Nga Enver Memishaj
(45 vjet më parë – Sigurimi i Shtetit në kërkim të “armiqve të popullit” – Kush e dogji Ndërmarrjen e Përpunim Drurit të Vlorës?)
Memorie.al / Zakonisht në moshën e rinisë jetohet kryesisht me ndjenjat e së tashmes, por në moshën e shkuar ndodh ndryshe, jetohet orë e çast me peshën e kujtimeve të së kaluarës që e përkulin edhe më shumë trupin, dhe e lëndojnë shpirtin. Kështu ndodh edhe me mua që kam vite që jam thinjur…! Një brengë e së kaluarës së mundimshme s`më lë të qetë dhe e vetmja gjë që mund të bëj janë shkrimet….! Them brengë se, ndërsa mendoja dhe punoja në Ndërmarrjen e Përpunim Drurit në Vlorë, me gjithë shpirt dhe me aftësi profesionale, Sigurimi i Shtetit më kishte rreshtuar në listën e “armiqve të popullit” dhe me ndiqte se mund të isha unë ai që mendoja ditë e natë të sabotoja ekonominë socialiste! Vitet e jetës ikin dhe bashkë me ta edhe mua më mblidhet lëmshi siç thotë populli dhe nuk dua që bashkë me mua të ikin edhe kujtimet dhe ngjarjet që jetova, prandaj po i publikoj këto kujtime mbi djegien e Ndërmarrjes së Përpunim Drurit të Vlorës, 38 vjet më parë, por që kanë mbetur të pa shlyera në kujtesën time…!
Një ngjarje e jashtëzakonshme
Ishte 21 prilli i vitit të largët 1977 dhe e shkreta nëna ime, që kishte dalë me një orë natë për të blerë një litër qumësht, erdhi me nxitim në shtëpi dhe më foli e shqetësuar: Enver, Enver…! U zgjova dhe po vështroja nga nëna ime e cila nxitoi të më thosh: “Ngreu të keqen nëna, se është djegur Përpunim Druri”.
Pa e kuptuar mirë se ç`më kish thënë nëna, u nisa ashtu përgjumësh në Ndërmarrjen ku punoja si mekanik. Kur mbërrita pashë me hidhërim se në vend të Ndërmarrjes, tashmë kishte mbetur vetëm një zjarr gjigant që vazhdonte të digjej akoma. Edhe zjarrfikësit dukej se ishin mundur, e s`kishin se ç`të bënin më veçse të bënin sehir bashkë me ne të tjerët…! Në këtë Ndërmarrje ku prodhoheshin mobilie dhe arka ambalazhi, ishin punësuar afro 300 punëtorë, që punonin me një teknologji të prapambetur e kosto shumë të lartë. Në atë Ndërmarrje punova prej datës 17 tetor 1971 deri më 22 qershor 1980. Aty fitova kategorinë e shtatë, titullin “Mjeshtër në mekanik”, dhe arrita të kryej Fakultetin e Ekonomisë, duke mbrojtur diplomën me një temë: “Prerja e fibrës dhe kompensatos në industrinë e Përpunim Drurit”, me anë të metodës matematikore të Programimi Linear.
Tashmë më 21 prill 1977, në vend të asaj Ndërmarrje, kisha përpara një zjarr gjigant i cili në pak orë, kishte bërë shkrumb e hi mundin dhe djersën e vlonjatëve të shumë viteve…! Pas kalimit të çasteve të para të hutimit filluam punën, por pa ditur e pasur të qartë se nga ta fillonim dhe ç`duhet të bënim.
Kishim një avantazh. Në vazhdim të kësaj Ndërmarrje, sapo kishte përfunduar një ndërtesë e re tek e cila pritej të transferoheshin makineritë, nga ndërtesa e vjetër dhe puna të niste atje.
Brigadës elektro-mekanike, në të cilën bëja pjesë edhe unë i binte barra më e rëndë e remontit dhe montimit të makinerive në ndërtesën e re.
