Nga Agim Tuk Jakova
Memorie.al/ Djali i ish-zv/kryeministrit dhe sekretarit organizativ të Komitetit Qendror të PPSh-së, gjeneral-leitnant, Tuk Jakova, (“Hero i Popullit”), publikon dokumentet arkivore me dy akt-ekspertizat e vdekjes së babait të tij, me firmat e mjekëve përkatës, të cilat i’u relatuan asokohe Komitetit Qendror të PPSh-së, nga ana e Ministri i Punëve të Brendshme, gjeneral-leitnant, Kadri Hazbiu, si dhe iu bën një apel strukturave përkatëse shtetërore të qeverisë shqiptare e personalisht kryeministrit, që ta zbardhin këtë ngjarje, duke bërë analiza toksike të kockave të babait të tij, në një laborator të specializuar jashtë vendit, gjë e cila do të tregonte, se Tuk Jakova, është helmuar dhe nuk ka vdekur nga apendiciti!
Të bën përshtypje ky fakt, përse dy ekspertiza për një vdekje?! Njëra drejtpërdrejt mbas autopsisë dhe tjetra, një muaj më vonë, me interesim direkt të udhëheqjes qendrore të Partisë. Përse…!!! Para se të argumentoj “Përsenë”, vlen të shpjegoj, kush qe Partia, për ata që nuk e kanë njohur dhe jetuar. Udhëheqja e Partisë qe një instrument në duart e Enver Hoxhës, e përbërë nga një grup personash, të seleksionuar dhe të zgjedhur prej tij, si më të besuarit dhe më të bindurit. Sipas piramidës së saj, maja qe Enveri. Ai qe Zoti. Sipas shkallës më pas vinte Byroja dhe më pas Komiteti Qendror. Këto dy forume, sipas hierarkisë, kishin personat me pushtet në ushtrinë partiake të Enverit. Kishte një parullë. “Kur themi Partia nënkuptojmë Enverin dhe kur themi Enveri, nënkuptojmë Partinë”!
Çdo produkt, me vlerë apo i zi i mendjes së tij, zbatohej me përpikëri nga piramida dhe kontrollohej, apo filtrohej po prej Enverit deri në fund. Kush neglizhonte, penalizohej si armik me pasoja në familje deri në farefis. Në atë kohë edhe muret kishin veshë; nuk kishte besim brenda familjes; jo pak herë vëllai ka spiunuar vëllanë apo, djali babanë dhe anasjelltas. Pasojat kanë qenë tragjike, i spiunuari shkonte në burg, spiuni vetëvritej nga turpi, pjesëtarët e tjerë çoheshin në internim për riedukim! Terrori psikologjik dhe centralizmi ishin në shkallën më të lartë. Askush s`mund të jepte ndonjë mendim, apo të merrte një nismë personale pa lejen e Enverit.
Unë do fokusohem në pjesën e zezë, të errët, makabër dhe mafioze të Enverit, ushtruar në rastin e vdekjes së babait tim, Tuk Jakovës. Nga kujtimet e shokëve të vegjëlisë dhe rinisë, bëmat negative të Enverit, fillojnë në “pionierllëk”. Shumë pak të dokumentuara janë ato gjatë Luftës dhe qeverisjes, në një kohë që eliminimet mafioze janë të konsiderueshme në të dy etapat. Që në fillimet e luftës ai krijoi “Falangën” e krimit, për të eliminuar konkurruesit dhe kundërshtarët. Me ardhjen në pushtet, “Falanga” u strukturua në Ministrinë e Brendshme. Enveri vepronte me dorë të fshehtë. Porositë për eliminim i pëshpëriste në vesh dhe nëpërmjet zinxhirit të “Falangës”, pëshpëritja përfundonte tek ekzekutuesi. As një herë ekzekutuesi nuk dinte porositësin.
