Nga Tefta Cami
Pjesa e parë
Memorie.al / Haxhi Lleshi, ish-ministri i Punëve të Brendëshme në periudhën 1944-1946 dhe Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë nga viti 1954 deri në 1982-in, duke filluar që nga periudha e Luftës, e deri sa ishte gjallë, pra për më shumë se gjysëm shekulli, e ka sulmuar dhe denigruar vazhdimisht Ahmet Camin, fisin tim Cami dhe mua personalisht, me të gjitha mënyrat dhe me çfarë ka pasur mundësi.
Pas ndërrimit të sistemit, d.m.th., pas viteve ’90-të, nuk mendoja të merrem me Haxhiun, sepse problemi tashmë i përkiste të kaluarës. Por ai, ka lënë të shkruara shumë gjëra dhe mua më është dashur të bëj një botim me shpjegimet e nevojshme, që e kam depozituar në Bibliotekën e Arkivit Qendror të Shtetit në Tiranë. Nuk dëshiroja ta publikoja, për hir të fëmijëve të tij, që ata të mos mbajnë barrën e të atit por, u detyrova të përgjigjem me këtë shkrim, pas publikimit të një dokumenti arkivor në media, ku ishte zbardhur biseda e Haxhi Lleshit, me historianin e njohur, Prof. Kristo Frashëri, e zhvilluar midis tyre më 16 korrik 1982.
Kjo pasi, në një pjesë të madhe të asaj bisede, Haxhi Lleshi, ka atakuar, sulmuar, denigruar dhe shpifur babanë tim, Ahmet Cami (‘Dëshmor i Atdheut’), fisin Cami dhe mua personalisht. Po kështu në atë bisedë, Haxhi Lleshi ka manipuluar dhe falsifikuar, jo vetëm historinë dhe të kaluarën e fisit Lleshi, familjes së tij dhe të vetën personale, por edhe të gjithë historikun e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Qarkut të Dibrës, madje edhe më gjerë, të Veriut të Shqipërisë.
Nisur nga këto, e pashë të arsyeshme që në këtë shkrim, unë të jap me fakte, argumente dhe dokumente arkivore, historinë e fisit Cami, babait tim Ahmet Cami dhe familjes sonë, si dhe timen personalisht, gjithnjë, vetëm mbi ato dhe duke i’u përgjigjur akuzave të Haxhi Lleshit, si dhe shtrembërimeve e falsifikimeve që ai ka bërë prej vitesh ndaj fisit Cami. Lexuesi le të gjykojë vetë.
Si e ka përvetësuar Haxhi Lleshi luftën e Ahmet Camit?
- Haxhi Lleshi i ka përvetësuar luftën Ahmet Camit. Në vitin 1944, sipas librit të tij (Haxhiut), i ka raportuar Enver Hoxhës aksionet e çetës së Ahmetit, si të çetës së tij. Aksionet janë bërë, njeri në fund të marsit 1941 dhe tjetri me 2 prill 1941. Ndërsa Haxhi Lleshi, ka ardhur në Shqipëri më 7 prill 1941 me forca serbe, për të penguar sulmin e forcave fashiste italiane ndaj Jugosllavisë.
Në ditarin e tij, Ahmet Cami ka shkruar se; Haxhi Lleshin po e takonte për herë të parë, kur i ka shkuar në shtëpi në 7 prill 1941 dhe se ata të dy ishin të korenteve të ndryshme politike. Ndërsa Haxhiu, shkruan se e ka takuar Ahmetin që më 1939-ën dhe se i ka thënë: mos u dorëzo, ndërsa sipas Haxhiut, Ahmeti i paska thënë….! Të gjitha këto janë gënjeshtra dhe mashtrime pa fund.
Lidhur me përvetësimin e luftës prej Haxhi Lleshit, si p.sh., në rastin e dy aksioneve të çetës së Ahmet Camit në vitin 1941, kur ai (Haxhiu) i raporton Enver Hoxhës në vitin 1944, duke i’a paraqitur ato si aksione të çetës së tij, Enveri i thotë: “Çeta jote paska qenë para çetës së Pezës. Pse nuk është shkruar, për mosnjohje, apo për zili”?
