pushkatuar jashtë ligjeve në fuqi. Të arrestojmë rreth 100 apo 150 veta, nga të cilët 10 ose 15 prej tyre t’i pushkatojmë, duke zgjedhur sigurisht ata më kryesorët.
Kjo masë do të procedohet me një masë tjetër spastrimi nga Tirana të familjeve reaksionare brenda një muaji. Ne duhet t’i përgjigjemi terrorit me terror dhe këtë mund ta bëjmë plot ndërgjegje dhe me gjakftohtësi. Ne i kemi përgatitur listat e arrestimeve dhe, po të jeni edhe ju dakord, veprojmë që sonte”. (Nga proces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike).
Të gjithë anëtarët e Byrosë, ngritën duart dhe thanë, njëzëri: “Jemi dakord me këto masa”. Shihet qartësisht se vendimi u mor në Byronë Politike, pra kemi të bëjmë me një masakër politike të bërë me vendim partiak. Vetëm përzgjedhja e personave që do të pushkatoheshin apo burgoseshin, u bë nga Sigurimi i Shtetit.
Nga listat e parapërgatitura me kohë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, u zgjodhën dhe u shënuan me kryq ata, “më të rrezikshmit”, të cilët në këtë rast, nuk ishin as të rrezikshëm, as të dyshimtë dhe as që kishin ndonjë dijeni për ngjarjen e ambasadës.
Ishin vetëm emra të njohur atdhetarësh e intelektualësh, nga familje të mëdha, natyrisht që s’e donin komunizmin, por qëndronin në punën e tyre, të patrazuar, të zgjedhur thuajse nga gjithë trevat shqiptare, që nga Gjirokastra e Delvina e deri nga Kosova, Shkupi, Dibra e Mali i Zi, në mënyrë që terrori dhe përgjakja të shtriheshin kudo.
Ideator i kësaj masakre të radhës, ishte sekretari I-rë i PKSh-së dhe kryeministri Enver Hoxha, realizator ministri i Brendshëm Mehmet Shehu.
Akuzën për 22 të pushkatuarit, e nënshkroi Prokurori ushtarak, kolonel, Siri Çarçani. Them “nënshkruar” se, ai ka deklaruar pas përmbysjes së komunizmit: “Unë, Siri Çarçani, kur kam nënshkruar akt-akuzën, nuk kam pasur dosje hetimore të dërguar nga Drejtoria e Sigurimit Shtetit në Prokurorinë e Përgjithshme Ushtarake.
Personat që kanë emrat në akt-akuzë, unë nuk i kam njohur fare dhe si prokuror, nuk kam marrë pjesë në hetimet që zhvillonte Sigurimi i Shtetit. Unë nuk i kam lexuar dhe as i kam parë proces-verbalet e marrjes në pyetje të këtyre të pandehurve dhe as ndonjë material tjetër, të dosjes hetimore.
Pasi nënshkrova aktakuzën, më duket se ia kam dhënë Sotirit dhe se ku ka përfunduar ajo, nuk e di…! Për dijeninë time, Gjykata e Lartë Ushtarake, nuk ka zhvilluar gjyq ndaj këtyre të pandehurve.”
Akuza e prokurorit ushtarak (megjithëse të gjithë të pandehurit ishin persona civilë!), është kjo:
- Janë vënë në shërbim të spiunazheve të huaja imperialiste.
- Janë bërë anëtarë të një organizate terroriste.
- Kanë propaganduar për të rrëzuar me dhunë pushtetin popullor dhe kanë hedhur parulla, pro shpërthimit të një lufte të re nga ana e imperialistëve”.
Kjo ishte një akuzë e përgjithshme dhe kolektive. Në shërbim të kujt spiunazhi ishin? Anëtarë të cilës organizatë terroriste? Marrëzia arrin kulmin: “Kanë hedhur parulla për shpërthimin e një lufte të re imperialiste”!?
Nuk ekziston asnjë proces-verbal i marrjes në pyetje të tyre, përveçse kësaj akuze në pesë rreshta, disa shënimeve të operativëve të Sigurimit Shtetit gjatë torturave ndaj të pandehurve, për të pranuar “pjesëmarrjen” e tyre në akte terrorizmi të munguara.
