Nga Pirro Dollani
Memorie.al / Ditën e kremtimit të Ritit të Lumnimit e të Naltimit në Altar të 38 martirëve, që u zhvillua më 5 nëntor të vitit 2016, me rastin e vizitës së Papa Françeskut në Tiranë, (ku midis tyre ishte dhe emri i Imzot, Prof. Jul Bonatti), së bashku me popullin mbarë, do të ishin aty edhe klerikë nga të gjitha religjonet fetare, si edhe politikanë e pushtetarë, etj. S’ka dyshim që në mesin e tyre, atë ditë, ka pasur edhe disa prej “kryqëzuesëve” të këtyre martirëve, ata që duke i torturuar e duke i pushkatuar, talleshin me ta, duke u thënë: “Hë, ku është Zoti yt”?! Këta xhelatë ende janë gjallë, por kanë ndërruar lëkurë e kanë veshur petkun e njeriut demokrat. Jo pak njerëz do të donin që ndaj tyre të kishte një hakmarrje, ashtu siç e meritojnë. Por, për krishterët e vërtetë katolikë, hakmarrja është e papranueshme. Siç shprehej, Imzot Massafra: “Ne urojmë që ata të jenë të pranishëm në Festën e 5 Nëntorit. Që të binden plotësisht se Zoti ishte aty, në qelitë e qelbura e para plotoneve të ekzekutimit…”! …Edhe më 5 nëntor 2016, Zoti do të ishte aty!”
Kush ishte Imzot Prof. Jul Bonati?
Jul Bonati lindi në Shkodër më 24 maj 1874, në një familje me tradita të shquara patriotike. Gjyshi i tij, Nikollë Bonati, ishte një nga themeluesit e Shoqërisë së “Shkronjave të Stambollit”. Imzot Jul Bonati, studioi në Kolegjin Saverian të Jezuitëve në Shkodër dhe më pas ai është diplomuar në Filozofi dhe Letërsi në Vjenë, Austri dhe në Padova, Itali. Në vitin 1912, ai dorëzohet prift dioqezën dhe vendoset në Stamboll, për të shërbyer në detyrën e famullitarit të katolikëve shqiptarë që ndodheshin atje.
Bonati shërbeu për 16 vjet në Stamboll, ku mori pjesë aktive në lëvizjen kombëtare shqiptare. Nga viti 1920, deri në 1924-ën, ishte anëtar i Klubit “Pragu shqiptar”, që kryesohej nga Jonuz Bej Kolonja dhe Anastas Frashëri. Prej viteve 1942 -1945, ka jetuar në Itali, ku ka vazhduar punën shkencore e letrare deri në fund të vitit 1945, kur kthehet në Shqipëri.
Kthimi në Shqipëri në ‘45-ën dhe arrestimi nga Sigurimi i Shtetit
Në vitin 1946, kur ishte në moshën 72 vjeçare, arrestohet nga Sigurimi i Shtetit, dhe me vendimin nr. 429 datë 31.10.1947 të Gjykatës Ushtarake, është deklaruar fajtor për krimin: Agjent i Vatikanit dhe dënohet me 7 vjet heqje lirie. Në hetuesi, Imzot Prof. Jul Bonati, pohon se: “Në vitin 1945 jemi mbledhë në Romë, në takim me Papa Piu XII. Prej aty më kanë sjellë anglezët me avion në Shqipni”. Vdes i masakruar në spitalin e burgut më 5 nëntor 1951. Sipas Prof. Dr. Ajet Shahu, “Imzot Jul Bonati u gjet në një dhomë copa-copa, i shkryem nga të sëmurët e “pavetëdijshëm”. Kështu barbarisht, do të mbyllte jetën filozofi, humanisti, studiuesi, përkthyesi e prifti, Jul Bonati.
Grimca kujtimesh të rrëfyera nga familjarët dhe të afërm të tij
Edhe pse nën regjimin komunist ishte shumë e vështirë të flisje e të përkujtoje të afërmit e tu që pushteti i quante Armiq të Popullit, përsëri njerëzit përpiqeshin të mbanin gjallë emrin dhe kujtimin e tyre.
