Nga Idriz Lamaj
“BASHKIMI I KOMBIT” në Damask
–Nga historia e publicistikës dhe gazetarisë shqiptare në mërgim-
Memorie.al /Publicistika e mërgatës antikomuniste shqiptare filloi menjëherë pas largimit nga atdheu të shumë personaliteteve të njohura nacionaliste, të cilët gjatë Luftës II-të Botërore, kishin luajtur në atdhe role drejtuese politike. Nga fundi i vitit 1946-të dhe fillimi i vitit 1947-të, fillon botimi në Romë i gazetave “Flamuri”, organ i Ballit Kombëtar, “L’Albanie Libre”, organ i organizatës Blloku Kombëtar Indipendent dhe buletini i lajmeve “Bashkimi i Kombit”, organ i Grupit Kosovar, i cili botohet në Damask të Sirisë. Këto janë tri gazetat e para që fillojnë të botohen në mërgim. Të tri këto lloj botimesh në mërgim themelohen dhe drejtohen prej ajkës së politikanëve shqiptar nacionalist të cilët kishin luajtur rol të rëndësishëm politik gjatë luftës dhe ishin arratisur në mërgim, në rrethana dramatike.
70 vjet më parë, Grupi Kosovar në Mërgim, si: Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva, Rexhep Krasniqi, Tahir Zajmi dhe Xhelal Mitrovica, filloi botimin në mërgim të buletinit të lajmeve “Bashkimi i Kombit”. Edhe ky grup i njohur nacionalistësh ishte arratisur nga Kosova në fund të nëntorit të vitit 1944, nëpërmes vështirësish të jashtëzakonshme. Ata kishin shpëtuar nga llava e pushtimit komunist të Kosovës, në saje të organizimit të Xhafer Devës, të cilët i ndejtën mirënjohës deri në vdekje.
Buletini i lajmeve “Bashkimi i Kombit” filloi të botohet nga fillimi i vitit 1947 në Damask të Sirisë. Ky buletin përgatitet nga Dr. Xhelal Mitrovica, Dr. Rexhep Krasnqi dhe Tahir Zajmi, që ishin në Damask në pritje për të emigruar në Australi. Ndërkaq, Xhafer Deva sapo ishte kthye urgjentisht në Romë dhe kishte krijuar kontakt serioz me amerikanët, për përgatitjen e një lloj veprimtarie të armatosur kundër regjimeve komuniste në Shqipëri dhe në Jugosllavi; Bashkëpunimi i tij i ngushtë për hedhjen e parashutistëve të parë në Shqipërinë Veriore dhe në Kosovë, z. Deva, e kishte koordinuar me Bllokun Kombëtar Indipendent – me forcat e Kapidanit të Mirditës, Gjon Markagjoni, që vepronin në Veri.
Në buletinin e lajmeve “Bashkim i Kombit”, i cili botohej çdo muaj deri nga fundi i vitit 1949, trajtohen në mënyrën më serioze të kohës, problemet politike kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe zhvillimet e brendshme tragjike në Kosovën e robëruar. Në këtë buletin lajmesh, përcillen me vëmendje, ekzekutimet, torturimet, burgosjet dhe të gjitha format e tragjedive në Kosovë, qytet për qytet dhe fshat për fshat.
Aty shkruhet me dhembje të thellë për Masakrën e Tivarit, Kryengritjen e Drenicës, dhe luftimet heroike të Mulla Idriz Gilanit me forcat e tij, kundër forcave komuniste serbo-malazeze të mbështetura përfushë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Nga shkrimet e botuara në këtë buletin lajmesh në mërgim, shihet qartë se Grupi Kosovar në Mërgim ka kontakte të gjithanshme me vendlindjen dhe njohuri mbi çdo lloj zhvillimi të brendshëm në atdheun etnik.