Pata fatin të punoja me të paharruarin Xhelal Veizi, kryemekanik, një burrë fisnik e bujar, i shkëlqyer në të gjitha drejtimet, si familjar e burrë i ndershëm, nga qytetaria e humanizmi, nga profesioni e sjellja e tij e butë. Po kështu kujtoj me respekt edhe shokët e tjerë, me të cilët shkova afro dhjetë vjet të jetës sime: Xhevdet Sheraj, prototipi i labit të mirë dhe të zgjuar, njeriu që i hidhte ujë zjarrit, sa herë ne më të rinjtë merrnim zjarr me njeri tjetrin, apo me usta Xhelalin.
Janaq Mandi, tipi njeriut masovik. Perlat Rexhepi, një djalë i shkëlqyer si njeri dhe profesionist. Ai ishte elektriçist por dinte të bënte po me atë zotësi, të gjitha profesionet. Aftësitë e tij intelektuale dhe profesionale u provuan pas viteve 1990, kur ai ngriti një zdrukthëtari moderne. Vangjel Dako ishte një elektriçist i shkëlqyer dhe një punëtor i pa lodhur. Llazar Ceko ishte shoferi i Ndërmarrjes. Në këtë brigadë, bënin pjesë edhe dy kaldajist: Avdul Robi dhe Stefan Sheshi. Për pakë kohë punoi me ne edhe Asimi dhe Kujtim Strati.
Për të eliminuar pasojat e djegies erdhën ndihma materiale dhe specialist nga disa ndërmarrje të Vlorës dhe qytete të vendit. Por barrë e rëndë na binte ne të zotëve të shtëpisë, që veç punës vetëmohuese, duhet të planifikonim nevojat tona për bazë materiale, duhet të organizonim dhe drejtonim specialistët elektro-mekanik, që kishin ardhur për ndihmë. Në krye të kësaj pune të madhe, ishin tre inxhinierë të talentuar: Nikolla Bej, Filip Angjeli dhe Agron Ruka, pa mohuar rolin dhe punën e shumë specialistëve të tjerë, të cilët punonin me vetëmohim, shtatë ditë në javë pa bërë pushim mbi 12, apo 16 orë në ditë dhe pasi linim punën, thirreshim në mbledhje të kolektivit, ku na zinte gjumi nga lodhja. Pas një pune skllavi të pa paguar, për afro tre muaj ne skllevërit e Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut, nën një presion çnjerëzor, arritëm ta vinim në punë zdrukthëtarinë e re. Pas kësaj pune e asnjë fjalë e mirë, asnjë shpërblim moral, asnjë shpërblim të punës dhe djersës së derdhur. Vetëm heshtje dhe përgjim e poshtërim nga oficerët e Sigurimit të cilët nuk na u ndanë gjatë tre muajve që ne punonim, ata na përgjonin.
Sigurimi i Shtetit në kërkim të “armiqve të popullit”!
Në vitin 1995, pas përmbysjes së diktaturës komuniste, në detyrën e Shefit të Shërbimit Sekret të Vlorës, m`u dha mundësia të njihesha me dokumentet sekrete të Sigurimit, për djegien e N.P. Drurit. Mbi bazën e kësaj dosje, po përshkruaj aktivitetin e Sigurimit të Shtetit “Mbi ndjekjen dhe zbulimin e autorëve të mundshëm të djegies së Ndërmarrjes së Përpunim Drurit”. (Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Dega e Punëve të Brendshme, Sigurimi i Shtetit, Relacioni “Sekret”, Vlorë, dt. 15.7.1977 dhe 5. 9. 1977).
Djegia e kësaj ndërmarrje, për vetë rëndësinë që kishte, pasi solli një dëm ekonomik prej 1.400.000 lekë, u ndoq që në fillim me grup operativ, nën drejtimin e Zëvendës Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme. Analizoheshin në vazhdimësi të gjitha të dhënat dhe denoncimet dhe merreshin masat e nevojshme. Për punën e kryer, informohej vazhdimisht Drejtoria e Parë e Sigurimit të Shtetit si dhe Dega e VII–të. Fill pas ngjarjes u organizuan dy mbledhje njëra pas tjetrës me të gjithë efektivin e agjenturës dhe u kërkua që problemi të shihej me syrin politik. Shefat e seksioneve bënë plane dhe u morën masa të gjithë anshme për aktivizimin e forcës zbuluese në drejtim të përpunimit të kontingjenteve armike duke u dhënë prioritet atyre që punojnë në në këtë ndërmarrje.