Aleksandër Bonati, nipi i Imzot Jul Bonatit e që trashëgon emrin e babait të Jul Bonatit, tregon: “Nana jonë ishte shumë e guximshme dhe na merrte ne fëmijëve për të parë axhën në burg. Babai, gjithnjë i thoshte të mos shkonte se, do të na ndodhte ndonjë gjë e keqe. Por nana, i përgjigjej: ‘Mos u shqetëso mor Jerom, se marrim bekimin e Julit.’ Në shtëpi, prindërit flisnin për Imzot Jul Bonatin, por me rezerva, se rrethanat ishin shumë të këqija dhe frika ishte se ne fëmijët, pa dashje mund të flisnim jashtë dhe pasojat do të ishin drastike.
Për herë të pare, kam folur jashtë shtëpisë për të, shumë vite më vonë, kur punoja mësues. Një koleg, më i vjetër se unë, Prof. Burhan Hoti, më merr një ditë veçan, larg njerëzve dhe mureve të shkollës, e në një cep të oborrit, më thotë: ‘Dua të them diçka. Duhet të dish se, nga të dy prindërit tuaj, jeni një familje shumë atdhetare. Axha i babait tuaj, Jul Bonati, ka qenë një personalitet e patriot i madh, pavarësisht nga disfatat e jetës.
Ai ishte ndihmësi i zotit Luigj Bumçi, kryetarit të delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes e, i ngarkuar nga dërgata e shqiptarëve të Stambollit, shkon në Paris së bashku me 50 mijë firma, ku kërkohej që Korça dhe Gjirokastra, të mos i jepeshin Greqisë.’ Kjo ka qenë hera e parë në jetën time, ku më është folur hapur për figurën e Imzot Jul Bonatit.
Po kështu, nipi tjetër, zoti Anton Bonati, kujton: “Mbaj mend që nëna, Esther Bonati, na mori ne fëmijët, për të shkuar në spitalin e burgut, për t’u takuar me Imzot Jul Bonatin, se siç na tha, të nesërmen do ta nxirrnin. Sa e takuam, i tha nanës: ‘Mirë që më kanë fut në burg padrejtësisht, po pse m’i kanë dërrmu gjunjët, duke më qëllue me objekte hekuri? Jam shumë i preokupum se, nuk do të jem në gjendje me qindrue në kamb’ për me zhvillue meshën, kur të dal nga burgu’!
Mbaj mend nanën që i tha: ‘Mos u shqetso Jul, me bastun ta japësh meshën, me bastun’! Ai heshti një çast, fytyra i çeli dhe tha: ‘Ah, s’më kishte shkue n’mend’! Kishte ruajtur racionin e marmelatës që i jepnin për mëngjes dhe na i dha ne fëmijëve. Të nesërmen, pritëm që të dilte nga burgu, por na njoftuan se kishte vdekur. Një vdekje e papritur. Nga prindërit dëgjuam se disa “të sëmurë” të tjerë, e kishin rrahur, copëtuar.
Në heshtje durrsakët e vuajtën vdekjen e tij. Paçka se në varrimin të tij ishin vetëm pjesëtarët e familjes, (3-4 veta gjithsej), pasi njerëzit ishin të frikësuar nga terrori komunist. Qyteti i Durrësit historikisht ka qenë i njohur për harmoninë ndërfetare midis myslimanëve, ortodoksëve dhe katolikëve. Padyshim për këtë harmoni kanë kontribuar klerikët e shquar: Mustafa Varoshi, Erazmi Jorgo, Vinçenc Prendushi e Jul Bonati të cilët, dilnin shëtitjet bashkërisht nëpër rrugët e qytetit.