Si pasojë e atyre dy aksioneve të kryera nga çeta e Ahmet Camit, më 5 prill 1941, italianët futën për pushkatim 8 veta (7 nga fisi Cami), ku u vranë tre vetë, ndërsa të tjerët mundën që të largoheshin duke përfituar nga errësira e natës dhe nga që ishin të palidhur.
Haxhi Lleshi gjithashtu, ka mohuar pjesëmarrjen e çetës së Ahmet Camit në krijimin e Batalionit partizan të Dibrës, ku në fakt, Ahmeti e organizoi krijimin e Batalionit, si dhe pjesëmarrjen në çlirimin e Zerqanit, më 3 gusht 1943.
Në takimin e Ahmetit me Haxhiun më 7 prill 1941, Ahmet ii ka thënë: “Hasmi i vjetër, nuk bëhet mik. Parndaj nuk bashkëpunoj me ju dhe do të luftoj më vete”. Bëhet fjalë për forcat serbe që komandonte Haxhiu.
- Haxhi Lleshi, i’a ka mohuar veprimtarinë Ahmet Camit. Megjithëse ishin kushërinj, ai e ka etiketuar me epitete të ndryshme, për ta njollosur Ahmetin e familjen dhe gjithë fisin Cami, duke i quajtur tradhtar. Materialet e akuzave të pafund e të paimagjinueshme, gjenden në fondin e tij në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë.
Në bisedën e Haxhi Lleshit me historianin Kristo Frashëri, ka disa akuza dhe shpifje, pasi ka edhe shumë të tjera në fondin arkivor të tij (Haxhiut).
- Nga raporti drejtuar Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, dërguar nga komisari “Bata”, Niazi Islami dhe përgjegjësi i Forumit, Sotir Vullkani, Dibër, 24.X.1943, shkruhet se: “Çetën serbo-malazeze, e kanë ndarë në njësite pranë çdo çete të Dibrës”.
Por sipas pohimeve të Sulejman Bahollit, (ish-sekretar i parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Dibrës), në vitin 1944 në Miresh, del se çeta serbo-malazeze, ka qenë vendosur në krah të çetës së Gollobordës dhe luftë është bërë midis tyre.
- Haxhi Lleshi është plagosur në tule nga roja i Urës së Topojanit, sepse ka kaluar natën me 2-3 vetë dhe jo në luftime. Ndërsa syrin, Haxhiu e ka pas dëmtuar nga shqelmi i një kali.
- Në kujtimet e tij, Haxhi Lleshi manipulon, përvetëson e shtrembëruar ngjarje e fakte pa fund: Ai thotë se ka ardhur në Shqipëri me 300 dibranë. Në fakt, ata kanë qenë serbë të gjithë. Dibranë, ishin vetëm dy nipërit tonë e kushërinjtë e tij, Lutfi Lleshi e Ymer Lleshi, që ishin me Haxhiun.
Haxhi shkruan se: “Në luftime, fituam ndaj italianëve”! Në fakt, u mundën dhe forcat e motorizuara italiane, arritën deri në Shkup, të nesërmen e 8 prillit 1941, kjo gjë vërtetohet edhe sipas ditarit të Ahmet Camit. Në ditarin e Ahmetit, përshkruhen automjetet ushtarake me robër serb, që po i dërgonin për në Shupenzë dhe trajtimi i tyre, u bë jo sipas ligjeve ndërkombëtare për robërit e luftës.
Haxhiu shkruan se: i ka përkthyer Ejup Cami në takimin që ai (Haxhi Lleshi), paska bërë me shtabin e batalionit të Divizionit italian “Firencia”, më 8 prill 1941. Në fakt, Haxhiu nuk ka bërë asnjë takim, sepse u mundën. Ejup Cami, ishte pushkatuar me 5 prill 1941, d.m.th., nuk jetonte dhe i vdekur nuk mund t’i përkthente Haxhiut! Në ditarin e Ahmetit, shënohet: “Erdhi Lut Lleshi në mëngjesin e 8 prillit e më tha: Haxhiu (Lleshi) me Ymerin, (Lleshi) janë nisur për në Pogradec”.
