Nga Agim Musta
Pjesa e parë
Memorie.al / Agim Musta ka lindur në qytetin e Gjirokastrës më 1930-ën, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin e mbaroi në Tiranë. Pasi u diplomua në Fakultetin Gjuhë-Histori, për një dekadë ka shërbyer si mësues historie në rrethet e Sarandës, Kuçovës dhe Tiranës. Në vitin 1962, u dënua nga Gjykata Ushtarake me 13 vjet burg, për veprimtari antikomuniste. Pas viteve ’90-të, Agim Musta është angazhuar me shkrime dhe publicistikë, duke botuar në shtypin e kohës, kryesisht temën e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe krimet e tij. Po kështu gjatë kësaj periudhe kohe, ai ka botuar edhe disa libra, si: “Dosjet e gjalla”, 1994; “Kush ishte Enver Hoxha”? (si bashkautor), 1996; “Burgjet e shtetit burg”, 2000; “Gjëmat e komunizmit në Shqipëri”, 2001, “Kështu ka ndodhur”, 2003, etj. Shkrimi që kemi përzgjedhur për botim, bën fjalë për një nga personazhet më të urryera të regjimit komunist të Enver Hoxhës, gjeneral-major, Nevzat Haznedarin, hetuesin e tmerrshëm e mizor, që vet autori i ka vënë epitetin “gjenerali i zi”, si dhe shkrimin “Poligonet e vdekjes”, në të cilin preket problemi ende i pazgjidhur i gjetjes së vendeve, ku ekzekutoheshin viktimat e diktaturës komuniste, nga viti 1944 deri në shembjen e regjimit në 1990-ën.
GJENERALI I ZI, NEVZAT HAZNEDARI
Nevzat Haznedarin e njihja si fytyrë qysh më 1947-ën, kur ai, si prokuror ushtarak, ishte bërë i llahtarshëm në gjyqet që zhvilloheshin në Kinema “17 Nëntori” të Tiranës, ndaj të ashtuquajturve “grupe armiqësore”. Më ishin ngulur në kujtesë koka e tij e madhe si e sllavëve të vjetër; trupi i tij i fortë, por pak i kërrusur; sytë e tij ngjyrë çeliku, që çlironin edhe beton-armenë dhe duart e tij, si putrat e ariut siberian. Më kishin thënë se rridhte nga një familje bejlerësh të rrënuar të Leskovikut. Babai i tij, gjatë viteve tridhjetë, bridhte kafeneve të Korçës, në gjendje të mjerueshme, derisa vdiq në rrugë dhe e varrosi bashkia.
Nevzati në atë kohë vazhdonte shkollën “Normale” të Elbasanit, me bursë shteti. Në “Normale”, shokët e thërrisnin me nofkën “egërsirë”. Literatura e tij e preferuar ishin romanet me tortura. Më 1938-ën, mbasi mbaron “Normalen” e Elbasanit, emërohet mësues në katundin Postenan të Leskovikut. Ish-nxënësit e tij tregojnë se atyre u shpëtonte sh…. kur mësuesi i kërcënonte edhe për gabimet më të vogla. Mbasi s’bëri dot karrierë në Partinë Fashiste, gjatë periudhës 1939-42, hoqi këmishën e zezë dhe veshi këmishën e kuqe, duke u bërë një nga krerët e Lëvizjes Komuniste, në nënprefekturën e Leskovikut, së bashku me Kiço Kasapin dhe Ali Glinën.
Në pranverën e 1943-shit, ai pushkaton në grykën e Postenanit, Gaqo Tashkon, së bashku me të birin, Petraqin dhe Petro Tashkon, për të vetmin faj, se ishin distancuar nga Lëvizja Nacionalçlirimtare, kur kishin kuptuar se atë e drejtonte dora e komunistëve. Në fund të 1944-ës, ekzekutohet Muharrem Rusi, ish-kryetar i Bashkisë së Leskovikut, njeri i nderuar dhe i respektuar në të gjithë krahinën. Fill mbas vendosjes së diktaturës komuniste, Nevzatit i’u caktua detyra e prokurorit ushtarak të Qarkut të Korçës, ku ai bëhet i famshëm për bëmat dhe gjëmat e tij.
