Nga Aldo Renato Terrusi
Pjesa e tetë
RIKTHIMI
Memorie.al / Aeroporti i Fiumiçinos. Avioni ‘MD 80’ i Alitalias është gati për fluturim. Është e shtunë, 6 nëntor 1993. Ora 11.25. Komandanti mori miratimin. Stjuardesat na kujtojnë dhe një here të lidhim rripin e sigurimit. Dy motorët çohen në fuqinë maksimale, ndërsa zhurma bëhet e mbytur dhe shurdhuese. Butonat dhe komandat provohen për të fundit herë sipas procedurave të fluturimit, lëshohen frenat, fillon lëvizja gjithë e më e shpejtë, përshpejtimi i përplas pasagjerët pas shpinores, avioni ngrihet në fluturim. Ndjej të më ngrejë një forcë e padukshme që më lë si të pezullt në zbrazëti. Hedh sytë përreth për të parë nëse dhe pasagjerët e tjerë kanë të njëjtën ndjesi si unë. Ca lexojnë, ca shohin jashtë nga dritarja, ca janë shpërfillës, ca mezi rrinë të qetë dhe ca, të ngrirë në ndenjëse, lënë të ndër duken frikërat e veta. Me një ndërrim drejtimi të gjerë, avioni ngrihet në lartësi dhe drejtohet drejt radio farit të Barit, për të mësyrë pastaj drejt e në Tiranë, në vendmbërritjen tonë.
Ne Radio Tirana, atë të hënë të 10 qershorit 1940 jehoi një zë kobzi:
Luftëtarë të tokës, detit dhe ajrit.
Këmishë-zinj të revolucionarë të Italisë, të Perandorisë e të Mbretërisë së Shqipërisë!
Mbani vesh! Një orë e shënuar nga fati po rreh në qiellin e atdheut tonë. Ora e vendimeve të pakthyeshme. Shpallja e luftës u është dorëzuar tashmë ambasadorëve të Britanisë së Madhe dhe Francës.
Luftëtarë të tokës, detit dhe ajrit! Këmishë-zinj.
Italia hyri në luftë.
Një drithërimë e akullt përshkoi venat e Aurelias dhe të gjithë familjes. Në një vend të huaj, në kushte gjithsesi të pasigurta, problemet e mbijetesës do të shumëfishoheshin. Isha 19 vjeç, më thirrën ushtar në ushtrinë italiane me qendër në Tiranë. Për fat të mirë, nuk u bëra pjesë e reparteve te luftimit. Më regjistruan në Kompaninë ‘605 GAF’ si roje kufin mes Shqipërisë dhe Greqisë, afër një vendi të quajtur Milot. Pa asnjë gërvishtje dhe pa shtënë qoftë dhe një herë kundër armikut, e mbarova shërbimin ushtarak me gradën e kapterit.
Gjatë kohës që isha roje në Santa Barbara, ne depon e barutit të kampit, thirra ‘ndal’ për shkak të një lëvizjeje të dyshimtë pas një shkurreje dhe shtiva në atë drejtim. Një grahmë sfilitëse përshkoi natën, ktheu heshtjen dhe shokët vrapuan, por pas një ‘aksioni zbulimi’, zbuluan se fatkeqi ishte një derr i shkretë, që në ditët në vijim ishte destinuar të nderonte mensën e garnizonit të vogël. Një ditë pas kësaj ndodhie, në kamp erdhi një fshatar i tërbuar, i cili ama u dëmshpërblye bujarisht në ushqime dhe para’, ndaj dhe u kthye i kënaqur në shtëpinë e vet.
Ishin ditët e para të shtatorit 1943. Mes eprorëve ishte i dukshëm njëfarë shqetësimi, një siklet që përpiqeshin ta mbanin të fshehtë dhe që kishte kapluar edhe Xhorxho Ponten, kapiten të milicisë dhe të emëruarin e shërbimeve sekrete. Xhorxho i kishte rrëfyer në mirëbesim Xhuzepes idenë e kthimit një orë e më parë në Itali, sepse punët, nga pikëpamja ushtarake, po ndërlikoheshin.