Po kështu, Haxhi Lleshi, nuk ka marrë pjesë në varrimin e Faslli Camit, sepse ishte nisur për në Pogradec. Familja, sapo e ka varrosur, është larguar, sepse italianët e kërkonin Ahmetin, për ta burgosur, siç i burgosën njeri pas tjetrit deri me 27 prill 1941, 19 burra e djem të fisit Cami, me Ahmet Camin në krye si organizator.
Haxhiu shkruan, se: ka qenë i pranishëm në varrim dhe se është shtruar drekë, e të tjera. Në fakt, ai (Haxhiu) dhe çeta e tij, nuk janë njohur gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në zonën e Gollobordës, por aty është njohur vetëm çeta antifashiste dhe më vonë partizane e Gollobordës, si dhe Ahmet Cami, si komandant i saj.
- Në atë kohë në zonën e Gollobordës, ka pas qarkulluar një grup hajdutësh, që janë paraqitur si të çetës partizane të Gollobordës, që janë kapur dhe kryetari i saj, është pushkatuar pas çlirimit të vendit.
- Ahmet Cami është cilësuar si nacionalist nga Vukmanoviç Tempo, Jankoviç dhe Koli Shefski. Konflikti me Tempon në Dibër të Madhe ka qenë me Ahmetin dhe jo me Haxhi Lleshin, siç është publikuar. Nisur nga ky fakt, prandaj edhe është vrarë Ahmeti nga një çetë serbo-malazeze, e cila është vënë në krah të çetës së Ahmetit, në luftën e Peshkopisë, e zhvilluar më 20 tetor të vitit 1943 dhe në atë beteje, të vrarë e të plagosur, ka pasur vetëm nga çeta e Ahmet Camit.
- Deri në vitin 1948, familja e Ahmet Camit, ka qenë pa triska fronti, megjithëse kishim në tri breza, disa ‘Dëshmorë të Atdheut’ të rënë në luftime, si gjyshi e stërgjyshi ynë gjatë Luftës së Parë Botërore e, babai e xhaxhai im, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kjo gjë, pra fakti se familja Cami deri në vitin 1948, ishte pa triska fronti, (siç ishin familjet kulakë dhe ato që konsideroheshin si armiq të popullit), kishte ardhur pas një urdhri të Koçi Xoxes, që gjithë familjet anti-sllave të goditeshin dhe të persekutoheshin.
Kur Haxhi Lleshi ishte ministër i Punëve të Brendshme (në vitet 1944-1946) ai ka futur në burg xhaxhanë tim, duke e akuzuar për armë mbajtje pa leje, (për pushkën e Ahmetit) por u desh ndërhyrja deri tek prokurori i Përgjithshëm i asaj kohe, Bedri Spahiu, (që e kishte njohur shumë mirë Ahmetin), i cili e liroi menjëherë xhaxhain nga burgu.
Vetëm pas vitit 1948, ne u trajtuam si familje Dëshmori. Këtë gjendje, (pra këto anomali), unë e gjeta në Dibër në vitin 1970, (kur u emërova sekretare e dytë e Komitetit të Partisë së rrethit), ku afro 80 % e atyre familjeve që ishin shpallur si kulake dhe nuk kishin triska fronti, në të vërtetë ishin familje patriote.
Në periudhën 1944-1946, kur ishte Haxhi Lleshi ministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ne na u sekuestrua edhe biblioteka e babait, Ahmetit. Nga ajo kohë na ka mbetur romani “Konti i Monte Kristos” (në frëngjisht), një libër xhepi frëngjisht për iluministët francez dhe një fjalor Italisht-Shqip. Dyshoj se bashkë me bibliotekën, na është marrë edhe ditari i luftës të Ahmet Camit, që ne si familje nuk e kemi gjetur dot më pas.
