Nga At Konrad Gjolaj O.F.M.
Memorie.al/ At Konrad Gjolaj lindi në fshatin Velipojë të rrethit të Shkodrës në vitin 1918. Në përgatitjen e tij si klerik, pati një ndikim të madh prifti me origjinë gjermane, Dom Alfons Tracki, i cili asokohe shërbente si meshtar, në fshatrat e rrethit të Shkodrës. Mbasi kreu Kolegjin Françeskan në qytetin e Shkodrës, ai ndoqi studimet e larta për Teologji në Romë dhe në vitin 1943, kthehet në atdhe në vendlindjen në qytetin e Shkodrës, ku emërohet profesor në gjimnazin françeskan. Mbas mbylljes së gjimnazit në vitin 1946, nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, ai shërben si famullitar në fshatin Mali – Kolaj dhe në vitin 1947, arrestohet e torturohet në qelitë e hetuesisë së Shkodrës, ku e mbajnë të izoluar deri në vitin 1950. Në vitin 1958, arrestohet për të dytën herë dhe dënohet me 25 vjet burg, të cilat i kalon pothuaj tërësisht në Burgun e Burrelit. Mbas shembjes së regjimit komunist në vitin 1990 – ’91 dhe me rihapjen e kishave, At Konrad Gjolaj shërbeu si famullitar në rrethin e Lezhës, deri sa ndërroi jetë në vitin 2000. Gjatë asaj periudhë kohe, At Gjolaj shkroi dhe botoi librin “Çinarët”, (një vepër autobiografike, ku ai përshkruan vuajtjet dhe persekutimin që kaloi gjatë jetës së tij nën regjimin komunist), nga ku kemi shkëputur edhe këtë shkrim që po publikojmë më poshtë.
GJA E PABESUESHME
Mbasi foli gjatë, drejtori vuni në dukje se Viktori do të nisej për një përgjigje që i vëllai, Njaci, i kishte kthye Operativit të Sigurimit. Viktori i tha: Po unë nuk jam Njaci…! Atëherë drejtori i’u përgjigj: “Nuk kam çka të baj ma, nisu”!
Viktori u suell nga unë e tha: “Ty nuk të duket e papritun që dikund po të çojnë, se ti ke thanë në gjyq, se kockat e mija e të komunistëve, mos u bajshin kurrë bashkë”! Unë qesha dhe i thashë: “Po tash ku po na çoni, po na nisni për Pekin”?! Drejtori më ndëgjoi dhe u përgjigj: “T’ju çojnë ku të duen, unë ju hoqa qafe! Po, atje ku të shkoni të keni kujdes”.
Atë natë na futën të dyve në një dhomë izolimi. Prej hallit se ku po na çojshin, nuk na mori gjumi gjithë natën. Viktori kishte 8 vjet që i ishte paralizue kamba. Mjekohej me ilaçe speciale, që i binte i vëllai prej jashtë shtetit. Dukej se kishte përmirësim.
Në një soj kohe më pyeti: “A ke qejf me e pa Viktorin tue ecë, si ka pas ecë, kur ka kenë i ri? U çue në kambë, dhe eci krejt në rregull. Unë mbeta i habitun.
Një gja e pabesueshme, ai ishte shti i smurë vite të tana. E porosita me u ruejtë prap e me vazhdue lojën edhe në Burrel, mbasi me të kuptue këta, u sheh edhe sherrin. E porosita kryesisht mos me u besue shokëve, mbasi nuk po njihen njerëzit.
Në mëngjes herët na hypën në makinë dhe të shoqnuem me tre polic na nisën në Burrel. Rruga kaloi e qetë e pa incidente. Hymë në zonën e burgut.
Na muerën dy policë në një dhomë. Aty filloi, si zakonisht, shpartallimi i plaçkave me kangën: “Këtu i thonë Burrel, ku hin e nuk del”!. Mbas kontrollit na ndane me Viktorin ndër dy dhoma izolimi.
Kah ora 8 e mëngjesit, më mori një polic e më çoi në një zyrë. Aty ishte Operativi i burgut, i cili më pyeti: “Si je effendi”? U tregoi tjerëve se jam prift. U suell e më tha: “Po ku e ke shokun tjetër”? Unë i tregova se asht pushkatue. Ai tha: “Mos bre, na paska fikë, një qelbësirë prifti më pak”. Kjo ishte pritja në burgun e famshëm të Burrelit.
Më çuen në dhomën nr. 2. Aty ishte përgjegjës Gjon Perjaku. Dhoma kishte nevojtoret mbrendë, pak vështirë me u ambjentue. Aty gjeta mjaft prej inteligjencies së vjetër, njerëz me kulturë të gjanë, me dinjitet, me bagazh dijesh dhe eksperiencë. Me gjithë ata vjet burg, prap se prap ishin superior kundrejt personaliteteve të kohës së sotme…!
Habitej njeriu nga kultura me një horizont, aq të gjanë njohunish. Njerëz shumë të sjellshëm, dhe aq të njerzishëm, sa atë edukatë ua kishin imponue edhe të rijve. Komunikohej vetëm me fjalën: zotni. Qarkullonin tekste metodash gjuhësh të hueja, të kopjueme me dorë, punë vitesh me radhë. Aty mund të kuptojshe se çfarë brezi intelektualësh ka humbë sot Shqipnia.
Mendoni se ky burg i paharrueshëm ka 10 dhoma me nga 60 vetë, edhe 12 biruca, me nga 20 vetë. Kush ishin këta? Këta ishin ndër burgje qysh në periudhën e Luftës, mbajtë ndër burgjet e maleve, dhe në 1946 ishin sjellë në Burrel.