Në ambientet e Kundërspiunazhit, quhej si mundësi edhe kapitullimi italian përballë aleatëve. Në një rast të tillë, mund të ndodhte çdo gjë dhe sidomos parashikohej një betejë e egër nga ana e gjermanëve, të cilët asnjëherë s’u kishin zënë besë italianëve. Shumë oficerë kishin ikur me anije në mënyrë të fshehtë, ndërsa të tjerë rregullisht. Ishte më mirë të vraponim për shpëtim para se të na zinte gracka.
Ajo bisedë ndezi te Xhuzepja një alarm dramatik, sepse u bë i vetëdijshëm për kushtet në të cilat, brenda pak kohësh, mund të përfundonte edhe popullsia civile në Shqipëri. Xhuzepe e kuptoi që fjalët e mikut të vet Xhorxho, donin të thoshin: Largohu, merre familjen dhe kthehu në Itali, sa s’është vonë! Por ndjenja e detyrës karshi bankës ishte më e fortë. E mbrojti atë deri në fund, nuk mund t’i braktiste punonjësit e vet, nuk mund t’ia mbathte si burracak.
Prej atëherë Xhorxho nuk u bë më i gjallë. Disa ditë pas bisedës dramatike mes Xhorxhos dhe Xhuzepes, në pasditen e 8 shtatorit, në orën 19.45, Badolio shpalli firmosjen e armëpushimit me fuqitë aleate. Komuniteti italian mori frymë i lehtësuar: pas muajsh të tërë tensioni e frike, lufta kishte marrë fund. Të ndryrë në banesat e tyre, italianët shpërthyen në valë gëzimi.
Për fat të keq ama, në Vlorë, filloi beteja, si e gjermanëve kundër italianëve dhe shqiptarëve, ashtu edhe guerilja mes dy grupeve shqiptare të armatosur: Lëvizja Nacionalçlirimtare dhe Balli Kombëtar. Gjithë këtyre, i’u shtuan edhe gjakmarrjet mes familjeve të ndryshme vendase.
Civilëve, përfshi dhe Xhuzepen, as mund t’ua kishte rrokur mendja tragjedinë që po afrohej mbi Shqipërinë, sidomos mbi ushtarakët italianë. Nuk kishte marrë fund për të gjithë, përkundrazi, për shumë syresh ishte duke filluar pikërisht në atë kohë një kalvar i gjatë.
Fillimisht, në zonën ushtarake të Vlorës, trupat nuk dukeshin të alarmuara. Me kalimin e kohës, filluan të mbërrinin ushtarë më të moshuar, që nuk mbanin më këmisha të zeza, por që ishin veshur si gjithë të tjerët – me gri dhe jeshile. Shumë shpejt u pa se garnizonet nuk merrnin më direktiva dhe u shndërruan në një grigjë të madhe të braktisur.
Nga larg dëgjoheshin të shtëna armësh të ndjekura, herë pas here, nga shpërthime bombash dore; mbërrinin jehona, por nuk të ngjallnin ndjesinë e një rreziku të menjëhershëm. Përkundrazi, pak kohë më vonë, gjermanët e armatosur, rrethuan repartin; ushtarë me armë të lehta urdhëruan italianët të hiqnin yjet dhe të dorëzonin armët, pastaj i vunë në rresht dhe i dërguan në qendrat e grumbullimit. U bënë robër lufte pa mundur të qëllonin qoftë dhe një herë.
Himara, Saranda, Porto Palermo, Berati, Gjirokastra, Burreli, Fieri, Kruja, Korça, Tepelena, janë emrat e strehimeve të tjera ku ushtarët e rinj italianë, përjetuan brenda pak ditëve një përvojë tragjike: ishin të tronditur nga disfata e ushtrisë, nga firmosja e armëpushimit, nga frika e gjendjes si armik përballë ish-aleatit gjerman dhe që duhej të vendosnin me shpejtësi se ç’anë të mbanin. Në pështjellimin më të madh, zëra të vrullshëm lexonin deklarata, thirrje të ndryshme dhe urdhra për t’u vënë në rresht e të shkonin drejt porteve, ku të prisnin anijet që do t’i çonin trupat italiane në atdhe.