Nga të dhënat e oficerëve operativ Sigurimi nxori dhe evidentoi dhjetë punëtorë të kësaj ndërmarrje me prejardhje të keqe politike, të cilët nuk ishin evidentuar më parë në listat e kontingjenteve të “armiqve të popullit”. Për këtë mungesë, pra që nuk ishin evidentuar dhjetë “armiq të popullit” që punonin në N.P. Drurit iu tërhoq vëmendja oficerëve operativ. Njëkohësisht Sigurimi i Shtetit hartoi vërtetimet biografike të të gjithë punëtorëve të turnit të dytë të datës 21 prill 1977, si dhe për dhjetë punëtorët e tjerë të cilët u evidentuan si element armik. Një pjesë e këtyre punëtorëve u muarën në përpunim, çka do të thotë se ata ndiqeshin me anët të bashkëpunëtorëve natë e ditë.
Nga ana tjetër Sigurimi studioi banorët që janë rreth e qark kësaj Ndërmarrje dhe rezultoi se pranë kësaj Ndërmarrje banojnë dy qytetarë që ndiqeshin si armiq me 2/A, si agjent të mundshëm Grekë dhe Jugosllavë, si dhe tre qytetarë të regjistruar në evidencën e “armiqve të popullit”. Në drejtim të këtyre elementëve u aktivizuan agjentët ekzistues që i ndiqnin ata dhe më parë. Po kështu në drejtim të tyre u tërhoq urgjent edhe një bashkëpunëtor i kategorisë informator.
I pashë me kujdes dy qytetarët që ndiqeshin kontingjente të armikut, Greqisë e Jugosllavisë. Ata ishin patriot të mirë dhe as që u kishte shkuar në mëndje të punonin kundër vendit të tyre dhe aq më tepër t`i shërbenin Greqisë apo Jugosllavisë, kundër të cilave të parët e tyre kishin luftuar për interesa të vendit të tyre. Por kjo ishte logjika kriminale dhe injorante e oficerëve komunist të Sigurimit të Shtetit të Vlorës. Sigurimi evidentoi gjithashtu se jashtë orarit të punës kishin hyrë në Ndërmarrje për të lënë makinat e tyre, shoferët Kozma Pjero dhe Dashnor Sina, tek të cilët Sigurim nuk kishte dyshime sepse ata kishin qëndrim të mirë politik.
Në përfundim të këtyre veprimeve Sigurimi i Shtetit hartoi një listë prej 17 punonjësve të kësaj ndërmarrje, të dyshuar se veçmas apo në bashkëpunim kishin djegur ndërmarrjen! Arsyeja e dyshimit ishte qëndrimi i keq politik. Është e nevojshme të sqarojmë se Partia Komuniste, quante shtetas me qëndrim të keq politik fiset apo familjet që para vitit 1939, apo gjatë Luftës (1939 – 1944), kishin qenë të pasur, apo nëpunës apo paraardhësit e tyre kishin bërë pjesë apo ishin simpatizant në Lëvizje apo organizata antikomuniste apo gjatë regjimit komunist, kishin të afërm të burgosur apo internuar për idetë e tyre.
Pra të gjithë ata që nga origjina nuk kishin pasur fatin të ishin fshatar të varfër apo punëtor krahu mbaheshin në lista të veçanta, shiheshin me dyshim dhe ndiqeshin me anë të agjentëve vullnetar të Sigurimit të Shtetit, si kontingjente të armikut, sepse sipas tyre kishin qenë dhe mbeteshin çfarëdo që të bënin armiq të popullit, që nuk e donin Partinë dhe pushtetin popullor! Në listën e të dyshuarve prej 17 vetëve hartuar nga Sigurimi në bashkëpunim me Organizatën Bazë të Partisë së Punës së kësaj Ndërmarrje, ishte rreshtuar edhe emri autorit të këtij artikulli dhe bri tij arsyeja pse dyshohej: me të kaluar të keqe politike!?