Aty gjejshe inxhinierë, mjekë, bankjerë, doktorë, profesorë të lauruem ndër universitetet ma të njoftuna t’Evropës dhe të Amerikës, akademikë, politikanë të aparateve shtetnore, diplomatë, kryeministra, ministra, artista, shkrimtarë, shkencëtar të njoftun, gazetarë, publiçistë, klerikë të të gjitha besimeve, studentë të shkëlqyeshëm, që t’ue u konsiderue kriminelë, trathtarë dhe armiq të komunizmit, gati të gjithë janë eliminue, zhdukë si mos t’ishin kenë kurrë.
Vetëm tue njoftë një pakicë të këtij brezi intelektualësh të papërsëritshëm, mujshe me kuptue madhështinë e asaj periudhe, kur Shqipnia kishte vendosë me mend, zemër e shpirt me kenë evropianë. Kthesa nga Lindja asht tragjedia ma e madhe e kombit tonë në shekullin XX-të. Ai brez intelektualësh nuk përsëritet kurrë ma.
Na jemi i vetmi komb që kemi vra vetveten me dorën tonë. Vetëvrasja dënohet praj Zotit e prej robit, prandaj nuk kishte me e dëshirue edhe ndonjë dënim tjetër, për këtë akt vetëvrasje historike, mbasi atëherë nuk mbetej tjetër, veç me dalë faret krejt edhe si njerëz. Mos e premtoftë Zoti!
Më pati ba përshtypje një herë një oficer madhor i Enver Hoxhës, që ra në burg në kohën e hjekjes së gradave. Ai nuk ishte kenë dakord, dhe e prunë të dënuem në Burrel.
Ditët e para po merrte një tas me supë (kështu thirrej langu që solli mbrendë kuzhinieri), ky e shikoi dhe u suell me i kërkue pak makarona një fshatarit, që i kishte përgatitë ma përpara, prej atyne që i kishte sjellë shtëpia.
Oficeri desht me trashue pak ujin e turbullt që kishte në tas. Fshatari i tha: “Ty nuk të jap asgja, se ju i keni ba këta burgje të tmerrshme”! Oficeri, që dikur kishte kenë Zv/ministër, iku pa za.
Ma vonë ky oficer më pati thanë se nuk kishte dijtë kurrë se çka asht ba ndër këto vende. Kjo ishte e vërtetë, mbasi shumica, me të vërtetë nuk e kanë dijtë, dhe asht me të ardhë keq për ta, por për disa që i kanë mendue se si me i ba, asht me të ardhë keq se nuk i kanë provue në vete.
JETË PA KALENDAR
Asnjë shenjë nuk kishim me kuptue në cilën kohë të ditës jemi. Vorfnia ishte e gjithanshme. Jetohej vetëm me të kaluemen e vetvetes, dhe pa asnjë shpresë për të ardhmen. Jetë e kotë, pa asnjë kuptim dhe vazhdimësi.
E vetmja gja asht pleqnia e shpejtë dhe e pakuptueshme. E keqja asht se na mendojmë se jemi, kurse në realitet na jetojmë në llogari të tjetërkujt; bile, edhe pa mend në krye.
Kujtohemi vetëm kur shikojmë thinjat e rrudhat, atëherë dëshpërohemi, e pyesim veten, pse të jetojmë, e deri kur ma kështu? A vlen ajo jetë që kalon 10, 15 vjet burg, e ndoshta 20 e 25?
Ikin vitet, fluturojnë me ta edhe andrrat, dëshirat e dikurshme harrohen, të rijtë kujtojnë iluzionet, se si mendonin me dashtë dhe me krijue familje, me vazhdue shkolla, pra mendojshin me kenë, dhe mbas 13-14 vjetësh burg, kujtohemi se iku gjysma e jetës, pra vjen koha e zymtë që sjell pleqninë, ndoshta një ditë lirohemi, e të ndjekun prej luftës së klasave, përjashtohemi pothuajse prej të gjitha mundësive të jetës. Pra, ne jemi njerëzit e dënuem prej fatit.
Kjo psikozë lodhi mendjen e qindra djelmve të rij, që tue e konsiderue veten të ndamë nga jeta përgjithmonë, kryen vetëvrasje të vullnetshme. U pastë dhanë Zoti mundësi mos me humbë shpirtin!
Pesimizmi asht shumë i rrezikshëm, sidoemos kur shpresa për të ardhmen asht e pakët ose hiç. Kishte shumë djelmoça që nuk u shkonte mendja se do të liroheshin, sidoemos kur filluen rindërtimet mbrenda burgut. Ajo asht koha ma e tmerrshme, ku vetëvrasjet quheshin shpëtim.
Edhe u liruem, më thotë një njeri, – ne nuk na merr kush për me krijue një familje si duem na, pa shkollë, pa punë, pa pasuni, pa perspektivë, pa rreth shoqnor, pa pozitë, njerëz me punë të rëndomta, gjithmonë me llaç e tulla, të përbuzun dhe të nëpërkambun, të kqyrun shtrembët, të frikshëm me ndërrue dy fjalë, të dënuem me vulë, bile edhe në letërnjoftim me seri të veçantë, të ndamë nga gratë dhe familjet, me mijëra e mijëra vetë me emnin: “I dënuar politik”!
Ky asht emni i ma shumë se një gjysmë milioni shqiptarëve në 47 vjet. Me këtë emën nuk ke kenë anëtar i shoqnisë socialiste. “Çfarë rreziku”! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016