“Gjatë pyetjes të të arrestuarve nga ana e hetuesve të ngarkuar me këtë çështje, shumica e të cilëve ishin operativë të sigurimit, – dëshmon Rasim Dedja, drejtor i Drejtorisë së II-të Ministrisë së Brendshme që përgatiste listat e arrestimeve, – janë mbajtur shënime dhe nuk janë mbajtur proces-verbale të rregullta në pozitën e të pandehurit dhe hetuesit.
Gjatë asaj nate, njëri nga të arrestuarit, Jonuz Kaceli, kur po merrej në pyetje, është hedhur nga dritarja e një dhome të katit të dytë, duke rënë në tokë dhe ka gjetur vdekjen…”! (Dëshmi e tij, në vitin 1993)
Me gjithë këto shkelje ligjore e procedurale dhe të të drejtave të njeriut, prokurori ushtarak, që s’kishte në dorë asgjë nga sa kërkonte ligji, madje as dosjet hetimore, kërkoi të dënoheshin me pushkatim në bazë të nenit 12, paragrafi 2 i ligjit 373, datë 12.12.1946, mbi fajet e rënda penale kundër shtetit!
Një precedent i pashembullt në historinë e jurisprudencës botërore. Absurditeti bëhet më i madh, kur prokurori, siç e pohon edhe vetë, por siç vërtetojnë edhe dokumentet arkivore, nuk ishte prezent në gjyq! Mandej asnjë akuzë për incidentin në Ambasadën Sovjetike, për të cilin u arrestuan!
Po a u zhvillua gjyqi?
Në dosjet e Gjykatës së Lartë së Republikës së Shqipërisë, gjejmë vendimin nr. 64, datë 27.02.1951, me këtë përmbajtje:
“Gjykata e Lartë Ushtarake e përbërë nga:
Kryetar: N/kolonel – Shuaip Panariti;
anëtar: Kapiten I-rë – Vangjel Kocani;
anëtar: Kapiten Nonda Papuli;
anëtar dhe sekretar gjyqi: Hidai Bejo,
Pasi konstatoi se të 22 të pandehurit janë armiq të betuar të popullit e të pushtetit popullor, vendosi në bazë të ligjit 373, datë 11.12.1946, dënimin e tyre më vdekje, me pushkatim, humbjen e të drejtës civile të përhershme dhe konfiskimin e së luajtshme e të paluajtshme”.
Ky vendim është i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm menjëherë.
Firmosur nga kyetari, Shuaip Panariti dhe anëtari Vangjel Kocani.
Pa firmosur nga anëtari Nonda Papuli, pa firmosur nga sekretari i gjyqit, Hidaji Bejo.
Përse nuk kanë firmosur dy nga anëtarët e trupit gjykues?
Si e konstatoi gjykata që ata ishin armiq të betuar, kur nuk u mblodh për të bërë gjyqin? “Trupi gjykues”, nuk dispononte asnjë akuzë të veçantë për secilin, asnjë provë shkresore, asnjë dokument, asnjë dëshmi apo dëshmitar, asnjë ballafaqim etj. që të provonte fajin e tyre.
Mungoi pyetja e të pandehurve, mbrojtja dhe apelimi. Mungonin, gjithashtu, firmat e dy anëtarëve të gjyqit. Akt-akuza ngrihej vetëm mbi tri pika të përgjithshme dhe asgjë më shumë, ndërsa “vendimi” i gjykatës i datës 27.02.1951 si dhe një proces-verbal tjetër i datës 27.02.1951, në dy copa letre, ishin plotësuar shkel e shko pas ekzekutimit.
Ish-sekretari i gjyqit, Hydaji Bejo, dëshmon: “Nuk firmosa kur ma sollën vendimin se, nuk mora vesh gjë, u bë apo nuk u bë gjyq. S’mund të hidhja firmë. Pa qenë në gjykim. Po kështu bëri edhe Papuli. S’kishim si të bënim ndryshe.” (Dëshmi e vitit 1993).