Ai zbatonte me përpikëri, besnikëri dhe devotshmëri detyrën e dhënë nga Partia. Kështu “porositësi” me ekskluzivitet absolut në eliminime nuk linte gjurmë faktike. Më pas “radari”, që merrte i pari pëshpëritjen (porosinë), bashkë me zinxhirin, mbas disa pëshpëritjesh, eliminohej nga “radari” pasardhës. Cikli është përsëritur disa herë deri në fundin e “pëshpëritësit”. Por nuk kishte rëndësi vetëm dokumenti, që nuk ekzistonte. Rëndësi kishte dhe jehona apo opinioni, që linte pas akti i porositur. Këtë vakum, “pëshpëritësi” e kishte plotësuar me organin e agjitacion-propagandës dhe frymën “engjëllore” të Partisë. Me gjithë atë pak njerëz u indoktrinuan, sepse rastet ishin aq të përsëritura, sa impononin edhe tek të pa aftët mendorë domosdoshmërinë e një përfundimi. Këtë e tregoi gjyqi i popullit në sheshin “Skënderbej” në shkurtin e vitit 1991.
Mbas kësaj ekspozeje vjen radha e shpjegimit të “Përsesë”, së dy ekspertizave?!
Ekspertiza e parë ndaj trupit të babait tim Tuka Jakova, e bërë drejtpërdrejt mbas autopsisë dhe pa u varrosur viktima, thotë: – “Ka ardhur në spital pa vonesë, u operua pa vonesë, 5 ditët e para nuk kishte temperaturë dhe asnjë shqetësim”. Përmirësohej çdo ditë, sa mendohej, të linte spitalin sipas rregullit pas 9 ditësh domethënë ende 2 ditë mbas vdekjes. Çdo gjë ndodhi mbas “rrufesë” (helmimit). Autopsia thotë, se: “Operacioni është bërë në rregull, vendi ishte lidhur mirë dhe fort, si dhe qe përmirësuar. Konkluzioni…operacioni qe i suksesshëm, pacienti u përmirësua për 5 ditë, aq sa do largohej nga pavijoni, por papritur vdiq. Arsyeja…nga peritoniti “Akut”, i cili shkaktoi paralizën e zorrëve dhe helmimin e gjithë trupit”, thotë raporti Nr-1. Si u shkaktua ky peritonit “Akut”, kur çdo veprim është kryer në kohën e duhur dhe me saktësi…?!
Ka shkencë mjekësore që e pranon këtë vdekje nga apendiciti me këto të dhëna…?! Nga erdhi kjo “rrufe” në një ditë me diell në qiell të hapur…?! Si u krijua ai helm në zorrë?! Ishte helm biologjik apo kimik? Autopsia nuk ka guxuar ta përcaktojë. Helmi biologjik do krijohej rreth vatrës së operuar, por autopsia vatrën e gjeti jo vetëm në rregull, por të përmirësuar. Logjikisht vatra do ishte e inflamuar, do qe skuqur, ndoshta dhe qelbëzuar. Në të vërtetë u gjend e kundërta. Indirekt lihet të nënkuptohet se, që helmi të shkonte te zorrët, rrugëtimin e ka nisur nga goja.
Atëherë rrjedhimisht, helmi është injektuar nga goja me konjakun, që i dha “Falanga” e krimit në dhomën e drejtorit. Ky akt tregohet nga bashkëvuajtësi i pranishëm, z. Nikollë Zagoriani, i cili komunikoi me Tukun, para dhe pas takimit me “Falangën” e krimit. Varianti i parë, i përpiluar nga spitali në 27 gusht 1959, për Ministrin e Brendshëm, i është dërguar nga Ministri i Brendshëm, Hysni Kapos në 14 shtator 1959, dhe lë dyshime, se kemi një “rrufe” (helmim), në qiell pa re, në mes të ditës. Ajo që përcakton autopsia dhe procedura e shtrimit, rrëzojnë variantin peritonit “Akut”!!! Enveri si “pëshpëritës”, i vënë pa tjetër në dijeni, duke ditur “ku flinte lepuri”, nuk e ka pranuar këtë variant, duke sugjeruar modifikimin e tij, sepse shfaqet dukshëm “rrufeja” në qell të hapur, në ditën me diell.