Sa më sipër kam shkruar, ishin arsyet, që unë shkova në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë dhe studiova fondin personal të Haxhi Lleshit në kërkim të ditarit të luftës të babait tim, Ahmet Cami. Paska edhe drejtësi hyjnore, pasi pothuajse i gjithë fondi i tij, ka materiale, për të evidentuar veten e tij dhe familjen e babain e tij, (Halit Lleshi), i cili siç dihet, ka qenë nënkolonel i Beogradit dhe si esadist (pjesëtarë i forcave të Esat Pashë Toptanit), ka udhëhequr forcat pushtuese serbe kundër Shqipërisë.
Por gjithashtu, Haxhi Lleshi, është marrë edhe me shpifje ndaj Ahmet Camit e familjes së tij dhe gjithë Camëve, si dhe personalisht ndaj meje. Haxhiu ka organizuar marrje deklaratash e letra anonime apo dhe me emra, intervista të sajuara etj., me të njëjtat shpifje e akuza etj., të cilat i dërgoheshin Komitetit Qendror të PPSh-së dhe personalisht Enver Hoxhës.
Në të gjitha letrat, Enver Hoxha ka shënuar: “Dihet burimi”. Të gjitha shpifjet e akuzat ndaj fisit Cami dhe ndaj meje personalisht, janë të përmbledhura në takimin midis Haxhi Lleshit e prof. Kristo Frashërit (për hartimin e historikut të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit të Dibrës), të mbajtur në zyrën e Haxhi Lleshit në Presidiumin e Kuvendit Popullor, më 16 korrik 1982.
- Në takimin e fundit, që kam patur me prof. Kristo Frashërin, (disa kohë përpara se ai të ndërronte jetë), më ka pyetur: “Pse Haxhi Lleshi mbante atë qëndrim armiqësor e mohues ndaj Ahmet Camit?
I jam përgjigjur prof. Kristos, duke i thënë, se: “Unë s’arrita ta njoh babain tim, por mesa kam lexuar në ditarin e tij, Ahmeti s’ka pranuar ta mbështesë e bashkëpunojë me Haxhiun, kur ai ka ardhur me forca jugosllave më 7 prill 1941”.
Profesori më tha: “Nuk e shkrova historinë e LANÇ-it (Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare), të popullit të Dibrës, vetëm prej tij. Ai më ka hequr, se kam qenë partizan në Dibër, nga që nuk zbatova orientimet e tij dhe nuk figuroj në asnjë formacion si partizan”!
Kur e kam takuar fillimisht profesor Kristo Frashërin, nuk isha njohur me fondin e Haxhi Lleshit dhe me materialin e takimit e bisedën e Haxhi Lleshit me prof. Kriston. Nuk e kisha lexuar gjithashtu as librin e profesorit për Dibrën, që e ka nxjerrë Halit Lleshin, nga esadist e udhëheqës i forcave pushtuese serbe në Dibër, në anti esadistë e bashkëluftëtar të Elez Isufit e të Camëve. Me siguri, ai e ka shkruar nën presionin e ish-Presidentit.
Është ironi, që të atin e Haxhi Lleshit e kanë shpallur “Dëshmorë të Atdheut” dhe eshtrat e Halit Lleshit, prehen në Varrezat e Dëshmorëve në Peshkopi. Ndërsa eshtrat e gjyshit tim, Feta Cami, që është quajtur: “Legjenda e Luftës së Parë Botërore në atë krahinë”, nuk ka varr, sepse e ç’varrosën serbët dhe e fotografuan, për t’ja çuar Pashiqit si dëshmi, që e kanë vrarë.
Camët, që Haxhiu i quan armiq, kanë qenë luftëtarë për mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe armiq të pushtuesve të huaj serbo-bullgarë dhe nazifashist. Janë tri breza Dëshmorë të Atdheut. (Shpallën “Dëshmorë të Atdheut” Fetah Shaban Cami dhe Shaban Mahmut Cami, me vendim të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Dibrës, Nr.72, më 23.6.1978)
Shpallen “Dëshmorë të Atdheut” Ahmet Fetah Cami dhe Faslli Fetah Cami, me vendim të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Dibrës Nr.50, më 30.6.1972. Lista e “Dëshmorëve të Atdheut” të rrethit Dibër – (Fondi Nr.489, Viti 1984, Dosja 192, fl. 26-43)
- Në vitin e fundit të shkollës së mesme Pedagogjike në Peshkopi, kam qenë sekretare rinie për të gjithë shkollën pedagogjike me 400 nxënës.