Në secilin nga këto qytete kishte mijëra ushtarë të dëshpëruar gati për t’iu dorëzuar gjermanëve, të bindur për shpëtimin e tyre të sigurt, të premtuar nga propaganda naziste.Përkundrazi, qenë shqiptarët ata që u erdhën në ndihmë ushtarëve italianë të braktisur, luftuan që ata burra të cilët deri atëherë kishin qenë armiqtë e tyre, të mund të shpëtonin dhe të rroknin armët bashkë me ta kundër gjermanëve.
Se sa armiq kishin qenë italianët dhe shqiptarët deri para pak, e dëshmon fakti që vetëm në fund të gushtit 1943, kishte përfunduar një operacion spastrimi, 40 ditë i gjatë në gjithë jugun shqiptar. U kishin vënë flakën qindra kilometrave, fshatra të djegur, fshatarë dhe barinj të pushkatuar, gra të përdhunuara. Operacioni ishte drejtuar nga divizionet ‘Firence’, ‘Areco’, batalionet e alpinistëve dhe karabinierëve dhe, me një zell të veçantë, nga këmishëzinjtë e batalioneve ‘Musolini’.
Në gjithë vendin ishin ngritur dhjetëra kampe internimi ku ishin mbyllur antifashistët dhe në fund të luftës Shqipëria kishte humbur 28 mijë njerëz në luftën e saj çlirimtare. Jo shumë ditë më vonë, Radio Tirana dha lajmin e tragjedisë së Qefalonisë, duke kallur te të gjithë tmerrin dhe shqetësimin më të thellë.
Qefalonia ishte pushtuar nga trupat italiane në 1 maj 1943, në kuadër të operacioneve ushtarake për zotërimin e ishujve të Peloponezit. Organika prej rreth 11.000 njerëzish, komandohej nga gjeneral Gardini.
Seanca e Këshillit të Madh të Fashizmit e 25 korrikut 1943, shkarkoi Musolinin dhe formoi një qeveri të re me në krye marshall Badolion. Me ta marrë vesh Hitleri një gjë të tillë, dërgoi një kontingjent prej 2000 ushtarësh, si mbështetje për trupat italiane me qëndrim në Qefaloni. Mes radhëve të ushtrisë italiane, mbizotëronte mosbesimi dhe, në ndonjë rast, edhe rebelimi: vijoi një radhë ngjarjesh të pakontrollueshme, moskuptimesh, pavendosmërish, përgënjeshtrimesh, të cilat i çuan komandantët drejt një çorientimi total dhe trupat në një shpërbërje të ngadaltë.
Tek e fundit, edhe vetë qeveria italiane kërkonte të manovronte ne dy fronte: nga një anë siguronte aleatët gjermanë, duke u thënë se asgjë nuk kishte ndryshuar, nga ana tjetër shqyrtonte mundësitë e dorëzimit me amerikanët. Në 3 shtator u firmos në Kasibila dorëzimi pa kushte fuqive aleate – zyrtarizuar vetëm disa ditë më pas, por që për këtë Hitleri, sigurisht ishte vënë në dijeni qysh më parë. Në 11 shtator, komanda gjermane urdhëroi gjeneral Gardinin, të dorëzohej dhe të hidhte armët. Pas kësaj, erdhën ditë tratativash të ethshme me nënkolonelin Hand Barge, po kur gjeneral Gardini refuzoi përfundimisht ultimatumin gjerman, ngjarjet morën rrokopujën.
Filloi beteja
Aviacioni gjerman me Stukasët e vet filloi bombardimin mbi mbrojtjen e dobët italiane. Rreth 2000 të vdekur brenda javës. Një kurth pa rrugëdalje. Gjeneral Gardini me në krah komandantin e vet, kërkoi dorëzimin. Në 22 shtator ky u pranua dhe filloi po kështu edhe dorëzimi i armëve.