Varianti i dytë, i përpiluar një muaj më vonë nga i pari, në dukje është më serioz. Ai është përpiluar nga 3 mjek me emër dhe s’fumon plotësisht në opinion “rrufenë” në qiell pa re. Ata nuk kanë parë Tukun, por kanë analizuar kartelën. Ky variant, thotë se: pacienti është paraqitur me vonesë shumë të madhe mbi 30 orë, gjë që nuk thuhet në variantin e parë. Kjo është përgjegjësi e burgut, Tuku nuk u vonua se kishte ndonjë preokupim personal të rëndësishëm apo kishte trafik. Në atë kohë trafiku qe zero, se s`kishte makina dhe spitali ishte rreth 2.5 km. larg. Kjo vlerësohet si arsyeja kryesore e vdekjes. Në se është vonuar, qëllimi i vonesës ka qenë asgjësimi në qeli dhe ky do qe një krim banal. Do ishte për të qeshur, që vonesa të konsiderohet burokraci. Askush nuk guxonte ta vononte Tukun, duke marrë mbi vete përgjegjësi personale. Kjo vonesë shkaktoi shpimin e apendicitit dhe peritonitin “Akut”, thotë variant i dytë.
Është luajtur me vonesën për shtrim, për të arsyetuar vdekjen. Këtë unë e kundërshtoj. Me të dhënat e autopsisë dhe kartelës nuk mund të luhej, sepse ato nuk ishin nën pushtetin e Ministrisë së Brendshme. Kështu rrezikohej ose dekonspirohej arsyetimi i vdekjes. Për aq sa thuhet, kjo vonesë nuk ka rol fatal. Këtë pikë që quhet kryesore, do ta analizoj dhe shpjegoj me eksperiencën time dhe të pjesëtarëve të familjes. Tre fëmijë të Tukut (unë dhe dy motrat) kemi pasuar probleme me apendicitin.
Rasti i motrës së madhe qe peritonit. Zorrët e saj gurgullonin. Për shkak të rrethanave (internimit dhe sëmundjes së shëndetit mendor të saj) nuk mund të operohej. Pranuam të kurohej me doza të larta antibiotiku në shtëpi dhe më pas ç`fat të ishte. Nuk pati prani mjekësore, injeksionet i bënte tezja. Peritoniti u përtha. Kanë kaluar 38 vjet, fatmirësisht motra është gjallë. Rasti i motrës tjetër, ishte normal.
Rasti im qe peritonit. Shkova me 3 ditë vonesë në spital. Nuk kisha as dhimbje as temperaturë. Ndjeja fryrje barku dhe mezi përkulesha. Rija në krevat, pa ditur, që kisha apendicit, me mendimin se do kalojë. Këtë gjendje e kisha kaluar edhe 8 muaj më parë. Mbas ekzaminimit përfundova në operacion në urgjencë. Në konsultën e parë pas operimit, mjeku operator, i tha shefit, se unë, kisha peritonit dhe karçinomë (gangrenizim) dhe se pastrimi u bë me shumë kujdes. Kanë kaluar 15 vjet dhe fatmirësisht jam gjallë!
Si shihet, mjeku operator vëren dhe përcakton edhe shkallën e avancimit dhe rrezikshmërinë e sëmundjes. Ai operon duke eliminuar çdo pasojë dhe rrezik eventual. Peritoniti nis, jo kur fillojnë dhimbjet, por kur ç’pohet apendisiti. Atëherë dhimbjet zvogëlohen. Sa mbas fillimit të dhimbjeve, ndodh shpimi, kjo është individuale. Mjeku operator nuk ka ditur zhvillimet në burg (vonesën), por duke parë dhe prekur konkretisht gjendjen, ka konkluduar, se: pacienti ka ardhur pa vonesë. Edhe pse apendiciti mund të ketë qenë i shpuar, peritoniti ndoshta, sapo kish filluar. Aktiviteti i peritonitit nuk ka qenë preokupant. Peritoniti është vdekjeprurës kur ka vazhdueshmëri, shoqëruar me temperaturë të lartë mbas operacionit. Tek Tuku nuk ndodhi kjo. Kjo është domethënia për rastin. Përcaktimi i ardhjes brenda kohës së nevojshme si dhe plaga e përmirësuar, janë shumë domethënëse për ndodhinë e “rrufesë” në qiell të hapur, që pagëzohet peritonit “Akut”!