Me vendim të Byrosë së Komitetit Partisë të rrethit të Dibrës Nr. 22, datë 13.4.1959, vendosi për të vazhduar studimet e larta jashtë shtetit Tefta Cami dhe Fanije Hoxha nga maturantët e shkollës pedagogjike. (A.Q. Dibër, Fondi Nr.87, Dosja Nr.57, Viti 1959, fl.1)
Me vendim të Byrosë së Komitetit të Partisë të rrethit të Dibrës Nr.23, datë 13.4.1959, vendosi që Tefta Cami dhe Fanije Hoxha të pranohen kandidate partie.(A.Q. Dibër, Fondi Nr.87, Dosja Nr. 57, Viti 1959, fl.11).
- Para viteve ’70-të, d.m.th., kur unë nuk kisha asnjë përgjegjësi, Ahmet Cami është propozuar dy herë nga Byroja e Partisë së rrethit të Dibrës, për t’ju akorduar titulli “Hero i Popullit”, por nuk i’a patën dhënë, se jugosllavët dhe Haxhi Lleshi, e patën cilësuar Ahmetin, si nacionalist!
Siç duket, segmente të Haxhi Lleshit veprojnë akoma. Ahmet Cami është propozuar para katër vitesh nga OVBSH me kryetar gjeneral Rrahman Parllakun, si dhe nga Këshilli Bashkiak i Bulqizës, për t’u shpallur “Nderi i Kombit”, sepse rezulton se çeta e tij, ka qenë çeta e parë antifashiste në Shqipëri.
Por, pasi ia zhdukën tre herë dokumentet që ndodheshin në Presidencë, ish-Presidenti Ilir Meta, i dha “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, (me një dedikim të përgjithshëm, që mund t’u jepej të gjithëve), që s’kishte të bënte me personalitetin e kontributin e Ahmet Camit.
Nga thëniet e Haxhi Lleshit, se është pyetur ai dhe se ai më paska çuar për të vazhduar studimet në universitet, del se ai më paska hequr, për të mos vazhduar studimet jashtë shtetit. Jam kthyer nga Durrësi, me që do të niseshim me anije për në Bashkimin Sovjetik. Përfaqësuesi i Ministrisë së Arsim – Kulturës, tha se: kujt nuk i doli emri, të vijë në Ministri.
Dhe ashtu bëmë me Fanije Hoxhën, ku muarrëm përgjigje për të vazhduar studimet në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në degën Gjuhë-Letërsi shqipe.
Por për çdo tre muaj, gjatë vitit të parë, mua dhe vajzës së xhajës tim, (Sabireja dhe babai i saj ishte “Dëshmorë i Atdheut”), na pritej bursa. Shkuam deri tek sekretari i Enver Hoxhës dhe ai na priti. Kur po përsëritej ky fenomen, vëllai im Moisi, na nxori pensionin si fëmijë Dëshmori dhe u qetësuam.
Me sa del, Haxhi Lleshi, ka pas ‘karta-biankën’ nga Komiteti Qendror i PPSH-ës, për t’u pyetur për gjithçka për Dibrën, deri edhe për nxënësit e studentët, që do të vazhdonin shkollat.
Unë kam qenë mësuese e dalluar dhe e vlerësuar nga ekipet e kontrollit të Ministrisë së Arsim-Kulturës dhe gjithashtu isha kryetare e komisionit të lëndës Gjuhë-Letërsi për gjithë mësuesit e rrethit, të asaj lënde. Klasa ime kishte marrë iniciativën e kalueshmërisë 100 % dhe në lëndën time ku jepja mësim, të gjithë nxënësit kishin kalueshmëri 100 %.