Natyrisht që nënkolonel Shuaip Panariti, kreu i Gjykatës Ushtarake, siç dokumentohet edhe nga ky proces i falsifikuar, ka firmosur për një gjyq të pazhvilluar kurrë, dhe për një vendim të pa marrë kurrë në gjykatë, duke zbatuar vetëm vendimet e Partisë. Po kështu, edhe anëtari i Gjykatës së Lartë Ushtarake, Vangjel Kocani, i cili dëshmon:
“Pas ca ditësh të kësaj ngjarjeje, apo me kalimin e një jave, unë jam thirrur nga ish-kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake, Shuaip Panariti dhe më tha se; ti e di që është hedhur një bombë në Ambasadën Sovjetike, Sigurimi ka arrestuar dhe një pjesë nga të arrestuarit, 22 veta, janë pushkatuar pa u bërë gjyq. Prandaj duhet që të firmosim një vendim gjyqësor penal formal, pasi gjyq nuk mund të bëjmë, se Sigurimi i ka pushkatuar pa gjyq personat…!
Shuaipi më tha se; vendimi i Gjykatës është formal, nuk ka asnjë pasojë dhe duhet ta bëjmë këtë pasi është urdhër i udhëheqjes së shtetit e, në atë kohë ishte kryeministër Enver Hoxha. Shuaipi më tha: Ti Vangjel, mos u shqetëso, derisa vendimi është formal dhe neve në fakt nuk gjykojmë njeri. Më porositi që për këtë vendim penal fiktiv, duhet të mbyllësh gojën, të mos i thuhet asnjë njeriu se është sekret i madh shtetëror.
Pas kësaj, kemi shkuar me Shuaipin në zyrat e Ministrisë së Brendshme…! Shuaipi më paraqiti vendimin gjyqësor të daktilografuar dhe unë e kam firmosur. Kur ma dha vendimin për ta firmosur, Shuaipi nuk më ka treguar ndonjë dosje hetimore, nuk kam parë asnjë lloj materiali hetimor”. (Dëshmi e vitit 1993)
Për të mbuluar këtë krim shtetëror, meqenëse masakra bëri jehonë brenda dhe jashtë vendit, autorët hartuan shpejt e shpejt një projekt-ligj që lejonte dënimet, pa bërë gjykimin, të cilin nuk pranoi ta firmoste ministri i Drejtësisë, Manol Konomi, me argumentin se nuk ishte oportune një gjë e tillë. Atëherë, e kthyen në dekret dhe e firmosën presidenti Omer Nishani dhe sekretari Sami Baholli.
Ky dekret i zi, i paprecedent në tërë historinë e vjetër e të re të legjislacionit botëror, përligj dënimin dhe ekzekutimin pa respektuar procedurën ligjore, duke eliminuar gjithë etapat e saj si, gjykimin pa pyetjen të pandehurve, mbrojtjen, apelimin, praninë e prokurorit etj.
Mbi bazën e këtij “dekreti”, që mban datën fiktive, 26 shkurt 1951, u përpilua proces-verbali tjetër (dy proces-verbale të ndryshëm për të njëjtën çështje), mbi “vendimin” e Gjykatës së Lartë Ushtarake, për pushkatimin e 22 personave dhe që mban në krye datën 27.02.1951 dhe në brendësi të vendimit datën 25.22.1951, ku thuhet:
“Gjykata e Lartë Ushtarake, e përbërë po prej atij trupi gjykues, pa pjesëmarrjen e prokurorit dhe sipas ligjit të ri mbi gjykimin e akteve terroriste, e merr sot në shqyrtim gjykimin e çështjes, etj…!
Sekretari Kryetari
(Pa firmë) (Pa firmë)
Kundërthëniet janë të shumta dhe absurde: Dekreti mban datën 26 shkurt, pushkatimi u bë në mesnatën e 26 shkurtit, procesverbalet e “vendimeve” të pa firmosura të gjyqit të pazhvilluar, mbajnë datat 27 shkurt, kur ata ishin pushkatuar, madje edhe datën 25 shkurt, kur dekreti sipas të cilit ata u pushkatuan, kishte dalë një ditë më pas, më 26 shkurt!
Sido që të ishe dekreti, nuk mund të zbatohej pa u botuar në Fletoren Zyrtare, dhe jo më të zbatohej brenda ditës apo, një ditë më parë me prapaveprim! Provohet që dekreti, është dekretuar pas pushkatimit, meqenëse pushkatimet e burgimet u bënë pa gjyq dhe kjo, bëri bujë brenda e jashtë vendit. Duhej një “gjethe fiku”, për të mbuluar turpin.