Merr pjesë në ekzekutimin e grupit të inxhinierëve të Kënetës së Maliqit në nëntor të vitit 1946, duke u hedhur, me dorën e tij, litarin në fyt, Abdyl Sharrës dhe Kujtim Beqirit. Zoti Ali Selenica, jurist, vdekur në burgun e Burrelit, më 1963-in, gjatë vuajtjes së dënimit me të, më tregonte se në fillim, kur ai punonte si avokat në qytetin e Korçës, gjyqi ushtarak komunist, me prokuror Nevzat Haznedarin, jepte çdo ditë “në emër të popullit”, 10-15 dënime me vdekje. Shumica e të dënuarve, ishin intelektualë dhe fshatarë analfabetë, që kishin shkuar me forcat nacionaliste të Ballit Kombëtar.
Gjyqi s’bënte asnjë dallim midis fajtorëve të vërtetë dhe të pafajshmëve. “Shpata” e diktaturës komuniste, në dorën e kriminelit Nevzat, binte mizorisht mbi kokat e njerëzve të pafajshëm. Merreshin nëpër këmbë dhe normat më të thjeshta juridike. Të tilla gjyqe nuk zhvilloheshin as në kohën e inkuizicionit dhe jo e jo, në kohën e sundimit otoman. Sado i duruar dhe frikacak që të ishte, revoltoheshe nga kjo “drejtësi” e përdhunuar mizorisht.
“U revoltova – më tregonte Z. Selenica, – kur Nevzati kërkoi dënimin me vdekje, për një ballist nga fshatrat e Devollit, që ishte memec. Ai e akuzonte, midis të tjerash, se devolliu ballist, kishte zhvilluar propagandë kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare”.
Zoti Ali, si avokat i të pandehurit, thoshte se akuza kundër klientit të tij ishte sa absurde, aq edhe qesharake, mbasi i akuzuari ishte memec dhe s’kishte mundësi ta kryente krimin e agjitacionit. Nevzati e kishte fyer avokatin me fjalët më të ndyra dhe e kishte akuzuar se kishte qenë fashist dhe për këtë arsye i mbronte me zjarr armiqtë e popullit.
Zoti Ali Selenica, replikon me prokuror Nevzatin, duke i thënë se fashist kishte qenë ai, gjë, që ishte e njohur nga gjithë Qarku i Korçës. Kapiten Nevzati, tërbohet nga zemërimi dhe kërkon pezullimin e seancës gjyqësore. Zoti avokat Selenica, mbas një ore, e pa veten me pranga në duar, në një qeli të errët të Sigurimit të Shtetit në Degën e Punëve të Brendshme të Korçës.
Mbas tre muaj torturash, të bëra personalisht nga Nevzati, zoti Ali u dënua me burgim të përjetshëm, si “armik i popullit”, kurse dy djemtë e tij, për t’u shpëtuar persekutimeve, u vranë duke u përpjekur të kalonin kufirin shqiptaro-grek. Brenda 11 vjetëve (1945-‘56), duke çuar me qindra njerëz në botën tjetër, xhelati Nevzat Haznedari, arriti të marrë gradën e gjeneralit, duke u bërë simbol i krimit shtetëror. Nuk kishte të arrestuar për çështje “armiqësore”, që Nevzati të mos e kishte marrë në pyetje dhe të mos e kishte “ledhatuar” me putrat e tij.
Nuk kishte të burgosur që të kishte shpëtuar pa u gjakosur, nga takimi me të. Edhe xhelatët e vegjël nëpër zyrat e hetuesisë, nëpër burgjet dhe kampet e përqendrimit, qëndronin para tij si pula të shushatura. Kaloi nëpër duart e tij me mijëra viktima, që nga fshatarët e thjeshtë, gjer tek intelektualët e shquar, ministra, gjeneralë dhe anëtarë të Byrosë Politike, duke e mbyllur karrierën me “grupin puçist” të Beqir Ballukut.
Më 1954-ën, kur të burgosurit politikë në kampin nr.4 në Tiranë, u përpoqën të hapnin një tunel, për të shpëtuar nga ferri komunist, “drejtësia” enveriane ra pa mëshirë mbi krenat e atyre fatkëqinjëve, që deshën të fitonin lirinë e grabitur padrejtësisht. Mbi 20 veta u dënuan me burgime të rënda dhe 4 prej tyre: Abdulla Bajrami, Mark Zefi, Isuf Velçani dhe Zyhdi Mancaku, u ekzekutuan në qelitë e burgut të vjetër të Tiranës nga xhelati Haznedar, duke u çarë kafkat me levë hekuri.