Në krimet e pa zbardhura dhe të lëna në haresë të “Falangës”, diagnozës i shtohet prapashtesa “Akut”. Në rastin e Tukut, justifikohet me peritonit “Akut”, ndërsa mbas pirjes së kafesë në klub, viktima diagnostikohet me infarkt “Akut”, ose gjendet i vetëvrarë në shtëpi ose në zyrë. Të çuditshme këto rastet “Akute”…?! Peritoniti i Tukut qe pa rrezik, u operua dhe kurua në kohë, u zhduk për 5 ditë, pastaj çuditërisht u bë pishman, u ngjall, mblodhi forcat dhe sulmoi si rrufe, duke asgjësuar si hakmarrës tinëzar viktimën, Tukun. Sigurisht ky lloj peritoniti “Akut”, do ketë qenë “inteligjent”, sepse ka vepruar si njeri?! Më bën përshtypje fakti që tregoj. Në bibliotekën e Tukut, kam gjetur një katalog, që zbardhte të gjitha krimet politike të Stalinit gjatë 29 vjetëve në krye të partisë. Është e tmerrshme si dhe sa koka ka qëruar me ndihmën e Berias (Ministër i Brendshëm), nëpërmjet doktor Levinskit dhe “Falangës”. Stalini vdiq në mars 1953. Tuku u dëbua nga Tirana, në fund të qershorit 1955.
Për dy vjet si u zbardhën këto krime mafioze staliniane, kur u përkthyen në shqip, kur u shpërndanë, kur përfunduan në bibliotekën e Tukut? E gjithë kjo në më pak se 2 vjet?! Është mbresëlënëse. Kur ka pre-dispozicion çfarë nuk bëhet dhe kur nuk ka pre-dispozicion, prapë çfarë nuk bëhet. Raporti i zbardhjes së krimeve të komunizmit për 2 vjet në Rusi me 32 vjet në Shqipëri, tregon pre-dispozicionin zero të klasës politike shqiptare. Kjo do të thotë, se duan të vdesin me Enverin hero. Varianti i dytë, shpërqendron fokusimin tek “rrufeja”, duke ngarkuar me përgjegjësi totale Drejtorinë e Burgut dhe Spitalin, duke bërë të paaftë stafin mjekësor, që e operoi dhe kuroi Tukun, duke bërë përgjegjës sado pak dhe pacientin.
A mund të mos fajësohet Shteti në këtë rast? A duhet ta zbardhi shteti këtë rast? Pavarësisht kush levë e Shtetit përgjegjësohet me akuza reciproke, këtu kemi të bëjmë me një dëshirë dhe të drejtë për të jetuar, të një njeriu kontribuues për Shqipërinë, të ndërprerë nga vet levat e Shtetit. Pra thjesht kemi të bëjmë me një krim partiak, ku si veprues është përdorur Shteti me levat e tij. Ky quhet “krim shtetëror” Varianti i dytë vëmendjes i vendos frëngji, për të orientuar fokusimin kritik, atje ku do “Pëshpëritësi”. Ky është thelbi që shpjegon “Përsenë”. Në të dy variantet arsyet e tjera profesionale mjekësore nuk kanë ndonjë rol në fatalitetin e Tukut. Ato janë teori katalogu, për të manipuluar opinionin. Helmit nuk i shpëton dot as Zoti.
I dashur baba…! Në frymën e fundit, ti le një amanet, për zbardhjen e vdekjes tënde, të pranishmit dhe bashkëvuajtësit, z. Nikoll Zagoriani. Me ndihmën e tij dhe të miqve, kam arritur, ta zbardh historinë e saj, por nuk kam mundur, ta ligjëroj. Duhet bërë analiza toksike e kockave në laborator jashtë vendit dhe kjo ka një kosto. Janë dy arsye që e pamundësojnë:
-E para është zbardhja nga Shteti. Shteti ka krijuar dhe kompletuar fasadën institucionale, por fatkeqësisht, pa tagër dhe buxhet, për zbardhjen e rasteve si yti. Për këtë Shteti është pa kujtesë, shurdh-memec dhe qorr. Rroftë fasada se, pre-dispozicioni mungon. Nëpërmjet avokatit nisa rrugën ligjore, që rastin tënd ta marrë materialisht përsipër Shteti. Stacioni i parë është Kryeministria. Këtu përgjigjja qe refuzuese, fyese dhe keqdashëse. Përse ky qëndrim për zbardhjen e së vërtetës? Ky aparatçik, i vënë në detyrë, për t`i shërbyer qytetarit duhet të ketë qëndrim shtetëror dhe moral për të vërtetën. Pozicioni, morali i Shtetit qëndron në anën e zbardhjes të së vërtetës, jo të largimit prej saj, si të jetë një mikrob vdekjeprurës. Shteti nuk është keq për ndofta 10,000 euro. Morali i tij qëndron mbi çdo çmim. Aparatçikut, nuk i’u kërkua të paguajë nga xhepi. Ai nuk ka detyrim, ndërsa shteti ka. Ai mund ta përcillte më lart problemin deri tek Kryeministri, por duket nuk i korrespondon vendit të dhënë.
