Nga Dodë Mëlyshi
– Dedikue Gjele Gjonës-të Bukurës s’Dheut…!-
Memorie.al / Vitin nuk mund ta them me ekzaktësi, por duhet të ketë qanë aty rreth 1865-ës afërsisht, ku në Mirditën e 12 Bajrakëve, i kishte dali nami nji vashe t’re si e “Bukura e Dheut”. Kjo ishte Gjele Gjonja, hiç ma pak se e bija e Kapidanit t’Mirditës. E nami i bukurisë së saj ka mbërrit deri më ditët tona, s’paku deri te brezi im. Bukuria e vajzave ndër kohëra, matej e krahasohej me atë të kësaj: “e bukur si Gjelë Gjonja” – thuhej, kur flitej për ndonji vajzë të re e, me pashi të veçantë. Kurrë Bjeshkët e Oroshit e Fushat e Lugje, si kishte shkel i krijesë ma e bukur. Pishat shekullore zgjateshin me pa mëngjeseve pranverore, hana strukej mbas malit t’Shejtit, me e sodit darkave verore. E mali i Shenjtit shejtnohej ma tepër. Ujëvarat mbanin frymën, bora zbardhej ma tepër, lulet baheshin ma erëmira, bilbilat këndonin ma fort; nan hapin e saj.
Djelmoshat mirditorë garonin në shenj me pushkë a, në kangë me çifteli, t’u andërru Princeshën e sa e meritonin!
Abatsia rinohej, thuhet se dita të shkonte mbarë me e pa i herë, viti mbarë, me e përshëndet i herë. Ma zanë se zana, ma hanë se, aq mrekulli ishte…!
Asht interesant fakti se, si kur në anët tona për mbiemrin e nji femre përdorej emri i prindit, ky automatikisht shndërrohej në gjininë femërore. Gjonja për Gjon, Lekja për Lekë, Markja për Mark e, kështu me radhë. Ndërsa i njajti mbiemër pas emrit të mashkullit, ruante gjininë mashkullor; Marka ‘Gjoni’ i vëllai i Gjelës-bie fjala.
E gjithsesi emri “Gjele”, asht emër shumë i bukur dhe engjullor, i njajtë me emrin, Angje, Angjelinë e Gjelinë dhe përbarës i emrit Margjelë, së bashku me emrat: Mara, Maria, Marta, Mrika e kështu me radhë.
Kemi emrat t’bukur na katolikt, ishin t’ ndaluem për arsye politike në kohën e diktaturës, e që nga ajo kohë, duhet me e pranue me pezm të madh mbartim kompleksin e “de-mode’së” e rrallë i përdorim edhe sot! Mëkat!
Në fakt ma para, e thërrasim fëmijën tonë “Mariangela” sesa “Margjelë”, “Marco” sesa “Mark”, “Paolo” sesa “Pal” etj.
Na ngushëllon së paku fakti që sot, nuk përdoren emrat të diktuem ‘mode’ në kohën e diktaturës, sikur bie fjala: Svetlana, Yllka, Sovjeta, Flamurka, Marenglensta, Molotovska etj. Nejse…!
I kthehemi historisë së mësipërme.
Gjele Gjonja-e bukura e dheut, duhet të ketë qanë andërr e çdo të riut asokohe, aq i madh ishte nami i saj. Në fakt kërkesat te dera e Kapedanit, thuhet se kanë qenë të shumta e të panumërta e i kapërcenin kufijtë e 12 Bajrakëve. Kush nuk dëshironte me u ba miq me Derën Princërore, aq ma tepër duke qanë në mes, një vajzë me aq namë?!
E, rrëfejnë se Kapedani, që ishte baba i vajzës, mbasi i shkoqiti të gjitha kërkesat me radhë, atyre ma t’përzgjerdhunve, u shënon nji datë në të cilën, do u jepte xhevap (përgjigje), për po ose, për jo.
Datën ua cakton të njajtën njëherësh.
Thuhet se në atë datë, mblidhen për darkë t’u Gjomarkajt, të gjithë miqtë pretendente, duhen të kenë qanë ma shumë se 20 apo 30 vetë.
Ndër to qe edhe Bardhok Dodë Mëlyshi, gjyshi i gjyshit tonë. E veçanta e Bardhok Dodës, ishte se ndryshe nga gjithë të tjerët, nuk pat shkues, djalë i ri, dorën e vajzës e kërkonte për vete.
Nuk ishte gja normale nëpër Mirditë që, vetë dhandri të bahej edhe shkues i vetvetes. Thyhej nji tabu. Duke ditë vetëm thelbin e ngjarjes e, duke mos pasë shumë hollsina, unë mund të flas me hamendje e deduksione (deduksionet nga momenti që janë të tilla, janë të modifikueshme nan dritën e fakteve të reja, apo arsyetimeve ma t’thella e t’qëndrueshme).
Për Bardhok Dodën, bahej fjalë për një martesë të dytë, nga momenti që gruaja e parë kishte ndërrue jetë…!
Në familjet tradicionale, kanë funksionue paralelisht rregullat e një kryefamiljari, me tipare t’prera, normalisht ma i vjetri i ‘Zjarmit’ (Fisit), që komandon e, jep devisa pa kundërshtime, paralelisht me rregullat e pinjollve të rinj që kërkojnë hapësirë, kode, doke, rite zakone e zhargone të reja. Në fund të fundit, brenda shpiave elitare, fermentoheshin ma s’shumti idetë, të pakta apo të shumta paçin qenë, edhe në kundërshti brezash.