Në të njëjtën kohë, ky buletin lajmesh shihet se ka për qëllim integrimin e Grupit në fjalë me, forcat tjera politike nacionaliste në mërgim, pa dallim se kush kënd përfaqëson. Shkrimet e ndryshme të “Brithyesit” (pseudonim i Dr. Xhelal Mitrovicës), editor dhe krye themelues i buletinit në mërgim dhe i gazetës “Bashkimi i Kombit” në atdhe (Tiranë, 28 Nëntor, 1943), janë të një lartësie të çuditshme edhe për kohën e sotme. Dr. Xhelal Mitrovica, ishte një nder gazetarët më të njohur shqiptar në atë periudhë, dhe ishte gjithashtu studiues e polemicistë ndër më të ashprit e kohës.
Studimet historike dhe analizat e holla politike të Prof. Rexhep Krasniqit, të botuara në këtë buletin, i qëndrojnë secilës kohë. Edhe Tahir Zajmi, jep kontribut të veçantë në këtë buletin lajmesh, me reportazhe dhe përshkrime të ndryshme të kohës. Ndërkaq, raportet (njoftimet me anë letrash private shokëve të tij të ngushtë) e Xhafer Devës, të botuara pa emër të tij, janë informata tronditëse mbi çdo lloj zhvillimi të brendshëm, si në atdheun e tyre etnik, ashtu edhe në Ballkan. Ky buletin lajmesh të thuash është zhdukur plotësisht dhe është në zhdukje e sipër.
Ata 13-14 numra që kam, mezi lexohen nga vjetërsia e letrës dhe shtypja e buletinit me makinë të thjeshtë shkrimi. Personat që e krijuan ishin atdhetarë dhe veprimtarë të shquar politik dhe luftarak gjatë Luftës II-të Botërore dhe personalitetet më të respektuara nga popullsia shqiptare e Kosovës në atë kohë. Në shenjë nderimi dhe kujtimi për Rexhep Krasniqin, sjell këtu për lexuesit një shkrim të të botuar në “Bashkimin e Kombit” në Damask të Sirisë, në janar 1948.
Dr. Rexhep Krasniqi
TË JEMI MA T’URTË
Gjatë kohës së shkurtë të daljes se kësaj fletoreje, shpeshherë asht bisedue në shtyllat e saj çështja e nji bashkëpunimi ma të ngushtë të partive shqiptare në mërgim, s’pakut të sinkronizimit të veprimtarive të tyre për çka i përket çështjeve jetike të Kombit dhe paraqitjes së tyre botës së jashtme. Kjo iniciativë lypsej marrë me kohë prej personave me eksperiencë dhe merita patriotike. Mirëpo, fati i popullit dhe i Shtetit shqiptar duket se ka mbet të qahet me lot.
Ndërsa populli shqiptar rrezikohet dhe asgjësohet nga sundimi i kuq, emigracioni shqiptar tash më se tri vjet, grindet në mes të tij për merita në një lufte që, si na dëfton përfundimi, asht bë për të tjerët dhe suell Shqipninë nën skllavërimin ma t’errëte që ka njoft realiteti i ithët, por i vërtetë. Po të mendojë secili me urtësi dhe i ç’veshun nga pasionet e partizanisë lypset t’a pranoj se, një veprim i përbashkët jep mundësin ma të gjana për të plotësue qëllimet t’ona se të ndamë, madje, edhe tue kritikue njani tjetrin në mes t’onin e pranë të huajve.
Në vetvete, problemet t’ona me rëndësi jetike janë fare të thjeshta, sot me lirue vendin nga rrëgjimi terrorist, e nesër me përmbledh mbarë popullin shqiptar në një shtet të lirë, dhe me i sigurue qënjen e tij kombëtare dhe ekonomike. Këto probleme të kjarta nuk duhet t’i komplikojmë, tue m’shef mbrapa tyre qëllime që kanë të bëjnë vetëm me interesa të vogla personale ose grupesh. Mbi këtë mos të harrojmë se të huajt e shikojnë çështjen shqiptare vetëm nga prizma e interesave të tyre, sigurim i fituar me kohë dhe ma tepër nga përvoja e luftës së fundit. Të huajt nuk i njohin dhe as që interesohen me njoh në përpikëri çështjet t’ona të brendshme në një kohë, në të cilën njerëzimi kalon faza apokaliptike të ngjarjeve me një shpejtësi dhe dramacite të pa njoftun deri me sot.