E këqyra me kujdes listën emërore prej 17 vetëve, në të cilën kishte edhe femra. I njihja të gjithë ata të dyshuar për djegien e ndërmarrjes, si: Rasim Bejkosalën, Mehmet Shabanin, Tefta Ismailin etj. Të gjithë ishin qytetarë, njerëz të ndershëm dhe punëtor të pa lodhur për të mbajtur familjet e tyre. I lexova përsëri dhe përsëri dhe tek çdo emër ndalesha dhe pyesja veten: A mund t`i vinte zjarrin ky njeri Ndërmarrjes ku punonte? Nuk dyshova te askush dhe ashtu si edhe mua edhe atyre as që u vinte mëndja të bënin një veprim të tillë.
Ata nuk e donin sistemin komunist e ndofta e urrenin atë, por askujt nuk i vinte mëndja të bënte një veprim të tillë dhe asnjeri s`mund të gëzohej për atë që kishte ndodhur, përkundrazi të gjithë e shikonin atë ngjarje të jashtëzakonshme me hidhërim që s`duhet të kishte ndodhur. Në vazhdim të ndjekjes së të dyshuarve, Sigurimi mori në kontroll operativ 2/B, dy persona të tjerë dhe u ngritën në përpunim paraprak (P/P), katër të tjerë, si autorë të mundshëm të ngjarjes ose që kishin dijeni për këtë veprim.
Dhunë dhe terror psikologjik mbi punonjësit e Ndërmarrjes!
Në mbledhjet e përditshme të kolektivit, pra gjatë hetimit kolektiv, oficerët e Sigurimit shpërndaheshin në sallë dhe secili prej tyre ulej pranë punëtorit që dyshohej se ishte zjarrvënës, për të ushtruar presion apo për të qenë të gatshëm për të neutralizuar çdo veprim të armikut apo armikes së popullit!!! Në këto mbledhje që në fakt ishin dhunë kolektive asistonin edhe specialist nga Prokuroria dhe Gjykata. Mbledhjet e dhunshme dhe të frikshme drejtoheshin nga sekretaria e Komitetit të Partisë së Punës, shoqja Jorgjie Premti – Peçini, bashkëshortja e Llambi Peçinit, Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme dhe një nga njerëzit më besnik, të kriminelit Enver Hoxha. (Të dy këta burrë e grua, e paguan me lëkurën e tyre besnikërinë ndaj tij: Llambi u pushkatua si armik i Partisë, ndërsa Jorgjia vrau veten).
Ishin mbledhje tmerri dhe frike. Njerëzit vuanin nga mania e persekucionit: Po sikur t`i shkrepte ndonjërit dhe të ngrihej e të thosh se Ndërmarrjen e dogji filani apo fistëku?! Jorgjia ishte një grua e shëndosh, plot energji dhe kërcënime përpara punëtorëve. Ajo nuk lodhej duke u bërë thirrje punëtorëve të tregonin dhe të informonin Partinë për çdo gjë të dyshimtë. Pas disa mbledhjeve ajo arriti në përfundimin se Ndërmarrjen e kishin djegur armiqtë e Partisë që janë midis jush dhe së shpejti do t`u hidhen hekurat. Kështu vazhdoi dhuna mbi këtë kolektiv për dy muaj rresht çdo ditë…!
* * *
Që ditën e parë, më 22 prill 1977, u arrestuan dy rojet e Ndërmarrjes, Petro Dardha dhe Hysen Shameti si dhe dëzhurni Llazar Boçi. Nga hetuesia dhe masat operative-hetimore që u përdorën kundër tyre, nuk doli ndonjë person i dyshimtë. Pas rojeve, Sigurimi bëri presion dhe mori në pyetje punëtorët që kishin punuar në turnin e dytë me qëllim që të merrte informacion për ndonjë lëvizje të dyshimtë, apo ndonjë dyshim për ndonjë shkëndijë elektrike, por pa asnjë rezultat konkret.