Takimin personal me këtë “Luçifer”, e pata në një dhomë të hetuesisë së burgut të Tiranës, në prillin e vitit 1962. Ishte i shoqëruar me 3-4 oficerë madhorë, që qëndronin gatitu mbrapa tij. I lidhur me pranga, më ulën në karrigen e betonuar të të pandehurit, ndërsa gjeneral Nevzati, me një vizore në dorë, më pyeti se çfarë kisha biseduar me baxhanakun e tij, mësues Fatmir Beratin. I thashë se me Fatmirin, kisha qenë koleg në shkollën “50- vjetori” të Kombinatit të Tekstileve dhe s’kisha aq afërsi me të, për të biseduar çështje politike.
Filloi të bërtiste me të madhe dhe u kthye nga oficerët, duke u thënë se ne duheshim linçuar, po ç’t’i bënte shokut Enver, që thoshte të zbatohej ligji. “Këta surretër deshën të riformonin Partinë Social-Demokrate, atë që s’e bëri dot Musine Kokalari, më 1946-ën dhe do ta pësojnë më keq se ajo”!
Me një të hapur të krahëve, sikur do të çante dru, ma veshi me vizore në kokën e qethur zero. M’u errën sytë dhe i mbuluar me gjak, rashë nga karrigia pa ndjenja. Kur erdha në vete, pashë se ndodhesha në qelinë time, me një leckë të ndyrë të lidhur në kokë. Kapter Koli, që shquhej për butësi midis gardianëve të qelive, më solli një shami të lagur me ujë, për të fshirë gjakun e ngrirë në fytyrë dhe në rrobat e trupit. E dija se Fatmir Berati, ishte baxhanak me Nevzatin, por ky i fundit nuk fliste me të dhe deshi ta fuste brenda, mbasi Fatmiri e kish origjinën nga një familje e prekur, nga pushteti komunist.
Ky qe takimi i parë dhe i fundit me krye xhelatin e diktaturës enveriane, gjeneralin e zi, Nevzat Haznedarin. Më 1959-ën Nevzati “rimonton” grupin e Leskovikut me persona, që kishin shpëtuar të gjallë mbas vuajtjes së dënimit prej grupit të Leskovikut, të 1947-ës, duke i shtuar dhe fatkëqij të tjerë, për të plotësuar numrin standard 20. Kësaj radhe operacionin e kryente zëvendësministri i parë i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Mihallaq Ziçishti, me ndihmësit e tij, Rexhep Kollin e Nevzat Haznedarin.
Vangjel Stefan Cini, që ka mundur të shpëtojë gjallë nga grupi i Leskovikut, më ka treguar me zë të dridhur dhe fytyrë të ngrysur për ato ditë të tmerrshme torturash: Arrestimet u bënë në orën 02.00 të 30 marsit 1959. U arrestuan 19 vetë brenda një ore, mbasi numri 20 në listë, Kolaq Kozmai, kishte vdekur dhe për këtë i hoqën vërejtje të rëndë “mikroxhelatit”, Tare Isufi, kryetar i Degës së Punëve të Brendshme të Kolonjës, që s’kishte njoftuar me kohë dikasterin, për zëvendësimin e tij.
Më torturuan në mënyrën më çnjerëzore. Më lanë vetëm me mbathjet, më lidhën këmbë e duar me pranga dhe me zinxhirë në qafë. Tare Isufi, më tërhiqte rrëshqanë në dyshemenë e një dhome torturash, ndërsa Nevzati, me takat e çizmeve, më godiste me sa mundte gishtat e duarve dhe të këmbëve. Më binte të fikët, më hidhnin kova me ujë për t’u përmendur dhe kur unë përmendesha. Rexhep Kolli me Nevzatin, më thoshin të pohoja se isha agjent grek, përndryshe do të ma merrnin shpirtin, pak e nga pak.