Baba i dashur, qe çasti, që rinia shqiptare luftoi me përkushtim dhe vetëmohim për liri, drejtësi, barazi dhe mirëqenie. Nga këto vlera njerëzore brezi juaj nuk përsëritet më për Shqipërinë. Këto i predikonte komunizmi, se qe në modë. Si të rinj u joshët dhe krijuat një lëvizje të fuqishme. Çliruat dhe siguruat Shqipërinë në kufijtë e sotëm, fatkeqësisht sollët në fuqi “djallin përbindësh”. Pa përjashtim, idealistët dhe inteligjenca u shfarosën nga ky “djall”. Duke e parë nga pozita e sotme, po ta dije, për kë dhe përse luftove, me siguri do ishe penduar. l dalluar në aktivitetin tënd në Luftë dhe në ato pak vite në pushtet, more vlerën “Hero i Kombëtar” (kështu shkruan motivacioni). Konsiderohesh në përgjithësi një gur më vlerë, për përshtypjet që ke lënë. Pikërisht për këto them se është në nderin e Shtetit, të çojë në vend amanetin tënd.
Rasti yt ka të bëjë me një eliminim politik shkallë-shkallë deri në asgjësim fizik mafioz të një “Heroi të Popullit”. Gatishmëria e Shtetit për të zbardhur këto raste, respekton Shtetin dhe e nderon atë, gjithashtu respekton rangun dhe radhën, pavarësisht kohës kur ka ndodhur. Këtu nuk po përmend pasojat në familje dhe te vëllezërit. Amanetin s`e tret dheu (postulat shqiptar). Sigurisht koha bën të sajën dhe i gjalli harron të vdekurin, pa menduar se do t`i vijë radha dhe ky fenomen nuk përjashton as politikën. Prandaj, baba, po të ishe gjallë me siguri motivacionit të akorduar nga Kuvendi i atëhershëm, i mohuar mbas dënimit, i ricikluar mbas ‘90-ës, do t`i gjeje vendin. Ai nuk ka vlerë. Si i gjehet vendi në këtë rast, populli ka një shprehje. Vendin ia gjej dhe unë, se fiziologjikësh jetoj në rregull, por e kam kujtim. Pamundësia e dytë është pamundësia ime ekonomike. Paça jetën e gjatë, që të mund të plotësoj këtë amanet. Jam 75 vjeç, pra jam një minë me sahat. Duke menduar se koha e mbetur është…me pikëpyetje, do t`i drejtohem Shtetit nëpërmjet e-Albania, që të investohet për të bërë analizën toksike të eshtrave në rrugë ligjore.
Në rast heshtjeje do t`i drejtohem medias, që media ta shpërndajë këtë shkrim në hapësirë drejt Zotit, me dëshirën që ta transformoj në shi. Lutem që ky shi të bjerë në tryezën e hermetizuar të Kryeministrit dhe politikanëve, si subjekte që kanë një fund, që me siguri do lënë një amanet. Uroj jo si yti. Në pamundësi t`i takoj, se nuk gjej shteg, po luaj me respekt gurin e fundit. politikanë që njihni biznesin e votave. Kuptoni, që në funksion të kohës jeni një refren dhe patjetër si paraardhësit do zhvlerësoheni dhe harroheni. Ju do mbani mbi emrin tuaj peshën e “çorbës”, që do ju gatuaj refreni pasardhës. Morali i detyrës ka dy komponentë kryesore, të drejtën dhe të vërtetën. Koha nuk e zhvlerëson krimin. Në se i freskëti do drejtësi, i vjetri kërkon vërtetësi apo zbardhje. Në rastin e Tukut, nuk dënohet njeri, sepse autorët kanë vdekur. Bëhet politikë me krimin e freskët dhe hera herës banal, sepse duhen votat. Po pse bëhet shurdh – memeci me indiciet e krimit të vjetër të niveleve të larta të diktaturës, që janë krime të dyshimta dhe të pa vërtetuara të shtetit të diktaturës…?! Pse…?!