Nga mbledhja e kolektivit doli se, Orfe Dhamo, punëtor, kishte goditur përgjegjësin e repartit, inxhinier Bashkim Lelin, pas një grindje me të.
Sigurimi e shfrytëzoi këtë rast dhe e arrestoi Orfe Dhamon me akuzën e goditjes së personit zyrtar. Por në fakt, Sigurimi i Shtetit kishte tjetër qëllim, ushtroi dhunë mbi këtë punëtor të pa fajshëm si dhe mbi familjen dhe të afërmit e tij: Thoma Çaçin, Koço Dhanilin, dhe bashkëshorten Vangjeli Dhamo, për të nxjerrë zjarrvënësin. I ndodhur nën tortura çnjerëzore, Orfe Dhamo nuk duroi dot më dhe u solli hetuesve kriminel kënaqësi duke deklaruar se, ishte pikërisht ai që i kishte vënë zjarrin Ndërmarrjes, për inat të Bashkim Lelit!!!
Por, a ishte në fakt fajtor Orfe Dhamo?
Ai nuk u pyet asnjëherë për goditjen e Bashkim Lelit, por që ditën e parë të arrestimit, i’u kërkua që të shpjegonte për djegien e N.P. Drurit. U përpunua në dhomat e izolimit, pra u shtrua në dru. U morën në pyetje me dhunë dhe terror gruaja e tij, kunati, kunata të cilët u izoluan në qeli dhe u dëgjuan e regjistruan bisedat e tyre me anë të Teknikës Operative. Nga ky hetim çnjerëzor hetuesia arriti në përfundim se: gruaja dhe të afërmit e Orfe Dhamos, nuk kanë dijeni që ai të jetë autori i këtij zjarri. Gruaja e tij shpagoi qartë se bashkëshorti sajë, Orfe Dhamo, në mbrëmjen e datës 21 prill 1977, kur ka rënë zjarri, deri në mëngjesin e datës 22 prill 1977, kur ai është nisur për në punë, Orfeu nuk është larguar nga shtëpia. Pavarësisht nga kjo pamje e pafajësisë së Orfe Dhamos, ai u mbajt në presion dhe izolim të plotë, duke vazhduar të përpunohet me anë të spiunëve të Sigurimit të Shtetit të cilët i dërgoheshin atij në qeli.
Një javë pasi Orfe Dhamo ishte arrestuar dhe ndaj tij ushtroheshin tortura çnjerëzore, ai iu shpreh bashkëpunëtorit të Sigurimit në qeli se, nuk mund të duronte torturat që i bëheshin dhe “do të bëj të pa bërën të bërë, do të pranoj se jam unë autori zjarr vënies së Ndërmarrjes!” Të nesërmen ai u muar në pyetje dhe pohoi në hetuesi se ishte ai autori i zjarr vënies dhe se këtë e kishte bërë për inat të inxhinier Bashkim Lelit, me të cilin ishte rrahur dhe për këtë ishte pushuar nga puna. Pas këtij pohimi atij iu ndërprenë torturat por vazhdoi të pyetej çdo ditë. Gjatë tre ditëve që ai qëndroi në pozita pohimi, i ndryshoi deponimet në lidhje me mënyrën e vënies së zjarrit, mjeteve të përdorura dhe vendin ku e kishte vënë zjarrin dhe pas tre ditëve i hodhi poshtë deponimet dhe deklaroi se nuk ishte fajtor dhe se kishte pranuar fajin nga tortura dhe frika.