Problemet e brendshme mund të jenë tronditëse për ne, kurse për ata dhe sidomos për përfaqësuesit e Kombeve të mëdha, paraqiten ato mikroskopike në barazim me ngjarjet botërore. Prandaj, nuk mund të pritet nga këta që të gjejnë kohë dhe interesa për të ndigjue thëniet e thashjet dhe për t’u thellue në memorandume e studime të gjata e mërzitëse të këtij ose atij personi ose grupi. Këto lloj aksionesh të veçueme marrin forma të rrezikshme për krejt çështjen shqiptare, kur secila Parti pretendon të kenë vetëm ajo të drejtën me paraqitë interesat e Kombit ndër aeroporte ndërkombëtare, tue harrue të gjithë s’bashkut, se mbas kësaj periudhe revolucionare, nuk mund të dihet vullneti i vërtetë i popullit, mbasi nuk ka pasë mundësi të shfaqë mendimin e lirë të tij. Pretendime të tilla pa mbështetje serioze, na dëmtojnë në botën e jashtme, që kërkon fakte.
Një gjë dihet sot me siguri, ky popull i mjerë dëshron të lirohet nga zgjedhja komuniste. Por me qëndrimin e deritanishëm t’emigracionit shqiptar që përçan aty ku lypset bashkim, që komplikon aty ku çështjet janë të qarta, që pretendon pa pas mbështetje, që kritikon pa pas dobi të përbashkët, nuk mund të plotësohet kjo kërkesë njerëzore.
Njerëzit dhe partinat t’ona politike lypset tashmë të kenë mësue nga e shkuemja e katërdhjetë vjetëve të fundit dhe të pranojnë se populli shqiptar njihet shumë pak, dhe mjerisht, nuk gëzon simpatinë në botën e jashtme, për arsye të propagandës së vjetër të fqinjve t’onë dhe miqve të tyre. Si popull i vogël me mundësina të pakta intelektuale, të fuqisë dhe të prodhimeve ekonomike nuk ka mujtë të tërhjekin interesin e të mëdhenjve për t’u marrë ma seriozisht në konsiderim.
Nga një herë detyrohemi të pranojmë faktin e ithët për kryelartësinë t’onë kombëtare se, qenia e një Shtetit shqiptar i kushtohet ma tepër, pozitës së tij delikate gjeografike dhe mosmarrëveshjeve për copëtimin tansuer të tokës s’onë, sa nji të drejtë si lypsej dhanë këtij Kombi.
Tue u mbështet në këto të vërteta që na dëshpërojnë në thellësinë e shpirtit lypset të bahemi ma t’urët dhe të kërkojmë me i u përshtatë këtij realiteti. Për mbrojtjen e ndershme të të drejtave tona Kombëtare, asht ma se i vonshëm bashkimi i të gjitha fuqive pozitive politike, intelektuale e luftuese. Vetëm t’ue u paraqit organikisht kompakt, të përgatitun dhe t’organizuem mund t’iu shërbejmë çështjeve t’ona ma s’miri dhe mund të gëzojmë kuptimin, e ndoshta dhe simpatinë e atyne qarqeve që kanë me dallue mbi fatin e popujve të vegjël.
N’asnji mënyrë nuk lypset përsërit gabimet e bame në Paqen e Parisit mbas Luftës I-rë Botnore, ku dy ose tri dërgata, pretendojshin secila për vedi të përfaqsojnë popullin shqiptar, tue ulë shanset t’ona, në vedvedi të pakta, deri në minimumin e tyne.
Kohë e çmueshme ka kalue, shpresojmë se nuk asht vonë! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016