Thjesht nuk ka vota dhe kjo kërkon vizion dhe interesim shtetëror. Fatkeqësisht, ky lloj vizioni nuk jep fitim, as vota. Bëhet fjalë për një figurë me peshë në organizimin dhe drejtimin e luftës për çlirim. Ky çlirim pati një fund me vlerë kombëtare;… bëhet fjalë për një figurë, që drejtoi institucione shtetërore (jo të linjës së Ministrisë së Brendshme) në ato pak vite pas çlirimit, aq shumë të vështira;… bëhet fjalë për një “Hero Populli”. Shteti dhe historia jonë, nderon dhe mburret me çlirimin, por jo me kontribuuesit. Për ta aparatçikët kanë koshin e plehrave. I miri dhe i keqi janë pjesë e së tërës. Çdo e tërë ka vlerë historike në etapën e vet. Këto i diferencon dhe vlerëson koha dhe historia me kompetencën e saj, por jo aparatçikët aktual në e-Albania. Patjetër, në një refren shtetëror dhe më njerëzor të ardhshëm, kjo enigmë do zbardhet, se Tuku ka nipër, stërnipër dhe ka lënë një amanet. Turp kujt i bie në tavolinë, nga e-Albania apo media dhe nuk merr mundimin, ta drejtojë në rrugën e zbardhjes. Faleminderit.
DREJTORIA E SIG. SHTETIT Tiranë më, 14/ IX/ 1959
Nr. 05.338
(Raporti Nr-1)
LANDA: Mbi vdekjen e të dënuarit Tuk Jakova
KOMITETIT QENDROR TË P.P. SHQIPËRISË
SHOKUT HYSNI KAPO
Tiranë
Më datën 26/VIII/1959, ora 23,35` mbas 8 ditësh i shtruar në Pavionin e 15-të të Spitalit Civil Tiranë, vdiq i dënuari Tuk Jakova në rrethanat që poshtë shënojmë:
Më datën 19/VIII/1959, rreth orës 9 para dite, duke qenë në Burgun Nr.5 ku vuante dënimin, Tuk Jakova ankohej për dhimbje barku, me këtë rast me interesimin e administratës së burgut, vizitohet nga mjeku patolog Qazim Cerga (i burgosur), i cili në fillim nuk konstaton ndonjë gjë urgjente dhe megjithëse Tuku i tregon se vuante prej shumë kohësh nga apendiciti, mjeku për qetësimin e dhimbjeve, i jep disa pika belladon dhe kompresa të ftohta.
Në të njëjtën kohë, mjeku Qazim Cerga rekomandon, që i sëmuri të vizitohet nga një mjek kirurg., me që pretendonte se vuante nga apendesiti.
Në ora 10:00`të datës së sipërme, Kryetari i Degës së II-të të Sig. Shtetit, Kolonel Filat Muço, i sinjalizuar për këtë nga administrata e burgut, shkon së bashku me mjekun kirurg Llambi Ziçishti, i cili mbasi e vizitoi, nuk konstatoi ndonjë dhimbje të veçantë apendiciti (kjo ndoshta nga qetësimi që i kishte shkaktuar pirja e belladonit), megjithatë rekomandohet të mbahet në observacion dhe në rast se do t`i përsëriteshin dhimbjet, të dërgohej menjëherë në spital.
Meqenëse rreth orës 15:00` dhimbjet filluan të ndihen prapë, mbështetur në rekomandimin e mjekut kirurg Llambi Ziçishti, i shoqëruar nga Kolonel Filat Muço, i sëmuri çohet në Spitalin Civil, ku merret në dorëzim nga mjeku Qirjako Lezho, i cili i shoqëruar nga mjeku Arqile Andrea dhe infermiere Naile Ramku, mbasi bënë të gjitha përgatitjet e nevojshme për operacion, në orën 18:00` e operuan me sukses.
U gjet apendicit akut me një pjesë të vogël në majë të gangrenizuar dhe të shpuar, Ju hoq apendiciti dhe, pasi në bark iu hodhën penicilinë dhe streptomicinë, u mbyll sipas rregullave. Mbas operimit i sëmuri e ndiente veten mirë dhe për këtë falënderoi mjekët dhe kolonelin për kujdesin e treguar.