Edhe nga përpunimi i dy qytetarëve si lidhje të afërta të Orfe Dhamos, nga suverjimi i bërë u vërtetuan kontakte dhe biseda të shkurtëra midis tyre si dhe u realizua përpunimi agjenturor, por nuk doli asgjë me interes. Në kushtet e këtij presioni Orfe Dhamo, paraqiste përpara hetuesve sjellje anormale, pranonte çdo gjë që i thoshin ata dhe qeshte. Shkurt hetuesit gjakpirës e kishin çmendur Orfe Dhamon dhe hetuesia e tij nuk provonte asgjë serioze. Për këtë, atë, e transferuan në spitalin Neuro-Psikiatrik në Tiranë, ku ndenji i shtruar një muaj. Hetuesit shkruajnë se: “Megjithëse në drejtim të tij u bë një hetuesi e forte, nuk rezultoi që zjarrin ta kishte vënë Orfe Dhamo dhe si rezultat i kësaj, ai u dënua me 6 muaj burg për goditjen e personit zyrtar”.
Çdo kush mund ta kuptojë lehtë se çdo të thotë “hetuesi e fortë”, po ashtu kuptohet lehtë se për të justifikuar arrestimin dhe izolimin e tij për 2 muaj, ata i dhanë 6 muaj burg! Kjo ishte drejtësia komuniste! Pas dy – tre ditëve të arrestimit të Orfe Dhamos u arrestua Divid Dëma, punëtor, shoku i afërt i Orfe Dhamos. Dividi u mbajt i izoluar 14 ditë, nën presion, dhunë dhe tortura çnjerëzore, ai vetë bashkëshortja dhe familja e tij. Dividi merrej në pyetje çdo ditë që të pohonte bashkëpunimin e tij me Orfe Dhamon për djegien e N.P. Drurit. Pas Dividit u muarën në pyetje u dëgjuan dhe regjistruan me Teknikë Operative familjarët e tij.
Dividi e duroi dhunën dhe terrorin dhe deponoi në hetuesi: “Unë nuk di asgjë për djegien e Përpunim Drurit dhe Orfe Dhamua nuk e ka vënë zjarrin”. Përfundimisht u provua që Divid Dëma nuk kishte bashkëpunuar me Orfe Dhamon dhe të dy ata nuk ishin fajtor. Krahas veprimeve të sipërme u organizuan katër kombinacione me teknikë operative si për familjarët dhe të afërmit e Orfes dhe Dividit, elementët e ndaluar ashtu edhe për lidhjet e tyre të afërta që thirreshin në Degë për verifikimin e dyshimeve të dala. Me hir apo me pahir, Sigurimi Shtetit, brenda disa ditëve, tërhoqi në bashkëpunim katër bashkëpunëtorë të rinj të kategorisë informator dhe i drejtori ata që të përpunonin pra të zbulonin, armiqtë e listës prej 17 vetëve si dhe në drejtim të lidhjeve të dyshimta të ngjarjes së ndodhur. Shefat e seksioneve studiuan dosjet e punës, pra informacionet e raportimet qe kishin dhënë bashkëpunëtorët e tyre dhe materiale të tjera ekzistuese të arkivit, për të gjetur të dhëna dhe dyshime për zjarrvënësit e N.P. Drurit, por nuk u gjetën të dhëna me interes.
* * *
Pas kësaj ngjarje punonin me zell të madh bashkëpunëtorët e Sigurimit, ose qentë e tij: “Besniku”, “Ora”, “Stilografi”, etj., dhe arritën të zbulonin “armiqtë e popullit”. I pari ishte Llazar Ceko, njeri i urtë e punëtor si gjithë Narqotët. Më 1.6.1976 së bashku me Thanas Cekon, Janaq Zarkën, Sotiraq Xhanin dhe Kleanth Vidon, u arratisën në Greqi, duke kaluar kufirin në Kapshticë, kufirin e njihnin sepse kishin shërbyer atje ushtar.
Në fillim të vitit 1977, Llazari i penduar kërkoi në ambasadën shqiptare në Athinë të kthehej në Shqipëri. Më 1.4.1977, autoritetet greke ia dorëzuan organeve të kufirit shqiptar.