Në mos aty, ku tjetër?!
Më kujtohet që në letrat e viteve ‘30-të, në letërkëmbimet që bantë im gjysh-ushtarak karrierë – nga Tirana apo Elbasani, ku ishte me detyrë, me gjyshen tone, fillonte përherë tekstin me: “E dashtun Bardhë”! Pikërisht atëhere, kur 99 % e mirditorëve jo vetëm që nuk i drejtohej grues së vet me “e dashtun” por, as me emër të përvetçëm, këto letra e kjo mënyrë të shprehuni, marrin një kuptim e randësi të veçantë.
Tipike e pinjolljve që i paraprijnë kohrave dhe përcaktojnë kodet e komunikimit, ashtu sikurse e kanë për detyrë. Dashtnia e respekti mes malsorit e malsores, nga e heshtun e padukshme e, nankuptueme, kalonte në e shprehun, e hapun dhe e deklarueme.
Nuk dihet pra pse Bardhok Doda, ishte shkues për vetveten, thjeshtë hamendësojmë, ndoshta ngaqë shpirti rebel i tij, e kishte kapërcy cakun e kufinit të caktuem, nga i Zoti i Shpisë, i cili për nji nuse të dytë, mendonte që duhej me prit me kalue edhe do kohë.
Për nji nuse të dytë po, por këtu bahej fjala për Gjelë Gjonën andrrën e gjithkujt, e në mendjen e të riut, koha s’premtonte shumë…!
E kështu por mos m’e e zgjatë, vijmë tek darka finale.
Gjon Marku, baba i vajzës, kishte vendos që për përzgjedhjen të kërkonte ndihmën s’bijës (edhe kjo nji gja e padegjuem deri n’atë kohë, i tabu tjetër që thyhej, në nji patriarkale). Ndaj para darket, kishte në një lidhje me miqtë, e porosit pikërisht të bijën, me i’u nxjerr ujë me la duert, ndërkohë që në kushte normale, do ishte nji nuse apo vashë tjetër e shpisë që, e kryente atë detyrë.
Porse me porosi të Kapedanit, ujti i duerve, s’do ishte thjeshtë i ngrohtë, por përvelues. E kështu ndodhi. Të gjithë miqtë që ishin ulun në pritje me darkue, e pranuen pa b’za ujtin e përvluem nëpër duer, duke mendue ma tepër në nji pakujdesi të vajzës së re, apo të granisë së shpisë, sesa në një rreng të Kapedanit. Deri sa i erdhi radha Bardhok Dodës, i cili pikërisht për moshën që kishte, gjendej gati në fund të sofrave.
“Kthehu mbrapsht e nakatose ujtin, se s’kam ardhë me përvlue duert t’u Kapedani, për ftyrën e bukur të nji vashe” – thuhet se ka reague instiktivisht Bardhok Doda. “Ftyrën e bukur”, po shkruaj unë, sepse rrëfehet që shprehja, të ketë qenë shumë ma banale dhe e ashpër!
Kapedani, ka qortue bijën e vet, a thue se ideja s’ishte e tija (koherent me rrengun) dhe e ka përcjellë me ftoh ujtin. E kështu ka vazhdu darka, e gjatë e miqësore.
Në fund të darkës, baba i vajzës, del në një dhomë e t’dvet t’bijën se, si mbas saj, kush ishte ma i përshtatshmi për mik!
“Ne u pytsha unë, veç ai Bardhok Dodë Mëlyshi, kishte me u ba burri jem, sepse jam e sigurt që s’pranon për kollaj me iu përvlue duert” – thuhet se asht përgjigj vajza.
Ashtu u tha, ashtu u ba!
Bardhok Doda e Gjelë Gjonja, janë mbajtë mend gjatë si, çifti ma i bukur i kohës. Patën nji djalë e katër vajza.
Ky, dikur i ri “rebel” (për trim e sigurt që ka qenë, sepse s’kishte mirditor që s’ishte i tillë asokohe), ma vonë do i vinte radha me provue edhe anën tjetër të medaljes -aty ku përgjegjësia, maturia e pjekuria, rrihej ma tepër e nuk nanvlefësohej ma-tu u ba trashëgues kryezot i Zjarrmit të vet, e njikohësiht flamurtar Bajraku…!
Një pinjoll bajraktari, që t’u thy nji tabu, bahet shkues i vetevetes me realizue andrrën që kishte çdo bashkëmoshatar i tij, nji princeshë e derës Princërore, baba i së cilës, thyen njikohësisht nji tabu e, i jep disi të drejtën me vetëvendos, e mes tyre nji ibrik ujti përvelues, që do përcaktojë fatin e të dyve,- nji histori poetike e piktoreske në Mirditën mitike e mistike, të para më shumë se i shekulli e gjysë.
Kjo histori, më sjell në mend e në mendje personazhe romanë nobelistash. Herë me kujtohet “Mehmet Imcaku” i J. Kemal, herë “Gjurmët e gjakut tend, mbi dëborë”, të Gabriel Garsia Markuez, herë personazhet e pafund të Isabell Allendes, herë autorët skocezë, herë heronjtë e samurajve të Sol-levantes. Tema të njëjta, me karaktere personazhesh të ngjashëm ani pse në kontekste të ndryshme kohore e gjeografike…!
(Kështu m’asht rrefy historia e Gjele Gjonës, e se si kjo, u ba grueja e Bardhok Dodë Mëlyshit, e kështu e përcolla. Kush din ma tepër asht i mirëpritun!) Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016