Prej datës 19/VIII/1959 deri në datën 24/VIII/1959, përveç dhimbjeve të zakonshme të operacionit, jo vetëm nuk pati asnjë shqetësim dhe dhimbje, por plaga shkonte drejt normalizimit, saqë mendonim ta çonim për qetësim dhe kurim të mëtejshëm në ambulancën e burgut ku vuante dënimin.
Me datën 24/VIII/1959, d.m.th. 5 ditë mbas operacionit, i sëmuri Tuk Jakova pësoi një komplikacion paralitik të zorrëve, i shkaktuar (sipas kartelës klinike dhe autopsisë), nga peritoniti që dha intoksikacion në gjithë organizmin. Kjo gjendje vazhdoi deri në ora 23:35` të datës 26/VII/1959, kohë në të cilën me gjithë ndërhyrjet e vazhdueshme të mjekëve të spitalit civil Nr.2 nuk qe e mundur të shpëtojë nga vdekja.
Gjatë gjithë ditës të datës 26/VII/1959, që i sëmuri ndodhej në gjendje të keqësuar, siç tregohet edhe në kartelën e klinikës, nga ana e mjekëve janë bërë përpjekje për ta përmirësuar, duke përdorur mënyra të ndryshme mjekimi si dhënie gjaku etj., por nuk pati asnjë rezultat. Mjekët që e kanë kuruar gjatë datës 25 dhe 26/VIII/1959, kanë qenë: Dr. Qirjako Lezho, Dr. F. Paparisto dhe Dr. Aleko Bozo.
Vlen të theksohet në këtë rast, se organet tona nuk janë vënë në dijeni nga ana e Spitalit Civil mbi gjendjen e rëndë shëndetësore të të sëmurit. Ne e kemi marrë vesh këtë vetëm në orën 12 të datës 26/VII/1959, kur shkuam në spital si zakonisht, për të mësuar rreth shëndetit të tij dhe për të biseduar me mjekët për tërheqjen e tij për në ambulancën e burgut.
Nga shënimet në kartelën klinike dhe autopsia e bërë mbas vdekjes, rezultoi, se teknikisht operacioni ishte bërë në rregull dhe vendi i operuar ishte mbyllur mirë dhe fort, se i sëmuri ishte dërguar për operacion brenda kohës së nevojshme porse më vonë, nga peritoniti i’u shkaktua paralizimi i zorrëve dhe helmimi i gjithë organizmit.
Gjatë autopsisë iu gjet gjithashtu një gjëndër në qafë (thymus) e cila në njerëzit e moshës së rritur, duhet të jetë zhdukur krejtësisht. Qenia e kësaj gjëndre te të rriturit e bën organizmin shumë të ndjeshëm dhe të paaftë për t`u rezistuar mjekimeve të nevojshme. Në zëmër u gjetën dhe dëmtime të enëve të gjakut.
Si mbas konkluzioneve të mjekëve, rreth vdekjes së tij nuk mbetet gjë për t`u dyshuar; sidoqoftë ky është një problem, që nga ana e organeve tona, duhet të ndiqet sidomos për të sqaruar se mos mbas kryerjes së operacionit, nisur nga konsideracioni që mjekët ose personeli shërbyes i spitalit kishin karshi të sëmurit, si element i dënuar antiparti, nuk kanë treguar interesin e duhur në kurimin e rregullt dhe të vazhdueshëm të tij, megjithëse edhe në këtë drejtim, mbështetur edhe në interesimin e organeve tona, nuk rezulton të ketë pas vend një neglizhim i tillë.
Mjeku që e operoi, Qirjako Lezho, është A.P. kirurg i mirë dhe zv/drejtor për anën teknike i Spitalit Civil Nr.2, gruaja është me origjinë jugosllave. Por në drejtim të saj organet tona nuk kanë asgjë negative. Me të njëjtat garanci janë dhe mjekët e tjerë që kanë marrë pjesë në kurimin e tij.
Për këtë çështje organet tona kanë përgjegjësi të rëndë për faktin se:
- Nuk vlerësuan çështjen sa duhet dhe të kishin vënë menjëherë në korrent Komitetin Qendror të Partisë për sëmundjen dhe operimin e tij.
- Nuk morën masat e nevojshme që familja e tij të ishte në korrent të sëmundjes dhe të vihej në kontakt me të sëmurin para dhe mbas kryerjes të operacionit, për të shmangur në këtë mënyrë, çdo keqkuptim ose koment negativ, që mund të bëhet në të ardhmen lidhur me vdekjen e tij.
