Nga Arben Theodhosi
Memorie.al / Arben Theodhosi lindi në Tiranë në vitin 1953. Në fillim të viteve ’70-të, mbasi mbaroi Liceun Artistik, “Jordan Misja” në Tiranë në degën e pikturës, filloi studimet në Institutin e Lartë të Arteve në kryeqytet, por goditja e të atit, Koço Theodhosit, në atë kohë ministër i Industrisë, ( i cili u pushkatua në vitin 1976 së bashku me zv/kryeministrin, Abdyl Këllezei), bëri që Arbeni, të përjashtohej nga shkolla dhe së bashku me familjen të internohej në Kurbnesh të rrethit të Mirditës. Pas kësaj ai qëndroi për 15 vjet me radhë, si i internuar, duke punuar në minierën e bakrit dhe mundi të rikthehet në Tiranë, vetëm në fundin e vitit 1990, kur po shembej regjimi komunist. Në këtë kohë ai mundi të përfundonte studimet e larta dhe i përkushtohet pikturës. Mbas një periudhe pune në Institutin e Monumenteve të Kulturës në Tiranë dhe dy vjetësh pune në galeritë artistike të Athinës, tashmë prej disa vitesh i rikthyer në kryeqytet, Arben Theodhosi është një prej piktorëve të afirmuar shqiptarë, që njihet dhe në vende të tjera, ku ka ekspozuar me sukses veprat e tij. Arti i tij ka shumë të gjallë përvojën e punës nëntokë, pra të vuajtjes 15- vjeçare, që ai kaloi në minierën e Kurbneshit. Përveç pjesëmarrjes në shumë ekspozita brenda dhe jashtë vendit ku ka fituar edhe disa çmime, Arben Theodhosi ka botuar librin-katalog “Rievokim” (2001), “Sfidë ndaj kufijve” (2007), “Në gjurmët e së ndryshmes” (2008), “Në stacionin e shtatë” (2010) “Bariu” (2016), “Soliloquium” (2016), si dhe “Komentarët”.
FRAGMENTE NGA LIBRI-KATALOG “RIEVOKIM”
Sinori i ëndrrës
…Kisha lindur vërtet në këtë botë dhe isha 22 vjeç. Atdheu quhej i lavdishëm, por unë kisha dyshuar paksa nën ndikimin e ëndërrimit heretik. Perandorinë, që kombinonte lirinë e detyruar me punën e detyruar të qytetarit, e kisha pandehur një makth të trilluar. Mirëpo ky makth më trokiti një ditë me shumë zemërim, më zgjoi nga pandehmat e më dhuroi të drejtën për të parë me sy hapur…!
Gjuhën e ëndërrimit nuk do ta ngatërroja më me prozën e përditshme të botës së shndërruar në truall. Për habinë time, sa më thellë që do ta shkelja këtë truall, aq më qartë do t’i dëgjoja zërat nga lart:
BOTËN NUK TA MERR DOT ASKUSH…!
Vendin e lindjes nuk je i lirë ta zgjedhësh vetë, për sa kohë që liritë tradicionale interferojnë me vuajtjet nga dashuria për troje. Të parët e t’u i dhanë këmbës për mijëvjeçarë të tërë, ndalën në truallin që emërtuan atdhe dhe vazhdojnë të ëndërrojnë për mijëvjeçarë të tjerë. Në këtë garë qëllove disi dembel, por BOTËN NUK TA MERR DOT ASKUSH. Bota e lirisë fillon me garën e ëndrrave, ku pjesëza e truallit nderohet për aq sa ofron.
1975
Qosheve të kryeqytetit flitej për një periudhë ferri. Salltaneti i këtij ferri ishte përqendruar në “Lagjen e Ndaluar” ku vazhdohej të buzëqeshej. Kobrat i buzëqeshnin njëra-tjetrës dhe rrëshqisnin me elegancë. Për t’u mbushur me frymë, duhej dalë sa më shpesh në periferi, ku, së paku, bëzëqeshej më rrallë…!
Ndërkohë “Çështja Lubonja”, bënte progres. Përkrahja e kulturës perëndimore që me përmasat e vitit ’73, kishte marrë trajtat e një kundra-vajtjeje të rëndë, tashmë po përmbushte figurën e “krimit”. Përballë “Mbretit” apo “ushtarit” (një trung i tërhequr nga mali në fushë), shahu në “Lagjen e Ndaluar”, dukej një lojë mizorisht fatale për çdo lëvizje të gabuar, ndërsa rrugët përqark vilave, sajonin kuadrate-fantazmë…!
Gjatë muajve të pranverës, në buzëqeshjet e asaj arene dalloja ëmbëlsinë që i ofrohet viktimës…! Ndërsa në ditët e para të verës, do të dëbohesha nga kryeqyteti për 15 vjet…!
Mbijetesë
Si lëndë e parë i ndesha më 1976-ën, kur një tufë policësh civilë më hynë në shtëpi për të rrëmuar. Qëndronte brenda normës: babai do të pushkatohej, e do të varrosej pa adresë. Këshilli do të urdhëronte sekuestrime e konfiskime pasurish. Lugë, pirunj, pantallona…!