Mbasandaj Nevzati ndërronte torturën, më shtrëngonte fytin dhe në sekondat e fundit të frymëmarrjes ma lironte, duke më hedhur në gojë tym duhani, që më shkaktonte një kollë të tmerrshme, që s’kam për ta harruar sa të jem gjallë. Mbas 3 ditë torturash më çuan në lumin e Starjes, ku kishin hapur një varr rreth 50 cm. të thellë. Më futën brenda dhe Nevzati më drejtoi “Smithin” e bardhë me mulli, në lulen e ballit. Instinktivisht mbylla sytë, dhe ai qëlloi në ajër, pastaj urdhëroi të më nisnin për Tiranë, ku do të ma hiqte mishin me pinca.
Mbas 10 muaj torturash, kur ne pranuam çdo gjë, që na servirën hetuesit, si mbas skenarit të gjeneral Nevzatit, na nxorën në Gjyqin Ushtarak, me përjashtim të Thanas Lulës, të cilin nuk e thyen dot dhe i trembeshin se ai do të hidhte poshtë me përbuzje, akuzat e sajuara, gjë që mund t’u jepte zemër dhe shokëve të tjerë të grupit. Gjatë seancave gjyqësore, Nevzati, në sy të gjyqtarëve, na kërcënonte vazhdimisht, duke na thënë se: kokat tona do t’i dërgonte me tepsi në Leskovik, si kokën e Shën Joan Pagëzorit.
Mbas katër seancash gjyqësore, u dënuan me vdekje: Mihal Cini, Thoma Buda, Janaq Ruqi, Hajredin Gega, Shahin Hajdari, Kiço Kuqoshi dhe Thanas Vila (në seancë të veçantë), të cilët u ekzekutuan mbas disa ditësh, ndërsa Xhevat Zerja dhe Musa Shemja, vdiqën në duart e xhelatëve hetues. Tre të tjerë vdiqën gjatë vuajtjes së dënimit dhe gjithë të tjerët, kanë vdekur mbasi u liruan nga burgu, me përjashtimin tim, që arrita të shoh lindjen e demokracisë dhe të nxjerr në dritën e diellit, krimet e diktaturës komuniste.
Për çdo grup “armiqësor” që do të arrestohej në Shqipëri, Nevzati do të shpikte diçka të re në torturat e tij. Për “komplotistët” e Teme Sejkos, vuri në përdorim “kosheret e bletëve”, për grupin e Devollit, dollapët e hekurt, atyre që do të pushkatoheshin më parë u thyente kafkat me leva hekuri. Kripën në plagët e hapura, ampulat me vajguri, futjen në gropat e fekaleve, korrentin elektrik, shtrydhjen e organeve gjenitale, futjen në fuçi me copa akulli, varjen nëpër çengela kokëposhtë, ndërsa fryrjen me pompë nga anusi i quante jashtë mode dhe të konsumuara prej tij.
E kishin dërguar për përvojë në Bashkimin Sovjetik dhe në Kinë, por thuhet se “shokët” kinezë i la me gojë hapur, nga përvoja e tij shqiptare. Ata thanë se s’kishin çfarë t’i mësonin këtij “gjeniu” në lëmin e torturave dhe e falënderuan duke i dhuruar në shenjë mirënjohjeje një libër me skica torturash, që përdoreshin në kohën e dinastisë Min.
Më 1974-ën diktatori Enver Hoxha e thirri Nevzatin nga Elbasani, ku kryente detyrën e kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme, për t’u bërë hetuesinë “deshve të ushtrisë”. Shpirtrat e Beqir Ballukut, Petrit Dumes e Hito Çakos, e dinë se çfarë kanë hequr nga ky satana, deri dje shok dhe mik i tyre. Flitet se ndaj tyre ka përdorur torturat e dinastisë Min, të përpunuara ashtu siç dinte ai.
Me këtë hetuesi, e mbylli karrierën e “lavdishme” një nga xhelatët më të ndyrë, që ka nxjerrë kombi shqiptar gjatë gjithë historisë së tij. Diktatura i dha si shpërblim një vilë në rrugën “Tefta Tashko” dhe pension special. Vdiq papritur dhe nga burime mjaft të besuara, thuhet se e helmuan kolegët e tij me urdhër të diktatorit Enver Hoxha, për të zhdukur një arkiv të gjallë krimesh. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016