Një muaj para se të arratiseshin, Llazar Mano ka denoncuar Llazar Cekon, por për çudi nuk u muarën masa. Gjykata e Vlorës e dënoi me vdekje. Gjykata e Lartë me kryetare Eleni Selenicën, me vendim nr. 864 datë 30.9.1977, la në fuqi vendimin e Gjykatës së Vlorës dhe Llazar Cekua ne moshën 35 vjeçare, u pushkatua. (Arkivi M.P.B., F. 1, Dosja 3363).
Më 8.5.1978, u arrestua Ilias Kelo, i cili ishte shef finance në këtë ndërmarrje. Ai u mbajt në hetuesi deri më datën 9.10.1978. Me anë të dëshmitarëve: Fiqiri Veliu, Fatosh Çobo, Hysen Bani, Festim Gjyshi, Luto Mahili, Liljana Ramo, Tefta Ramo, Vladimir Çeçi, Nuri Maze, u dënua me 10 vjet burg për “agjitacion dhe propagandë”. Iliazi kishte kryer studimet në Bashkimin Sovjetik dhe ishte pilot. Atje ishte dashuruar dhe ishte martuar me rusen e bukur Vali. Në fillim të vitit 1962, ai ishte thirrur në Drejtorinë Politike të Ministrisë së Mbrojtjes dhe i kishin kërkuar të ndante gruan, gjë që ai nuk e bëri, prandaj u nxuarr në lirim dhe shihej me dyshim.
Pas dënimit të Iliazit, gruaja e tij me dy djemtë u internua në Petë të Vlorës dhe pas ca muajsh u dënua edhe kjo me dhjetë vjet burg, po për agjitacion dhe propagandë. Djali madh i saj Viktori, mundi t’i hipte fshehtas një anije bullgare, në Ujë të Ftohte dhe u arratis. Mendohet se u dërgua nga Sigurimi i Shtetit. (Fatos Lubonja në librin e tij “Ridënimi”, thotë se Iliazi i shërbeu me zell Sigurimit të Shtetit dhe shpuri në pushkatim Vangjel Lezhon me shokë). Pas vitit 1990, familjarisht emigruan në Kanada, ku ishte djali madhe Viktori. (Arkivi M.P.B., F. 1. Dosja 11.430). Po kështu me 10 vjet për agjitacion dhe propagandë u dënua edhe i miri dhe i pa fajshmi Sefer Dauti, ish anëtar i Partisë së Punës së Shqipërisë.
Kush e dogji Ndërmarrjen e Përpunim Drurit…?!
Sipas dëshmitarëve, vatra e zjarrit ishte parë në krye të repartit të arkave të ambalazhit ndërmjet tavanit dhe çatisë. Nga ekspertët elektrik u përjashtua mundësia që zjarri të kishte ardhur nga rrjeti elektrik. Atëherë përse u dogj Ndërmarrja e Përpunim Drurit? Ajo ndërmarrje ishte një karakatinë e vjetër, kapanon pas kapanoni, çatia dhe tavanet të ngarkuara me pluhur druri, ose barot siç thoshin në praktikë, kështu që mjaftonte vetëm një shkëndi zjarri, që ajo të bëhej shkrumb e hi, sikundër edhe u bë. Është vërtetuar nga disa dëshmitarë se: nga oxhaku i kaldajës herë pas here dilnin shkëndija, madje edhe disa orë pas shuarjes së kaldajës.
Shkëndijat shkonin në distanca të ndryshme, në raste të veçanta deri në çatinë e objekteve të afërta dhe arrinin të ndezura deri në tokë, gjë e cila vërtetohet si nga thëniet e dëshmitarëve ashtu edhe nga shënimet e lëna në fletoren e marrjes dhe dorëzimit të turnit nga rojet dhe dezhurni i Ndërmarrjes. Është vërtetuar gjithashtu se disa vjet më pare, ka rënë zjarr në kapriatën e dytë të repartit makineri mobilieve që është ngjitur me repartin e montimit të arkave dhe shumë afër kaldajës, ku është parë për herë të parë zjarri. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016