Pikturat e mia shpëtuan pasi, shefi me kobure i gjykoi: “të vika dorësh të bësh majmunë”, dhe i la e shkoi. “Këtej e tutje do punosh thellë nëntokë, atje ku nxirren 20 ton në 8 orë dhe normalisht merret silikoza”, më pat thënë të nesërmen brigadieri.
Thellë nën tokë, shkëmbinjtë ofrojnë pastër pamjen e krijesave të dhunshme. Mimetizimi i brazdave shkëmbore shumëfishon me lehtësi ato tipare njerëzore që panteoni i statujave të mermerta nuk i realizoi kurrë…! Mermeri është mburracak, është diktator që thyhet. Statujat e mermerta thyhen, ndërsa brazdat e gjalla, përmes thyerjes, ditkan të mbijetojnë.
…Në punë
Kepi Gjon, ngrihej si piramidë mbi banesat e punëtorëve. Në faqe të shkëmbit, thonin se ndodhej një vrimë ku mjalti i bletëve të malit rridhte lumë. Kurrkush s’kishte arritur dot të ngjitej; ishte i lartë dhe i rrëpirët. Çka është e ndaluar, është e ndaluar…! Në krahun tjetër, ja se ç’predikonte filozofia e thjeshtë e nëntokës:
Gjithkush punon n’fabrik e n’mnerë. N’dash me hor buk, s’ka rrugë qetër. Bakri çan bllokadën. Merr varen e modhe e bje n’at gur, n’e thefsh…! Pr’at drit e ke the! Ene qetrin, vrik, vagjonat dun mush nji m’nji”!
Pastaj vazhdohej me pyetje gjithfarësh:
A e ke pa naj her Enverin? Po yt’at ç’mutin desh ma shum…?! Po Beqiri, a kish lope?
Aberracioni i lavdisë
Në trojet tanë, për shekuj me radhë ngjarjet mbetën defektorezonancë e shprehur me shpenzime të kursyera historike. Komunizmi oriental, kultivoi mbi këtë bazë edhe 50 vjet konvencione patetike, ndërsa morali popullor egalitarian, iu ngjit pas kësaj çmendurie në formën e tij brohoritëse. U kultivua rroftë dhe daulle, aq sa veshët e shtetasit buçasin ende nga ritmet “tru shplarëse”.
Perversioni sadist nuk u kufizua vetëm tek psikologjia e individit, që, në fakt, nën fasadën e pushtetshme, fshihte esencën e dobësisë së tij. Perversioni i vërtetë sadist, arriti të bëjë karrierë me shtetin, brenda shtetit, dhe një shtet me anamnezë të shquar për dobësi kronike, nuk mund të mos shquhej edhe për sindromën e një diktature, si ajo që provuam.
BABALLARË TË PAVARROSUR
U kthyem në kryeqytet për të rifituar komoditetin e vend-lindjes dhe për t’u siguruar që internimi kishte marrë fund njëherë e përgjithmonë. Ishte viti 1990. Regjimi diktatorial u përmbys dhe në kryeqytet bashkë me ne, vërshuan jabanxhinjtë, aq shumë jabanxhinj sa, nuk ishin parë që prej mbarimit të luftës…!
Në vitet ’40-të dhe baballarët tanë patën vërshuar në kryeqytet si jabanxhinj. Gjyshërit tanë korçarë, shkodranë apo elbasanllinj, i patën dërguar djemtë në Perëndim për të studiuar, për t’u diplomuar dhe për t’u kthyer pastaj në vendlindje, ku do të administronin pronën e trashëguar në familje. Mirëpo gjyshërit, nuk e parashikuan mirë historinë.
Baballarët tanë, mbasi u kthyen të diplomuar në atdhe, zgjodhën të luftonin okupatorin, fituan dhe nuk morën në dorë fatin e pronës familjare. Ata pranuan diktatin e një shteti Lindor, i’u futën punës për të krijuar të mirat e pronës kolektive dhe për të ndihmuar bindjet e tyre, u vendosën përfundimisht në kryeqytet. Kështu rrodhën ngjarjet, pra, që ne lindëm në Tiranë…!
Baballarët tanë, i’u kushtuan punës për 30 vjet dhe u dënuan me vdekje, sepse guxuan të përkujdeseshin me ndershmëri për pronën kolektive. Ne shpresojmë se vendlindja jonë, do të kujtohet ndonjëherë për eshtrat e baballarëve tanë të torturuar. A nuk është e guximshme të pranosh komoditetin e vendlindjes, pa varrosur më parë eshtrat e baballarëve?
Është viti 2003. Ne jemi në pritje të komoditetit më të domosdoshëm që vendlindja duhet t’i ofrojë një kryeqytetasi. Shpresojmë se një ditë, ndoshta, internimi ynë psikologjik do të marrë fund njëherë e përgjithmonë…! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016