Bashkëngjitur relacionit: Kopje e kartelës klinike që përmban gjithë historikun e sëmundjes dhe ndërhyrjes mjekësore dhe akti i autopsisë mbi shkaqet e vdekjes, si dhe një relacion shkoqitës nga mjeku Qirjako Lezho dhe një relacion nga mjeku i burgosur Qazim Cerga që i bëri vizitat e para.
MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME
GJENERAL – LEITNANT
KADRI HAZBIU
Raport mjekësor (Nr. 2)
Komisioni mjekësor i përbërë prej Dr. F.Hoxha, P.Cani, Xh. Gjata, me urdhrin e shokut Ministër të P. Brendshme, mori në shqyrtim kartelën klinike dhe raportet anatomo-patologjike të të vdekurit Tuk Jakova dhe konstatoi në vijim:
- Nga anamneza e shënuar në kartelë del qartë se i sëmuri është paraqitur në spital me një vonesë shumë të madhe, më tepër se 30 orë nga fillimi i shenjave të para të sëmundjes. Kjo vonesë shkaktoi shpimin e apendicitit me shkaktimin e një peritoniti akut.
- Diagnoza e vënë nga kirurgu i rojës Dr. Qirjako Lezho ka qenë e saktë.
- Operacioni është bërë menjëherë si mbas rregullave të artit kirurgjikal.
- Kura mbas operacionit ka qenë e drejtë, mbasi është bërë, penicilinë, streptomicinë, kanfora, kafeinë, etj. Por nuk ka qenë e plotë për këto arsye:
Duke marrë parasysh formën e rëndë të sëmundjes (apendicit i shpuar me peritonit) ishte e nevojshme që të luftohej më të gjithë mjetet që në fillim për të shmangur komplikacionet kryesore që ndodhin në këto raste si intoksikacioni dhe ileusi paralitik.
– Konkretisht qysh ditët e para nuk figurojnë të jenë bërë solucion dezinteksikuese si solucion fiziologjik në sasi të mjaftueshme, solucion glukozë 5%, transfuzion gjaku ose plazmë. Këto janë bërë vetëm ditën e fundit kur ka qenë në gjendje tepër të rëndë.
–Për komplikacionin e dytë (ileus paralitikus) nuk është luftuar sa duhet me të gjitha mjetet: – është mjaftuar vetëm më bërjen e një sasie shumë të vogël clorur hiportanik, pituitrinë dhe ndonjë lavazh stomaku.
Megjithëse vjelljet vazhdonin, nuk i është aplikuar sondë duandenale permanente me aspiracion të vazhdueshëm, nuk figuron e shkruar asnjë klizmë me klorur hipertonik ose me sifon, as një sondë rektale për gazet si dhe bllokada paranefrale me solucion novokaine.
– Në kartelë nuk shënohet mbi ushqimin e dhënë, mbi de kursin e temperaturës dhe mbi sasinë e urinës së eliminuar.
– Të tërheq vëmendjen fakti se pacienti ishte në gjendje të rëndë me komplikacion, vazhdonte të shkonte vetë në nevojtore siç dokumentohet në kartelë, ku thuhet se pacientit i kishte rënë të fikët. Kjo tregon se në atë pavijon është i dobët organizimi i punës dhe i asistencës sanitare të nevojshme.
Konkluzion: Vdekja simbas mendimit tonë është shkaktuar nga këta faktorë:
1) Ardhja me vonesë në spital, e cila mund të konsiderohet si një nga faktorët kryesorë.
2) Terapia jo e plotë mbas operacionit në proporcion me kuadrin e rëndë të sëmundjes.
3) Asistenca sanitare e dobët.
4) Mund të konsiderohet si faktor favorizues dhe gjendja thymo-limphatike (persistenca e gjëndrës me sekrecion të brendshëm të thymus-it) të dokumentuar në autopsi, gjë që ul deri në një farë shkalle rezistencën e përgjithshme të organizmit./Memorie.al
Dr. Xhavit Gjata. Dr. Fejzi Hoxha. Dr. Petro Cani. d.v.
Vërtetohet se është njësoj me origjinalin.
KOLONEL (Filat Muço)
Tiranë, më 26/lX/1959
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016