Egërsia dhe mizoria e gjermanëve nuk kishte marrë fund ende. Ndërsa gjithë oficerët italianë, me në krye komandantin e përgjithshëm Antonio Gardin, u pushkatuan dhe trupat e tyre u hodhën në det. 5000 ushtarakë të tjerë të çarmatosur u pushkatuan e masakruan në një nga plojat më të tmerrshme të luftës së fundit. Shumë syresh u burgosën, të tjerë u rrekën të ktheheshin në Itali me çdolloj mjeti, dhe shumë të tjerë u bash- kuan me trupat e partizanëve jugosllavë, grekë e shqiptarë deri në fund të luftës.
Rreth 50 mijë italianë luftuan në lëvizjet e ndryshme çlirimtare të Greqisë, Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Po kaq, në mos më shumë, u tretën nëpër shoqëritë vendase: u riatdhesuan vetëm disa vjet më pas. Në Vlorë pati një garë të madhe solidariteti mes banorëve: falë këtij solidariteti, shumë ushtarakë italianë u kthyen në shtëpi, duke u shpëtuar spastrimeve dhe përzënieve.
Ema, ishte shumë aktive: me ndihmën e disa guximtarëve të tjerë, kishte themeluar rrethin e ‘Garibaldit’ në Vlorë dhe ishte zgjedhur kryetare. U organizuan mbledhje fondesh për të blerë rroba, këpucë, etj., si dhe për të shpëtuar shumë ushtarë të rinj të hallakatur që nuk kishin asgjë. Dy prej tyre, sidomos oficerët e karabinierëve, Federiko Taliani dhe Karlo Verdi, u mikpritën në kantinën e vilës ku jetonte Ema, në krah të bankës së Xhuzepes. Për bujarinë dhe vetëmohimin e treguar, Ema më vonë mori edhe një mirënjohje zyrtare nga autoritetet italiane.
Civilët italianë vëzhgoheshin, u nënshtroheshin marrjeve në pyetje, bastisjeve dhe përvetësimit të pasurive të tyre. Ishte shumë e vështirë të dilje hapur. Pranë shoqërisë AIPA, u masakruan dy punëtorë italianë dhe përfunduan në burg për disa ditë drejtori, inxhinier Balsamoja dhe administratori i deleguar Rovigati, miq shumë të shtrenjtë të familjes. Lajme tragjike mbërrinin prej shumë kohësh nga fronti greko-shqiptar, ushtarët e kapur dhe përzënë nga gjermanët në Gjermani ishin me mijëra.
S’kishim as një orë që ishim nisur nga Tirana, kur filluan të dukeshin shtëpitë e para të periferisë së Durrësit. Qyteza ka një pamje moderne, me një trafik modest makinash: disa janë vetëm të kohëve të fundit, të tjerat jashtëzakonisht të vjetra. Shumë njerëz të zënë me punë silleshin mes dyqaneve të shumta të qendrës. Trafiku është mjaft kaotik, me shoferë të padisiplinuar, për të cilët tabelat rrugore janë vetëm zbukurime të bezdisshme qytetase dhe çiklistët hyjnë kudo, duke ua kthyer një më një të sharave të shoferëve dhe këmbësorëve.
Ndërtesat që shohim rreth nesh janë pallate të mëdhenj dekadentë që u zihet fryma nga antenat parabolike të kohëve të fundit dhe thuajse të gjitha dritaret janë tejmbushur nga një mizëri rrobash të ndera. Përshtypja vizive është ajo e një pikture shumëngjyrëshe dhe abstrakte. Ndoshta Pikaso nuk do të mund ta kishte bërë më mirë.
Në port numri i bunkerëve është, mundësisht, shumë më i madh se sa kemi parë gjer më tash: mezi-mezi arrihet të shihet deti përmes hapësirave të ngushta mes këtyre monumenteve të luftës. I kërkojmë shoferit të ndalojë dhe të presë. Toli nuk zbret nga makina, që ta shoqërojë sa të kthehemi ne.