Gazetari Gëzim Kabashi, mban mend një bisedë me zotin Ilia Jorgo, djalin e At Erazmi Jorgos, që i tregonte se, babai i tij, shoqërohej shpesh me Myftiun e Durrësit, Mustafa Varoshin dhe Imzot Jul Bonatin. Një traditë e mrekullueshme që Imzot Jul Bonati, kishte dhënë edhe ai ndihmesën e tij e që duhet të përtërihet në kohën tonë.
Veprimtaria Jul Bonatit, si përkthyes dhe me studime shkencore
Imzot Jul Bonati, është marrë shumë edhe me studime shkencore e përkthime. Aleksandër Bonati, tregon sesi një kushëri i tij dhe gjithashtu i Imzot Jul Bonatit, zoti Mario Kolenda, me banim në Brazil, kishte marrë një letër nga Imzot Bonati, ku i shkruante se gjatë 16 vjetëve të qëndrimit të tij në Stamboll, kishte kërku në arshivat e atjeshme dhe kishte mbledh shumë materiale me vlerë për vendin tonë.
Po kështu, gjatë periudhës që kishte qenë i sëmurë në Firencë, ai kishte mbaruar përkthimin në italisht, të veprës madhore “Lahuta e Malcis” të Padër Gjergj Fishtës dhe sapo kishte nisur punën me përkthye “Kanunin” e Lekë Dukagjinit. Papa Piu X-të, i pati thënë Imzot Jak Serreqit: “Jeni të lum që keni martir si Imzot Bonati, që ka përthye Lahutën e Malcis” n’italisht”!
Po këtë pohim e bën edhe Prof. Arshi Pipa. “Një ditë sollën në qelinë tonë, Imzot Jul Bonatin, famullitarin e Vlorës. E sillshin për ta strehue në azilin e të çmendunve në Durrës. E kisha njoftë që kur kisha kenë student në Firenze. Ai përpiqej asokohe, me shtypë përkthimin e vet të “Lahutës Malcisë”!
Kjo anë e krijimtarisë së Imzot Bonatit, pati të njëjtin fat tragjik që pati edhe një pjesë e madhe e krijimtarisë së Zef Serembes.
Nga tërë përkthimi i “Lahutës së Malcis”, prej Imzot Jul Bonatit, na ka mbetur vetëm Kënga e Pestë, ndërsa nga “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, nuk dimë asgjë. Sipas zotit Aleksandër Bonati, një kushëri i tij dhe i Imzot Jul Bonati, zoti Mario Kolenda, që gjatë vitit 1945 ka pasur banuar në Bari, e ka ndihmuar Imzot Jul Bonatin, duke çuar vetë tre kutia plot me studime e shkrime të Imzot Bonatit, te Misioni Shqiptar i UNRRA-s në Bari, me qëllim që t’i dërgonin në Durrës.
Letra e z. Mario Kolenda nga Italia, për Imzot Jul Bonatin
Zoti Mario Kolenda, kishte edhe një letër që Imzot Bonati, ia adresonte personalisht znj. Penington, përgjegjëse e këtij Misioni. Mbasi janë bërë gjithë veprimet përkatëse, znj. Penington, ia kthen letrën z. Kolenda, i cili para se të vdiste, ia dërgon kushëririt të tij, Aleksandër Bonatit, letër që po e publikojmë në këtë shkrim:
“I lutem UNRRA-s, misionit shqiptar në Bari, në rrugën Dante Aligeri, që dashamirësisht të dërgojnë në UNRRA-ne Durrësit, tre pako të përmbledhura brenda një kutie të vetme, duke njoftuar znj. Ruth V. Penington të UNRRA-s, misioni shqiptar CMF Durrës, që kutia e sipërpërmendur, i përket të nënshkruarit Imzot Jul Bonati.” Një mijë Falenderime, Prof. Jul Bonatti.
Këto materiale u transportuan nga Italia dhe arritën në Durrës, por Imzot Jul Bonati, mbas kthimit në Shqipëri përfundoi në burg, dhe kjo pjesë e krijimtarisë së tij, s’dihet se ku ndodhet apo kush i ka përvetësuar. Është detyrë e institucioneve përkatëse të Akademisë Shqiptare të Shkencave, të hulumtojnë për këtë krijimtari të Imzot Jul Bonatit.