Për klasat e mësuesit me kalueshmëri 100% është bërë edhe një dokumentar në vitin 1966, nga regjisorja e njohur, Xhanfize Keko, në Kinostudion “Shqipëria e Re”.
Me siguri dokumentari ndodhet në Arkivin e ish-Kinostudios. Sipas atyre rezultateve u bëra zv/drejtoreshë e drejtoreshë gjimnazi, redaktore e zv/kryeredaktore në gazetën “Ushtima e Maleve” të rrethit të Dibrës, përgjegjëse e organizatës së Gruas, sekretare e dytë e Komitetit të Partisë të rrethit, sekretare e parë në rajonin Nr.1 në Tiranë, ministre e Arsimit e Kulturës, për 11 vjet dhe në fund, drejtoreshë e Shkollës së Lartë të Partisë, “Vladimir Iliç Lenin” në Tiranë, ku jepja lëndën e Filozofisë, meqë isha specializuar për atë lëndë.
Haxhi Lleshi, më ka parë vazhdimisht me urrejtje. Me 20 korrik të vitit 1973, erdhi në mbledhjen e Byrosë së Partisë të rrethit të Dibrës e, më analizuan befasisht dhe më përjashtuan nga partia, bashkë me Hekuran Isain, që ishte sekretar i parë i Komitetit Partisë në Dibër, me motivacion: për biografi të keqe dhe akuza të tjera, të cilat ndodhen në fondin e Arkivit në Dibër dhe në A.Q.SH. në Fondin e K.Q. të PPSH-së.
Në vitin 1971, Haxhi Lleshi më pat kërcënuar, duke më thënë se: “do të ta nxijë biografinë e babait tënd e tënden”, (d.m.th., timen). Nuk e konceptoja dot, se u bëhej biografia e keqe edhe të rënëve në Luftë, që sakrifikuan jetën e derdhën gjakun.
Haxhi Lleshi dhe nënkryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Shefqet Peçi, kanë votuar kundër emërimit tim si ministre e Arsimit dhe Kulturës, kjo vërtetohet sipas fondit të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, në vitin 1976.
Në kuadrin e betimit që kishte bërë, (pra, për të më nxirë mua biografinë), në vitin 1973, Haxhi Lleshi erdhi në rrethin e Dibrës dhe kur foli në mitingun e Gjoricës, ku tha se: “Gjithë Camët janë tradhtarë”, një nga pjesëmarrësit tha: “Hajdeni burra të ikim, se qenka bullanejs Presidenti”, dhe në atë moment, një pjesë e madhe e pjesëmarrësve në miting, u larguan, gjë e cila ra shumë në sy për keq.
Nisur nga kjo, të nesërmen në mitingun e Zerqanit, shoku Haxhi, foli vetëm për Ahmet Camin, si bashkëluftëtar i tij dhe si hero. I vëllai i Haxhiut, Gani Lleshi, (që ishte një njeri i mirë), pas mitingut të festës së Zerqanit, më tha: “Tefta! Ky….e kishte prish me ty në Peshkopi dhe Gjoricë. Sot e rregulloj dhe ta mbyllim me kaq”. Unë i thashë: “Ja kam dhënë dje në Gjoricë përgjigjen Presidentit, daja Gani”.
Më 5 maj 1973, Haxhi Lleshi shkoi për vizitë tek motra ime e madhe që jetonte në Tiranë. Aty ndodhej edhe nëna ime, pasi i kishte ndërruar jetë e vjehrra. Dhe kur Haxhiu e pyeti nënën tonë, se; e kujt je bijë dhe mbesë në Dibër, ajo iu përgjigj: “Jam e bija e Selim Kamberit, që e kanë therë me bajoneta serbët, bashkë me dy mixhallarë dhe një hyzmeqarë dhe shoqja e Ahmet Camit që ka derdh gjak. Serbët i udhëhiqte baba jot. Bane ç’banë me Ahmetin, por mos guxo t’më prekësh fëmijët e mi”! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016