Shohim tela me gjemba që rrethojnë zonën e portit dhe ushtarë në gatishmëri lufte, që vigjilojnë në mole. Ka edhe ushtarakë të kontingjentit Italian që mbikëqyrin zonën. Duam të afrohemi t’i përshëndesim e t’u tregojmë mirënjohjen tonë, por mendohemi mirë: ky veprim mund të keqkuptohet.
Ecim duke shmangur pengesat deri në hotelin “Iliria” dhe afër kapanonit ku familja jonë kishte jetuar ditët e saj të fundit në Shqipëri, para se të shkonte drejt Vlorës e pastaj të nisej me anije për në Itali. Lexoj në sytë e dajës një përzierje mallëngjimi dhe ankthi lidhur pas këtyre kujtimeve. Ulemi në një lokal afër hotelit me formë rrethore dhe klasike të periudhës fashiste.
Ndjehet një aromë e mirë pjekjeje në prush, porositim Coca-Cola dhe ushqime të pjekura në hell që na duken shumë të shijshme. Para nesh ngrihet një kullë masive me bedena, e kohës së pushtimit të lashtë romak në Epir; i ngjan shumë, duke marrë në konsideratë përmasat, Mauzoleut të Çeçilia Metelës në Apian Antike. Mendoj se nëse Roma do të kishte qenë aq e fortë dhe vendet e pushtuara do të ishin bërë një konfederatë demokratike, ky det që tani ndan kombe e kontinente do të mund të kishte qenë me një mend deti nostrum dhe popujt mesdhetarë do të mund të kishin jetuar në paqe.
Mes hotelit të vjetër dhe kullës i është ngritur, në kohëra më të vona, një monument partizanit: dora e tij e djathtë kërcënuese dhe e ngritur tregon rrezikun imperialist që vjen prej Perëndimit. Katër topa të kohës, vendosur në katër pika kyçe, rrethojnë monumentin. Dajës i kujtohet mirë kjo kohë që e bëri protagonist 44 vjet të shkuara dhe rifillon rrëfimin.
“Vjen dita e nisjes. Ishte vjeshtë e vonë e vitit 1949 dhe dy ditë para na kishin lajmëruar: përgatisni plaçkat, pasnesër do të niseni në Itali. Gjithë plaçkat tona futeshin në katër valixhe. Pas shumë pritjesh dhe shtyrjesh, lista e italianëve të fundit që do të riatdhesoheshin përfshinte edhe emrat e familjeve Pozeli dhe Terruzi, të cilët, me mënyrat e tyre, duhej të shkonin nga Tirana në portin e Durrësit dhe prej aty të hipnin në anije drejt Brindizit.
Lajmi, i aq dëshiruar dhe aq pritur, erdhi befas, ndërkohë që kishte katër vjet që familja priste autorizimin. Mes lumturisë për largimin dhe të qarat për të shoqin që do të mbetej në burgun e Vlorës pa mbështetjen e saj, Aurelia përgatiti dy valixhe dhe një kuti kartoni. Deri në atë çast, familja ishte mbajtur në pasiguri për riatdhesimin, edhe për shkak se unë dhe gjyshi, për shkak të profesioneve tona përkatëse, i duheshim regjimit:
Mua sepse isha një sportist tashmë i famshëm dhe Vitalianon sepse, ishte një sipërmarrës ekspert. Por një sy vigjilent ruante edhe Aurelian, sepse hierarkët shqiptarë prisnin diçka prej saj si këmbim për lënien të lirë të të shoqit, por asnjëherë nuk e patën këtë kënaqësi. Aurelia duhej të kishte filluar një jetë të re, që prej asaj kohe e priste një rol i dyfishtë: të bëhej baba e nënë e djalit të saj, duke pritur të shoqin e burgosur, t’i kthehej në Itali.
Ishim gjashtë veta: unë, ti, nëna jote, nëna ime, im atë dhe stërgjyshja jote. Besonim se do të hipnim në anije një ditë pas mbërritjes. Por nuk ndodhi kështu”! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016