Nuk kishte ndonjë urgjencë apo rrezik shtetëror, që të pushkatoheshin pa u gjykuar dhe në mesnatë, kur të pandehurit s’paraqisnin asnjë rrezikshmëri shtetërore, apo shoqërore, përveçse imagjinare, dhe s’kishin kryer apo as që mendonin të kryenin ndonjë akt terrorist.
Nxitimi lidhej me faktin që, të bëhej me dije menjëherë Ambasada Sovjetike, për këtë larje hesapesh dhe të njoftohej menjëherë, “shoku Stalin”.
“Do të ishte mirë që, ne si të Byrosë Politike, ku t’i tregonim sesi ka ndodhur kjo ngjarje, kjo fatkeqësi e madhe dhe t’i premtojmë e ta sigurojmë se, luftën kundër armiqve të jashtëm e të brendshëm, do ta vazhdojmë më me ashpërsi”.
Të gjithë anëtarët e Byrosë e aprovojnë edhe këtë propozim të dytë të Mehmet Shehut. (sipas proces-verbalit të mbledhjes)
A ishte terroriste Sabiha Kasimati?
E para vajzë shqiptare që mbaroi Liceun e Korçës, e para vajzë shqiptare që, kreu studimet universitare jashtë vendit, për Shkencat e Natyrës, e para femër shqiptare që punonte si shkencëtare, në Institutin e Shkencave. Akuzës për terrorizëm, ajo i përgjigjet para pushkatimit: “Unë nuk kam qenë kurrë e mendimit që me akt revolucionar, të arrihej në socializëm. Unë vetë nuk kam kryer ndonjë atentat dhe as që kam marrë pjesë në ndonjë mbledhje, ku është marrë vendim për akt terrorist…! Unë jam evolucioniste…”!
Edhe të tjerët, nacionalistë e demokratë, intelektualë e ushtarakë, të shkolluar në Perëndim, si: Pjerin Guraziu e Gjon Temali nga Shkodra, Zyhdi Herri, Jonuz Kaceli e Ali Qorraliu nga Tirana, Manush Peshkëpia, Reiz Selfo, Qemal Kasaruho dhe Petro Konomi, nga Gjirokastra, Thoma Katundi e Pandeli Nova nga Korça, Fadil Dizdari nga Kavaja, Hekuran Troka nga Kuçova, Niko Lezo nga Delvina, Anton Delhysa nga Prizreni, Tefik Shehu nga Gjakova, Myftar Jegeni, Gafurr Jegeni e Haki Kodra, nga Dibra e Madhe, Mehmet Shkupi nga Shkupi, Lluka Rashkoviç nga Mali i Zi, i pushkatuan në mesnatë në afërsi të Urës së Beshirit, të lidhur dorë përdore me tela me gjemba dhe i mbuluan në një gropë të përbashkët me dhé e shkurre.
Më vonë, kur vendi filloi të shpyllëzohej, një traktoristi që punonte në atë zonë, i ra të fikët kur pa që traktori nxori papritur një kufomë gruaje dhe po e zvarriste. Ishte trupi i patretur i martires, Sabiha Kasimati.
Po kush e hodhi “bombën” në Ambasadën Sovjetike? A u gjendën autorët dhe ç’u bë me ta?
Ata që e hodhën dinamitin në oborrin e ambasadës sovjetike, ishin Hysen Llulla dhe Qazim Laçi, të organizatës antikomuniste “Bashkimi Kombëtar”. Pjesëtarët e kësaj organizate, u arrestuan dhe u mbajtën në izolim të fshehtë për 8 muaj, ndërsa në “vend të tyre”, për terror u pushkatuan 22 viktimat e pafajshme dhe u burgosën e u internuan qindra të tjerë.
Gjykata e Lartë Ushtarake, më 9.10.1951, me dyer të mbyllura dënoi me vdekje: Qazim Laçin, Sejfulla Shimën, Rustem Thaçin, Zenel Rikën, Ali Voglin, ndërsa për Mark Zef Palin, Ramiz Voglin, Riza Shehun dhe Adem Kastratin, dënimi me vdekje, u kthye në burgim të përjetshëm.
Reshit Shima u vra në dhomën e torturave, Riza Pengili u pushkatua përpara derës së shtëpisë, ndërsa Hysen Llulla, kryetari i grupit, që hodhi dinamitin në oborrin e Ambasadës Sovjetike, u vra, kur desh t’i ikte arrestimit prej agjentit të Sigurimit të Shtetit, Besim Selita. Memorie.al