Ku prehen eshtrat e tij?
Eshtrat e Imzot Jul Bonatit, ashtu të copëtuar nga barbarët e kuq, prehen në varrin e familjes, Bonati në Spitall, në varrezat e vjetra të Durrësit, së bashku, me nipin e tij, Jerom Bonatin dhe zonjën e tij, Est’herin, gruan e guximshme, që i shkonte në burg si edhe me nanën e Jerom Bonatit, Evgjenin.
Pranë varrit të Imzot Jul Bonati, është edhe varri i një figure tjetër, e baras vlefshme me të, në shumë aspekte, dhe pikërisht, varri i mjekut të njohur Ben Çetta, (vëllai i akademikut të njohur kosovar, Prof. Dr. Anton Çeta) që dha gjithçka që kishte për njerëzit: dijet, shërbimin, zemrën dhe mori të njëjtën shpërblim si të Imzot Jul Bonatit: burgun, madje edhe më të gjatë se Imzot Bonati.
Është rastësi vallë që varret e tyre janë pranë? Ndoshta po, por zemra, na thotë jo, jo! Për Imzot Jul Bonati dhe Dr. Ben Çetta, siç thotë populli, “ka qenë e shkruar”, për të qenë pranë e në shoqëri të amshuar me njeri-tjetrin, pasi jo vetëm dijet, zemrat, shpirtrat, por edhe fatet i kishin të njëjta: dhanë gjithçka që kishin për popullin shqiptar dhe si shpërblim morën përbuzjen, torturat, burgun!
Imzot Prof. Jul Bonati, Njëri nga të Tridhjetë e Tetë Martirët
Pikërisht, 65 vjet nga dita e vdekjes së tij, më 5 nëntor të vitit 2016, do të kremtohej Riti i Lumnimit e i Naltimit në Altar i Imzot Prof. Jul Bonatit, së bashku me 37 martirët e tjerë. Është ky një përkim i rastësishëm apo i paracaktuar për të fshirë nga kujtesa atë vdekje barbare që, mbas sodit, dita e 5 Nëntorit të mbetet në kujtesën e kombit si dita e bardhë e Lumnimit dhe e Naltimit në Altar të Imzot Prof. Jul Bonatit së bashku me 37 martirët e tjerë?
Pikërisht, më 5 nëntor 2016 do të mbahej dita historike e Ritit të Lumnimit e të Naltimit në Altar të 38 martirëve që dhanë jetën për Kombin e për Fenë. Për të arritur në atë Ditë Historike, është kaluar nëpër një proces të gjatë analize, prej 10 nëntorit 2002 – deri në 8 dhjetor 2010, nga ekspertët e Kongregatës të Selisë së Shenjtë për çështjen e Shenjtërve.
Procesi përfundoi më 26 prill 2016 kur Papa Françesku, firmosi dekretin për të shpallur të Lumë, 38 martirët. Vetëm dy muaj mbas shenjtërimit të Nënë Terezës, erdhi ky nderim për 38 martirët. Në dekret është caktuar, Sheshi i Katedrales së Shën Shtjefnit, në Shkodër, si vendi ku do të zhvillohej ceremonia. Prefekti për Çështjen e Shenjtërve, Eminenca e tij, Kardinali Angelo Amato, ishte caktuar Drejtuesi Ritit të Lumnimit.
Në listën me 38 emrat e martirëve, (të cilët nuk janë rreshtuar sipas rendit alfabetik), emri i Imzot Jul Bonati, rreshtohet i treti me këtë motivacion: “Meshtari i madh intelektual, burgosur, torturuar, e mbyllur në çmendi; si provoi tmerre të padëgjuara në qeli të ndryshme të Sigurimit famëkeq, nga Vlora në Durrës, vdiq në burgun e Durrësit, pranë Imzot Prenushit, i cili i dha shûjtën për shtegtimin e mbram: Vojimin e Shenjtë”! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016